Ylli i skenës dhe ekranit, Ndriçim Xhepa feston 63-vjetorin e lindjes

Pa më të voglin hezitim, ai është aktori që spikati deri edhe me rolet më të vogla. Ndriçim Xhepa, feston sot, 63-vjetorin e lindjes. Pa portretin e tij, ku lexohet qartësisht ndjeshmëria e lartë artistike, eleganca dhe fisnikëria, kinematografia shqiptare nuk do ta kishte këtë spektër nuancash e profilesh.

Ndriçim Xhepa u lind në Tiranë, më 21 Janar 1957. Që prej përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve më 1979, z. Xhepa ka interpretuar në mbi 30 role në teatër, ndër të cilat mund të veçojmë: Arseni në Dramën “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahës, Prometeun në dramën me të njëjtin emër të Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën e pasionante të Romeos në tragjedinë e famshme të Uilliam Shekspirit: “Romeo dhe Zhuljeta”. Për interpretimet e roleve e tij, ai është shpallur 3 (tre) herë fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalet e Filmit’ në vitet: 1987, 1989 dhe 2000; 2 (dy) herë fitues i Çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalin Kombëtar të Teatrit’ me 1986 dhe 1995. Gjithashtu, ai mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’. Pikën kulminante të karrierës, ai e arriti me interpretimin e rolit të Fernandos në vitin 1995 në Dramën “Fernando Krafti më ka shkuar këtë letër” e T. Dorstit. Më pas me rolin e Xhejmsit në komedinë “Kapitulli i Dytë” e Nail Saimonit, ku ndryshoi formatin dhe u fut në zhanrin e komikes dhe lirikes.

Xhepa ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme edhe në kinematografi.

Ai ka interpretuar rreth 30 role kryesore, por vëmendjen e tërhoqi për lojën psikologjike në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982). Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat më të realizuara, sikurse ishte ajo e Alush Beut në filmin “Dasma e Sakos”. /KultPlus.com

Qeveria e Shqipërisë dërgon në shërim jashtë vendit aktorin Ndriçim Xhepa

Aktori i njohur Ndriçim Xhepa vuan prej një kohe të gjatë nga një sëmundje e rëndë.

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure vendimin që i akordon një fond financiar prej 5 milionë lekë të reja për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të Xhepës në një klinikë jashtë vendit.

Sipas VKM-së, ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave:

VENDIM
Nr. 540, datë 9.10.2017
PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. NDRIÇIM XHEPA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit
2017”, të ndryshuar, dhe në vijim të shkronjës “c”, të pikës 9, të vendimit nr. 18, datë 11.1.2017, të
Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e
detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2017”, me propozimin e ministrit të
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Ndriçim Xhepa, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të
Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
Edi Rama