Baritoni Gëzim Myshketa ‘ndez’ Durrësin, shndërron amfiteatrin në skenë unike

Amfiteatri i Durrësit është shndërruar në një skenë unike mbrëmjen e së shtunës. Një koncert gala i baritonit Gëzim Myshketa, ku ndërthureshin kryevepra të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare.

Një borxh ndaj qytetit të tij të lindjes e ka cilësuar vetë artisti këtë rikthim, shoqëruar me emocione të papërsëritshme.

I shoqëruar nga kori, solistët dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, Myshketa interpretoi një përzgjedhje këngësh shqiptare, duke përfshirë “Të falem i bukuri Durrës”, “Për ty Atdhe” dhe “Pragu i vegjëlisë”, krahas pjesëve të njohura ndërkombëtare si “Parla più piano”, “Funiculì Funiculà” dhe “Caruso”.
Baritoni durrsak është fitues i disa çmimeve prestigjioze. Ai është i njohur për interpretimet e tij në skenat e Italisë, Japonisë, Koresë, SHBA-së, Gjermanisë dhe më gjerë.

I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe Presidenti i Republikës.

Çdo interpretim u prit me duartrokitje nga publiku pjesëmarrës, që si rrallë herë, kishte tejmbushur Amfiteatrin e qytetit bregdetar./balkanweb/ KultPlus.com

Pas 12 vitesh, Gëzim Myshketa rikthehet me një koncert recital në Durrës

Baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa, rikthehet në qytetin e tij të lindjes pas 12 vitesh me një koncert recital madhështor në Amfiteatrin e Qytetit Antik të Durrësit, shkruan KultPlus.

Ky koncert madhështor i cili vjen më 6 korrik në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Teatrin e Operas do të ketë edhe artistë të ftuar special si Arjola Shehu, Gerald Murrja, Anxhelo Mucollari, Renisa Lacka, Adela Mucollari, Brikel Guga dhe Viktor Yankovski, nën udhëheqjen e dirigjentit italian Jacco Supa.

Po ashtu, baritoni Myshketa për herë të parë organizon edhe një masterclass me mjeshtrat më në zë të panoramës operistike ndërkombëtare si: Angelo Gabrielli, Daniela Schillaci, Mario de Carlo, Mirca Rosciani dhe Elda Laro për të perfeksionuar mbi 40 talente me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Brazili, Mauritania, Kina, Polonia, Gjermania, Franca, Italia, etj.

Ngjarja do të mbahet më datat 1,2,3 dhe 4 Korrik duke u përmbyllur me një gala koncert Final në ADRIATIK HOTEL DURRËS ora 21:00./ KultPlus.com