Me tekst të Sllavomir Mrozhek e regji të Qëndrim Rijanit, në skenën e Teatrit të Kumanovës-Drama Shqipe, vjen premiera e shfaqjes “Në Det”, shkruan KultPlus.
Shfaqja sjellë tre burra që gjejnë veten në një ‘varkë’ në mes të oqeanit. E rëndësishme është të kesh diçka për të ngrënë në det, nuk vjen në pyetje se çka… por kë?. Dikush duhet të sakrifikohet dhe që të tre luftojnë për të gjetur një mënyrë “humane” përmes të cilës do të vendosin për personin e duhur.
Vepra e Sllavomir Mrozhek-ut “Në det” që është një komedi absurde, shqyrton veçoritë e shoqërisë në të cilën jetojmë dhe zbulon absurditetin e njerëzimit brenda sistemeve politiko-juridike me të cilat çdo sekondë ne përballemi.
“Në Det”, vjen përmes lojës së aktorëve: Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, Sefedin Shabani, Taulant Destani dhe Faton Ibrahimi.
Ndërsa në ekipin e shfaqjes bëjnë pjesë edhe: ass.regjie Ibër Deari, skenografia dhe kostume Ardian Kadriu, kompozitor Fatos Lumani, shqipëroi Doruntina Basha dhe organizator Jakup Jakupi.
“Në Det”, vjen premierë më 1 korrik ndërsa repriza e parë më 2 korrik me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com