Në një ambient të bukur, rrethuar me libra llojesh dhe zhanresh të ndryshme dhe me praninë e shumë pjesëmarrësve, në Bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë, u mbajt Ora e shkrimtarit me poeten Naime Beqiraj. Ky ishte takimi i dymbëdhjetë më radhë, i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili po organizohet në shumë qendra të Kosovës.
Aktiviteti u moderua nga shkrimtari Binak Kelmendi, i cili prezantoi Naime Beqirajn, si poete, gazetare dhe drejtoreshë e Bibliotekës së kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Duke i përmenduar veprat kryesore të saj të shkruara deri më tani, Kelmendi vlerësoi lart krijimtarinë letrare të Beqirajt në kuadër të zhvillimeve të poezisë së sotme shqipe.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Xhenet Syka, drejtore e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, e cilësoi Naime Beqirajn si një zë të veçantë poetik që dallohet me vlerën e poezisë së saj. Pos kësaj, znj. Syka, foli edhe për kontributin e Naime Beqirajt në organizimin e edicionit XX-të jubilar të Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë.
Ndërkaq, poeti dhe studiuesi, Sali Bashota, i cili njëherësh është udhëheqës i këtij projekti, tha se takimet e tilla kanë vlerën e tyre, në radhë të parë, për rëndësinë e letërsisë kombëtare dhe për leximin në përgjithësi, sidomos për gjeneratat e reja. Prandaj takimi i sotëm është një mundësi e mirë për të biseduar për temat që ndërlidhen me arsimin, kulturën dhe për nxitjen e talenteve të reja, për t’u marrë me fusha të ndryshme të krijimtarisë letrare.
Ora e Naime Beqirajt në Bibliotekën “Azem Shkreli”, në Pejë ishte e ndërlidhur me kujtimet e fëmijërisë së saj, pastaj me fillimet krijuese dhe me botimet e poezive të para në revistat letrare që botoheshin në Kosovë. Në këtë mënyrë, poetja Beqiraj shpalosi kujtime të shumta nga përvoja e saj krijuese, të ndërlidhura edhe me qytetin e bukur të Pejës, pikërisht me vendlindjen ku burojnë frymëzimet e shpirtit, si dhe me pasionin e dashurinë për librin, leximin, miqtë etj.
Pasi lexoi poezinë e saj “Xhubletë e n’ejme n’kambë”, e cila me përmbajtjen interesante dhe me ritmin e saj, veçanërisht në të folmen gege, para së gjithash, i emocionoi të gjithë të pranishmit, Beqiraj foli për përvojën e saj krijuese, për bashkëpunimin me Azem Shkrelin dhe me poetë të tjerë, për vitet e studimeve në Prishtinë, duke përfshirë orët letrare të organizuara nga Klubi
Letrar “Jeronim de Rada” i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, si dhe për shumë aktivitete të tjera letrare dhe kulturore.
Në vazhdim evokoi periudhën e botimit të librit të parë me poezi “Mbi Siparunt”, pastaj të librave “Maket Kosove”, “Njomja e fikut”, përfshirjen në antologji të shumta të poezive brenda dhe jashtë vendit, për përkthimin e poezive të saj, por edhe për profesionin e gazetares në disa mediume në Kosovë, para dhe pas luftës.
Në pjesën e fundit të këtij aktiviteti letrar u zhvillua një bashkëbisedim me poeten Naime Beqiraj, me ç’rast nga të pranishmit iu parashtruan pyetje të shumta, kryesisht që ndërlidheshin me krijimtarinë e saj poetike në të kaluarën dhe për projektet krijuese në të ardhmen, por u debatua edhe për probleme të ndryshme të letërsisë, kulturës, leximit, promovimit të vlerave krijuese etj./KultPlus.com
Ai përtonte të mendonte për lodhjen, thuaj se këpucët i ecnin vet. Madje, fjalën lodhje, rrallë e kishte stisur në poezi, vetëm atëherë kur nuk gjente fjalë tjetër. Të jetuarit e poezisë për pesë dekada e pesë vjet, të jetuarit shtatë dekada i ishte bërë baraz me të jetuarit e vdekjes për çdo ditë.
Kishte shkruar për vdekjen shumë, shumë, por nuk do ta mendonte se rrymimi mortor, do ta përballte të fundit herë në një cep të një kodrinë në Francë, pak orë pas leximit të poezisë.
Poezia e Podrimjes në milienumin e ri nuk e përfshinte vdekjen, madje as nuk e përmendtte. Ai ishte shoqëruar gjatë me të. E kishte projektuar në dhjetëra mënyra, edhe në biseda e sidomos në poezi; ishte bërë kronikan i saj; vdekja i ishte bërë bashkëudhëtare dhe krah, prandaj nuk e kishte pasur frikë. Ajo ishte bërë edhe thumb i thembrave të tij gjatë tërë jetës. Por çuditërisht, ato gungëza thembrash, kur poeti kishte nisur ta jetonte moshën e tretë, kishin zënë të zbuteshin.
Së fundi, as që dëshironte të shkruante poezi për vdekjen. Ose, ose duke iu afruar asaj moshe kur të gjithë jemi më afër të qenët vdekatar, poeti, zuri ta përjashtonte si ngjarje, si përfundim, si nocion. Vetëm në disa raste pothuaj shakaje kur miqëve u drejtohej me cepin e buzës në gaz: mixhë, po du me vdekë. E dinte që tjetri do të reagonte duke ia përmendur shekullin. Sapo e dëgjonte këtë fjalë, vinte kasketën mbi kokë. E ecte. Ecte shumë, thuase donte ta mbyste nocionin vdekje.
E një pasdite 18 korriku, ai i zbathi këpucët verore, sikur donte ta përjashtonte ditëlindjen e 70-të që do të shenohej pas pesë javësh. Çuditërisht, këpucët zunë t’i binin ngushtë. Jo që mund t’i vidhte dikush në atë qytet turistik ku mund të vidheshin vetëm gjësendet me vlerë monetare e artistike, por i bëri nënkrese të pushonte një copë herë.
Kush e di çka mund ta kishte habitur gjumin e asaj pasdite dhe dëshirën të mbështetej pak në bankën e drunjtë të asaj kodrine. Iu duk pak si Gërmia, pak si Çabrati e pak si parku i vogël i Prishtinës kur një mike, poete, relativisht më e re se ai i kishte thënë me gjysëm shaka: një pllakē me gravim vargjet tua, mixhë, do t’i rrinin bukur pas një shekulli parkut të qytetit.
Do të donte t’i harronte nga e ecura të gjitha këto. Vetja iu duk përngjasim i pasditeve kur kthehej i lodhur nga shkolla nga e cila pas pak do ta përjashtonin; ndoshta pasmesnateve në spitalet e Parisit kur bënte një sy gjum të lehtë pas gjumit medicinal të Lumit.
Atdheu i Podrimjes ishte çliruar. Gungat në thembra nuk ja rëndonin hapin, por të dyjat po i binin ngusht. Aq ngusht, sa këpucët e buta i bëri nënkrese të fundit herë. Aso këpucësh kishte ëndërruar në fëmijërinë e varfër e në rininë e ikur.
U zbath së fundit herë dhe shputat i morën qetësi. Edhe telefonin e la në qetësi. Edhe të gjitha dhimbjet. Vetëm miqëve e familjarëve ua hapi dryrin e shqetësimit pa e ditur as vet. Edhe armatës së mijëra lexuesve.
Gjumi e zuri pa i dhënë udhë mendimeve. Ato mendime nisën të vlonin të nesërmën e ditës kur ai nuk mund të dëgjonte më.
Veshët iu kishin mbyllur përgjithmonë mbi këpucët e blera në Prishtinë./ KultPlus.com
Poetja Naime Beqiraj me poezinë “Si nanë e bi’ rreth qafe”, është fituese e Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2024”, që flakëron përgjatë tërë muajit janar, në Gjilan.
Nën organizimin e Asociacionit Alternativ të Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Club “Beqir Musliu”, në bashkëpunim me organizatën CCNO dhe me mbështetje të Drejtorisë Për Kulturë, Rini e Sport, sot në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, u mbajt Ora e Madhe Letrare, ku 20 poetë të përzgjedhur paraprakisht në bazë të thirrjes publike, i kanë lexuar poezitë e tyre në garë për çmimin “Pena e Flakës”.
Në hapje të Orës Letrare, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, në emër të kryetarin të komunës, Alban Hyseni, i ka përshëndetur të pranishmit të cilët i ka falënderuar për pjesëmarrje dhe begatim të kësaj ngjarje kulturore.
Ajo ka thënë se kështu po përmbushet synimi i këtij manifestimi që të ofrojë para publikut gjilanas të arriturat origjinale të vitit të fundit, në shtyllat kryesore të krijimtarisë artistike, duke nderuar e përkujtuar “Janarët” tanë të flakët, si kujtim për 17 Janarin e krye-heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut, për 17 janarin e Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës,, për Janarin e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, si kujtim dhe kushtrim i vazhdimit ë luftës për liri, dëshmorët e Kosovës të rënë në janarët e përgjakshëm, e deri në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra figurave emblematike të përpjekjeve tona për liri.
Nënkryetarja Morina Bunjaku tha tutje se tashmë jemi në ditë ne fundit të manifestimit të “Flakës…”, për vitin 2024, teksa kemi përmbyllur suksesshëm aktivitetet në shtyllat tjera, sot me “Penën e Flakës”, po e përmbylli me shumë sukses edhe këtë pjesë. derisa edhe i tërë ky organizim i jashtëzakonshëm i Manifestimit, në këtë mënyrë do të përmbyllet suksesshëm, duke e bërë Gjilanin, jo vetëm qendër, por kryeqendër të kulturës dhe artit shqiptar, për gati një muaj.
Ajo ripërsëriti për të pranishmit, se sot, në ditën e fundit të këtij manifestimi, në Gala Mbrëmje (ora 18:00), do të kemi mysafirë, shkrimtarin Ismajl Kadare me bashkëshorten e tij, në këtë ngjarje që mbahet te Vali Ranch Resort.
Përndryshe në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”, i lexuan poezitë e tyre këta poetë konkurrues: Alketë Spahiu – Dialog me fustanat, Arsim Halili (jashtë konkurrencës) – Stinëve të trembura në mjegull, Diella Çitaku – Zhveshja e ditës, Dhimitër Pojanaku – Dëbora e burgosur, Elesa Halimi – Kosovë, toka ime e bukur, Emrah Bilalli – Gjysma e asaj që nuk jemi, Erdonitë Hebibi – Adi me më dasht, Farida Ramadani – Botë me dhimbje, Ibush Vishi – I ngritur me yje, (Kasam Shaqirvela – Plagëve të atdheut – mungoi), Melos Selmani – Për ty Gjilan, Mirjetë Berisha – Eja si serenadë, Naime Beqiraj – Si nanë e bi’ rreth qafe, Nurie Baduni – Duet i heshtur, Preng Maca – Zogjtë, Ramë Oraca – Arka e drunjtë, Selvete Abdullahu – Paqja e vonuar, Shqipe Hasani – E bekuar grua, Shyrete Demaj – Ku flenë perënditë, Zanë Mali – Derisa t’jetosh në mua.
Të gjitha poezitë e lexuara u përcollën nën tingujt magjik të violonçelit, falë duarve të arta të profesoreshës Arzije Jusufi.
Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Sarë Gjergji, Albina Idrizi dhe Arsim Halili. përzgjodhën poezinë fituese të Orës, që doli të jetë poezia “Si nanë e bi’ rreth qafe” e poetes Naime Beqiraj, të cilës çmimi “Pena e Flakë”, do t’i dorëzohet në “Gala Mbrëmje”.
Përndryshe, pjesë e aktivitetit të sotëm ishte edhe bërja publike e rezultateve të konkursit anonim letrat të “Flakës së Janarit 2024”.
Emin Azemi nga juria e konkursit. vlerësoi se janë vënë në spikamë vlerat dhe prurjet e mirëfillta në poezi e prozë. Pra, Juria profesionale e konkursit anonim letrar, në përbërje, Emin Azemi, Zyrafete Shala dhe Nexhat Rexha ka bërë këtë vlerësim:
Në poezi: Shpërblimi i parë i jepet poezisë: Etyd për violonçel, shifra Arbereshja Shpërblimi i dytë poezisë: Në emër të atit, shifra Tenebris Hospes Shpërblimi i tretë poezisë: Ti nuk e di, prandaj flet, shifra Ezra
Në prozë: Shpërblimi i parë i jepet tregimit “Në autobus”, pa shifër Shpërblimi i dytë: Maria Rosseti, Gjon – Luigji Shpërblimi i tretë: Hija, shifra “Kënga e shiut”
Përndryshe, manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2024”, përmbyllet sonte me “Gala Mbrëmjen” e cila mbahet në “Vali Ranch” Resort/Rajonipress/KultPlus.com
Poetja kosovare Naime Beqiraj dhe publicistja e gazetarja Alketa Gashi Fazliu janë nderuar mbrëmë në Greqi me medaljen e artë “Aleksandri i madh” , me të cilen nderohen personalitete të shquara nga e mbarë bota, njerëz dhe organizata për kontributet e tyre nga fusha e shkencës, letërsisë, politikës, arteve dhe sportit. Ky çmim i cili është nën kujdesin e UNESCO-s jepet që nga viti 1985.
Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore u mbajt në ishullin historik të Salaminës me prezencën e autoriteteve kulturore dhe bashkiake të qytetit dhe përfaqësueseve nga UNESCO.
E nderuar për marrjen e këtij çmimi është shprehur edhe shkrimtarja Naime Beqiraj e cila përmes një statusi në facebook është shprehur se këtë çmim ua dedikon profesorëve të saj të letërsisë e veçanërisht mësuesve të poezisë.
“Çmimi letrar dhe medalja ‘Aleksandri i madh’ që mu nda sonte solemnisht në një ambient mbresëlënës në ishullin Salamina të Greqisë, në mesin e një numri krijuesve nga mbarë bota, ma risolli në kujtesë Euripidin, birin e këtij ishulli, poetin e dramaturgjisë klasike greke të cilin vazhdoj tua sugjeroj për lexim studentëve e nxënësve të mi. Çmimet letrare mund të ta përkëdhelin sedrën, mund të të gëzojnë për ndonjë çast, dikush nga padija do ta quaj edhe sukses, por bota e poezisë vazhdon të të shenjtërojë mes dhimbjeve e të papriturave Këtë çmim ua dedikoj profesorëve të mi të letërsisë e veçanërisht mësuesve të poezisë. Aleksandri (Leka i madh) i Olimpisë princeshës së epirotëve, vazhdon të mbretërojë i fuqishëm; ai që e pushtoi botën e asokohshme i antikitetit. Po, sepse ishte nxënës i bindur të mësuesit të poezisit – Aristotelit të pakrahasueshëm”, është shprehur Beqiraj.
Ndërsa Alketa Gashi Fazliu këtë cmim ia dedikon familjes së saj.
“Medalja e artë “Aleksandri i Madh” GOLDEN MEDALS OF GREAT ALEXANDER and VERGINA 29 October 2023 / 39rd Award Cmimin u’a dedikoj Molosias, Folesë e Bardit tim! Mamit e babit që janë frymëzim i përditshëm. dhe dashurisë së jetës sime!”, shkruan Alketa. / KultPlus.com
Po vjen mahnitje si hapje qepallash kur e merr faljen Ardhja jote me dëborën Ku e kishte mbledhur shkëlqimin e yjësisë E me maje gishtërinjsh prekte atë të cilës Dimë t’i themi me njëqind emra E mos ta ndjejmë kurrë
A kërkon vetëm shenjtërim parambrëmja Me shpërfytyrimin e moçëm se ti vjen me flokë bore si në profeci
Ne mëkatuam ashtu siç bëjnë gjithmonë ata që harrojnë A u desh vetëm njëri të gabonte E në kulmin e hidhtësisë të luajmë mujshni me njëri-tjetrin
Çfarë do të kisha bërë po të mos ishim takuar Ndoshta s’do ta kisha njohur gjysmën time të harruar Do të kisha kundërshtuar si ngahera -Perëndia është dashuri Do t’isha betuar mëkatueshëm se ti nuk ke të drejtë
Gjithçka ishte dimër Por qielli i pangrirë hapte sirtarë të tjerë Te mahnitjes Ty të doli fjala, por nuk ta pranoi kush
Shije atdheu dhe largësi shijuam, erdhëm me hidhtësinë e ikjes Por nuk u helmova Njëherë, vetëm njëherë ishte bukur Të tjerat mbetëm kopjim i vrugët me gjysmën e harruar / KultPlus.com
Ka vdekur sot gazetari veteran dhe poeti Adem Shkreli, shkruan KultPlus.
Për ata që nuk e dinë, Ademi është vëllai i poetit të njohur Azem Shkreli, si dhe i Ymer, e Afrim Shkrelit.
Vëllezërit Shkreli kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.
Për vdekjen e Ademit ka reaguar poetja Naime Beqiraj e cila thotë se axhi Adem ka qenë malësori shijehollë e autentik që ka ditur për të rinjtë të marr edhe shpirtin e këshillat e prindit.
“Ke me rrnua g’jat, ma g’jat se Ujka Smajli”, i kisha thënë rugovisht axhit Adem, kur mosha e prekte jo kujtesën por dhembjen për ditët që po i numëroheshin. Nëna i kishte vdekur e re nuse, duke e lëne motak, Azem Shkrelin fort t’vocërr e motrën të sapo lindur. Kurse baba i tij Ujkani e kishte prekur shekullin e jetës. E kujtonte gjithnjë më mallë nënën e re edhe atëherë kur dhimbja për birin e tij të vetëm Aliun që i vdiq para pak vitesh e dhimbja për Azemin e kishin plandosur. “Ma mirë t’isha shku û, vocrrake”. Por qëndronte. Axhi Adem, njëri nga gazetarët e parë kosovarë që i kthehej herë pas herë edhe poezisë e kishte botuar disa libra poetik, e kishte sakrifikuar poezinë për gazetarinë. Gjatë gjysëm shekulli gazetari, ai e kishte kultivuar sidomos reportazhin, tekstin e të cilit pērherë e stoliste me figura të letërsisë. Axhi Adem shquhej për sedrën e tij, stilin e veshjes, shijen për ushqime, biseda, sjellje. Edhe në moshë të shtyrë dinte të ta mbante karriken, pallton. Ishte i tëri bonton. Do të na mungosh axhi Adem, malësori shijehollë e autentik që ke ditur për të rinjtë të marrësh edhe shpirtin e këshillat e prindit. Sot, që po t’përcjellim, po të kujtoj me këtë foto dhe ndejen para pikërisht tetë vitesh në Pejë dhe fjalët “Malësorët janë të fortë por edhe subtil, sidomos na rugovanat”. E paç të pasosur Parajsën miku im i veçantë!”, shkruan Beqiraj. / KultPlus.com
Në palestër hartash, objekte të verdhme moti Zhurmat si trokitje, hijezuar ultë, krejt pa taka Një kopsht me vete dhe rrugë kah mediton Zoti Prap vjeshtë, prush i kuq, edhe kur s’i del flaka
I dua pemët që thur ti, edhe në mos i hëngsha Kur me shije planeti syrin ma thirrin mes rreshtash E praruar me drita, mollë e ftua në mos u bëfsha Në dorë më ke, n’krahëror, sa e ëmbël vjeshta
Duke i pyetur xhamat të pasqyruar me shije Drita është e ëmbël edhe kur nuk qet sy dielli Si ta kthej vjeshtën, kur bora s’ndjell fryrje Atëherë, kur urtas, nuk të errët syri as qielli
Vjen vjeshta e prajshme si urtake e Zotit I pushon pak nga pak ngjyrat në simfoni Si palë ëndrrash, barkas kur kthehet moti E si copa perlash, kur pikat ju bijnë përbri
E priste bashkë me hënën që i fshihej përballë Atë krijesë të vogël që i rrinte sipër duke qeshë Në ditët e njoma as duhan nuk kishte varë Mister lajmëronte qielli, mandej binte vjeshtë
Ajo qëlloi e bukur e madhe – për tu zvogëluar Veç rrezja përbirohej në skaj buze duke qeshë Askush nuk nxirrte as fuqi për ta zëvendësuar Ajo veç një ishte, veç një, mandej bëhej vjeshtë
Nisi t’i studionte prap ngjyrat e Van Gogut Plepat e praruar, dritat, gjethet duke qeshë Impresionizmin, diellin edhe erën e sfondit Pika të gravuara, si malli që lind në vjeshtë
Te shkallët e oborrit, gjethet luanin mbi kokë Pemët elegante, qerpikun prapë ia kishin dehë Bukuria jote nuk mësohet më në asnjë shkollë Bukuria nuk qetësohet kur thërriste – vjeshtë
Kur një erë e jugut pikë pikë i zhduk kurorat Bijnë në tokë të vet, përzihen lehtë me hijeshi E shkruajnë lehtë ylberin, sa do janë të vogla E mbas gjurmëve të vjeshtës – pikon dashuri / KultPlus.com
Poetja Naime Beqiraj është shpërblyer me çmimin e parë ‘Agim Ramadani’me poezinë ‘Gangjja e grigjës’ në manifestimin letrar, kulturor e shkencor ‘Takimet e Dom Mikelit 2022’, përcjell KultPlus.
“Çmimi i parë “Agim Ramadani” poezisë “Gangjja e grigjēs”.Falemnderit jurisë për vlerësim, krijuesve dhe publikut për urim! Falemnderit Zot për frymëzim!”, ka shkruar Beqiraj teksa ka dhënë lajmin për çmimin.
Në vijim e gjeni të plotë poezinë ‘Gangjja e Grigjës’
GANGJJA E GRIGJËS
1.
Ec shtegut t’arrave Hapat drejt në rërë Shkundur nga thepat I fshikullojnë kurthat e Jerusalemit E akuzat Dëshmitë Lyer me ngjyra sari
Pastaj e njejta pyetje -Çfarë bën Zoti për ne A mjafton të lëshojmë shtat Në oborr të Kishës E të rritemi pak nga pak
Kafka Drithërimë Luten prajshëm Për grigjen Mbi barinj të përulur Kullosave të Dardanisë
Këtu po gdhend Dora e Perëndisë Dorë e butë Dorë e zgjatur Me flatrat e mbushura gjak Sa herë në ditë e denojmë Atin E gojën plot Nënë Terezë
2.
Orë më orë Satani nuk ndalet Nuk e shohim Nuk e njohim As skenën e errët Kur lodhemi duke u lutur E përsëri të vakët Të vaktët si boshësi E të mundur Me pedantëri
Si kontinent të vdekur Kur bëhet ajër shpirti N’vjedhje djallëzore Dorën nuk e shtrive As shtatin Qafën, jo se jo Veҁ përulje Para Atit
Gangje e kthyer n’lule Besën dëshmi Kësaj bote Me emrin e Nënës Kontinentin e mbrojtur Ilirinë e nëpërkembur Dritare të hapura Poshtë të cilave Kurthërohen mbrojtjet Si te judenjtë
3.
Në qetësi nuk mund të të lëmë As në Shkup martire As n’Kosovë, bijë Zgjohu veç pak E dëshmo Si të dorëzuam Me duart tona Më gjatë se një jetë Duke shkelur Tre nga tre Fletët e Ungjillit
Asnjë kod Ne kemi të drejtë të lutemi Deri në Ditën e Gjyqit Nē qiell të hapur Si në udhë të bjeshkës Shtigjeve për Letnicë
Po kush arriti T’i mund kurthat E të ec pa u zvarritur Nën krahun e Atit Trimërisht si ti./ KultPlus.com
Para se të bëhej regjisor, Bekim Lumi ishte recitues. Deklamonte poezi në shkollë fillore, në gjimnaz, e kur erdhi në studime ishte deklamues i njohur. Por ai nuk mjaftohej vetëm me recitim, me zërin e kadifenjtë dhe ndjenjën me të cilën përcillte vargjet të cilat nganjëherë shoqëroheshin me tinguj kitare, që admiroheshin nga të rinjtë, sidomos studentët. Shkruante poezi, por rrallë.
Në vitet kur po binte perdja e hekurt e komunizmit në trojet arbërore, Bekimi organizonte tribuna e debate, intervista skenike e mbrëmje letrare në të cilat promovonte letërsinë moderne. Në të gjitha këto ngjarje që i praronte dora e tij, ndjehej fryma e regjisë e deri në milimetra shenjohej lëvizja e artistëve dhe e krijuesve në ambientet skenike, sidomos në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filozofik në Universitet të Prishtinës.
Por këto ngjarje nuk zgjatën. Ambientet po mbylleshin për publikun, lexuesit e letërsinë shqipe. Kafenetë nuk ishin zgjidhje. Poezia e mirë po krijohej gjithnjë e më rrallë. Bekimi zgjodhi të studionte regjinë e teatrit në Tiranë. Ne që e kishim shok, besonim shumë që do ta zhvillohej si regjisor. Në një vizitë që ia bëra në Tiranë në pranverën e vitit 1993, e pashë një Bekim tjetër. Tërësisht të dhënë pas teatrit. Nuk e ngacmova për poezinë. E lashë ta merrte malli vetvetiu për të. Por ai ishte thelluar edhe në shkrim. Më vonë e kuptova.
Përveç në teatër ku mbetet gjeneral i pa pensionuar, Lumi ka lënë gjurmë në jetën letrare e kulturore të shqiptarëve, duke e përfshirë këtu shkrimin, mësimdhënjën në regji, pastaj publicistikën, diskursin shkrimor e studimor e deri te gazetaria e kulturës dhe intervistat me krijues në një radio ndërkombëtare; revista Loja të cilën e themeloi vet. Nervi i pazakonshëm edhe për disiplina të tjera artistike, nuk e pajisin me aksesorë, por e thellojnë krijuesin e disiplinuar, të informuar e të talentuar.
Në këtë libër që po e lexojmë së bashku, Beka edhe kur krijon vargje, mjetet shprehëse poetike i shef me gjuhën skenike. Ai përdor ngjyrat, dritat, kompozicionin, lojën, mizanskenën, e në fund të gjitha i vesh me kostumet, ose i zhvesh deri në detajet origjinale edhe skajet e kostumeve – atribueset që shfaqen në poezitë e librit Engjëlli blu.
(Engjëlli blu përmbi shi)
Poezia, ky art filigranist të cilën e kishte për zemër krahas teatrit, thyhet si mejtim e i drejtohet qiellit dhe thellohet edhe me të. Engjëlli i tij është i kaltër (por Bekimi e shkruan blu), ndërkaq shiu i kësaj poezie merr epitete: (i mërzitshmi, i tejdukshmi, i pangjyrshmi, i lagshti, i ujti, i pikshmi, i qullti), ose në një poezi tjetër: çon ateherë dashni shiu. Ndonëse për fenomenin shi, për atmosferën shi, për shoqëruesin shi, janë shkruar vargje nga poetët e të gjitha kombeve, e edhe nga poetët shqiptarë, ky variant mes figurash shiu nuk njihet të jetë thurur në asnjë fjali të vetme. Të shtatat janë diskurs origjinal i Lumit, kurse pas tyre ai thur gjendje të pikave të shiut si në akuarel të cilat i quan pikëza. Ato marrin trajtën e interpretimit, vijnë: të pasqyrta, të befshme dhe me ngjyrim bardh e zi si në filmat alla Çaplin.
Figura e engjëllit blu diskursohet me tema të zgjedhura me kujdes e me gjuhë të sofistikuar. Shprehjet antitetike: i pikon, i mvrejtun, i trembun, i drojtun, i ambël i këputun, në shkallët e mermerta i mbledhun krruspull: pastaj gjetje të rralla figurash: si ‘i carrok i braktisun; dhe tjetra: me sytë e ullinjtë turbullue nga andrrat e l’byrta”, mandej: ‘i shkrepëse pa zjarm dhe figura tjetër krahasuese n’trishtim ma t’zi se korbi i Edgar Allan Poe-së. Libri Engjëlli blu, fluturon përtej pamjes, rrëfimit – edhe kur rrëfen. Ai është klasik edhe kur ndez tema urbane; ai është modern edhe kur e shenjtëron traditën.
Më shumë se sa parimsinë e të ndjekurit të teorive letrare, të shkollave letrare, të figuracionit, Lumi ka ndjekur vijueshmërinë e parimit estetik. I mbushur poezi, dikur si recitues i autorëve klasikë e modernë, Bekimi, poezinë e shihte si mbushje. Mandej, edhe dijet e pakufishme që i kishte gjatë punës si profesor i regjisë dhe regjisor në teatër, shigjetuan një poezi klasifikisht skenike, ndonëse datat e shenjuara në fund të poezive, na lënë të kuptojmë që pjesa më e madhe e këtyre vargjeve janë shkruar gjatë periudhës së studimeve në Tiranë.
(Nâna drithëruese)
Figura e Nânës në poezinë e Lumit vjen jo vetëm si eçtim. Ajo është gërshet i thurur me stil ku fjalët në pesë vargje përbirohen të ndërtuara papritur si fletë malli e petale diskursi për djalin student që nuk e kishte parë Nanën kohë të gjatë:
U eçtova Krejt detin e piva Më zuni malli Nanë Sa i kripun ky loti yt
Pas mallit të prajshëm që gërryen në vargjet e mësipërme, poezia Of Nanë, që nga titulli, ngjitet mbi klithma, ndërtohet ngjitas ekspresivitetit. Kjo poezi e tipit bisedor është lexim i mëtejshëm i mallit për qenjen Nânë e cila te Lumi vjen edhe si mall sipëror, kuptim i thellë e herë herë si përulësi me kast përballë mungesës. Mandej vjen falja e në klithmë Nâna bëhet Nanloke:
Of Nanë Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here Si bojaxhi i keq që jam Flok’t me gëlqere te bardhë mërzie t’i ngjyrosa
Kjo metaforë vizuele, rrit mbi vete fajësinë e asaj që Lumi muk e shenjon si brishje të harresës, as lutje për të, por kulm të klithmës. Edhe poezia Dorasit e luleve është po ajo ajo krijesë që i shëmbëllen thjeshtësisë, ndonëse në pikëzimin tematik është e ndryshme me apokrife. Në këtë krijim, sikurse disa nga poezitë e tjera të Lumit, vargu i jep atribute befasuese vargut pararëndës:
Me thikë jo As me revole Me dorë Vrasin Dorasit e luleve
(Pentagrami biblik)
Segment origjinal i poezisë midis dy kopertinash të Engjëllit blu janë poezitë e ndërtuara mbi pentagram biblik. Lumi, e ka njohur mirë Biblën, ka frekuentuar bashkësi ungjillore kudo ku ka jetuar, mandje zëri i tij është regjistruar si kolanë leximore biblike të variantit gegnisht para dy dekadash në SHBA. Në poezitë frymëzim nga Bibla, ai lidhjen e bën me trungun e një toke që është përjetim i tij, si të poezia Libri i Zanafillës:
Në fillim shtatë shtrigat morën Lotin Gjakun Thikën Dhe me to krijuen nji gadishull Me emnin Ballkan I futën frymën e urrejtjes Dhe gadishulli nisi Me vdekë
Krijimi që e përballë urrejtjen brenda tekstit poetik, shkon përtej Frymës Biblike duke ndërtuar kështu një koncept të pasur poetik ku përfshin edhe personazhin jashtë biblik të Gilgameshit, e bashkë me të ndërton ndërlidhjen e dy kodeve letrare, që të dyjat, të pa përmbytura në rrugëtim e në kërkim të urtisë. Por e pathëna ndeshet në vargun e vetëm lirik, në fund të vjershës Përmbytja:
kur Hyji shpalli lajmin e përmbytjes në arkën e noes u futën të gjithë gilgameshi u fut në barkën e utnapishtimit si mëkatar e notar i keq që jam në detin e syve tu sall unë u mbyta
Lutja Biblike e Lumit, vazhdon në krijimin tjetër të këtij cikli, në triptikun Shujta Atdhetare. Ndryshe nga të tjerat, vijëzimi biblik në këtë tiptik është lutje shqiptare drejtuar Zotit. Ndërkaq poezia apokrife i ndesh notat e tekstit biblik me ato të tekstit poetik përballë të cilave përbirohet thjeshtësia e krijimit:
të shtatën ditë të Krijimit Hyji nuk pushoi por në çehren e vet maroi lulet
Cikli i poezive biblike, sa është përshpitje po aq është e dukshme si diskurs modern. Gjuha si qendër e si pikëpamje është kërkuese, e natyrshme, kurse detaji deri në milimetër, shfaq vështrim e jo zbukurim, pra, del më e gjerë, më e lehtësuar e më pak figurativ. Vargjet si këto sjellin ritëm dhe muzikalitet, ndryshe nga puna e regjisorit plot thyerje e lojë që të ndalin frymën. Prandaj, ngjyrimi që shfaq në poezitë midis dy kopertinash, sjell komunikim drithërues.
(Filigranisti i gjuhës)
Bekim Lumi është mjeshtër. Fuqia shijehollë e skenës, fillimin e ka pasur në artin më të hollë – poezinë. Gjuha e Bekimit nuk është e zakonshmja. Askund në libër nuk ndeshim zbehtësi fjalësh, zbehtësi mendimesh, por shquajmë togfjalëshat e përsosur, si: vorr pa penxhere, nektar shtrigash, vdekje ekzakte, ‘lteri i qiellës, lot vajtojcash, supe akrepash. Ai u vë pikën vargjeve që ndriçojnë skuta, si:
-heronjtë vetëm djathtas vdesin; -flok’t me gëlqere te bardhë mërzie t’i ngjyrosa; -kur çon dorë me e hjekë krejet plisin; -tue rrjedhë ashtu përallshëm; -çadrat e urrejtjes i hapin njerëzit; -bebëzat e synit ia peshkojnë me grep; -siç var degët shelgu i vajtimit; -emnin tand nder dhambë e kafshova; -zjarminë e ballit sipri ty ta hodha; -gurë varresh pa emën mbetën cungjet; -buzën ia shkrumojnë t’ligat e ujit.
Segment tjetër i gjuhës poetike, është gegnishtja e librit. Bekimi ka qenë përherë bir i gegnishtes, duke i perceptuar artet te bukuria e gjuhës. Besonte edhe atëherë kur gjuha e poezive Buzët e Evropës dhe Sytë e Evropës është më sarkastike dhe ekspresive se sa e poezive të tjera.
Poezia nuk është teatër, as si përceptim, as si madhësi. Prandaj, i vetëdijshëm që shpërthimi poetik është më sublim, më minimalist se sa i teatrit, Lumi i lidh fjalët e shpërthimit me penj të hollë, asi të padukshëm, por të fortë. Gjuha teatrale në këtë libër është e kthyer së prapthi, për të mos thënë është e përmbysur duke mos lejuar që puna e tij e përditshme, puna e tij e përnatshme – teatri, të mos i prekë fijet e mbështetjes karshi poezisë. Me gjuhë poetike, ai nuk i kundërvihet teatrit. Ai luan me gjuhën dhe e bën atë përtej së qenës poetike. Dhe e gjen të bëftë, befasisht të beftë.
Në Engjëlli blu, nuk ndeshim parakalim vargjesh, parakalim figurash, as gjendjesh. Vargjet e as gjendjet nuk janë të holluara me substancë tjetër. Ato nuk lexohen të përfshira si nëntekst. Testamentin poetik, Lumi e shëndosh Testament, me mbështjellje nënteksti:
jo ditën e vdekjes mbi rrasë të vorrit ma shkrueni ditën që u mërgova
Këtë vargje midis dy kopertinash libri, janë vetëm disa nga pikëshikimet artistike të Bekimit. Shfaqjet e tij teatrore vazhdojnë të kujtohen, të paktën nga ky brez po e po. Shkolla e tij regjisoriale do të vazhdojë të mbetet ajo që e la; e fuqishme, minimaliste, kreative. Mungon vetëm Lumi.
I sfiduar konvencionesh, Lumi në këtë krijim ndërton poezi pa pasur para saj asnjë model pasqyrimi. I ka mjaftuar frymëzimi, shija e hollë dhe gjuha.
“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekti më i ri që vjen e krijuar nga PEN Qendra e Kosovës, sonte shënoi mbrëmjen e tetë me radhë në kuadër të mbrëmjeve kulturore që po zënë vend çdo të marte dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast u zhvillua edhe një tjetër diskutim mjaft interesant që fundin e gjeti me një bashkëbisedim mes të pranishmëve dhe panelistëve, shkruan KultPlus.
Si në secilën herë, edhe sot ora shënoi 17:00, për të vënë në pah temën e veçantë me titull “Letërsia e gruas”. Kjo temë mblodhi rreth vetes jo vetëm shkrimtarë, artdashës, e letrarë të rinj por edhe një numër të konsiderueshëm të grave, për të dëgjuar kështu mendimet e analizat e ndryshme të dy panelisteve që sollën para publikut aspekte tejet interesante.
Për të folur gjerë e gjatë për temën “Letërsia e gruas”, në panel të ftuara ishin: poetja Naime Beqiraj dhe poetja Dije Demiri-Frangu, të cilat nën moderimin e shkrimtares Nerimane Kamberi, si dhe një bashkëbisedimi paraprak, ato prezantuan e shpalosën informacione qysh nga vitet e ’60 e deri më sot, duke u ndalur në pika kyçe që shënojnë dhe formojnë letërsinë e gruas në shoqërinë kosovare dhe jo vetëm.
“Letërsia e gruas”, temë kjo që zgjoi interesin e madh tek publiku, është një temë që prek jo vetëm problematika por edhe fakte të veçanta që letërsia e gruas sjell. Poezia, publikimi, dalja nga anonimiteti u konsideruan më të rëndësishme nga ana e emrave krijues femëror sesa ndërtimi dhe thellimi poetik, prandaj kemi aq pak gra krijuese në letërsinë shqipe të Kosovës deri te fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80. Duke pasur parasysh diferencat mes dy gjinive, sonte u trajtua edhe diferenca mes tyre në aspektin letrar e që u prit mjaft mirë nga publiku entuziast.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatorja Nerimane Kamberi, e cila fillimisht nisi këtë mbrëmje duke përshëndetur të pranishmit për prezencën e tyre.
“Ju dëshiroj mirëseardhjen në aktivitetin e radhës të PEN Qendrës. Sonte kemi temën me titull ‘Letërsia e gruas, e cila është një temë mjaft tërheqëse dhe për këtë temë do të flasin edhe dy poete si: Naime Beqiraj dhe Dije Demiri-Frangu”, thotë Kamberi.
Në këtë mbrëmje për të shpalosur më shumë për sa i përket temës, fillimisht foli poetja Dije Demiri-Frangu.
“Akti i botimit të parë të një vepre nga një poete, ishte inaugurimi i saj në letërsi, ishte hapja e një porte, e cila nuk do të mbyllej më, pavarësisht shtrëngatave që herë-herë e rrapëllonin portën deri në mbyllje. Më vonë gratë i mësuan gratë, sado që ato nuk arritën të krijojnë rrjet të tyre si bën burrat poet dhe deri vonë nuk arritën të krijojnë paraardhëset e veta. Vulf (Një dhomë për vete, 1929) i mësoi të kenë një dhomë dhe çelësin e saj për vete, ato i mësuan njëra tjetrës të shkruajnë për të gjitha nuancat e shpirtit femëror. Më së shumti shkruan për dashurinë. Natyrisht, vepra e tyre nuk u lexuan vetëm si emocion femëror, ato u imponuan edhe si art i bukur, gruaja u bë edhe identitet kulturor, nuk duroi së qenëri shërbyese shtëpie”, thotë Frangu.
Sipas saj, te jesh krijuese këtu tek ne, në ambientin tonë në një masë të mirë ende patriarkal, dhe të jesh poete diku tjetër, në botën përparimtare, del pra të mos jetë ndonjë dallim shumë madh, sado që letërsia e grave tona është e re. Realisht, leximi i poezisë së porteve tek ne konsiderohet si një lexim tjetër, është lexim i përcjellë me paragjykime, me mosbesim, shpesh tendencioz dhe injorues. Ajo thotë se letërsia e poeteve, tek ne në Kosovë ende s’merret seriozisht, nuk ka studime të veçanta për ndonjërën krijuese, tema doktorate apo monografi.
“Lufta në letërsi është luftë e vazhdueshme, është e lashtë dhe e pafund. Jo vetëm si tematikë e përmbajtje, por më shumë si rivalitet mes krijuesish për primat. Ka shembuj të pafund të mohimit të krijuesve e posaçërisht të krijueseve. Autoriteti burrëror është shumëfish më i theksuar në vendet me histori të shkurtë të paraqitjes së krijueseve (tek ne tek më 1939 është botuar vepra e Musine Kokalarit, “Siç më thotë nënua plake”), derisa krijuesi burrë ka modele, ajo-krijuesja s’ka modele të shumta të gruas ndaj krijohet kompleksi autorësisë, kompleks që e pengon në ecjen e saj poetike”, thotë ajo.
Për Frangun, nga njëra anë, pra, paraardhësit e gruas-poete, simbolizojnë autoritetin, nga ana tjetër, pavarësisht autoritetit të tyre, ata nuk arrijnë të përcaktojnë mënyrat se si ajo e përjeton identitetin e vetë si shkrimtare. Përkundër gjithë kësaj, konsiderohet se poezia e gruas veçohet para së gjithash me një psikologji të thellë e të larmishme ndjenjash dhe me një mendim të prerë, gjë që e dallon nga “paraardhësit”. Për më tepër konsiderohet se gruaja bën një proces të reduktuar të shkrimit, sakaton frymëzimin e saj ngase autoriteti mashkullor, qe doemos ka implikime në jetën e saj krijuese.
“Frika nga izolimi që mund t’i bëjnë poetes lexuesit e poetët- autoriteti patriarkal i artit, droja dhe ankthi për etikim të punës së saj si një paturpësi, kanë reduktuar në masë horizontin e saj krijues dhe kanë bërë që ajo të ndjehet “inferiore” ndaj vetshpalljes-poete. Kjo dukuri që ishte e theksuar më shumë para shekullit XX, ende vazhdon të shprehet si mosbesim ndaj saj. Frika e autorësisë e shek. XIX u mund dhe fuqia femërore duke ndërtuar identitetin e vet, nis me guxim ta shpreh atë që ndjen e mendon, sepse çka do që shkruhej merrej si pjesë e jetës dhe historisë se saj autoriale, si një sekret që duhej ç’koduar, mendohej si jeta private e saj dhe paragjykohej. E dihet se asnjë grua e asnjë poete nuk ka dëshirë të vlerësohet shkaku i gjinisë, sikur që s’kanë dëshirë të thuhet: shkrimtar burrë, shkrimtar zezak, shkrimtar homoseksual etj. Se poetet ishin të parat, dëshmon letërsia popullore. Ninullat dhe përrallat ju rrëfeheshin fëmijëve para gjumit nga nënat, derisa lirinë e fjalës publike ende nuk e kishin ato”, përfundon Frangu.
Ndërsa, poetja Naime Beqiraj foli rreth autoreve të para që u morën me letërsi qysh nga vitet e ’60, e deri tek e sotmja ku vashat e poezisë tashmë janë në tempullin e artit duke eksploruar.
“Nga ato emra të stivuara në antologjinë e Ramiz Kelmendit ”Femrat shkruajnë”, libër i botuar para 53 vjetësh, janë vetëm dy poete kosovare që vazhdojnë të merren edhe sot me letërsi: Flora Brovina dhe Edi Shukriu, ndërkaq dy autoret e tjera Sheherzade Skreli dhe autorja e parë që ka botuar libër në Kosovë, nuk shkruajnë më”, thotë Beqiraj.
Sipas saj, nëse në vitet ’60 të shekullit të kaluar kishte më pak emra femrash që shkruanin letërsi e më shumë emra burrash që nuk mund të botonin në emrat e tyre për arsye të ndryshme e më shumë për shkak të autocensurës, në vitet ’70 nga shoqëria politike e kohës inkurajohej emancipimi i femrës dhe ishin 3 – 4 emra krijuesesh që botuan edhe libra; në vitet ’80 kishte numër më të madh femrash krijuese.
Poetja Beqiraj pastaj u përqendrua më shumë në shekullin XXI që identifikohet si periudhë e pasluftës në Kosovë, kur shoqata e asociacione të grave e dominonte pamjen e Kosovës, ku duket se më shumë lobonin për artin feminist, pavarësisht nga realizimi, se sa për vlerat e njëmendta të letërsisë së shkruar nga gratë. Asociacione të tilla, të panumërta ekzistojnë dhe mirë që ekzistojnë, por Beqiraj mendon se pak ndeshim vargje nga gratë, përkthime të letërsisë së grave të Kosovës në gjuhë të tjera, e aq më pak përkrahje të prezentit të letërsisë kosovare të shkruar nga gratë dhe prezantime në vende të tjera, përveç në festivalin “ArtPolis”.
Për të, vitet ’90, ishte koha kur jeta kulturore po venitej, krijimtaria artistike pamore, letrare, muzikore e formate të tjera po zhvilloheshin më shumë në ambiente të improvizuara kafenesh, kohë kur krijueset mezi mbijetonin pa punë dhe të mbanin familjet e tyre, periudhë kur mungonin revistat letrare e shtëpitë botuese mezi mbijetonin, letërsia e mirë kishte rënë edhe të gjinia e fortë, ashtu si edhe duke që intensiteti i botimeve të mira, por megjithatë botohej. Ajo tutje tregon se ritmi i mungesës së cilësisë, në shumësinë e botimeve jo vetëm nga gratë, mund të thuhet që vazhdoi edhe 10 vjet, ndonëse kishte edhe edhe botime edhe emra të rinj krijues që shquheshin.
“Me një ritëm me dinamik, gruaja që shkruante bukur që lexonte shumë e edhe në gjuhë të huaja, donte diçka tjetër nga krijimtaria e saj në shekullin e mileniumin e ri. Poezia po merrte format e emra poeteshash kishin formësuar stil. Ajo, pra as e kërkonte lumturinë, as e hidhte vuajtjen në botën e saj. Reagimi i saj karshi realitetit, jetës, gjinisë, dashurisë, shpërthimit e modës, nuk kërkonte as tolerancë, as reagim, as mëshirim. Gjeneratori individualist i botës femërore sjell në këtë periudhë përparësi botës së vet tashmë të ekuilibruar. Poezia është art i rrallë që të ndez fijet e fluturimit pa pasur nevojë t’i trembësh aeroplanit për të rrugëtuar në vendet që i ke ëndërruar. E kur kjo shkruhet nga një dorë, shpirt e mendje elegante siç është ajo e gruas, frymon në poezi reliev ndjeshmërie që përthyhet pa i shmangur as thepisjet e forta e as të lartat. E gjatë një periudhe të gjatë, kanë mbetur libra të krijueseve të palexuara, të patrajtuara, nuk është shkruar për to, shpesh edhe kur nuk kanë qenë pjesë të klaneve, klane këto larg të qenët qarqe kulturore të Prishtinës siç ishte ta zëmë në vitet ’70, asokohe kur poezia shqipe dhe mendësia kulturore mëtohej të krijohej konform qendrave kulturore të ish shtetit apo edhe më larg, të qendrave evropiane të krijimit”, thotë tutje ajo.
Krejt në fund, Beqiraj shtron pyetjen se kur emrat e grave krijuese mungojnë në kurrikula shkollore, çfarë mund të thuhet pastaj në programet fakultative.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit tutje me mendime e informata të ndryshme që u shprehën e u diskutuan nën atmosferën plotësisht të qetë e të ngrohtë që u krijua mes njerëzve të pranishëm.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar temat si: “Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi”, “Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri”, “Leximi dhe Biblioteka”, “Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë”, “Komunikimi ndërkulturor”, “Gjuha e shkrimit letrar sot”, “Letërsia dhe teknologjia” dhe “Letërsia e gruas”.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u përkujtua figura e poetit e kritikut letrar shqiptar, Azem Shkreli, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, siç është projekti “Ora e Shkrimtarit 2”. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të krijimtarisë shqipe, të ftuar në panel ishin ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu, poetja Naime Beqiraj, nën udhëheqjen e shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berishës, të cilët me analizat e kujtimet personale të tyre, shpalosën figurën e paharrueshme të një shkrimtari të mirënjohur siç është Azem Shkreli, shkruan KultPlus.
Për Shkrelin, i cili dikur ishte kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit, diskutimin e nisi moderatori Ibrahim Berisha i cili fillimisht foli për jetën e autorit e më pas edhe për nderin e krenarinë që ky shkrimtar ia dhuron shqiptarëve.
“Zgjedhja e Azemit si një nga personalitetet më të njohura të letërsisë shqipe dhe më të angazhuar në proceset kulturore dhe artistike në Kosovë, na nderon dhe na obligon që përherë të kemi në vëmendje Azemin. Ai gjithmonë ka lënë shenja të dallueshme në krijimtarinë e tij e veçmas edhe në kulturën e filmit ”, thotë Berisha.
Sipas tij, Azemi ka qenë shumë i lidhur me Kosovë, Rugovën dhe botën shqiptare në përgjithësi.
Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e krijimtarisë së Shkrelit, foli ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu.
“Adhuruesit e Azem Shkrelit, në gjurmimin e kujtimeve për të, patjetër do ta kujtojnë si një poet që kërkonte lirinë e popullit të vet, rebelueshëm në jetë dhe në letërsi. E kam njohur Azem Shkrelin për shumë vite dhe në dekadën e nëntëdhjetë të shekullit njëzet kemi kaluar momente të shumta së bashku të rënduar me ndjenjën e persekutimit dhe të pasigurisë të kohës së dramës së madhe të Kosovës. Azem Shkreli shprehte poezinë e tij të angazhuar dhe thellësisht personale që zinte fill që nga fëmijëria e tij e hershme dhe vetmitare”, thotë Spahiu.
Sipas tij, poezitë e tij të fundit dukeshin shumë profetike, parë në dritën e perspektivës nga e sotmja, poezitë që lartësonin Kosovën, ankthin e poetit kundruall atdheut të shkelur, ndërkohë që Shkreli vetë i ngjante një metafore të tokës, gjithnjë më fytyrëzbehur, gjithnjë më i goditur nga koha, gjithnjë më i ligështuar fizikisht, me skeptik dhe më i dëshpëruar, derisa kur arriti në aeroport dhe shkeli në tokën e Kosovës nuk qëndroi më dot dhe përftoi.
“Vdekja e hershme dhe e papritur e poetit dhe intelektualit, Azem Shkreli, vente para nesh një pyetje të rëndë, atë të përballimit të testit të kohës. Sfida e kohës ishte, pa dyshim, gjithëpërfshirëse dhe nuk ishte assesi e kufizuar vetëm në politikë. Ajo kalonte përtej kufijve të mbretërisë së politikës dhe të gjendjes aktuale të çastit. Ajo që zbulonim atëherë ishte çështja se a do të mundte një komb, që kishte provuar të gjitha llojet e pezmit dhe pasojat e tij, edhe mbi intelektualët dhe inteligjencien, të ndeshej me agresivitetin e kohës dhe prapë të ruante qartësinë e mendjes dhe të shpirtit, si dhe vazhdimësinë e jetës. Kjo, në radhë të parë, kishte të bënte me intelektualin”, thotë ai.
Për Spahiun, vdekja e intelektualit, nuk kuptohej më vetëm si përmbyllje e qenësisë së tij të natyrshme, por si një pasojë, si një perëndim alegorik viktimizues i rrethanave që përshpejtonin tragjiken e tundimit të padurueshëm.
“Azem Shkreli ishte si një zjarr që vlon, një harmoni midis formës dhe shpirtit poetik, një intelektual i preokupuar me fatin e njeriut dhe të atdheut të tij. Si intelektual nuk besonte në varësinë esenciale të botës materiale ndaj mendimit dhe ndjenjës dhe çonte një jetë si gjithë të tjerët, në shoqëri me intelektualët e kohës që përpëliteshin në përpjekjet e saj. Edhe ai si poet ishte i detyruar të kënaqej me mënyrën civile dhe të konformuar dhe të shkruante poezi në një ekuidistancë të sigurt me përvojën e vet jetësore”, përfundon Spahiu.
Tutje, poetja Naime Beqiraj foli rreth poezisë së Shkrelit, duke e cilësuar atë si një liri pa hijezime.
“Azemi u takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjërimit libror e lakonik të cilat poezinë dinë ta bëjnë edhe të pashpirt. Ai mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit – në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet”, thotë Beqirja.
Sipas saj, poezia e Shkrelit është liri, e liria nuk ka hijezime.
“Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht me gjuhë që ngritet nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore”, përfundon Beqiraj.
Ndërkohë, në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që poezia e Shkrelit të jehojë në muret e KultPlus Caffe Gallery, e njëkohësisht duke hyrë thellë brenda shpirtit të pranishëm e kapluar vëmendjen e tyre me magjinë e poezive të papërsëritshme.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për vargjet poetike të Shkrelit, të cilat me magjinë e tyre e kaplojnë shpirtin njerëzor.
“Është interesante dhe e çuditshme se si një Kosovë nuk di ta lexojë magjinë e mençurisë së një shkrimtari. Azem Shkreli ka qenë një njeri që oqeanin e ka bërë pikë vese, studiuesit e tij pikën e vesës mund ta bëjnë oqean të fjalëve. Unë jetoj në dy vargje të tij dhe në ato vargje shihet mënyra se si oqeani shndërrohet në pikë vese: ‘Kur përmallimet në këtë mall, m’harro bukur dhe thuaj u takuan n’prrallë’. Nuk ka magji e mençuri që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se këto vargje”, thotë ai.
Sipas tij, vargu ‘Kur t’vish, rrugën merre me veti që të mos ketë kthim’, krejt ajo që quhet pendim, pikëllim, dridhje e shpirtit, është shndërruar në atë varg.
“Azem Shkreli është margaritar në përmasa botërore që nuk e njohim as ne. Ne e kemi për detyrë, jo që ta shpjegojmë e interpretojmë por thjesht e shkurt; ta përjetojmë poezinë e Shkrelit”, përfundon Demaku.
Pastaj, nën atmosferën e ngrohtë e poetike, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të veçanta e krejtësisht origjinale nga jeta e Shkrelit, poeti i cili do të qëndrojë gjatë në zemrat e tona e ndoshta do të na shoqërojë neve edhe deri në momentet e fundit të jetës njerëzore.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com
Jusufi i këngës, i lapsit e letrës, shkrimtari e poeti, zëri i këngës shqipe, por edhe veprimtari i çështjes kombëtare, për disa minuta që ishin pak, u bë i gjallë në mesin e të pranishmëve që kishin zënë karriget për të marr pak nga ajo që Jusufi la pas. Dikur fëmija i një fshati të vogël, kurse sot një ndër krenaritë më të mëdha, Jusuf Gërvalla, shënoi një tjetër përkujtim, natën e dytë të nëntorit, në ambientet e ngrohta të KultPlus Caffe Gallery, në kuadër të Orës së Shkrimtarit të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Lajmin për vrasjen e Jusufit e mora në Algjer ku gazetarët shqiptarë të Kosovës me gazetarë jugosllav qëndronin për një vizitë. Dhe lajmi më shokoi shumë. Por më shumë se lajmi më pati shokuar gëzimi i gazetarëve të Beogrdit tek flisnin me britma ngazëllimi rreth vrasjes së tij”, tha kështu Binak Kelmendi, teksa bëri hapjen e ‘Orës së Shkrimtarit’, natës së Jusufit e veprës së tij.
Ndonëse me një fat tragjik, Jusuf Gërvalla i fali letërsisë shqipe poezi, përkthime e romane që i qëndruan kohës, po njëlloj si vetë figura e Jusufit. Por, për poeten Naime Beqiraj, Jusufi, sikur të mos kishte një fat të tillë, Jusufi krahas letërsisë, do t’i dhuronte artit edhe vetë kombit shqiptar një shije ndryshe për muzikën, zëri tij do t’na bënte të dashuronim rishtas.
“Por, u këputën krahët e poetit për tu kthyer në një marathonomak, një luftëtar që nuk u harrua asnjëherë. Brezat u ndërruan, emrat u harruan, edhe mbiemrat, por letërsia mbet. Ashtu siç mbeti i ri, vetëm 36 vjeçar – Jusuf Gërvalla”, tha me zërin përplot emocione poetja.
Beqiraj theksoi faktin se poezia e Jusufit, e rikthen lexuesin në fëmijërinë e vet autorit. Sipas saj, sikur Jusufi t’i përkushtohej më shumë poezisë, sot nën emrin e tij do të ishin të jetësuara poezi edhe më të arrira.
“Mjeshtër i përzgjedhjes së fjalëve, i ndërtimit të togfjalëshave, Gërvalla, po t’i ishte përkushtuar poezisë, sot do të kishim nën emrin e tij krijimtari të bollshme e poezi edhe më të arrira. Fëmijëria, herë e nxjerrur jashtë hullinave, herë e thelluar në hullinat e saj bashkë me hithërat që ia djegin këmbët fëmijës ëndërrimtar, e risjellin në një ditë kur do ta ndiqte rrugën e dëshirave të veta, do të bëhej poet plot muzikalitet kur do të shkruante për fëmijërinë”, shtoi ajo.
Jusuf Gërvalla nuk shkroi vetëm për fëmijërinë, fjalët që hidhte në letër nuk i dhanë jetë vetëm fshatit ku ai jetoj jetën. Fëmijës të kullës së Dubovikut, të pashlyer në kujtesë, e mbi të gjitha kujtimet e veprimtaritë e tija, qëndronte Nëna Ajshe.
E për poeten Beqiraj, pikërisht nëna e Jusufit ishte ajo që u kthye në simbol të qëndresës, Ajshen që lexuesi para se ta njihte si qënderstari, u njoftua me Nënë Ajshe, personazhin poetik, të letrave, poezive e këngëve të Gërvallës.
“Ajo grua e cila u kthye shënjesë e qëndrestarisë, ishte person i gjallë, i prekshëm, ajo grua e cila pas vrasjes së të bijëve, e dyfishoi ashtin e qëndresës e të kujtesës dhe u bë ngushllimtare e qindra nënave shqiptare që i humbën bijat e bijtë për ta luftuar armikun. Nënën Ajshe, lexuesi, më parë e njohu si personazh poetik, pastaj si qëndrestari”, theksoi Beqiraj.
Naime Beqiraj shtoi se Jusuf Gërvalla mbetet poet, shkronjës e artist. Ai arriti që ti shoqëronte vargjet e tij me atmosferë muzikore, përshkrimi i të cilave krijoj në mënyrë vizuale katër dimensione. Ai ishte autori modern i kohës, por edhe një këngëtar modern i tingujve.
Poetja vuri në pah faktin që ndonëse për vrasjen e Jusufit është shkruar shumë, madje janë krijuar edhe dokumentar, këngë e intervista, fati i krijimtarisë së tij poetike ishte ndryshe. Kompleti i librave të tij që u botua një herë të vetme, sot nuk arrin të gjej vend në librari, e të rralla janë rastet kur ato i gjen në bibliotekat publike.
“Veprimtaria ta quajmë atdhetare, jetën e Jusufit e ndau në dysh. Përgjatë këtyre gati katër dekadave është shkruar aq shumë për aktin e vrasjes së Jusufit me vëlla e me shok, janë punuar dokumentarë, janë bërë këngë e intervista, akademi e komemoracione, tubime e përvjetorë, janë shkruar libra: romane, novela, drama e mijëra poezi, por është botuar vetëm një herë kompleti i librave të tij. Librat e Jusufit nuk gjenden as në librari, e rrallë në biblioteka publike”, përfundoi poetja, Naime Beqiraj.
Ndërkaq Agron Gashi tha se Gërvalla më mirë se kudo tjetër, la gjurmë në poezi. Sipas tij poezia e Jusuf Gërvallës vie me e pasur me figura, por edhe më e pasur për nga ana stilistike.
“Jusuf Gërvalla më mirë se ku tjetër la gjurmë në poezi. Poezia e Jusuf Gërvallës parë në kontekstin kohor a hapsinorë, përgjithnjë vjen më e ardhun si nga figuratika në t’menduem, ashtu edhe për nga stilistika në të shprehun, gjithnjë duke latue vargun e shkri fjalën”, pohoi Gashi.
Tutje ai shtoi se Gërvalla ishte edhe erudit, veprat e të cilit vënë në pah figurën shumëdimensionale të tij. Sipas tij vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij që ka mbetur gjallë në jetë, zëri prej këngëtari, poeti, prozatori, kitaristi e piktori.
“Jusuf Gërvalla ishte erudit. Vepra e tij, duke qenë e gjerë dhe e larmishme, vë në pah figurën shumëdimensionale të tij, si publicistin e regjur e këngëtarin e ndejës së hollë. Në tanësi, vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij i mbetur gjallë në jetë, është zani i tij prej këngëtari, poeti e prozatori, kitaristi e piktori, është zani i thelllë i medituesit të madh”, përfundoi Agron Gashi.
Përkujtimi për Jusuf Gërvallën ishte mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.
PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com
Nesër, duke filluar nga ora 17:00 në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, PEN Qendra e Kosovës organizon një mbrëmje kulturore në kujtim të shkrimtarit, poetit, këngëtarit e veprimtarit Jusuf Gërvalla.
Për veprën e gjithanshme të Gërvallës, do të flasin Naime Beqiraj dhe Agron Gashi, ndërkaq mbrëmja do të udhëhiqet nga Binak Kelmendi.
Përkujtimi për Gërvallën është mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com
Edhe kur merrej me recitim, edhe kur shkruante poezi, edhe kur u përgjigjej pyetjeve në provime, Bekim Lumi ka qenë disi qiellor. Ashtu më ishte dukur ditën që e takova të parën herë. Ka qenë viti 1988. Bekimi sa po e kishte përfunduar vitin e parë të studimeve të letërsisë shqipe, unë të dytin.. Ai ishte një vit më i madh se sa unë në moshë. kurse me shkollë një vit pas meje. Kurrë nuk e kam pyetur pse kjo koincidencë. Jo, sepse gjithmonë kemi pasur çfarë të bisedojmë tjetër. Atë ditë kishim provimin e mbrojtjes tek i njejti profesor, mr Haxhi Ferati, Bekimi – mbrojtja 1 kurse unë mbrojtja 2. Prisja të më vinte rradha, kur përcillja studentin Bekim Lumi se si lëndën aspak të këndshme pothuaj ushtarake të ish shtetit RSFJ e kthen në formë analogjike të luftës së Skëndërbeut, u habita. Secilën pikë të pyetjes ai në njëfarë mënyre i bënte regji krahasuese me luftën e kryetrimit tonë. Aty u njoftëm pasi morëm dy dhjetëshe dhe shoqëria jonë prej asaj dite ka qenë e thellë, e pastër, shumë e pastër, kreative. Nuk jam e prirur që miqtë t’i quaj vëllezër, por Bekimin, 30 vjet vazhdoj ta ndjej të tillë. Ishte student i shkëlqyer i letërsisë. Recitonte bukur, shumë bukur, edhe shkruante. Ishre fort atdhetar. Merrte pesë në cdo organizim për liri të Kosovës duke qenë shpesh edhe pjesa kreative e atyre organizimeve. Mirëpo, synimi i i tij ishte teatri. E kam nxitur ta studionte regjinë, por ky drejtim nuk ekzistonte në Kosovë. Familja e përkrahu për të studiuar në Tiranë. Kam shkuar, e kam vizituar edhe atje në vitet ’90 dhe jam mrekulluar me punën që bënte, jo vetëm si student i mirë, i talentuar, por edhe kontribut atdhetar e etik. Mandej emigroi në Gjermani. Edhe atje kontriboi me programe artistike me fëmijët mërgimtarë që të mos e harronin gjuhën dhe traditat e Kosovës. Nuk e ka pasë të lehtë të merrej me punë amatore truri i tij gjenial, por e bënte për hatër të atdheut. Pas luftəs kthehet në Kosovë. Qysh me shfaqjen Mësimi shënon ndryshim rapid në teatrin kosovar. Bekimi dhe teatri i tij krijuan shkollë regjisoriale, loje e mendësie teatrore. Të ngarkuar me punët e përditshme, ne shiheshim pak më rrallë por bisedat I vazhdonim ku i kishim lënë në gjysmë e plot art e me të njejtën dashuri të dekadave më parë në studime. I kam parë të gjitha shfaqjet e Bekimit, kam shkruar për to. Madje e i kam përcjellur disa herë. Në secilën prej tij jam ndjerë si në Olimp. Bekimi krijoi shije për teatrin. Krijoi dashuri. E lartësoi artistikisht teatrin kosovar. E sot një vit që u ngjit në qiell nuk mund të shkruaj për të pa folur vet me të. Mos me i peshu fjalët, as dashninë. Vetëm këto të dyjat nuk peshohen, sic nuk peshohet as poezia e mirë e as skena e përkryer. Jo se jo teatri i Bekim Lumit të cilit i dha peshë që nuk peshohet me asnjë peshore të kësobotshme. / KultPlus.com
Me ndarjen e çmimeve për krijimet më të arrira, në qytetin e Korçës kanë përfunduar “Netët Korçare të Poezisë” të cilat nga ky vit e mbajnë emrin e lirikut të njohur korçar Skënder Rusi.
Në qytetin e serenatave, në Korçën e tradites dhe kulturës
sivjet u zhvillua edicioni i njezet e katert i Netëve Korçare të Poezisë
‘Skënder Rusi’, aktivitet ky i organizuar nga Biblioteka Publike ‘Thimi Mitko’
në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve ‘Bota e Re’ dhe me mbështetjen e
Qendrës së Artit dhe Kulturës e Bashkisë Korçë. Kjo ngjarje e riktheu
qytetin në pikë reference për poetët e përzgjedhur nga Shqipëria, Kosova,
Maqedonia, Serbia, Zvicra, Greqia, Hollanda, Vjena, Turqia dhe SHBA, si:
Flutura Açka, Petrit Ruka, Agron Tufa, Entela Kasi,Sadik Bejko, Naime Beqiraj,
Ndue Ukaj, Lucilla Trapazo, Iskra Peneva, Sema Guller, George Wallace, Craig
Cyurz etj.
Nata e parë u zhvillua në formë spektakli në hollin e
Teatrit ‘’Çajupi’’, ku poezitë përshëndetëse të poeteve pjesëmarrës u
interpretuan nga aktorët e mirëjohur: Zamira Kita, Helidon Fino, Lulzim Zeqja,
Ilda Pepi, Paola Kodra e Lola Meta.
Gjatë tri ditëve sa u zhvillua ky aktivitet, ndër më
prestigjiozët në botën letrare shqiptare, u mbajtën edhe shumë ngjarje duke e
kthyer Korçën në qendër të artit dhe të kulturës. Edhe këtë vit u zhvillua mbjellja
e një peme me ç’rast ishte zgjedhur shkrimtrja dhe botuesja Flutura Açka si e
ftuar nderi me mbjelljen e pemës simbolike me emrin e saj në: “Lëndinën e
Poeteve”.
Gjithashtu, poetët u njohën me magjinë e arkitekturore
të qytetit, vizituan muze të shumta të qytetit, bënë shëtitje në rrugicat me
kalldrëm dhe në Pazarin e Vjetër, ndërkaq mbrëmjet ishin të rezervuara për
muzikë serenatash korçare.
Çasti kulmor i festivalit ishte parakalimi i poezisë
botërore dhe shqiptare në në Galerinë Permanente të bibliotekës së qytetit.
Poetët pjesmarës në përcollën si një fllad lirikash poezitë e tyre para jurisë
të drejtuar nga Flutura Açka, Petrit Ruka, Skënder Rusi, Dhimitraq
Orgocka e Blerta Belliu e cilai ndau këto çmime: Çmimin Poezia me e bukur e
fitoi poetesha Naime Beqiraj nga Kosova; Çmimin Kurora e poezise e fitoi poeti
George Wallace nga SHBA, Çmimin ” Dritero Agolli” iu nda poeteshës
Sema Guler nga Turqia; Çmimin “Asdreni” i takoi përkthyesit dhe
shkrimtarit Agron Tufa, ndërsa Çmimi Special e fitoi poeti i ri Albi Lushi.
Poetja Naime Beqiraj u laurua me “Çmimin e lirisë” për poezinë “Republika” në Takimet letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në Pejë.
“Çmimet letrare nuk të bëjnë poete më t’mirë;
janë vetëm dëshmi që krijimtaria vlerësohet, e sidomos kur mbajnë sinonim
lirinë – gjakimit shekullor të pejanëve për liri, kur mbajnë Azem Shkrelin
emër, kur ndahet nga tri poete dhe profesoresha universitare: Ilire Zajmi,
Entela Kasi e Vjollca Dibra. Falemnderit vasha!”, shkruan Beqirja në faqen e
saj në Facebook.
Në vazhdim mund ta lexoni poezinë fituese:
REPUBLIKA
Të buta supet e saj
Të buta kalorëse
Për të bartur pesha të rënda
Të reja vitet e saj
Të reja shtalb
Për ta kaluar rolin e urtakes
Edhe dashurinë e ka të brishtë
E brishtë si thes me pupla
Për t’i luajtur të gjithë
E fortë krenaria, e fortë
E fortë deri në mëkat
Mos ta lejoj Atin të drejtësoj
E të qeshurën e bukur
Aq sa hirësia e Solomonit
Nuk mund t’i thotë, jo
I qartë fërkemi i saj
Fluturim plot
Sa me e hup lojën, vetës gola
Dhimbshëm humbja, humbja e saj
Por jo e qeshura prej mushkërive
Me to i kapërcen thepisjet
Kampione ecja e saj
E para del sa s’ia kalon kush
T’i kthejë dhuratat në armiq
I akullt inati, i akullt
Pik’ acar sa hakmarrja
Për t’rënë n’kurthë me vetën
I butë shikimi, i butë
Sa s’mund t’i rezistosh
T’ia kthesh shpinën, jo besnikërinë
E këndshme e hedhura e saj
E para, e njëqindta, e mijëta
Për ta ushqyer gjarpërin me ambroz
Si erë e ka sundimin
Përditon ngopshëm mirë e bukur
E mandej i përmbys kupat e verës
E mrekullueshme hija Mrekulli, dëshmi, ringjallje Për t’i prirë të pabesët/KultPlus.com
Prej që të kam njohur (kur të kam njohur unë kam qenë poete shumë e re, ti emër i njohur i letërsisë), gjithmonë e kam pas çmuar qetësinë tënde. Kemi ndejt herë pas herë.
Nganjëherë habitesha se si kjo grua kaq e qetë, dikur si vajzë e re, si studente e mjeksisë, si gazetare e Rilindjes, ka qenë nga të vetmet shqiptare që ngiste motorin. Rebele, thojshin poetët e njohur, miqtë tonë të përbashkët. Zonjësi për ta patur lakmi, shiheshin herë herë në orë letrare e gjithmonë me përzemërsi të ndërsjellë. Nuk kemi folur për poezinë pothuaj asnjëherë, ndoshta temat për Kosovën të dukeshin më të rëndësishme. Nuk insistoja ndryshe. Asnjëherë nuk kemi folur për politikë. Ti e dije qëndrimin tim, ndaj nuk më ke kërkuar votë. Na mjaftonte ajo njohja e moçme. Para pak vitesh, kur u alivanose në kuvend pas hedhjes së gazit lotsjellës, erdhëm në banesën tënde me miken tonë Flutura Açka. U gëzove. Na ndale të rrinim më gjatë atë pasdite plot shi. Nuk ta prishëm. E hodhe idenë të mos kandidosh më për politikë, por jo vendosmërisht. Nuk e di a e kërkove mendimin tonë. Flutura nuk ta prishi, unë të kurseva, por herën tjetër kur u takuam të thashë: “Nëse kërkon mendimin tim, mos kandido. Ke me çka të merresh. E ke lëruar gjatë të qenët deputete”. Të propozova t’i ktheheshe të qenët humaniste, aty je më e madhe, më e rëndësishme, më me peshë. Flora, kjo shoqëri, ky komunitet i Kosovës të ka dashur gjithmonë. E re ke hyrë në letrat shqipe me librin “Verma emin tim” kur i kishe vetëm 23 vjet. Ke hyrë në pothuaj secilën antologji, je prezentuar dhe e ke përfaqësuar poezinë shqipe në shumë vende të botës. Ishin vite kur kishim pak poete aq sa mezi numëroheshin me gishtat e një dore. Poetët tonë mendjendritur, njerëzit e kulturës donin me çdo kusht të shpërfaqnin brenda e jashtë artin e femrave, nganjëherë pa e thelluar cilësinë. Të kemi dasht shumë Flora. Kemi qajtur për ty sa ishe në burg. Në secilën protestë kam marrë pjesë. Ke qenë zëri i grilave në vitet e pasluftës në Kosovë. Ke qenë simbol, aq simbol sa kishte njerëz që nuk shihnin të burgosur të tjerë. Ishe si të thuash heroinë. Aq e rëndësishme pas luftës, edhe duke qenë në burg, fitove aq vota nga poetët nga Lidhja e Shkrimtarëve sa të hysh në kryesi duke qenë në burg. E kujtoj një mbledhje të këtij asociacioni ku aderonin edhe shkrimtarë të mirë atëherë, kur dikush kërkoi të bënim protestë si shkrimtarë për lirimin e Flora Brovinës. Isha më e reja në kryesi por kërkova të merrja fjalën. “Protestë edhe për poetin Halil Matoshi“. Disa më shikuan me habi. “Po për Halilin, ai është kolegu ynë, është edhe poet, bile poet i mirë”. Aq ishin të fokusuar njerëzit pas teje sa harronin që në burg ishte edhe një poet i shkëlqyer Halil Matoshi. Madje edhe poetët pothuaj kishin harruar. Flora, dikur e deri tash ta kam vlerësuar qetësinë. Ajo qetësi, më nuk të bën nder. Fol, tregoje të vërtetën. E vërteta dhemb por edhe fisnikëron. Godit të keqen Flora. Ke qenë e guximshme të vitet e egra të pushtimit. E ke moshën dhe të kaluarën e guximshme për ta thënë të vërtetën. Mos na e le faqen e zezë para botës!/KultPlus.com
Dikush i dhez dritat e shpisë
I nalin do t’tjerë
Çohen gjethet somnabul
E i zgiedhin vet vazat
Me t’blerta
Maje krahi
Si kitara e Jusufit
Si ringjallja e Jezusit
Pushteti i natës
I ban njerzit t’uritun
Vetmitarë të paqtmit
Tuj harru me u lut
Me u ba prap fëmij’
Shoqni me ty
Me krah shtyhen t’ligjt
Na shtyhemi me zemër
Për ditën që po shkon
Veç ni zâ ta l’shoj prej s’largu
Me ty dita âsht krijim
Fitore e luftës së panisun
I bekuemi Bekim,
Udhëtohet lirisht mbi kraht e tu
Ushqyeshëm me skenën tande
Me shije edhe nër shputat e lehta
Bekohet zâni n’yjsinë e përnatshme
Prajshim flehet me frymën e Atit
Kur je ujk e kur je kaproll
Mos zhdryp prej froni
Veç kur t’hahet buka e zez’
Motra e Gjergj Elez Alis, moti than t’ka
Maje bjeshke
Maje krahi
Tuj e lyp t’përsosmen
S’âsht askush si ti
Me u dashunu
E me fal si n’prrall’
Në fund t’ditës
Është publikuar antologjia “U mrezi stih”, antologji kjo në gjuhën kroate ku janë përfshirë poete nga rajoni, shkruan KultPlus.
Kjo antologji është punuar nga autoret: Dragana Tripkovic, Lena Ruth Stefanovic, Bosiljka Pusic i Jovanka Uljarevic.
Në këtë antologji janë përfshirë edhe dy poete nga Kosova: Naime Beqiraj dhe Qibrije Demiri Frangu, të cilat në këtë libër janë përfshirë me poete nga Bosnja e Hercegovina, Serbia, Kroacia , Sllovenia dhe Maqedonia./KultPlus.com
Në palestër hartash, objekte të verdhme moti
Zhurmat si trokitje, hijëzuar ultë, krejt pa taka
Një kopsht me vete dhe rrugën kah mediton Zoti
Prap vjeshtë, prap prush i kuq, edhe kur s’i del flaka
I dua pemët që thur ti, edhe në mos i hëngsha
Kur me shije planeti syrin ma thirrin mes rreshtash
E praruar me drita, mollë e ftua në mos u bëfsha
Në dorë më ke, n’krahëror, sa e ëmbël vjeshta
Duke i pyetur xhamat të pasqyruar me shije
Drita është e ëmbël edhe kur nuk qet sy dielli
Si ta kthej vjeshtën kur bora të ndjell fryrje
Atëherë, kur urtas, nuk nis të errët as qielli
Vjeshta vjen e prajshme si urtake e Zotit
Pushon pak, kur i kthen ngjyrat në simfoni
Si palë ëndërrash barkas kur ndryshon moti
E si copa perlash, kur pikat ju bijnë përbri
E priste edhe me hënën që fshihej përballë
Atë krijesë të vogël që i rrinte duke qeshë
Në netët e njoma as cigare nuk kishte kallë
Mister lajmëronte qielli, mandej vinte vjeshtë
Qëlloi e bukur e madhe – për tu zvogëluar
Vec rrezja përbirohej në skaj buze duke qeshë
Askush nuk nxirrte fuqi për ta zëvendësuar
Ajo vec një ishte, mandej bëhej vjeshtë
Nisi t’i studionte prap ngjyrat e Van Gogut
Plepat e praruar, dritat, gjethet, shiun duke reshë
Impresionizmin, diellin dhe erën e sfondit
Si pika të gravuara, si malli që lind në vjeshtë
Kur kapërceu shkallët, pika gjethi luanin mbi kokë
Pemët elegante, sytë prapë ia kishin dehë
Bukuria jote nuk mësohet në asnjë shkollë
Bukuria jote nuk qetësohet, sepse është vjeshtë
E një erë e jugut pikë pikë i zhduk kurorat
Bijnë në tokë të vet, përzihen me hijeshi
E ndërton prap ngjyrshmëri sa do janë të vogla
E mbas gjurmëve të vjeshtës – pikon dashuri