Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka publikuar një fotografi, ku tregon se ndërtesa e Kuvendit është ndriçuar me ngjyrë rozë, në shenjë solidarizimi me të gjitha ato nëna, gra, e vajza, të cilat përballen me kancerin e gjirit.
Ky është postimi i plotë i saj:
Sot, në kuadër të muajit kundër kancerit të gjirit, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës është ndriçuar me ngjyrë rozë, në shenjë solidarizimi me të gjitha ato nëna, gra, e vajza, të cilat përballen me kancerin e gjirit. Për t’i kujtuar ato që na lanë dhe për t’i inkurajuar edhe më tej ato që ngadhënjyen në këtë sfidë.
Rrëfimi i tyre duhet të jetë mësimi më i mirë për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të shpeshta te gratë, andaj është jetike të rritet vetëdija qytetare dhe të praktikohet kontrolli te mjeku. Njëkohësisht, institucionet përgjegjëse duhet t’i rrisin kapacitetet për diagnostikim dhe trajtim të sëmundjes.
Detektimi i hershëm shpëton jetë! / KultPlus.com