170 vegla muzikore popullore: Tradita jashtë vëmendjes institucionale

Shkas nga çelja e një ekspozite dhe botimit të një albumi/Fatkeqësisht duket se nuk do kalojë shumë kohë kur vegla muzikore si lahuta, cyla dyjare, kavalli, bakllamaja, apo disa lloje të tjera si ciganë, daulle, lauri etj., do të pësojnë fatin e ungarit i cili ka kohë që nuk duket në skena. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi.

Nga Esat Ruka

Duke vizituar një ekspozitë me veglat muzikore të përdorura në territorin shqiptar në shek. XIX –XX, të çelur në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, në nëntorin e vitit 2017, njihesh me një pasuri të çmuar të botës shpirtërore të kombit. Muzikanti koleksionist Ermal Sela iu është dedikuar me përkushtim e pasion promovimit të vlerave të trashëgimisë së kombit të vet me posedimin privat të një numri të konsiderueshëm veglash muzikorë tradicionale.
Emocionohesh teksa sheh eksponate të shumta veglash muzikore, të përdorura dy shekujt e fundit nga mjeshtra popullorë të trevave shqiptare apo mjetet e punimit të tyre, mjeshtrit e modelimit e prodhimit të tyre, elemente zbukurimi e pasurimi me simbolika me karakter historik, etnografik, mitologjik etj. Menjëherë bën përqasjen se si mundet që hapësirat territoriale të shqiptarëve janë kërcënuar të zvogëlohen apo tjetërsohen e deri rrënohen, ndërsa begatia, larmia dhe pasuria e kësaj trashëgimie tregon superioritet përmasash kulturore e historike?
E pamundur të bashkëjetojnë qetësisht idetë e deformuara qëllimshëm nga fqinjët ndaj një populli “pa qytetërim e pa aftësi kulturimi” ndërsa prania e kësaj trashëgimie “buçet e ulërin” me një shpërthim shpirtëror të dallgëzuar nëpërmjet kësaj begatie e larmie të pakrahasueshme mjeshtërish e krijimesh artistike.
Nuk kemi këmbëngulur se këto vegla muzikore janë pasuri e shpikur prej shqiptarëve. Ndoshta do të shkohet drejt etnogjenezës së vërtetë edhe të kësaj dileme. Por rrugëtimi artistik i produktit shpirtëror krijues, sa profesional aq edhe historik ka thadruar të drejtën dhe ka kalitur durimin se në përcaktimin e këtyre të vërtetave do të arrihet me “shpirt të vluem e me mendje të kullueme” do të shprehej Martin Camaj. Fakti se këto vegla muzikore kanë shoqëruar, ngazëllyer, inspiruar, argëtuar, motivuar e promovuar shpirtin krijues të një kombi në tallazet e jetës së tij, është një nga veçantitë e trashëgimisë që së paku i duhet injektuar gjeneratës së re. Këtë e bëjnë më së shumti e më së miri institucionet, njerëzit kompetentë, profesionistët, por edhe pasionantët e mjeshtrit e dijebërjes së tyre. Ekspozita paraqiste 170 vegla muzikore popullore. E sistemuar me kujdes tërhiqte vëmendjen e shikuesve të moshave e profesioneve të ndryshme, kryesisht të njerëzve që kishin lidhje shpirtërore me ‘to por edhe vizitorë të organizuar nga shkollat e Tiranës.
Kjo nismë e Ermal Selës shoqërohej edhe me një Katalog luksoz të titulluar “Midis shekujsh” i mbështetur nga Ministria e Kulturës. Katalogu me rreth 300 foto dokumenton një pjesë të madhe të korpusit të veglave muzikore përmbledhur në 125 faqe të përcaktuara në 99 instrumente muzikore. Ashtu sikundër shprehet edhe autori, ai është mbështetur edhe mbi një përvojë të mirënjohur institucionale e Akademisë së Shkencave të RSH. Kjo është një gjë shumë e mirë.
***
Ndoshta ishte mirë të ruhej raporti i pasqyrimit midis llojeve të veglave muzikore dhe aksesorëve të tyre si harku, penza, apo mënyrën e ekzekutimit edhe të ndonjërës prej tyre.
Çelja e një ekspozite të tillë me koleksionin privat të këtij artisti, që tashmë premton për një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm, mendoj se na sugjeron të gjykohet dhe të veprohet në bërjen e
një bilanci të vërtetë e të drejtë institucional ndaj kontributit 200-vjeçar e më tej të mjeshtërisë së dijebërjes dhe aftësisë së ekzekutimit, si pasuri të çmuara të konstitucionit shpirtëror dhe identitetit kombëtar. Ky mbetet një aspekt i gjerë e i thellë, por ne po cekim disa çështje.
Çfarë na sugjeron ekspozita? Praktika popullore e zejeve është mijëravjeçare. Ajo ka ndjekur etapat e zhvillimit të shoqërisë duke bartur shije të avancuara gjithnjë në mënyrë intuitive. Institucionet kulturore janë ngritur mbi përvojën popullore. Roli i tyre në progresin, dinamikën dhe shkëmbimin e përvojës ka klasifikuar, disiplinuar e normuar ligjësi e kode që përbëjnë aspektin programor dhe përmbajtësor të muzikës. Mund të themi se gjatë pjesës së dytë të shekullit XX në skenat shqiptare, por edhe jashtë Shqipërisë është dëshmuar një mrekulli artistike duke luajtur e zhvilluar në mënyrë profesionale melodi e suita popullore nga vatra më e vogël e zvetënuar e një instrumenti e deri në institucione qendrore të artit popullor, përfshirë edhe shkollat. Muzika solistike e shoqëruese me instrumente zë pjesën më të madhe të programit në skenë dhe si e tillë është e patjetërsueshme. Por përtej prezencës, a po kujdesemi që t’u rrëmbejmë atyre kapacitetin maksimal të aftësive të muzikimit? A garantojmë origjinalitetin e tingëllimit dhe funksionit të tyre? A duhet bërë diferenca midis llojeve e midis zhanreve dhe kush duhet ta bëjë? Është analizuar në mënyrë të përsëritur nëpër tryeza dhe sesione shkencore realiteti i zbehjes së jetës aktive në disa lloje veglash muzikore, ashtu sikundër është heshtur plotësisht nga disa formacione orkestrale në disa rrethe e institucione qendrore dhe lokale. Nuk gjejmë tjetër argumentim përveç zbehjes së punës institucionale, mungesa e kontakteve me bartës dhe lëvrues, mosvlerësim projektesh të specialistëve, mungesë llogaridhënie në organe të pushtetit lokal e mbi të gjitha mungesë akordimi për ‘to i mjeteve financiare. Jeta e tyre aktive ka kulmuar me lëvrimin e tyre në Festivalet Folklorike Kombëtare. Përvoja ka treguar se aty ku muzikantët e përgatitur me shkollë kanë dalë nga lëvizja amatore treguesit kanë qenë dhe mbeten mbresëlënës. Në krye të disa ansambleve folklorike në skenat e Festivaleve kanë udhëhequr muzikantë të mirënjohur nga Peshkopia, Puka, Mati, Mirdita, Tirana, Berati, Korça etj.,
Me keqardhje konstatohet se thuajse asnjë nga këto instrumente të ekspozitës së Ermal Selës nuk ishte në skenën e koncertit Gala të 60-Vjetorit AKKVP. Spektatori u dhuroi duartrokitje më së shumti sekuencave filmike para 45 vitesh në Dizhon të Francës se sa aspekteve të tjera në skenë aktualisht. Duket se po harrojmë se është filluar e pastaj mbështetur krijimtaria në muzikën dhe vlerat interpretative të këtyre veglave muzikore popullore. Dhe më keq akoma, tanimë përdorimi i tyre në skenat prestigjioze po gjykohet si “rraqe të vjetruara”!!. Dihet që pas atyre veglave muzikore popullore qëndron kontributi specifik i disa trevave dhe mungesa e tyre në skenë, cenon proporcionalitetin gjeografik të peizazhit të bukur artistik kombëtar. Edhe sa kohë do vazhdohet t’i referohemi festivalit të 11-ë si një goditje fatale politike që shmangu dihatjet e vrullshme të shpirtit të rinisë së kohës?
***
Ndoshta të njëjtën gjë do të bëjnë gjeneratat e ardhshme, kur me shumë të drejtë do të na etiketojnë si gjenerata e rendjes pas “magjes së huaj” pa respektuar vlerën e “magjes së vet”; Përse duhet të kërkojmë të na respektojnë të tjerët, kur ne nuk po e respektojmë veten? Fatkeqësisht duket se nuk do kalojë shumë kohë kur vegla muzikore si lahuta, cyla dyjare, kavalli, bakllamaja,apo disa lloje të tjera si ciganë, daulle, lauri etj., do të pësojnë fatin e ungarit i cili ka kohë që nuk duket në skena. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi që flet shumë. Nuk është vetëm argëtim. Është histori, qytetërim, shije estetike, shpresë. Me keqardhje prej gati tri dekadash në shkollat artistike jo vetëm nuk mësohet instrument popullor, por as nuk gjendet në mjediset e tyre një i tillë. U zhdukën kabinetet e folklorit të ngritur me pasion e përkushtim, u harruan formacione muzikore prestigjioze të ngritura në shumë shkolla e institucione qendrore e lokale. Qendrat Kulturore të Fëmijëve në qytetet e vendit po hapin dhjetëra kurse për gjuhët e huaja apo internetin (dhe mirë bëjnë), por për mësimin e instrumenteve popullore janë të pakët. Madje edhe aty ku ka (Rrëshen, Pukë, Burrel, Laç) drejtohen nga mosha të treta. Mediumet qendrore dhe lokale në mënyrë shumë periferike pasqyrojnë vlera të tilla. Qëndrimi i Drejtorisë së Trashëgimisë Kombëtare pranë Ministrisë së Kulturës flet për inkompetencë në mosfunksionim të një masterplani bashkëpunimi ndërministror dhe me institucione promovuese e shkencore në rigjallërimin e përvojave të njohura, por dhe problematikave që lindin lidhur me ndërhyrje abuzive për sa iu përket aftësive të tingëllimit dhe duke cenuar rëndë përputhjen toniko-modale në bashkëzanimin e joneve në orkestrinat popullore.
Nëse në KKTSH ky aspekt i trashëgimisë nuk shqyrtohet dhe trajtohet si pasuri kombëtare ku të dilet me një qarkore në shkallë vendi me përcaktime masash korrigjuese e mbështetëse nëpërmjet politikave efikase, shumë shpejt do të ndodhë si në katalogun e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që në vend të emrit të artistit Ndue Shyti të vendoset artisti Dervish Shaqa.
Potencialet intelektuale dhe tradita popullore mendoj se janë më lart se aftësitë dhe përkushtimi që demonstrohet nga administratat e kulturës. Ky është një aspekt që kërkon drejtpërdrejt vëmendjen e shtetit shqiptar.