Promovohet në shqip libri i fëmijëve ukrainas ‘Irpini është shtëpia ime’, KultPlus nderohet me mirënjohje nga kryetari i qytetit të Irpinit për promovim të vlerave të përbashkëta

Në KultPlus Caffe Gallery është bërë promovimi i librit ukrainas për fëmijë “Irpini është shtëpia ime”, në gjuhën shqipe, si dhe hapja e ekspozitës me piktura të studentëve të Fakultetit të Arteve me imazhe nga lufta, si thirrje për paqe. Libri përfshin poema, ese, dhe përralla të fëmijëve të shtetit të Ukrainës, përkatësisht të qytetit të Irpinit.

Në këtë libër fëmijët me admirim kanë paraqitur vendlindjen dhe vendet e tyre më të dashura, duke përfshirë edhe përvojat e tyre gjatë kohës dhe pas pushtimit të shkurtit të vitit 2022. Përmes artit të tyre fantastik, fëmijët e Irpinit kanë shprehur ëndërrat e tyre mbi një të ardhme pa luftë, të sigurtë dhe në paqe.

Në këtë ngjarje Kryetari i Komunës së Irpinit, Oleksandr Markushyn, përmes Organizatës së Gazetarëve të Ukrainës në Kosovë ka ndarë mirënjohje për mediumin KultPlus, duke shprehur mirënjohje të thellë për bashkëpunimin dhe promovimin e vlerave ukrainase si dhe ndërtimin e urave ndërkulturore në mes të dyja vendeve.

Këtë ngjarje e cila u mbajt në qendrën e artit dhe të kulturës, KultPlus Caffe Gallery, e udhëhoqi Anna Krasniqi, e cila me shumë shije prezantoi artin e bashkëmoshatarëve të saj.

“Jemi shumë të lumtur të ju shohim të gjithëve në KultPlus Caffe Gallery. KultPlus dhe Organizata e Gazetarëve të Ukrainës sot do të prezantojë librin “Irpini është shtëpia ime” i cili është i ilustruar nga fëmijët e Ukrainës”, ka thënë prezantuesja Krasniqi.

Ndërsa, panelistja Tetiana Kraselnykova më tutje tregoi edhe arsyen e botimit të këtij libri në gjuhën shqipe, duke falënderuar të gjithë ata që mundësuan një promovim të tillë.

“Ne duam që përmes këtij libri ju të njihni historitë e ukrainasve të vegjël të cilët kanë përjetuar frikë dhe dhimbje, e të cilët vazhdojnë të lidhen me dashurinë hyjnore dhe Fitoren e Ukrainës. Tani ka histori dhe zëra që mund t’i dëgjoni dhe lexoni në shqip falë punës së shkëlqyer të përkthyesit tonë Elvi Sidheri”, ka thënë gazetarja ukrainase Kraselnykova.

Ndërsa drejtoresha e KultPlus Caffe Gallery, Ardiana Pajaziti, tha se promovimi i këtij libri për të paraqet një ndejnjë shumë të veçantë pasi historia e autorëve të librit është e ngjajshme me atë të fëmijëve të Kosovës.

“Është një emocion shumë i veçantë për promovimin e librit ‘Irpini është shtëpia ime’, për faktin se me të drejtën e botimit të KultPlus arritëm ta sjellim edhe në gjuhën shqipe përjetimet e fëmijëve të qytetit të Irpinit, në të njëjtën kohë edhe ilustrimet nga ky qytet. Për ne kosovarët një përvojë e tillë nuk është e largët. E kemi ende në memorien tonë. Dhe pikërisht për këtë fakt, KultPlus bashkë me Organizatën e Gazetarëve të Ukrainës e kemi realizuar këtë prurje për të ngritur vetëdijen dhe për të uruar paqe jo vetëm për Ukrainën por për të gjitha vendet në krizë të luftës”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Gjatë ngjarjes promovuese u paraqitën edhe video përshëndetëse nga persona të cilët kishin kontribuar në botimin e këtij libri si krijuesja e dizajnit Sofia Martyniuk. Kurse ëmbëlsia e gjithë mbrëmjes ishte recitimi i poezive nga fëmijët ukrainas në gjuhën ëmë dhe atë shqipe, përmes së cilave shpreheshin ndjenjat dhe dëshirat e tyre më të thella për vendlindjen e tyre e cila tashmë është vatër e luftës.

Krejt në fund të ngjarjes, të pranishmit patën rast për të shijuar ekspozitën me punime nga studentët e Fakultetit të Arteve, për të blerë pikturat dhe librin e sapo promovuar. Ndërkaq Zyra e Presidentes së Kosovës, e përfaqësuar nga Donika Kadaj- Bujupi bleu libra në vlerë prej një mijë euro, të cilat do të shpërndahen në shkollat e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Sopranoja Inva Mula nderohet me titullin ‘Ambasadore e Paqes’

Sopranoja shqiptare Inva Mula është nderuar me titullin ‘Ambasadore e Paqes’ nga Koalicioni “Gratë, siguria dhe paqja”. Në fjalën e rastit, sopranoja e njohur që ka shënuar sukses edhe në skenën ndërkombëtare, ajo dha një mesazh për forcën e rolin e gruas.

“Gjithë jetën kam udhëtuar në teatrot më të mëdhenj të botës dhe kam pasur kontakt me nivele të ndryshëm të shoqërisë dhe kam pasur kontakte, me mbretër, presidentë, njerëz të thjeshtë, fëmijë dhe gra që kanë parë te unë një model. Dhe unë jam përpjekur dhe përpiqem që këtë model ta jap jo me Invën që shohim në skenë, me fustanet e bukura e me make up, por me Invën e thjeshtë që është nënë, që edukon dy fëmijë dhe që mundohet të jetë në radhë të parë shembull për fëmijët e vet”, tha Mula.

Sopranoja foli edhe për familjen si gjenezë e modeleve që japim në shoqëri.

“Unë përpiqem ta edukoj djalin që të trajtojë vajzën që ka në krah ose gruan që do ketë nesër, siç do të donte ai që të tjerët të trajtonin nënën e tij. Modelet nisin aty, unë e di që nuk është e lehtë, pozicioni i gruas shqiptarë është një pozicion që do shumë punë për ta vendosur gruan aty ku duhet”, tha Mula.

Ndërsa u nderua me një titull që nxit pikërisht përmirësimin e gruas në shoqëri, mesazhet e saj e vunë thelbin te familja. Ndërsa citoi Nënë Terezën, Mula tha se paqja e siguria nis me familjen./balkanweb/ KultPlus.com

Nderohet albanologu Mehmet Rukiq

Instituti Albanologjik ka mbajtur mbledhje përkujtimore për albanologun e ndjerë, Mehmet Rukiqi. Me këtë rast u tha se Rukiqi ka dhënë kontribut të madh në pajtimin e gjaqeve, ndërsa vdekja e tij u cilësua si boshllëk i madh për Institutin.

Me këtë rast u tha se ai gjatë gjithë karrierës së tij nuk u ndal së dokumentuari folklorin.

“Në folkloristikën kosovare konsiderohet si një ndër nxënësit dhe studentët më të zellshëm të Anton Çettës. Me profesorin Anton Çetta bashkëveproi ngushtë në një ndër lëvizjet më të rëndësishme në historinë e vendit Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve”, tha Lulzim Lajqi, drejtor i IAK-së.

“Gjyshin Mehmet e kam të vështirë ta prezantojë në të gjitha dimensionet e tij. Në vogëlsinë time e kam të vështirë të përmbledhë me pak fjalë të denja për një fjalë rasti në këtë ceremoni për tërë atë trashëgimi çka na e la gjyshi”, tha nipi i të ndjerit, Berat Rukiqi.

Shoku e kolegu i tij shumëvjeçar, akademik Mehmet Halimi, e përkujtoi përmes një anekdote të tij.

“Në të pame kur të shkojnë, tha: Po thotë hoxha s’ka qare pa vdekë. Njëri prej tyre e shtroi një pyetje: A bon mos me vdekë? Tha: Bon. Qysh? Ai që punon për popull e atdhe nuk vdes kurrë. Ne jemi të përkohshëm, ndërsa veprimtaria jonë është e përhershme. Mehmet Rukiqi nuk vdes kurrë. Veprimtaria e tij mbetet e përjetshme”, tha Halimi.

Mehmet Rukiqi njihet si autor i vëllimit të veprave “Anekdota popullore” e “Këngë dasmash” dhe misionit të tij të mbledhësit të krijimtarisë gojore shqiptare së bashku me Anton Çettën.

Mehmet Rukiqin punoi në Institutin Albanologjik të Kosovës për 30 vjet./ rtk/ KultPlus.com

ABBA nderohet me një prej titujve më prestigjiozë të kalorësisë në Suedi

Grupi  suedez, ABBA është nderuar me një prej titujve më prestigjiozë të kalorësisë në Suedi, i cili nuk i është dorëzuar askujt në të paktën 50 vjet.

Agnetha Faltskog, Bjorn Ulvaeus, Benny Andersson dhe Anni-Frid Lyngstad morën “Urdhrin e Vasa” në Stokholm. Ata u bënë “Komandantë të Klasit të Parë” të urdhrit për “arritje të jashtëzakonshme në jetën muzikore suedeze dhe ndërkombëtare”.

Titujt u dorëzuan nga mbreti King Carl XVI Gustaf, në pallatin mbretëror dhe ceremonia u transmetua drejtpërdrejt në televizionet suedeze.

Kjo ngjarje ndodh 50 vite pas fitores së ABBA në Eurovizion në Brighton me këngën “Waterloo” që i ka bërë të jenë më të suksesshmit në historinë e kompeticionit muzikor.

Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

Në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit të mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, poeti kosovar me famë botërore, Lulzim Tafa, u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm për paqen dhe humanizmin përmes veprës së tij letrare.

Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku figura të shquara nga komuniteti botëror i artit dhe kulturës, vlerësoi ndikimin e thellë të Tafës në botën e poezisë dhe përkushtimin e tij për kauzat humanitare.

Njëri nga organizatorët e Ditës Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv, në fjalën e tij e çmoi punën e poetit Lulzim Tafa, duke vënë në dukje lidhjet e thella që ai ka krijuar me poetët izraelitë.

“I nderuar profesor Lulzim Tafa, sot po zhvillojmë një aktivitet të rëndësishëm të poezisë nën titullin Dita Ndërkombëtare e Frymëzimit dhe kemi nderin të përfshijmë poezinë tuaj në të, pas lidhjeve që janë krijuar mes jush dhe poetëve izraelitë që vlerësojnë shumë poezinë e juaj dhe aktivitetet tuaja humanitare”, tha në fjalën e tij njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Ai përmendi rolin e dyfishtë të Tafës si një poet i dalluar dhe një humanist të përkushtuar.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve në këtë ngjarje, ai lexoi edhe një nga poezitë e Lulzim Tafës, “I fuqishmi”, të përkthyer në hebraisht.

Lidhur me këtë ngjarje, poeti Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për nderin që iu bë nga komuniteti i artit dhe kulturës në Tel Aviv.

Ai, përmes një postimi në facebook, tha se u ndje i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri i tij dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel.

“Një nderim i madh qenka bërë për mua dhe poezinë time, në ditën ndërkombëtare të inspirimit, në Tel Aviv. U ndjeva i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri im dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel”, shkroi poeti Tafa.

Lulzim Tafa është njëri ndër poetët e spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai është ka shërbyer për vite si profesor në fushën e drejtësise dhe si rektor në Kolegjin AAB, një nga institucionet më të mëdha arsimore jo publike në rajon.

Arritjet letrare të Tafës janë të njohura në mbarë botën. Në fund të vitit 2023, Lulzim Tafa është nderuar me titullin “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga shteti francez, çmimi më i lartë në fushën e artit dhe letërsisë, i dhënë nga Franca. Këtë titull prestigjioz ia ka dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, në emër të presidentit Emmanuel Macron.

Poezia e Tafës, e njohur për temat e saj të thella dhe rrezonimin emocional, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë frëngjishten, anglishten, gjermanishten, hebraishten, italishten, serbishten, kroatishten, malazezishten, boshnjakishten, rumanishten, arabishten, greqishten, turqishten dhe suedishten. /atvlive.tv/ KultPlus.com

Festivali ‘SITFY Polonia’ nderon aktorin Mirsad Ferati dhe dramaturgun francez Jean-Pierre Martinez


Festivali ‘SITFY Polonia’, i kryesuar nga artisti dhe regjisori Mazen El-Gharabawy, do të nderojë dramaturgun francez Jean-Pierre Martinez dhe aktorin dhe regjisorin Mirsad Ferati (Kosovë), në edicionin e tij të parë, i planifikuar të zhvillohet midis prillit (20-23). 2024. Të dy të nderuarit janë figura ikonike teatrale dhe karriera e tyre është plot me vepra të larmishme.


Dramaturgu dhe dramaturgu Jean-Pierre Martinez është shumë-talent. Ai është një akademik i diplomuar në ekonomi dhe marketing. Martinez studioi letërsi spanjolle dhe angleze në Universitetin e Sorbonës, së bashku me gjuhësinë, semiologjinë dhe skenarin. Ai gjithashtu luan bateri në shumë grupe rock. Për më tepër, ai punoi si specialist reklamash në kompani të mëdha konsulence dhe shkroi skenare televizive. Martinez dha mësim frëngjisht në një universitet në Teksas dhe dha mësime shkrimi në Paris. Aktualisht, ai është një dramaturg, dramat e të cilit prodhohen në të gjitha kontinentet e botës. Martinez shkroi mbi 100 drama dhe dramat e tij u përkthyen në shumë gjuhë, përfshirë anglishten. Ai është një nga dramaturgët më të suksesshëm evropianë. Dramat e tij interpretohen në të gjithë globin dhe mësohen në shkollat përgatitore, të mesme dhe të mesme, si dhe në universitete në Francë dhe jashtë saj.

Mirsad Ferati është aktor dhe regjisor nga Mitrovica e Kosovës. Është themelues dhe drejtor artistik i “Mittrix Fest” prej 14 vitesh. Ferati ka magjistruar për aktrim në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Ai luajti role të shumta në shfaqje teatrale, filma, seriale, programe radiotelevizive dhe stand-up komedi. Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ka punuar si drejtor i Qendrës kulturore “Rexhep Mitrovica”, pastaj drejtor i teatrit profesional në Mitrovicë. Në vitin 2011, Ferati u bë aktor, shkrimtar dhe producent në Mitrix Culture. Ai është anëtar i AITA/IATA. Për më tepër, ai është themelues dhe producent i Festivalit “Të rinjtë në skenë”, dhe anëtar i rrjetit global të universiteteve teatrore, RITU.

Ferati mori çmime të shumta në festivale teatrore në mbarë botën, duke përfshirë: Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Apollo” (2012), dhe “Ditët e Komedisë Shqiptare”, Preshevë (2017). Ferati luajti mbi 50 role në skenë në “Sekretet e dashurisë”, “Gjashtë personazhe në kërkim të një autori”, “Mbretëresha pa kurora”.

Shfaqjet pjesëmarrëse, që do të garojnë për çmimet e edicionit të parë, janë si më poshtë: shfaqja e nderit, “Një vrasje e vogël e pafajshme” (Kosovë), “Twór” (Poloni), “Mos na hakmerre” (Rumani), ” Burrnesha – Virgjëresha e betuar” (Itali), “Maxima Star” (Spanjë), “Diçka po gërryen në kokën time” (Oman), “një grua në telashe” (KSA) dhe “Siemprevivas” (Spanjë)./SiftyPoland/KultPlus.com

Getta Beqa ndeohet me medaljen ‘Mirënjohja e Qytetit’, Veliaj: Krenar për vajzat dhe gratë shqiptare që kanë suksese në botë

Kampionia botërore në sportin e Bodybuilding, Getta Beqa, u nderua me Medaljen e “Mirënjohja e Qytetit” nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në pritjen e organizuar për sportisten e njohur, Veliaj e falenderoi për suksesin e arritur dhe shtoi se është krenar për suksesin e të gjitha vajzave në sport.

“Getta është ambasadorja më e mirë e të gjithë shqiptarëve në bodybuilding. Fakti se sot je jo vetëm kampione e vendit, kampione e Ballkanit, por edhe kampione e Europës dhe e Botës, tregon se vajzat tona mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ne jemi shumë krenarë për ty, edhe për modelin që përçon! Ka shumë sportistë të mirë që nuk janë doemos modele të mira. Ndaj, të jam vërtet mirënjohës, se na ke nderuar kaq shumë dhe në shenjë të kësaj mirënjohje, dua të të dhuroj medaljen e Mirënjohjes, që u jepet personaliteteve që na kanë ngritur kokën lart. Mezi pres datën 29 janar, kur ne do të kemi ceremoninë përmbyllëse të Tiranës si “Qyteti Evropian i Sportit”, titull që tani, këtë vit do ta vazhdojë Vlora dhe Prishtina, dhe me shpresë do frymëzohen shumë qytete të tjera shqiptare, të inkurajojnë sportistët elitarë, por edhe sportin në komunitet”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, Getta Beqa, kampionia me origjinë shqiptare e kampionatit botëror të Bodybuilding, falenderoi bashkinë e Tiranës për gjithë mbështetjen që i jep sportit shqiptar. “Kryetari tha fjalë të cilat më emocionuan vërtet. Ishin fjalë që lartësuan edhe më shumë të gjitha sukseset që kam arritur. Shpresoj të jem model i të gjitha vajzave që munden të krijojnë familje, që munden të arrijnë gjithçka duan, munden t’i bëjnë të gjitha. Vetëm me kokën lart dhe duke punuar shumë!”, u shpreh ajo.

Getta Beqa ka shënuar një sukses të madh në kampionatin Botëror të Bodybuilding, që është mbajtur në Spanjë, duke u vlerësuar me medalje të artë./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani nderohet me titullin ‘Patroni i Kalasë’

Në Berat, po zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentes së Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani -Sadriu. Asaj do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitojë Kishën e Shën Mërisë dhe Muzeun Onufri.

Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

Presidentja me këtë rast ka theksuar se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo ka deklaruar se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.

Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla./RTK/KultPlus.com

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

TIFF nderon Viktor Gjikën në 80 vjetor, në Arkivin e Filmit shfaqen katër filma të viteve ’70-’80

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon Fokus: Viktor Gjika – një program i kuruar në kuadër të TIFF – Tirana International Film Festival.

Filmi “Rrugë të bardha” prodhim i viti 1974 me regji nga Viktor Gjika u shfaq mbrëmë për publikun për t’ia lënë pas vendin dhe tre filmave të tjerë. Në vijim për publikun do të jenë filmat “I teti në bronz” i viti 1970, “Në çdo stinë” i vitit 1980 si dhe i fundit do të jetë filmi “Njeriu me top” i vitit 1977. Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i cili nuk ka munguar me role në filmat e Viktor Gjikës pohon se regjisori Gjika në ekranin e madh skaliti karaktere të fuqishme në kinemanë shqiptare.

“Viktor Gjika ka krijuar historinë e shekullit 20 të shqiptarëve përmes ekranit. Në ekranin e madh skaliti karaktere të fuqishme, të cilët me anë të veprimeve artistike kanë bërë përgjithësime të pashlyeshme të shqiptarëve”, u shpreh regjisori i njohur Mevlan Shanaj.

Sipas tij para kamerës së Viktor Gjikës u shpalon mjeshtëria e emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare ndër vite.

“Viktor Gjika foli përmes heronjve dhe njeriut të thjeshtë gjuhën e përpjekjes për rezistencë. Para kamerës së regjisorit Gjika u shpalosën mjeshtria e Sandër Prosit, Rikard Ljarjes, Bujar Lakos, Timo Fllokos, Pandi Raidhit, Robert Ndrenikës, e dhjetëra-dhjetëra të tjerë”, vijon në reagimin e tij regjisori Shanaj, i cili e vlerëson jo pak dhe shfaqjen e filmave në kinemanë e AQSHF. Edhe vetë Arkivi i Filmit fton publikun që deri më datë 9 nëntor të ndjekë filmat e regjisorit të njohur.

“Me kënaqësi ju njoftojmë se rikthehen në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit projeksionet në 35mm, me risinë e subtitrimeve në anglisht, për të gjithë dashamirësit e kinematografisë shqiptare. Ju mirëpresim, ju dhe miqtë e huaj, në kinemanë e AQSHF-së nga data 6 -9 Nëntor 2017, ora 17:30 në Fokus: Viktor Gjika në kuadër të TIFF. Katër filma nga mjeshtri ynë”, thuhet në njoftimin e arkivit.

Vepra filmike e Viktor Gjikës

Viti 2017 shënon atë që do të ishte ditëlindja e 80-të e regjisorit shqiptar Viktor Gjika (1937-2009). Me këtë rast, TIFF paraqet katër nga veprat e tij më të njohura në gjininë e filmit artistik, ashtu siç meritojnë të shihen, në ekran të madh dhe të projektuara në 35mm në sallën e kinemasë në AQSHF (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit). Këto katër tituj; “Rrugë të bardha” “I teti në bronz”. “Në çdo stinë” dhe “Njeriu me top” sipas AQSHF përfaqësojnë aftësitë e padiskutueshme të Gjikës për të bashkëpunuar me disa nga skenaristët, kinematografët dhe aktorët më të shquar të epokës së Kinostudios “Shqipëria e re”. “Secili prej tyre ka një kontribut të vazhdueshëm dhe nganjëherë kontrovers në kinematografinë e këtij vendi. Puna e Viktor Gjikës si përcaktuese e zhanrit të filmit artistik dhe kryesisht e panjohur jashtë kufijve të Shqipërisë, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës”, vijon njoftimi i arkivit. I lindur në qytetin jugor të Korçës, “Parisit të Vogël” të Shqipërisë, Viktor Gjika u rrit i mrekulluar nga shfaqjet e filmave në kinemanë e qytetit të tij, Majestic (salla më e madhe në Ballkan në atë kohë). Gjatë viteve 1950, kur Shqipëria ishte në sferën e ndikimit sovjetik, Gjika përfundoi studimet në Institutin e Kinemasë VGIK në Moskë. Gjatë gjithë jetës së tij artistike, Gjika realizoi pesëmbëdhjetë filma artistikë dhe njëzet e gjashtë dokumentarë. Gjika filloi karrierën e tij si kameraman në filmin e Hysen Hakanit “Debatik” (1961) dhe Detyrë e posaçme” të Kristaq Dhamos (1963). Pas realizimit të një sërë dokumentarësh, Gjika u kthye në regji me filmin “Komisari i dritës” (1966), duke mbajtur për dy dekada një nga shtyllat e kinemasë komuniste shqiptare. Për shumë shqiptarë, tituj të njohur si “Horizonte të hairta” (1968), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Gjeneral gramafoni” (1978) janë kthyer në pika referimi kolektive për të rinjtë apo për më të vjetrit, duke anashkaluar kështu ideologjinë ndonjëherë të rëndë të pranishme në këto filma. Në vitin 2012, Projekti i Kinemasë Shqiptare, një iniciativë e themeluar për të sjellë vëmendjen në trashëgiminë e rrezikuar filmike shqiptare, ka punuar me kompaninë amerikane Colorlab për të financuar restaurimin e filmit “Nëntori i dytë” (1982) të Viktor Gjikës. Një nga më të kushtueshmit të realizuar në epokën e Kinostudios, ky film është një kronikë e gjerë mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi. Premiera e filmit të restauruar pati një shfaqje triumfuese në Tiranë në njëqindvjetorin e ngjarjeve të përshkruara në epikën e Gjikës. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com