Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit sot në Ditën Botërore për Teatër ka ndarë çmimet vjetore për teatër, shkruan KultPlus.
Çmimi për vepër jetësore iu nda aktores Myrvete Kurtishi, ndërsa Çmimi për shfaqjen më të mirë Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” të Fatos Berishës. Çmimi për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se këto çmime janë ndarë nga një juri shumë profesionale për të shpërblyer artistët që kanë kontribuar në aktivitetet e teatrit.
“Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi vazhdimisht në përkrahjen e juaj në vazhdimësi edhe përmes ndarjes se çmimeve vjetore por edhe përmes rrugëve të tjera alternative që të keni mbështetje të krijimtarisë tuaj”, u shpreh ministri Gashi, i cili më tutje i uroi të gjithë aktorët që po e mbajnë gjallë kulturën dhe teatrin.
Myrvete Kurteshi, mes emocionesh të shumta pranoi Çmimin për Vepër Jetësore ndërsa tha se për gjithsej dyzetë vite ka pritur për këtë çmim.
“Ndoshta kisha dalë para një mijë personash për ta dhënë shfaqjen, pa mu dridhur duart dhe goja por kjo është sakrifica ime për dyzetë vite”,u shpreh Myrvete Kurtishi, e cila falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret që e kanë përkrahur gjatë gjithë karrierës së saj për katër dekada.
“Falënderoj edhe publikun tim i cili më ka rrit, më ka kriju, më ka frymëzu dhe më ka pru deri në këtë moment që t’i fitoi këto ”, tha ndër të tjera aktorja.
Çmimet janë ndarë nga juria e përbërë nga Vlora Nikçi, Luan Daka, Nëntor Fetiu, Mirsad Ferati dhe Liridon Cahani. Luan Daka, përfaqësuesi i jurisë tha se dhjetëra role të shkëlqyeshme të aktores Kurteshi në Teatrin e Gjakovës dhe në teatro të tjera e bëjnë atë bartëse të denjë për çmimin për vepër jetësore.
Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” me regji të Fatos Berishës. Fetah Paçarizi, Drejtori i Teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” derisa pranoi këtë cmim falendëroi ministrinë dhe jurinë për ndarjen e këtij çmimi, e veçmas Fatos Berishën, regjisorin e shfaqjes “Armiku i Popullit”. Regjisori Fatos Berisha tha se është nder i madh që ta pranoi këtë çmim.
“E falënderoi Teatrin e Prizrenit që ma ka dhënë mundësinë së pari, për mua si regjisor dhe ideator i projektit, ky është gëzimi më i madh por mendoj që falënderimi duhet të shkoj për gjithë ekipin e shfaqjes”, u shpreh Berisha sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Çmimi për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”. Duke qenë se regjisori Bekteshi vjen nga Shkupi, ai tha ky çmim përveçse e gëzon atë përmban një simbolikë shumë të rëndësishme se MRKS, hapësirën kulturore shqiptare e sheh si tersi.
“E falënderoj jurinë profesionale dhe nuk mund mos ta falënderoi edhe drejtorin e Teatrit të Prizrenit, Fetah Paçarizin me të cilin çdo herë që bëj shfaqje, e dëshmon se është një menaxher i jashtëzakonshëm. Është hera e dytë që unë punoj në Teatrin e Prizrenit dhe është hera e dytë që shpërblehem”, u shpreh Bekteshi./ KultPlus.com