Nadire Dida, mësuesja e një jete plot dashuri e vështirësi

Mësuesja nga Prishtina nuk ka pasur një jetë mbushur me lule.

Nadire Dida e ka ditur çka është dashuria, dhimbja, emocioni, gjuha shqipe, vuajtja. Të shkruash për gratë e vyeshme që bënë karrierë e të mos përmendësh Nadire Didën, mbase nuk të falet, shkruan Sanije Gashi në librin ku janë përfshirë gratë që i dhanë shumë shqiptarëve.

E nisi mësimdhënien qysh në moshën 16-të vjeçare, fillimisht në shkollën “Elena Gjika” asokohe Vuk Karaxhiq, me drejtor Hilmi Bërvenikun.

Nga duart e saj do të rriten e dalin gjenerata të ndryshme në Prishtinë, Therandë, Prizren, e në fund në Prishtinë, aty ku edhe do ta mbyllte shekullin e punës prej një pedagogeje të shkëlqyeshme në çdo hap edukimi.
E lindur në vitin 1930, vazhdon si nxënës e gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet, me klasën e 38 nxënësve që quhej ndryshe edhe klasa gatimore.

Në vitin 1949 ajo martohet me intelektualin nga Prizreni, Sedat Dida, me të cilin lindë dy fëmijë – Agronin dhe Vetonin.

“Shoku im ka qenë drejtor në gazetën “Rilindja”. Ai ka qenë intelektual, i ri. Më thirrë për drekë te Asllan Fazliu. Ai ka qenë shok me Sedatin, shoku jem Sedati. Unë shkova. Në korzo po dali sa çika, po dalin me noj djalë. E une kërkun s’po dal. Hangrëm drekë, mandej po pysin burrin tem “Sedat bre! Hajde bre Sedat, a ki gjetë noj çikë?” “Jo, jo, jo. Ik, ik ik!” ai burri jem. “Fol, fol hajde. A ke ndoj simpati ktu?” Atij po i vjen marre e dikur thotë, “Osht’ bre nji çikë. Po a e dini çka? Unë po eci sa ma larg prej saj se ajo duhet t’jetë noj borgjeze, se vishet shumë pedante”. A unë babë s’kam pas edhe nuk kam qenë borgjeze, po nime kam qenë pedante. “Uhh… “ ata thojnë, “çfarë borgjeze, paske zgedhë nji çikë shumë t’mirë” thotë Nadire Dida në një intervistë për Oral History në vitin 2014-të.

Tregimi i saj është tregim i përzier, i ndjenjave në të cilat një engjëll si Nadire Dida do të duhej të kalonte herët a vonë, shkruan KultPlus.

Nadire Dida, kjo mësuese e pathyeshme. Në gjeneratën e fundit, tregon ajo, i ka pasur 56 nxënës, të ndarë bashkë me mësuesen Jakute Zherka. Rreth viteve 70-të të shekullit të kaluar del në pension. Në vitin 1973 ajo merr 1 milion dinarë si mësuese e dalluar, me një shpërblim në Beograd.

Më pas dekorohet me Medaljen Mësuese e Merituar, Medalja për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, Mirënjohja për punë dhe rezultate të jashtëzakonshme në lëmin e kulturës së përgjithshme arsimore dhe edukative, Mirënjohja në 50-të vjetorin e shkollës “Faik Konica”…

“Sedati ka qenë njeri I mirë, bashkëshort që meriton të kujtohet” i thotë mësuesja Sanije Gashit – kësaj studiuese e cila e viziton para se të shkruajë librin e saj dhe ku natyrisht e inkuadron në disa faqe tregimin për Nadire Didën, gruan që edukoi gjenerata dhe pati jetë me respekt, dashuri e sfida. / KultPlus.com