Shtëpitë e vjetra të Prizrenit, nën llupën e shndërrimit artistik në Autostrada Biennale (FOTO)

Në një kohë rrënimesh të objekteve të vjetra, dëmtimit të kujtesës kolektive e vlerave kulturore historike nëpër qytete të Kosovës, shtëpitë e vjetra të Prizrenit janë bërë destinacon i artdashësve.

Autostrada Biennale i ka shndërruar ato në vendtakime për artin bashkëkohor.

Nën kulmet e shtëpive të vjetra të qytetit, bashkë me trashëgiminë, kanë marre jetë shumë vepra të artit bashkëkohor, të lidhura me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor të Prizrenit.

Një nga to është shtëpia e Nafis Llokvicës, që është shtëpia më e vjetër në kompleksin e Marashit. Burimet e shkruara flasin shumë pak për këtë shtëpi, por pronari i kësaj shtëpie dëshmon që kjo shtëpi është ndërtuar nga paraardhësit e tij 250 vite më parë. Shtëpia ka qenë e banueshme deri në vitin 2013 dhe në të kanë jetuar 4 gjenerata të familjes Llokvica. Nga 2013 – 2016, pronari ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse dhe NGO-të mbështetje financiare për restaurimin e saj, por fatkeqësisht nuk ka marr përgjigje pozitive. Prej asaj kohe shtëpia lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të saj.

“Ne prizrenasit me gjithë qejf, duke e rrahur gjoksin themi se Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, por Prizreni është kryeqyteti kulturor i Kosovës. E gjithë kultura fillon nga Prizreni. Prizrenit nuk i thonë kot muzeu i hapur” , thotë pronari i shtëpisë, Nafis Llokvica, duke shtuar se kjo përvojë e ka inspiruar për gjëra më të mira:
“Në Prizren askund nuk ka galeri. Ndoshta, pas Autostrada Biennale, këtë vend do ta bëj galeri duke i ftuar piktorët, sepse mund të hapen ekspozita të bukura. I gjıthë ky Prizren me mbi 200 mijë banorë, nuk ka asnjë galeri. Vetëm hamamin e kemi, e cila herë pas here shfrytëzohet dhe asnjë galeri tjetër nuk e kemi.”

Pronari Nafis Llokvica për 40 vite me aparatin e tij ka qenë dëshmitar i shumë ndodhive të cilat janë dokument i kohëve të shkuara, të ruajtura në foto-arkivën e tij të pasur, shkruan KultPlus.

“Kur flas rreth këtij profesioni, më duhet të kthehem më prapa, sepse kam jetuar në këtë shtëpi. Mund të them që krijimi i arkivës, filloi si një hobi, dhe më vonë u shndërrua në fobi, sepse nuk doja ta humbas asnjë moment. Çdo gjë të incizoj, të filmoj, të fotografoj, e kam ndjerë nevojën t’i ruaj të gjitha, sepse e di që të gjitha këto një ditë do të bëhen histori. Ndoshta pas meje, ndoshta unë nuk do t’i shohë ato ditë, por borxhi im është që ta ruaj të gjithë këtë arkivë, ta digjitalizoj dhe ta mbroj nga zhdukja, ” tregon Llokvica.

” Ngjarjet kulturore në Prizren, plotësisht, të gjitha i kam xhiruar, sepse afro 20 vjet kam marrë pjesë në teatër. Ka edhe ngjarje politike, protesta. Unë gjatë luftës kam qëndruar këtu. Ka pamje nga lufta, pasluftës ka pasur shumë ngjarje, pas viti 1999 kemi pamje të shumta. Dokumentari më së shumti që ka pasur interesim është ‘’Çlirimi i Prizrenit’’. Ajo kasetë ka arritur në pesë kontinente.”

“Bukuria e fundosur”
Shtëpia e Nafis Llokvicës, dikur e përmbysur nga vërshimet e Lumbardhit, është kthyer në galeri ekspozuese për fotografitë e artistit Tajvanez YANG SHUN-FA, titulluar “Bukuria e fundosur e Formosës”
Me këtë seri fotografish, Yang kërkon të zgjojë vëmendjen e njerëzve për ndryshimet klimatike dhe ndryshimeve që ndodhin rreth nesh. Sipas Yang : “Gjithçka po ndryshon, përveç të menduarit tonë. Ne nuk i marrim paralajmërimet e Nënës Natyrë seriozisht dhe ende besojmë se njerëzimi do të triumfojë mbi natyrën.”

Në njërën nga dhomat e vjetra të shtëpisë, vazhdon të shfaqet video dokumetimi i performancës së Li Binyuan nga Kina, shkruan KultPlus.

Li Binyuan punon me mjedisin e tij të afërt dhe ngjarjet që ndodhin rreth tij. Puna e tij nënvizon përsosjen e individit, trupin në sjelljet e tij të shumëfishta. Li Binyuan e vendos vetë jetën në qendër të punës së tij, por nganjëherë na sjell edhe përtej kësaj.

“BUJQËSI E LIRISË” është vepër mbi tokat që artisti trashëgoi pas vdekje së të atit, që ai i përdori për fermë.
“Kjo më bëri të humbas, duke mos ditur se çfarë të bëj me të. Unë u përpoqa ta shmangja atë. Duke u turpëruar nga përballja me realitetin, unë rrallë shkoja në shtëpi. Megjithatë, problemi nuk zgjidhet për shkak të tjetërsimit tim. Ndjesia ime e përkatësisë dhe e identitetit është zhdukur gradualisht.,” shpjegon Li Binyuan, duke vijuar:

“Nuk është se deri në vitin 2014 unë kam vendosur të bëjë një performancë në një nga pronat e tokës, që të përdor trupin tim për të rishikuar dhe riprekur vendin tim të lindjes, i cili është bërë i çuditshëm dhe i afërt me zemrën në të njëjtën kohë. Unë hidhesha lartë dhe bija përsëri në tokë vazhdueshëm derisa pushoi rraskapitja, më në fund u afrova me të. Titulli “Bujqësia e Lirisë” vjen nga certifikata e pronësisë së tokës dhënë nga Komiteti i Fshatarëve. E shoh këtë proces si një masë të vetë-shpëtimit. “Bujqësia e Lirisë” është një vepër e dialogut me vet – veten, me gjeneratën e prindërve të mi dhe realitetin tim, përmes të cilës përpiqem të gjej një ekuilibër në mes të trejave. Ndoshta për të ringjallur disa gjëra, në të njëjtën kohë për të rikonfirmuar përkatësinë time. Çdo kërcim është një largim dhe rënia është kthimi në shtëpi. Midis largimeve dhe kthimeve, diçka definitivisht mungon.”

“Bukuria e fundosur e Formosës” dhe “Bujqësi e lirisë” qëndrojnë të ekspozuara në shtëpinë Nafis deri më 23 shtator, kur edhe përmbyllet edicioni i parë i Autostrada Biennale. / KultPlus.com