Sot artistja Alketa Xhafa Mripa, është mirëpritur si mysafire në Université Libre në Belgjikë në javën e artit “Një javë të luftojmë dhunimin”, ku është e ftuar që sonte të mbaj edhe një fjalim lidhur me përvojën e saj artistike të inspiruar nga përjetimet e saj personale gjatë viteve të 90’ta, shkruan KultPlus.
Organizimi i kësaj jave ka nisur nga organizata e studentëve shqiptarë në Bruksel- Grr-Rape Project dhe VLERA , ndërsa do të zgjas gjatë gjithë javës në kampusin e Université Libre në Belgjikë. Përgjatë dy muajve organizatorët kanë mbledhur fustane në Bruksel duke mundësuar kështu krijimin e një instalacioni gati të njëjtë me “Thinking of You” që është organizuar më parë në Stadiumin e qytetit në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Artistja Alketa Xhafa sonte nga ora 19:00 në kuadër të këtij organizimi është e ftuar të mbaj një fjalim të cilin ajo e ka bazuar në rrugëtimin e saj personal, i cili e ka inspiruar atë në krijimin e instilacionit “Thinking of You”.
“Arti sot më shumë se kurrë duhet të ngritë çështje, duhet të bëj të mendosh , të shprehesh të vërtetën”, është fjalia me të cilën do të nis fuqishëm fjalimin e saj Alketa Xhafa.
Ajo gjatë fjalimit të saj po ashtu do të rrëfej për rëndësinë e artit në shoqëri ku në kuadër të kësaj do të theksoi fëmijërinë e saj në vitet e 90’ta, nën regjimin serb dhe diskriminimin që kishin përjetuar shqiptarët në atë kohe.
Ky organizim ka për qëllim mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikte të ndryshme. Arti mund të shërbejë si përgjigje ndaj dhunës seksuale në kohë lufte, dhe kjo Javë synon të flasë pikërisht mbi këtë, mbi dhunimin si një metodë e cila përdoret në luftë por edhe dëmtohet prej stigmës shoqërore që i është vënë mbi.
Xhafa është artiste e disa mediumeve artistike, përfshirë instalacionin, performancën, fotografinë, vizatimet dhe videon. Puna e saj është ekspozuar në Firence, Lisbonë, Berlin, Londër e Prishtinë. /KultPlus.com