Brenda tuneleve vullkanike ku mendohet se fshihen dokumentet sekrete të nazistëve

Një grup kërkuesish në Poloni kanë dalë me një teori të re sipas të cilës dokumente të rëndësishme të Gestapos janë fshehur në një rrjet tunelesh të ndërtuara nga nazistët brenda një vullkani të vjetër.

Shoqata e “Upper Lusatia” bën me dije se ka zbuluar një dokument në arkivat lokale që tregon vendndodhjen e tuneleve në qytetin e Lubanit në jug të Polonisë.

Por edhe pse janë ndërmarrë shumë ekspedita për të eksploruar tunelet, shumë prej tyre janë të paaksesueshme. Kjo ka rritur më shumë shpresën se brenda tyre fshihen shumë sende me vlerë.

Mundësia se brenda këtyre tuneleve fshihen dokumente të Gestapos bazohet në një dëshmi të ish oficerit, Kurt Heinemeyer.

I vendosur në qytetin e Krakovit nga janari i vitit 1940 deri në janar të 1945, pas arrestimit nga aleatët, Heinemeyer iu tha hetuesve se një pjesë e dokumenteve të Gestapos u çuan në qytetin Czerwona Woda, ku u shkatërruan. / Gazeta Express / KultPlus.com

Dy galeri britanike shpalosin portretin e mjekut gjerman që u rezistoi nazistëve

Portreti i Ferdinand Mainzerit, i bërë nga Lovis Corinthi, është marrë nga shteti në vend të një fature të trashëguar takse

Një portret i një mjeku gjermano-hebre që u bë aktiv në një qerthull intelektualësh që fshehtazi po u bënin qëndresë nazistëve është pranuar nga shteti në vend të një takse.

Portreti i vitit 1899 i bërë nga Lovis Corinthi për Ferdinand Mainzerin do të bashkëndahet në koleksionet e Galerisë Kombëtare në Londër si dhe nga “Barber Institute of Fine Arts” në Birmingham.

Piktura është ofruar si pjesë e skemës së quajtur Acceptance in Lieu (AiL), e krijuar me “buxhetin e popullit” nga David Lloyd George më 1910, që mundëson që objekte kulturore t’i lihen shtetit si një mënyrë shlyerjeje apo rregullim i faturave të trashëguara të taksave.

Kjo është hera e parë që një objekt u është dhënë hise dy koleksioneve, dhe kjo vepër do të shpërfaqet me rotacion mes Londrës dhe Birminghamit.

Piktura e Mainzerit – me mustaqet e tij të kullandrisura deri në përsosuri vetulla të ngritura dhe një vështrim dyshimtar mes syzeve “pince-nez” – rrezaton dritë në një burrë që pati një storie mbresëlënëse.

Mainzeri ishte gjinekolog dhe figurë aktive në rrethet avangarde në Berlinin e fillimshekullit të kaluar. Në pamundësi për të kryer operacion pas lëndimit të kokë, Mainzeri iu kthye shkrimit të historisë.

Ai pati sukses ndërkombëtar me jetëshkrimin e Jul Çezarit, që u përkthye prej anglishtes në frëngjisht dhe thuhet të ketë frymëzuar edhe librin e vitit 1948 të dramaturgut dhe romansierit amerikan, Thornton Wilder, “The Ides of March”.

Në vitet ‘30, Mainzeri u bë aktiv në qarkun Solf, një grup intelektualësh që me kokën në torbë grumbulloheshin për të diskutuar se si t’u bënin ballë më mirë nazistëve. Ishte themeluar nga Johanna Solf, gruaja e ambasadorit gjerman dhe e bija e saj, Lagi, që e ndihmoi Mainzerin dhe familjen e tij të arratisej në Angli.

Shumica e njerëzve të qarkut u ekzekutuan më 1944 pas tradhtisë së bërë nga një i infiltruar prej Gestapos. Mainzeri dhe e shoqja e tij u larguan për në Los Angeles, duke u bërë pjesë e komunitetit të mërguar gjerman që po mëkëmbej e që përfshinte edhe shkrimtarin Thomas Mann dhe regjisorin Max Reinhardt.

Ai vdiq më 1943 dhe portreti i tij u trashëgua nga stërmbesa, Gisela Stone. Ndodhej me të në Londër derisa ajo vdiq më 2016.

Corinth është larg të qenit një emër i zakonshëm, por ai ishte një artist domethënës. Deri më tani, ai ishte i nënpërfaqësuar në Galerinë Kombëtare, dhe në këtë institucion kanë thënë se marrja e këtij aseti do të ndihmojë për të shpalosur ndikimin e artit bashkëkohor të lëvizjeve të kohës në Berlin e Vjenë.

Fillimisht piktura do të paraqitet në Birmingham.

Nicola Kalinsky, drejtoreshë e Barberit, e ka vlerësuar panelin e AiL për “një vendim të peshuar e kreativ që do të lejojë këtë portret dinamik e ngacmues të shihet si në Londër ashtu edhe Birmingham”.

Ajo ka shtuar: “Në Barber, do t’u shpalosë vizitorëve tanë për cilësitë e shqueshme të Corinthit si piktor, ashtu sikurse edhe ca thjerrëza të veçanta për të parë një periudhë të trazuar të historisë evropiane”.

Pranimi i pikturës e ka zgjidhur çështjen e taksës prej 87,600 funtesh./koha/ KultPlus.com

Gjermania ndërton memorialin për viktimat polake të regjimit nazist

Më shumë se 75 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë filluar përgatitjet e përkujtimores për viktimat polake të regjimit nazist, që do të ndërtohet në Berlin.

Një komision i përbërë nga ekspertë gjermanë dhe polakë u takua për herë të parë sot për të diskutuar një koncept për memorialin, me një rezultat që pritet në fund të verës.

“Memoriali do të jetë një vend takimi dhe shqyrtimi i historisë, ku qytetarët gjermanë dhe polakë mund të takohen dhe të thellojnë marrëdhëniet e tyre”, shkruhet në propozimin e paraqitur nga parlamenti.

“Ndërsa Holokausti ulet me të drejtë në vendin qendror të kujtesës sonë, si kapitulli më i errët i historisë gjermane, diku tjetër ka boshllëqe”, tha ministri i Jashtëm, Heiko Maas, me rastin e takimit.

“Pikërisht në Poloni nisi marrëzia e luftës racore-ideologjike të shfarosjes në Europën Lindore”, shtoi ai.

Memoriali është i pari që përfaqëson një grup kombëtar të viktimave nga Lufta e Dytë Botërore në Berlin. /atsh/ KultPlus.com