Bashkëdyzimi i dy botave të ndryshme shpalosen në një “Ditë Vere” të (jashtë)zakonshme

Uranik Emini

Një shfaqje që në shikim të parë mund të duket asgjë tjetër sikurse vetëm një “Ditë Vere” e zakonshme, së fundmi u shfaq në qendër të skenës, por me një mesazh të veçantë prapa vetes. Ky prodhim me një ekip të madhe mbrapa vetes, u shkëput nga skena tradicionale e teatrit, duke u shpalosur në një mjedis të hapur dhe duke ofruar një përvojë të freskët dhe me të vërtet të “ftohtë” për shikuesit e teatrit. “Ditë Vere” prezantoi tre personazhe intriguese, duke personifikuar temat e fatit, fatkeqësisë dhe zonjës, të mishëruara nga aktorë të rinj e të talentuar, që patin fatin edhe të debutojnë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në thelbin e tij, “Ditë Vere” është një eksplorim i përplasjes së fateve të ndryshme, ku dy personazhe nga fusha krejtësisht të ndryshme të jetës e gjejnë veten në një pikë të njëjtë, atë të vetëvrasjes. Në një botë ku njëri ishte bekuar me të gjitha privilegjet dhe komoditetet që mund t’i ofronte jeta, dhe tjetri kishte njohur vetëm vështirësi dhe zhgënjim, rrugët e tyre u bashkuan me qëllimin e përbashkët për t’i dhënë fund jetës së tyre.

Fat-miri, mishëronte thelbin e mungesës së shpresës dhe dëshirave në jetë. Edhe pse për të çdo aspiratë, çdo ëndërr, çdo synim nuk ishte thjesht i arritshëm, por i pashmangshëm, ai kishte çdo gjë që dëshironte dhe jetonte pa shpresën se diçka e re mund të ndodhte, por e dinte se realizimi i të gjitha dëshirave të tij, ishte i paevitueshëm. Duke pas gjithçka në jetë dhe aftësi për çdo gjë, atij i mungonte diçka shumë e thjeshtë, shpresa për të përjetuar diçka ndryshe.

Ndërkaq, Fat-keqi, jeta e të cilit kishte qenë e mbushur me fatkeqësi, ai ishte tanimë i familjarizuar me një seri zhgënjimesh të pafundme. Që nga dështimi për të mësuar aftësi të reja deri te të qenit i paaftë për të krijuar lidhje domethënëse, ekzistenca e tij dukej pa qëllim. Në sytë e Fat-keqit, jeta ishte bërë një luftë e pamëshirshme, një udhëtim i shkretë pa asnjë rezultat të sukesit, por çdo veprim, fjali, bisedë e tij kishte të njëjtin rezultat, atë të dështimit.

Udhëtimet e tyre të kundërta, njëri i zhytur në dëshpërim dhe tjetri i mbushur me shpresë, përbëjnë thelbin e “Ditë Vere”. Ky prodhim unik paraqet shkrirjen e këtyre dy jetëve në dukje të ndryshme, duke i çuar ato në një takim fatal, ose edhe jo…

Në shfaqje gjithashtu paraqitet edhe pjesa e “mrekullive” duke lënë një pikëpyetje në qoftë se ato ekzistojnë me të vërtetë. E pikërisht, përmes një shalli paraqitet edhe një kthesë e papritur e fatit, Zonja, e cila ndalon tragjedinë, i jep krejtësisht një kuptim tjetër rrjedhës së shfaqjes. E gjitha skena në ambient të hapur u pasurua edhe me kompozimin e Memli Kelmendit që kishte ndikim të madh në kalimin nga njëra skenë në tjetrën.

Derisa personazhet takohen në këtë mjedis të ri, ata fillojnë të kalojnë kohë me Zonjën dhe njëkohësisht të bëjnë një “garë” mes veti se kush do ta fitojë atë në fund.

Ndërkaq, Regjisori i shfaqjes, Kaltërim Balaj, tha për KultPlus se ndjehet shumë falënderues për të gjithë ata që dhanë kontribut që kjo shfaqje të shkojë sa më mirë, duke dhënë edhe disa detaje nga prapaskenat.

“Këtu jashtë nuk ka pas prapaskena hiç. Kemi punuar në sy të të gjithë publikut, nga skena në skenë. Na kanë pa duke përparuar çdo ditë. Realisht, shfaqja është “Ditë Vere” dhe e shkruar për një ditë të bukur vere me fate të ndryshme dhe me dramën që e ka, ku në një ditë të bukur vere është një ditë shumë e trishtë për personazhet. Shfaqja ka qenë e planifikuar për 18 tetor, mirëpo Teatri e ka përcjellë motin dhe ka vendosur që ta bëjë më 15 tetor, megjithatë pa pas mundësi që të parashikojmë në tërësi motin, që ka qenë shumë i ftohtë sot”.

Balaj u shpreh mirënjohës edhe për aktorët, që përkundër të ftohtit, nuk u dorëzuan dhe nuk u ndalën së punuari.

“Jam shumë falënderues për aktorët që në këtë të ftohtë, jo vetëm që nuk janë dorëzuar, por s’ka pasur që i ndalë as fryma as i ftohti. E falënderoj publikun që qëndroi deri në fund dhe teatrin që na ka qëndru mbrapa me mbështetje të plotë”, tha ai.

Potenciali i aktorëve në Kosovë, qoftë atyre të rinj apo rezidentë të teatrit, është shumë i madh sipas Balajt.

“Mendoj që në këtë shfaqje kemi pas potencial të jashtëzakonshëm, e besoj që në Kosovë nuk mungon aspak. Si zgjedhje regjisoriale ka qenë që personazhet kryesore të jenë moshat më të reja. Aktorët e ansamblit kanë qenë shkollë për ne, ndërsa të rinjtë kanë qenë një motor i pandalshëm për ne. Një inspirim që të vazhdoj tutje, por sigurisht e kemi pas edhe një siguri dhe mbështetje në përvojën dhe shkollën e ansamblit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilin jam shumë falënderues”, përfundon regjisori i shfaqjes “Ditë Vere”.

Njëri ndër protagonistët kryesor të shfaqjes, Andi Bajgora, foli për KultPlus rreth rolit të tij dhe se sa shumë ia vlejti që e gjithë kjo shfaqje, përkundër ftohtit, të realizohet në këtë mënyrë.

“Në këtë shfaqje janë tri karaktere, Fatmiri, Fatkeqi edhe Dama (Zonja), më shumë paraqiten sikurse koncepte sesa personazhe reale. Po, është diçka nëpër të cilën kalojmë të gjithë ne nëpër to. Thjesht janë të ndara nëpër dy ekstreme, se si dikujt në jetë i shkon gjithçka mirë, dhe dikujt tjetër çdo gjë keq. Kjo është një mundësi absolutisht shumë e madhe për mu dhe ia ka vlejte deri në pikë të fundit që ta realizojmë këtë shfaqje edhe në ditën më të ftohtë nga të gjitha provat që i kemi bo”, thotë Bajgora.

Zonja, e luajtur nga aktorja e re dhe debutuese Era Balaj, u shpreh për KultPlus se i gjithë procesi ishte shumë i veçantë.

“Kjo shfaqje ia ka vlejte jashtëzakonisht shumë. Procesi për mu ka qenë shumë i veçantë, për mu është hera e parë me një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe është një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë. Ekipa ka qenë fantastike dhe teatri, stafi gjithçka shkoi shumë mirë. Filmi e ka emocionin e vet, mirëpo mendoj që nuk janë të krahasueshme për mendimin tem. Me u paraqit përpara publikut në mënyrë të drejtpërdrejt, është diçka të cilën kur e mendoj, nuk e di nëse e boj qysh duhet. Rolin të cilin e kom bo është një zonjë, një damë që jo domosdoshmërisht duhet me qenë dama të cilat i imagjinojmë ne. Me e tregu anën tjetër të një zonje që e din çka don, e din ku qëndron dhe me i marr të gjitha senet që ajo i don në fund”, përfundon ajo.

Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, tregoi se merita kryesore për kalimin e teatrit në skenë alternative, është e gjithë ekipit që punoi për realizimin e kësaj shfaqje.

“Nëse më pyet 100 herë, unë 98 herë e zgjedhi skenën alternative. Kjo nuk është meritë e imja, shfaqja e sotshme, por meritë e të gjithë bordit dhe personave të përfshirë në këtë shfaqje. Planifikimi ka qenë që kjo shfaqje të mbahet në shtator, megjithatë kanë ndodhur disa ndryshime të cilat në skenën alternative nuk shkojnë ashtu qysh ti i planifikon, kemi arrit që ta realizojmë me 15 tetor. Kjo shfaqje do t’i ketë edhe disa repriza në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit, e pastaj shfaqja do të “paketohet” për stinën e pranverës dhe verës në mënyrë që të jetë tamam siç duhet”.

Sipas Mehmetit, teatri është teatër aty ku ndodhë.

“Teatri është teatër aty ku është. Në realitet nëse e shohim si skenë me madhësi, gjerësi dhe madhësi, as ndërtesa kryesore e Teatrit Kombëtar të Kosovës aktualisht, nuk ka skenë në Kosovë që i plotëson në plotni kërkesat e regjisorit. Mendoj që secila skenë i plotëson kushtet, megjithatë duhet ta kesh parasysh se ku je duke punu. Nuk jemi duke punuar në gjende të zakonshme, por megjithatë po arrijmë të krijojmë diçka që, unë e them çdo herë që renovimi i Teatrit Kombëtar, ka sjellë një fat në fatkeqësi për të gjetur skena alternative. Tani do ta kemi edhe një skenë tjetër në hapësirat e ish-RTV21, ku do t’i kemi 3 skena për zhvillim minimalisht normal të teatrit klasik”, thotë ai.

Në rolet kryesore luajtën artistët Andi Bajgora, Art Pasha, Era Balaj, Lumnije Sopi, Veton Osmani, Adhurim Demi dhe Naim Berisha, të shoqëruar nga instrumentistët nga Filharmonia e Kosovës, Meriton Ferizi dhe Aurora Kabashi.

“Ditë Vere” na sfidon të marrim parasysh fuqinë transformuese të shpresës, edhe në momentet më të errëta, dhe të pyesim nëse fati me të vërtetë i jep formë jetës sonë apo nëse, në fund, janë zgjedhjet tona ato që përcaktojnë udhëtimin e së ardhmes.

Ky produksion ka nxitur publikun të përqafojë pasiguritë e jetës dhe të gjej shpresën edhe në vendet më të vështira, ose qoftë edhe në raste të tilla kur vetëm një ndodhi më normale mund t’i dhurojë kuptim të ri jetës tënde. /KultPlus.com

“Pas vdekjes”, premiera e parë jashtë objektit të TKK-së, Berisha: Është shfaqje që flet për ne

Era Berisha

Vepra dramaturgjike e Andon Zako Çajupit, “Pas vdekjes” do të ringjallet kësaj here për tu shndërruar në një shfaqje komedi që shumë shpejt do të prekë ambientin e ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ‘Amfiteatri në Pallatin e Rinisë’. Ngjarja zhvillohet në një klub të shqiptarëve të Selanikut më 1910. Por, shfaqja është një mbindërtim, e shkruar nga dramaturgu Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.

Në qendër të veprës kemi demaskimin e demagogjisë së xhonturqve dhe bejlerëve që u bënë vegël e tyre, ndërsa ndodhitë jetësohen në zyrat e gazetës “Liria”. Është një komedi politiko-shoqërore, që shfaq fokusin nëpërmjet situatave komike por që në thelb janë shumë më të thella, dhe e njëjta tashmë do ta ketë premierën në muajin nëntor. Shfaqja vjen nën regjinë e Fatos Berishës me kastën e mrekullueshme të aktorëve si: Armond Morina, Ard Islami, Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Majlinda Kosomoviq, Armend Smajli dhe Naim Berisha.

Vepra u botua pas vdekjes së shkrimtarit Çajupi dhe konsiderohet të jetë udha e parë drejt komedisë politike në letërsinë shqiptare. Me një ndjesi poetike, nëpërmjet personazhit të doktor Adhamullit, shfaqet mendësia e njerëzve mendjemëdhenj, ata që shpirtin e kanë të varfër dhe asnjë punë atdhetare për ta, nuk ka vlerë pa prezencën e tyre. Ndërsa, personazhi tjetër i spikatur, Zeneli, përfaqëson njeriun e thjeshtë të popullit me ç’rast shpalos një humor e mençuri të paparë. Elementet si ‘Abetarja shqipe’ dhe ‘Kongresi i Manastirit’, po ashtu luajnë një rol të madh në këtë rrugëtim.

Shfaqja “Pas vdekjes” ka ardhur si propozim nga Teatri Kombëtari i Kosovës, dhe pasi është aprovuar si tekst, së bashku edhe me veprat e tjera për repertorin e sezonit të ri, regjisori Berisha e ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë, dhe gjithmonë me idenë që mund të mbindërtohet kjo vepër një-aktëshe. Dhe ajo që po përpiqet që të bëhet, është një shfaqe që flet për neve, sot.

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Berisha ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.

“I gjithë ekipi i aktorëve të shfaqjes, përveç Armond Morinës, është nga ansambli rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës. E ata janë: Teuta Krasniqi, Ylber Bardhi, Ard Islami, May-Linda Kosumovic, Armend Smajli dhe Naim Berisha. Jam shumë i kënaqur me ekipin, ndërsa jam i lumtur që pas një kohe të gjatë, përsëri do të punoj me Armondin në teatër”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, vështirësitë që hasen në një rrugëtim të tillë janë nga më të zakonshmet. Pra, fillimi i provave, zbërthimi i tekstit, analiza e personazheve, marrëdhëniet e tyre. Gjithçka brenda normales gjatë punës në një shfaqje. Ai tutje thotë se ende janë në fillim të procesit dhe atmosfera konsiderohet të jetë e mirë.

Tanimë Teatri Kombëtar i Kosovës ndodhet në renovim, dhe regjisori Berisha ambientin e ri e ka vlerësuar si një hapësirë të përshtatshme pune.

“Ambienti i ri, Amfiteatri në Pallatin e Rinisë është një hapësirë shumë e mirë, në fakt. Sidomos për një shfaqje si kjo e jona. Drejtori Sheremeti dhe ekipi i TKK-së kanë arritur ta kthejnë në hapësirë të përshtatshme pune në afat rekord”, thotë ai.

Ndërkaq, premiera e shfaqjes “Pas vdekjes” ende nuk dihet saktë se kur do të shpaloset, por që patjetër do të jetë përgjatë muajit nëntor.

Kompozitore: Rona Castrioti

Skenograf: Bekim Korça

Kostumografe: Yllka Brada

Asistente regjie: Yllka Lota

Foto/Video: Joni Mithi

Inspicient: Bajram Mehmeti

Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com

Nesër në Dodona vjen shfaqja “Artisti i vetëm “, i pranishëm edhe autori i tekstit Ralph Hammerthaler

Pas pritjes së ngrohët nga publiku, gjatë prezantimit në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, shfaqja “Artisti i vetëm ” nesër me datë 26 janar 2019 , duke filluar nga ora 19:00 do të shfaqet në Teatrin e Qytetit të Prishtinës – Dodona, shkruan KultPlus.

Në këtë reprizë do të jetë prezent edhe autori i tekstit dramatik, dramaturgu dhe romansieri i njohur gjerman Ralph Hammerthaler. Në këtë shfaqje në rolin e Hans Klipp – it luan aktori Naim Berisha, i cili po ashtu është edhe regjisor i shfaqjes, ndërsa regjisor mbështetës është Shkelqim Bunajku.

 “Artisti i vetëm”, trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t’u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale. Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të tekstit Hans Klip largohet vet, i dëshpëruar nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Vepra në mesazhin e saj, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetnuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivleres”

Ralph Hammerthaler është i lindur me 2 dhjetor 1965 në Wasserburg në Gjermani. Aktualisht jeton në Berlin ,ku e ushtron veprimtarinë e vet prej shkrimtari. Ai botoi romanet: “ E tera në rregull”, “ Por ky është kapitulli tjeter”, “Rënia e Friderich Voss” dhe “ Një romancë e shkurter  krimi”. Në vitin 2006/2007 ai punoi si dramaturg në Berlin Schaubuhne. Libretoja e tij “ Bestmanoper” për kriminelin nazist të luftës Alois Brunner, u luajt si vepër muzikore nga Alex Nowitz. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës dhe janë luajtur në Berlin, Halle , Düsseldorf, Munyh, Mexiko City dhe në Omsk. Ai ishte i angazhuar si zyrtar në Dresden (2011), Rheinsberg (2012) , Prishtinë (2013) dhe Split ( 2014) . Punoi si kolumnist në revisten për teater “Der Zieit”. Ai gjithashtu shkruan në Suddeutsche Zeitung mbi letërsinë spanjolle dhe latino- amerikane. Është anëtar nderi i teatrit Sombrero Azul në Mexico City. Në vitin 2018 botoi romanet “ Nën bashkëpunëtorët” dhe “ Dueli i lojes” si dhe esenë “ Rruga e tregut”./ KultPlus.com

Shfaqja ‘Artisti i vetëm’ vjen premierë në teatrin ‘Faruk Begolli’

Teatri Faruk Begolli në Prishtinë kësaj radhe do të mirëpres premierën e shfaqjes “Artisti i vetëm”, me autor dramaturgun gjerman Ralph Hammerthaler, përcjellë KultPlus.

Në shfaqje luan aktori Naim Berisha ( në rolin e personazhit Hans Klipp), i cili njëkohësisht është edhe regjisor i shfaqjes, kurse regjisor mbështetës është Shkelqim Bunjaku.

“Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për tu vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.
Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të shfaqjes Hans Klip vetlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Shfaqja në mesazhin e sajë, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivleres.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 2 nëntor në ora 18:00 në Teatrin “Faruk Begolli” në AAB. /KultPlus.com

Doli nga shtypi libri “Vëzhgime leksiko-frazeologjike në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit”

Doli nga shtypi libri “Vëzhgime leksiko-frazeologjike në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit”. Me këtë libër synohet që të plotësohet sadopak gama e gjerë e studimeve leksikore për këto të folme, por edhe të jepet kontributi modest në fushën e leksikologjisë shqiptare.

Libri me titull “Vëzhgime leksiko-frazeologjike në të folmet e Rrafshit të Dukagjinit”, i Naim Berishës, sjell një korpus të rëndësishëm të leksikut dhe frazeologjisë nga një areal i studiuar mirë në rrafshin dialektologjik edhe nga gjuhëtarë të tjerë, porse leksiku i këtyre trevave tani është marrë në një observim më të plotë e më të detajuar, më tërësor.

Libri ndriçon aspekte të sistemit leksikor të një areali të përcaktuar gjuhësor – të Rrafshit të Dukagjinit, e trajton dhe e analizon jo vetëm leksikun dialektor, po sidomos leksikun krahinor, bashkë me frazeologjinë dialektore e krahinore, shpesh në përballje me leksikun e gjuhës standarde. Trajtimi i lëndës së vjelë është bërë duke marrë për ba¬zë parime e kritere studimi të zba¬tuara me sukses në studimet gjuhësore shqiptare dhe sido¬mos në ato që lidhen me objek¬tin e studimit të këtij libri.
Ky botim është rezultat i një pune të gjatë sistematike në terren, për të grumbulluar e sistemuar, grupuar e tipologjizuar fjalë e frazeologji, duke sjellë, kështu, kontribut me interes për studimet e leksikut dialektor të shqipes dhe në përgjithësi për dialektologjinë leksikore. Materiali gjuhësor është trajtuar në pesë krerë tematikë: Fusha tematike në leksikun e Rrafshit të Dukagjinit, Vështrim leksikor dhe etnolinguistik në leksikun e Rrafshit të Dukagjinit, Vështrim leksiko-semantik në leksikun e Rrafshit të Dukagjinit, Fjalëformimi, Leksiku i rrafshit të Dukagjinit dhe fjalorët dialektorë./KultPlus.com