Chopin Piano Fest, në natën e dytë solli pianistin Granjon dhe mbrëmjen e tij fantastike me tinguj francezë

Alberina Haxhijaj

Festivalet e muzikës klasike të realizuara në Kosovë janë trashëgimi kulturore e rëndësishme. Këto festivale bëjnë që Kosova të pozicionohet në hartën e vendeve ku kultivohen dhe respektohen vlerat artistike muzikore. Mirëpo përfitues më i madh i këtyre festivaleve është publiku kosovarë e posaçërisht të rinjtë të cilët përcjellin këto festivale.

Pikërisht publiku që ishte i pranishëm në mbrëmjen e dytë të edicionit të 9-të të festivalit Chopin Piano Fest Prishtina, ishte përfitues i një interpretimi të mrekullueshëm nga pianisti Jerome Granjon, shkruan KulPlus.

Pas tingujve portugezë që solli pianisti Vasco Dantas Rocha ky festival mbrëmë solli një mbrëmje franceze përmes pianistit Jerome Granjon. Drejtuesja Organizative e Festivalit, Besa Luzha, tregoi se kjo laramani e bukur artistike është e mundur falë përkrahësve të festivali. Sipas saj pikërisht për këtë natë magjike duhet falënderuar Ambasadën Franceze në Kosovë.

“Sonte kemi një mbrëmje franceze ta quajmë kështu më pianisti Jerome Granjon i cili është profesor i pianos në Konservatorin e Parisit dhe të Lionit dhe ka koncertuar po thuajse në të gjitha kontinentet. Ai po ashtu ka albume të incizuara me vepra shumë specifike. Pianisti Jerome Granjon vjen më një program shumë të bukur më Schumann në pjesën e parë, kurse, në pjesën e dytë, për nder të 100 vjetorit të vdekjes së kompozitorit Claude Debussy, kemi vepra nga ky kompozitor”, tha ajo.

Pianisti Jerome Granjon i cili ndanë jetën e tij artistike, si instrumentist duke interpretuar në piano dhe si mësimdhënës duke mësuar sesi të interpretohet në këtë instrument, që nga tingujt e parë që solli në Prishtinë rrëmbeu të pranishmit. Një mënyrë e duhur për të dëshmuar fuqinë e tij interpretuese dhe një reflektim i punës së tij, ku radhiten çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Mbrëmja filloi me dy vepra “Arabesque op.18 (7’) dhe Kreisleriana op.16 (32’), nga kompozitori Robert Schumann, kompozitori i njohur i epokës së romantizmit. Për pianistin Jerome Granjon, sjellja e këtyre veprave në Prishtinë por edhe ardhja e tij për herë të parë, është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Sipas tij ngrohtësia që ka ky vend për muzikën klasikë vërehet që në hapat e parë që bën një muzikantë në këtë vend.

“Është hera e parë që jam në Prishtinë jam shumë i lumtur që jam këtu, jam i prekur nga gjithë ky entuziazëm për muzikën klasike. Ky është një festival i mrekullueshëm me njerëz nga vende të ndryshme që vijnë këtu dhe jam i nderuar që edhe unë jam këtu. Po ashtu kam takuar edhe disa studentë dhe këtu ka një nivel pianistik mjaft të mirë”, tha ai.

Pjesa e dytë e këtij koncerti solli para të pranishmëve një maratonë veprash nga kompozitori francez Claude Debussy. Veprat, përmes muzikaliteti të fuqishëm interpretues, të pianistit Jerome Granjon i sollën Prishtinës tinguj francezë që nuk do harrohen lehtë nga të pranishmit.

Kompozimet e Debussy njihen si të vështira për tu luajtur dhe puna e tij ka ndikuar shumë në kompozitorët që kanë ardhur pas tij. Këto kompozime përmbajnë brenda vetës një kimistri të jashtëzakonshme dhe janë mjaft delikate për tu luajtur, sqaroi pianistit Jerome Granjon.

“Kur isha i ri unë kam dashur Schumann pastaj Scriabin, Mozart, Bach ndërsa Debussy nuk ka qenë aq shumë i dashur për mua. I kam zbuluar veprat e tij më vonë pasi që fillimisht kanë qenë të panjohura për mua, ai vet ka qenë i panjohur për mua, një kimistri e jashtëzakonshme. Është shumë e vështirë për ta luajtur, është në një mënyrë shumë e përpiktë dhe është muzikalisht delikate, kërkon shumë për pianistit për të qenë në nivel të kësaj vepre”, tha ai.

Ajo që vlen të theksohet për këtë vit në kuadër të këtij festivali është edhe numri i madh i mastërklasave të cilat janë duke u realizuar në Fakultetin e Arteve, përkatësisht me studentë të klasës së pianos. Gjithë kjo i rritë edhe më shumë vlerën edukuese këtij festivali në kuadër të të cilit mbajti mastërklasë edhe vet pianisti Jerome Granjon.

“Që kur kam ardhur, pastaj në masterklasën që pata më studentët dhe po ashtu edhe këtu sonte, kam ndejë një ndjenë ngrohtësie ndaj muzikës klasike prandaj sigurisht që pres pa durim që të vi përsëri”, tregoi ai për KultPlus.

Nata e tretë e këtij edicioni do të mbahet më 9 prill në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare ku do të performojë pianisti Gottlieb Wallisch./KultPlus.com