Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka vizituar sot qytetin e Prizrenit.
Cramon këtë vizitë e bëri nën shoqërimin e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku me të cilët vizitoi edhe shumë monumente të trashëgimisë kulturore në këtë vend.
Von Cramon tha se është e nderuar që vizitoi këtë vend, ndërsa shpresoi të mos jetë vizita e fundit atje.
“Faleminderit për ditën interesante në Prizren. Ishte një nder i madh për mua të isha mysafire juaja dhe të vizitoja trashëgiminë kulturore të Kosovës së bashku me kryetarin e qytetit Haskuka dhe Ministrin e Kosovës për Kulturë, Çeku. Shpresoj të kthehem së shpejti. Vend i shkëlqyeshëm për jetën multietnike”, shkroi von Cramon në rrjetin social Twitter./ KultPlus.com
Thanks for the interesting day in #Prizren. It was a big honour for me to be your guest & visit the cultural heritage of #Kosovo together with the Mayor the City @mhaskuka and the Kosovo Minister for Culture @HCeku. I hope to return soon. Great place for #multiethnic life! https://t.co/6I3gs0tPRp
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka treguar se janë rregulluar gabimet drejtshkrimore në pllakën e Muzeut të Dëshmorëve në Prizren, përcjell KultPlus.
Inaugurimi i “Muzeut të Dëshmorëve” në Prizren u bë të shtunën. Ndërsa gabimet drejtshkrimore kishin rënë në sy dhe ishin përcjellë me kritika.
Në pllakë shkruhej Muzeu i Dëshmoreve” dhe “Martys Museum”, në vend të “Muzeu i Dëshmorëve” dhe “Martyrs Museum”.
Por Haskuka në Facebook ka treguar se gabimet janë rregulluar të shtunën.
“Dy pikat e Ë-së rregullohen, por mendjet e disave vështirë. U munduan ta vonojnë e ta sabotojnë hapjen e Muzeut të Dëshmorëve, biznese të lidhura me ish pushtetin. Por ja që nuk e arritën, ngase ne jemi për të punuar e zhvilluar, e jo për të sabotuar e shkatërruar. P.S.: Dje gjatë ditës mbishkrimi është rregulluar”, ka njoftuar kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Haskuka ndërkohë ka rregulluar me “photoshop” edhe te foto që e ka postuar dje në Facebook gjatë inaugurimit të Muzeut të Dëshmorëve ku shiheshin gabimet drejtshkrimore në pllakë. / KultPlus.com
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një postim të bërë në Facebook ka shkruar për shtatoret e Gjergj Kastriotit dhe Adem Jasharit që u vendosën për festën e flamurit në këtë qytet, por që morën kritika të shumta për shkak se kishin një pamje të deformuar.
Ai ka thënë shqetësimet e qytetarëve, janë shenjë e dashurisë, derisa thotë se Skënderbeu dhe Adem Jashari tashmë kanë zënë vend në Prizren, dhe ata do të jenë aty përgjithmonë, pavarësisht nëse forma e paraqitjes do të mund t’ i nënshtrohet përmirësimeve, për të arritur nivelin e duhur artistik dhe historik.
Ndërsa ai ka shtuar se sa i përket shtatores së Adem Jasharit, ajo nuk është vendosur në pronë publike e as nuk është realizuar si projekt publik.
Ky është postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Prizrenit, të dashur bashkëkombas shqiptarë kudo që jeni,
I kam lexuar me kujdes shqetësimet që keni ngritur në rrjetet sociale për statujat e vendosura në Prizren.
Më vjen mirë që shqiptarët e duan Prizrenin dhe i duan heronjtë tanë kombëtarë, sepse shqetësimet tuaja janë shenjë e dashurisë. Është më mirë kritika për shkak të dashurisë, se sa heshtja për shkak të moskokëçarjes.
Së pari më lejoni të pohoj: Skënderbeu dhe Adem Jashari tashmë kanë zënë vend në Prizren, dhe ata do të jenë aty përgjithmonë, pavarësisht nëse forma e paraqitjes do të mund t’ i nënshtrohet përmirësimeve, për të arritur nivelin e duhur artistik dhe historik. Është fakt dhe arritje, që në kryeqytetin historik e shpirtëror të projektit kombëtar shqiptar, të shkelin Gjergj Kastrioti dhe Baca Adem.
Së dyti, dëshiroj të sqaroj diçka, sepse kam parë që qarkullojnë informata të gabuara. Sa i përket shtatores së Gjergj Kastriotit, ajo nuk është realizuar me tender e as me para të komunës, prandaj nuk ka asnjë të vërtetë te insinuatat për vjedhje apo për përzgjedhje të artistit realizues. Ajo shtatore është bërë prej shoqatës së diasporës “Trojet e Arbrit”, të cilët kanë përzgjedhur artistin dhe kanë realizuar me mjetet e tyre monumentin. Komuna, sipas marrëveshjes, ka ofruar vendin dhe realizimin e piedestalit, dhe në projekt kemi realizimin e një sheshi, përreth monumentit.
Unë si kryetar i Komunës nuk jam autoriteti që vendos për vlerat artistike e as për ato historike. Por, dëshiroj t’ ju tregoj qytetarëve se ne do të themelojmë një komision për këtë çështje, të përbërë nga profesorë të artit, urbanistikës dhe të historisë, nga Kosova apo nga trojet shqiptare, i cili komision do të ketë për detyrë të sjellë një raport këshillues, se si duhet vepruar me shtatoren, dhe çka duhet të bëjmë me të. Në bazë të atij raporti këshillimor, do të diskutojmë në asamblenë komunale, dhe do të marrim vendim për të vepruar, me transparencë të plotë dhe në përputhje me interesin e treguar prej gjithë publikut mbarëkombëtar. Gjithsesi, po e përsëris, Skënderbeu është në Prizren, dhe do të jetë gjithmonë.
Sa i përket shtatores së Adem Jasharit, ajo nuk është vendosur në pronë publike e as nuk është realizuar si projekt publik. Ajo është vendosur brenda një qendre tregtare dhe është realizuar prej asaj qendre, me miratimin e disa përfaqësuesve të familjes Jashari. Ne jemi njoftuar me veprën vetëm pasi që ajo është vendosur aty, njësoj si gjithë publiku tjetër. Është e vërtetë se në pronë private nuk i takon Komunës që të ndërhyjë, megjithatë, simbolet kombëtare, siç është edhe Adem Jashari, duhet të mbrohen nga shteti edhe për mënyrën e përdorimit në mjediset private. Siç kemi marrë vesh më vonë, ajo statujë do të tërhiqet, me vendim të vetë operatorit privat, dhe shpresojmë që do të zëvendësohet me një statujë më të mirë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, më lejoni të lajmëroj publikun e gjerë se Komuna e Prizrenit tashmë i ka ndarë fondet dhe e ka filluar projektin, për të ndërtuar një monument publik, në një hapësirë publike, për komandantin legjendar Adem Jasharin.
Kjo është e vërteta. I falënderoj shumë kritikët, sepse pa kritika nuk ecet përpara. Shpresoj që me këto informacione, të kem kontribuar sadopak në sqarimin e opinionit publik në lidhje me këtë çështje të rëndësishme./ KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sonte ka bërë ndriçimin e Urës së Gurit, shkruan KultPlus.
Këtë ai e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka shkruar se krahas Urës së Gurit në të ardhmen do të ndriçohen edhe monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Më i bukuri vend dhe qendra historike e tij tanimë ka marrë një pamje më të bukur e të ndriçuar!
Nga sonte, çdo natë, Ura e Gurit, do të ndriçohet në mënyrë automatike për t’i dhënë qytetit tonë një pamje më të bukur.
Ndriçimin e filluam me Urën e Gurit, simbol i qytetit të Prizrenit, ndërkaq kështu do të vazhdojmë edhe me urat e monumentet tjera të trashëgimisë kulturore të Prizrenit./ KultPlus.com