Zjarri i egër është përhapur fuqishëm në kampusin pranë Universitetit të Cape Town, pikërisht në ‘Table Mountain’, me ç‘rast është prekur edhe biblioteka historike ‘Jagger’ e universitetit, duke detyruar kështu evakuimin e qindra studentëve, transmeton BBC News, përcjellë KultPlus.
Mëngjesin e së dielës zjarri ka shpërthyer pranë një memorial për politikanin Cecil Rhodes duke shkatërruar një restorant dhe mjaft ndërtesa të tjera.
Për momentin, katër helikopterë dhe më shumë se 120 zjarrfikës janë në zonë dhe po bombardojnë me ujë flakët të cilat po përhapen shpejt për shkak të erës së zjarrit, lagështisë së ulët dhe shkurret e thata.
Parqet Kombëtare të Afrikës së Jugut kanë thënë se zjarrfikësit u njoftuan në ora 09:00 me kohën lokale dhe sipas tyre do t’u duhen të paktën tre ditë për të kontrolluar flakën.
“Të gjithë studentët e UCT janë evakuuar nga kampusi nga stafi mbështetës i shërbimeve të urgjencës”, ka thënë universiteti në Twitter. Kurse banorët e zonës janë paralajmëruar që të mbyllin dritaret dhe dyert për shkak se ajri do të ndotet me tym dhe blozë.
Ndërkohë alpinistëve në Parkun Kombëtar ‘Mountain Table’, u është kërkuar që të largohen dhe shoferëve që kanë parkuar në zonë u është thënë të mbledhin automjetet e tyre.
Sipas rrethanave, ana hetuese fillestare ka supozuar se origjina e zjarrit është shkaktuar nga një zjarr endacak i liruar. / KultPlus.com