Ministrja Dumoshi ndan certifikata për 150 të rinj të trajnuar në ndërmarrësi në Vushtrri e Mitrovicë


Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë bërë certifikimin e të rinjve të trajnuar për ndërmarrësi nga komuna e Vushtrrisë.

Ky trajnim është organizuar në kuadër të projektit “Aftësimi profesional për të rinj” financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projekti ka për synim që të nxisë të rinjtë në biznes dhe t’i përgatisë ata për tregun e punës. Projekti ka zgjatur katër muaj, ku janë trajnuar rreth 150 të rinj jo vetëm në Vushtrri por edhe në Mitrovicë dhe Skenderaj. Në komunën e Vushtrrisë janë trajnuar 60 të rinj për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të rrjeteve.

Ministrja Vlora Dumoshi në fjalën e saj tha: “Për mua është kënaqësi kur jam në komuna, në veçanti në ato komuna ku shihet përparimi dhe përkushtimi i punëve. Unë si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit jashtëzakonisht jam e kënaqur me bashkëpunimin të cilin e kemi pasur me kryetarin Xhafer Tahiri. Investimet që bëhen në komunën e Vushtrrisë janë investime për rininë, të cilat prekin fushën e rinisë, të tilla si Pallati i Kulturës, i cili është në përfundim, Stadiumi i Qytetit dhe Salla e Sporteve në Samadrexhë si dhe shumë projekte të tjera të cilat janë në dobi të të rinjve.”

“Puna e Ministrisë ka një angazhim të madh dhe objektivin kryesor e ka te rinia. Programi qeverisës ka paraparë këtë program të ndërmarrësisë për t’ju dhënë juve mundësinë t’i kryeni këto trajnime sepse zhvillimi ekonomik i vendit varet nga ngritja e kapaciteteve tuaja si ndërmarrës të rinj”, tha ministrja Dumoshi para të rinjve.

Tutje, ministrja Dumoshi shtoi se “në program ka qenë e planifikuar që të trajnohen vetëm 400 të rinj në 29 komuna të Kosovës, por kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve ka qenë e madhe ndaj është rritur numrin, rrjedhimisht do t’i trajnouen 1255 të rinj. Me rritjen e këtij numri unë do ta paraqes të kryeministri Hoti kërkesën që fondi për ndërmarrësi të rritet me buxhetin për vitin e ardhshëm. Ju uroj shumë suksese sepse ju jeni krenaria jonë tash për tash prandaj kërkoj që të përkushtoheni dhe t’i rritni sukseset tuaja në Kosovë.”

Ndërkaq kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se objekti i Kalasë së Vushtrrisë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se sa sot me prezencën e miqve nga MKRS dhe të rinjve pjesëmarrës.

“Dua të falënderoj ministren Dumoshi për angazhimin dhe trajnimin e të rinjve vushtrrias për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të ueb-faqeve.

Është tepër i rëndësishëm një projekt i tillë dhe besoj që të rinjtë me përvojën që kanë marrë do të arrijnë të gjejnë një vend pune dhe do të arrijnë të zhvillohen e të jenë profesionalistë.” – tha kryetari Tahiri.

Të rinjtë përfitues u shprehën falënderues ndaj ministres Dumoshi dhe MKRS-së sepse këto trajnime janë mundësia më e mirë për të arritur sukses.

90 të rinj në Mitrovicë u certifikuan në ndërmarrësi

Ndërkaq, në ceremoninë e organizuar në Mitrovicë për çertifikimin e të rinjve, morën pjesë përveç ministres Dumoshi edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtri, dhe rektori i Universitetit “Isa Boletini” Fahrush Musaj.

Ministrja Dumoshi tha se programi për ndërmarrësi është shumë i rëndësishëm dhe është objektiva kryesore të cilën e ka programi i Qeverisë së Kosovës. 

“Ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve tona, zhvillimi ekonomik në asnjë mënyrë nuk bëhet nëse nuk i kemi kapacitetet e përgatitura andaj ky ka qene një rast shume i mirë që edhe në kohë pandemie ka pasur interesim shumë të madh. Programi jonë ka qenë i planifikuar që të trajnojë vetëm 400 të rinj në 29 komuna të Kosovës, por kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve ka qenë e madhe andaj e kemi rritur numrin. Rrjedhimisht do t’i trajnojmë 1255 të rinj dhe kjo është një zile për ne që duhet të fokusohemi për më shumë programe sepse të rijnë janë të gatshëm të jene pjesë e ndërrmasrrësisë dhe të kontribuojnë në zhvillimin tonë ekonomik”, tha ministrja Dumoshi.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtri, tha se është bërë një punë e shkëlqyeshme që të rinjtë të aftësohen për ndërmarrësi dhe uroi për suksese dhe punë të mbarë në të ardhmen.

Ndërkaq rektori, Fahrush Musaj tha se janë të nderuar me praninë e Ministres Dumoshi dhe të rinjve në Universitetin e Mitrovicës. Kemi bërë punë të përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë në trajnimin e organizuar nga Agjensia Rajonale për Zhvillim në Veri të Mitrovicës.” – tha rektori.

Gjithashtu falënderoi ministren Dumoshi për mbështetjen e këtij projekti i cili ka dhënë rezultate shumë të mira.