Mediat ndërkombëtare shkruajnë për ndërprerjen e ndeshjes Kosovë-Rumani

Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje ndeshjes Kosovë-Rumani, e cila u ndërpre pasi tifozët rumunë fyen në baza racore ekipin kombëtar të Kosovës në futboll.

Agjencia e Lajmeve Reuters, shkruan se ndeshja e Ligës së Kombeve midis Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht u ndërpre në kohën e pushimit të premten pasi lojtarët vizitorë dolën nga fusha kur dëgjuan brohoritjet pro Serbisë nga tifozët vendas.

Kjo agjenci shkruan se Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për thirrjet pro Serbisë dhe vendosjen e një pankarte ku shkruhej “Kosova është Serbi” nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Euro 2024 midis vendeve në të njëjtën Arenë Kombëtare.

Edhe Agjencia e Lajmeve APshkruan se ndeshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre në kohën e pushimit dhe më pas u ndërpre me rezultatin 0-0 në Bukuresht.

AP raporton se Organizata Evropiane e Futbollit(UEFA) nuk shpjegoi pse ndeshja u ndërpre, por lojtarët e Kosovës thuhet se u mërzitën kur dëgjuan slogane pro-serbe.

“Ndeshja e Ligës së Kombeve të UEFA-s ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë. UEFA do të komunikojë informacione të mëtejshme në kohën e duhur”, thuhet në faqen e saj të internetit.

Edhe mediumi publik britanik BBC, shkruan se ndeshja e Ligës së Kombeve të Rumanisë kundër Kosovës u ndërpre në kohën e pushimit pasi tifozët vendas dyshohet se bërtisnin “Serbia”.

“Lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha pas thirrjeve të supozuara, me rezultatin 0-0 në vetëm disa sekonda për të mbetur, dhe nuk u kthyen për të përfunduar lojën. Gjyqtari dha më shumë se 30 minuta më vonë. Lojtarët e Rumanisë kishin qëndruar jashtë në fushë në Arenën Kombëtare të Bukureshtit”, raporton BBC.

Faqja e internetit e UEFA-s tha: “Ndeshja e Ligës së Kombeve të UEFA-s ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë. UEFA do të komunikojë informacione të mëtejshme në kohën e duhur.”

BBC kujton se Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990, Kosova kërkoi pavarësinë. BBC shkruan se Serbia u përgjigj me një goditje brutale kundër shqiptarëve që përfundoi në vitin 1999 pas një fushate bombardimi të NATO-s kundër Serbisë./rtk/ KultPlus.com

Lorik Cana e DeBiasi, në dokumentarin për dronin dhe ndeshjen Serbi-Shqipëri (VIDEO)

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

Sarandë Selimi

Edhe katër ditë mbushen plotë tri vite nga ndeshja e parë e mbajtur mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kryeqytetin serb Beograd. Nuk ka shqiptarë që atë ditë nuk ndjeu veten krenarë me atë që ndodhi midis fushës së madhe të futbollit në Beograd. Aty u lëshua droni me flamurin ‘Autokton’, ku ishte harta e Shqipërisë së Madhe bashkë me dy figura të shquara të kombit shqiptarë si Isa Boletini e Ismail Qemaili.

Çka ndodhi në Beograd nuk ishte aspak e hijshme, duke pas parasysh sjelljet e vrazhda të tifozëve serbë të cilët edhe eskaluan duke u futur në fushë e duke sulmuar lojtarët e kombëtares shqiptare. Por ajo që ndodhi skaliti një histori të re midis këtyre dy kombeve. E krejt kjo histori erdhi si inspirim për shumë artisë. Disa bënë këngë e tashmë disa kanë bërë edhe film dokumentar. Një film i cili nuk pretendon të mbetet brenda kufijve shqipfolës. Një film i cili do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Varshavë, festival ky i cili mbahet në datat 19-20 dhe 21 tetor. Është ‘Triumph’ apo ‘Triumf’.

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

“Projekti nisi me ndeshjen kundër Portugalisë. Bashkë regjisori Luftar Von Rama dhe unë pamë një mundësi të mirë për të treguar historinë e lojtarëve shqiptarë që u kthyen dhe donin të paraqitnin diçka të bashkuar. Kur incidenti i dronit ndodhi në Beograd, me të vërtetë e ktheu këtë në një histori globale do thosha, e pikërisht kjo na e dha mundësinë që të kishim një kulm dramatik në film”, tha fillimisht për KultPlus, Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të trego historitë që ngërthen në vete ky dokumentar.

“Filmi përmban elemente të ndryshme. Me ekipin tonë kemi qenë disa ditë para ndeshjes së Serbisë dhe Shqipërisë në Elbasan, kështu që, ka shumë momente personale para ndeshjes dhe para kualifikimit. Ekziston gjithashtu një kthim në storie siç janë historia shqiptare, lufta e Kosovës e poashtu ka pjesë edhe të lojtarëve që jetojnë me familjet e tyre”, pohoi Jonuzi.

Ky projekt fillimisht u titullua ‘Beteja në Ballkan’, por pas kualifikimit, historia e rriti këtë parashikim. Kësisoj ‘ Triumph’ ishte ajo që sipas Kreshnik Jonuzit, e përfaqësonte më së miri këtë dokumentarë, pasi që, këtë e ndjeu secili lojtarë dhe pikërisht ky ishte drejtimi i tyre kryesor, pra për të triumfuar.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e disa të tjerë.

Krejt ky projekt sipas Kreshnik Jonuzit ishte një rrugë e gjatë dhe ende nuk është përfunduar e tëra.

“Ende nuk e kemi përfunduar. E kemi nisë procesin ditën kur droni ka parakaluar në Beograd. Kemi xhiruar përgjatë 2015-2016 dhe më pas e kemi editu filmin deri këtë vit. Tash jemi në fazën kur po angazhohemi për të drejtat e autorit dhe po e qojmë dokumentarin në festivale. Shkuarja në Varshave shpresoj që do të na ndihmojë”, theksoi për KultPlus Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të tregoj se për në Festivalin e Filmit në Varshavë, fillimisht kanë aplikuar dhe para disa muajsh janë pyetur nëse duan ta kishin premierën botërore atje.

Kreshnik Jonuzi, tha për KultPlus, se kjo ftesë i ka nderuara dhe se mezi presin që ta shfaqin filmin e tyre premierë botërore në Varshavë.

Krejt në fund të këtij rrëfimi, Kreshniku tregoi se këtë film dokumentar e kanë bërë me buxhet shumë të ulët dhe kanë pasur ndihmë nga donacionet e komuniteteve në Amerikë. Ai tha se Lorik Cana ka qenë një ndihmë shumë e madhe për filmin që nga dita e parë e deri më sot./ KultPlus.com