Botohet “Ibrahim Rugova, Vigani i Brishtë i Ballkanit”, përkthim i Elvi Sidherit nga frëngjishtja

Sapo është botuar përkthimi i autorit Elvi Sidheri nga frëngjishtja i librit “IBRAHIM RUGOVA, Vigani i Brishtë i Ballkanit”, një bashkëpunim i tre autorëve francezë, Jean Yves Carlen, Joël Ehrhart dhe Stève Duchêne, përcjell KultPlus.

Në këtë libër të botuar nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, shpërfaqet figura prej kolosi, ndonëse e brishtë, e Ibrahim Rugovës, duke nisur nga vitet e tij të hershme, gjer në lëvizjen paqësore të shqiptarëve të Kosovës, nën udhëheqjen e tij, përpara bombardimeve të NATO-s dhe luftës çlirimtare në Kosovë.

Ky libër, i botuar në fillim të vitit 1999, në prag të fillimit të fushatës shpëtimtare nga qielli, që i dha fund spastrimit etnik të Kosovës nga Millosheviçi, shërben sidomos për të kuptuar sa shumë pati ndikuar Rugova në ndryshimin e qëndrimit francez ndaj çështjes së Kosovës, duke arritur ta bënte për vete fuqimisht opinionin publik në Francë, falë maturisë, qëndrimeve dhe largpamësisë së tij të spikatur. / KultPlus.com

NATO reagon pas situatës së krijuar në veri, mesazh Kosovës dhe Serbisë

NATO ka bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës.

Në një reagim në twitter të zëdhënëses së NATO-së, Oana Lungescu, thuhet se NATO bën thirrje që Beogradi dhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çfarëdo vendimi të një anshëm dhe të kthehen në dialog.

“Mandati i KFOR-it mbetet për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”, ka shkruar Lungescu. / KultPlus.com

Talibanët tani kanë më shumë fuqi ajrore se 30% e vendeve të NATO-s

Pas largimit të forcave amerikane dhe atyre të NATO-s nga Afganistani, talibanët besohet se kanë arritur të marrin nën kontroll mjete luftarake tokësore dhe ajrore me vlerë miliona dollarë, duke rritur ndjeshëm fuqinë e tyre.

Sipas një bilanci paraprak të mjeteve luftarake që kanë mbetur, besohet se xhihadistët kanë tani në zotërim më shumë mjete ajrore se sa 1/3-ta e vendeve anëtare të NATO-s. Për krahasim, talibanët besohet se kanë në zotërim 48 mjete ajrore luftarake, ndërsa Shqipëria 19.

Përgjatë muajve të fundit, talibanët kanë marrë nën kontroll 10 baza ajrore dhe të mërkurën kanë nisur një operacion me një helikopter Black Hawk, me vlerë 6 milionë dollarë, në Luginën Panjshir, ku është përqendruar një grup luftëtarësh të rezistencës afgane.

Raportohet se drejtuesit talibanë kanë instruktuar ndjekësit e tyre që të gjejnë të gjithë pilotët afganë të këtyre mjeteve ushtarake, që kanë kryer stërvitje intensive me ushtarët e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate. Avioni më i rëndësishëm i sekuestruar nga Talibanët ishte në aeroportin e Kabulit, një model Hercules me vlerë 14 milionë dollarë.

Forcat Ajrore të Afganistanit kishin në përdorim 167 mjete ajrore, 108 helikopterë dhe 59 avionë, sipas inventarit të fundit të bërë nga qeveria amerikane më 30 qershor 2021. Para rënies së Kabulit, Uzbekistani konfirmoi se 22 avionë dhe 24 helikopterë kishin mbërritur në vend për të shmangur marrjen e tyre nga talibanët. Ndërsa gjenerali amerikan Frank McKenzie, tha se trupat amerikane kishin shkatërruar 73 avionë dhe helikopterë, para se të largoheshin nga vendi të hënën. / KultPlus.com

Më 7 gusht 1990, Serbia ndaloj botimin e gazetës ‘Rilindja’

Gazeta “Rilindja”, e cila për herë të parë ka dalë më 12 shkurt të vitit 1945 në Prizren, konsiderohet ndër pjesët më të rëndësishme të historisë sonë, si gazeta e parë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, shkruan KultPlus.

Më 7 gusht të vitit 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që atë kohë kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës.

Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60-të. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Nga 29 Nëntori 1958 “Rilindja” vazhdon rrugëtimin e saj si gazetë e përditshme.

Më 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, kurse nga viti 2009 nuk botohet më.

Ani pse gazetë e sistemit, ajo në momente të caktuara ka ditur dhe ka gjetur forcë që të gjejë hapësirë për të dhënë edhe porosi kombëtare. Ajo veçohet për disa aksione me rëndësi për Kosovën, siç ishte rasti për hapjen e Universitetit të Prishtinës e disa aksione të tjera. Veçmas rubrika e kulturës ka prirë për nga autonomia dhe të shkruarit ndryshe për rrjedhat e letërsisë, artit, shkencës, filmit, teatrit e fusha të tjera.

Mund të thuhet lirisht se “Rilindja” ka qenë edhe çerdhe e ngritjes intelektuale pasi ajo ka tubuar në gjirin e saj intelektual në zë që më pastaj kanë bërë emër në letërsinë,artin, shkencën e Kosovës dhe më gjerë.

Si e tillë kujtojmë se ajo meriton një vëmendje më të madhe dhe një iniciativë nga institucionet përkatëse të vendit që ajo sërish të dalë dhe të jetë pjesë e medieve të tjera të shkruara që botohen në Kosovë. Sepse, ajo ishte dhe mbetet pjesë e historisë së Kosovës, me gjithë të metat dhe kritikat që mund t’i bëhen asaj nga kjo distancë kohore. / KultPlus.com

Pas Kosovës e Maqedonisë, gjenerali Clark e viziton edhe Shqipërinë

Pas vizitës në Kosovë e në Maqedoninë Veriore, gjenerali i njohur Wesley Clark ka shkuar edhe në Shqipëri.

Sot, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një fotografi në rrjetin social Twitter, ku shihet bashkë në veturë me gjeneralin Clark.

“Është shumë mirë ta fillosh ditën duke biseduar me heroin, gjeneralin Clark, burrin që ishte në krye të operacionit të NATO-s për ta çliruar Kosovën”, shkroi në postim kryetari i Tiranës.

Ndryshe, gjenerali Clark qëndroi ditë më parë në Kosovë, ku u prit me nderime të larta ushtarake nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe zyrtarë tjerë të lartë të vendit.

Gjatë vizitës, ai tha se është i lumtur që u kthye përsëri në Kosovë dhe se është i kënaqur që po sheh përparim dhe demokraci. / KultPlus.com

Gazeta amerikane publikon si foto të ditës një moment të rrallë gjatë 1999-ës në Kosovë

Gazeta e përditshme ushtarake amerikane ‘Stars and Stripes’ ka publikuar një fotografi të rrallë përgjatë luftës së fundit në Kosovë, ku mëtojnë ta theksojnë prezencën e NATO’s përgjatë asaj kohe në vend.

Sipas mediumit, fotografia është realizuar në Viti, në të cilën shihet një grua e moshuar, e vendosur pranë një traktori që, sipas mediumit, shërbeu për transportim.

“Një grua shqiptare qëndron në hije, poshtë mbishkrimeve serbe duke inkurajuar forcën dhe unitetit, ndërsa ushtarët patrullues të SHBA’së kalojnë pranë traktorit që shërben si mjet transporti i familjes së saj”, thuhet në artikull.

Artikulli tutje potencon se po këto forca po ia mësynin fshatrave të Vitisë që të ofronin siguri dhe paqe në vend. “Ushtarët hipën në automjetet e tipit Bradley Fighting, pastaj shkuan nëpër fshatëra për të treguar prani të fortë të NATO-s”, thuhet tutje/ gazeta express/ KultPlus.com

Dita e Çlirimit të Kosovës, përmes fotografive

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Në vijim, KultPlus risjell disa fotografi të 12 qershorit të vitit 1999. Fotografi këto që shfaqin emocionet e mëdha të qytetarëve të Kosovës, në ditën e çlirimit të vendit.

Fotografitë: Profili i Kenneth Andresen. / KultPlus.com

Reportazh i shkruar për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës në portalin frankofon ‘Le Courrier des Balkans’

Më 12 qershor 1999, tanket e NATO-s hynë në Prishtinë, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Teuta Bylykbashi dhe Hysen Gashi kishin mbetur në qytet me familjet e tyre gjatë 78 ditëve të bombardimeve. Ata tregojnë çlirimin

Nga Nerimane Kamberi

“Mos më kërkoni të jem i saktë rreth orës, kanë kaluar 20 vjet.” Hysen Gashi, rreth të pesëdhjetave, është ulur në kafenenë që e frekuenton shpesh, në Bulevardin Bill Klinton. Në ekran, një kanal televiziv lokal jep lajmin për ardhjen e ish-Presidentit të SH.B.A.-ve për festimet e 12 qershorit, 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Bill Klinton nderohet nga kosovarët, një statujë gjigande është ngritur për ta nderuar në bulevardin që mban emrin e tij. Por për Hysenin, çlirimtarët e parë ishin ushtarët britanikë të KFOR-it, forcat e NATO-s në Kosovë.

“Më 12 qershor 1999, në orën 15.00 ose 15.15 pasdite, dy helikopterë të NATO-s erdhën nga Shkupi, u sollën në qiell dhe u larguan nga kishin ardhur. Pastaj pamë dy automjete të huaja, ndoshta xhipa, që lëviznin përreth dhe largoheshin. Filluam të dilnim nga shtëpitë dhe të shkonim drejt rrugës. Por shiu i madh na detyroi të ktheheshim. Rreth orës 18.30 -19.00, një tank britanik u pozicionua pranë stacionit të karburantit Jugopetrol, një tjetër përpara autoshkollës që kishte shërbyer si një bazë logjistike për ushtrinë serbe. Ne dolëm, u drejtuam për në rrugën që vjen nga Shkupi për të mirëpritur forcat e NATO-s. Disa përqafonin tanket.”

Teuta Bylykbashi, profesoreshë në shkollë të mesme, flet për një atmosferë të ngjashme në lagjen e saj në Ulpianë, në Prishtinë. “Më 12 qershor, ushtarët britanikë të KFOR-it mbërrinë Te Fontana, poshtë ndërtesës sonë. Nga dritarja mund të shihja britanikët që vinin nga njëra anë dhe serbët që iknin nga tjetra. Njëri nga fqinjët tanë serb, i cili kishte marrë veturën tonë një ditë më parë, e ngarkoi atë dhe u largua. Fëmijë zbritnin nga ndërtesat, këputnin lule dhe ua jepnin ushtarëve britanikë.”

HYRJA E FORCAVE SERBE

Të dy tregojnë për këto momente ngazëllimi duke psherëtirë, pa shumë emocione në zërin e tyre. Sepse ata njëkohësisht rijetojnë momentet e rënda që i përjetuan deri në këtë çlirim kaq të pritur, por që, deri në momentin e fundit, do të jetohet herë në dyshim dhe herë në frikë. Hysen Gashi kujton: “Më 9 qershor, kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, gëzimi na u kthye. Kishim shpëtuar. Lufta më në fund kishte mbaruar. Por më 11 qershor, unë po i përcillja lajmet  e TV Podgoricës ku thuhej që forcat ruse po hynin në Kosovë. Ata mbërrinë rreth orës 20:00 përmes Merdares. Ishte edhe më e tmerrshme se fillimi i luftës, sepse ne thjesht mendonim se ajo u kry, edhe pse kishim ndjenja të përziera gëzimi dhe frike. Atë ditë, ne nuk besonim më në paqe. Serbët po festonin, ata qëllonin në ajër, dëgjohej zhurma e gëzhojave që binin në kulm.”

Teuta edhe sot është e frikësuar kur e kujton atë ditë: “Më 11 qershor, përjetuam frikën më të madhe të jetës sonë, kurse mendonim se ishim të çliruar! Forcat ruse, aleatët e  Serbisë, hynë në Kosovë, në Prishtinë! Ishim të dëshpëruar. Mendonim se lufta nuk do të mbaronte kurrë. Për shqiparët ishte një zhgënjim i thellë. Kishim humbur të gjitha shpresat se kjo luftë do të mbaronte. Serbët po festonin. Ata lëshonin muzikën në kupë të qiellit, duke qëlluar në ajër. Fqinjët tanë serb ishin të ngazëllyer. Televizioni i Beogradit transmetonte imazhe të tankeve ruse në qendër të Prishtinës, aty ku sot është Bulevardi Nënë Tereza.”

Photo: Hazir Reka

TË DËBUAR DHE TË SHTYRË PËRTEJ KUFIRI

Të dy flasin për stërlodhjen e ditëve të fundit të luftës. “Nuk mund të mendoja, nuk e kisha më arsyen, nuk dija çfarë vendimi të merrja,” shpjegon Hyseni. Fjalët e Teutës gati se i bëjnë jehonë: “Ditëve të fundit, unë madje e pranova edhe idenë e vdekjes. Timen, jo vdekjen e të tjerëve.”,  vazhdon ajo: “Serbët na kishin dëbuar nga banesat tona, nga soliterat tonë dhe ne pamë të vdekur deri në kufirin me Maqedoninë, pamë vetë vdekjen tonë. Por ne u kthyem pa kaluar kufirin. Një herë tjetër, serbët i morën të gjithë burrat poshtë në pesë e gjysmë të mëngjesit dhe kontrolluan dokumentet  tona. Ata kërkonin që të zgjoja vajzën time adoleshente, kisha frikë se çfarë mund t’i ndodhte asaj.” “Unë e tërhoqa vajzën time gjashtëvjeçare për dore, nuk e lashë të përfundojë mëngjesin. Serbët na dhanë pesë minuta kohë për të dalë nga shtëpia.” vazhdon Hyseni.

Këto rrëfime ngjajnë me mijëra rrëfime njerëzish të zhvendosur, refugjatësh, të hedhur nga një pjesë e qytetit në tjetrën nën kërcënimin e njerëzve të maskuar dhe armëve të tyre, të shtyrë drejt stacionit për të hipur në trenat që do t’i çonin në Maqedoni, gjatë eksodit më të madh që Evropa e ka njohur që nga Lufta e Dytë Botërore, ose të deportuar në kufij të tjerë. Disa do të paguajnë me marka për kalimin e tyre, të tjerë do të ndalen gjatë rrugës, në një shtëpi të braktisur ose do të strehohen nga banorë të tjerë. Shumë nuk do të arrijnë kurrë askund dhe do të ekzekutohen pasi të jenë ndarë nga familjet e tyre.

Këto lëvizje të popullatës, nga një lagje në tjetrën, nga Velania deri poshtë Dragodanit, e  drejt Emshirit, nga Prishtina në fshatin Makoc, tre kilometra në jugperëndim, mund të trasohen me gisht në hartën e kryeqytetit dhe të fshatrave përreth. Por në heshtje, si heshtja që mbretëronte në qytet, një qytet pa jetë, pa shpirt. “Ne kaluam nëpër një qytet fantazmë, mahalla e prindërve të mi afër Xhamisë së Llapit ishte e zbraztë. Ishte e tmerrshme”, thotë Teuta. Hyseni mban në kujtesën e tij imazhe të valës së madhe njerëzore. “Ne zbritëm kah qendra e qytetit. Serbët po na shtynin drejt stacionit, kaluam pranë ndërtesës së Rilindjes. Një valë gjigante njerëzish. Vinin nga të gjitha drejtimet. Shtynim njëri-tjetrin dhe na shtyhnin për të hipur në tren.”

NGA DRITARJA OSE NGA TARRACA

Hyseni dhe familja e tij nuk do të largohen për në Maqedoni, ata do të kthehen në shtëpinë e motrës, jo shumë larg stacionit të autobusëve dhe do të qëndrojnë aty deri në fund të luftës. Teuta dhe familja e saj do të kenë parë tepër tmerr gjatë rrugës kur kishin dalur por edhe kur ishin kthyer në ndërtesën e tyre. As ata nuk do të largohen deri në fund të luftës. “Nuk dilnim më. Ndërtesa jonë ishte bërë një lloj getto. Jeta aty ishte e kufizuar në vajtje-ardhje midis fqinjëve, vetëm gratë e moshuara dilnin, ato që mund të flisnin serbisht. Ato shkonin në pazarin e Ulpianës poshtë lagjes, kishte serbë që shisnin prodhimet e tyre. Me 15 maj ishte ditëlindja ime, më kishin mbetur tri vezë, bëra një tortë dhe ftova fqinjet e mija për çaj.” Pjesën tjetër të kohës, gratë qëndronin në dritare dhe shikonin se çka po ndodhte jashtë. Sikur atë ditë kur Teuta pa britanikët të mbërrinin dhe serbët të largoheshin.

Hyseni qëndronte në një shtëpi të braktisur në lagjen e tij, tarraca e së cilës kishte pamjen nga rruga për në Shkup. Nga aty, ai kishte vëzhguar lëvizjet e 9, 10, 11 dhe 12 qershorit 1999. Nga aty ai kishte parë britanikët që po mbërrinin dhe serbët që po largoheshin.

BUKË, MË NË FUND

Më 12 qershor 1999, Teuta nuk shkoi më larg se Te Fontana, poshtë banesës së saj. Ndoshta ajo bleu bukë në dyqan, te qoshi i ndërtesave. “Gjatë bombardimeve, pashë që buka kishte ardhur te shitësi serb. Duke dashur të ruajmë rezervat tona të makaronave dhe miellit – kush e di sa do të zgjaste lufta – unë zbrita poshtë për të blerë  bukë. Shitësi nuk më dha bukë.  U ktheva në shtëpi e poshtëruar, i thashë vjehrrës sime, “ai nuk deshti me më dhënë bukë.” Më 12 qershor 1999, Hyseni doli në lagjen e tij. Por së pari, ai nxori bukën nga çanta. “Gjatë bombardimeve, gruaja ime Qerimja gatuante një bukë çdo ditë. Ne nxirnim atë që e kishim futur një ditë më parë në çantë e përgatitur për ikje dhe e hanim. E zëvendësonim me atë që e nxirrte nga furra. Do të na duhej për largimin tonë.” Më 12 qershor 1999, ai sigurisht bleu bukë taze në një furrë buke që sapo ishte rihapur. / KultPlus.com

11 qershor 1999, futja e NATO-s në Kosovë dhe çlirimi nga pushtimi serb

Nga Jusuf Buxhovi

Shtetndërtimi i Kosovës, nga përpjekjet e vazhdueshme, fillimisht që të mos pranohet pushtimi serb nga viti 1912, ripushtimet nga vitet 1918 dhe 1944, si dhe përpjekjet e saj për etnocid, kultorocid dhe së fundit për gjenocid, përpjekje këto, që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e deri në fund të atyre të tetëdhjetave, do të kthehen në përpjekjet që pushtimi të zëvendësohet me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, do të ishte i vështirë ose i pamundur fare, pa fushatën ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë, gjeneralët jugosllavë nënshkruan marrëveshjen kapitulluese për tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Të nesërmen, pasi që do të jetë miratuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe hyrjes së saj në fuqi një ditë më vonë, me fillimin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova si dhe fillimin e futjes së forcave të NATO-s, në kuadër të KAFOR-it, fillon çlirimi i Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serbo-jugosllav.

Kjo i hapi rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë nën mbikëqyrjen e OKB-së në kuadër të misionit të UNMIK-ut, që mori fund më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com

‘NATO ka nisur bombardimet’, momenti kur u dha lajmi (VIDEO)

Sot janë bërë 22 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

Ndërhyrja e NATO-s erdhi pas shumë masakrave që forcat serbe po kryenin kundër popullatës civile në Kosovë.

Si sot 22 vite më parë, në televizionet shqiptare u dha lajmi i shumëpritur nga kosovaret se aleanca e NATO-s ka nisur bombardimet, shkruan Magazina.al, transmeton KultPlus.

Bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe nisën në mars dhe vazhduan deri në qershor kur edhe u detyrua të dorëzohet ish-krimineli serb Sllobodan Millosheviq, i cili tërhoqi të gjitha forcat nga Kosova.

Më poshtë shihni momente kur moderatorja e lajmeve Besa Çeku- Buçinca, dha lajmin se NATO ka nisur bombardimet./ KultPlus.com

Clark: Gligorovi më tha më 1999: Shqiptarët nuk janë si boshnjakët, nuk durojnë, do të luftojnë

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, pati treguar se si gjatë një bisede me presidentin e atëhershëm të Maqedonisë, Kiro Gligorov, ky i fundit i kishte thënë se “shqiptarët nuk janë si boshnjakët” dhe se “ata nuk durojnë, do të luftojnë”.

“Presidenti maqedonas, Kiro Gligorov, më thirri dhe më tha: ‘E dini, do të keni problem të madh në Kosovë. Atje do të bëhet luftë, sepse shqiptarët nuk janë si boshnjakët: ata nuk durojnë. Ata do të luftojnë’. Dhe, kështu ndodhi, luftimet nisën”, kishte thënë Clark në këtë bisedë përmes Skype-it.

Më tej, ai tregonte se si Ambasadori Richard Hoblrooke kishte shkuar në qershorin e vitit 1999 për takim me Slobodan Milosheviqin.

“Më lidhi me telefon me Millosheviqin, të cilin e njihja nga koha e Daytonit dhe i thashë: ‘Ju lutem, mos ia bëni këtë popullit shqiptar’. Ai më tha: ‘Gjeneral Clark, këta janë njerëzit e mi. Unë nuk do t’i lëndoj’. Natyrisht, kjo ishte gënjeshtër, sepse spastrimi etnik tashmë po ndodhte”, ka deklaruar Clark. / KultPlus.com

Rrëfimi i pilotit amerikan: Serbët na sulmuan me raketa, por nuk mundën të na kapin

Historia se si aeroplani super-modern amerikan “i padukshëm” F-117 u rrëzua mbi qiellin e Serbisë dhe përfundoi në baltën e fshatit Budjanovci është treguar qindra herë, por deri më tani është fakt i panjohur që të paktën një tjetër avion “i padukshëm” u godit gjatë bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Portali amerikan “Drive” deklaron se detajet e asaj që ndodhi me aeroplanin tjetër u bënë të njohura vetëm kohët e fundit, dhe nënkolonel në pension i Forcave Ajrore të SHBA Charlie “Tuna” Heinlein, dhe ish-piloti i F-117, personalisht e konfirmuan atë në podcastin “Afterburn”.

Kjo çështjeje për shumë vite ishte vetëm një thashethemnajë, e piloti thotë se mbrojtja ajrore serbe arriti të godiste një tjetër avion vjedhurazi, por megjithatë edhe i goditur ai arriti të kthehej në bazën në Gjermani.

Data e saktë kur ka ndodhur të shtënat nuk dihet, por është e sigurt që kjo ngjarje ka ndodhur gjatë prillit 1999 pas rrëzimit të F-117 të parë. Në ditën e katërt të bombardimeve të NATO-s, Brigada kundërajrore serbe rrëzoi një F-117A, një nga mrekullitë teknologjike, e cila fitoi reputacionin e saj si “e padukshme” në Luftën e Gjirit në Irak.

Piloti Dale Zelk u evakuua në mënyrë të sigurt nga forcat amerikane dhe avioni i tij përfundoi në një fushë në zonën e fshatit Budjanovci në Serbinë veri-perëndimore.

Në dëshminë e tij, Heinlein përshkroi se si u godit edhe një tjetër F-117. Ai deklaroi se dy aeroplanë “të padukshëm”, të shoqëruar nga avionë F-16J, filluan aksionin mbi Beograd nga baza në Gjermani. Ai pilotoi një F-117 dhe kur e gjetën veten mbi Beogradin e Ri, të dy “të padukshmit” u sulmuan nga raketat SAM, të qëlluara nga mbrojtja ajrore serbe.

“Shikova në të djathtë qiellin mbi Beograd dhe pashë një raketë të madhe që po afrohej – dukej si Saturn V. Pastaj pashë një tjetër lëshim dhe një tym të shkëlqyeshëm, tym dhe pastaj një top zjarri që vinte drejt meje”.

Piloti amerikan shprehet se ai ende arriti të shmangë shpërthimin e predhës dhe rrëzimin e avionit të tij me ndihmën e auto-pilotit dhe të kryejë misionin e tij, domethënë të bombardojë cakun e caktuar.

Sidoqoftë, në kthim, ai e kuptoi që avioni tjetër ishte dëmtuar seriozisht, por të dy avionët përsëri arritën të ktheheshin në bazë.

Në fund të dëshmisë së tij, Heinlein pranoi se ky episod mbeti në kujtesën e tij, si më i tmerrshmi në karrierën e tij të pasur fluturuese. /Gazeta Shqip/ KultPlus.com

NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

Aleanca Veriatlantike, NATO ka uruar Pavarësinë e Shqipërisë në 108 vjetorin e saj, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të NATO-së në facebook, NATO ka uruar shtetin shqiptar, duke i ftuar të tjerët në festimin e kësaj dite.

“Bashkohuni me ne në festimin e Aleatit tonë #Albania në Ditën e Pavarësisë së tyre.

#Ne jemiNATO”, ka shkruar Alenaca Veriatlantike.

Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009. / KultPlus.com

Kur ‘Rilindja’ shkruante për hyrjen e NATO-s në Kosovë (FOTO)

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.

Ndërkaq, një ditë pas zbarkimit të NATO-s në Kosovë, gazeta ‘Rilindja’ publikon shkrimin për këtë ngjarje të madhe për mbarë popullin e Kosovës. / KultPlus.com

Fjalimi i Bill Clintonit për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  KultPlus.com

21 vjet nga çlirimi i Kosovës

Sot mbushen 21 vjet që nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.

Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, Gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar Millosheviçin të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Më 10 qershor të vitit 1999 tërheqja e trupave serbe nga Kosova bëri që NATO-ja t’i japë fund fushatës së sulmeve ajrore kundër Serbisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, më 10 qershor 1999 urdhëroi ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Pas kësaj rreth 800 mijë refugjatë të dëbuar nga forcat serbe u rikthyen në Kosovë.

10 qershori i viti 1999 shënon edhe fundin e luftës së Serbisë nga Kosova, pas 78 ditësh të bombardimeve ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan mbi 37 mijë ushtarë paqeruajtës të KFOR-it nga 36 shtete.

Ndërhyrja e NATO-s u bë pasi Serbia vrau rreth 13 mijë e dëboi nga Kosova mbi 1 milion shqiptarë si dhe luftimeve dyvjeçare të përgjakshme të UÇK-së dhe forcave serbe. / KultPlus.com

Sulmi 78 ditor kundër serbëve

Fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës, do të niste më 24 mars të 21 viteve më parë. Ndërhyrja e NATO-s, si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.          

Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.

Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrahinë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.

Bilanci i sulmeve

Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.

Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.

Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.

Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. /KultPlus.com

NATO ka ulur në gjysmë shtizë flamujt e Shqipërisë dhe Francës

NATO ka ulur në shenjë respekti flamujt e Francës dhe Shqipërisë, pas tragjedisë që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, shkruan KultPlus.com

“Flamujt e Aleatëve tanë Shqipërisë dhe Francës janë në gjysmë shtizë jashtë Selisë së NATO-s, pas tërmetit në Shqipëri dhe për të nderuar ushtarët francezë të rënë në Mali. – në Selinë e NATO-s”, shkruan në njoftimin e tyre në Twitter.

Top Channel

24 Marsi, gëzim dhe ankth për shqiptarët

2

4 Marsi i vitit 1999 na kujton gëzimin dhe ankthin e madh, për atë çfarë do të ndodhte në Kosovë. Forcat e mëdha politike dhe ushtarake ndërkombëtare tashmë kishin marrë vendimin për fillimin e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe, me qëllimin e vetëm, ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve që po e bënte Millosheviqi me ushtrinë dhe paramilitarët e vet. Pas shumë përpjekjeve diplomatike, e vetmja zgjidhje për të ndalur ofensivat e Serbisë mbi popullin e Kosovës, ishte intervenimi ushtarak nga NATO-ja.

Në mërgimtarët e kemi përjetuar dyfishë qoftë gëzimin për fillimin e bombardimeve, por poashtu edhe ankthin e vërtetë se çfarë do të ndodhte nga hakmarrja serbe mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Shumë prej nesh kemi pasur familjet dhe farefisin në atë gjendje lufte e tmerri dhe jeta për ne në mërgim ishte rënduar shumë.

Megjithatë, roli i mërgimtarëve kanë qenë shumë i rëndësishëm, sepse shumë grupe të shqiptarëve, të organizuar në forma të ndryshme, kishin njoftuar dhe kishin sensibilizuar vazhdimisht opinionin ndërkombëtar për krimet që po ndodheshin në Kosovë. Në Suedi për shembull, shqiptarët kanë organizuar dhjetëra protesta, shumë tubime e manifestime, të cilat kanë pasur synim të vetëm, që të bëhej më shumë jehonë për çështjen e Kosovës.

Në librin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” në Suedi, është shkruar për ato zhvillime në hapësira të veçanta ku janë publikuar shumë dëshmi për gjithë ato përpjekje që janë bërë. 91 shkrime e publikime të mediave suedeze për Kosovën janë identifikuar dhe faktuar deri në librin e 9-të të librit Thesar Kombëtar…Ndërkaq, në numrin e 8 janë botuar mbi 500 faqe me lista të kontributdhënësve për fonde të ndryshme për Kosovën.

Ne mërgimtarët shqiptarë në Suedi i jemi mirënjohës në veçanti shtetit suedez, që na siguroi strehë, ushqim, punë dhe jetë. Kështu ishim në gjendje të ndihmonim, aq sa ishte e mundur, edhe njerëzit tanë në Kosovë, në kohërat më të rënda që po kalonin.

Sot shqiptarët i janë mirënjohës NATO-s dhe aleatëve të saj përjetësisht. Por, ajo histori nuk guxon të harrohet. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, do të vazhdojë të shkruaj e të ndriçojë edhe më tutje historinë nëpër të cilën ka kaluar

populli shqiptar bashkë me shumë miq tanë. Por, Shoqata jonë, inkurajon edhe të tjerët, krijues e studiues të ndryshëm, të shkruajnë dhe të lënë gjurmë për historinë e dhembshme që ka kaluar Kosova jonë.

Zoti e bekoftë NATO-n dhe aleatët e saj,
Zoti i bekoftë SHBA dhe miq tjerë perendimorë,
Zoti e bekoftë popullin shqiptar.

Hysen IBRAHMI,

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, 24 mars 2019. / KultPlus.com

Serbët protestojnë në Vjenë kundër sulmeve të NATO-s

Serbët po vazhdojnë të nxisin urrejtje kundër kosovarëve, kudo që ata janë.

Me rastin e 19 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, qytetarë serbë dje kishin dalë në Vjenë të Austrisë duke protestuar kundër Kosovës, raporton Indeksonline.
Me pankarta ku shkruhet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova e Metohija është Serbi”, ata po protestonin kundër sulmeve që NATO-ja i bëri caqeve serbe më 24 mars të vitit 1999.

Kujtojmë se sulmet ajrore ndaj forcave serbe dhe malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kurse më 11 qershor të 1999-ës, ata u detyruan të largohen nga Kosova.
Sulmet e NATO-s kishin nisur me urdhrin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili tashmë njihet si miku më i mirë i Kosovës./ KultPlus.com