‘Gjuha jonë sa e mirë, Sa e ëmbël sa e gjerë, Sa e lehtë sa e lirë’

Naim Frashëri

O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! /KultPlus.com

Lutja e Naimit

Poezi nga Naim Frashëri

Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. /KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com

Poezia e Andon Zako Çajupit për Naim Frashërin

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqiperi!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipetarka, shqipetare!
Naimne kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qare!

Vdiq Naimi, gjithè thone,
qani turq, qani kaure!
Bilbil’ i gjuhese tone
s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, qe lëvdoi
dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

Naim Frashëri, figurë qëndrore e letërsisë së Rilindjes dhe ‘bilbil i gjuhës shqipe’

Naim Frashëri është figura qendrore e letërsisë së Rilindjes dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kombëtare, njeriu që u pagëzua për së gjalli si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbili i gjuhës shqipe”. Lindi në Frashër të Dangëllisë, ku mori mësimet e para nga hoxha i fshatit. Me shpërnguljen e familjes në Janinë, pranë vëllait të madh Abdylit, që shërbente si nëpunës atje, Naimi hyri në gjimnazin Zosimea të qytetit, ku mori një kulturë të gjerë për kohën.

Përveç njohjes me kulturat klasike, përveç se përsosi njohuritë në persisht dhe mësoi edhe gjuhë të tjera, si greqishten, frëngjishten etj. Naimi atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng, që i hapi udhën Revolucionit të vitit 1789: lexoi Rusonë e Volterin, për të cilët ruajti një admirim të veçantë gjatë gjithë jetës, ashtu si e ruajti edhe për shkrimtarët e mëdhenj të shkollës së romantizmit francez, Hygonë, Lamartinin e të tjerë. Naimi u ndodh kështu në kryqëzimin e dy kulturave, të kulturës lindore e të kulturës perëndimore, të cilat lanë gjurmë në formimin dhe në veprën e tij, pa mundur të shtypin natyrën e saj vendase.

Pasi kreu më 1870 gjimnazin, Naimi shkoi në Stamboll për të gjetur punë, por klima nuk i shkoi shëndetit të tij të dobët dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi për dhjetë vjet si nëpunës dogane në Janinë, në Sarandë e në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll pranë vëllait, Samiut, ku edhe mbylli sytë më 20 tetor 1900. Atje ai u bë shpirti i Shoqërisë së Stambollit që e kryesonte Samiu.

Por në vitet e Lidhjes së Prizrenit Naimi u ndodh në Shqipëri dhe mori pjesë aktive në ngjarjet e saj, sidomos në organizimin e mbledhjeve që u bënë në Frashër e në Janinë për mbështetjen e përkrahjen e Lidhjes. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, e cila u prit me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë që do të formonin më tej trungun e veprës së tij atdhetare dhe të gjithë poezisë atdhetare të Rilindjes.

Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti një rol të dorës së parë për zgjimin e vetëdijes atdhetare te bashkëkombësit. Ai u bë themeluesi i një letërsie të re me përmbajtje atdhetare e njerëzore, me forcë artistike dhe me vlera të shquara stili, duke zgjeruar jo vetëm tematikën dhe problematikën e saj, por duke i kthyer fjalës shqipe forcën e saj estetike, duke i dhënë shqipes fytyrën e një gjuhe të lëvruar të kulturës moderne të shqiptarëve. Me poemat e vjershat e tij lirike Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Por ai zbuloi edhe të fshehtat e shpirtit njerëzor duke medituar për jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, qenien dhe mosqenien, perëndinë dhe gjithësinë, në frymën e panteizmit poetik e filozofik që karakterizon mendimin e tij.

Një himn të pashoq i thur Naimi dashurisë për atdhe e mallit për të, bukurive të natyrës shqiptare e krenarisë kombëtare në poemën “Bagëti e Bujqësija”. Me këtë vepër Naimi krijoi poezinë e madhe të atdheut dhe me një gjuhë magjepse poetike shprehu ndjenja e emocione që s’kishte mundur t’i krijonte para tij poezia shqipe. Ai shpalli mbi të gjitha ndjenjën e krenarisë kombëtare, përmes vargjeve: “Ti Shqipëri më ep nderë, / Më ep emërin shqipëtar; / Zemërnë ti ma gatove / Plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Naimi pohoi me gjuhën e artit qenien e atdheut e të atdhetarizmit shqiptar, duke krijuar imazhin poetik të mëmëdheut që u mungonte shqiptarëve, që e kishin dhe nuk e shikonin ose nuk e ndienin se e kishin ashtu të bukur e madhështor, ashtu si e përshkruan poeti, të ringjallur së vdekuri me një dashuri të përgjëruar prej fjalës poetike.

Ky imazh i ftonte shqiptarët të ktheheshin në atdhe. Metafora e madhe e kthimit, e pranishme jo vetëm në këtë poemë të Naimit, por në gjithë letërsinë romantike të Rilindjes, nuk është e njëjtë me ëndrrën romantike për t’u kthyer në viset ekzotike, ose në gjirin e jetës së lirë e të papërlyer nga sëmundjet e qytetërimit modern; nuk është thjesht një arratisje romantike larg rrëmujës e rrëmetit të jetës urbane, por një mall për atdheun e humbur dhe një thirrje qytetare për t’iu kthyer vlerave të vendlindjes, për t’i ringjallur ato e bashkë me to për të ringjallur kombin. Ky ishte misioni i poezisë së Naimit, i cili u njëjtësua në vetëdijen e kombit me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë.
Historia, sidomos epoka e Skënderbeut, përbënte për rilindësit një trashëgim të çmuar dhe një dëshmi të identitetit e të së drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Me vetëdijen e ndikimit të madh të së kaluarës për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zgjimin e ndjenjave liridashëse, Naim Frashëri krijoi poemën epike “Istori e Skënderbeut.

Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe Rilindja Shqiptare bashkonte në vetvete idealet politike qytetare të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në mendimin e Naimit është e lidhur me rilindjen e njeriut e me lirinë e njeriut, me zgjimin e pasurimin e tij mendor e shpirtëror, me përsosjen e tij morale. Në këtë vështrim përjetimet lirike të Naimit të shprehura në vjershat e “Luleve të verës” synojnë të afirmojnë një botë të re ndjenjash njerëzore, aspiratën e poetit për emancipimin e njeriut dhe për pohimin e individualitetit e të personalitetit të tij.
Këto motive i sollën një risi e një pasuri artistike të panjohur më parë poezisë shqipe; me to Naim Frashëri themeloi stilin e mirëfilltë lirik në letrat shqipe dhe ngriti fjalën shqipe në rrafshin e poezisë e të artit të vërtetë. Vepra e Naim Frashërit sintetizoi prirjet më të mbara të zhvillimit historik e kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe bëri epokë duke e nxjerrë në një udhë të re letërsinë e tyre.

Duke vënë në bazë te gjuhës së poezisë gjuhën popullore, Naim Frashëri e emancipoi shprehjen poetike nga konvencionalizmi dhe i çliroi fjalët nga inercia e një tradite të ngurtësuar prej gjuhës së konsakruar të librave të dogmës, ose prej trysnisë së modeleve të huaja poetike. Me veprën e Naimit letërsia shqiptare mohoi në thelb traditën e zhvillimit të saj të varur nga ndikimi i letërsive dhe i kulturave të tjera; ajo nisi të zhvillohej në mënyrë të pavarur si letërsi e kombit shqiptar, me tiparet e veta. Naimi e afroi kështu letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bëri shprehëse të njëmendtë të ndërgjegjes së tyre morale e estetike. /KultPlus.com

176-vjetori i lindjes së figurës qendrore të letërsisë shqiptare të Rilindjes, Naim Frashëri

Sot, përkujtojmë 176-vjetorin e lindjes të Naim Frashërit.

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë. / KultPlus.com

Emërimi i Naim Frashërit si inspektor i shkollave greke

Nga Aurenc Bebja, Francë – 11 Prill 2022

“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 30 majit 1883, në ballinë, një shkrim në lidhje me lajmin e emërimit të Naim Frashërit si inspektor i shkollave greke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Shkollat greke

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gazeta “L’Avghi” beson se është në gjendje të njoftojë, sipas informacioneve të veçanta të saj, se gjithçka që është publikuar deri më tani në lidhje me emërimin e një inspektori të shkollave greke është e pasaktë.

Thjesht bëhet fjalë për të marrë vesh për gjendjen e shkollave greke që Ministria e Arsimit e urdhëroi Naïm Beun të vizitonte njëherë e përgjithmonë këto shkolla për të mbledhur informacionet e nevojshme.

Nëpunësi shtetëror, shton fleta greke, që u ngarkua për këtë vizitë të thjeshtë, Naïm beu, është një i ri shqiptar, i familjes Frashëri, shumë i arsimuar dhe me karakter të shkëlqyer, që ka studiuar me hollësi gjuhën greke në vetë shkollat greke.

Prandaj edhe lajmi i emërimit të Naim Beut, si inspektor i shkollave greke me kompetenca shumë të gjera, u prit me gëzim dhe si lehtësim nga e gjithë popullsia greke.

https://www.darsiani.com/la-gazette/stamboul-1883-si-u-prit-emerimi-i-naim-frasherit-si-inspektor-i-shkollave-greke/ / KultPlus.com

‘Pa pasur dituri, njeriu nuk quhet njeri’

Naim Frashëri ka qenë poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes. Për së gjalli u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.

Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare.

Në anën tjetër, njëra prej thënieve më të njohura që Naim Frashëri ka lënë pas është ajo me diturinë dhe njeriun.

“‘Pa pasur dituri, njeriu nuk quhet njeri”. /KultPlus.com

‘Gjuha jonë sa e mirë, Sa e ëmbël sa e gjerë, Sa e lehtë sa e lirë’

Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 Shkurti, shkruan KultPlus.

Në nderë të kësaj dite, KultPlus iu sjellë poezinë e Naim Frashërit kuptimplotë e të përshtatshme për çdo kohë.

Naim Frashëri

O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! /KultPlus.com

‘O Atdhe, më je i dashur sa më s’ka më je nënë, më je motër, më je vlla’

Shkruan Naim Frashëri

Atdheu

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi! /KultPlus.com

‘Kam shumë shpresë’

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

Sa e dua giithë jetën,
Se atje gjej të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën.

Të mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, djellinë, dritën,
Mbrëmëm dh’atë errësirën.

Natën, kur ësht’ e qetuar,
Edhe gjësendi s’dëgjohet,
Qiellin kur ësht’ i edruar,
E hapësira ndritonet.

A kur hapen herë-herë,
Ret’ e zeza sten nd’erë,
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën.

Retë, shinë dhe lumenjte,
Gjëmim, mjergullë, përrenjtë,
Dëborën, breshërin’ e erën.

Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.

Oshëtimen, pyjet, drurët,
Shkëmbenjte, gërxhet’ e gurët.

Lulet, barërat që mbijnë,
E shpestë që fluturojnë,
Edhe këngera këndojnë,
E nëper dega levrojnë.
Dhe njerin’ e bagëtinë
Dhe giithe eshtë në jetë.

I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është Një e s’ka të dytë./KultPlus.com

Artisti Enris Qinami ka prezantuar për herë të parë në Francë librin e Naim Frashërit

Artisti Enris Qinami, i cili jeton prej më shumë se 20 vitesh në Francë, ka zhvilluar një event në Paris ku ka prezantuar për herë të parë në Francë librin e Naim Frashërit “Poezi të shpirtit”.

12 poezi të Naim Frashërit, një prej shkrimtarëve më të shquar të Rilindjes janë përkthyer në frëngjisht nga artisti Enris Qinami.

Artisti Qinami shprehet se ka pasur nderin t’i përkthej në frëngjisht këto poezi.

Një falënderim i madh për shfaqjen “N ūn” në Paris që mirëpriti me po aq mirësi dhe zemërgjerësi prezantimin e parë në Francë të librit të Naim Frashërit “Poezi të shpirtit”, 12 poezi nga kolosi i shkronjave shqipe kam pasur nderin të përkthej në frëngjisht.

Një falënderim i madh për të gjithë miqtë që bënë të mundur këtë ngjarje dhe më nderuan me praninë e tyre. Shihemi së shpejti për më shumë ngjarje të tilla shpërblyese dhe udhëkryq”, shkruan Qinami në Facebook.

Promovimi i librit “Poezi të shpirtit”, është zhvilluar edhe në Shkodër në muajin gusht të këtij viti.

Artisti ushtron profesionin e tij, si pedagog muzike dhe është një përfaqësues i zhanreve tradicionale muzikore shqiptare. / KultPlus.com

Rrëfimi i artistes Margarita Xhepa: Poezia e Naim Frashërit më ka ngjitur në skenë për herë të parë

Pasioni, dashuria për profesionin dhe puna e palodhur ishin ato që shtynë përpara artisten e madhe Margarita Xhepën që të arrinte majën e karrierës, pavarësisht vlerësimit të ulët monetar.

Teksa rrëfen për ‘Report Tv’ jetën e saj artistike, poezia ruhet si kujtim për daljen e parë të Margarita Xhepës në skenë.

Që në fëmijëri, Xhepa kujton se poezia e shkrimtarit të madh Naim Frashëri, ishte indicia e rrugëtimit të saj kinematografik…

Poezia më ka ngjitur në skenë për herë të parë…më ka bërë përshtypje vargu i Naim Frashërit, “Shqipëri o nëna ime”, isha fare e vogël në bankat e shkollës, kur nisa ta interpretoj, dhe që nga ajo kohë, e kam dashur dhe do e dua gjithmonë poezinë….poezia është forca e fjalës. Mendoj se sot, marrëdhëniet njerëzore janë tronditur paksa, dhe në çdo poezi gjej plot ngjarje”, thotë aktorja.

Pa para, net pa ngrëne e pa gjumë, kështu e kujton Xhepa vështirësinë e suksesit…

Ka vështirësi ç’është e vërteta, unë e krahasoj me jetën tonë, kur shoh disa filma them shyqyr që i kam bërë, nuk kemi fituar gjë por ishte pasioni i  madh për punën. Ne kemi punuar pa para, sot janë të prirur më tepër të dhënë mbas fitimit. Është dashuri për profesionin. Janë xhiruar filma që punohej më orë të tëra pa u ankuar, shumë sakrificia, kemi fjet edhe pa ngrënë, nëpër dëborë, me filmin e fundit kemi qëndruar 8-9 orë në dëborë, të gjithë gra”, rrëfen ajo.

E teksa sot arti nuk ka më ‘fuqinë e dikurshme’, Xhepa bashkëpunimin me plejadën e vjetër të aktorëve e quan ‘koha e të mëdhenjve’.

Po të them 3 emra do të gaboj, por edhe 13 emra po të të them, prapë do të gaboj, ishte koha e të mëdhenjve…ishin aktorë të zgjedhur, që vinin me pasion të madh dhe në emër të artit. Ajo kohë nuk e di nëse do të ekzistoj më, ndihmonin njërit-tjetrin, bashkëpunim i ngushtë. Më mungojnë tani, kam nostalgji të madhe për atë kohë, për ato aktorë që mbeten të pa vdekshëm në memorien e aktorit”, shprehet e madhja Margarita Xhepa.

I vetmi peng  i artistes, ishte roli nga antikiteti…

Kisha peng të luaja mbretëreshën  e trojanit, te Euripidi, por një regjisor grek ma besoi dhe ishte rol i pjekurisë time artistike dhe fituam disa çmime, ai peng mu realizua”.

Xhepa ka një mesazh për të rinjtë sot: “Të rinjtë duhet të kenë dashuri përgjegjësi, të mos mendojnë direkt anën materiale, por mbi të gjitha të provojnë të bëjnë diçka cilësore dhe gjithçka vjen vetë, i ftoj ta duan artin, të mos kënaqen më pak./ KultPlus.com

175-vjetorit i lindjes së Naim Frashërit, Meta homazhe dhe lule të busti i vëllezërve Frashëri

Me rastin e 175-përvjetorit të lindjes së Poetit Kombëtar, Naim Frashërit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri sot homazhe duke u përkulur e nderim, si dhe duke vendosur tufa me lule në vendprehjen e atdhetarëve rilindas, vëllezërve Sami, Naim dhe Abdyl Frashëri në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë.

“Në përkujtim të 175-vjetorit të tij të lindjes, përulem sot me nderim dhe mirënjohjen më të thellë para veprës së ndritur të poetit, mendimtarit dhe atdhetarit të shquar të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, frymëzuesit të madh dhe të përhershëm të krenarisë, dinjitetit dhe të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, i cili gjithë jetën e Tij ja përkushtoi lirisë së popullit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke mbrojtur gjuhën, kulturën dhe promovuar historinë e identitetin tonë evropian”, shprehet ai.

Po ashtu, Meta shton se “duke zgjedhur penën si armë për luftën e tij të jashtëzakonshme patriotike, vargjet e Naimit vijnë aktuale në çdo kohë si udhërrëfyes patriotik për mbarë kombin shqiptar në mbrojtje të Atdheut, gjuhës dhe trashëgimisë tonë kulturore e historike.Pavarësia e Shqipërisë është padyshim edhe fryt i angazhimit patriotik të plejadës së rilindësve shqiptarë, tre ndër më të shquarit e të cilëve kanë qenë padyshim Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri. Nuk ka provë më bindëse, se sa aktualiteti i veprës së tyre në rrugën tonë drejt integrimit evropian”, shprehet ai./ KultPlus.com