Ministrja Nagavci: Le ta mbrojmë gjuhën shqipe me çdo formë, çdo ditë nga pak

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se si ministri kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për konsolidimin e pozicionit të diasporës shqiptare, me fokus të veçantë tek arsimi dhe edukimi.

Nagavci ka thënë se që nga marrja e mandatit, kanë ofruar mbështetje në shumë forma, duke nisur nga:

Hartimi i teksteve të gjuhës për mësimin e shqipes në Diasporë, krijimi i platformave për bashkëpunimin e hulumtuesve shqiptarë gjithandej, nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri etj., kemi hartuar dhe vënë në përdorim tekstet e Niveleve I dhe II për Diasporën, ndërkohë që Niveli III është në përpunim e sipër, me mësues, përfaqësues të shoqatave, bizneseve e institucioneve, në takime të përzemërta ndamë përvojat e diskutuam për planet tona për të ardhmen, për gjuhën dhe kulturën shqipe, për identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Nagavci .

Ajo ka theksuar se gjuha amtare është ndër tiparet më të theksuara të prejardhjes së përbashkët dhe kulturës kolektive të një populli.

“Le ta mbrojmë Gjuhën Shqipe me çdo formë, çdo ditë nga pak, dhe çdo vit më shumë.” Të gjithë bashkë për jetësimin e identitetit shqiptar ndërmjet gjuhës dhe kulturës”, seminari i organizuar nga Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali ishte aktiviteti që na bashkoi me mësuesit e shkollave shqipe”, ka shkruar Nagavci.

Nagavci uron fëmijët dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor, zotohet për një arsim cilësor

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë.

Në një postim në Facebook, ajo thotë se me punë e përkushtim, do ta realizojnë misionin për një arsim cilësor.

Tutje, Nagavci thotë se në bashkëpunim me shkollat, prindërit e mësimdhënësit suksesi do të jetë i garantuar.

“Të dashur nxënës, të nderuar prindër, mësimdhënës, udhëheqës të shkollave e zyrtarë komunal. Urime dita e parë e vitit shkollor. Një urim i veçantë për fatosat që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Sot fillon një kapitull i ri për nxënësit tanë, shumë mundësi e përvoja të reja! Jam besimplotë për një vit motivues, frymëzues e punë me përkushtim nga mësimdhënësit, andaj dhe plot suksese për nxënësit tanë. Me punë e përkushtim do të realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor. Në bashkëpunim me shkollat, prindërit, mësimdhënësit suksesi do të jetë i garantuar.  Qoftë një vit i mbarë”, ka shkruar ministrja.

Ministrja Nagavci: Mbi 194 mijë prindër aplikuan deri më tani për subvencionim të librave

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë të ditur se është duke vazhduar subvencionimi për tekste dhe materiale shkollore.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se deri tani kanë aplikuar gjithsej 194.180 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

“Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 171.200 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar edhe sot. Çdo rast i adresuar në numrin e telefonit dhe në email adresën [email protected] është trajtuar me prioritet dhe u është ofruar ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”.

“Ashtu siç e kemi thënë, asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste shkollore dhe si asnjëherë më parë gjithçka është gati për fillimin me kohë e të mbarë të vitit shkollor”, ka thënë Nagavci.

Ministrja Nagavci në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve: Ju jeni e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka uruar fëmijët në ditën ndërkombëtare të tyre, 1 Qershorin.

Nagavci në profilin e saj në “Facebook”, ka shkruar se fëmijët janë e ardhmja jonë.

“Në këtë ditë të veçantë, 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dua të ju përcjell urimet më të përzemërta e të falënderoj për energjinë, gëzimin dhe shpresën që sillni në jetën tonë të përditshme. Ju jeni e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë, dhe është obligim i ynë t’u garantojmë fëmijëri të sigurtë e të lumtur dhe të krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët pa dallim”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se “Ministria e Arsimit është e përkushtuar që të krijojë një sistem arsimor që ju mbështet, frymëzon dhe ju ndihmon të arrini potencialin tuaj të plotë”.

“Ne punojmë çdo ditë për të siguruar që shkollat tona të jenë vende të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të pajisura me mjetet më të mira për të mësuar”, thotë Nagavci.

Ministrja ka pohuar më tej se “Kjo ditë na e rikujton se fëmijët janë pasuria jonë më e madhe dhe se investimi në arsim është investimi më i mirë për të ardhmen”.

“Angazhimi ynë për avancimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve nuk do të ndalet. Do të punojmë shumë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve dhe për të ndërtuar një shoqëri ku secili fëmijë ka mundësinë të zhvillohet e të kontribuojë në mënyrë të barabartë”, thotë mes tjerash ministrja.