Muzikë për natyrën, koncert që evokon tingujt e Tokës, mbahet në Shqipëri edicioni i IX i Albanian Brass Festival

Festivali “Brass Albania” vjen në edicionin e tij të 9-të me dy koncerte në Tiranë e Shkodër. Artistët e ftuar, dy austriake luajnë kompozimet e tyre, frymëzuar nga natyra e kushtuar natyrës.

Në edicionin e tij të 9-të, Festivali “Brass Albania” mban dy koncerte që i kushtohen natyrës dhe tingujve për të e prej saj. Dy artistë austriakë mbajnë një koncert në shkollën “Servete Maçi” në Tiranë dhe në shkollën Prenk Jakova në Shkodër duke iu dhënë zë zërave të natyrës përmes një muzikë të krijuar enkas për të. Drejtuesi i festivali shpjegon nismën, ndërsa artistët kompozimet e tyre.

“Synimi është mbrojtja e natyrës, afrimi me natyrën dhe shkrirja me natyrën. Artistët austriakë, Alois Eberi dhe Anna Lang kanë kompozimet e tyre dhe luajnë vetë në instrumente veprat qe ia kanë dedikuar natyrës”, tha Ilir Kodhima Nga Brass Festival.

Për artistin, Alois Eberi, që luan në trombon e fizarmonikë, koncerti nis nga Jeta e tij.
“Ne jetojmë në një zonë të bukur, në Tiroli të Austrisë, të rrethuar nga gjelbërimi e pyjet. Ngjyra jeshile është e rëndësishme për muzikën tonë, ndaj luajmë kompozimet tona që i përkasin një stili muzikor që është mes jazz-it dhe muzikës klasike”.

“Kam sjellë dy kompozime, e para është histori fantazie, një suitë mbi dragonjtë dhe i kushtohet jetës në tokë para njerëzimit. Pjesa e dytë “Sinfonia e Karnavaleve” i kushtohet pakësimit të plastikës dhe në të, në fillim, kemi një tingull shumë të bukur që më pas dëmtohet për të kuptuar çfarë ndodh kur ndotet natyra”, shpjegon Anna Lang, violonçeliste.

Koncertet që vijnë në kuadër të nismës “Imagine dignity” të ambasadës austriake, kanë si synim ndërgjegjësimin ndaj problemeve të ruajtjes së natyrës dhe rëndësinë e biodiversitetit./Balkanweb/KultPlus.com