Përkujtohet poeti Ndoc Gjetja në 80-vjetorin e lindjes! Zogaj: Ishte mik i gjithë letrarëve

Në kujtim të poetit të ndjerë, Ndoc Gjeta, u organizua një veprimtari përkujtimore në Lezhe me rastin e 80-vjetorit të tij.

Lezha solli në kujtesë poetin dhe humanistin e madh Ndoc Gjetja. Në 80-vjetorin e lindjes së tij, u organizua një veprimtari përkujtimore, ku merrnin pjesë studiues, shkrimtar e bashkëpuntor të poetit.

“Ndoci për të gjithë ne është një kujtim i bukur, është pjesë e trashëgimisë. Një portret, një figurë e çmuar”, tha shkrimtari Preç Zogaj.

Poeti Ndoc Gjetja u nda nga jeta 14 vite më parë në moshën 66-vjeçare pas një  sëmundje të rëndë. Autor i disa vëllimeve poetike si “Rrezatim”, “Qëndresa”, “Çaste”, “Kthimet”, “Dhjata ime”, “Biri i njeriut”, Gjetjen e kanë cilësuar si “poet humanist”.

Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra,  dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Mbi varrin e njeriut të madh dhe poetit të shquar Ndoc Gjetja, janë shkruar këto vargje, shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë me dorën e tij:

Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja

 I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë

Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha

Dhe gjithë njerëzit i quante shokë”./Shqiptarja.com/KultPlus.com

Ndoc Nikaj, romancier, publicist dhe historian

Meshtari shkodran Dom Ndoc Nikaj, është cilësuar si figurë poliedrike. Meshtari në shërbim të Zotit e të popullit shqiptar, duke mbështetur idenë kombëtare. Lindi në Shkodër më 15 qershor 1865, ndërsa ndërroi jetë në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951.

Veprimtarinë letrare e filloi kur ishte ende nxënës në seminarin Papnor në Shkodër, ku po përgatitej për meshtari. Pas epitetit si romancieri i parë nga studiuesit e historisë, letërsisë e të gjuhës, është veçuar si personalitet që nëpërmjet veprimtarive dhe shkrimeve të tij ia ka kushtuar jetën çështjes kombëtare shqiptare. U shqua në botimet historike, si dhe letrare (romane me sfond historik).

Nën mbishkrimin “Libërtore historike” dhe me inicialet NDN (për t’i shpëtua ndjekjeve të pushtuesit) ai botoi në gjuhën shqipe në Bruksel, me ndihmën e shoqërisë atdhetare “Përlindja e Shqiptarëve” një histori të Shqipërisë me titullin “Historia e Shqypnisë që në fillesë e deri në kohë kur ra në dorë të turkut”. Vepra u botua më 1902. Siç shihet, kjo ishte pjesa e parë e Historisë së Shqipërisë. Pjesën e dytë deri në shekullin e 20-të e pati gati, po nuk mundi ta botojë, veçse më 1917 të plotë në Shkodër (pjesa I dhe II). Por, me gjithë të metat metodologjike e kufizimet, veprat historike të Dom Ndoc Nikajt ndikuan në njohjen e historisë dhe në ngjalljen e krenarisë sonë kombëtare. Këtij qëllimi i shërbyen edhe romanet e tij me sfond historik.

Akademiku Rexhep Qosja shprehet, se nga historiografia shqiptare Dom Ndoc Nikaj nuk është trajtuar aq sa e ka merituar. Në vitet 1910-1921, ai nxori njëra pas tjetrës gazetat “Bashkimi” dhe “Besa Shqyptare”. Sidomos bëri emër si prozator, si një ndër nismëtarët e llojit të romanit në letërsinë shqiptare. Megjithëse jetoi gjatë, si shkrimtar i përket dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit të 20-të. Që nga viti 1913 e deri më 1920 shkroi dhe botoi romanet “Shkodra e rrethueme” (pjesa I, 1913, pjesa II, 1914), “Fejesa n’djep” ose “Ulqini i marrun” (1913), “Bukurusha” (1918), “Burbuqja” (1920), “Lulet në thes” (1920), një pjesë e të cilave ishin romane historike dhe dramën “Motra për vëllan” (1924).

Në romanet e tij vend të rëndësishëm zë tema patriotike që ndërthuret me histori dashurie. Në “Shkodra e rrethueme” Ndoc Nikaj pasqyroi luftën e masave popullore më 1912 kundër pushtuesve osmanë dhe shovinistëve malazezë për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës. Edhe romanet “Bukurusha” dhe “Fejesa n’djep” flasin për luftën, për mbrojtjen e atdheut dhe të tërësisë tokësore të tij. Tipare të këtyre romaneve, si dhe të romanit “Lulet në thes” janë fryma sentimentale, peripecitë e ndryshme dhe të papriturat. Autori u del zot të drejtave të individit përballë moralit të ashpër patriarkal apo veprimeve të padrejta të të fuqishmëve. Rrëfimi i thjeshtë dhe herë-herë naiv, gjuha dialektore dhe e papërpunuar sa duhet, ndërtimi jo gjithnjë i goditur i veprave, formojnë veçoritë e stilit të Ndoc Nikajt.

E gjithë veprimtaria letrare, historike e publicistike e Nikajt dëshmon përkushtimin që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e kulturës shqiptare përmes lëvrimit e pasurimit të saj. Autori ka lënë pas 400 shkrime, 30 vepra e disa romane. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar./Hejza/ KultPlus.com