Romani “Nënshtrimi” i Houellebecq-ut

Ndue Ukaj

Michel Houellebecq është shkrimtar francez, prozator, poet dhe kritik i letërsisë. Autorë i shumë librave, që kanë përftuar lexues të shumtë anë e kënd botës, ai ka fituar çmime të ndryshme dhe famë ndërkombëtare, duke u vlerësuar si njëri nga shkrimtarët më të mirë, dhe njëkohësisht, njëri nga zërat më intrigues të prozës bashkëkohore. Houellebecqu, në shumë libra, ka dëshmuar mjeshtëri artistike dhe talent narrativ, duke shkruar letërsi imagjinare, për tema e personazhe të jetës konkrete.

Rrëfimet e tij letrare janë dridhmuese dhe mbresëlënëse, dhe i përshkon një ton kritik e komik, që të bën të jetosh gjatë me to. Pa dyshim, tekstet e tij letrare janë prekëse, të frikshme, shporuese- dhe njëkohësisht, janë të shkruara me një stil tërheqës. Kësisoj, letërsia e tij, ka forcë artistike, dhe të rrëmben, dukë të futë në përsiatje e dilema pafund, me çka autori sikundër dëshiron të mos heqë dorë nga fuqia e sipërore e letërsisë në civilizimin tonë perëndimor.

Romani që Houllebecq-ut i dha emër më shumë se çdo libër tjetër, është “Nënshtrimi.” Ky roman është botuar në një kohë thyerjesh e përplasjesh të mëdha globale, në një kohë kur lëvizjet identitare, forcat ekstremiste dhe ato dogmatike dhe fetare, kanë çuar krye si asnjëherë më parë. Në një atmosferë plot nerva, mosdurim e debate të tendosura, libri, ende pa dalë nga shtypi, ngjalli kërshërinë e lexuesve të shumtë, dhe u shoqërua me vlerësime, habi, kritika, reagime, vrer, mllef. Thjesht, me përplasje të pazakonta. Kështu, romani u bë pjesë e debateve letrare dhe joletrare. Vlen të përsëritet se, pikërisht në ditën kur romani po shihte dritën, terroristët islamikë, sulmuan gazetën satirike Charlie Hebdosë, dhe arsyet e proklamuara lidheshin pikërisht me këtë roman, sepse revista në fjalë në kopertinë kishte botimin e romanit .

Si për çdo libër për të cilin flitet shumë, edhe mua, më mbërtheu euforia dhe histeria e debatit që vlonte rreth këtij libri. Dhe, romanin e lexova dy herë. Vetë fakti se romani më grishi që t’i rikthehesha- për mua- është dëshmi se në vetëdijen time letrare, kishte ushtruar ndikim. Një ndikim të shoqëruar me ndjenja të përziera: politike e letrare. Dhe, nëse e marrim si të këshillueshme atë që thotë shkrimtari i madh italian, Italo Calvionio, për librat klasikë, ky roman, për të cilin, mund të them se e kam rilexuar dhe jo lexuar, hyn në kategorinë e librave klasikë.

Kur e lexova herën e parë, mu duk një roman politik, me ngjyra dhe intencë politike, dhe mbresat letrare, i kisha të fashitura nën trysninë e ngjarjes që projekton shkrimtari, pra, nga rrëmbimi që më shkaktoi tema e romanit.
Këto ditë, romanit iu riktheva dhe e rilexova. Tani me qëllimin tjetër, më shumë letrare.

Herën e parë, i ndikuar nga zhurma dhe debati, histeria dhe euforia për të, romanin e lexova me ndjenja të përziera: letrare dhe joletrare. Mirëpo, “Nënshtrimi” është roman i jashtëzakonshëm, ku autori dëshmon erudicion e kulturë letrare të nivelit sipëror, dhe ku tensioni artistike dhe habia letrare të përcjellin deri në fund. E ku, erudicioni i shkrimtarit shkrihet mrekullueshëm me përshkrime të holla, stilizime të lakmueshme dhe figuracion të gjetur; elemente këto që lexuesin e mbajnë pezull gjatë gjithë rrëfimit.

Në këtë roman, Houellebecq-u rrëfen për Francën, ku njerëzit kanë humbur ndjenjën e veprimit dhe kuptimit njerëzor, ndaj edhe ai bën politikë me letërsinë, jo si veprim për fuqi, por si kambanë për ndërgjegjësim. Sepse, ai beson se “letërsia është diçka serioze.” Në përkim me këtë, shkrimtari përsiat për rolin e pazëvendësueshëm të letërsisë në Francë dhe Europë. Ai flet me mallëngjim për pushtetin e letërsisë, por nuk mund ta le anash pushtetin e politikës, në atdheun e tij që tronditët nga zhvillime të paparashikuara. Por, këto dyja, ai i sheh fort të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Houellebecq-u, nëpërmjet protagonistit, të romanit, profesorit të letërsisë Fransuas, flet me një guxim të pashoq për gjitha rrjedhat sociale e politike të Francës dhe të Europës, për multikulturalizmin, kulturën e relativizmit, fuqinë sipërore të letërsisë, emrat e mëdhenj të saj, politikat socialiste dhe liberale, për ateizmin dhe besimin, te kaluarën mesjetare, dhe gjithkund, tekstin e laton me një erudicion të jashtëzakonshëm dhe me kulturë letrare mahnitëse.

Autori nuk shkruan art për hir të artit, por një roman, ku gdhend fytyrën reale të Francës dhe të Europës, nëpërmjet një klithme të përhershme, që sforcohet sidomos kur ai ndahet nga e dashura izraelite, e cila e braktis Francën për shkak të zhvillimeve politike, dhe asaj i duhet ta paketojë jetën e vet në 30 kg bagazhe.
Në fakt, vetë titulli i romanit është intrigues dhe tundues. Sepse, autori lexuesin e vë përballë një dileme të makthshme, duke ia hapë sytë e mbyllur. Çfarë po ndodh me Francën dhe kush po nënshtrohet? A po pranon ajo nënshtrimin dhe poshtërimin? Këto dy pyetje esenciale, shkrimtari i shqipton që në titull, dhe i shtjellon përgjatë zhvillimit të tekstit letrar, duke dhënë tablo komike e satirike të Francës së politikës, kulturës, arsimit, religjionit, emigracionit; një France që endet ndërmjet lavdisë së dikurshme dhe molepsjes bashkëkohore; një Francë që përballë lëvizjeve identitare, duket e plogësht dhe pa shtegdalje.

Protagonisti i romanit, Francua, një profesor letërsie në Universitetin e Sorubonës, “ai që beson te veçoria e letërsie, arti madhor i një perëndimi që po jep shpirt në sytë tanë” ndodhet ndërmjet mallëngjimit për të kaluarën dhe sfidave të kohës. Protagonisti sapo ka përfunduar doktoratën, por ndërkohë, në vendin e tij, ndodh një tronditje politike, një metamorfozë, e cila e godet pamëshirshëm gjithë shoqërinë. Zgjedhjet presidenciale, përplasin ashpër dy alternativa: të djathtën ekstreme të Mara Le Penit, dhe atë të dogmës fetare islamike, të përfaqësuar nga emigranti, Muhamed Ben Abesi. Me ndihmën e socialdemokratëve, këtij sistemi të kalbur, siç thotë autori, zgjedhjet i fiton ky i fundit, dhe Franca zgjohet e shokuar. Sistemi i ri dhe politikat e Ben Abesit dizajnojnë një Francë tjetër, ku feja përcakton stilin e ri të jetës dhe luan rolin parësor në gjithë organizmin shoqëror, dhe ku qytetërimi perëndimor nuk është më ai i njëjti, i shtrirë në kufijtë e tij të caktuar, por rrëmbehet nga euforia e një synimi ta hibridizuar dhe me shumë deformime, sidomos në raport me femrën, konceptet sekulare, seksin.
Profesori i Sorbonës, i pasionuar pas letërsisë, në këtë metamorfozë politike është i çorientuar dhe i tronditur.

Ndarja nga izraelitja, atij i krijon një boshllëk të madh në jetë. Në rrëmujën e këtyre ndryshimeve, ai përjeton dramën e vërtetë të ikjes nga vetvetja, të tkurrjes, një krizë identitare që e sorollat pa shtegdalje. Shkon me prostituta, ndërkohë që nuk ndien asnjë emocion kur e kupton se i ka vdekur e ëma, dhe i është varrosur në varrezat e komunës.

Në këto kushte, ai tkurret në një hiçgjë, derisa një ditë i kërkohet të kthehet në punë, dhe të përshtatet me rregullat islame të jetës.
Profesori i mëdyshur, nuk i shpëtoi tundimin dhe joshjes, kështu që shpejt përshtatet me rregullat e reja që vë sistemi, në raport me gjithçka, që nga normat e sjelljes, të drejtat e njeriut, seksi, familja, shkolla, por përpara lexuesit shtron shumë dilema e pyetje, që mbesin pezull përherë.

Në sfondin e këtij romani, protagonisti Fransua, ndonëse kritik i vetmuar, ka një besim te forca e epërme e letërsisë, për të cilën ndien mallëngjim. Prandaj edhe pohon: “vetëm letërsia mund t’ju japë atë ndjesi të bashkimit me një shpirt tjetër njerëzor, me tërësinë e këtij shpirti, me dobësitë dhe madhështitë, kufizimet, vogëlsinë, fiksimet, besimet, me gjithçka që e mallëngjen, i intereson, e ngacmon ose e neverit. Vetëm letërsia mund t’ju lejojë të hyni në kontakt me shpirtin e një të vdekuri, në mënyrë me të drejtpërdrejtë, më të plotë dhe më të thellë se ç ’do të bënte biseda me një mik -sado e thellë, sado e fortë që të jetë ajo miqësi, është e pamundur të hapemi në një bisedë, ashtu siç bëjmë para një flete të bardhë, kur i drejtohemi një bashkëbiseduesi të panjohur.”

Vetë zgjedhja që bën autorit për të rrëfyer, tregon për mallëngjimin që ka ai për letërsinë, kohën e shkëlqimit të saj dhe idealit intelektual. Në rrëmujën politike dhe sociale, protagonisti i romanit nuk e kërkon prehjen te e tashmja, por noton në të kaluarën, te letërsia e madhe e Hysmanit, të cilin e ka udhërrëfyes dhe ngushëllim.

Romani është i shkruar me një përpikëri letrare. Atë e karakterizon qartësia
narrative, si dimension esencial, ku përshkrimet janë të realizuara me detaje. Përgjatë gjithë rrëfimit, autori lexuesin e fut në labirinte magjike, duke e shëtitë me imagjinatën e tij të pasur nëpër kohë e vende të ndryshme. Lexuesi, lundron thellë në ujërat e turbullta të politikës europiane e botërore, ballafaqohet me krizat psikologjike të shoqërisë bashkëkohore, ku tuhajësimi, vetmia, janë të shkallës së padurueshme. Veç tjerash, lexuesi ndesh me pasuese të pasura letrare, ku autori përshkruan mjeshtërisht ndikimin e madh të librit të letërsisë në Paris, Francë, dhe gjetiu.

Por, nën bukurinë e magjisë së këtij qyteti të artit dhe të kulturës, shihen dritëhijet e një krize, që autori e skalit mjeshtrisht. Autori di të shëtisë lexuesin në të kaluarën: si kujtesë, në religjionin, si kulturë, dhe ta sfidojë me një pyetje të përhershme: qytetërimet nuk duhet të vetëmjaftohen, sepse kështu u ndodh nënshtrimi.

Ai e trajton me shkathtësi artistike tipologjitë e njeriut bashkëkohore: atë të tuhajsuar dhe në tundime identitare, dhe atë të verbuar nga dogma dhe ideologjia.
Pa dyshim, Houellebecq-u është një nga shkrimtarët më erudit të kohës, dhe erudiconi i tij është i shtirë me finesë e kulturë të jashtëzakonshme në romanin “Nënshtrimi.”

Romani “Nënshtrimi” është një kambanë e fortë kundër dekadencës së qytetërimit europian, kundër apatisë dhe kulturës së relativizmit të gjithçkaje. Këtë aspekt, ai e realizon mjeshtërisht, duke e provokuar lexuesin nëpër labirinte të sikletshme, në të cilat ai ndeshet me gjithfarë lemerish e situatash komike. Nëpërmjet protagonistit, autori i përshkruan të gjitha të këqijat që e kanë goditë këtë qytetërim: ikja nga thelbi i shoqërisë, familja, kriza e besimit.
Ngjashëm si të shkrimtari i madh, Albert Camy, edhe te ky roman, ka situata absurde, siç është telegrami që merr protagonisti për vdekjen e nënës, me dy javë vonesë. Indiferenca ndaj këtij lajmi, kumbon si një kamçikë në ndërgjegjen e njeriut të venitur shpirtërisht.

Personazhet e romanit janë politikanë, shkrimtarë, klerikë, profesorë, prostituta. Pra, ai rrëfen për karaktere të shumta, që janë pjesë e mozaikut të jetës bashkëkohore. Personazhet e këtij romani nuk kanë tipare heronjsh, por janë karaktere të katandisur në hollin e ndryshimeve të shpejta, ata shfaqen të venitur dhe në absurditetin e një kohë pa qëllime sublime, ku tkurrja shpirtërore e njeriut ka tejkaluar caqet normale. Kështu, ai qesëndiset me dritëhijet e njeriut bashkëkohore francez dhe europian, që vërtitet në kriza të pafundme identitare. Ai shkruan për zhvillimet e hovshme në Francën e tij, dhe gjetiu, por gjithnjë me një gjuhë të epërme letrare, me një diskurs mbarështues të admirueshëm që të habit me fuqinë artistike dhe kompetencën narrative. Shkrimtari imagjinatën e përdorë për zhbiruar me sytë prej eruditi në pikën nevralgjike të problemeve bashkëkohore. Kështu, ai ka arritë t’i skalit problemet bashkëkohore, me një gjuhë të paparë gjer me tani. Kështu, letërsia e tij, edhe njëherë, rikthen debatin e përhershëm rreth funksionit të saj në shoqëri, me çka i del hapur kundër dekadencës së këtij qytetërimi.

Houellebecq-u, duke e projektuar një situatë të çuditshme letrare, ardhjen e një myslimani si president të Francës, për të penguar ekstremisten e djathtë Marine Le Pen, ai nuk i drejton shigjetat kundër askujt, por troket në ndërgjegjen e fjetur të perëndimit, që i futur në hollitë e vetëmjaftueshmërisë, po rrëshqet ka dekadenca.

Romani i Houellebecq-ut, ndonëse u bë çështje botërore letrare dhe politike, autori zgjodhi një rrugë pa shumë ekuivokë, kur pohoi se nuk dinte prej kujt kishte më shumë frikë, nga francezët e çmendur pas identitetit apo nga myslimanët. Ai këtë e pohoi për gazetën “Le Journal de Dimanche.” Por, ai e pohoi me siguri të plotë se: “Të jesh islamofob nuk është formë e racizmit”.

Romani “Nënshtrimi” është një satirë e fortë drejtuar drejt klasave intelektuale, te të cilat çdo ditë e më pak shihen gjurmët e idealizmit. Ai del hapur kundër pragmatizmit të pastër që shfaqin elitat intelektuale. Ai ndien mallëngjim për një elitë intelektuale të dikurshme.
Opinioni letrar, por jo vetëm ky, autorit i ka kërkuar përgjegjësi për këtë libër, ndonëse askush nuk flet për përgjegjësinë që kanë lexuesit përballë këtij libri. Kritikët, ata që gjykojnë kuturu, duke dhënë vlerësime të paqëndrueshme.

Romani “Nënshtrimi” i sfidon lexuesit e kultivuar të letërsisë, profesionistët, me pyetjen e përhershme: si duhet të lexohet letërsia? A janë të mjaftueshme argumentet jashtaletrare, për të gjykuar tërësinë e veçorive artistike që ka një tekst letrar.

Unë mendoj se ky roman, përtej zhurmës dhe debateve që ka nxitë, do të mbetet si një roman epokal i kohës, përkundër faktit se, opinioni letrar, është i ndarë në vlerësimin e këtij romani: disa e vlerësojnë autorin si paralajmërues dhe shpëtues, dhe të tjerët, e akuzojnë se po hedh benzinë zjarrit për migrimin dhe integrimin.

Pavarësisht këtyre debateve dhe gjykimeve kundërthënëse, ky roman u ngjan kambanave të forta që bien pa pushim. Kambanave që thërrasin për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim.

Romani është përkthyer në shqip mjeshtërisht nga Edit Dibra dhe është botuar nga Skanderbeg Books.

Në Parlamentin e Kosovës flitet për gjuajtje me armë, popujt e emancipuar flasin për avancim

Shkruan: Ndue Ukaj

Gjuajtja me armë është akt primitiv dhe nuk ka të bëjë asgjë me traditën burimore shqiptare. Është deformim i traditës. Për më tepër, të flitet për traditë të gjuajtjes me armë, në shekullin XXI, dhe në Parlamentin e një shteti që aspiron të bëhet pjesë e familjes së popujve të emancipuar perëndimorë, është marrëzi. Është e turpshme. Është neveritëse.

Popujt e emancipuar të perëndimit, flasin për avancim dhe perfeksionim të rendit demokratik, për zhvillime marramendëse teknologjik, për të drejta të njeriut, për zbulime shkencore, arritje në kulturë e dije, ndërsa në Parlamentin tonë justifikohen dhe arsyetohen aktet jonormale të një zyrtari të lartë të shtetit.

Ky është shembull i shëmtuar që përçohet te rinia e Kosovës. Prandaj, sot, me plot të drejtë, qytetarët e Kosovës, kanë arsye të plotë të ndihen të mërzitur dhe trishtuar me nivelin e përfaqësueseve të tyre, të tubuar rreth një koalicioni qeverisës pa kurrfarë koncepte politike./KultPlus.com

Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Shkruan Ndue Ukaj.

Sot është 550-të vjetori i vdekjes së Kryezotit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Është ditët e shënuar kombëtare.

Gjergji, para 550 vitesh, iku për botën e përjetshme dhe na la një vepër të pasur dhe shumëdimensionale.
Që atëherë, ai mbetet gurrë e pashtershme frymëzimi kundër demoralizimit dhe ligështimit kombëtar.
Një gurrë e pashtershme frymëzimi për vepra të shumta kulturore dhe artistike.

Sot është ditë e shenjtë kombëtare.
Është një ditë, në të cilën shqiptarët, të bashkuar duhet t’i ulin flamujt e ndarjes, mërisë kundër njërit-tjetrit, dhe të ndërgjegjësuar, të hyjnë në tempullin kastriotian.

Që nga vdekja e tij e deri me sot, asnjëherë nuk u pushua së shkruari për të dhe për bëmat e tij të bujshme e madhështore, me të cilat, Gjergji ynë, i dha nder e lavd të përjetshëm kombit shqiptar.
Vepra dhe figura e tij, janë përjetësuar në shumë fusha të artit: muzikë, pikturë, letërsi, skulpturë, etj. Po ashtu, në nder të emrit dhe veprës së të tij, nëpër qendra të mëdha europiane, janë emëruar shumë sheshe e rrugë, dhe janë ngritë shumë shtatore.

Emri dhe vepra e tij, përgjatë historisë sonë, qenë frymëzim për të gjitha lëvizjet politike dhe kulturore shqiptare.

Pa të, kombi ynë, vështirë mund të mbijetonte përballë furtunave të shumta që goditën, prandaj, me të drejt Ismail Kadare, te libri Mosmarrëveshja, shkruan:
“Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.”

Viti kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, do të duhej t’ na shërbente si algoritëm për t’i zgjedhur shumë probleme dhe mosmarrëveshje ndërmjet nesh.

Viti kushtuar Skënderbeut duhet të jetë vit kundër amnezisë historike dhe në funksion të kultivimit të kujtesës kombëtare.

Viti kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ka kuptim të plotë, nëse vetëdijesohemi dhe ilumninohemi politikisht, fisnikërohemi shpirtërisht dhe emancipohemi kulturalisht. Duke i lënë prapa paudhësitë dhe duke i luftuar batakçinjtë.

Ndue Ukaj: Degjenerimi kulturor i Kosovës, pasqyrohet në të ashtuquajturat programe televizive të Vitit të Ri

Shkruan Ndue Ukaj, mbi programet televizive të Vitit të Ri.

Degjenerimi kulturor i Kosovës, pasqyrohet mjaft mirë në të ashtuquajturat programe televizive të Vitit të Ri, të cilat, në masë të madhe, artistikisht janë sterile. Aty shkëlqen injoranca dhe kiçi kulturor.

Të dhimbset gjuha shqipe, e cila dvaret dhe sakatohet, si në kohët e liga të Buzukut dhe Bogdanit.

Gjuha e artit është fisnike, e kultivuar, e epërme, hyjnore, dhe jo standardi i rrugëve dhe i kafeve.

Tekstet e shumta të këtyre emisioneve, janë nën çdo nivel, me një semantikë të çoroditur dhe u mungon logjika. Ndërsa për vlera artistike të tyre, as që mund të bëhet fjalë.

Të jemi të qartë: për budallakun e quajtur kulturë televizive, nuk e ka fajin askush. As politika. As BE- ja, e cila nuk na liberalizon vizat, as kundërshtarët dhe armiqtë tanë politikë. Por, i kemi fajet vetë ne, ashtu siç i kemi fajet për gjitha degradimet shoqërore.
Përderisa të kemi këso performancash të shëmtuara “kulturore” e “artistike”, nuk duhet të ankohemi për asgjë, në asgjë dhe në askënd.

Shoqëria është organizëm që ushqehet, ha e pi, si çdo organizëm tjetër. Derisa ta ushqejmë me këso marrish, marrina do të korrim.

Njerëz, shikojeni koncertin e Filarmonisë së Vjenës.
Shikojeni çfarë është arti i përkryer.

Secili e di se, ne nuk mund të krahasohemi me ta, por nuk duhet assesi të lejojmë, të instalohet kiçi si kulturë dhe vlerë e lartë. Më së paku në televizionet nacionale./ KultPlus.com

Ndue Ukaj: Rreshtimi kundër hebrenjëve është nonsens, shqiptarët kanë një lidhje të veçantë me hebrenjtë

Vota e sotme e Shqipërisë kundër Amerikës dhe Izraelit, është e frikshme; është votë e turpit kombëtar, dhe si e tillë, ajo mund ta rrezikojë seriozisht të ardhmen e gjithë shqiptarëve. Kjo votë, tregon politikën kryeneçe dhe të marrë shqiptare. Për mua, kjo votë është poshtër dhe tregon sa bukëshkalë jemi, dhe, sa të pasinqertë jemi me vetveten dhe me të tjerët. Ky veprim politik, rrezikon ta hapë një gropë të zezë, ku mund të fundosemi të gjithë.

Rreshtimi i Shqipërisë kundër politikës amerikane, është nonsens, është rreshtim kundër interesave shqiptare- dhe pro Rusisë dhe Turqisë. Është rreshtim kundër popullit hebre, me të cilin kemi një lidhje të veçantë. Nuk guxojmë asesi të përbuzim rolin e pazëvendësueshëm të lobeve hebre pro shqiptarëve.

Popujt e mençur, mësojnë nga gabimet e popujve të tjerë, ndërsa ne, nuk mësojmë as nga gabimet tona.
Sepse, përgjatë historisë, kemi gabuar shpeshherë:

Duke u rreshtuar keq.
Duke krijuar aleanca të rreme.
Duke ulur flamurin tonë si “sorrë” dhe në vend të tij duke lartësuar flamuj tjerë.
Duke iu gëzuar fitoreve të tjerëve e duke luftuar për kauza të rreme.
Duke u shtirë se i duam tjerët, pa e dashur vetveten.
Duke u mësuar t’iu duartrokasim tjerëve, pa i duartrokitur vetvetes./KultPlus.com

“E diela e Laurës” dërgon Ndue Ukaj në “Poetrybay”

Poema “E diela e Laurës”, e shkrimtarit nga Kosova Ndue Ukaj, është përkthyer në gjuhën angleze dhe është botuar në platformën online të letërsisë, “Poetrybay”. Në anglisht poema ka marrë titullin “Laura’s Sunday”.

“Poetrybay” është prezantuar në vitin 2000 dhe përmban disa nga veprat më të bukura që po prodhohen në poezinë bashkëkohore nga autorë të krijuar dhe në zhvillim. Duke përfshirë poezitë, rishikimet, esetë dhe intervistat, ky publikim vjetor vetëm në internet është përzgjedhur për arkivimin dhe shpërndarjen nga sistemi LOCKSS i Universitetit Stanford.

Poezia e Ukajt është përkthyer në anglisht, rumanisht, spanjisht, italisht. Ukaj shkruan poezi, prozë, eseistikë, teori, kritikë dhe studime letrare. Ai është laureat i çmimit “Azem Shkreli” 2010, për librin më të mirë në poezi “Godo nuk vjen”, çmim ky të cilin e ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.

Poezia e Ukajt është vlerësuar si shenjë identifikuese e poezisë moderne shqipe, ku ndjehet fuqishëm fryma universale e poezisë dhe kërkesat e saj për të qene pjesë e poezisë së përbotshme, duke përcjellë frymën e veçantë dhe tiparet moderne të poezisë shqiptare./KultPlus.com

Çmendia letrare e Stefan Çapalikut

Ndue Ukaj

Sa herë më kërkohet të flas diçka për një vepër letrare, sidomos në raste të veçante përurimi, siç është ky i sotmi, ndihem në sëkëlldi, dhe më tundon një mendim i Oscar Wilde-it, i cili shkruante: “Për ne që merremi me art, nuk mund të pranohet asnjë teori për të bukurën, në këmbim me vetë të bukurën.” Me fjalë tjera, asnjë vlerësim a interpretim, sa do valid që të jetë, nuk mund të zëvendësojë librin. Prandaj, që në fillim të këtij teksti, dua të them: romani i Stefan Çapalikut, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” (Botimet Fishta), duhet të lexohet, sepse është një vepër e bukur arti, kundër çmendisë komuniste dhe kundër amnezisë historike. Duke e lexuar këtë roman, lexuesit i hapën horizonte të reja, për të kuptuar periudhën e komunizmit- për të cilën kohë është shkruar- me një gjuhë artistike të pasur dhe mbresëlënëse.

Çapaliku, është autor i shumë librave, dhe është sprovuar me sukses në shumë gjini letrare. Ai është i njohur si dramaturg, në të cilën fushë ka shënuar suksese të dallueshme, dhe ka marrë vlerësime ndërkombëtare, por njihet edhe si studiues e estet, sidomos me një studim tejet serioz për satirën e poetit tonë kombëtar, Gjergj Fishtës.

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, është një libër prekës, që flet për kujtesën komuniste, një roman autobiografik, i shkruar me shkathtësi dhe stil rrëmbyes, që lexuesit të kultivuar i jep kënaqësi të dyfishtë: estetike dhe intelektuale. Zgjedhja estetike që bën shkrimtari për të rrëfyer, është origjinare dhe individuale. Ai e vendos rrëfimin në Shkodër, në shtëpinë e vet, dhe lexuesit ia ravijëzon një galeri personazhesh të njohur të kulturës shqiptare: rrugët, peizazhet, traditën dhe kulturën specifike që e karakterizon këtë qytet. Kjo për faktin se, mund të jenë paktë ata lexues shqiptarë, që nuk ndiejnë dashuni të veçantë për Shkodrën, qytet ky, i cili, antropologjikisht përfaqëson pjesën më fisnike të kombit shqiptar,- thënë ndryshe, është qenia ku banon kultura shqiptare, prandaj edhe dashunia për të është pakrahasueshme dhe e pazëvendësueshme.

Në roman, Shkodra paraqitet me një kolorit ngjyrash: e trishtë, e bukur, e venitur, e dremitur, e degdisur, krenare, plot mite e legjenda, ku, më mirë se në secilin vend tjetër, është skalitë fytyra e vërtetë historisë dhe identitetit kulturor shqiptar: Lavdia dhe tragjedia që rëndon mbi të. Pra, Shkodra është tema dhe lajtmotiv i romanit, mirëpo, teksti letrar, nuk e shtjellon sfondin historik të miteve dhe legjendave, krenarinë dhe faktin se ajo vlerësohet si djepi i kulturës, por Shkodrën e fëmijërisë dhe rinisë së autorit; Shkodra nën thundrën e egër të diktaturës, ku organizoheshin gjyqe të shpifura për njerëz të ndershëm, ku artistët qëndisnin; ku rrëzohej Kampanjeli i Kishës Françeskane, që ishte institucion i emancipimit kulturor të shqiptarëve; ku njerëzit bënin jetë sa për të thënë- për t’mos u vërejtur; ku njerëzit burgoseshin dhe vriteshin pa asnjë faj, ndërsa ata më fatlumët, mund të çmendeshin smbas mënyrës së vet.

Lexuesi ka përpara një roman fantastik për çmendinën, ku ngjarjet zhvillohen në një vend konkret, që është Shqipëria, në një periudhë të njohur historike, që është diktatura komuniste, nga viti 1967, kur Shqipëria qe shpallë shtet ateist, deri më 1985, kur vdiq diktatori, në një qytet specifik e shumëdimensional, që është Shkodra, në disa rrugë të njohura, që janë lagjja Gjuhadol, Kafja e Madhe, Kisha e Madhe, Kompanjeli i Kishës Françeskane, dhe ku bëjnë jetë shumë figura të njohura, që janë: Zef Mark Harapi, Frederik Rreshpja, Zef Zobra, Kolë Ashta, At Pjetër Meshkalla, Gjon Shllaku, Pjetër Gjini, familja Çapaliku, etj. Pra, si rrjedhojë e kësaj logjike, autori ka zgjedhë që, për heronj të romanit të tij të mos ketë personazhë imagjinare, por realë, shumica prej të cilëve, emra me nam të kulturës shqiptare. Karakteret e tij, në roman, nuk janë heronj dhe nuk përfaqësojnë tipare të tilla, por figura të degdisura në mjerim. Ky përcaktim autorial, si stratagjemë shkrimore, është shtrirë me mjeshtëri artistike, pa kurrfarë teprie, për të përshkruar kujtesën dhe makthin e diktaturës. Nga kjo perspektivë, për mua, ky roman, hap një shteg të ri për prozën bashkëkohore shqiptare, sidomos për atë që evokon temat dhe kujtimet e makthshme të komunizmit. Peizazhet e Shkodrës, rrugët, njerëzit e saj, tradita dhe e kaluara, heronjtë e kulturës dhe artit, humori, përplasja ndërmjet lavdisë dhe marrëzisë, ndërmjet bukurive natyrore dhe shëmtisë arkitektonike, e influencojnë romanin, dhe janë tharmi kulturor i tekstit letrar. Romani ka tension të vazhdueshëm, rrëfim dinamik, dhe kjo e mban lexuesin kureshtar përgjatë gjithë shtjellimit të ngjarjes. Autori, realizon përshkrime mjeshtërore për ambientin shkodran, shtëpitë, dhe veçmas shtëpinë qendrore që shndërrohet në oazë- min kinema – ku zhvillohet drama e narratorit, një dramë psikologjike, që të kujton letërsinë e përroit të ndërgjegjes, veçmas romanin “Portreti i artistit në rini”, të James Joyce.

Protagonisti i romanit, jeton në një qytet ku askush nuk guxonte të ishte vetvetja. Ky makth është kategori sociale e psikologjike, që formëson botën e tij, në labirintet e errëta, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në ankthin e qyteti ku mbizotëron frika, absurdi, vdekja dhe çmendia.
Çapaliku rrëfen për Shkodrën, ku “qytetasit e tij kishin humbur në terr”, por shtrirja kohore dhe kapërcimet që bënë, janë universale. Sepse, aty flitet për komunizmin si dergj ideologjike dhe pleksjen ne jetën e njerëzve, duke i deformuar dhe duke i degdisë të gjithë në dramën e çmendisë. Në sfondin e kësaj marrëzie ideologjike, ku njeriu tkurrej, zvetënohej dhe zvogëlohej përditë, autori tregon edhe kujtesën, qytetarinë e dvarun, njerëzit që dinin anglisht, ku jetuan mjeshtër të fjalësi si Fishta, arkitekt si Kolë Idromena, – por ku, komunizmi kishte lëshuar rrënjët e një bime helmuese që e deformonte qytetarinë. Këtij qyteti i kishte ra hija e zezë, tisi i diktaturës dhe e mbante me lak në fyt. Protagonisti, alteregoja e autorit, formohet përbrenda një realiteti të trishtë, ku lavdia i përkiste së shkuarës. I gjendur në këtë rrëmujë psikologjike e etike, zventimi dhe çmendia, përhapeshin rrufeshëm, siç përhapet një epidemi. Kjo i shëmtonte njerëzit dhe i fuste në një hon të llahtarshëm: pa dinjitet, pa personalitet, dhe ku depersonalizimi ishte pashmangshmëri. Në këtë qytet, secili bënte një biçimë jetë, thënë më gjuhën e autorit, secili çmendej simbas mënyrës së vet.

“Vështirë të gjesh një qytet më të shëmtuar, të ndërtuar në vendin më të bukur të botës, se sa Shkodra”- thotë protagonisti. Klithma e tij është një heshtë për qytetin “që po e birrte shpirtin e rezistencës”, në kohën kur shumica, si robotë, duhej të bëheshin njësh me kolektivin, duke humbë identitetin e dinjitetin personal.

Kujtesa e narrative e romanit, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, përshkon harkun kohor të afro dy dekadave, kur Shqipëria jetoi pa Zot, dhe me Zot partinë dhe diktatorin. Kujtesa e narratorit, fillon me një burg dhe përfundon me një epilog të çuditshëm, ku narratori pohon:


-Secili çmendet simbas mënyrës së vet…

Në fakt, epilogu i romanit është vdekja e diktatorit, dhe momenti kur dajës Gjon i kthehet shikimi, dhe ai e sheh vetën të Kisha e Madhe, mrekulli kjo e përmasave biblike. Në këtë episod letrare, mund të gjenden analogji filozofike me Kushtimin e Krishtit në Tempull, dhe personazhin biblik, Simonin, i cili, pasi sheh Mesien, çlirohet nga angështia.

Tema e këtij romani është e ndërtuar nëpërmjet një zinxhir episodesh letrare, ku flitet për fatin e njerëzve të degdisur në qytet, siç janë: Niko dhe lidhja e tij tragjike me Marildën, vrasja e Mark Mizanveshit, vrasja e Fred Lezhës dhe Seit Hilit, të arratisur me not nëpërmjet liqenit dhe fati i heronjve të kulturës. Po ashtu, është shumë prekës episodi, kur mësuesja i kërkon protagonistit dhe nxënësve të klasës, të grisnin faqen e 55 të librit, ku ishte poezia “Rapsodi Shqiptare”, sepse autori i saj, pra Frederik Rreshpja, qe shpallur armik i Partisë dhe i Popullit.

Televizioni si lajtmotiv

Ajo që e mban të lidhur zinxhirin e rrëfimeve, është televizioni. Pikërisht në kohën kur ndalohet religjioni, gjykohen klerikët, shkatërrohen tempujt fetare, në qytet hyn televizioni, ky religjion i ri. Ndryshe, ai qe një ishullth disident, që ishte bërthama e fortë kundër hegjemonisë komuniste. Në këtë roman, televizioni bëhet strumbullar i një vistër ngjarjesh që përshkruhen me ton humori, ku shpaloset naiviteti i njerëzve dhe diferencat kulturore të qytetit, të cilat, autori nuk heziton t’i përmend. Kështu, televizioni ka një funksion narrativ specifik: e lidh kohën dhe idealitetin letrar. Autori, duke rrëfyer për televizionin në një shtëpi shkodrane- të vetë autorit- tregon si ai arriti të ndryshonte gjithçka në jetën e tyre. Gjithashtu, nëpërmjet këtij elementi narrativ, romani pasurohet me informacione kulturore të përbotshme, siç janë faktet historike: ndeshja e futbollit ndërmjet Italisë e Brazilit, e vitit 1970; ballafaqimi i shekullit ndërmjet Muhamed Alisë dhe Joe Frazierit; ndalimi e boksit, të cilin regjimi e quante sport borgjez. Autori, në këso episode, flet edhe për diferencat religjioze të qytetit, ato ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve: katolikët shikonin televizionin italian, ndërsa myslimanet, malazez. Po ashtu, televizioni u tregon se, një anije kozmike shkoi në hënë dhe se amerikanët ngulën flamurin atje. Televizioni u tregon për trendët kinematografike, derisa shtëpia e protagonistit- pra e Çapalikëve- bëhet një mini kinema e mini teatër, ku vërtiten një mori njerëzish. Është mjaft mbresëlënës episodi për shfaqjen e filmit të parë erotik “Tangoja e fundit në Paris.” Mirëpo, kjo jetë idilike me televizion, përfundon shpejt, dhe dy kanalet, ai italian dhe malazez, nuk mund të shihen, meqë pengohen nga regjimi.

Përbrenda këtij harku kohor, janë një zinxhir i tërë ngjarjesh që zhvillohen me një hov dramatik, dhe lanë vragë të thella shpirtërore në jetën e një djali të ri. Protagonisti është faktori kryesor që i përcakton lëvizjet në roman, raportet ndërmjet njerëzve, ndodhitë prioritare dhe sekondare, të cilat, skaliten me mjeshtri artistike.

Shkrimtari Stefan Çapalikut në këtë roman rrëfen për kohën kur dogma e “realizmit socialist,” synonte të nënshtronte letërsinë nën urdhrat e një shteti dhe një partie, që në emër të çlirimit të llojit njerëzor, ngrinin përmendore për lavdinë e kërbaçit dhe çizmes”(Octavio Paz). Por, Çapaliku në këtë tekst letrar nuk rrëfen për lavdinë e kërbaçit dhe çizmes, por rrëfen për jetën e njeriut të tkurrur shpirtërisht dhe të topitur intelektualisht, nga ata që i bënin lavdi kërbaçit dhe çizmes, rrëfen për çmendinën, si abstraksion psikologjik, ku vërtiteshin fatet e njeriut, në një betejë absurde me jetën; në Shkodrën e kulturës, ku jetuan e krijuan heronjtë e vërtetë të kulturës, një galeri e tërë personazhesh mbresëlënës, që janë substrati kulturo i romanit. Karakteret e romanit, janë heronj realë dhe jo të konstruktuar e imagjinar; nuk janë heronj të lavdisë së rreme.

Romani e përshkruan ferrin në Shkodër, konkretisht në Gjuhadol, në këtë hapësirë të vogël, por të rëndësishme kulturore, ku vërtiteshin fatet e njerëzve pa shtegdalje, të cilët dukeshin sikur në një pyll të errët, aty ku e vetmja dalje mund të ishte çmendia, ose bashkëjetesa me atë çka përfaqësonin krijesat njerëzore që kishin humbë çdo ndjenjë njerëzore. Në zinxhirin narrativ të këtij romani, nuk ka kryehero, as heronj e antagonistë që përplasën në dramën e jetës, por ka episode dramatike, dhe përplot njerëz të shtypur, që i lidh mjeshtërisht narratori i gjithëdijshëm, aletergoja e autorit, drama psikologjike e të cilit, është drama e mijëra njerëzve të Shqipërisë, viktima të terrorit psikologjik, të vrasjeve dhe shtypjes barbare.

Shkrimtari Çapaliku, me këtë roman, tregon edhe njëherë atë që Italo Calvini e quan besimin te letërsia, te e ardhmja e saj, e cila qëndron në faktin se ka gjëra, të cilat vetëm ajo mundet të na i japë, me mjetet e saj të veçanta. Romani i Çapalikut tregon se letërsia ka çka të tregojë për komunizmin.

Letërsia shqipe, ka një mori rrëfimesh dridhmuese për komunizmin, për kohën kur partia kujdesej për lumturinë njerëzore, dhe kur ngarendja pas ideologjisë ishte absurde, sa tejkalonte edhe raportet familjare, sepse, partia ishte mbi familjen. Skena të tilla morbide, kanë dhënë autorë të shumtë shqiptarë, në letërsi dhe libra memoaristikë. Në radhën e shkrimtarëve që shkruajnë për këtë kujtesë, si domosdoshmëri kundër harresës, hyn edhe Çapaliku, me romanin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, që për mua, është roman i kujtesës, në të cilën, imagjinata dhe faktet reale përpjekën, dhe ku realiteti letrar dhe historik ndërlidhen përbrenda një simbiozë të realizuar mjeshtërisht.
Autori, kohën e mynxyrave e ravijëzon nëpërmjet një trajektore kohore të shtrirë nga koha kur religjioni që ndaluar, dhe në vend të tij u bë Zot partia, “njeriu i Ri, vepra më e shquar e Partisë” vepër kjo që “ishte një përbindësh që hante dhe bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë të këtij qyteti…”

Romani është rrëfim kundër hegjemonisë së komunizmit, një kujtim për humbëtirën dhe kohën kur njerëzit bënë jetë kolektive, ku universaliteti teorik i ideologjisë, zbehte çdo gjë që lidhej me qenien njerëzore, ku njerëzve u rrënoheshin tempujt e besimit dhe u ofroheshin doktrinat e librave që mbyllnin urrejtje e terror. Në anën tjetër, teksti letrar, derisa shtjellon anët mizore të regjimit, ai njëkohësisht mund të konsiderohet një homazh për kulturën, një kundërpeshë ndaj çmendisë, një rrëfim nga Gjuhadoli, ku humbëtira komuniste, ndonëse tkurrte njerëzit shpirtërisht e moralisht, nuk kishte sesi të hiqte me rrënjë besimin te Zoti dhe të e nesërmja.

Prozës shqipe i është shtuar një roman i shkëlqyeshëm, i shkruar me shije e kulturë. Për mua, romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, është një prurje në letërsinë shqipe, një roman i shkruar me virtuozitet e kulturë letrare. E kam lexuar me një frymë dhe e vlerësoj si një gosti për gjitha ata që e duan letërsinë, artin e fjalës së bukur. Dhe, një dëshmi e fortë, se, letërsia, me mjetet e saj, ka gjithmonë gjëra të reja për të thënë.

Vlera e këtij romani qëndron në faktin se, siç ka thënë Josif Brodski, “nëse arti diç na mëson (artisti, në radhë të parë), atëherë kjo ka të bëjë pikërisht me privatësinë e ekzistencës njerëzore.” Romani i Çapalikut këtë aspekt e realizon mjeshtërisht. Dua ta përfundoj këtë tekst, me një mendim të shkrimtarit të madh italian, Italo Calvinio, i cili shkruan: “Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës.” Ky roman, është një thirrje për katharsisë e etikë, një roman që e ndihmon ndërgjegjen shqiptare, të pastrohet nga njollat e krimeve komuniste; një roman që krijon antitrupa kundër mortajës së gjuhës./KultPlus.com

Letërsia dhe politika si Res Publica

Ndue Ukaj

A mund të ndahet Rugova i letërsisë nga ai i politikës, dhe anasjelltas, Rugova i politikës nga ai i letërsisë? Apo thënë ndryshe, si manifestohen këto dy pyetje në domenin e asaj që Rugova e shihte si Res Publica?
Kur e lexojmë veprën tij letrare dhe politike, e shohim se këto dy fusha, krijojnë një relacion të ndërvarshëm, dhe vihen në funksion të interesit të përgjithshëm, sepse, Rugova i ideve politike, rezulton të jetë Rugova i ideve letrare.
Ibrahim Rugova, në kohën kur u inkuadrua në jetën politike, ishte intelektual me zë dhe studiues i afirmuar i letërsisë.
Autori që në fillim shkroi poezi, shpejt iu përkushtua kritikës letrare, ku la gjurmë të pashlyeshme, ndërsa dy dekadat e fundit të jetës, gjendet në veprim politik, periudhë kjo kur udhëhoqi kauzën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë për popullin e vet të robëruar.

Rrugët e tij intelektuale e krijuese, u kryqëzuan me momentet politike të kohës, siç ishte rënia e ideologjisë komuniste në Europën Juglindore.
Ndërkohë që ideologjia komuniste jepte shpirt, intelektuali i formuar në Paris, nxënës i Roland Barthes-it, për shkak të rrethanave shtrënguese- dhe jo ngaqë ushqente ndonjë afinitet për të- më 1989 gjendet në ballë të lëvizjes politike të kohës, të cilën e drejtoi deri në fund të jetës së tij, më 2006.
Në fakt, periudha para inkuadrimit të tij në politikë, karakterizohet me një veprimtari të bujshme letrare, veçmas në fushën e kritikës dhe studimeve letrare, ku ai shfaqi shenjat e dallueshme të intelektualit të madh.
Rugova, që në librin “Kah teoria” (1978), shkruante për transformimin e nevojave shpirtërore në shoqëri, mirëpo ato atëbotë synonte t’i ndihmonte dhe realizonte nëpërmjet rrugëve të letërsisë. Në Prishtinë, që atëbotë u bë qendër e kulturës dhe dijes, ai u bë prijetar i ideve letrare e kulturore bashkëkohore.
Ndërsa te libri tjetër me shumë ndikim, “Refuzimi estetik” (1987), veçmas te eseu me të njëjtin titull, Rugova, e shpalosi më qartësisht platformën kulturore dhe qëllimet e veta letrare, në funksion të transformimit të nevojave shpirtërore, të cilat dëshironte t’i sendërtonte nëpërmjet rrugëve të letërsisë. Sepse, ai besonte te letërsia dhe fuqia e saj për të ndikuar dhe ndihmuar këto transformime.
Rugova, qe i vetëdijshëm se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikon në vetëdijen kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik, apo të pushtetit, prandaj misioni i tij, qe një binom i pashkëputur: kulturë e politikë. Rugova, ishte i bindur se sa herë që politika e refuzon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën. Duke shtjelluar idetë e tij, ai shkroi: “pushteti më i mirë ka dalë ai pushtet që nuk e ka kufizuar apo që nuk i është mbivënë letërsisë.” Duke e zhvilluar tezën e vet për refuzimin estetik, Rugova, iu rikthehet marrëdhënieve ndërmjet artit dhe politikës. Dy fushat, edhe pse në kundërshti, janë pjesë e interesit të përgjithshëm, si res publica, mendon autori.

Ndërsa me monografinë “Vepra e Bogdanit” (1982), autori e shënjoi botërisht identitetin e vet kulturor e shpirtëror, dhe lidhjen organike e të pashmangshme me traditën dhe civilizimin oskidental, ku aspironte ta rikthente popullin e vet pas shkëputjeve shekullore.

Studimi i tij për veprën e Bogdanit, patriarkun e letërsisë shqipe, është thesar për kulturën letrare shqiptare, dhe një vepër e madhe, që hapi shtigje për të njohur më mirë këtë autor, por edhe kontekstin kulturor të kohës. Me këtë vepër, Rugova, ndikoi që ky korpus letrar- si tërësi- të lexohet dhe interpretohet si letërsi e mirëfilltë artistike dhe jo si korpus me vlerë gjuhësore; tendenca këto që synonin ta reduktonte vlerën e kësaj trashëgimie vetëm në planin gjuhësor.
Në fakt, më vonë kur do të inkuadrohet në politikë, jeta e Bogdanit do të bëhet model dhe frymëzim për veprimtarinë e mëvonshme politike.
Ibrahim Rugova, formimin parësor e kishte kritik i letërsisë. Ai ishte njohës i shkëlqyer i dijeve bashkëkohëse dhe problemeve të mprehta që shtronin atëkohë dijet për artin dhe letërsinë.

Rugova: ndërtues i Kosovës

Dijetari Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruante me një vendosmëri prej eruditi: “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.” Një autor që i mungon këtij triniteti, por që mund të quhet me të drejt ndërtues i Kosovës së sotme, është Ibrahim Rugova.
Koha, si gjykatësja më e drejtë dhe më e paanshme, i jep të drejtë pohimit të Koliqit. Sepse, kultura shqiptare, me tiparet shënjuese nacionale, më tepër se nga çdo kush, u mbrojt dhe u kultivua nga shkrimtarët. Ndaj, ka të drejtë dijetari i madh Eqrem Çabej, kur si tipar të letërsisë shqipe shënjon ngjyrën politike të shkrimtarisë. Më tutje Çabej shkruan: ”Poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushk.”

Shkrimtarët shqiptarë, në gjitha periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe, qenë njëkohësisht krijues të kulturës kombëtare, por edhe hartues të platformave për çlirim, pavarësi dhe emancipim, vlerësojnë njohës të shumtë të letërsisë shqipe.
Atyre iu kërkua që shpeshherë të linin librin dhe të viheshin në aksion. Ibrahim Rugova, në vazhdën e një kulturë të trashëguar para tij, e bëri një gjë të tillë.
Aksiomë e politikës së tij qe intelektualizmi, mirëpo ai aktiv, jo i mbetur përbrenda kabineteve akademike. Në këtë mënyrë, me idetë kulturore e politike, i dha një dimension intelektual e moral politikës. Përkitazi me këtë, ai pohoi shprehimisht: “E dini, intelektualët kanë vetëm dy rrugë, të mbetën te libri apo të rrëmbehen nga veprimi. Sepse unë jam nga ai lloj i intelektualëve që nuk pret të vijë diçka vetë.”
Kultura dhe shkrimi shqip, në kohën kur krijoi dhe veproi Rugova, bënte përçapjet kah idetë bashkëkohore, meqë deri atëherë ishte “në shërbim të idesë kombëtare.” Mu për këtë arsye, autori këtë mision- me veprime politike dhe intelektuale- dëshironte ta nguliste në vetëdijen dhe në identitetin e shqiptarëve. Duke e shndërruar në kulturë politike.
Përgjatë viteve të tij të angazhimit politik, ai vazhdonte t’i shprehte idetë e tij për interesin e përgjithshëm, duke i përzier ndjeshmëritë prej letrari e politikani, në funksion të mirës së përgjithshme.

Rugova ndërmjet letërsisë dhe politikës

Ibrahim Rugova, siç e përmendëm mësipërm, para se të ishte politikan, qe njeri i përkushtuar ndaj letërsisë e librit. I apasionuar veçmas ndaj traditës dhe vlerave letrare, ai lexonte dhe e vlerësonte leximin. Ai shkruante dhe e vlerësonte shkrimin. Ai përsiaste për tema e fenomene kulturore- letrare, dhe nëpërmjet tyre, e jetësonte vizionin e vet prej intelektuali.
Për sa kohë qëndroi pranë librit, nëpërmjet tij nxiti idetë progresive, duke synuar kulturimin e gjithmbarshëm, ndërsa këtë mision, i shtytur nga rrethanat, e vazhdoi në politikë, me metoda tjera, por asnjëherë duke u shkëputur nga burimi: libri si dije dhe kulturë. Sepse ai besonte se: “karakteri apo natyra e letërsisë dihet që prej kohësh: ajo përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.” Ndaj, ishte e kuptueshme para kultit të fjalës, ai ishte shumë i kujdesshëm dhe tejet njerëzor.

Pa mëdyshje, intelektuali meditans, s’mund të rrinte pranë librit, kur e shihte si rrezikoj Kosova e tij, në kohën kur një sistem i pështirë ideologjik jepte shpirt. Për këtë arsye, vihet në aksion. Ai, siç do të thoshte, në këso situatash, intelektuali kishte dy zgjidhje: të rrinte pranë librit apo të dilte në aksion.
Me librin dhe shkrimin si udhërrëfim, ai u bë politikani më i kulturuar i botës moderne shqiptare. Ndërsa, me tagrin e dijetarit të prier nga përgjegjësia dhe ndërgjegjja e lartë, e injektoi politikën me etikë dhe kulturë. Me këtë vizion human e kulturor, ai shpërtheu në diplomacinë e jashtme, mu pse nuk ishte politikan i sterotipeve retorike primitive, çfarë kishte prodhuar Ballkani i tij nëpër vite. Me vizionin dhe qasjen e butë, e fitoi vëmendjen e botës së përparuar dhe u admirua dhe vlerësua kudo.

Karakteristikat dhe shenjat dalluese të veprimtarisë së tij të bujshme letrare, janë qartësia në ide dhe mendime, si dhe të shkruarit me objektivizëm të admirueshëm. Tekstet e tij letrare, shquhen për thellësinë e mendimit, ndërkaq analizat e tij i karakterizon një qasje e disiplinuar letrare dhe një frymë moderne e komunikimit me tekstin letrar; format ky i kritikut që sot i mungon letërsisë shqipe. Si kritik letrar, ai shkruante për dukuri letrare, duke qenë shpeshherë nistor. Në këtë kontest, duhet pohuar veçmas roli dhe kontributi i pazëvendësueshëm në studimin e letërsisë së vjetër shqipe në tërësi, si dhe veprës së Pjetër Bogdanit, në veçanti.
Rugova, me dijen e akumuluar në Parisin e kulturës, iu dha shtytje të njëmend zhvillimeve letrare shqiptare. Letërsinë e lexoi në tërësi dhe jo të fragmentuar. Ndërsa përmasën estetike të saj e kundronte brenda konceptit estetik të së bukurës që gjallon nëpërmjet gjuhës së kultivuar. Ajo refuzonte mundësinë që letërsia të interpretohet sipas parakoncepteve ideologjike përjashtuese. Në këtë mënyrë, i dha hov pozitiv zhvillimit të kulturës shqipe dhe sidomos studimeve letrare.
Rugova, letërsinë e lexoi në thellësi dhe si dukuri estetike e semantike. Ai bëri përpjekje të dallueshme për të kategorizuar dhe për të ndërtuar një hierarki në letërsinë bashkëkohore shqipe. Në librin “Strategjie e kuptimit” (1980), me precizitet e pedanteri prej studiuesi, shkroi në përkim me mësimet se kritika është shenjë e mendjes së pjekur. Ai, kësisoj, mbetet nga të rrallët që pati guximin intelektual, t’ia thoshte njeriut të letërsisë dhe opinionit letrar, mendimin studiues për një libër apo për një autor. Rugova, s’ishte nga ata kritikët dogmatik të letërsisë, të cilët, mbushin tekstet me epitete dhe vlerësime për miq. Ai e kundronte letërsinë si art të së bukurës dhe vetëm ashtu e interpretonte.
Rugova, në fushën e letërsisë shquhet për prurjet të veçanta e origjinale. Tekstet e tij nuk janë dosido shkrime, por referenca domethënëse dhe cilësore që kanë ndihmuar dhe avancuar letërsinë shqipe.

Rugova misionar

Rugova, në politikë hyri me detyrën e një misionari. Gjatë jetës së tij politike, ai pati dy misione: ta lironte popullin e tij nga kthetrat e Serbisë dhe ta rikthente në gjirin e familjes europiane, prej ku ishte shkëputur padrejtësisht. Në funksion të këtij misioni, ai krijoi marrëdhënie me aleatët e Gjergj Kastriotit- filozofi kjo të cilën ai e ndoqi në çdo hap të jetës së tij, ndërkohë që Nënë Tereza dhe Papa Gjon Pali i II-të do të zënë vend të përhershëm në zyrat e tij.
Intelektual me vetëdije të mbrehtë historike, njohës si rrallëkush i kulturës autentike shqiptare dhe asaj perëndimore, ai e riktheu Dardaninë Antike në epiqendër të diskursit politikë, dhe të njëjtin e shndërroi në kauzë politike.
Politikën nuk e pati vokacion, por thirrje- mision në funksion të sendërtimit të Kosovës kulturore që me kohë u shndërrua në platformë politike. Ndaj, iu dashtë ta rindërtonte bashkimin shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës, në hollinë e një kaosi ideologjik e identitar që po perëndonte. E filloi me refuzimin estetik ndaj të keqes dhe paralelisht u përpoq ta krijonte modelin autentik të Kosovës, me shenja e figura që buronin nga kultura kombëtare, të cilën e njihte mjaft mirë.
Misteri i suksesit të tij, ajo nyja nevralgjike që e bëri atë të fitoi epitet të admirueshme ane e kënd botës së përparuar, qëndron te fakti se ai qe politikan i atipik. Premisa mbi të cilën e formësoi politikën e tij, qe pikërisht kultura, e cila, u bë pikënisja prej ku filloi jetësimi i platformës së afirmuar: liri, demokraci e pavarësi.

Letrari meditans, me këtë vizion, krijoi terren të mjaftueshëm për të ushtruar ndikim e tij politik e kulturor në Kosovë dhe më gjerë.
Rugova, si politikan ishte formuar nga idetë kulturore nga dhe jo duke ndjekur instruksionet e ndonjë ideologji të pastër politike, siç bëjnë zakonisht burrështetasit. Ndaj, ai besonte në unitetin kulturor, më shumë se në atë politik. Për këtë arsye, kërkoi me ngulm që të shpaloseshin rrënjët e identitetit të lashtë Dardan, ku kërkonte gurthemelin për të ndërtuar ngrehinën e tij politike e kulturore: Kosovën e pavarur, demokratike dhe të integruar në strukturat euro-atlantike.

Ai e nisi rrugëtimin politik, duke e sfiduar një regjim hegjemonist, me armët e vetme: kulturën dhe paqen.
Rugova, në politikë hyri me besim të patundur te kultura, ndaj asaj i solli risi, të cilat, mbeten trashëgimi e pasur për të ndërtuar Kosovën e stome dhe të nesërme. Politikës i solli botëkuptimin e munguar të kulturës. Me qasjen ndaj politikës, hapi horizonte të reja për Kosovën, çështjen e së cilës ngriti aty ku aspironte populli: në Europën oskidentale, sepse ai pohonte me vendosmëri se provenienca kulturës së Kosovës dhe e shqiptarëve ishte oksidentale.
Në domenin e politikës, Rugova, vinte në skenë pa ndonjë trashëgimi politike të pasur, të cilën ia vlente ta ndiqte. Ai mori drejtimin e Kosovës, në kohën kur ajo përballej me politikën hegjemoniste serbe. Ai asnjëherë s’u përkul para “parimeve” të ulëta që ka përcaktuar politika shqiptare ndër vite. Si vizionar dhe projektues, ai shihte matanë perdeve të errëta politikës së ditës.

Dhjetë vite pas vdekjes

Tanimë kur bëhen dhjetë vite nga ikja e tij në amshim, koha, si gjykatorja ma e mirë e historisë, po e vë atë në krye të Olimpit të politikës dhe kulturës shqiptare. Po e nxjerrë nga llogore, ku tentuan ta fusin cenet dhe shpirtngushtësia njerëzore; ku tentuan ta fusin armiqtë politikë e smirëzinj, që s’mund të rriteshin nën hijen e tij. Sepse, ai ishte i madh dhe iu bënte hije të tjerëve. Ai, punën prej politikani, e bëri në heshtje dhe me filozofi të epërme. Në këtë mënyrë, triumfoi mbi gjithë. I mposhti gjithë. Pa zhurmë. Pa pezëm, por me mençuri e moral të lartë.
Dhjetë vite pas, koha po dëshmon se Rugova është tamam si vera: sa më shumë kalojnë vitet, aq ma i vlefshëm bëhet. Po e duan, admirojnë dhe imitojnë edhe armiqtë e tij të përbetuar politikë. Sepse, ai ishte patriot i kultivuar dhe patriotizmin e kishte virtyt dhe jo qëllim, siç ka ngjarë shpeshherë me politikanët në Ballkan.
Po, koha po e dëshmon se Ibrahim Rugova ishte politikan i ditur, tjetërfare nga ç’jemi mësuar t’i shohim këndej pari: të cektë e mendjeshkurtër. Ai ishte politikan dhe intelektual me sqimë krejt të veçantë dhe me një vizion të përhershëm e human politikën, sepse ai nuk ndiqte një kauzë personale.
Vepra e tij kulturore e politike, është pasuri për të gjithë ata që aspirojnë përparimin, dhe një udhërrëfyese sesi ecët dinjitetshëm krahpërkrah me popujt e qytetëruar.
Ibrahim Rugova, kolosi i Kosovës, siç shkroi At Zef Pllumi qe “nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit”, vendit të tij dhe kulturës shqipe i dha shumë në domenin e politikës dhe letërsisë, sipas parimit të njohur si Res Publica.

(Ky tekst është botuar te libri, Kujtesa e Rugovës, Fondacioni Ibrahim Rugova, 2016)

Kongresi i Manastirit- njëra nga lëvizjet më emancipuese të kulturës shqiptare

Shkruan Ndue Ukaj

Me 22 nëntor 1908, përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, i cili, e miratoi alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”.

Ky Kongres, shënon njërën nga lëvizjet më emancipuese të kulturës shqiptare. Sepse, vendimet e tij, ishin tejet të dobishme, dhe i dhanë shtytje të fuqishme zhvillimit të shkrimit dhe arsimit shqip, por edhe lëvizjeve kombëtare.
Po ashtu, kjo veprimtari titanike, ndikoi në procesin e Pavarësinë Kombëtare, të shpallur katër vite pas, më 1912.

Kongresi i Manastirit (1908), me kryetar të komisionit poetin kombëtar, Gjergj Fishtën, mbetet njëra nga ngjarjet më madhore të kulturës shqiptare. Në këtë Kongres, morën pjesë delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, dhe në përbërje kishte figura të rëndësishme atdhetare të kohës, siç ishin: Ndre Mjeda, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, dhe shume të tjerë.

Ky Kongres i dha vulë identitetit europian te shqiptareve, dhe njëkohësisht, i shpartalloi tendencat joeuropiane, të cilat çonin krye herë pas here ndër ne.
Ky kongres, si i tillë, në planin kulturor, kombin shqiptar e lidhi përjetësisht me Europën.
Nëse tipar thelbësor i një aksh identiteti është gjuha, atëherë shkrimi, alfabeti, është esenca e këtij identiteti.

Shkrimi është dëshmi e emancipimit dhe qytetërimit.

Shkrimi shqip, i mbijetoi një katrahure të vërtetë, sidomos gjatë shekujve të errët të sundimit osman, kur u ndalua. Kjo u bë e mundur, në saje të dashnisë që treguan për të: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, dhe shumë e shumë titanë të tjerë.
Sot, përjetësisht, duhet të jemi krenar me heronjtë e kulturës, guximtarë e përparimtarë, të cilët na lanë këtë pasuri kaq të vlefshme, shënjues të identitetit tonë.
Brezat tanë dhe ata që do të vijnë, e kanë për detyrë ta ruajnë dhe ta trashëgojnë këtë pasuri.

Fjalët e Fishtës në këtë Kongres, janë kumbues dhe të vlefshme për secilën kohë- janë këshilla që na bëjnë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm- edhe përpara sfidave që kemi sot, si komb, gjuhë dhe kulturë.

“Cila zemër prej shqiptari do të qëndrojë e pabindur përpara kësaj dite të shenjtë, që nuk e kemi shojtur prej 500 vjet! Jo kurrë! Do të jetë turp i madh që të kthehemi si erdhme përveç që do të qeshemi nga bota e huej, por do të shtimë popullin në dëshprim.”

Vendimet e këtij Kongresi, duhet të shërbejnë si udhërrëfim për shqiptarët e përhershëm. Dhe sidomos për të sotmit: për ata që janë ligështuar, për ata që i ka kapluar amnezia historike, dhe për ata që i ka rrëmbyer dalldia kozmopolite./ KultPlus.com

“Pianisti”- libër ku ndërgjegjja njerëzore mund të pastrohet

Ndue Ukaj
Poeti, kompozitori dhe eseisti i njohur gjerman, Wolf Biermann, në pasthënien që i shkruan librit “Pianisti”, e kujton një bisedë prekëse me autorin, Wladyslaw Szpilmanin: “Në rini kam studiuar dy vjet muzikë në Berlin. Nuk jam në gjendje të kuptoj ç’ka bërë vaki me këta gjermanë…kanë qenë kaq shumë të dhënë pas muzikës!” Lexuesi i këtij libri, por edhe secili që ka lexuar për tmerret e Holokaustit, nuk ka sesi të mos e bëjë të njëjtën pyetje. Të mos e ketë të njëjtën dilemë. Të mos e nxjerr të njëjtin duf, dhe të mos e bëjë të njëjtën thirrje. Pas kaq vitesh, ky libër, tingëllon si të jetë shkruar për secilën kohë, për secilën gjuhë, për secilën kulturë dhe për secilën fe e qeveri.

Gjermani Wolf Biermann, i mahnitur nga figura e pianistit dhe kujtimet e tij, shkruan për këtë të mbijetuari nga pushtimi nazist gjerman në Poloni, ku “kanibalë të vërtetë ishin hitlerianët e ushqyer më së miri.” Ai e vlerëson librin, meqë “gjuha e tij është e përmbajtur dhe autori nuk e njeh urrejtjen.” Pikërisht këtu qëndron madhështia e njerëzve të mëdhenj, çfarë ishte autori i këtij libri, i cili, përkundër tmerreve dhe vuajtjeve që përjetoi, asnjëherë nuk ra në kthetrat e urrejtës dhe verbësisë mendore që shkakton ajo. Por, me një çiltërsi e thjeshtësi, e përshkroi luftën, duke na lanë një libër testament, një autobiografi, ku autori shtjellon ngjarjet në veten e parë, përshkruan luftën, atmosferën sociale e psikologjike që mbizotëronte atëkohë, mendimet dhe ndjenjat vetjake për të dhe raportet me njerëzit që e rrethonin.

Më tej, Biermann, shkruan: “Szpilmani e përshkruan Holokaustin me një prozë të kursyer e me intensitet poetik.” Këtij përkufizimi, s’mund t’i heqësh asgjë. Sepse, libri, mund të lexohet si rrëfim autentik për ngjarje reale, dhe si prozë e shkëlqyer, që të drithmon shpirtin me fuqinë artistike të rrëfimit, me përshkrimet plot detaje për qytetin, luftën, njerëzit, rrethanat politike globale. Pra, libri ka informacione të shumta, dhe ato janë të mbarështuara me stil të lartë e me kompetencë narrative të jashtëzakonshme.
Kujtimet e Szpilmanit, janë të shkruara fill pas luftës. Versioni i parë i këtij libri është botuar në vitin 1945, por siç tregon djali i tij, Andrezej Szpilman, “botimi i parë doli i sakatuar dhe i shkatërruar nga censura.” Megjithatë, shton ai, libri edhe në atë formë, “përmbushi qëllimin e vet, sepse e ndihmoi atë të çlirohej nga makthi i përjetimeve të luftës dhe i bëri të mundur rikthimin në jetën e zakonshme.”

Gjatë leximit të këtij libri, por edhe kur e kam parë filmin e bazuar te ai, jam ndalë shpeshherë, dhe e kam medituar në heshtje, sikur të isha në një tempull lutjesh-pran një altari- ku ndërgjegjja njerëzore duhet të rrëfehet.

Autori i librit, kur shpërtheu lufta, ishte pianist i njohur, dhe punonte në Radijon Polake. Ai, mrekullisht shpëtoi nga vdekja, në momentin kur një polic e njohu, dhe e shkëputi nga familja, të cilën nazistët gjermanë ia vranë. Dhe për të, aty filloi “një mundësi për të jetuar”- thotë ai vetë, por edhe një dramë dhe kalvar i vërtetë i vuajtjeve: filluan ditët e errëta, dhe një jetë me dhimbje të pafundme. Ai e përjetoi dinjitetin e nëpërkëmbur të njeriut, urrejtjen, dhe të gjitha i sfidoi gjatë viteve të luftës në Varshavë, 1939-1945- në një qytet ku thuajse në çdo rrugë, ndërtesë, shesh, ishte vizatuar fytyra e frikshme e vdekjes, dhe ku tmerret e mizoritë ishin të pranishëm kudo, sidomos në geton ku ishin vendosur hebrenjtë, që ndiqeshin nga gjermanët nazistë. Autori jetoi i fshehur, nën rrënojat e qytetit që bombardohej e digjej, i ndjekur nga gestapoja dhe SS-ja, aty ku kundërmonin kufomat e dekompozuara, pa bukë, dhe pa njeri me kënd të ndërronte ndonjë fjalë. Ai, pa e përjetoi skena makabre, por nuk u dorëzua, dhe deri në fund besoi se liria një ditë do të agonte. Vërtet, në agsholin e lirisë, ai i dha botës fytyrën e gdhendur të Luftës së Dytë Botërore, dhe trishtimin që solli ajo, nëpërmjet kujtimeve të botuara në një libër të jashtëzakonshëm. Libri pati jehonë të madhe dhe u bë film, dukë arritur suksese të jashtëzakonshëm në fushën e kinematografisë.
Kur Wladysaw Szpilmani u nda nga familja, ai e kuptoi se aty po fillonte një jetë e re: e errët, në ikje dhe vuajtje e dhimbje pafund. Ai, në shumë raste e shihte si zgjidhje vetëvrasjen, por e tërhiqte më shumë forca e jetës. Në këtë mënyrë, ai e përballoi vdekjen e familjes, dhimbjet në shpirt dhe në turp, dhe arriti t’i shijonte ditët e lirisë, për t’i shkruar këto kujtime tronditëse, që janë pasuri dhe shkollë e përhershme kundër amnezisë historike.

Përshkrimet që bënë Szpilmani, për qytetin e Varshavës, për geton ku jetonin hebrenjtë, për tmerret që kaloi familja e tij dhe ai vetë, për urinë, për kufomat, dhomat e gazit, ikjet, lëvizjet e ushtrive, janë mahnitëse dhe prekëse; janë rrëfime që e tronditin secilin lexues, dhe njëkohësisht e qesin para pyetjeve e dilemave të shumta: çfarë bënë njeriu, që ta zbutë egërsinë e kësaj bote, dhe ta bëjë atë më të mirë dhe më humane. Deri në fund të librit, lexuesi, duke vuajtur me autorin, shpeshherë nga një duf i dhimbjes e trishtimit pohon: ne nuk bëjmë asgjë për të mposhtë tiraninë, të keqen dhe egërsinë e njeriut. Por, kjo ndjenjë nihiliste, në fund të librit merr formë tjetër- mposhtet- kur shfaqet engjëlli mbrojtës i Szpilamnit, kapiteni Vilm Hosenfeld, ai i cili, ia shpëton jetën pianistit. Që këtej, në këtë histori shfaqet figura e heroit tjetër. Fragmentet e ditarit të tij, të botuara në fund të këtij libri, ndihmojnë ajrosjen e shpirtit njerëzor, sidomos atyre të prekurve nga lufta, të persekutuarëve dhe persekutorëve. Kjo pjesë e librit, është plotësim i mahnitshëm i rrëfimeve të Szpilmanit. Sepse, nëpërmjet Hosenfeldit, lexuesi e kupton se e keqja, asnjëherë nuk mund ta mposht plotësisht njeriun, dhe forcat humane, janë si kandili në errësirë, dhe gjithmonë janë përballë me hordhitë barbare, që njerëzimit i shkaktojnë errësirë, mizori, vuajte e prapambeturi. Duke ia shpëtuar jetën Spilmanit, dhe me ditarin e tij prekës, kapiteni tregon anën tjetër të rrëfimit për luftën. Këta dy heronj të vërtetë, janë dy polet e këtyre kujtimeve mbresëlënëse- janë shembuj për t’u admiruar- karaktere të forta, për të cilat gjithmonë kemi nevojë.

Ky libër i botuar atëherë kur kujtimet e luftës ishin krejtësisht të freskëta, dhe kur plagët e saj kullon gjak, lot e mërzi, përçon një mesazh tejet domethënës dhe të tejkohshëm- drite e ketharsisi. Kujtimet e Szpilmanit, nuk janë pjellë e imagjinatës së një artisti, por rrëfime e dëshmi tronditëse, me ngjarje dhe personazhe realë, që kanë jetuar në kohë të liga, kur njeriu u tkurrë deri në nivelin e kafshës.

Librin e përshkon një forcë e pathyeshme morale, që kërkon të sfidohen mizoritë, por edhe batakçinjtë që i mbrojnë ato, të cilët, siç dëshmon autori, gjinden kudo dhe në çdo kohë.

Kujtimet e trishta të hebreut pianist, janë thirrje e fuqishme e dramatike për jetë, në momente të rënda, kur vdekja ishte tregimi themelor i jetës, dhe kur për të punonin një aparaturë e tërë ushtarake, policore, spiunazhi; të sponsorizuara nga politika.
Duke i lexuar kujtimet e Szpilmanit, ne kuptojmë përplot drama njerëzore: për gruan që duke u fshehur nga ndjekjet naziste, e mbyti të birin që të mos dëgjohej duke qarë; për plakun që e hedhin nga katet e larta të një pallati në trotuar; për njeriun e uritur që hidhet mbi baltë dhe lëpinë supën në trotuar, për trafikantët që luftën e përdorin për interesa e përfitimi, për dhomat e gazit që mbytnin njerëz pa fije faji, për forcën e pakët morale që dëshmon njeriu kur ballafaqohet me situata të tilla dramatike. Por, edhe për forcën morale të atyre që janë ana e kundërt e këtij rrëfimi, ata të pathyeshmit që kërkojnë me ngulm lirinë. Dhe në krye të atyre, është autori- heroi i vërtetë – një model për çdo kohë e për çdo kulturë.

Libri, ndonëse përshkohet nga tragjikja e jetës, ai është një autobiografi që i bënë jehonë lirisë; është jehonë e njeriut të paepur për të sfiduar vdekjen, edhe në momenti kur ajo dukej se ndiqte si hija.
Për mua, ky është një libër ku dëshmohet forca e mbinatyrshme që jep liria për të duruar në emër të saj mynxyrat më të tmerrshme, në një lufte të pistë që bënë nazistët kundër hebrenjve në Varshavën e autorit.

Autobiografia “Pianisti” duket sikur është shpalim qiellor, për vobekësinë e njeriut, për tkurrjen e shpirtit njerëzor, është dëftim qiellor për barbarinë dhe katandisjen e njeriut deri në nivelin e kafshërisë; është një libër që shpalos anën më të errët të njeriut: epshin shtazarak të tij për të bërë keq. Autori, si endacak, me shijen e lirisë së humbur, pa një kordhë buke për të mbushë barkun e uritur, i fshehur nën rrënojat e një qyteti që digjej, luftoi për jetën dhe lirinë, pa e ditë nëse ajo do të agonte një ditë, dhe dielli i lirisë do ta ngrohtë trupin e tij të sakatosur.

Autori i librit “Pianisti”, derisa rrëfen kujtimet e tij për luftën, ai njëkohësisht na jep një pasqyrë totale dhe të vlefshme historike për kohën, njerëzit, politikën.
Heroi i këtij libri, më 23 shtator 1939, derisa po luante në piano, në Varshavë shpërthenin predhat, dhe atë pasdite, bombardimet gjermane shkatërruan radiostacionin e Radios Polake. Në fund të luftës, nën rrënojat e bombardimeve, atë të fshehur në papafingo, e gjen kapiteni Vilm Hosenfeld. Kapiteni ia shpëton jetën, dhe kur e kupton që hebreu ishte pianist e shti të luajë në piano. Szpilamni mrekullisht i rikthehet pianos, dhe luan “Nokturn në do diezis minor.” Dhe këtu zë fill jeta e tij e re, nën rrënojat e luftës, me tingujt e muzikës. Kështu, kjo vepër muzikore, rikthehet si himn qiellor dhe ia shpëton atij jetën.
“Pianisti” është testament i përhershëm për pathyeshmërinë e shpirtit njerëzor dhe dëshmi se e lufta për jetën duhet të bëhet deri në fund. Kundër barbarisë- së paku- për të t’i treguar njerëzimit të ligat e tij, dhe për t’i edukuar breznitë e ardhshme me ndjenja lirie, dashurie e humanizmi. Në këtë aspekt, kujtimet e Szpilmanit trokasin fort në ndërgjegjen e njerëzimit. Për më shumë, ky libër rri si një altar pran të cilit ndërgjegjja njerëzore mund të pastrohet.

Pianisti është një libër që del nga humbëtira dhe kutërbimi i kufomave të luftës, por pluskon nga një shpirt i mbushur me jetë dhe me dashuri për jetën dhe muzikën.
Autori i këtij libri përshkruan me stil dramatik mizoritë e pafundme të Luftës së Dytë Botërore, të shkatërrimit të Varashavës, dhe të vrasjes së afër gjysmë milioni hebrenjsh. Autori paraqet tablo të paharrueshme të kësaj lufte dhe të batakçinjve që në kohë të liga, dinë të bëjnë punë të pista, ashtu siç është e pistë lufta në vete.

Ky libër, me karakteristikat e veta shkrimore, i vë përballë sfidave serioze teorikët më të mirë të letërsisë. Me intensitetin artistike që përçon, ai i ngjan një rrëfimi, por libri nuk është një roman. Ai nuk është as një tregim. Nuk është as vetëm një autobiografi. Ai është diçka më shumë. Për mua, ai është një libër total në vete- do të thosha- një shpalim hyjnor për të qortuar ndërgjegjen e fjetur të njerëzimit. Dhe si i tillë, libri i vë përpara gjyqit historik, më së shumti ata që bëjnë keq, por edhe ata që rrinë të heshtur e nuk bëjnë mirë, ashtu sikurse edhe ata që nuk e ngritin zërin kur shohin sesi barbaria lëshon rrënjë në tokë.

Në fund, duhet përgëzuar përkthyesin e librit në shqip, Astrit Beqirajn, për përkthimin cilësor, që i shton vlerën këtij libri në kontekstin kulturor shqiptar.
Nëse ka shumë libra për të cilët duhet të flitet e të shkruhet vazhdimisht, “Pianisti” zë kryet e radhës. Sepse, librat e tillë janë si altar ku mund të pastrohet ndërgjegjja njerëzore nga mëkatet e shumta. Pianisti është një ndihmesë e jashtëzakonshme për ata që duan të bëjnë Mea Culpa./KultPlus.com

Kur prishet paqja biblike

Poezi e shkruar nga Ndue Ukaj.

Ndodh ndonjëherë mos m’u kuptue
kufini mes natës e ditës,
as mes t’mirës e t’keqes
as mes t’ drejtës e t’padrejtës.
Ndodh ndonjëherë rrugët ngatërrohen
e në pështjellimin e madh nuk dallohen ngjyrat.
Krejt kjo ndodh kur shuhen dritat n’ horizont.

Papritun, si në një skenë teatri hapet një perde;
skena asht boshe, e thatë, e ftohtë, e errët…
sikur një jetë e fshehtë plot mistere
dhe një i pendum që rrëfen vetveten
pa fund e pa fillim.

I kredhun në kontekstin e rutinës
pa liri, as me robëni.
Ndodh ndonjëherë njeriu s’ ka horizont
dhe çdo gja përmbyset
sikur para një cunami që merr përpara gjithçka.

Ndodh ndonjëherë njeriu s’ka lartësi as thellësi
ndodh t’ kujtojë se s’ishte asgja,
s’ishte askund
s’ishte askush…
në botën që fundoset në sytë e tij pa horizont,
thotë: gjithçka ekzistoi si në një ulërimë t’ frikshme.

Po, ndodh ndonjëherë, njeriu dëshiron m’u ulë kambëkryq
në Pemën e Dijës
me pa si u prish paqja biblike, kur digjej Edeni./ KultPlus.com

Kodi i fshehur i shllimit poetik- refleksiv të Ndue Ukajt

Remzi Salihu
Ne sofrën e festivalit ‘’Ditët e Naimit, poeti Ndue Ukaj, vjen edhe njëherë me një shllim (përfytyrim) të koduar e të veçantë artistik.

Autori Ndue Ukaj dhe libri më i ri, i ardhur nga opusi tërësor i krijimtarisë së tij të deritanishme, që titullohet ‘’Krijimi i dashurisë’’, përforcon edhe njëherë bindshëm vendqëndrimin e tij të besueshëm dhe kriterin e artit të standardizuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare.

Ai me kujdesin më të madh ruan veçantinë kreative të të shprehurit imagjinativ, sa për t’u dalluar tanimë bindshëm edhe me stilin e tij të veçantë nga shumë autorë të tjerë të kohës sonë. Autori nuk shkruan sa për të thënë diçka, por kujdesin e përqendron te fjala dhe vargu i mendimit, për të thënë diçka të veçantë.

Akordet e ndjeshme simbolike dhe gjuha poetike refleksive e vargjeve të këtij poeti, hyjnë e dalin lirshëm në tempullin e dashurisë së krijuar njerëzore, që ka rrënjët e saja të thella në një përfytyrim gjuhësor kozmik të bindshëm, ku lashtësia dhe e sotmja gërshetohen nyje në trungun e bukur të pranisë qenësore.
Kështu, kujtesa e dalë me shije dhe kriter të veçuar, nga gërmadhat e gjetura letrare, stilistike, dhe sidomos me ato të dhënat simbolike të kërkuara gjithandej labirinteve estetike moderne, e ka vënë artin shkrimor të këtij poeti në vlerë kreative të pakontestueshme, për të salduar diçka të qëndrueshme e jetësore në kreativitetin e kësaj shoqërie.

Motivet e shumta që lidhen me qenien njerëzore dhe qëndresa kolektive, kështu siç është e universalizuar nëpër vargje e perceptim të autorit, janë ngasje shkrimore të dallueshme, që me efektin e tyre ndikues ironik, ndriçojnë kthjellët peshën e pranisë njerëzore nëpër rrjedhat e kohës. Poeti me flakën e qiririt dritëdhënës, bënë kërkimin e dritës dhe dashurisë së sinqertë të qenies.

Kjo bindje sakrifikuese arrihet në jetë me vendosmëri arti, kryesisht duke zbardhur vëmendshëm gurët e qëndresës shoqërore nëpër rrjedhat e guximshme të lashtësisë. Këtë rrugë të ashpër e të pakalueshme, që sjell vështirësi të madhe jetësore, autori e hap guximshëm me lumin e fjalëve simbolike, të cilat fjalë nga efekti kumbueshëm i brendshëm dhe nga domethënia ironike, kuptimore, që kanë zënë vend poetik të qëndrueshëm në shtratin e pritjes së përhershme të shpresës, qëndresës dhe dashurisë intime, për ta parë më qartë të vërtetën e kohës dhe jetës.

Atmosfera e dialogut të brendshëm poetik në përmbledhjen e sa po botuar ‘Krijimi i dashurisë’’ ngjall emocion dhe dimension të dyfishtë njerëzor, sidomos të krijimit bërthamës dhe të pranishmes së lashtë dhe asaj ëndrre të sotme të imagjinuar, që asimilohet drejt një realitetit jetësor të ri, por që qëndron si mister gjuhësor filozofik, apo si kod mallëngjimi i thellë, në pritje të fitores së kërkuar me vite.

Përshkrimi epik i detajeve brendshme të ndjenjës së poetit, ndërlidh dhe faneps guximshëm besimin dhe besnikërinë e pritjes reale të subjektit, mu në nyje të fjalës së dhënë e të forcuar nga mitet dhe legjendat.

Tanimë ato fjalë e sintagma të përdorura, me motivet e shumta, rreth e përqark figurave të gjetur apoetike, dendësohen rrjedhshëm në kuptim dhe tillat tregojnë në mënyrë të zhdërvjelltë vazhdimësinë kronologjike të simbolikës autoktone. Krejt kjo prurje mjeshtërore qëndron si fryt i përhershëm i posedimit të dijes, guximit dhe trimërisë së mbështetur në sprovë jetësore të gjatë.

Poeti duke u angazhuar në rrethanat e kohës dhe të jetës kolektive, e cila në realitet shfaqet me plot peripeci e sakrifica, nuk lë pa ia shkruar kohës dhe njerëzve një të vërtetë historike, të përjetuar, e cila si e tillë që është me të keqen dhe të mirën e saj, krijon rrëmbyeshëm ironinë e jetës kolektive për ndodhitë strehuara në qenie, që me vetëdije apo pa vetëdije, sot sjellin situata të tmerrshme, makabre, dritën dhe errësirën, të shëmtuarën dhe të bukurën, që pastaj me pasojat e saja tjetërson vendin, njeriun dhe shoqërinë.

Ndaj jo rastësisht poeti në një varg të tij thotë: ‘’Nëpër xhepat e ndotur me nostalgji të betonuar’’, e cila nostalgji, gjithsesi se ka peshë pikëllimi e shqetësimi, dhe vraga e saj e errët mbetet e përhershme deri në përjetësi. Kështu derdhja e kumtit social, njeriun e përcjell gjithnjë në jetë, ku shihet një nostalgji e prekur thellë, nga drejtpeshimi i brishtë ekzistencial, për kohën dhe hapësirën e humbur përjetësisht në jetë.

Ndue Ukaj me këtë vëllim poetik ‘’Kthimi dashurisë’’ i afrohet lexuesit me një gjuhë të veçantë refleksive, ku potenciali dyshues, provokativ artistik, i perceptimit të rrethanave jetësore nuk fshihet lehtë vetëm në lirizëm melankolik, mallëngjyes, por aty shihet edhe elementi i latuar epik i qëndresës dhe pritjes stoike të unit të njeriut nëpër situata edhe të paparashikueshme shoqërore.

Pa dyshim se ky refleks poetik ndërlidhet thellësisht me ndjenja të forta lirike dhe vargu i tij përçon një porosi kozmogenike, të qëndrueshme, ndaj dhe kjo veçanti përçuese shihet qartë në filozofemat e adaptuara rrjedhshëm nëpër vargje poetike kuptimore

Autori përmes një kështjelle të fortë gjuhësore figurative, që rrënjët i ka në lashtësinë e qenësisë, krijon ‘’Tempullin e dashurisë’’ së re, për vlerat ekzistuese dhe të trashëguara njerëzore, për të zbukuruar dhe mos harruar, sadopak rrethin, vendin, natyrën dhe gjithçka që është e mrekullueshme, në dobi të ekzistencës së njeriut të kësaj ane.

Poezia moderne e Ndue Ukajt është perceptim universal i temës, motiveve dhe idesë së gërshetuar në një qëllim stilistik të veçantë, ku shfaqet dhembshuria, dashuria dhe pa kuptimësia individuale e shoqërore, e cila në fokus të pranisë së qenies ekzistuese, ka kryesisht çlirimin nga vetmia, inferioriteti dhe nga getoja e improvizuar e së keqes, që prodhon dhe mban peng një përfytyrim filozofik skeptik, e cila në suaza estetike kohore, jep porosinë kreative të qëndrueshme e dyshuese, për të dalluar apo vënë në baraspeshë gjykimi artistik, gjërat që nga lashtësia e deri më sot. Poezia e Ndue Ukajt mund të themi se është e ndërtuar mbi një fundamend energjik të librave të lexuar dhe sipas kësaj baze kulturore të përthithur me afinitet, ndërton universin e vet kreativ të dallueshëm.

Duke qenë studiues i letërsisë, autori në fjalë, ka kujdesin e posaçëm të mbarështimit të ideve dhe fjalëve artistike. Simbolikën e tij e bartë nga libri në libër dhe akordon një kontinuitet figurash të përzgjedhura individuale./KultPlus.com

Martin Camaj për poezinë fishtjane

Ndue Ukaj

Vepra letrare e Fishtës është objekt i studimeve, monografive dhe teksteve me premisa letrare dhe jo letrare. Përgjatë shekullit të kaluar, Fishta mori vlerësimet më të larta, siç ishte epiteti i Homerit shqiptar, nga Maximilian Lambertzi, por edhe ato më përbuzëse, kur aidhe vepra e tij u tentua të zhdukeshin, duke uqitë në harresë. Si rrjedhojë e dhunimit kulturor që ideologjia komuniste i bëri kulturës shqiptare, vepra e tij u gjykua gabimisht-u ndalua- ndërsa autori, nuk u la të prehej i qetë as në varr. Jetën dhe veprën e tij e goditën një rrebesh stuhish, furtunash e trazimesh nga më të dhimbshmet:ajo qe e mbushur me lëvdata dhe përbuzje, u gjykua dhe u paragjykua, u lexua tinëz, dhe u luftua nga idiotësia komuniste në mënyrën më të pështirë të mundshme. Por, me rënien e ideologjisë staliniste-ideologji kjo që gjymtoi dhe e deformoi kulturën shqiptare dhe shijen për artin- vepra e Fishtës u aktualizua dhe u bë pjesë e jetës aktive letrare në botën shqiptare.

Pikërisht në vitet e para të lirisë kulturore e politike, nevojën e aktualizimit të veprës së Fishtës dhe trajtimit të saj si vepër artistike, e shtroi MartinCamaj, në tekstin “Aktualizim i poezisë fishtjanë.” (Ky tekst qe i përgatitur për t’u lexuar para Shoqatës “Át Gjergj Fishta”, më 23 tetor 1991 në Shkodër, por nuk u realizua për shkak të gjendjes së rënduar të autorit dhe mbeti në dorëshkrim, për t’u botuar në numrin parë të revistës “Hylli i Dritës” të vitit 2017.)
Aktualizimi për të cilin shkruan Camaj, lidhet me procesin e këputun që përjetoi vepra e tij; proces ky që ruajti një fill të vazhdueshëm në traditën letrare jashtë hapësirave shqiptare, në të cilën realisht janë shkruar vepra shumë të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Vepra fishtjane bëri një jetë të çuditshme: ndonëse e ndaluar, ajo u lexua me admirimnë diasporën shqiptare. Dhe pas rënies së murtajës komuniste, vepra e tij u kthye në tryezën letrare të shqiptarëve, si vepër e madhe letrare- si vepër që “shënon një kthesë pa të cilën nuk do të kishte pasë zhvillim të matejshëm poezia jonë.” (M. Camaj)

Martin Camaj, poeti më i fisëm i shekullit të kaluar, në tekstin “Aktualizimi i poezisë fishtjane” analizon raportet e veprës fishtjane me mendimin letrar e kulturor shqiptar dhe të huaj. Autori i këtij teksti,që në titull e sfidon lexuesin dhe mendimin letrar me nevojën që vepra e fishtjane të aktualizohet, në kushte e rrethana të reja, dhe të kundrohet si art.
Camaj del kundër mendimit të afirmuar shqiptar që vlerat e veprës së Fishtës i ndërlidh kryesisht me epikën e tij, dhe kërkon që leximi dhe vlerësimi i veprës së tij duhet të shtrihet edhe në lirikë dhe në ironinë e satirës, dhe po ashtu kërkon që vepra e tij të lexohet dhe të vlerësohet në kontekst të një letërsi të shkruar në periudhën dramatike të formimit të shtetit shqiptar.
Camaj, si shkrimtar dhe studiues me shije të kultivuar letrare, flet për dobitë letrare që dalin nga leximi i veprës së Fishtës, dhe vë theksinteaspekti artistik e estetik i saj, i cili, në mendimin letrar dhe jo letrar shpeshherë është anashkaluar. Po ashtu, Camaj merret me problemin që paraqet kuptimi i veprës fishtjane për ata që u verbuan nga deduksionet komuniste; deduksione që deformuam shijet për artin dhe kulturën. Në kontekst të kësaj, Camaj shkruan: “Problemi për kuptimin e poezisë fishtjane si të çdo autori tjetër të madh të letërsisë tonë, Poradeci apo Mjeda dhe në kohë të reja Mitrush Kuteli, për shembull, paraqet forma, kryekreje gjuha e lidhun ngushtë me stilin vetjak të poetit (language). Dukuni e përgjithshmepër të gjitha vendet e diktaturës staliniste, me pak përjashtime si janë gjuhët me traditë të gjatë kulturore, ashtë formalizmi i gjuhës në një drejtim të caktuem për ta ba atë mjet e vegël përçuese të propagimit të doktrinës dhe praktikave të shtresës sunduese.”

Në këtë tekst, Camaj bën një paraqitje të thuktë të jetës që bëri vepra e Fishtës në rrafshin botëror dhe shkruan: “Fishta ka hy me kohë në letërsinë botnore, posaçe në studimet monografike specifike rreth epikës botnore, meqenëse Pyeti ynë në këtë gjini letrare zë vend të posaçëm: Lahuta e Malcis mbahet si vepra e fundit epike nëkontinentin tonë.”

Ndonëse e ndaluar në atdheun e tij dhe në trojet tjera shqiptare, Camaj tregon se vepra e Fishtës bëri jetë të aktive në diasporë, dhe atje nukështë “qitë kurrë në harresë”. Në këtë aspekt, ai jep të dhëna tëbotimit të veprës së tij, siçështë botimi me 1950 i veprës Lahuta e Malcis në Romë në mijëra ekzemplare. Po ashtu, aijep shpjegime rreth botimit të kësaj vepre në Gjermani, dhe shkruan: “Lahuta është përkthye në gjermanisht nga albanologu i përmendun Max Lambertz, i cili ishte profesor i Universitetit në Leipzig, në zonën komuniste, dhe atëbotë qeveria e Enver Hoxhes kishte ndërhyrë, dhe libri doli në Gjermaninë Perëndimore, në Munchen, 1958. Vepra e Fishtës pati një audiencë letrare edhe në Itali. Camaj përmend faktin se këngë të ndryshme tëLahutës dhe pjesë nga satira e tij qenë përkthyer nga shkrimtari i madh Ernest Koliqi, dhe u botuan në revistën letrare “Shejzat”, ndërsa Lahuta e përkthyer nga albanologu arbëresh Ignazlio Parrino doli në Palermo, në vjetet ’60.
Në këtë tekst, Camaj tregon edhe për vëmendjen që i kushtoi kësaj vepre studiuesi Arshi Pipa, i cili, po ashtu ka përkthyer nga vepra e tij.
Duke i sintetizuar këto arritje të larta të veprës fishtjane, Camaj shkruan se breznia e re shqiptare gjendet para një vepre të madhe, para një vepre që për një shekull u ndalua nga “asi njerëzish të paaftë me gjykue çka është art e poezi, po se po, por edhe pa vlera morale e patriotike, tipa Tartufësh që simbas Fishtës edhe në kohën e tij kishin këso parimesh:

“Ti ke mbajtun
Gjithmonë këtë rregull:
Erzin e shpirtin
Do t’losesh shregull
Do t’i shesishvllaznet,
Do t’mohojsh fisin
Sa herë qin’shekull
Ta laverdisin
(Anzat e Parnasit)

Camajnuk le pa përmendë edhe lidhjet ndërmjet veprës së Fishtësme autorë e dukuri tjera letrare:“Gjergj Fishta dhe Jeronim De Rada janë klasikët tanë që lidhën traditën letrare gojore popullore, me siguri një traditë letrare mija vjetësh, me letërsinë refleksive apo individuale të shkrueme.”

Camaj e përfundon këtë tekst të vlefshëm me një thirrje për lexuesit shqiptarë: “breznitë e reja gjenden para mundësive të reja që edhe përmes poezisë të klasikëve tanë të përvetësojnë cilësitë estetike të lira e të natyrshme e që andej të nisen rrugëve të reja në zbulimin e jetës së artit tonë, të ethnos-it.”
Koha ka treguar se vepra letrare e Fishtës është dosido vepër, por një vepër e madhe dhe me shumë ndikim. Pikërisht kjo është arsyeja pse me të është marrë politika dhe kultura, janë marrë lexues të kultivuar dhe të pa kultivuar.
Fakti seme veprën e tij janë marrë studiues të ndryshëm e të kohëve të ndryshme, është një dëshmi e parë e një vepre me ndikim letrar, e cila, si e tillë, i ka tunduar ata që e duan, por edhe ata që s’e duan.
Kritika politike enveriste e gjykoi veprën e tij nisur nga urrejtja e çmendur që ushqente kundër klerit katolik. Por, Fishta qe artist dhe vepra e tij i mbijetoi kohët e liga dhe hyri në shekullin e lirisë së shqiptarëve si një vepër e madhe letrare, dhe për këtë tërheq vërejtjen Camaj kur shkruan: “Tek Fishta, për shembull, mbivlerësohet funksioni patriotik dhe s’kujtohemi se Fishta së pari ashtë poet i madh.”
Ky tekst i panjohur i Camajt për Fishtën është një freskim për të njohur Fishtën dhe artin e tij, dhe një qasje dobiprurëse për të lexuar veprën e Fishtës pa shtrëngime dhe pa ngarkesa paraletrare.

Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet

Ndue Ukaj
Shkrimtari gjenial, F. M. Dostojevski, te romani “Te fyer e te poshtëruar”, ka një moment kur thotë: “në banesa të ngushta, edhe mendime janë të ngushta.”

Dostojevski, po të shihte katrahurën tonë urbanistike, disharmoninë e plotë, rrugët e trotuaret e ngushta, sheshet e pakta, kaosin urbanistik, betonin e pafund, ndërtimet pa shije estetike, do të thoshte se këtu formohen njerëz me mendime të ngushta.

Po, sepse arkitektura madhështore na flet dhe na fisnikëron, ashtu siç na flet një roman i mirë, një vjershë e bukur, një operë madhështore apo një pikturë tërheqëse. Me një fjalë, arkitektura ka fuqi të jashtëzakonshme estetike për edukimin dhe formimin e njeriut. Sidomos për formimin e ndjenjave estetike.

Përpara një objekti madhështor, qëndrojmë të stepur, meditojmë, flasim me të, marrim mesazhe.
Qytetari i Kosovës, i topitur nga mungesa e gjatë e lirisë, i trullosur nga barra e rëndë politike që mban tash e sa vite mbi supe, nga ligjërimi i pështirë publik, po ballafaqohet për ditë edhe me një fenomen tjetër shëmtues: kaosin urbanistik në rritje.

Një mik i imi, i dëshpëruar nga ky kaos, më tha: si nuk arritëm së paku të estetizojmë këtë kaos?
Kjo pyetje, për mua jetike, deri tani ka qenë një kambanë që ka ra për veshët e shurdhër.
Arkitektura humane, me hapësira, sheshe, tempuj bukurie, ndikon te njerëzit që ata të jenë më të qetë, më mendjehapur dhe më të lumtur. Në fakt, arkitektura nxit edhe ndjenjat e lirisë dhe të madhështisë.
Kosova nuk ka trashëguar arkitekturë me të cilën mund të krenohet.

Krahasuar me vendet tjera europiane, ku arkitektura ka një traditë të pasur dhe përbën vlerë të jashtëzakonshme, arkitektura në vendin tonë vazhdon të mbetet e shkretë. Na mungojnë ndërtimet madhështore, tempujt e bukurisë, sheshet, parqet, rrugët e bukura.
Por, askush nuk na pengon që të bëjmë një planimetri më të mirë për të ardhmen, përpos shpirtngushtësia dhe mungesa e kreativitetit që e zotërojnë jetën tonë.

Për rëndësinë dhe dimensionin simbolik të arkitekturës, ka shkruar semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco. Ai ka thënë se përdorimi i kodeve nuk është i brendshëm për arkitekturën, sepse shumë kode arkitekturore, janë në fakt të një natyre simbolike, kulturore, shoqërore dhe politike, dhe për këtë arsye, arkitekti duhet të futë punën e tij në kontekste më të gjera dhe multidisiplinare, dhe shton se, arkitekti është një semiotik, antropolog, sociolog dhe politikan në të njëjtën kohë. Më tej Eco flet edhe për funksionet e arkitekturës, duke mos u ndalë të ai primari, por edhe te mesazhi që ajo jep.
Arkitektura e Kosovës, sot për sot, përçon mesazhin e kaosit./KultPlus.com

Ukaj: Me çmimin Nobel apo jo, vepra e Kadaresë rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore

Sot është ndarë çmimi Nobel për letërsi. Ndonëse u tha e u shpresua shumë që ky çmim të shkojë për shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare, kjo gjë nuk ndodhi as kësaj radhe, shkruan KultPlus.

Ishte shkrimtarit britanik Kazuo Ishiguro të cilit i është ndarë çmimi prestigjioz për letërsi Nobel.

Por edhe pse jo fitues i këtij çmimi, të paktën jo edhe kësaj radhe, Kadare mbetet shkrimtari më i pëlqyer dhe më i lexuar shqiptar.

Shkrimtari dhe publicisti, Ndue Ukaj, përmes një statusi në Facebook është shprehur se edhe pse jo fitues i Nobelit, Kadare rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore.

“Me Çmimin Nobel apo jo, vepra e Kadaresë rri në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore. Aty ku nuk depërtohet nëpërmjet kulisave të kafeve ku turfullohet e llafoset kundër gjithsecilit, por në saje talentit të jashtëzakonshëm letrar”, shkruan Ukaj. / KultPlus.com

Botohet libri “Krijimi i dashurisë” i Ndue Ukajt

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimt” në prag të edicionit të sivjetshëm, boton librin me poezi të Ndue Ukajt, “Krijimi i dashurisë, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka bërë drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Shaip Emerllahu, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook. Ky libër është përzgjedhje poetike nga librat e mëparshme të autorit./KultPlus.com

Sot, jeta dhe vepra e Át Zefit është e këshillueshme për politikanët shqiptarë

Shkruan: Ndue Ukaj
Sot është përvjetori i dhjetë i kalimit në amshim të Át Zef Pllumit. Kjo figurë shembullore, është dëshmi e fortë se historinë nuk e shkruajnë të fortit, ata që qeverisin me autoritetin e dhunës; as ata që mbjellin idhnim e vrazhdësi, por të drejtët, ata që mbjellin dashuri e humanizëm.
Kujtimet e Át Zefit, sot e përgjithmonë, janë një heshtë që shporon zemrën e egër të komunizmit shqiptar dhe dishepujve të tij keqbërës, që asnjëherë nuk u penduan dhe nuk kërkuan falje për mizoritë që u shkaktuan shqiptarëve.

Sot, jeta dhe vepra e Át Zefit është këshillueshme për politikanët shqiptarë, sepse është vepër madhore dhe ndihmon katharaisin e domosdoshëm kombëtar. Po ashtu, vepra e tij mund të ndërgjegjësojë secilin që ushtron pushtet: se dhuna dhe padrejtësia, nuk ngadhënjejnë përballë lirisë dhe drejtësisë.

Gjithë ata që bëjnë keq ose nuk bëjnë mirë, nesër, mund të shohin veten në pasqyrën e historisë, ashtu siç e shohin sot dhunuesit e lirisë dhe kriminelët e diktaturës komuniste, veten dhe të bëmat e tyre të marra në rrëfimet e Át Zefit./KultPlus.com

Ukaj: Pse gjithë ky zell për të rrëzuar nga froni shkrimtarin më të madh shqiptar, Ismail Kadarenë?

Shkruan: Ndue Ukaj

Tentimet e herëpashershme që bëhen për të rrëzuar nga froni letrar shkrimtarin Ismail Kadarenë, në thelb, pak, ose aspak kanë të bëjnë me veprën e tij letrare, që është një perandori e vërtetë artistike, e shtrirë përtej kufijve të ngushtë shqiptarë dhe pak varet nga vetëkënaqësia, mburravecëria dhe dëliri i madhështisë, vese këto që lulëzojnë si pak gjëra tjera ndër ne. Sepse, edhe kritikët më të ashpër dhe më dashakeq të veprës së tij, e dinë mirë se përballë këtij fenomeni universal, përralliset kot. Sa më që shumë sulmohet vepra dhe personaliteti i tij, aq më shumë rritet perandoria e lexuesve dhe admiruesve të tij.
Por, në gjithë këtë apori sulmesh e trillesh pafund, disa pyetje ngelen pa përgjigje dhe lënë vend për shumë hamendësime: Pse gjithë ky zell për të rrëzuar nga froni shkrimtarin më të madh shqiptar?
Pse gjithë ky zell për të debatuar kundër Kadaresë në secilën stinë të Nobelit të letërsisë? Ka ndonjë forcë dashakeqe që i konstrukton dhe orkestron të gjitha këto sulme? Këto pyetje, nuk janë të reja, ashtu siç nuk janë të reja sulmet që bëhen në secilën stinë kundër tij.
Sot, në mediat shqiptare, më shumë hedhet gurë e dru mbi Kadarenë sesa mbi tiranin që e shkretoi për disa dekada Shqipërinë.
Njerëz, në kohën e kësaj shëmtie të madhe, Kadare la vepra kapitale artistike.
Jo turfulloni kot.
Për këtë arsye, me logjikë të shëndoshë, vështirë mund të kuptohet gjithë ky mllef e pezëm që derdhet kundër Kadaresë.
Të kesh një shkrimtar në hierarkinë më të lartë të vlerave universale, është privilegj dhe nder për secilin komb. Pa dyshim, përfitimet nga kjo, janë të mëdha, dhe ato i përjeton secili që del përtej kufijve të ngushtë të kulturës shqiptare.
Është e kuptueshme, disa shqiptarë nuk mund të pajtohet me famën planetare të Ismail Kadaresë, edhe për faktin, se, siç pati shkruar At Zef Pllumi: “Historia jonë është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore.” / KultPlus.com

Një ditë vjeshte si kjo

Poezi e shkruar nga Ndue Ukaj.

Lajmet e fundit fillojnë si përrallat e bukura:
Na ishte njëherë shpresa dhe qyteti i gëzuar.
Tani ka tym, mjegull e gurë pikëllimi.
Njerëzit shëtisin të hutuar.
Pinë kafe bashkë me fantazma
Dhe rrëfehen para tyre si Konstandini kur e sillte Doruntinën te ëma.
Nëpër rrugët e ngushta mendimet janë të ngushta
Dhe marrin n’ thua edhe ata që sytë i bëjnë katër.
Na ishte njëherë një kohë kur lirinë e prisnim nga lajmet.
Tash lajmet na dëftojnë hijet që kukurisin dhe njollosin lirinë.
Përtej horizontit në malet e thepisura
Shihet dëborë dhe një dimër i acartë pa fund.
Oh! Në një ditë vjeshte si kjo,
Me lirinë e tepruar të imagjinatës
Shoh gra të bukura që luajnë me gjethe vjeshte.
Dhe matanë ekraneve një çetë politikanësh
Si bëjnë plane të mjegullta.
Një ditë vjeshte si kjo:
Njerëz pa skrupuj shëtisin rrugëve të boshatisura
Ata kanë abortuar lirinë
Dhe shfaqen çdo mbrëmje në ekranet tona të mëdha.
Na dëftojnë si formohet mbretëria e marrëzisë
Para syve që s’shohin gjë nga mjegulla.
Një ditë vjeshte në fund
Ndala orën dhe nëpërmjet dritares
Pashë silueta njerëzish të mërzitur
Një qytet të mërzitur
Gra të mërzitura
Fëmijë të mërzitur
Dhe një grusht politikanësh të lumtur.

( Ndue Ukaj, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017, ©)

Mitrush Kuteli, një shkollë e përhershme kundër batakçinjve

Shkruan Ndue Ukaj

Sot është ditëlindja e kolosit të letërsisë shqipe, Mitrush Kutelit, të cilin duhet ta kujtojmë dhe nderojmë me pietet e admirim të thellë.

Sepse, një popull që di t’i vlerësojë heronjtë e vetë të kulturës, atë vështirë e mbërthen plogështia, nuk bëhet preh e gjithfarë ideologjish e të vërtetash të shpifura politike, nuk ndjek udhën e batakçinjve, por të heronjve të vërtetë të dijes e të kulturës. Veprat e mëdha, siç është ajo e Mitrush Kutelit, janë pasuri kombëtare dhe ndihmojnë shëndetin e shoqërisë.

Pa dyshim, një popull që di t’i nderojë heronjtë e vërtetë të kulturës, ai qëndron stoik përballë të këqijave që e godasin dhe ka imunitet të mbrohet nga murtaja e gjuhës. Ai nuk lejon që para syve të tij të krijohen profetë të rremë, ashtu siç ngjet me ne.
Mitrush Kuteli është nga ata personalitete që kanë merita të jashtëzakonshme në formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare e kulturore.

Jeta dhe vepra e tij, janë një rrëfim që prek deri në palcë ndërgjegjen e njeriut.
Në momentet dridhmuese të jetës së tij, në testament drejtuar gruas Efterpit, ai shkroi: “Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi.”

Pas kaq vitesh, ky profetizim i tij tingëllon tmerrues. Sepse letërsia shqipe vazhdon të jetë po kjo që na e përshkruan Kuteli.

Kuteli, ky mjeshtër i madh i rrëfimit, e gjeti rrugën e madhe të letërsisë dhe i dha kulturës shqiptare një vepër të pasur për jetë e mote. Një monument dije e arti, një vepër që na bën nder dhe na lartëson. Po, ai la një vepër që nuk mund ta trandin kohët, politikat e ideologjitë, sepse ajo ka fituar pakohësinë.
Kuteli, si pakkush, tregoi një dashuri krejtësisht të veçantë për atdheun. Testamenti i tij për fëmijët e tij është testament për secilin shqiptar që e do vendin e vet. Ai i porosit fëmijët që “ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”

Kuteli shkroi në mënyrë të veçantë edhe për Kosovën, për të cilën tregoi një dashuri të pashoq poetike.
E Kosova është e mbushur me gjithfarë përmendoresh e monumentesh, me vlerë e pa vlerë, me heronj të gjithfarshëm, por jo me heronj të kulturës. Kosova deri sot nuk i bëri një vend këtij kolosi, ashtu siç nuk u bëri vend dy personaliteteve shumë meritore, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.
Duke e nderuar dhe lartësuar Kutelin, ne e nderojmë dhe lartësojmë vetveten./ KultPlus.com

Raport para një akademie

Ndue Ukaj

Franc Kafka ka shkruar një tregim me titull “Raport para një akademie”, ku lexuesi ndeshet me një personazh krejtësisht të pazakonshëm. Ai, nuk është i llojit të Jozefit K, Gregor Samsas dhe as plakut, të cilin e ndeshim te tregimi “Para ligjit”, por është një majmun, dhe ai paraqet një raport para akademikëve.

Majmuni, që në fillim pohon se është i nderuar nga fakti se i është kërkuar të paraqesë një raport para tyre, lidhur me jetën e tij të shkuar si majmun. Dhe personazhi para akademikëve rrëfen historinë, nga momenti kur një ekspeditë gjahtarësh nga firma e Hakenbekut e kapi atë në Bregun e Artë. Ai u përpoq të tjetërsohet, por mbetet i vetëdijshëm se natyra e tij majmunore nuk është mposhtur tërësisht, dhe si dëshmi për këtë tregon momente kur ai ka vizitorë dhe në këso raste, i heq pantallonat, dhe tregon një vrimë ku u godit nga gjahtarët. Ky personazh, e ka të qartë se nuk mund të kthehet plotësisht te e vërteta e tjetër, majmunore, edhe pse një gjë të tillë do ta dëshironte. Ndaj, është në mes. Dhe rrëfen.

Personazhi i Kafkës, tregon se si i kishte vënë vetes për detyrë transformimin dhe rrëfen për arritjet e tij: “Po e ndjeja gjithnjë e më shumë veten rehat dhe të përveçuar në botën e njerëzve”, ndaj ka çka t’u tregojë atyre nga përvoja e tij e transformimit. Majmuni është ironik me auditorin e tij dhe në një moment shpërthen qesëndia e përçmimi: ”Që të them troç, ashtu siç më pëlqen të përdor imazhe për gjëra të tilla, pra po e them hapur: edhe majmunëria juaj, zotërinj, lidhur me aq sa keni diçka të tillë prapa në të shkuarën tuaj, po aq nuk të shqitet prej kush, sa edhe e imja prej meje.”

Çka ka mësuar tjetër majmuni, që t’i raportojë auditorit të tij të përbërë prej akademikësh? Ai ka mësuar se duhet të flitet me çiltërsi dhe këtë s’ka sesi mos ta aplikojë me dëgjuesit e tij. Atij iu desh të kalojë nëpër disa faza, derisa arriti në këtë nivel; duke hequr dorë prej shumë veseve majmunore. Dhe e para gjë që mësoi ishte dorështërngimi, sepse kjo tregon çiltërsi. Derisa tregon peripecit tjera, vjen në një moment kur flet për rrugëdaljen, e cila, sipas tij, është e barasvlershme me fjalën liri. Këtë e kishte mësuar kur ishte në kafaz. Po, ç’pohon majmuni për këtë vlerë të madhe njerëzore, lirinë: ”Më lejoni të them kalimthi se lira si mjaft shpesh është vetëm një vetëmashtrim mes njerëzve. Dhe kur liria vështrohet si një prej ndjenjave më sublime, po aq sublim është edhe mashtrimi që i përgjigjet.”

Majmuni kur ndodhej në kafaz, shpëtimin s’e kërkonte te arratisja, por te adaptimi në jetën njerëzore. Dhe për të ishte fare e lehtë t’i imitonte njerëzit. Iu deshën vetëm pak ditë që të mësohej të pështynte, “pastaj na u bë zakon t’i pështynim njëri-tjetrit në fytyrë; i vetmi dallim ishte se unë pastaj e lëpija fytyrën time për ta pastruar, kurse ato jo”- thotë ai.

Me kohë, ai mësohet të thithë çibuk dhe në fund edhe të pijë xhin, edhe pse kundërmimi i tij ia çrregullon zorrët keq. Mirëpo, u mësua edhe me të – dhe në këtë moment, mësuesit e tij, teksa e panë të llastuar, thanë: “Shihni more, ai po na flet!” Ky personazh, me ushtrime të forta, të pashoqe, arrin nivelin kulturor të një europianisti mesatar – mendon autori. Kështu, ai doli nga kafazi dhe mori rrugën e njeriut. Ndaj, s’ka sesi t’mos e ndjente vetën të kënaqur nga ky përparim, dhe në fund të tregimit, me një përulësi u thotë akademikëve: “dua vetëm të përhap dituri.”

Kafka qesëndiset dhe frushkujt e kamçikut i drejton kah shoqëria burokratike, liria e maskuar, ndërgjegja e vrarë dhe dija e kufizuar, me të cilën kamuflohet njeriu i secilës kohë.

Kafka sikur kërkon nga lexuesi një përsiatje, një shtegtim të lirë në domethënien e përtejmë që ka liria, si përmasa më qenësore e njeriut. Nëse një majmun mësoi për çiltërsinë, duarshtrëngimin, lirinë, mësoi të pinte xhin – që ishte sfida e tij më e madhe dhe në fund, foli dhe përhap dituri, pse një njeri s’e le prapa të kaluarën e tij të keqe, vrazhdësinë, natyrën e tij majmunore? Këtu qëndron habia, thirrja, tendosja, për ata që e dëgjojnë dhe brofin: ai po flet. Kjo është habia letrare, e realizuar mjeshtërisht, që le një vrragë dhe shumë pyetje në ndërgjegjen e lexuesit. Dhe pas kësaj vijnë vrullshëm pyetjet e dilemat e makthshme: Ç’ mund t’u thotë një majmun akademikëve? Apo pyetja tjetër, diç më e sikletshme, pse duhet akademikët të dëgjojnë një përvojë të tillë? Për më tepër, a ka kuptim një përvojë e tillë?

Metafora e këtij tregimi, përcëllon, është e mbushur me pezëm, hidhërim, qesëndi e humor. Ajo frushkullon, sidomos njeriun që s’e bren ndërgjegjja për asgjë; njeriun që nuk shqitet nga natyra e tij e majmunërisë apo që jeton vetëdijshëm në të. Ky tregim, përçon një mesazh për çdo shoqëri dhe për çdo kohë: njeriu ka nevojë të përhershme të përmirësohet, të shartojë të keqen e tij dhe të kristalizohet me ndjenja humane.

A mund të mësojë lexuesi ynë i paktë, nga një tregim i tillë? Çfarë mund të mësojë? A mund të flasë ky tregim edhe për ne, për problemet tona? Pa mëdyshje, po, madje shumë. Sepse këtë soj të personazhit, të tjetërsuar nga vetja e tij, shoqëria e jonë e dëgjon dhe e sheh kudo dhe çdo ditë: në jetën intelektuale, akademike, mediale e politike. Ky soj i personazhit, flet për kauzën e lirisë, qesëndiset me të, flet për dituri, për dinjitet e gjëra sublime dhe qytetari i thotë: po, ai po flet. Qesëndisja e Kafkës shkon përtej imagjinatës dhe vë gishtin në një plagë prej së cilës lëngon edhe shoqëria jonë, siç lëngojnë shumë shoqëri në botë: Në plagën e kujtesës, të cilën shumë e mbulojnë, por e cila rri pushtetshëm mbi njeriun e çdo kohe. Një tregim i tillë, lexuesin e trimëron, e përmbush, e motivon, në betejën e tij për mirësi, humanizëm e ndërgjegje; në betejën për ta mposhtur anën e errët.

Vetëm imagjinata e një shkrimtari shembullor, si ajo e Kafkës, ka fuqi ta godet kaq furishëm dhe me elegancë natyrën e dytë të njeriut, sidomos të atij që mbërrin të jetë në godina të rëndësishme, siç mund të jetë akademia, qeveria, drejtësia, etj. Aq të lumtur janë ata me kolltukët e tyre, sa pranojnë të dëgjojnë rrëfime edhe nga majmuni. Kafka i thumbon veset e njeriut, sidomos të akademikëve, të cilët përbaltin dinjitetin e tyre duke dëgjuar raporte edhe nga majmuni dhe s’janë në gjendje ta largojnë atë nga podiumi. Po, sepse liria e tyre, është një vetëmashtrim. Personazhet e Kafkës i shoqëron paradoksi, ambiguiteti e absurdi. I tillë është edhe majmuni, të tillë janë edhe akademikët që e dëgjojnë. E tillë është letërsia e Kafkës; një vepër e madhe, prej së cilës mund të përfitojmë gjithmonë dituri, kulturë e horizonte të reja; të tilla çfarë mund t’i hapë vetëm letërsia me mundësitë e saj të pakufishme që ka për ta nxitur dhe ndihmuar emancipimin e njeriut.

Shkrimtari i mençur, Franc Kafka, që pohonte se nuk ka letërsi të mëdha pa të vërtetën dhe moralin, qesëndiset me cenet, shpirtngushtësinë, natyrën e dytë të njeriut – majmunërinë e akademikëve, nëse ata e kanë pasur përpara një të tillë, vetëm e vetëm për t’i sforcuar vlerat fundamentale të njerëzimit: të vërtetën dhe moralin, pa të cilat shoqëria mund të shndërrohet në gërmadhë të njerëzve të çorientuar. Ndaj, forca tërheqëse e këtij tregimi, është e pamatshme, befasuese, tronditëse; një ftesë për të cilën gjithsesi ia vlen të meditohet. / KultPlus.com

Apostulli i atdheut dhe artit

Ndue Ukaj

Jeronim De Rada, (1814 – 1903), është apostull i kulturës dhe letërsisë shqipe. Njohës të veprës së tij, pohojnë se De Rada qe i pari, që e shtroi para botës s’atëhereshme problemin shqiptar. Ndërsa botimi i veprës së tij, “Këngët Milosaos” 1836, merret si vit i fillimit të Rilindjës Kombëtare; lëvizje kjo që shqiprarëve u solli pavarësinë, pas natës së errët, ne të cilën Arbnia dergjej nën thundrën e një robërie të rëndë: pa shkolla, pa kulturë dhe pa asnjë gjë të shëndoshë kombëtare. De Rada, jo vetëm që e ndihmoi ngjizjen e kësaj lëvizje të madhe, për u bë apostull i saj. Vepra e tij e pasur, atëbotë pati jehonë të madhe te shqiptarët e shpërndarë nëpër emigracion, dhe u bë fanar drite e shprese për përlindjen e Shqipërisë.

De Rada, veprën letrare, “Milosao”, e boti si 22 vjeçar, ndërkohë që ajo më vonë do të bëhet kryevepër e letërsisë shqipe. Që atëherë, ai nuk rreshti së punuar me përkushtim e dashuri përvluese në fushën e kulturës dhe të shtypit, duke lënë pas vete vepra të pasura letrare.
Vepra e tij “Rapsodie Albanesi”, që u botua më 1886, si dhe “Fiamuri i Arbnit”, hapën rrugën e një lëvizje të madhe patriotike dhe kulturore, që i vaditi shqiptarët me dashuri dhe atdhetari.
Faik Konica më 1910 shkroi:”Fiamuri i Arbërit” ësht e para veglave kombëtare që i lajmëroj Evropës që ka një komb shqipëtar që êdhe ësht i gjallë”.

De Rada, pas vete la një vepër të pasur dhe të shkruar me një kulturë të lartë, por mbi të gjitha me dashuri përvëluese për atdheun. Në fakt, Arshi Pipa thotë se rreth idealit Atdhè e art shtiellohet gjithë jeta e De Radës: jetë luftari e jetë poeti.

Shkrimtarët si De Rada janë ushqim i përhershëm për shpirtin dhe ndërgjegjen kombëtare, sidomos në kohë të liga, kur kujtesa jonë tkurret dhe kur shqiptarët, me lehtësi dëshirojnë të harrojnë të kaluarën e tyre.

Veprat si ajo e De Radës, në kohë krizash të liga si kjo e jona, na duhen që t’i vaditim ndjenjat e thara atdhetare. Po ashtu, De Rada na kujton rolin e pazëvendësueshëm dhe të përhershëm të arbëresheve, që e mëkuan me dashuri gjuhën dhe letërsinë shqipe, për shekuj të tërë, duke u bërë kështu hallka ma e rëndësishme e identitetin shqiptar.

Botimi i veprës së tij, me rastin e 200 vjetorit të lindjes dhe botimi librit “Jeronim de Rada dhe shtypi shqiptar,1887-1994”, janë një ndihmesë e mirë për ta rinjohur dhe rilexuar autorin dhe mendimin letrar rreth tij. Shqiptarët, duhet ta vendosim emrin dhe veprën e këtij kolosi në piedestalin e vlerave më të larta të kulturës dhe të letërsisë shqipe. Sepse, kështu edukojmë dhe vaditim një brez të aftë me dashuri të mirëfilltë për gjuhën, kulturën dhe atdheun. Krejt shqiptarët duhet të përulen me admirim dhe dashuri para veprës së tij./KultPlus.com