Vazhdon tejkalimi i lejeve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit

Praktika e mos respektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon. Sipas zyrtarëve të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, rasti i fundit i kësaj natyre po ndodh në objektin përballë Xhamisë së Sinan Pashës.

Zyrtarët e QRTK-së thonë se për objektin në fjalë nga organet kompetente është lëshuar leja për renovim të brendshëm dhe për rregullimin e kulmit, por se kjo leje nuk po respektohet gjatë kryerjes së punimeve. Gjithashtu pohojnë se 3 here brenda 2 javëve QRTK ka lajmëruar inspektoratin e Komunës së Prizrenit dhe se ky organ nuk ka reaguar lidhur me këtë rast.

EC Ma Ndryshe përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit, gjë që bazuar në informatat e fundit nga QRTK-ja nuk po ndodh. EC po ashtu përkujton se drejtuesit e QRTK-së, vitin e kaluar konfirmuan se në 90 për qind të lejeve ndërtimore për objektet në Qendrën Historike të Prizrenit ka tejkalime të natyrave të ndryshme, si në gabarit, në etazhitet, në detaje apo në fasada.

Në vizitat e fundit në Prizren, udhëheqësit e ministrive të MMPH-së dhe të MKRS-së janë zotuar për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave në Qendrën Historike të Prizrenit. EC konsideron se është koha e fundit që këto institucione të veprojnë më konkretisht për zbatimin e legjislacionit për këtë zonë të mbrojtur dhe funksionalizimin e inspektoratit qendror, pasi që ai lokal deri më tani ka dështuar në vendosjen e rregullit në këtë hapësirë./ KultPlus.com

Pezullohet ndërtimi në Parkun e Butrintit, ultimatumi erdhi nga UNESCO

Në Butrint janë ndërprerë punimet. Ministrja e Kulturës këtë e konfirmoi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, kur po diskutohej Buxheti 2018.

Por edhe në këtë mbledhje vëmendja e komisionit u zhvendos në çështjen ende sensitive, Butrintin.

Pjesë nga debati Vokshi-Kumbaro transmetoi TCh, si në vijim:

Vokshi: A janë ndërprerë punimet?
Kumbaro: Po, derisa të shterohen të gjitha pyetjet.
Vokshi: Ngaqë tha UNESCO, ndaj janë ndërprerë?

Kumbaro: Jo.
Vokshi: Do mbani përgjegjësi nëse gënjeni.
Kumbaro: Më lini të shpjegohem.

2 miliardë lekë është buxheti i vitit të ardhshëm për Ministrinë e Kulturës ndërsa prioriteti i ministrisë do të vendoset në tre shtylla kryesore: Rikonstruksioni i Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe Galerisë Kombëtare të Arteve./ KultPlus.com

Zbulohet se si janë ndërtuar piramidat në Giza

Arkeologët kanë gjetur fakte mahnitëse, të cilat zgjidhin njërin nga misteret më të mëdha në botë – se si shoqëria nga periudha e bronzit, e cila nuk ishte e zhvilluar nga ana teknologjike, arriti të zhvendosë blloqe të mëdha graniti dhe gurë gëlqerorë me të cilat janë ndërtuar piramidat në Giza.

Zbulimi i fundit i mbishkrimit në papirusin antik, anijes së drurit dhe sistemit gjenial të sistemeve të kanaleve të ujit, ka hedhur një dritë të re mbi infrastrukturën impozante, të cilën e kanë krijuar ndërtuesit e Gizës.

Në papirusin e gjetur në portin Vadi el-Jarf, përshkruhet në detaje se si 170.000 tonë të gurëve prej gëlqeres janë bartur nga lumi Nil deri në Gizë, transmeton ksp.
Punëtorët vendosën blloqet në anijet prej druri, që ishin të ndërlidhura me litarë, dhe pastaj anijet lundronin nëpër kanale deri në portin e brendshëm, i cili ndodhej vetëm pak kilometra larg piramidës.

Punëtorët përmes rrugës së kanalit ndryshuan edhe kahun e lumit Nil.

Edhe pse prej kohësh ishte e njohur se blloqet e granitit janë furnizuar nga Asuani, 855 metra në jug të Gizës, dhe blloqet e gurit gëlqeror nga Tura, tetë kilometra më tej, arkeologët nuk ishin dakorduar për faktin se si materiali ndërtimor ishte transportuar saktë.

Mbetjet e kanalit u gjetën nën platonë e pluhurosur në Giza. Po ashtu është gjetur edhe pishina kryesore, ku kryheshin dërgesat kryesore.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në realizimin e projektit, shkruan Daily Mail./ KultPlus.com