‘Kam shumë shpresë’

Naim Frashëri

Kam shumë shpresë 
Te Perëndija. 
Që të mos jesë 
Kshu Shqipëria, 
Po të ndritohet 
Të lulëzohet. 

Pa vjen një ditë 
Që të na sjellë 
Të madhe dritë 
P’ajo të pjellë: 
Qytetërinë, 
Fatbardhësinë. 

Vëllazërija 
Edhe bashkimi 
E njerëzija 
Është shpëtimi, 
Lum kush t’arrijnë! 
Pa do të vijnë. 

Që Shqipërija 
Do të ndritohet 
Dhe ligësija 
Do të mërgohet. 
Jak’ e vërtetë! 
Pse rri e qetë? 

Për Shqipërinë 
Ditët e mira 
Paskëtaj vinë 
Shkoj errësira, 
Lum kush të rronjë, 
T’a shohë zonjë! 

Se Shqipëtari 
E gjuh’ e tija 
Venë së mbari 
Dhe Shqipërija, 
Lum kush t’a shohë 
Për pakë kohë. 

Pa dituritë 
Dhe mbrothësija 
E mirësitë 
Dhe njerëzija 
Do të burojnë 
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

Kruj’, o qytet i bekuar!

Poemë nga Naim Frashëri

KREU VI

Kruj’, o qytet i bekuar!
Prite, prite Skënderbenë,
Po vjen si pëllump i shkruar,
Të shpëtonjë mëmëdhenë
Shqipëtarët t’i shpëtonjë
Nga xgjedh’ e keq’e Tyrqisë,
Edhe ty të të nderonjë,
Që je krej’i Shqipërisë,
Ka pas trima shqipëtarë,
Që s’u trembet syri kurrë,
Ndë zëmërt të tij ka zjarrë,
Ësht’ i urt’ e trim e burrë.
Mirë se erdhe, o verë!
Që na prure mirësinë,
Dhe për shumë vjet të tjerë
E zbukurofsh Shqipërinë.
O Shqipërizë! gëzohu,
Se të erdhi prapë dita,
Lulëzohu, zbukurohu,
Të zbriti nga Zoti drita!
Edhe juve, o të vdekur,
Merri ngaha ky gas pjesë,
Që shkuatë buzëpjekur,
Nd’atë jetë, paçi ndjesë!
O moj vash’ e Shqipërisë,
Që më rri duke mejtuar,
Pa i xhvish rrobat’ e zisë,
Arriti dit’ e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali
Nga armët’ e trimërisë,
Hingëllint’e s’mbahej kali,
Që sill mbren’ e Shqipërisë
Trimatë bashkë me mbretnë,
Me nxit posi vetëtimë,
U futn’ e zunë qytetnë
Me të madhe kërcëllimë.
Turqit, q’e kishin qytetnë,
Papandehurë e panë
Që u dha si drita, mbretnë,
Pa s’hapnë goj’ e gjë s’thanë
Se fjala po q’u dëgjua,
Që vinte i bir’i mbretit,
Shqipërija u lëshua
Edhe ju derdhë qytetit;
Burrat trima më s’mënuan,
Gjith’ u mblodhë posi reza,
Kryeqytetn’ e rrethuan,
Armikn’ e preu e zeza.
Zjente bota, tundej dheu,
U ngrit gjithë Shqipërija,
Duke thën’: “Erth Skënderbeu,
Erdhi vetë Perëndija.”
Mysliman’ e të krishterë
U derdhë për mëmëdhenë,
E kishin të bashkë nderë
Si vëllezërë që qenë
Pa Zoti nuk’ i la shkretë,
U bë mbret’ i Shqipërisë
Trim’i mir’ e i vërtetë,
U mbarua koh’ e zisë.
Pleqtë, q’e kishinë parë
Në kohët të foshnjërisë,
Van’ e puthnë duke qarë
Dritëzën’ e Perëndisë.
Gjithë ç’qenë shqipëtarë
Me rradhë mbretit i vanë,
Si vëllezrë më të parë,
E me gas të math e panë.
Skënderbegu, bukuroshi,
Burri trim pa shok në jetë,
Miqtë gjith’ i përshëndoshi,
Posi vëllath i vërtetë.
U sul gjithë njerëzija,
Të shihninë Skënderbenë
Pleq, të rinj dhe foshnjërija
Gjith’ e donin shumë mbrenë.
Pa Skënderbegu dërgojti,
Të parin e turqet pruri,
S’e shau dhe s’e qërtojti,
Po afër soje e vuri;
I tha: “Sulltani harrojti
Fjalënë dhe miqësinë!
Me ç’sy e faqe dërgojti,
Edh’e shkeli Shqipërinë?
E dinë bota e tërë,
Edhe vet’ e di Murati
Fjalënë që kishte bërë
E besën q’i dha tim ati!
E dini si kam lëftuar
Për sulltan e për Turqinë,
Dhe ajy qysh më ka shuar
Vëllezërit’ e shtëpinë!
S’janë punëra të lehta
Këto që janë punuar,
Dhe nukë rrinë të pshehta
As janë për të harruar,
Njeriut që të bën mirë
T’i bësh kaqë të këqija,
Nuk i bën as nj’egërsirë
Këto që bën mbretërija,
Të isha turk edhe unë,
Ta kisha zëmrënë kllirë,
Sot u bënja tjatrë punë,
Nuk’ u flisja me të mirë.
E drejta vetë rrëfehet,
E të miratë po njihen,
Çdo gjënë jetë çpërblehet,
E gjësendi nukë lihet.
Mbret ndër ju ‘shtë djallëzija,
Nuk’ është kurr’ e vërteta,
Dhe ligj’ është ligësija,
Edh’e rremeja e shkreta!
Nesrë të ngrihesh pa gdhirë,
Merr shokëtë edhe shkoni,
E pa bërë ditë mirë,
Qafënë ta kapëtoni;
T’u ap njerës, t’u përsjellin,
E njeri të mos u ngasë,
Në mes të tyre t’u pshjellin,
Kurrëkush të mos u flasë.”
Këto fjalëz’ i tha mbreti,
Turku ndënj e u mejtua
Një copë herë së qeti,
U vrenjt e u sgurdullua.
Po domosdo e dëgjojti,
Dolli me mejtim nga dera,
Menatë u ngrit e shkojti,
Më s’e zuri drekëhera.
Kështu e bëri Osmani,
Q’ish në Shqipëri i parë,
I dërguar nga sulltani,
Po s’i vate puna mbarë.
Në fortesat gjithë ç’qenë
Nga ushtëri’ e Turqisë,
E dëgjuan Skënderbenë,
Q’erth në front të Shqipërisë,
Dhe u ra gjithëve pika,
Ikn’ e lanë Shqipërinë,
Më s’shikuan pas nga frika,
Po muarrë arratinë.
Të pakëtë që kuxuan
E s’ikënë si të tjerët,
Dëm e kotë u munduan,
E pësuanë të mjerët.
Rrëmet’i faqes së dheut,
Të vij më një vënt’ i tërë,
S’ja dilte dot Skënderbeut,
E gjë s’kishte për të bërë.
Menjëherë Shqipërija
E hoqi cipën e zisë,
Dolli në shesht mirësija,
Ra dritëz’ e Perëndisë.
U hoq nata, erdhi dita,
Gazi, kamja, dashurija,
E vërteta, miqësija.
Mbretëritë e dëgjuan
Se u bë mbret Skënderbeu,
Mbretëtë gjith’ u gëzuan,
Këjo punë u pëlqeu.
Dërguanë më të parë,
Me miqësi, me uratë,
Njerzët të urt’ e të mbarë
Te mbreti i madh jetëgjatë
Me mënyrë të pëlqyer
E me shumë nder i priti
Mbreti, edhe më të kthyer,
Gjer në funt të shkallës zbriti.
Nga gjithë mbretrët m’i madhi,
Që ishte burr’ i vërtetë,
Dhe shum’ i ndjerë, Hynjadhi,
Erth te Skënderbeu vetë,
Pa u ngrit dhe erdhi vetë
Dhe Vlladislla si Hynjadhi,
Ndënjnë ditë shtat’ a tetë
Te shpirt e zëmërëmadhi;
Erdh’ e panë Skënderbenë,
Mbren e ri të Shqipërisë,
Q’emër i tij mori dhenë
Si emër’ i Perëndisë
Mblodhi pleqt’ e parësinë,
Si përsolli dhe Hynjadhë,
E Vladisllën, Shqipërinë
E vu në sër’ e ndë radhë,
Mbretëri ishte lirija,
Që kish çdo shqipëtar pjesë,
Ligë ishte njerëzija,
Vëllezërija ish besë.
Si e ndritoj Shqipërinë,
Vuri punëtë me radhë,
Vate të shihte shtëpinë,
Po ç’të shohë! një gërmadhë!
Mall’i sat ëm’e tyt eti,
Skënderbe! atje të shpuri,
E madhe gjëmë të gjeti!
Ra qielli e të zuri!
Dallëndysheja kur kthehet
E gjen prishurë folenë,
Qysh qëndron e mallëngjehet?
Ashtu e gjet Skënderbenë.
Gjësendi s’kishte harruar
Të kohës’ së miturisë,
I kishte ndë krahëruar,
Me mallthit të njerëzisë!
Pa andaj shum’ u helmua,
Se s’i gjet si i kish lënë,
Me psherëtim’ u mejtua,
Tha: “Nukë qënka thënë!”
Ja mbuloj zëmrënë zija,
Lottë si gurra i vanë,
Në gjith ato të këqija
Përnjëherë erdh’ i thanë”
“Motërat’ e zotërisë
Të gjitha bashkë po vinë”,
Pa mbreti në mest të zisë
Ndjeu gaz’ e la shtëpinë.
Me vrap si ***ti u kthye,
Të shihte motrat’ e tija,
Zëmëra ju përdëllye,
I dha durim Perëndija,
Të gjorat motra kur panë
Mbrenë trim të Shqipërisë,
Të vetëmëthin vëllanë,
Ëngjëllin’ e Perëndisë,
Që më s’e kishinë parë,
Si e mori penk Turqija,
Në foshnjëri ishin ndarë,
Dhe q’atë dit’ u ra zija;
Pa i kishin shumë mallë
N’ato ditët të këqija,
I kishinë sy në ballë
E shpresë nga Perëndija;
Papo bashkëzë të pesa
Në mest të tyr’e rrethuan,
U zbriti nga Zoti shpresa,
Me mall shum’ e përqafuan.
Zot’ i math e i vërtetë!
Emri yt qoft’ i lëvduar,
Të qofshim falë për jetë,
Mos qofshim teje mërguar!
Ti i dhe nder mirësisë,
Dhe zëmrës’ së mallëngjyer
Në vajt e në mest të zisë
Ngushëllimn’ i ke rrëfyer!
Skënderbe, pa lere vajnë,
Se po vinë shqipëtarët,
Dhe burratë trima s’qajnë,
Lëre, pa lëre të qarët,
Se ‘shtë në gas Shqipërija,
Q’erdhe ti, mbret i vërtetë,
Sikur zbriti Perëndija
Nga qiejt’ e lartë vetë.
Pa këndo me ëmbëlsirë,
O ëngjëll i ligjërisë,
Atë burrë trimn’ e mirë,
Q’i dh’aqë nder Shqipërisë.
Këndo, këndo Skënderbenë,
Që s’ka pasur shok në jetë,
Që lartësoj mëmëdhenë,
Kordhëtari trim me fletë!
Lum ti, Shqipëri, o lule,
Që pate trim të vërtetë,
Kurrë në turp nuk’ u ngule,
Të la nder të math përjetë!
Mos ki keq, se kurdoherë
Do ta kesh ditën’ e mbarë,
Koha ty do të ta bjerë,
Si ta pat prurë më parë,
Po të dojë fati, plaku,
Të t’apë foshnjë të rezë,
Qumësht të bënetë gjaku,
Dhe më s’sheh ditë të zezë.
O kohë, që rrjeth si lumi
Edhe s’rri gjëkundi fare,
As dremit, as të zë gjumi,
Dhe më t’errët hiqesh xvarrë,
Hapu, hapu, errësirë!
Të shoh mbren’ e Shqipërisë,
Trimn’ e bukur’ e të mirë,
Nder’ e gjithë njerëzisë,
Rrethuar me burra trima,
Shqipëtarë të vërtetë,
Me fjal’ e pa blegërima,
Me mënt e pa gjë të metë,
Në fjalë t’urt’ e të qetë,
Të but’ e të kupëtuar,
Në luftë trima me fletë,
Posi kuajt’ e harbuar,
Qysh duken yjtë kur erret,
Që ndrijnë në hapësirë,
Edhe në mes të të tjerët
Prëma ndrin shumë më mirë,
Ashtu edhe ti më ndrinje,
Mbret i math i Shqipërisë,
Në mest të shokëvet rrinje
Posi drit’ e Perëndisë.
Zoti dha një vetëtimë,
I tërë qielli ndriti,
Një gjëmim, një kërcëllimë,
Malet’ e lart’ i trënditi.
Oshëtimë dha Tomori,
Edhe zjarr e flakë qiti,
Flaka qiellinë mori,
Gjithësija vetëtiti.
Këjo shënjë s’ish e pakë
Që dha Zoti mi Tomorë,
Nxori zjarr dhe zë e flakë
Nga majatë me dëborë!
Hodhë syt’ e panë malë
Dhe gjithë më këmb’ u ngrinë,
Kur më der u dha një djalë,
Tha: “Rrëmet i math po vinë.”
Se fjala kish marrë vrapnë,
Pa kishte mbushurë dhenë,
E hapi sa mundi çapnë
Dh’e dëgjuan gjithë ç’qenë
Shqipërija anembanë
Ish në dasm’ e në gëzime,
Ditën’ e liris’ e panë,
Që e pritin pa durime.
O liri e shënjtëruar!
Ëngjëlli i Perëndisë,
Erdhe me gëzim ndër duar,
I dhe dritë Shqipërisë.
Vallë kur do të vish prapë,
E të na sjellç atë ditë,
Përse rri pshjellë me napë?
Pa hiqe, të shohëm dritë!
Mbreti posi Perëndija,
Ishte mbyturë në dritë,
Rrij ndaj soje bukurija,
Edhe gjithë mirësitë
Mejtohej si të shpëtonjë
Mëmëdhenë nga mynxyra,
Ta ngrer’ e ta lartësonjë,
Edhe i qeshte fytyra.
Parësin’ e Shqipërisë,
Që i erdhi Skënderbeut,
Ati’ mbretit t’urtësisë,
Mbretit trim të mëmëdheut,
Ti ëngjëll, do të ma thuash,
E të m’i sjellç në mënt mua,
Dhe një nga një të m’i quash,
Si ç’i ka ndër mënt të tua.
Nga gjithë, q’erdhë, m’i parë,
Dukagjini, mbret i ndjerë,
Që s’pat shok nër shqipëtarë,
Dhe Zahari me të tjerë,
Sicili nga vend’ i tija
U nis e gjithë u derdhë,
Të shumë si mizërija
Skënderbeut miq i erdhë.
Mëndjeshumi Araniti
Me shumë shokë të ndjerë
Pej Vlore me vrap arriti,
Edhe të tjer’ e të tjerë,
Tanush Topja dhe Gjon Shpata,
Të parët’ e Shqipërisë,
Erdhë edhe Lato Gjata
Ndë rrëmet të parësisë,
Edhe Maneshi nga Berati,
Moisi Dibrani burrë,
Shumë të parë nga Mati,
Trima të patrëmbur kurrë
Prens’ i perëndishm’ Urani,
Që kish shum’ emrë qëmoti,
Me burra nga Elbasani,
Edhe Boshdar Nartioti,
Palë Dushmani i ndjerë,
Dhe bukuroshi Gjon Kokë,
Një i parë nga çdo derë
E me shumë trima shokë.
Trimatë nga Malësija
Erdhë me armë të lara,
U çkul gjithë Shqipërija,
Kshu ishin kohët’ e para.
Gjithë erdh’ e u gëzuan
Kur e panë Skënderbenë,
Dhe me gas van’ e qafuan
Si vëllezërë që qenë
Me zemrë të dëshëruar
Mbreti të gjithë i priti,
Me fytyrë të gëzuar,
I qafoj e i gostiti.
Në mest të ati’ rrëmëti,
Q’ishin mbledhur të tërë
E ish mbushurë qyteti,
S’kish ku yë hithnje gjilpërë,
U ngrit mbreti i ndjerë,
Fjalëëmbëli zëbukur,
Araniti mendjegjerë,
Q’ish i hijshëm’ e i dukur,
Gjithë trimatë pushuan,
Vunë vesh ndë fjalë mirë,
Plaknë me mënt e dëgjuan,
Që flit me shum’ ëmbëlsirë.
Tha: “Vëllezrë shqipëtarë!
Ju miqthit’ e Skënderbeut,
Mbretrë, zotërinj, të parë,
Gjithë djemt’ e mëmëdheut!
A e dini, sot, o shokë,
Rrezik i math nga Azija
Na ka ardhurë mi kokë,
Po s’poshtetë Shqipërija;
Zot’i madh pastë lëvdatë
Që nuk e la Shqipërinë
Pa zot, pa mbret e pa atë,
Kurrë s’ja zbriti fuqinë,
Mbret i gjithë Shqipërisë
Sot të jetë Skënderbeu,
Erdhi ng’an’ e Perëndisë,
Të shpëtonjë mëmëdheu;
Gjithë, ç’jemi shqipëtarë,
Këtë zot për mbret ta njohim,
Dhe për të math e të parë,
Pa ashtu punë të shohim;
Në doni që të shpëtojmë,
Çë të thot’ ajy të bëjmë,
Fjalën’ e tij ta dëgjojmë
Dhe kurrë të mos bëzëjmë.
Se turku kërkon ta hedhë
Në robëri Shqipërinë,
Në zi, në brengë, në zgjedhë,
Pa rreh ta bënjë të tinë.
Po nukë humb trimërija,
Shqipëtarët s’e harrojnë,
Do t’i ndritonj’ urtësija,
Se t’urtëtë kupëtojnë.”
Kshu the, plak i perëndishmë!
Mbret’ i ndjer’ e i lëvduar!
T’ish njeriu i tanishmë,
Mase s’të kishte dëgjuar;
Po ata të gjithë ç’qenë,
Zotërinjt’ e urtësisë,
E njohnë mbret Skënderbenë,
Mbren’ e gjithë Shqipërisë,
Mbret mbi mbretërët të tjerë,
Mbi gjithë ç’ishin të parët,
Mbret e trim e burr’ i vlerë
Përmbi gjithë shqipëtarët.
Gjithë përnjëherë thirrë
Parësija dhe rrëmeti
Me gas shum’ e me dëshirë,
Sa u tunt gjithë qyteti:
“Mbret i gjithë Shqipërisë
Do të jetë Skënderbeu,
Edhe hij’ e Perëndisë,
Q’i kish mallë mëmëdheu.”
Paskëtaj të gjithë ç’qenë
Mbledhur atje atë ditë,
E rrethuan Skënderbenë,
Ajy në mest posi dritë
Së pari mbretëtë vanë
Edhe pleqtë e të parët,
Dorën’ e besën’ i dhanë,
Pastaj gjithë shqipëtarët.
Papa edhe mbretëritë
E njohnë mbret Skënderbenë,
Edh’e njohnë q’atë ditë
Më të math nga gjithë ç’qenë
Të gjith’ e vunë të parë,
Kordhëtar’ e Shqipërisë,
Të math mi gjith’ ushtëtarë,
Se do t’i binin Turqisë,
Sa nder mori Shqipërija,
Edhe ç’emrë shqipëtari,
N’ato ditët të atija,
Q’u bë nga gjithë m’i pari!
Ishte i par’ i të paret,
Edhe krej’i ushtërisë,
Ball’ i gjithë luftëtaret
Dhe i gjithë njerëzisë.
Skënderbe, o jetëgjatë,
Më nise këngë dhe valle,
M’u zbavite dit’ e natë,
Me miqthit’ e tu u çmalle!
Sa lodra e sa gëzime!
Sa gjahe dhe bredhj’ e vrape,
Dhe kalori e dëfrime,
Derën’ e parajsës hape!
Kuajvet, që hingëllinin,
Flak’ u delte nga potkonjtë,
Dhe armët’ e lara ndrinin,
Me vrap nxitonin langonjtë.
O kohë që nxiton shumë,
Poshtë kurrë nukë bije,
Po ikën me vrap si lumë,
Ato që merr, ku i shpije?
Shtrigë, kuçedr’ e pabesë!
Ha djemthitë q’i pjell vetë!
Asnjë nukë munt të mbesë
Pa ngrën’ ajo goj’ e shkretë?
Edhe dielli, q’ep dritë,
Edhe hëna do të vdesë?
Edhe yjtë nonjë ditë
Do t’i hash me të pabesë?
Evropa ishte e shuar
Edhe gjithë njerëzija
Nga frika ishte tmerruar,
Prit’ shpëtim nga Shqipërija.
Gjithë mbretrëtë që qenë,
Shqipëris’ i prunë besë,
Dhe mbren’ e saj, Skënderbenë,
E kishin të par’ e shpresë,
Ç’u bë emr’i Shqipërisë,
Dhe liri e saj e ndjerë?
Ajo drit’ e Perëndisë
Vallë më s’vjen tjatrë herë?
Në kurt kurrë Shqipërija
Nukë hyri, e në zgjedhë
S’e ka shtënë Perëndija
Edhe nukë do ta hedhë,
Po kërkon emrin’ e vjetrë
Dhe nderë që pat njëherë
E s’e kish nonjë vent tjetrë,
Zoti sërish do ta bjerë.

Kreu IX

N’ato kohë venetjanët
Gjithë den’ e kishin zënë,
E të detit të gjith’ anët
Në dor’ i kishinë vënë.
Pa dhe nga të Shqipërisë,
Ca qytete t’anës’ s’detit
Ishinë të Venetisë
Edhe në ditët të mbretit.
Lekë Zahari kish vdekur,
Q’ish një prins i Shqipërisë,
E Dajini kishte mbetur
Pa zot e në mest të zisë,
Q’ish qytet me shumë hije
Dhe me gas në Mirëditë,
Thoshnje kurrë nukë bije
Bukuri e tij në shkitë,
Aq i bukur ish Danjini,
Pa kish dëshirë ta zinte,
Po dhe Lekë Dukagjini,
Q’e kish fqinjë s’doj ta linte,
Se mëm’ e Lekë Zaharit
Zu udhën e marrëzisë,
S’desh t’ja linte shqipëtarit,
Po ja fali Venetisë!
Pa mbreti tha: “Venetija
S’hyn në mest të Shqipërisë,
Se s’mbet shkretë Shqipërija,
Që t’i mbesë Venetisë.”
Venetija e kërkonte,
U bë armik menjëherë,
Skënderbeu nukë donte,
Puna ishte e përzjerë.
Kah u bë ngalje një plakë
E përgjunjur dh’e mahnitur,
Ndezi një të madhe flakë
Me dorëzët të drobitur!
Me Turqin’ e me Sërbinë
E kish prishur Skënderbeu,
S’doj ta prish’ me Venetinë,
Papo puna s’i pëlqeu.
Po domosdo do ta prishte,
Se vu këmbë Venetija,
Puna rrezik të math grishte,
Kish dëm shumë Shqipërija.
Mbreti mblodhi parësinë,
Dhe çelën’ e trimërisë
Q’e nderonin Shqipërinë,
Për punët të Venetisë,
Po pshehtazi erdh’ e zunë
Venetjanëtë Dajinë,
Ushtëtarë shumë vunë
Brënda në qytet të rrinë.
Edhe mijë trembëdhjetë
Dërguanë luftëtarë
E Danil Huriqi vetë
Ishte përmbi gjith’ i parë.
N’anët të Drinit qëndrojti
Ushtëri’ e Venetisë,
Fushënë gjith’ e mbulojti
Armiku i Shqipërisë!
Kish italjanë, dalmatë,
Gjithë burra luftëtarë,
Të mbëdhenj, te tresh’, të gjatë,
Kombe shum’ e shumë farë.
Skënderbe’ burr’i vërtetë,
Dhe trimatë shqipëtarë,
Mijë plot katrëmbëdhjetë,
Muarrë udhën’ e mbarë:
Pesë mijë me Hamzanë
E rrethuanë Dajinë,
Edhe nëntë mijë vanë
E kapërxyenë Drinë
Shtatë mij’ ish kalorija,
Të hekurt ishin të tërë,
E dy mijë këmbësija,
Posi pylli ishin bërë.
Moisiu ish mënjanë
Me shumë të mirë shokë,
Të gjithë burra dibranë,
Trima për vdekj’e për kokë
M’anët tjatërë Tanushi
Me dy mijë luftëtarë,
Edhe Muzakë-bardhushi
E shumë burra të parë
Në mest ishte vetë Mbreti,
Skënderbegu trim e burrë,
Pas soje gjithë rrëmeti,
Që s’ishte mundurë kurrë
Dukagjini me Uranë
Me pakë shokë të tjerë
Ishin hequrë mënjanë
E nuk ishinë përzjerë,
Moisiu munt dalmatët
Me ata burra dibranë,
Dhe gjithë shqeht’ e harvatët
Dhe dolli më tjatrët anë.
Pas ati’ edhe Tanushi,
Duke zhveshur jataganë,
Kalit i ra e ja mbushi
Dhe u fut nër italjanë
Ata me ushta i pritnë,
Shqipëtarët shpatat çkulë
Edhe i pren’ e i shtritnë,
Pa i bënë fare vrulë.
Mez’i ushtëris’ s’armikut
E pa që anët u thyen
Dhe mbet në mest të rrezikut,
Papo erdh’ e u rrëmbyen,
U derdhë mi Skënderbenë,
Si galat me sokëllimë,
Duke shtënë drejt i venë
Mbreti posi vetëtimë
U hoth përmbi ta me shpatë,
Të tër’ e zeza i preu;
Më çdo herë gjasht’ a shtatë,
I pritte të vdekur dheu.
Erdh’ u ranë shqipëtarët,
Nga vendi që patn’ i çkulë,
Pa i bënë byk barbarët,
Fjamurë në mest e ngulë.
Po dalmatëtë u mblodhë,
Që kishin marr’ arratinë,
Mi shqipëtarët u hodhë,
Duke mbledhurë fuqinë
Gjenë përpara Uranë
Edhe Lekë Dukagjinë,
Që i pritn’ e i përndanë,
U dhanë prap’ arratinë.
Atë ditë shqipëtarët
Të gjith’ armikët i shuan,
Vetëm pak nga të parët
Edhe Huriqi shpëtuan.
Ishin dhe ca shqipëtarë
Me armikëtë përzjerë,
Punuanë si të marrë,
Popo, ç’bëtë, o të mjerë!
Nga gjith’ ata tradhëtorë
Të kombit, të mëmëdheut,
Kishin rënë në dorë
Dy të parë Skënderbeut:
Andreu me Bolkathanë,
Q’ishin bërë me barbarët
E goditnë shqipëtarët!
Dukagjini desh t’i vriste
Edhe bashkë me Uranë
Të hiq shpatën’ e t’i priste
Andrenë me Bolkathanë,
Pa u ngrit me vrap nër shokë
Dhe u derth tek ish Andreu,
Po ati’ dorën mi kokë
I vu vetë Skënderbeu
Edhe e shikoj Uranë
E i tha: “Dhe ti o burrë!
Mos, mos e nga Bolkathanë,
Se këto s’i bëmë kurrë
Ne s’i kemi vrar’ barbarët,
Q’i kemi vënë në dorë,
E të vrasëm shqipëtarët,
Të prishimë dy të gjorë!
U mbloth i tërë rrëmeti,
I shikonte si armikë,
Atyre po u thosh mbreti:
“Perëndija s’pattë frikë?
Ësht’ i lik e i pabesë
Kush tradhëton mëmdhenë
E kombinë, pa s’ka shpresë,
Se atë gjall’ nuk’ e lenë.
Qysh u ndothtë ju të marrë,
Ju bët’ armik kombit tuaj;
Tek ishitë shqipëtarë,
Përse u bëtë të huaj?”
Kështu u tha Skënderbeu.
“Mbret’ i math, o jetëgjatë!”
Tha Bolkathaj e Andreu,
“Bëmë të madhe mëkatë!
Neve më s’duhet të rrojmë
Me gjithë këtë të metë,
Kombinë ta tradhëtojmë!
Më nukë jemi për jetë!”
Mbreti u tha dhe ca fjalë,
Ata shum’ u mallëngjyen,
Pastaj fajnë ua falë,
Se të gjorët’ u gënjyen,
Pa të vërtetën’ e njohnë,
Ng’ajo që bënë më parë,
Me gjithë zëmr’ u pendohnë
Dhe u bënë shqipëtarë.
U kthye në Dajin mbreti
Edhe gjithë ushtërija,
Po dhe s’ish dhënë qyteti,
Ishte brënda njerëzija.
Parësija e të tjerë
Thanë: “Tani më ç’mënojmë,
T’i hidhemi menjëherë,
Ta marrim edhe të shkojmë.”
Mbreti u tha: “S’është mbarë
Që ta marrim e të shkojmë,
Se ka brënda shqipëtarë,
S’më ka ënda t’i lëftojmë
Ata do t’i marr’ urija
Edhe do t’epenë vëtë,
Pse të vritet njerëzija
Pa nevojë të vërtetë?”
Kshu tha mbreti, pa e lanë
Pa goditurë Dajinë,
E pshuallë, po s’i ranë,
Kursyenë njerëzinë.
Mbren’ e Bosnjësë, Stefanë,
Për të ndihur Venetisë,
E rremnë ca venetjanë,
Edhe ju derth Shqipërisë,
Po Skënderbeu s’mënojti,
Marinonë me Hamzanë
I nisi dhe i dërgojti
Me trima përmbi Stefanë,
Me t’arritur shqipëtarët,
Mbret’i Bosnjësë u thye,
Edhe iku me të parët
Pa kësul e pa qyrdye!
Marinoja me Hamzanë,
Me burratë shqipëtarë,
Gjithë Bosnjës’ anembanë
I vunë flakën’ e zjarrë.
Pastaj Marinua Leshnë
Zuri kundrejt Venetisë,
T’u epte mirë rrebeshnë,
N’i derdheshin Shqipërisë,
Kur e mori vesh sulltani,
Që lëfton me Venetinë,
Ju lëshua dhe Stefani,
Tha: “E hangra Shqipërinë!”
Nisi prapë Mustafanë
Me mijë pesëmbëdhjetë,
Dhe në Shqipëri u dhanë
Luftëtarëtë si mbletë.
Pa Skënderbeu Uranë
Dërgoj, me trima të tjerë,
Ta ndalojnë Mustafanë,
Po në luftë të mos bjerë
Pa i tha: “Të zini malë,
E t’i bëni të mënojnë,
Me vrap më dërgoni fjalë,
Po të zën’ e të lëftojnë.”
Turqitë e kupëtuan
Shqipëtarë q’ish i pakë,
Edhe më nukë mënuan,
Po e derdhë fill e flakë
E muarrë me rrëmujë,
Si s’e panë atje mbretnë,
U nisnë drejt për në Krujë,
Ta zënë kryeqytetnë.
Po arriti Skënderbeu,
Erth në fushët tek shkon Drini,
Udhën’ armikut ja preu,
Duke ardhur nga Dajini.
La Hamzan’ atje të parë,
Q’e kish rrethuar qytetnë,
La dhe shumë luftëtarë,
Dhe ca u nisnë me mbretnë.
Venetjanët’ e mësuan,
Q’erth ushtëri e Turqisë
Edhe më nukë mënuan,
Ju lëshuan Shqipërisë.
Marinoja luftoj mirë,
Pa s’e muarrë dot Leshnë,
Armikëtë gjith’ u vdirë,
Zot’i math u dha rrebeshnë.
Po të tjerë më tjatr’ anë
Hyn’ e zunë Shqipërinë,
Posi karkaleci ranë
Edhe lanë vetëm hinë!
Mbreti ish nd’anët të Drinit,
Lëftonte me Mustafanë,
Venetjanëtë Dajinit
Ju derdh’ e gjetnë Hamzanë.
Hamzaj e ndau ushtërinë,
Një anë jashtë lëftonte,
Edhe tjatëra Dajinë
E rrethont’ e s’e lëshonte.
Me gjashtë mij’ ishte mbreti,
Katrë mij’ ish kalorija,
Kundrejt gjith’ ati rrëmeti,
Që kish dërguar Turqija.
Lufta posa ishte ngrehur,
Shigjetatë vetëtinin
Dhe shpatatë ishin nxehur,
Gjak kërkoninë të pinin!
Vdekj’ e shkretë rrotull vinte,
E zez’ edh’e shëmëtuar,
Në mest të luftës lëçinte,
Trimat’ ishin ashpëruar.
Trim’i turqet Karakushi,
Q’ish një i par’ i Turqisë,
Kalit i ra e ja mbushi,
Dolli jashtë ushtërisë
Dhe thirri: “O shqipëtarë,
A ka në ushtërit tuaj
Një burrë trim e të parë
Të lëftonjë me të huaj?
Këtu njihet trimërija,
Le të dalë, pa të shohë,
Një nga gjithë parësija,
Vet’hen’ e tija ta njohë!”
Kështu thirri Karakushi,
Pa u ngidhë shqipëtarët,
Me një gas të math Tanushi
U nis të dil me të parët.
Në mest të gjithë rrëmetit
Maneshi posi fajkua
Erth, ju afërua mbretit,
I tha: “Falma lejën mua.”
Mbreti qeshi edh’e mbajti,
E i tha “Rri ti” Tanushit;
Maneshi si flaka vajti,
Dhe ndënj kundrejt Karakushit,
I tha: “Më ngjan se gënjehesh,
Pa mburre kështu si gratë,
Apo pandeh që të kthehesh
Edhe ta kesh për lëvdatë?”
Pas kësaj i tha Maneshi:
“Me ç’armë do të lëftojmë?”
Ajy fjalë nukë deshi,
I tha: “S’duhet të mënojmë”,
Edhe një usht’ i vërviti
Me rrëmbim të math armiku.
Ky me mburronjët e priti,
Ashtu shpëtoj nga rreziku;
Pa një shigjet’ i vërviti
Me të madhe fishëllimë,
Në sy të djatht’ e goditi,
Ja bëri tejpërtej vrimë
Posi rrufeja shigjeta
E mori në syt të mjerën,
Përnjëherë ju nxi jeta,
Ra nga kali, kafshoj terën.
Qysh erth e u ashpërua
Edhe mori me nxit malë,
Iku e u egërsua
Aq’ ajy i shkretë kalë!
E la të vdekur të zotnë,
N’anët të lumit arriti,
Hyri brënda, bëri notnë,
Dolli tej dhe hingëlliti.
Kur u mërgua nga lumi,
Hodhi syt’ e mori zallë
Dhe shkrefëtiti vrapshumi,
Po nuk’ e nxirrte dot mallë!
Në Adrinopoj’ arriti,
Duke ikur dit’ e natë,
I ra derës’ e i ngriti,
Edh’e zunë vajnë gratë.
Maneshi si zok i lehtë
Zbriti e kokën ja preu
Me shpatë shumë të prehtë,
Pa e ngriti dh’e rrëfeu;
Armët’ e lara ja nxori,
E la të zinë të nderë,
Kokënë në dor’ e mori,
Pa u kthye burr’i ndjerë.
Turqitë u ashpëruan,
Me trimëri shum’ u hodhë
E me zëmërim lëftuan;
Shqipëtarët’ u përmblodhë,
Pa u derdh’ e i përpinë,
I vranë, i ther’ i prenë,
I copëtuan, i grinë,
I përhapn’ u dhanë dhenë.
Mojsi, o trimi me pallë,
Me sa trimëri lëftove!
Nukë le armik të gjallë,
U dhe dërmën’ e i shove.
Mustafaj be kishtë bërë:
Një grusht flori do t’i ipte
Ati trimi që ta zërë
Moisinë, doj ta rripte!
Ishte bërë vërtet beja,
Po zihetë vetëtima?
Mbahet në dorë rrufeja?
Mundenë burratë trima?
Kur lëshohej vetë mbreti
Me kordhët të larë xhveshur,
E hidhej si valë deti
Kal’i math, i bardh’, i qeshur!
Asnjë në mest të rrëmetit
Nukë mundte të qëndronte,
E kush i dil kundrejt mbretit?
S’kish burrë që të kuxonte.
U bënë stavë të vrarët,
Gjaku rrithte si rrëketë,
U shuan gjithë barbarët,
Fusha erth u bë kënetë!
Mbreti trim me luftëtarë
Aqë me zëmërim shtinte,
Sa gjaku nga kordh’ e larë
Gjithënjë si lumë vinte!
“Na shuanë! po ku jini?
Këta që qen’ aqë pakë!”
Tha Mustafaj, “as u bini”,
Edhe u derth posi flakë.
“Sy e faqe më s’na mbeti,
Më ç’e duamë vet’henë”,
Tha, pa ju nis pas rrëmeti,
U derdhë mbi Skënderbenë.
Skënderbeu i ra kalit
Edhe shum’ u ashpërua,
U bë si dragoj i malit,
Vetëm mbi gjith’ u lëshua.
Kali q’e njih Skënderbenë,
U vërvit posi hastriti,
E mori nër dhëmbë frenë,
Armikëtë i mahniti.
Mustafa pasha u thye
Dhe gjith’ ata që kish pranë,
Rrëmeti i tër’ u çqye,
Vendinë sërish e lanë.
Po Tanushi me Uranë
E të tjerë shqipëtarë
N’anët tjatër’ ua dhanë
Me rrëmbim e me të sharë.
Mustafaj erth u bë dyllë,
E pa pisk e s’dij ç’të bënte,
Mbeti kaluar si shtyllë,
Udhë për t’ikurë s’gjënte!
Të shumëtë luftëtarë
U vranë në luft’ e ranë,
Mustafaj me ca të parë
Nxuarr’ armët’ e i dhanë.
Mustafa trimi me pallë
S’e mundi dot Skënderbenë,
Po u zu vetë i gjallë,
Të tjerët muarrë dhenë.
Armikë plot mijë dhetë
N’atë ditë ishin vrarë,
E vetëm treqint e tetë,
Kishin rënë shqipëtarë.
U çlodhë një natë mirë,
Se burrat ishin këputur,
Më nesëret më të ngdhirë
Fjala erdhi posi flutur
Edhe tha që venetjanët
E mbuluan Shqipërinë,
U hapnë më të katr’ anët
Dhe u derdhë mi Dajinë.
Pa mbreti gërgoj tri mijë
Të zënë Maqedhoninë,
E në qoftë që të vijë,
Ta ndalojn’ atje Turqinë.
U lëshuan si rrebeshi,
Dy mij’ ishte kalorija,
Mi gjith’ i parë Maneshi,
Një mij’ ishte këmbësija.
Me të tjerët Skënderbeu
Në Dajin’ erdhi e zbriti,
Armikn’ e zeza e preu,
Posa dëgjoj se arriti.
Venetjan’, o venetjanë!
Pritni Lekë Dukagjinë,
Muzakënë dhe Uranë,
Tanushnë e Moisinë!
U talli e shkreta shpresë,
Andaj i ndihtë Turqisë,
Ja pattë me të pabesë,
Mbretit trim e Shqipërisë.
Venetjanëtë s’qëndruan,
Po ikën’ e u përhapnë,
U frikësuan’ e shkuan,
Sicilido mori vrapnë,
Dëgjuanë Skënderbenë
Që po vij i ashpëruar,
S’ndënjënë dot, muarrë dhenë
Me nxit e të frikësuar,
Shqipëtarët pas u ranë
Dhe të shumët’ i arritnë,
E të gjallë më s’i lanë,
Në terët përjet’ i shtritnë.
Me gjithë shokët Urani
E kish bërë besa-besë,
As këmbë pej venetjani
Në Shqipëri të mos mbesë.
Ke vënë re kosëtarë,
Q’i hyn luadhit si flakë,
Edh’e korr fët-e-fët barë,
Pa e heth gjithë vandakë?
Ashtu edhe shqipëtarët
Venetjanëtë i shtunë,
I korrë gjithë barbarët,
Përmbi terët stav’ i vunë.
Në Dajin ata q’u mbyllë,
Dalin me paq’e me fjalë,
Ishinë bërë si dyllë,
Dhanë armët’ e u falë
I përsuallë e shkuan
Dhe u hodhë përtej denë,
Në Veneti i lëvduan
Shqipëtarët’ edhe mbrenë.
Pastaj qytetn’ e Dajinit
Mbreti burrë kordhëlarë
Ja fali çelë Mardinit,
Q’e kish farefis Zaharë
Pa e bëri dhe Mardinë
Mbreti mik edhe vëllamë
Me prens Lekë Dukagjinë,
Të dashur’ e të pandamë.
Ushtëri’ e Shqipërisë
Mori plaçkë nga Turqija
Se ushtëri’ e Turqisë
Kish marrë nga Shqipërija;
I bëri punët si deshi
E si qenë për të bërë,
Pastaj u kthye Maneshi
Dhe luftëtarët të tërë.
E mblodhi gjith’ ushtërinë,
Q’ish ndarë më të gjith’ anët
E kish mundurë Turqinë
Dhe Bosnjën’ e venetjanët;
Pa në mest t’ati’ rrëmeti
Të burravet shqipëtarë
U ngrit me gas të math mbreti,
Skënderbegu kordhëlarë
U tha: “Djemt’ e Shqipërisë!
Mëmëdhenë e nderuat,
Me ndihmët të Perëndisë
Nga armikët’ e shpëtuat.
Ajy q’është trim e burrë
E lëfton për mëmëdhenë,
Nukë vdes, nukë vdes kurrë,
Përjet’ e nderon vet’henë.
Ata vëllezërit tanë,
Q’u vranë për Shqipërinë,
Emrë të pavdekur lanë,
Gjithë bota do t’i dinë.
Ndaj meje është i gjallë
Gjithënjë ajy në jetë,
Që lëfton si trim me pallë,
Shpëton nder’ e bije vetë.
I jam falë trimërisë,
Që më shpëtoj Shqipërinë,
I jam falë Perëndisë,
Që më dha nder’ e fuqinë.
Më ato arnëtë tuaj
Mëmëdheu do të mbahet,
Kurrë në dorë të huaj
Nukë bij’e nukë ndahet.”
Kështu u tha Skënderbeu.
Shqipëtarët thirrë: “Rroftë
Mbreti, kombi, mëmëdheu!
Kurrë mos u varfëroftë!”
Pastaj u ngrit ushtërija
Me shumë të madhe bujë,
Kalori’ e këmbësija
Me gas të math erth në Krujë.
Prunë Mustafa pashanë
E turq të tjerë q’i zunë,
Edhe shumë venetjanë,
Veçan ndër shtëpi i vunë.
Mbret’i mbante me të mirë
Dhe të lir’ e me dëfrime,
Me të ngrën’ e me të pirë,
Me mëshir’ e pa mundime.
Parësi’ e Venetisë
I dërgoj kanisqe shumë
Mbretit t’math të Shqipërisë
E një fort të madhe shumë,
I kërkoj vetëm lirinë
Nëpër Shqipëri të ketë,
Që të bënjë tregëtinë
E të jetë mik përjetë
E lufta q’u bë më parë,
Paskëtaj le të harrohet,
Të jenë si fis e farë,
Gjithë puna të mbarohet.
Mbret’i mir’ ata i priti
Si miq e shum’ i nderojti,
U dha kanisk, i gostiti,
E të zënët’ i lëshojti.
Parësi e Venetisë
Pasandaj me të vërtetë
Ju bë mike Shqipërisë
Dhe Skënderbeut përjetë.
Kanisqet, q’erdhë me barrë,
Mbret’i math, burr’i vërtetë,
Gjith’ i ndau në ushtëtarë
E gjësendi s’mbajti vetë.
Edhe fqinjët’ e pabesë,
Sërbija, Bosnja, Vllahija,
Ju lutn’ e kërkuan ndjesë,
Thanë: “Na vu marrëzija!”
Nevoj’aher’e mësojti,
Pa nisi florinj me barrë
Sulltan Murati, dërgojti,
Që s’e kish bërë më parë.
Pa dërgoj Ahmet pashanë,
Që me mbrenë kishte qënë
Mik, e kërkoj Mustafanë
Dhe të tjerët q’ishin zënë.
Mbreti i bëri gostinë,
E priti si të vëllanë,
Dhe bashkë hangër’ e pinë,
Grishi edhe Mustafanë
Dhe Tanushn’ e Moisinë,
Muzakënë e Uranë,
Maneshnë e Dukagjinë
E të tjerët’ anembanë.
Turqitë u ngrin’ e shkuan,
Në Adrinopojë vanë,
Të gjorët shum’ u gëzuan,
“Kemi lindur sërish” thanë.
Florinjtë i ndau mbreti,
I muarrë luftëtarët,
Pa pjes’ asnjë nukë mbeti
Nga vegjëli e të parët.
Popo, ta shihnje sulltanë!
Ishte bërë si i marri:
Pa pyetur, Mustafanë,
Të varfërinë, e vari!
Shqipëtarëtë fituan
Luftërat, emërin, nderë,
Pa fort shumë u gëzuan,
Të gjithë burrat’ e vlerë
Shpëtuanë mëmëdhenë,
I dhanë nder Shqipërisë,
Lartësuan vetëhenë
Para gjithë njerëzisë.
Me gjithë botën lëftuan,
I muntn’ armikët të tërë,
I prenë, i vran’, i shuan,
Punë që më s’është bërë!
Ata trimatë q’u vranë
Për shpëtimt të Shqipërisë,
Mëmat’ e tyre s’i qanë,
Vanë njatë Perëndisë.
Me gjith’ atë trimërizë,
Me gjithë këta të mbarë
E me kaqë mirësizë,
Me ata bij shqipëtarë
Skënderbeu u gëzua
Dhe shokët’ i përgëzojti,
Po s’u mburr e s’u lëvdua,
Vet’henë s’e rëndësojti.
Me zëmrë shumë të qetë
lith duartë në krahruar,
Pa thotë: “Zot i vërtetë!
Emri yt qoft’ i lëvduar!”
Shok s’ka pasur ajy burrë
Edhe nukë do të ketë,
Se si Skënderbeu kurrë
S’ka ardhur’ e s’vjen në jetë.
Gjithë ç’janë mirësitë
E të tërë trimërinë,
Urtësit’ e dituritë,
Bukurin’ e njerëzinë,
Duke mbledhurë me dorë,
Gjithë tok i kish përzjerë,
I kish tretur si dëborë,
Pa kish bërë këtë herë
Trimn’ e mirë, Skënderbenë,
Zot i math e i vërtetë,
Që e nderoj mëmëdhenë,
Në mos ishte ajy vetë.

Kreu X

N’Adrinopojë Murati
Me të bir’ e me të tjerë
Brengë të brëndëshmë pati,
Dhe trazim ndër jeniçerë.
Pastaj u hoth mbi të tjerë,
Andej, këtej i përlau,
Papo humbn’ ata të mjerë
Si lëpushkat q’i ha kau!
Njeri nukë i qëndronte,
Aq’ ish i fortë Murati,
Të gjithë i dobëtonte,
I ndihte djalli dhe fati.
Vetëm një që nukë mundte,
Skënderbe trim shqipëtarë,
Pa qante dhe kokën tundte,
Në zëmër’ e kish nakarë.
Pa prishurë Shqipërinë,
Q’ish në kufit e një fqinjë,
Nuk’ e shtonte dot Turqinë,
E kish në syt si dëllinjë.
Pa e mblodhi parësinë,
Bënë fjalë gjat’ e gjerë,
Si ta prishnjë Shqipërinë
Edhe më të mos ta lerë.
“S’ka të mbarë, tha, Turqija,
Sa është gjall’ Skënderbeu,
Do prishurë Shqipërija”,
Gjithëve kjo u pëlqeu.
Dyqint mijë luftëtarë!
Njëqint mij’ ish kalorija!
Gjithë t’egër’ e barbarë,
U mbloth’ e u bë gatija!
Mi gjith’ ata ushtëtarë
Q’ishin mizëri e mbletë,
Mi të parëtë m’i parë
Ish sulltan Murati vetë.
Pa dhe djalli këtë herë,
Për të shuar njerëzinë,
Top e gjyle kishte nxjerrë,
Të vris njeriu njerinë!
Me arm’ e me ushtëtarë,
Me kamilla e me kuaj,
Me shumë burra të parë,
Me të tit’ e me të huaj,
Me të madhe kërcëllimë
U nis i tërë rrëmeti,
Me zë e me oshëtimë
Dolli me nxit nga qyteti.
Pa Skënderbeu i mblodhi,
Erth e tërë Shqipërija,
Parësija me vrap rrodhi,
Dhe pas gjithë vegjëlija.
Fortesën’ e Sfetigratit,
Që prara Dibravet ishte,
Ja la sipërë Perllatit,
Q’ish shumë trim e shokë s’kishte.
Skënderbeu dolli vetë
E solli rreth Shqipërinë
Me kalorës dymbëdhjetë,
E fortësoj njerësinë.
Prap’ u kthye n’ushtëresë
Dhe përhapi trimërinë,
Dhe gas edhe bes’ e shpresë,
Gëzoj gjithë njerëzinë.
Fjal’ e atij edhe gurë
Munt ta ngjallte me të parët,
Dhe ta bënte trim e burrë,
Jo trimatë, shqipëtarët!
Fortesat’ i fortësojti,
Pa përndau parësinë,
Nëpër vënde i dërgojti,
E pas mbajti Moisinë.
Ishin të zottë të parët,
Burra gjith’ e shumë trima,
E të tërë shqipëtarët
Ishin posi vetëtima!
Parësi’ e Shqipërisë
Ishte bërë zjarr e flakë,
S’i trëmbëshinë Turqisë,
Ndonëse ishin më pakë
Një lëftonte me një mijë,
Edhe nukë trëmbej kurrë,
Armikëtë s’doj t’i dijë,
Ishte kordhëtar e burrë.
Më trim mi gjithë të parë
Ishte Uran bukuroshi
Dhe Tanushi kordhëtarë,
Hamzaj, Muzakë djaloshi,
Dukagjini, Moisiu,
Maneshi shpatullgjerë,
Golemi mjekërëziu,
Edhe të tjer’ e të tjerë.
Pa të tërë shqipëtarët
Ishin shumë trim’ ahere,
S’i ndaje dot nga të parët
E nonjë pas nukë lere.
Gjithë ç’qenë mbretëritë
Njerës kishinë dërguar,
Skënderbeu me të titë
I pritnë duke gëzuar.
Të dërguarit’ u thanë:
“Ç’ndihm’ u duhetë, na thoni,
Se gjithë mbretërit tanë
Do t’u apënë ç’të doni.”
Skënderbeu : “Na gëzuat,
Miq të mir’ e të vërtetë!”
Tha “dhe shumë na nderuat,
Nder u dhëntë Zoti vetë.
Kur t’u kërkojmë, të vini,
Tani gjithë ushtërinë
Gati e n’armë ta kini,
Dhe ahere letë vinë.”
Me urtësi Skënderbeu
U tha vetëm këto fjalë,
Të dërguarit’ i ktheu
E dërgoj me ta të falë,
Gjith’ ushtërit’ e Muratit,
E shumë si mizërija,
Ju lëshua Sfetigratit,
U çkul e tërë Turqija!
E rrethuan Sfetigratnë,
Sulltani njeri dërgojti
Ta bindte burrë Perllatnë
Perllati ndënj’ e dëgjojti,
Pa i tha: “Thuaj Muratit,
Sa të jetë gjall’ Perllati
Fortesën e Sfetigratit
S’e merr dot kurrë Murati.”
Me të msuar këtë fjalë,
U ashpërua Murati
Posi deti kur hedh valë,
Tha: “Dal, pa më sheh Perllati.”
Krisi topi si gjëmimi!
Si rrufeja gjyl’ e shkretë
E rrih fortesën, po trimi
S’u trëmb, ish burr’ i vërtetë.
Armikët’ u zëmëruan
Dhe gjithë fuqin’ e mblodhë,
Fortesësë ju lëshuan,
Me rrëmbim të math u hodhë.
Menjëherë shqipëtarët
Ua dhanë me shigjetë,
Stavë u bënë të vrarët,
Ranë përdhe posi fletë
Të tjerëtë u përhapnë,
U trëmbn’ e u frikësuan,
E gjithëkush zuri trapnë,
Nga fortesa u mërguan.
Pas asaj gjithë të parët
Thirrë dhe Murati vetë,
Ju lëshuan luftëtarët
Prapë fortesës si retë.
Po të brëndësmitë prushnë
Dhe finjën’ e vajn’ e zjerë
U hodhë dhe sheshn’ e mbushnë
Me të vdekur’ e të nderë.
Prapë e muarrë vrapnë,
Shoku-shoknë më s’e panë,
Iknë gjith’ e u përhapnë,
Sicili nxitoj mënjanë.
Sulltan Murati tha: “Unë,
Që njerëzit gjith’ i munda,
Të pësonj sot këtë punë
E të më thyhetë hunda!
Unë kaq’ kombe të tjerë
I prisha dhe i kam vrarë,
E të mos munt këtë herë
Ta nxjerr tej me shqipëtarë!”
Pa tha, “Atë që të kthehet
Këtu vdekja do ta presë
Si mjerë kush të gënjehet!
Hidhuni përmbi fortesë!”
Pas kësaj, gjith’ u përmblodhë,
Duke shkelur mi të vrarë,
Dhe fortesësë ju hodhë
E nëpër muret u varë
S’vunë re usht’ e shigjetë
Si galatë u vërvitnë
Dhe u vranë shumë vetë,
Po të tjerëtë u ngjitnë.
Më s’bënte punë shigjeta,
Po kur zhveshnë shqipëtarët
Shpatat’ e prehta të shkreta,
I mori djalli barbarët.
“Oburra!”, thirri Perllati,
“Sot ta marrë vesh Turqija
Dhe vetë sulltan Murati
Ç’trima djem ka Shqipërija.
Biruni me vrap, o shokë!”
Tha, edhe gjithë po shtinin,
Turqit’ pa dor’ e pa kokë
Nga mur’i fortesës binin.
Kur nj’e madhe kërcëllimë
E tundi të tërë dhenë
Dhe ndriti një vetëtimë,
Turqit të mahnitur mbenë!
Një zë i math po dëgjohej,
Një rrëmet unjej nga bregu,
Tymi sa vinte po shtohej,
“Popo!”, thanë, “Skënderbegu!”
Vërtet po vij me vrap Mbreti,
Moisiu dhe Muzaka,
Në mest të ati’ rrëmeti
U hodhë mbi ta si flaka!
Kish dhjetë mijë të zgjedhur,
Të tërë ishin kaluar,
Gjithë çela ishte mbledhur,
Vdekjenë sillnin nër duar.
Kalorinë e dërgojti
Sulltani mi Skënderbenë,
Mbreti gjith’ i copëtojti,
Pa u dha dërrmën’ e dhenë.
Armikët’ i ngau data,
Gjith’ ushtërin’ e lëshojti
Murati, po erdhi nata
E vdekjenë e ndalojti.
Nga kjo punë u helmua
Fort shumë sulltan Murati,
N’anët tjatrë u gëzua
Me shokët’ e tij Perllati.
Mbreti me shokëtë iku,
Zuri një vent të mërguar,
Po s’e mori vesh armiku,
Pa ndenj gjithë natën zgjuar.
Jashtë po rrinte Murati,
Edh’e tërë ushtërija,
Me shokët brenda Perllati,
Ata edhe Perëndija,
Gjithënjë fjal’ u dërgonte,
E rrihte t’i mashtëronjë.
Pun’ e rremeja s’mbaronte,
Pa më s’dij si të punonjë.
Kërkonte t’i haj më besë,
Po fjal’ i dërgoj Perllati,
“Mos bjerë më atë shpresë
Se s’epetë Sfetigrati.”
Pshihej dielli, dil hëna,
Shkonte nata, vinte dita,
S’mbaron dot pun’ as e thëna,
As gënjeshtëra, as mita.
Armikët’ ishin radhosur,
Nëpër sheshe kishin rënë,
Të sëmur’ e të plagosur,
Vendin’ e kishinë zënë,
Dhe nga vap’ e zjarr’i shumë
Ishin prer’ e dobëtuar.
Ca kishin rënë në gjumë,
Të tjerëtë rrinin shtruar.
Hëna herë në re pshihej,
Herë delte e tregohej,
Epte drit’ e përsëritej
Dhe prapë me re mbulohej.
Ahere majë një bregu,
Me Tanushn’ e me të tjerë,
Kishte dalë Skënderbegu
Dhe i pa gjithë të nderë.
O hëna krahrorergjëndtë!
Ti u bëre tradhëtore?
Zoti për faj mos ta zëntë!
Të gjorët më qaf’ i more!
I pa ashtu Skënderbeu
Dhe u fal më Perëndinë,
Pa shokëvet u rrëfeu,
Tha: “E shihni ushtërinë?
E shihni sulltan Muratnë,
Q’ish i patundur si shkëmbi,
Veç këtu s’e gjen dot fatnë,
Pa gjithë botën e trëmbi.
Ajy që nuk’ u munt kurrë,
Që ka prishur mbretëritë,
S’i ndënj kundrejt ndonjë burrë,
Ndaj nesh ka rënë në shkitë!
Gjithë botën’ e ka marrë,
S’e ka trëmburë rrëmeti,
S’munt dot vetëm shqipëtarë.
E shihni? Këmbëkuc mbeti!
Pa t’u derdhemi një herë,
Atje tek janë të shtritur,
Të dremitur’ e të prerë,
Të dobët’ e të drobitur.”
Me të thënë këshru mbreti,
Gjithë burrat’ u gëzuan,
U lëshuanë së qeti,
Armikut ju afëruan.
Pa nisinë Moisinë
Me shumë trima të tjerë,
E qyrë mir’ ushtërinë
Dhe u kthyen menjëherë,
Gjith’ u derdhë më të qetë,
Në mest t’ushtërisë vanë
Burrat trima të vërtetë,
Armikët fare s’i panë.
Moisiu, si turk veshur,
U thosh më gjuhët të tyre:
“Përse s’flini?” duke qeshur,
Me farë turku mënyre!
Ujku i urëtë shumë
Kur futet ndaj bagëtisë
Dhe barin’ e gjen në gjumë,
S’ja mbyll derën e shtëpisë
Ashtu edhe shqipëtarët
Me vërtik shum’ u lëshuan,
Pa i shuanë barbarët,
I therë e i rrëzuan!
Ç’u ka bërë Skënderbeu
Armikëvet atë natë,
I griu, i shoj, i preu!
Ish rrufe ajo, s’ish shpatë!
Aqë ngrinte shumë shpata,
Sa shkelte mi yjt’ e shkonte,
Me vrap nga frik’ e saj nata
Ditësë vent i lëshonte!
Gjaku më gjut kish arritur,
U mbush vendi me të vrarë,
Armikëtë të mahnitur
Po ikënin duke qarë!
Sa të zgjuhetë nga gjumi
E të marr’ armët’ armiku,
Gjaku ish bërë si lumi,
Mbreti me shokëtë iku.
Bisha duke përlëfytur
Deshtë i lë mbi dhet rrahë,
Edhe ikën në gjak mbytur,
Nxiton si shqipja me krahë!
Më të nesëret Murati
U ngrit me shum’ idhërime,
Më anët tjatrë Perllati
S’e la të bënte fitime.
Tri herë muarrë vrapnë,
Të tri herët’ i përndanë,
Gjith’ ushtërin’ e përhapnë
Dhe shumë syresh i vranë.
Shqipëtarët dit’ e natë
Më të gjith’ anët u binin,
Atyre u hiqninë shpatë,
Fortesës ngrënje i shpinin.
Një mëngjes gjith’ e rrethojnë
Armikëtë Sfetigratnë
Dhe i bien’ e s’pushojnë,
Po s’e trëmbin dot Perllatnë!
Firuz pashënë Murati
Me mijë tetëmbëdhjetë
E dërgoj me vrap lugati
Të zij vënt, të rrij i qetë,
Skënderbenë ta ndalonjë,
Ta mbanj’ e të mos e lerë,
Dhe ky vetë të lëftonjë
E fortesësë t’i bjerë.
Murati këto po shtinte
Dhe Sfetigratn’ e shtrëngonte,
E Skënderbeu po vinte,
Se të gjitha i mësonte.
Kishte mijë dymbëdhjetë
Burra trima shqipëtarë,
Dhe sa të gjith’ ishte vetë,
Q’ishte mi të tër’ i parë.
Firuz pasha më një gropë
E kish ndarë ushtërinë,
E kishte bërë tri copë
Edhe po priste të vinë.
Më nj’anë vete Muzaka,
Moisiu më tjatr’anë,
Mbreti vet’ u fut si flaka,
Armikëtë gjith’ i ranë,
Po ajy si vetëtima
Hyri me kordhë në dorë,
I ndau burratë trima,
U dha gjithëve tërthorë.
Si i hapi e i prishi,
Qëndroj e u çloth mënjanë,
Të parëtë gjith’ i grishi,
Për luftënë fjalë thanë.
Firuz pasha: “Shqipëtarë!”
Thirri, “Ku e kini mbrenë?
Jo më nxjerrki ca kusarë!
Ç’e gjet vallë Skënderbenë?
Ajy burri trim që kini
Iku vall’ e mori malë?
Pa ma bini, pa ma bini,
N’është trim, këtu të dalë.”
Kështu u tha Firuz pasha
Me buj’ e duke lëvduar
Dhe duke vrarë të trasha,
I ziu e kish të shkruar!
Mbreti trim, me të dëgjuar
Këtë fjal’, u ashpërua
Dhe hyri me nxit kaluar,
Posi fajkoj ju lëshua,
I tha: “Do ta mësosh mirë
Ku ësht’ ajy që kërkove!
S’më vjen keq, se me dëshirë
Vdekjenë vetë e ftove.”
Duke thënë kshu, e ndoqi,
Ju hoth me vrap edh’e zuri,
Një kordhë të mir’ i hoqi,
Kokënë përdhe ja shturi!
Koka ra dhe ligjëronte,
Nuk’ i kishte sosur fjalët,
Trup’i tij dhe po qëndronte,
Sindëkur ishte mbi kalët!
Armikëtë si e panë
Që u vra e ra i pari,
Gjithë ç’kishinë i lanë
Dhe ikënin si i marri.
Katrë mijë luftëtarë
Kishin rënë posi duaj,
Mben’ ata më vënt të vrarë
Dhe gjë e plaçka e kuaj.
Murati ish derdhur vetë
Që ta mirrte Sfetigratnë,
Po la mije shtat’ a tetë
Dhe s’e mundi dot Perllatnë.
Shtat’ a tetë mij’ u vranë,
E shih q’u prish ushtërinë,
Më s’e nxij dheu sulltanë,
Pa e mblodhi parësinë,
Tha: “Fortesënë ta lemë,
Se puna nukë pronditi,
Si druri që s’lëshon pemë”,
Edhe ushtërin’ e ngriti.
“T’i derdhemi Shqipërisë,
E tejpërtej”, tha, “ta djegim,
Tëmerr të math njerëzisë
T’i apëmë e t’i ndjekim;
Pa duke bërë rrëmujë,
Përpara gjithë t’i vëmë,
Të hyjmë brënda në Krujë,
E gjësendi të mos lemë.”
Mblodhi shokë’ Skënderbeu,
Që hanin hekur me dhëmbë,
Armikut udhën’ ja preu,
Nuk’ i la të bënin këmbë.
I pa që iknë Perllati
E ju derdhë Shqipërisë
Ushtërija dhe Murati,
Papo ju duk dit’ e zisë,
Tha: “O shokë, ne më çpresim?
Po shuhetë Shqipërija,
Jakëni gjithë të vdesim!
Si ta apë Perëndija!”
Kshu tha burri trim, Perllati,
Dhe vuri armët’ e lara,
Mori udhënë nga Mati,
Që t’u dil turqet përpara.
Fluturuanë si flakë
Edhe në fortesë lanë
Nga shokëtë ca të pakë,
Q’ishinë gjithë dibranë.
Shërbëtori që bij ujë,
Tha: “Popo, ç’na qënka thënë!”
“Ç’ësht’ “, i thanë, “kjo rrëmujë?”
Tha: “Qeni në pust ka rënë!”
Dibranët nuk’ e pinin
Ujët’ e kërmës’ së shkretë,
Tjatrë pus s’kish, qysh të rrinin?
Pa ujë s’rrohet në jetë.
Një tradhëtor, kanë thënë,
Për të mirët të Turqisë
E pat shtënë në pust qënë,
Q’i bëri dëm Shqipërisë!
Gjith’ ata burra dibranë
Muarrë armët’ e shkuan,
Fortesën, vetëm e lanë,
Opopo! qysh u marruan?
Ata posa kishin dalë
E me shumë vrap po vinin,
Muarrë të gjithë malë,
Kërkonin ujë të pinin.
Armikëtë ishin thyer
Dh’ ata që mbenë të gjallë,
Përsëri ishinë kthyer,
U poqnë ballë për ballë.
Këta me vrap ua dhanë
Edhe përpara i vunë,
Njëzet a tridhjet’ i vranë
Dhe fortesën prap’ e zunë.
Armikëtë e rrethuan
Si mizërija fortesën,
Po dibranëtë lëftuan,
U bënë gati të vdesën.
Sulltani nukë mënojti,
Se i pa se s’kishin shpresë,
Me njeri fjalë dërgojti,
T’ikin me arm’ e me besë
Etj’ e shkret’ i kishte prurë
Afrë vdkjesë të tërë,
Ishin gjithë të sëmurë,
Pa të ndryshmë qenë bërë!
Vëndësit dhe luftëtarët
Me armë në dorë shkuan,
Nuk’ i mbajtnë dot të parët,
Punë të keqe punuan!
Armikëtë më s’mënuan,
Po fortesësë ju derdhë
E gjithë shum’ u gëzuan,
Se pa luftë brënda erdhë.
Kështu e mori Murati
Fortesën’ e Shqipërisë,
Ra pa luftë Sfetigrati
Q’ish në kufit të Turqisë!
O fortes’ e Sfetigratit!
Rrufeja të të kish rënë!
Sa re në lakt të Muratit,
Nukë je më për të qënë!
Ishe zonjë, zojn’ të bënë,
Dolle pej sër’ e pej radhe,
S’je paskëtaj për të qënë!
Perllati ishte përzjerë,
Nër luftëra ishte ndodhur
Me gjithë shokët’ e tjerë,
Pa ish këputur’ e lodhur.
Kur e dëgjoj këtë fjalë,
U mahnit, mbeti si shtyllë,
Në zëmërt i erth një valë
Dhe u verth e u bë dyllë!
Tha: “Popo, ç’bëra që ika!
Të më mirr ushta në ballë,
Të më paske rënë pika,
Sot të mos isha i gjallë!”
Kështu tha çelë Perllati,
Në shpirtit kish brengë shumë,
Krahrorgjeri, leshragjati,
I derdhi lottë si lumë!
Nuk’ e linte trimërija,
Pa vu kokënë ndër duar,
E mundonte vetëdija,
Ish vrënjtur’ e shëmëtuar!
Burr’i math, i trash’, i gjatë
Ndënji pak e u mejtua,
Hodhi dorënë mi shpatë,
Mbreti trim ju afërua.
Foshnja kur i flet ati,
Si e lak me lotthit dhenë?
Ashtu dhe çelë Perllati
Qau kur pa Skënderbenë!
Dhe i thotë: “Mos më lerë
Të më vrasë vetëdija,
Dua të vdes menjëherë,
Se më s’më nxë Shqipërija!”
Pa e qafoj Skënderbeu,
Duke thënë shumë fjalë,
Zëmrënë ja përdëlleu,
Q’ish plot breng’ e gjithë valë.
Foshnja, gra, pleq, luftëtarë
Rrininë buzëlëshuar,
Me fytyrëzë të vrarë
Faji i kish turpëruar.
Mbreti u tha: “Keq mos kini,
Pa prap’ e vëmë në dorë,
Juve shëndoshë të jini,
Pa Zoti s’na lë të gjorë.
Kijeni zëmrën të gjerë,
Kurrë mos u dobëtoni,
Puna sido që të bjerë,
Burra e trima qëndroni.”
Kshu tha, po shum’ u helmua
Nga ky dëm i math që patnë,
Po nukë ju zëmërua,
Se e doj shumë Perllatnë.
U dha gjë, plaçkë e arë
Të ardhuret Skënderbeu,
Dhe shtëpi e qe e farë,
Të gjithë i ngushëlleu.
Si u muarr Sfetigrati,
U nis për n’Adrinopojë,
Më s’ndenji fare Murati,
Se pa të madhe nevojë,
I numëroj luftëtarët
Si tufën’ e bagëtisë,
Ishin shuarë barbarët,
S’ish as gjysm’ e ushtërisë.
La tetë mij’ ushtëtarë
Dhe topa gjyl’ e të tjera
Në Sfetigrat q’e kish marrë,
A ja la, të themi, hera.
Skënderbeu e mësojti
Dhe dolli me dhjetë mijë,
Më çdo anë i dërgojti,
Përpara, pas e nër ijë:
Herë vënt të ngushtë zunë,
Herë në ball’ i goditnë,
Herë përpara i vunë
E herë në prit’ i pritnë.
Kështu i pren’ e i vranë,
Të shumëtë mb’udhë mbetnë,
Të pakëtë mezi vanë
E zunë kryeqytetnë,
Mbreti erth në Kruj’ e zbriti,
Edh’ e hapi ushtërinë,
Pas dy muaj e porsiti
Të mblidhetë, parësinë.
Mbreti pa punë po s’rrinte,
S’lodhej kurr’ e s’i rëndohej,
Edhe në gjumë kur flinte
Për Shqipërinë mejtohej.
Dolli e pa Shqipërinë
Edhe gjyqet’ e çdo punë,
Vuri nd’udhë mirësinë,
Njeri s’la në të përdhunë.
Në ditët të ati mbreti
E sa rroj ajy në jetë,
Në Shqipëri njeri s’mbeti
Në të keq e në të metë.
Shqipëtarët gjith’ i qitte,
Q’i kish djem e i donte,
Për luftë vet’ i stërvitte,
Shumë bukur’ i mësonte.
Nga ajy zot e mësonin
Luftën me shumë dëshirë
Shqipëtarët, pa lëftonin,
Me armikët’ aqë mirë.
Vate vetë këtë herë
Skënderbeu pa Hynjadhë
Edhe mbretërët e tjerë,
Miqt’ e tij gjithë me radhë.
Derdhi këtë herë topa,
Pru italjan’ e gjermanë
E ç’i duhej nga Evropa,
Dhe fransës’ e venetjanë.
Të gjith’ i kish miq, si thamë,
Po më mik i Shqipërisë,
Q’e kish mbreti vëllamë,
Ishte mbret’i Italisë.
Alfonsin kish mik për kokë,
Vëlla të dashur përjetë
E ballë në gjithë shokë,
Mbreti trim e i vërtetë.
Sindëkur i porositi,
U mbluadhë parësija,
Mbreti me nder shum’ i priti,
Si ja epte njerëzija.
Parësi e mëmëdheut
Ishte mbledhurë e tërë,
Për dasmët të Skënderbeut
Fjal’ e mejtim kishte bërë.
Pa mbretit të gjith’ i vanë
Me një zë e me një gojë,
Përnjëherë gjith’ i thanë:
“Neve shohëm një nevojë.
Të lutemi gjithë ç’jemi,
N’emërit të Shqipërisë,
Një fjalë që do ta themi,
U bëftë e Perëndisë.
Kombin duhet ta gëzojmë
Edhe gjithë Shqipërinë,
Andaj duam ta martojmë
Këtë herë zotëninë.”
Mbreti qeshi dhe tha: “Mua!
S’më dini që s’mbanj dot zgjedhë?
Tani kërkoni një grua
Në robëri të më hedhë!”
Pleqësi’ e parësisë
Dhe më afërë i vanë:
“Kjo dëshir’ e Shqipërisë
Do të mbarohet’” i thanë.
“Paskëtaj më s’të dëgjojmë,
Se kjo punë është jona;
Mëmëdhenë s’e shkretojmë,
Për tjatrë gjë urdhërona.”
“U ap fjalë që të vlohem,
Si të marrëm Sfetigratnë,
Do t’u dëgjinj të martohem,
Po pa të mundim Muratnë.”
Skënderbeu këtë fjalë
Tha, ata gjith’ u gëzuan,
I thanë: “Të qofshim falë”
E fjalë të tjera s’shtuan.
Ushtërinë prap’ e mblodhë,
Të gjithë trimatë vanë
E Sfetigratit ju hodhë,
Më të gjith’ anët i ranë.
Fjal’ e njeri dërgoj mbreti,
Që të epenë me besë,
Po këtë s’e desh Ahmeti,
Q’ish i parë në fortesë
Tha: “Sa gjak derdhi Turqija
Edhe prapë nuk’ i mundi,
Të derthnjë dhe Shqipërija,
Pa të shohëm më së fundi.”
Më topt edhe për fortesë
Shqipëtarët s’ishin msuar,
Në të huajt kishin shpresë,
Se ata ishin të vuar.
Po e dinte Skënderbeu
Dh’e njohnë gjithë të parët,
Që s’fitonte mëmëdheu
Pa stërvitur’ shqipëtarët.
Gjithë të huajt’ Turqija
Menjëher’ i frikësonte,
Fill e vetëm Shqipërija
Dhe shqipëtari lëftonte!
Mbreti e rrethoj fortesën,
Që t’i lij n’uri të mbesin,
Dhe Dërgoj tanushn’ e Shtresën
Me shok’ udhënë t’i presin,
T’i rrinë kundrejt Turqisë,
Asnjë armik të mos lenë
T’i qasetë Shqipërisë,
T’u apën dërrmën’ e dhenë.
Përsëri sulltan Murati
Me dyqint mij ushtëtarë
Erdhi drejt posi zapati,
Si edhe herën’ e parë.
Andaj e tër’ ushtërija
Erdhi në Krujë dhe mbreti,
E u zunë nga gatija,
Se kohë shumë s’u mbeti.

Kreu XXI

Mbreti priti miqësinë
Dhe i përcolli të tërë,
Q’i nderuan Shqipërinë
Dhe punëtë që kish bërë
Pa i erdhi parësija
Nga çdo an’ e Shqipërisë,
Edh’e tërë zotërija,
Se ish hij’e Perëndisë.
Të gjithë duke nderuar,
Mbret’i priti shumë mirë,
I pushtoj në krahëruar
Me gas shum’ e me dëshirë.
Këtej mbret’i Shqipërisë
Edhe e tërë Shqipërija
Kish gazet’ e Perëndisë
Q’i do gjithë njerëzija;
Andej sulltan’i Turqisë
Vate shum’ i zemëruar,
Sepse dëmn’ e Shqipërisë
Zot’i math e kish ndaluar;
Po ra në shumë lëngime
E në smundje të këqija,
N’idhërim’ e në rënkime,
I dha brengë Perëndija.
Shihte ëndërr’ e thërriste,
Thoshte: “Po vjen Skënderbeu!”
Dhe dridhej e angulliste,
Sikur do ta pinte dheu!
U tremb shumë këtë herë
Sulltani nga Skënderbeu,
Se ja shtu në baltë nderë
Dh’e vërteta s’e gënjeu.
Pas ca muajsh u shërua
Dhe u ngrit si nga qivuri,
Ndënji pak’ e u mejtua,
Pa Ali pashënë pruri.
I tha: “Ali pashë, ç’thua?
Si t’ja bëjmë Shqipërisë?
Që nukë më la nder mua
Dhe faqe ndaj njerëzisë.”
Ali pasha ju këthye,
Fjalën’ e kishte ndër dhëmbë,
Pa një her’ u kapërxye
Dhe u ngrit me nxit më këmbë,
I tha: “Unë të kam thënë
Që mos e nga Shqipërinë,
Se Zot’i math s’e ka thënë
Ta bënjë njeri të tinë.
Ne të zëmë miqësinë
Me të zon’ e Shqipërisë
Dhe ta kemi Shqipërinë
Një fortesë të Turqisë.
Kshu them e kështu kam thënë,
Fjala s’më është dëgjuar,
Po jam prapë tek kam qënë
M’atë fjalë kam qëndruar.
Kaqë herë që lëftuam
Ne kurrë s’kemi fituar,
E sa ushtëri dërguam
Shqipëria i ka shuar.
Edhe ta marrç Shqipërinë,
S’bënetë rob shqipëtari,
Po pyet ata që dinë
E mos puno si i marri;
Ata në dorë të huaj
Kurrë nukë kanë rënë
Dhe s’bijenë, po mos vuaj,
Se s’hyjnë në zgjedhët tënë.
Nukë merret Shqipërija
Si thoni, me të përdhunë,
Po përjetë miqësija
Do të na hyjnë në punë.”
Kështu i tha Ali pasha,
Pa u bint sulltan Mehmeti,
Q’i vrit më parë të trasha,
Se të vërtetën’ e gjeti,
Pa Ali pashës i thotë:
“Fjala jote ësht’ e mirë,
Gjer më sot vuamë kotë
Si të marr’ e si ë pirë.
Tani pa merr ushtërinë
Dhe mos më dëgjo as mua,
Po hiq e zërë kufinë
Edhe bëj ashtu si thua.”
Kshu tha dh’e nisi Alinë
Me mijë pesëmbëdhjetë,
Vate dhe zuri kufinë,
E punoj si deshi vetë.
Zu paqën’ e Perëndisë,
Q’ësht’ e lartër’ edh’e mirë,
E ju bë mik Shqipërisë
Me besë e me dëshirë.
Pa nisi pesë të parë,
I dërgoj me vrap te mbreti
Me qëllim shumë të mbarë,
Miqësisë udh’ i gjeti,
U bë mik me Skënderbenë,
Mik me shpirt edhe me besë,
Se e donte shume mbrenë,
Kishte njerëzije pjesë.
U poq edhe shumë herë
Me mbren’ Ali pasha vetë,
Q’i bënte si duhej nderë,
Se e dij q’ish i vërtetë.
Miqësi shumë rrëfyen
E bënë vëllazërinë,
Edhe kanisqe çkëmbyen
Mbret’i urtë me Alinë.
Koha me paqë po shkonte
Duke rrjedhurë si lumi,
Gjëkundi nukë qëndronte,
Dit’ e natë s’e zij gjumi,
Papo koha duke shkuar
Përsëritet gjithë jeta,
Gjësendi s’le pa ndryshuar,
Gjith’ i merr me vet’h’e shkreta!
Lulevet nuk u le erë
E drurëvet s’u le fletë,
Njeriut të zi, të mjerë,
Ja nxin të shkretënë jetë!
Sjell thinjët’ e pleqërinë,
Fishk faqen, kërrus kurrisnë,
Shtije poshtë dhe fuqinë,
Njerin’ e than si murrisnë!
Lulenë q’e çeli vera.
E prishi dimër’ i shkretë,
Po sërish kur i vjen hera
Lulëzohet’ e nxjerr fletë.
Kshu vdes edhe koha vetë
Edhe dimëri dhe vera,
Po ngjallen sërish në jetë
E dukenë si të tjera.
Kështu e tha Perëndija,
Andaj po plakej dhe mbreti
Dhe gjithë shokët’ e tija,
U plak dhe sulltan Mehmeti.
Dimër’i lij vjeshtëtë prapa
E atë e ndiqte vera,
Pas verësë vinte vapa,
Pa vinin vjeshtët’ e tjera.
Bilbili zij’ e këndonte
Ndër lule m’er’ e në fletë,
Pa pastaj sërish pushonte
Dhe rrinte ca koh’ i qetë.
Moti shkont’e përsëritej
Edhe paqa fortësohej
Fuqija nuk’ i venitej,
Gjithënjë më shum’ i shtohej.
Ish në prehje Shqipëria
Edhe gjithë shqipëtarët,
Mbretëronte urtësija,
S’kishin të bënin të marrët.
Mbreti shpirtmath me Alinë
Piqeshinë kurdoherë
Dh’e shtoninë miqësinë,
Nuk’ e lininë të bjerë.
Dhe vëndetë që kish zënë
Rreth Shqipërisë Turqija,
Gjith’ ishinë më të dhënë,
Se i donte Shqipërija.
Tërësin’ e Shqipërisë
Edhe mbren’ e mbretërinë
Do t’i njih mbret’i Turqisë,
Kshu e bënë me Alinë.
Po djajtë e djallëzitë
E çmëntnë sërish Mehmenë
Dh’e prunë më atë ditë,
Q’u bë prap’ armik me mbrenë!
Nga Jeziti, nga Mervani,
Nga Mavij’ e mallëkuar
Mori mësime sulltani,
Udhën e gjet të punuar!
Pa s’e donte Shqipërinë,
Nuk’ e donte Skënderbenë,
Sepse kishte urtësinë,
Përpiqej për mëmëdhenë.
E ngriti me vrap Alinë,
Se u bë me shqipëtarët,
U përpoq për Shqipërinë,
Nukë lëftoj si të parët!
Qëllimet që zu Mehmeti
Dhe udhën’ e mallëkuar
E kupëtoj mirë mbreti,
Që rrij gjithënjë i zgjuar,
Pa dolli me parësinë,
I erth rrotull Shqipërisë
E pa gjithë njerëzinë
Mbret’i math i urtësisë.
I dha fuqi Shqipërisë
E fortësoj çdo fortesë,
Po më shumë njerëzisë
I dha trimëri e shpresë.
Dimëri që helmon dhenë,
Çvesh drurët’ e s’u le fletë,
Lulet i bën sikur s’qenë
Me ftohtësirët të shkretë
Me atë të thatë dorë
Që shtije gjithë thëllimnë,
Shtron dëborë mi dëborë,
Heth helmin’ e idhërimnë
Me atë dorë të shkretë,
Së largu duke qëlluar,
Hodhi me fort një shigjetë,
Oh, shigjet’ e mallëkuar!
E pa të dirsurë mbrenë,
Që përpiqej e punonte
Gjithënjë për mëmëdhenë,
Edhe gjumi s’e qetonte,
Pa shigjetën’ e vërviti
Me fuqi të madhe shumë,
Mbren’ e mirë e goditi!
Ç’bëre, o dimër’, o lumë!
Mbret’i math e i vërtetë
Ndjen brënda në krahëruar,
Nga e nëmura shigjetë,
Një të shkretë të sëmbuar!
Atë që s’e zinte shpata
Edhe ushta e shigjeta,
Smundja me duar të thata
Ndër rroba e shtu e shkreta!
Mbreti me shokët zu Leshnë,
Atje ethetë ja dhanë,
Shëronjësit’ u përveshnë
E të gjithë bashk’ i vanë.
U çkul gjithë parësija,
Njeri pa ardhurë s’mbeti,
Rrodhi gjithë Shqipërija,
Erth’ aty tek ishte mbreti.
Mbreti thirri parësinë,
U dërgoj me vrap një djalë,
Tha: “Gjithë këtu të vinë,
Se kam t’u them shumë fjalë.”
Kshu tha, pa erth parësija
Edhe pleqtë mëndjeshumë,
Se kish njerëz Shqipërija,
S’kishte mbeturë për lumë.
Maksimi q’ish i dërguar
Te mbreti, nga Italija,
Dhe Jasafi i lëvduar,
Që ishte nga Venetija,
Hynë tok me parësinë
Edhe me pleqt të uruar,
Q’e mbaninë Shqipërinë
Si lulen’ e lulëzuar.
Ata hynë me gjak ngrirë
Edh’e përshëndoshnë mbrenë
Gjithë me zëmrë të mpirë,
Të sëmurë shum’ e gjenë!
Pa Skënderbe bukuroshi
Gjithëve u bëri nderë,
Sicilin’ e përshëndoshi
Dhe zu fjalën menjëherë,
Tha: “Erthmë e do të vemi,
Mase prapë do të vimë,
Se këtu përjetë s’jemi,
E nukë mundim të rrimë.
O vëllezrë shqipëtarë!
Ju të jini të bashkuar,
Sindëkur qetë më parë,
Që të jini të nderuar;
Mos e lini trimërinë
Dhe bashkimnë në mest tuaj,
Po ta kini miqësinë,
Se nukë jini të huaj,
Jini gjithë shqipëtarë,
Kini mëmë Shqipërinë,
Jini një fis e një farë
E besoni Perëndinë
Përpiqi ditë edhe natë,
Mëmëdhenë ta shpëtoni,
Armikut hiqini shpatë,
Kurrë mos u frikësoni;
Sindëkur kini lëftuar,
Ashtu prapë të lëftoni,
Që të jini të shpëtuar
E të kini gjithë ç’doni;
Mos e humbisni lirinë
E mos bëhi rob në jetë,
Po të doni mirësinë,
Ua ep Zotth’i vërtetë.
Im bir sot foshnj’ ësht’ e djalë,
Nukë munt të mbretëronjë,
Se në luftë s’munt të dalë,
Mëmëdhenë ta shpëtonjë
Se ka vetëm njëmbëdhjetë
Vjet e nukë ka më shumë,
Që ka lindurë në jetë,
Vërsa s’u poq, është brumë
Së pari do të mësonjë
Qysh mbahetë mbretërija,
Pa pastaj të mbretëronjë,
N’e ka thënë Perëndija;
Ato ditë sa të vinë,
Ju të njihni për të parë
Çelë Lekë Dukagjinë
Gjithë ç’jini shqipëtarë,
Ajy në këmbët të mbretit
Të gjykonj’ e të lëftonjë,
Të jet’ i par’i rrëmetit
E çdo punë ta mbaronjë,
Kur ka luftë Shqipërija,
Pas fjalës që kemi bërë,
Do t’i ndihnjë Venetija
Me fuqit të saj të tërë
Në ardhtë vetë sulltani,
Veç ndihmes së Venetisë,
Do të ndihnjë Ferdinani
Me ushtërit t’Italisë
Ashtu edhe Shqipërija
Do t’i ndihnjë Venetisë,
N’i arthtë siprë Turqija,
Sindëkur dhe Italisë.
Im bir e ka mbretërinë,
Me t’ëmënë për ca kohë
Le të zërë Apolinë, { Napolin }
Sa të rritet’ e të shohë.”
Kshu tha mbret’i Perëndisë,
Ajy zot’ i zotëruar,
Mbret’i urt’ i Shqipërisë,
Dhe i mir’ e i lëvduar.
Pa u kthye më të birë,
I tha: “Ti, o jetëgjatë!
Vështro të bëhesh m’i mirë
E m’i urtë nga yt atë.”
Nga fjalëtë që tha mbreti,
Shkronjësi shum’ i mësuar,
Bardhuli, q’ishte si deti,
Asnjë nukë la pa shkruar.
Mbreti ish më këtë fjalë,
E të tjerëtë dëgjonin,
Kur më der’ u dha një djalë,
Nukë muntnë ta ndalonin,
Tha: “Armikëtë po vinë,
O burra, o shqipëtarë!
Nxitoni, se na përpinë,
Delni, sa muntni, më parë!
E kapërxyen kufinë,
Mijë plot tetëmbëdhjetë
Me Ahmet pashën po vinë
Duke unjur tatëpjetë.”
Kshu tha, pa me të dëgjuar
Këtë fjalë shqipëtarët,
Muarr; armëtë nër duar
Dhe duallë me të parët.
Skënderbeu zgjeth të parë
Dh’e vu në këmbët të tija
Tanushnë mi luftëtarë,
Se ishte bërë gatija.
U ngrit edhe vetë mbreti:
“Armët e kalënë!” thirri,
Po fuqi më nuk’ i mbeti,
E zunë miqt’ e i biri.
Posi lisi duke rënë:
“Zot’i math e i vërtetë!
Le të bëhet ç’është thënë,”
Tha, “se unë s’rronj për jetë
Po më ki kujdes, Ti vetë,
Shqipëtar’ e Shqipërinë,
Mos m’i lerë kurrë shkretë,
Se Ti e do mirësinë
Në dorë të huaj kurrë
Shqipërija të mos bjerë,
Shqipëtari trim e burrë
Të jet’ e ta ketë nderë
Mbaje Shqipërinë zonjë,
Të ketë gjithë të mirat,
Të rronj’ e të mbretëronjë,
Të mos ta han’ egërsirat,
Fali lirinë ta ketë
Edhe gjithë mirësitë,
Të jetë m’emrë përjetë,
Epi jet’ e dit’ e dritë!”
Këto fjal’ i tha dy herë
Me zëmrë shumë të qetë,
Pastaj ra ndë gjum’ i prerë!
Oh, moj sëmundj’e shkretë!
Ëngjëlli i trimërisë,
Fytyrë pej djalë mbreti
Dhe gjuhën’ e Shqipërisë
Duke marë, erth e gjeti,
Dhe i tha: “Mos ki keq kurrë,
Se s’i shtije Perëndija,
Shqipëtari është burrë,
Do të rronjë Shqipërija;
S’ja ngre dot njeri lirinë,
Se ja dha Zot’i vërtetë,
Edhe gjithë mirësinë,
Ja ka falurë përjetë.”
Kshu tha ëngjëll’i uruar.
“Fort mir’ “, i tha Skënderbeu,
“Unë vete i gëzuar,
Ndryshe nukë më tret dheu.”
Shqipëtarët u përveshnë,
Për shpëtimt të Shqipërisë
Jetënë më nuk e deshnë,
Dërrmën i dhanë Turqisë.
Hynë n’ushtërit si flakë,
Një të gjallë nukë lanë,
Me Ahmet pashënë pakë
Te sulltan Mehmeti vanë.
Pa kur erdhë shqipëtarët,
Skënderbenë keq e gjenë,
I mori gjithë të qarët,
Se e donin shumë mbrenë.
Më nesëret duke ngdhirë
Mbreti la jetën’ e shkretë!
Shpirt’i math e shum’ i mirë
Vate te zot’i vërtetë!
Me gjëmim, me vetëtimë
Reja poshtë shin’ e shtije,
Pa lumi me ngashërimë
Prapë në det vet’e bije,
Dhe sërish ngrihet përpjetë
E lëçin ndë hapësirë,
Prap’ atje e hedhin retë,
Se ajy ësht’ i pavdirë.
Kur deshi Zot’i vërtetë,
Që ka kryer gjithësinë,
Të delte faqeza vetë,
Tfaqi në jetë njerinë,
Neve Atë burim kemi,
Detnë pa funt e pa anë,
Andej vim’ e atje vemi,
Ajy është gjithë ç’janë.
Trup’i mbretit ishte shuar!
Mjekr’ e bardhë si dëborë
Ish hapur mbi krahëruar!
Popo, njeriu i gjorë!
Gjashtëdhet’ edhe tri herë
E kish parë Skënderbenë
Në jet’ e bukura verë,
Që vjen e zbukuron dhenë.
Dolli Lekë Dukagjini
Më derët, q’ishte rrëmeti,
Tha: “Shqipëtarë, ku jini!
Se na la të shkretë mbreti!”
Kur dëgjuan këtë fjalë
Të idhurë shqipëtarët,
Thanë: “Mbret, të qofshim falë!”
Dhe gjithë i mori të qarët!
Mbretëresha edhe gratë,
Burratë dhe djal’i mbretit
Me lot qanë dit’ e natë,
Se më s’dukej mëng’ e detit!
Me nder të math njerëzija
Në Lesh Skënderben’ e vunë,
Shpirti shkoj te Perëndija,
Se këtu më s’i mbet punë.
U vesh gjithë Shqipërija
Në të zi e zuri zinë,
Parësi e vegjëlija,
Q’e donin si Perëndinë.
Qaje, moj Shqipëri, qaje
Atë njerin’ e vërtetë!
E zinë për jetë mbaje,
Se shok më s’i vjen në jetë.

Kreu XXII

Me zëmërë plag’ e flakë
Shqipëtarët mbanin zinë,
Se nuk’ ish mynxyr’ e pakë
Këjo q’e gjet Shqipërinë.
Mbretëreshënë së pari
Nisin’ bashkë me të birë,
Që s’pushoninë së qari
Edhe zënë far’e ngjirë
Në lundrë brënda i vunë
E shumë nga parësija
U nisnë bashk’ e i shpunë
Dhe shumë nga vegjëlija!
Edhe grat’ e parësisë
Me mbretëreshënë vanë,
Pas udhës së Shqipërisë,
Vetëm fille nuk e lanë
Vanë e ndënjnë për jetë,
Mbretëreshësë s’ju ndanë,
Ishin njerës të vërtetë
Qëmoti prinditë tanë.
Mbretëresha psherëtiti,
Duartë në gji i vuri,
Sytë plot me lot i ngriti,
Të qarët’ e vajnë zuri,
Tha: “Zotthi im i vërtetë!
Mos e prish, ti, Shqipërinë,
Si ka qenë le të jetë
Mos ja ngrerë mirësinë.”
Pa tha: “Jet’, e zeza jetë,
Qysh mbete pa Skënderbenë!
Më dukesh fare e shkretë!
Unë sot le mëmëdhenë!
Le shtëpin’ e njerëzinë,
Me zemrë të përvëluar!
Le miqthit’ e Shqipërinë
Në rrezik e të helmuar!
Më s’e shoh dot me sy mbrenë!
Në këtë të shkretë jetë!
E po vallë mëmëdhenë
Do ta shoh dot sërish vetë!
A do ta shoh Shqipërinë
Dhe miqt’ e farën’ e fisnë!
Kryeqytetn’ e shtëpinë!
Ah, për ku, për ku më nisnë!
Mbrenë s’e kam për të parë
Un’ e zeza, un’ e mjera!
Po të mos i shoh as varrë!
Kështu tha zonj’ e vërtetë,
Pej flake një ngashërimë,
Pa dashurë fare vetë,
I dolli si vetëtimë!
Duke qarë i dëgjonin
Gra e burra këto fjalë,
Zëmrat’ e tyre rënkonin,
Posi deti kur heth valë.
Pa u mblodh’ e përdëllenin
Mbretëreshënë fatzezë,
U përpoqnë ta dëfrenin,
Se në shpirtit kish një rezë.
Zot’i math’, q’ep idhërimnë,
E helmon njerin’ e gjorë,
I fal edhe përdëllimnë,
Se çdo gjë e ka në dorë
Më nj’an’ i ep idhërimnë,
Më nj’anë durim e shpresë,
M’anët tjatërë mundihmë,
Për çdo derë ka një lesë.
“Zot’ i math e i vërtetë!”
Tha mbretëresha: “Kam shpresë,
Bëj si të duash ti vetë,
Se të kemi prurë besë.”
Këto fjalë ishin thënë,
Lundra po e çante denë,
Shumë kohë nd’ujë s’bënë,
Po çpejt terënë e gjenë.
Van’ e zunë Apolinë,
Dolli gjithë njerëzija,
Me nder të shumë i prinë,
Ish e tyre mbretërija.
Djalën’ e mbretit e panë
Në Itali njerëzija:
“Qënka Skënderbeu, thanë,
Pa nukë vdes Shqipërija.”
N’Apoli e ngrehnë fronë,
Ndënji mbret’i Shqipërisë,
Që kish për t’ardhur më vonë,
Se ish shpres’ e njerëzisë.
Po zoti s’e kshte thënë
Që të ngrihej mbretërija,
Punëtë ndryshe u bënë,
Se ashtu desh perëndija!
Ng’ajy fis e ng’ajo derë
Nxori njerës trimërija
Të mbëdhenj shum’ e të ndjerë,
Q’i trashëgoj Italija!
Skënderbeu të na vdesë,
Zot’ i math e i vërtetë!
E Shqipëria të mbesë
Pa mbret, pa zot, si e shkretë!
Ta mbulojnë ligësitë!
E t’i ngrihetë e mira!
Dhe të vinjë më një ditë,
Që ta shkelnjë egërsira!
Kjo fjalë s’ësht’ e vërtetë,
E kurrë mos e besoni,
Se Shqipëria ndë jetë
S’ka mbetur kurrë si thoni;
Nukë ka mbetur’ e shkretë,
S’e humbi kurrë lirinë
Dhe përjetë do ta ketë,
Si dhe gjithë mirësinë
Shqipëtari s’u mposht kurrë,
Pat ngaherë lartësinë,
Se ka qënë trim e burrë,
Pandaj s’e humbi lirinë.
Dërguanë mbretëritë
Njerës të mir’ e të parë,
Pa shkuarë shumë ditë,
Në Krujë ndër shqipëtarë,
Njohnë Lekë Dukagjinë,
Q’ishte në këmbët të mbretit,
Përdëllyen Shqipërinë
Gjithë, veç sulltan Mehmetit.
Pa edhe n’Apoli vanë
Gjithë të parët te mbreti,
E ngashëllyen për t’anë,
Për mynxyrët që e gjeti;
Ish në front të Apolisë,
Se e kish dh’atë të tinë,
Po ish mbret’i Shqipërisë,
Ashtu e kishte porsinë.
Kur dëgjoj sulltan Mehmeti
Të këqijatë që ngjanë,
Që e la jetënë mbreti,
Vu kësulënë mënjanë!
Pa nisi shumë të parë
E ja dërgoj Shqipërisë
Me mijëra ushtëtarë
Armiku i Perëndisë!
Shqipëtarëtë u mblodhë,
Kordhët’ e lara i zhveshnë,
Përmbi armikët’ u hodhë,
Jetënë më nuk’ e deshnë.
Armikëtë kur i panë,
Q’u vërvitnë si fajkonjtë,
Posi zogjtë u përndanë,
Nxituanë si langonjtë
Më nj’anë u ra Tanushi,
M’anët tjatërë Urani,
Leka, Zaka e Malushi
Manul Pika e Tushani,
U lëshuanë si flakë,
Të gjith’ armikët’ i vranë,
Shpëtuanë ca të pakë,
Te sulltan Mehmeti vanë.
Kur e pa sulltan Mehmeti
Që s’e munt dot shqipëtarë
Pa qënë dhe vetë mbreti,
Si s’e mundi dhe më parë,
Ndenji pak’ e u mejtua,
Tha: “Kjo punë kshu të mbesë!
Opopo! ç’më gjeti mua!
Unë kisha tjatrë shpresë!”
Kështu tha i zëmëruar,
Dhe bëri sërish gatinë
E nisi për të dërguar
Në Shqipëri ushtërinë
Po dhe ata dhe të tjerë
Shqipëtarëtë i muntnë,
Lëftuanë shumë herë,
Gjithë jetënë e tuntnë!
Nj’ushtëri kthehej, një vinte,
Pas asaj tjatrë dërgonte,
Në prëhje kurrë s’i linte,
Se luftënë s’e pushonte,
Po shqipëtarët si flakë
Hynin në mest t’ushtërisë,
Sado q’ishin më të pakë,
Dërrmën’ i epnin Turqisë.
Ndihte edhe Venetija
Edhe mbret’i Italisë,
Po dhe vetëm Shqipërija
S’i trëmbej kurrë Turqisë.
Trimatë duke lëftuar
Si u thoshte trimërija,
Sa armikë kanë shuar
E di vetë Perëndija!
Hije e mbretit e mbante,
Nuk’ e linte Shqipërinë,
Të huajtë i përndante,
Pa merrninë arratinë.
Lëftoninë dit’ e natë
Për shpëtimt të Shqipërisë
Burratë trima me shpatë,
Nukë ju falë Turqisë.
U ther’, u pren’ e u vranë
Dhe ranë dëshmimëtarë,
Po vëndinë nuk’ e lanë
E njeri s’guxoj ta marrë.
Sa përpiqej Shqipëria,
Se robërinë s’e donte,
Aqë më shumë Turqija
Luftën’ e shkret’ e shtrëngonte.
Egërsir’, o egërsirë!
Më qafë përse i bije?
A s’munt të bënç kurrë mirë?
Se e mira s’të ka hije!
Nukë të le ligësija
Që të duash mirësinë,
E ç’të bëri Shqipërija
Që kërkon t’i ngresh lirinë?
Sa qe gjall’ sulltan Mehmeti,
Lufta ishte e paprerë,
Një ditë pa luftë s’mbeti
Shqipërija, zonj’ e ndjerë
Po Evrop’ e shkret’ u shua,
Papo ra dhe Venetija,
U prish e u dobëtua,
Sindëkur dhe Italija;
Gjithë puna u ndryshua,
I vate mbarë Turqisë,
Liri’ e mjer’ u çalua,
Më s’i mbet vent mirësisë,
Se dragoj i Shqipërisë
Më nukë ishte në jetë.
Q’i rrinte kundrejt Turqisë,
Mbeti Evropa e shkretë!
Pa ishte thënë të venë
Turqitë duke lëftuar,
Të hyjnë brënda në Vjenë,
Se Evropa ish e shuar!
Shqipëria s’hyri kurrë
Nënë zgjedhë të Turqisë,
Shqipëtari ishte burrë,
E mbajti nder’ e lirisë.
Të gjithë kombetë ranë,
I dobëtoj robërija,
Shqipëtarët’ armë s’dhanë,
Pa i nderoj Perëndija.
Më pastaj si vdiq Mehmeti,
Vërtet e njohnë të birë,
Po veç nj’emrë kishte mbreti,
Shqipëria ishte mirë.
Mbretëronte shqipëtari,
Urdhëronte parësija,
Punët’ ishinë së mbari,
Se gjykonte njerëzija;
Mirësija ishte besë,
Ligë ishte urtësija,
Trimërija ishte shpresë,
Dhe udhë vëllazërija;
Të huajtë lark qëndronin,
S’i qaseshin Shqipërisë
Dhe së largu e vështronin,
P’afëruarë kufisë.
Kurdoherë Shqipërija
Me ligë të saja punonte,
Pleqësi’ e parësija
Gjykonte dhe mbretëronte.
Kurrë djemt’ e Skënderbeut
S’ja kanë harruar mallë
Kombit edhe mëmëdheut,
Pa në kurt kurrë s’e kallë,
Se kanë pasur’ at’ Atë,
Q’i fali nder njerëzisë,
Armikëvet u dha datë,
I vu vjeftë Shqipërisë,
Gjithë bota po e dinë,
Q’ajo Shqipëri e ndjerë
Kurtin’ edhe robërinë
S’e ka hequr’ asnjëherë.
Më pastaj u bë m’e ndjerë
E më shum’ u lartësua
Dh’e shtoj e s’e humbi nderë
Dhe emëri ju madhua.
Q’aher’e t’hu sa ka nxjerrë
Trima m’emr’ e të dëgjuar
Shqipërija nga çdo derë
Ata kanë mbretëruar.
Sa ishinë shqipëtarë,
Ishin burra të vërtetë,
Të bashkë e të pandarë,
Të dashur’ e miq përjetë
Andaj kurrë Shqipërija
Në jetë s’u dobëtua,
Miqësi’ e mirësija
Dhe lirija s’ju mërgua;
Se kish djem të paçëmuar,
Të zot e t’urt’ e të mirë,
Pa ka qën’ e lulëzuar,
Kurrë s’ka qën’ e vështirë.
Shqipëtarëtë s’e lanë
Nënë zgjedhë Shqipërinë,
Gjithënjë për ta u vranë,
E deshnë si Perëndinë
Për shpëtimt të Shqipërisë
Gjithënjë janë përpjekur
Dhe n’udhët të Perëndisë
Kanë rën’ e kanë vdekur;
Pa Shqipërija s’ka rënë,
E mbajti Zot’i vërtetë,
Është sindëkur kish qënë
Dhe përjetë do të jetë.
Edhe në Turqit të tërë
Shqipëtarët kurdoherë
Punëtë i kanë bërë,
S’i kanë bërë të tjerë.
Kë të zësh ngoje më parë
Ng’ata burrat’ e vërtetë,
Q’ishin vërtet shqipëtarë,
Shokë s’kishinë ndë jetë!
I dhanë nder Shqipërisë,
Mbajtnë dhe Turqin’ e shkretë,
Oh, i dhanë shpirt Turqisë!
Ata trimat e vërtetë!
Trimërinë nuk’ e pshehnë,
Andaj e mbajtnë Turqinë!
Dhe m’anët tjatërë ngrehnë
Mynxyrënë! Grekërinë!
Mbajtnë plakën’ e pabesë!
Atë dhelprënë dinake!
E nuk’ e lanë të vdesë
Posi shtriga varfanjake!
Ngrehnë, popo, një mynxyrë!
Në kufit të Shqipërisë
Një dosë, kurvë të ndyrë!
Burimnë e ligësisë!
Këto bëri trimërija,
Se i ra pas marrëzisë,
Nuk’ ish bashkë urtësija,
Q’i ep dritë trimërisë.
Ca kapërxyen denë,
Egjyptënë van’ e zunë,
Ngrehnë fron’ e vunë mbrenë
Edhe bënë shumë punë
Ca bashkuan Italinë,
Si të tjerët që punonin
E vriteshin për Turqinë,
Po gjësendi s’trashëgonin!
Po edhe për Shqipërinë
Shqipëtarët’ u përpoqnë,
S’e harruan’ urtësinë,
Soje kurrë dorë s’hoqnë
Dhe për të huaj lëftuan
Edhe për vet’he u vranë,
Të tjera punë mbaruan
Dhe mëmëdhenë s’e lanë.
Po ka një kohë çdo punë,
Pa thënë Zot’i vërtetë,
S’bëhetë me të përdhunë,
Pema s’lëshon lul’e fletë.
Shpirt’i Skënderbeut thotë:
“Djemt’ e mij trima, ku jini!
Mos mundohi më për botë
Atë marrëzi e lini!
Bëhuni bashkë të tërë,
Madhojeni miqësinë,
Vëllezërë duke bërë,
Përpiqi për Shqipërinë
Po të jini të bashkuar,
Ësht’ e bërë Shqipërija,
Dhe puna gjith’ e mbaruar,
Si do vetë Perëndija;
Fortësoni dashurinë
Dhe bashkimnë, sa të muntni,
Lini nakar’ e zilinë,
Nga e drejta mos u tuntni;
Bëhuni miq në mest tuaj,
Si ësht’ udh’ e urtësisë,
Mos përpiqi për të huaj,
T’i mërgohi marrëzisë
Njëri-tjatërinë doni,
Se kini gjithë një shpresë,
Të huajtë t’i mërgoni,
Q’e kanë me të pabesë
Të gjithë një gjuhë kini
Dhe një bes’ e një mënyrë,
Djemt’ e mëmëdheut jini,
Kini një gjak, një fytyrë
Kini besë Perëndinë
Gjithë ç’jini shqipëtarë
Edhe mëmë Shqipërinë,
Si e pattë dhe më parë
S’jini grekër’ as bullgarë
As turq as tjatërë s’jini,
Jini fjeshtë shqipëtarë,
Pse gënjehi tek e dini?
Selanik e tatëpjetë
Është vënd’i Shqipërisë,
Kjo fjalë ësht’ e vërtetë,
Është fjal’ e Perëndisë.
Perëndija Shqipërinë
E bëri për shqipëtarët,
S’e bëri për djallëzinë,
Për të liqt’ e për kusarët;
Zot’i math vëndinë tuaj
E bëri për ju të tërë,
Për fqinjë e për të huaj
S’e ka bërë, s’e ka bërë.
Zoti kombet’ i ka ndarë
Edhe gjuhëtë me kohë,
Pa u dha sy për të parë
Dhe mëndjenë që të njohë
Të lesh vëllanë s’ka thënë
E të bësh vëlla një tjatrë,
Që s’ka as gjuhën’ as zënë,
Ta marrç e ta vësh në vatrë!
Po shtoni vëllazërinë,
Ecëni pas urtësisë,
Madhojeni miqësinë,
Q’është udh’ e Perëndisë
Hapni sytë dhe punoni
Të gjithë për Shqipërinë,
Tjatërë gjë mos kërkoni,
Ajo e sjell mirësinë.
Dashurin’ e mëmëdhethit
Dhe zogu s’e harron kurrë,
Që lëvrin në mest të gjethit
E s’e le folen’ e gurë.
Për lirit të Shqipërisë,
Për shpëtimt të shqipëtarit
Po vjen ndihm’ e Perëndisë,
Q’i ep dritë punëmbarit,
Po ju zini miqësinë,
Bëhi të zottë të rroni,
Të shpëtoni Shqipërinë,
Paskëtaj të mbretëroni.
Kini besë miqësinë
Edhe ligë mirësitë,
Udhëzë vëllazërinë,
Urtësitë ndihm’ e dritë,
Zot’i math e i vërtetë
Do t’i apë Shqipërisë
Shpëtimn’ e lirinë vetë
Dhe dritën’ e njerëzisë.”
Kshu thotë shpirt’i uruar,
Nuk’ e harron Shqipërinë,
Se për atë ka lëftuar,
I la nder’ e mirësinë.
Shpirt, o shpirt, ta dëgjoj zënë,
Fjala jote poshtë s’bije,
Bëhenë gjithë ç’ke thënë,
Ky është zë Perëndije!
Zot’ i math! Zot’ i vërtetë!
Fali, fali Shqipërisë
Gjithë ç’i duhet në jetë,
Se je mbret’ i gjithësisë.
A e shihni Skënderbenë?
Mbren’ e mirë, trim e burrë?
U përpoq për mëmëdhenë,
Pa s’i vdes emëri kurrë.
Skënderbeu ësht’ i gjallë,
Rron e mbretëron përjetë,
Kjo fjalë s’është përralë
Ndaj t’urtit ësht’ e vërtetë./ KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

Sa e dua giithë jetën,
Se atje gjej të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën.

Të mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, djellinë, dritën,
Mbrëmëm dh’atë errësirën.

Natën, kur ësht’ e qetuar,
Edhe gjësendi s’dëgjohet,
Qiellin kur ësht’ i edruar,
E hapësira ndritonet.

A kur hapen herë-herë,
Ret’ e zeza sten nd’erë,
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën.

Retë, shinë dhe lumenjte,
Gjëmim, mjergullë, përrenjtë,
Dëborën, breshërin’ e erën.

Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.

Oshëtimen, pyjet, drurët,
Shkëmbenjte, gërxhet’ e gurët.

Lulet, barërat që mbijnë,
E shpestë që fluturojnë,
Edhe këngera këndojnë,
E nëper dega levrojnë.
Dhe njerin’ e bagëtinë
Dhe giithe eshtë në jetë.

I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është Një e s’ka të dytë./KultPlus.com

‘Kam shumë shpresë’

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com

Fjalët e Qiririt

Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com

‘Në shpirt kam dashurinë, po digjem për njerëzinë, lemëni të përvëlohem, nuk dua më të ftohem’

Poezia “Fjalët e Qiririt” nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com

Poezia e Andon Zako Çajupit për Naim Frashërin

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqiperi!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipetarka, shqipetare!
Naimne kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qare!

Vdiq Naimi, gjithè thone,
qani turq, qani kaure!
Bilbil’ i gjuhese tone
s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, qe lëvdoi
dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

‘Fjalët e Qiririt’, poezia madhështore e Naim Frashërit

Poezi nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com

178 vjetori i lindjes së Naim Frashërit, autori që i dha madhështi letërsisë shqipe

Kur përmendim rëndësinë dhe madhështinë e letërsisë shqipe, pavarësisht kohës apo rrethanave, Naim Frashëri mbetet gjithmonë një nga figurat qendrore dhe më të rëndësishme të saj, shkruan KultPlus.

25 maji i vitit 1846 shënon ditën kur skenës sonë letrare i shtohet një nga emrat më të mëdhenj të saj. Emër ky që vazhdon të jetë i përmendur në secilin tekst shkollor, librat e të cilit ndodhen në çdo bibliotekë të vendit dhe shkrimet e tij lexohen nga secila gjeneratë.

“Fillimisht edukator i popullit, pastaj poet”, kështu shprehet studiuesi Eqrem Qabej për Naim Frashërin.

Kjo jo vetëm për shkak të veprimtarisë së tij të përpilimit të teksteve shkollore por për arsye se pothuajse në secilin krijim të tij, ai jep mesazhe mbi të mirën, të dobishmen e të moralshmen dhe ka qëllim kryesor edukimin e brezave të rinjë.

Nga krijimtaria e tij, ja vlen të përmenden disa nga krijimet e tij si: “Bagëti e bujqësi”, e cila paraqet një nga kryeveprat e romantizmit shqiptar, një poemë me karakter kryesisht himnizues mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Lulet e verës” është një tjetër vepër tejet e rëndësishme e cila paraqet një nga përmbledhjet më të bukura me poezi. Poezitë janë të tematikave të ndryshme, ku përfshihet tema atdhetare, tema filozofike dhe ajo e dashurisë. Kjo e fundit dallohet sidomos në ciklin “Bukurija”, ku edhe e shohim më së miri Naimin si poet dhe njëkohësisht dalin në pah pikëpamjet e tij rreth panteizmit.

“Istori e Skënderbeut” paraqet tenativën e poetit për të krijuar një ep kombëtar. Për krijimin e kësaj vepre mbështetet në veprën e Marin Barletit dhe aty trajton jetën e heroit tonë kombëtar.

Për portretin letrar të Naim Frashërit ka kaq shumë për të thënë. Ai mbetet një nga përkthyesit, intelektualët dhe shkrimtarët të cilin historia e letërsisë shqipe nuk do t’i harroj kurrë.

Ndoshta vetë Naim Frashëri me veprën e tij, është prova se pavdekshmëria ekziston. Kjo pasi ky poet, me krijimtarinë e tij jeton në kujtesën e çdo lexuesi shqiptar dhe jo vetëm, të secilit brez dhe ndihmon në ndërtimin e vetëdijes kombëtare, gjetjen e identitetit kombëtare dhe atdhedashurinë. / KultPlus.com

“Naim Frashëri i bëri bashkëkombësit e vet të besonin se vendi i tyre ishte po aq i denjë sa çdo komb tjetër në botë”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej” kanë zhvilluar sot më 25 maj në Gjirokastër “Konferencën shkencore në nderim të 175-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit”.

Seanca e parë u drejtua nga Rektori i Universitetit të Gjirokastrës prof. Bektash Mema, akad. Pëllumb Xhufi-Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe prof. Merita Gjokutaj.

Në fjalën e përshëndetjes Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi foli për rolin e madh të Naim Frashërit në rilindjen kombëtare dhe vendin që zë krijimtaria e tij në letërsinë shqipe.

Fjala e plotë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi

“I nderuar prof. dr. Bektash Mema, Rektor i Universitetit “Eqrem Çabej”,

Të dashur profesorë, akademikë, studiues pjesëmarrës nga vendet e rajonit, nga Kosova e Greqia,

Kjo konferencë shkencore që po çelim është e para në rendin e një vargu veprimtarish që Akademia e Shkencave ka parashikuar të zhvillojë këtë vit, në 175-vjetorin e lindjes së figurës emblematike të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit e gjatë këtij viti do të ndiqet nga konferenca e botime të tjera, veprimtari nderimi dhe studimi.

Në historinë e popullit tonë ka pasur shumë personalitete që i kanë mbiquajtur Shqiptari, por vetëm njërit prej tyre populli i bashkoi edhe emrin e vendit të vet, dhe ky ishte Naim Shqipëria.

Siç pati shkruajtur Eqrem Çabej tutje tetë dekadave e ca, ideologjia kombëtare shqiptare lindi dhe u formësua si një zgjim sinkronik: dega lindore e saj, me Naim Frashërin në kryeqendër, që udhëhiqej nga idealet iluministe volteriane të Perëndimit, nga njëra anë; dhe dega europiane e saj, me Jeronim de Radën në qendër, e cila, bashkëvajtëse e rrjedhave të bajronizmit, kishte në përmbajtjen e vet ekzotikën e Lindjes: dhe jo vetëm të lindjes në këtë anë të Adriatikut, të “Motit të madh të arbërve”, por ekzotikën tipike perëndimore, që mbërrinte deri te mitet e kryemoçme sanskrite.

Naim Frashëri dhe Jeronim de Rada janë dy figurat më të rëndësishme të shekullit të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Rreth tyre bashkohen të gjithë: poetë, mendimtarë, publicistë, kryengritës.

Naim Frashëri është ndër figurat e rralla që nuk është kontestuar gjatë gjithë historisë së jetës dhe veprës së vet.

Naim Frashëri është poeti i historisë së letërsisë shqipe i gjithëpranuar si poet kombëtar e çdo përpjekje për të krijuar opozicione të gjithfarshme me figurën e tij: mbi baza lokale, gjuhësore, madje edhe fetare, s’ka patur jehonë e vetëm e kanë lartësuar figurën e tij. Vëreni me sa elegancë dhe fisnikëri shkruante Àt Gjergj Fishta për njërin prej trinisë së pandashme të Frashërllinjve pikërisht Àt Gjergj Fishta, në veprën e tij Lahuta e Malcìs, krejt sfidant ndaj ngucakeqasve që e bezdisnin dita me ditë duke e pyetur direkt e tërthorazi: pse të ketë një poet kombëtar, a nuk duhet të ketë një jugu e një veriu, një tosk e një gegë, një të krishterë e një mysliman:

Aj âsht trimi Frasher Begu,

Qi gjithkund, ku e qiti shtegu,

I la nâm aj Toskënìs,

Faqe t’ bardhë i la Shqypnìs.

Ka pasur Frashërllinj me emër edhe më parë. Frashërllinj ishin edhe Dalip e Shahin Frashëri, poetë bejtexhinj që shkruan poema të mëdha epike sipas modës së bejtit oriental. Dhe Naimi, siç thonë studiuesit, mësoi prej tyre rregulla dhe kode të vargëzimit. Por jo frymën. Frymën ai e mori nga shpirti i kombit.

Ndryshimi që ndodhi në kalimin prej Frashëllinjve bejtexhinj tek Frashërllinjtë e ideologjisë së Rilindjes ka qenë epokal. Me Naimin ndodhi kalimi prej vjershërisë perandorake otomane në vjershërinë kombëtare. Në rrethanat që u krijuan pas masakrës së Manastirit (1830) dhe zhdukjes me rrënjë të elitës së vjetër vendase, e vetmja shpresë shpëtimi për Shqipërinë ishte lindja e një elite të re. Dhe Naimi krijoi modelin si të ndihesh shqiptar. Ndoshta për këtë duhet t’i jemi më së shumti mirënjohës atij. Ky ndikim i tij, u ndje në tërë periudhat e mëvonta veçanërisht në momentet më të vështira për vendin e popullin siç ishte periudha e pushtimit nazifashist gjatë së cilës një prej batalioneve më aktive partizane mori emrin “Naim Frashëri”.

Naim Frashëri i erdhi Shqipërisë si një projekt ardhmërie. Dhe nuk erdhi nga boshi. Ajo u parapri nga ideologjia e shekullit të 18-të, që tek arbëreshët u quajt albanesità, gjatë së cilës emri Shqipëri dhe emri shqiptar u përgjithësuan ndër tërë bashkatdhetarët, për të kulmuar me shprehjen lapidar për vendin e tyre prej Naim Frashërit Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar.

Imazhi i Shqipërisë ekziston në shumë forma: ka një Shqipëri politike, ka një Shqipëri ekonomike, një Shqipëri zakonore, një Shqipëri gjuhësore. Por Shqipëria më e bukur është Shqipëria letrare dhe midis Shqipërive letrare ajo e Naimit është shkëndijuese, po aq shkëndijuese sa edhe Arbëria e lavdisë së epokës së Gjergj Kastriotit në poemat e De Radës.

Naim Frashëri i bëri bashkëkombësit e vet të besonin se vendi i tyre ishte po aq i denjë sa çdo komb tjetër i qytetëruar në botë. Qëllime të tilla mund t’i arrijnë vetëm poetët misionarë.

Naimi është nga ata poetë që doli jashtë kufijve të gjuhës së vet. Ai shkroi vepra origjinale në greqisht, turqisht dhe persisht, shkroi e botoi edhe arabisht. Ai studiohet si poet shqiptar i masnavive në historinë e letërsisë persiane. Hartoi gramatika të gjuhëve të Lindjes, të persishtes klasike dhe të osmanishtes; shkroi tekste shkollore për arsimin shtetëror të perandorisë, që u botuan edhe pasi u nda nga jeta. Lexonte iluministët francezë dhe përshtati vepra nga frëngjishtja.

Kur Samiu përkthente Të mjerët në turqisht, Naimi përkthente Iliadën shqip e turqisht. Vepra e tij u shtri nëpër kontinente. Shkruante Bagëti e Bujqësinë duke ndjekur gjurmën Virgjilit tek Gjerogjiket e Bukoliket, rikrijonte sipas modeleve dhe motiveve të më të madhit poet të humanizmit klasik pers Xhelaledin Rumiu, adhuronte Ruso e Volterë, përkthente atin e vjershërisë, Homerin. U shkruante europianëve dhe popujve të Ballkanit në gjuhët e tyre. Kanë kaluar 120 vjet nga ndarja e tij nga jeta dhe prapë ka vepra të reja që zbulohen.

Naim Frashëri është ndoshta i vetmi poet që nuk ka nevojë jo të përshtatet, po as të redaktohet – kaq e afërt dhe ekumenike është shqipja e tij për të gjithë folësit bashkëkohës. Në themelet e shqipes së sotme është verbi naimian. Kongresi i drejtshkrimit nuk do të merrte dot vendimet që mori pa veprën e Naimit. Poezia e Naimit u këndua madje edhe në mënyrë polifonike nga këngëtarët popullorë të Kosovës kur Kosova ishte ende Jugosllavi.

Ne do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për idenë misionare që shqiptoi; për projektin e Rilindjes Kombëtare, që çoi në pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës; projekt i cili ka ende për të realizuar atë që sot quhet integrimi europian.

Figura e Naimit, vepra e tij, shërbejnë si qiriu për ta çuar deri në fund këtë projekt madhështor, që shprehej përmes vargjeve të tilla:

Jak’ o ditë e uruar,
Që lind nga perëndon,
At’ anë e ke ndrituar
E ne pse na harron?” / KultPlus.com

138 vjet nga botimi i kryeveprës së Naim Frashërit, “Bagëti e Bujqësi”

“Bagëti e Bujqësi” është poemë e shkruar nga shkrimtari shqiptar Naim Frashëri e cila është botuar për herë të parë në Bukuresht më 1886 në të përkohshmen “Drita”, shkruan KultPlus.

E mbajtur si kryevepra e Naimit, në këtë poemë baritore, barinj dhe katundarë shfaqen përsëpari në skenën letrare toske. Ata janë diçka më shumë se elementë zbukurues në përshkrimin peizazhit fshatarak. I përmalluar pas fshatit ku ishte lindur e rritur, Naimi e përshkruan në mënyrë idilike, ku asgjë nuk e cënon euforinë mistike dhe të gjitha konfliktet gjejnë pajtim dhe fashitje.

“O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë! Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë! Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar! Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar! Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni, O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni. Ti Shqipëri, më jep nderë, më jep emrin shqipëtar, Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”, janë disa ngavargjet e poemës.

Kjo kryevepër, u ribotua më 2001 nga shtëpia botuese “Dituria” në vëllimin me titullin “Bagëti e bujqësia, Lulet e verës, Vjersha të tjera”. / KultPlus.com

Ti Shqipëri më jep nderë, më jep emrin shqipëtar…

Poezia nga Naim Frashëri

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
– Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë,
As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë;
Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë.
Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Lezhë me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aq trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë,
I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë,
Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë…
Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë;
Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.

Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë!
N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë —
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta.
Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë./KultPlus.com

Naim Frashëri në diplomimin e Sevasti Qiriazit dhe takimi me Koto Hoxhin

Nga: Zija Basha 

Stamboll, korrik 1891. Mëngjes me fllad të freskët që vinte nga Bosfori aty pranë. Një grup vajzash zbritën shkallëve të konviktit të “Robert College”, të veshura me përparëse të zeza e jaka të bardha, nëpër një rrugicë të ngushtë të shtruar me kalldrëm me gurë të zezë. Në të dy anët e rrugicës, trëndafilat shumë ngjyrësh stolisnin atë parajsë të vogël, për të cilën kujdeseshin këto vajza që ecnin qetë si flutura, drejt godinës së shkollës impozante të tyre. Dalloheshin qartë shkronjat latine “Robert College”. Bisedonin me zë të ulët e hera herës përqafonin njëra-tjetrën. Drejtoria e kolegjit organizonte një takim lamtumire me këto nxënëse, që mbaruan këtë kolegj amerikan, e do të shpërndaheshin në vendet e tyre.

Midis tyre dallohej një vashë me trup mesatar e bëshme, fytyrëqeshur, me hundë si qiri, syzezë e vetullzezë, me flokë të rregulluara pas kokës si topuz. Herë-herë shpejtonte hapat para shoqeve si thëllëzë, e pastaj ndalonte duke kthyer fytyrën nga shoqet e ashtu duke buzëqeshur, dukej si sorkadhe mali. Fytyra i shndriste nga dielli korrikut që ngrihej mbi qiellin blu e me atë pamje, dukej si peri e zbritur nga parajsa e zotit. Nuk mbante në duar byzylyk, as varëse floriri a argjendi, vetëm dy vathë të vegjël me gurë rubini ngjyrë blu, ashtu si të gjitha shoqet e sajë. Ishte shqiptarja Sevasti Qiriazi.

Vajzat iu afruan shkollës dhe emocionet u shtuan. Drejtori kolegjit dhe pedagogët, kishin dalë në oborr e bisedonin ulët me njeri tjetrin. Vajzat lexonin në fytyrat e tyre brengën e ndarjes dhe filluan të përloten. Do të ndaheshin përjetë nga ata edukatore e edukatorë të dashur, që katër vjet luftonin krahë për krahë, në luftën e vështirë të dijes e do të shkonin në vise të largëta të perandorisë, për të mos u parë më me. Por, drejtori Eliot Spencer, duke parë dëshpërimin e të gjithëve e duke e mposhtur atë, tha me buzëqeshje:

– Afrohuni t’ju përqafojmë pëllumbesha, se ju na keni nderuar ne dhe ne prandaj ju duam shumë.

Vajzat e trupi pedagogjik u bënë një dhe përqafoheshin, siç përqafohen fëmijët me prindërit e tyre të dashur. Ashtu së bashku u futën në sallën e madhe të shfaqjeve teatrale, që ishte përgatitur për festë nga drejtoria e kolegjit. Zëvendësia e drejtorit, Anna Triks, u ngjit në skenën e teatrit me perde mëndafshi të kuqe, që ndrinin nga llambadarët e vendosur në të dy anët. Me emocion ju drejtua të gjithë pjesëmarrësve me këto fjalë:

– Të dashura vajza! Të nderuar kolegë! Jam shumë e emocionuar, po do t’ju flas me fjalë zemre. Fjalimin e lashë në çantë, se mu duk i thatë me fjalët që zgjodha për ju. Ju meritoni shumë më shumë respekt e mirënjohje nxënëse e pedagogë. Lum si ju moj vajza, që mbaruat të gjitha suksesshëm kolegjin e na nderuat ne, familjet tuaja e vendet tuaja. Lum si ne për ju të dashura nxënëse. Ne, pedagoget tuaj ndjejmë krenari që puna jonë me ju, arriti këtë fitore si bekim nga zoti. Ju urojmë njëzëri shëndet e suksese në vendet tuaja për përhapjen e diturisë. Ju tashmë jeni të lira për të bërë ç’do gjë, që ju pëlqen se kini zgjuarsinë për të dëgjuar, gjykimin për të dalluar, shpirtin për të ndier, ndërgjegjen për të peshuar çdo gjë. Ju tashmë e dini se çdo e keqe është e ndaluar. Veset e veprimet e padrejta, mos besnikëritë, dinakëritë janë të botës së ndyrë. Mos i afroni ato. Largojini nga ju e familjarët tuaj dhe pastroni shoqërinë e kombeve tuaj prej tyre. Jini misionare tani. Zoti qoftë me ju!

Emocione pafund për të gjithë. Sevastia jonë shikonte turbull mësuesen e gjuhës angleze, që zbriste shkallët e skenës, sepse sytë i kishte plot me lot. Vazhdoi koktej rreth dy orë e drejtori Spencer tha se në orën gjashtë mbas dite do të bëhej në atë sallë ndarja e diplomave.

Sevastia mori liri-dalje nga konvikti e doli në stacionin e pajtoneve. Vendosi të takonte në Ministrinë e Arsimit, Naim beun. Priti pak në stacion, sa erdhi pajtoni i xha Jasharit nga Erindi i Gjirokastrës. Vetëm me atë ajo shkonte për vizitë në shtëpinë e Naim beut. Hipi në pajton dhe kërkoi që xha Jashari ta zbriste tek Ministria e Arsimit, pranë Topkapi-sarait. Ecën rrugës buzë detit, deri afër xhamisë Sulltan Ahmetit e Ajasofjes.

Aty rruga qe bllokuar. Xha Jashari i tha se sulltan Hamidi II-të vizitonte varrin e së ëmës Tirimuje. Varri i saj nga pajtoni dukej si një vazo reçeli e madhe prej porcelani, me ca viza të ndryshme horizontale. Xha Jashari i tha:

– Moj vajzë xhani. Këta mbretërit e vezirët, kur dalën në krye, u duket vetja e madhe e bota e vogël. Vjedhin e vrasin fukaranë, por kur u vjen fundi, vdekja, bëhen besimtare. Po është vonë se atëherë populli të humbet nam e nishan. Ti do rrosh e do më kujtosh.

Xha Jashari ndërroi drejtim dhe në një rrugicë të dytë, arriti në Ministrinë e Arsimit. Priti sa doli Naim beu në oborrin gjithë lule e pemë zbukuruese e u largua për të ardhur prapë pas një ore aty.

Si u takua me shumë mall me mentorin e saj, Naimin, shkuan në një kafene aty afër dhe filluan bisedën përzemërsisht, si babai me bijën. Si e falenderoi Naimin, për gjithçka kishte bërë për futjen në atë kolegj e kujdesin e veçantë gjatë viteve për të, Sevastia e ftoi që si prind ai të merrte pjesë në ceremoninë e marrjes së diplomës. Por, Naimi, si e falënderoi, i dha lajmin e gëzuar që ai do të vinte aty si i ftuar, përfaqësueses i Ministrisë së Arsimit.

Sevastia e njoftoi se së bashku me vëllanë e sajë, Gjerasimin, kishin vendosur që në Korçë, të hapnin Shkollën e vashave. Naimi i entuziazmuar i tha:

– Motër, punë më të mirë e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë, se sa kini vendosur të bëni bashkë me vëllanë, për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë. Detyrat e tua tani fillojnë dhe po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme do arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin. (Sevasti Qiriazi, Kujtime për Naim beun)

Sevastia i tha Naimit se dëshironte shumë të vizitonte në burg Koto Hoxhin e madh. Mendueshëm për moshën e sajë të re, Naimi i tha:

– Kjo tregon se je xhevahir për kombin, por duhet ta mendojmë mirë.

– E mendova gjerë e gjatë gjithë këto kohë, Naim bej! Do të vishem si djalë e do të shkoj.

– Të bekoftë Zoti moj vajzë! Të shkosh, të shkosh …

Pas një ore takimi të këndshëm me Naimin, Sevastia shkoi përsëri në konvikt me pajtonin e xha Jasharit. Në orën e caktuar për shpërndarjen e diplomave, mbërriti në kohë Naim beu. Sevastia u lumturua sa e pa dhe zemra i rrihte fort. Kishte fatin se do të merrte nga ajo dorë e bekuar që drejtonte penën që shkroi ato mijëra vargje në gjuhën e ëmbël shqipe, diplomën, e do ta bënte krenare gjithë jetën e sajë, në shërbim të kombit.

Pas ceremonisë diplomave, ajo shkoi në shtëpinë e Naimit ku do të kalonte një darkë, si në shtëpinë e saj që e kujtonte gjithë jetën. Të nesërmen shkoi tek shoqet e pedagogët, ku u nda përfundimisht për të vazhduar detyrën e misionares së arsimit shqiptar.

Si e siguroi Naimi lejen nga drejtori burgut (një shqiptar nga Kosova) dhe mori garancinë e tij, shqiptarja Sevasti Qiriazi shkoi në burgun Jedi-Kule të katër bodrumeve. Ishte veshur si djalë e festën e kishte ngjeshur në kokë, që i mbulonte të gjithë flokët. Po, si e gjeti martirin e pavdekshëm Koto Hoxhi heroina jonë: “Një vrimë e ndyrë. Një brez i dritës nga një shteg lart më ndihmoi të dalloj një figurë të varfër. Mjerisht nuk mund të mendoja nëse ai qe njeri. Një pllakë prej guri që ka shërbyer për shtrat, e një grumbull leckash ku qe ulur. Ky qe Koto! E gjithë figura e tij intelektuale qe e shuar. Unë pyeta veten: Është e mundur kjo që në atë mjerim e ftohtësi trupi të jetojë shpirti i Kotos, i të madhit udhërrëfyes shqiptar”?

– Tungjatjeta Koto!

Unë përfundimisht guxova të mërmëritjeje. Në mekje, por me forcë, i dëgjova zërin që ai pyeti:

– Kush është ai që më flet mua?! Ai mund të jetë zë prej qielli, dërguar prej Zotit, të më flas ndonjë fjalë në zemrën time të plagosur’!

Ai kishte fytyrë të mjerë me të cilën unë u preka, sa që rrëketë e nxehta me shkuan poshtë mjekrës sime. Flokët e tij qenë të gjata. Mjekra e tij e gjatë i arrinte poshtë në mes. Rrobat e tije ishin vetëm lecka. Unë i fola me zë gati të bllokuar:

– Unë erdha, i dashur at, të të sjell ty fjalën për kurajo e të të them ty, se edhe pse ata ju kanë hedhur ju për të vuajtur këtë dënim mizor, fara që ju keni mbjellë po jep frute të mirë. Shpirti juaj jeton ne zemrën e popullit tënd.

Figura e rreckosur përgjigjet:

– Po! Ata kanë lidhur me zinxhirë trupin tim, por shpirti im është i lire. Ai është i lirë e s’ka torturë që mund të më pengojë që të bërtasë. Jo! Shqipëria nuk do të prishet! Ajo do të jetë e bashkuar, e pavarur dhe e gëzuar. Koto – me tha Sulltani – a nuk e di ti se koka jote është në dorën time? Po madhëri, koka ime është në duar të Madhërisë Tuaj, por shpirti i takon Perëndisë, mirëpo nderi është imi – ju gjegja unë. Po si erdhe e me gjete këtu moj lule Shqipërie, moj vitore pëllumbeshë! Me dhe forcë e me dhe shpresë. Më gëzove shume o ylli mëngjesit që sjell dritën.

Ndenji pak dhe tha vargjet:

O ju djem, do më kujtoni kur të ngjallet liria!
Po ç’të be a unë i mjeri, që mu errën sytë e mia!

– Humba sytë në këtë bodrum, moj engjëllore dhe mendjen e kam tek Shqipëria, tek Lunxhëria, nga Labova e Kryqit në Lekë.

U ndava me lotë e dëshpërim nga ai martir i kombit, me betim ne zemër se edhe unë sa te kisha frymën gjallë do ta shkrija jetën për Shqipërinë”.

“Mësuesi i Popullit”, Thoma Papapano, këmbëngulte se për këtë takim historik te “Mësueses së Popullit”, Sevasti Qiriazi me “Mësuesin e Popullit”, Koto Hoxhi, shkon kënga e mëposhtme:

“Moj kokë e qenit moj qene,
Pse s’dite për veten tende?
Nga bodrumi pse s’u trembe?
Bodrum nate e bodrum dite.
Me prishi kandili sytë.
ǔhaber me ke sjell, moj vite?
– Hap bodrum e ngreu e ike”!

/Memorie.al/ KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Dritëro Agolli

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com

Kam shumë shpresë

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë./ KultPlus.com

‘Gjuha jonë sa e mirë, Sa e ëmbël sa e gjerë, Sa e lehtë sa e lirë’

Naim Frashëri

O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! /KultPlus.com

Lutja e Naimit

Poezi nga Naim Frashëri

Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. /KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com

Poezia e Andon Zako Çajupit për Naim Frashërin

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqiperi!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipetarka, shqipetare!
Naimne kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qare!

Vdiq Naimi, gjithè thone,
qani turq, qani kaure!
Bilbil’ i gjuhese tone
s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, qe lëvdoi
dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

Naim Frashëri, figurë qëndrore e letërsisë së Rilindjes dhe ‘bilbil i gjuhës shqipe’

Naim Frashëri është figura qendrore e letërsisë së Rilindjes dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kombëtare, njeriu që u pagëzua për së gjalli si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbili i gjuhës shqipe”. Lindi në Frashër të Dangëllisë, ku mori mësimet e para nga hoxha i fshatit. Me shpërnguljen e familjes në Janinë, pranë vëllait të madh Abdylit, që shërbente si nëpunës atje, Naimi hyri në gjimnazin Zosimea të qytetit, ku mori një kulturë të gjerë për kohën.

Përveç njohjes me kulturat klasike, përveç se përsosi njohuritë në persisht dhe mësoi edhe gjuhë të tjera, si greqishten, frëngjishten etj. Naimi atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng, që i hapi udhën Revolucionit të vitit 1789: lexoi Rusonë e Volterin, për të cilët ruajti një admirim të veçantë gjatë gjithë jetës, ashtu si e ruajti edhe për shkrimtarët e mëdhenj të shkollës së romantizmit francez, Hygonë, Lamartinin e të tjerë. Naimi u ndodh kështu në kryqëzimin e dy kulturave, të kulturës lindore e të kulturës perëndimore, të cilat lanë gjurmë në formimin dhe në veprën e tij, pa mundur të shtypin natyrën e saj vendase.

Pasi kreu më 1870 gjimnazin, Naimi shkoi në Stamboll për të gjetur punë, por klima nuk i shkoi shëndetit të tij të dobët dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi për dhjetë vjet si nëpunës dogane në Janinë, në Sarandë e në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll pranë vëllait, Samiut, ku edhe mbylli sytë më 20 tetor 1900. Atje ai u bë shpirti i Shoqërisë së Stambollit që e kryesonte Samiu.

Por në vitet e Lidhjes së Prizrenit Naimi u ndodh në Shqipëri dhe mori pjesë aktive në ngjarjet e saj, sidomos në organizimin e mbledhjeve që u bënë në Frashër e në Janinë për mbështetjen e përkrahjen e Lidhjes. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, e cila u prit me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë që do të formonin më tej trungun e veprës së tij atdhetare dhe të gjithë poezisë atdhetare të Rilindjes.

Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti një rol të dorës së parë për zgjimin e vetëdijes atdhetare te bashkëkombësit. Ai u bë themeluesi i një letërsie të re me përmbajtje atdhetare e njerëzore, me forcë artistike dhe me vlera të shquara stili, duke zgjeruar jo vetëm tematikën dhe problematikën e saj, por duke i kthyer fjalës shqipe forcën e saj estetike, duke i dhënë shqipes fytyrën e një gjuhe të lëvruar të kulturës moderne të shqiptarëve. Me poemat e vjershat e tij lirike Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Por ai zbuloi edhe të fshehtat e shpirtit njerëzor duke medituar për jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, qenien dhe mosqenien, perëndinë dhe gjithësinë, në frymën e panteizmit poetik e filozofik që karakterizon mendimin e tij.

Një himn të pashoq i thur Naimi dashurisë për atdhe e mallit për të, bukurive të natyrës shqiptare e krenarisë kombëtare në poemën “Bagëti e Bujqësija”. Me këtë vepër Naimi krijoi poezinë e madhe të atdheut dhe me një gjuhë magjepse poetike shprehu ndjenja e emocione që s’kishte mundur t’i krijonte para tij poezia shqipe. Ai shpalli mbi të gjitha ndjenjën e krenarisë kombëtare, përmes vargjeve: “Ti Shqipëri më ep nderë, / Më ep emërin shqipëtar; / Zemërnë ti ma gatove / Plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Naimi pohoi me gjuhën e artit qenien e atdheut e të atdhetarizmit shqiptar, duke krijuar imazhin poetik të mëmëdheut që u mungonte shqiptarëve, që e kishin dhe nuk e shikonin ose nuk e ndienin se e kishin ashtu të bukur e madhështor, ashtu si e përshkruan poeti, të ringjallur së vdekuri me një dashuri të përgjëruar prej fjalës poetike.

Ky imazh i ftonte shqiptarët të ktheheshin në atdhe. Metafora e madhe e kthimit, e pranishme jo vetëm në këtë poemë të Naimit, por në gjithë letërsinë romantike të Rilindjes, nuk është e njëjtë me ëndrrën romantike për t’u kthyer në viset ekzotike, ose në gjirin e jetës së lirë e të papërlyer nga sëmundjet e qytetërimit modern; nuk është thjesht një arratisje romantike larg rrëmujës e rrëmetit të jetës urbane, por një mall për atdheun e humbur dhe një thirrje qytetare për t’iu kthyer vlerave të vendlindjes, për t’i ringjallur ato e bashkë me to për të ringjallur kombin. Ky ishte misioni i poezisë së Naimit, i cili u njëjtësua në vetëdijen e kombit me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë.
Historia, sidomos epoka e Skënderbeut, përbënte për rilindësit një trashëgim të çmuar dhe një dëshmi të identitetit e të së drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Me vetëdijen e ndikimit të madh të së kaluarës për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zgjimin e ndjenjave liridashëse, Naim Frashëri krijoi poemën epike “Istori e Skënderbeut.

Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe Rilindja Shqiptare bashkonte në vetvete idealet politike qytetare të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në mendimin e Naimit është e lidhur me rilindjen e njeriut e me lirinë e njeriut, me zgjimin e pasurimin e tij mendor e shpirtëror, me përsosjen e tij morale. Në këtë vështrim përjetimet lirike të Naimit të shprehura në vjershat e “Luleve të verës” synojnë të afirmojnë një botë të re ndjenjash njerëzore, aspiratën e poetit për emancipimin e njeriut dhe për pohimin e individualitetit e të personalitetit të tij.
Këto motive i sollën një risi e një pasuri artistike të panjohur më parë poezisë shqipe; me to Naim Frashëri themeloi stilin e mirëfilltë lirik në letrat shqipe dhe ngriti fjalën shqipe në rrafshin e poezisë e të artit të vërtetë. Vepra e Naim Frashërit sintetizoi prirjet më të mbara të zhvillimit historik e kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe bëri epokë duke e nxjerrë në një udhë të re letërsinë e tyre.

Duke vënë në bazë te gjuhës së poezisë gjuhën popullore, Naim Frashëri e emancipoi shprehjen poetike nga konvencionalizmi dhe i çliroi fjalët nga inercia e një tradite të ngurtësuar prej gjuhës së konsakruar të librave të dogmës, ose prej trysnisë së modeleve të huaja poetike. Me veprën e Naimit letërsia shqiptare mohoi në thelb traditën e zhvillimit të saj të varur nga ndikimi i letërsive dhe i kulturave të tjera; ajo nisi të zhvillohej në mënyrë të pavarur si letërsi e kombit shqiptar, me tiparet e veta. Naimi e afroi kështu letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bëri shprehëse të njëmendtë të ndërgjegjes së tyre morale e estetike. /KultPlus.com

176-vjetori i lindjes së figurës qendrore të letërsisë shqiptare të Rilindjes, Naim Frashëri

Sot, përkujtojmë 176-vjetorin e lindjes të Naim Frashërit.

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë. / KultPlus.com

Emërimi i Naim Frashërit si inspektor i shkollave greke

Nga Aurenc Bebja, Francë – 11 Prill 2022

“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 30 majit 1883, në ballinë, një shkrim në lidhje me lajmin e emërimit të Naim Frashërit si inspektor i shkollave greke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Shkollat greke

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gazeta “L’Avghi” beson se është në gjendje të njoftojë, sipas informacioneve të veçanta të saj, se gjithçka që është publikuar deri më tani në lidhje me emërimin e një inspektori të shkollave greke është e pasaktë.

Thjesht bëhet fjalë për të marrë vesh për gjendjen e shkollave greke që Ministria e Arsimit e urdhëroi Naïm Beun të vizitonte njëherë e përgjithmonë këto shkolla për të mbledhur informacionet e nevojshme.

Nëpunësi shtetëror, shton fleta greke, që u ngarkua për këtë vizitë të thjeshtë, Naïm beu, është një i ri shqiptar, i familjes Frashëri, shumë i arsimuar dhe me karakter të shkëlqyer, që ka studiuar me hollësi gjuhën greke në vetë shkollat greke.

Prandaj edhe lajmi i emërimit të Naim Beut, si inspektor i shkollave greke me kompetenca shumë të gjera, u prit me gëzim dhe si lehtësim nga e gjithë popullsia greke.

https://www.darsiani.com/la-gazette/stamboul-1883-si-u-prit-emerimi-i-naim-frasherit-si-inspektor-i-shkollave-greke/ / KultPlus.com