Regjisori Samir Karahoda ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Regjisori i njohur kosovar Samir Karahoda është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Filmi dokumentar i shkurtër ‘Në mes’ ishte debutimi i tij regjisorial, i cili në 2019 shfaqi premierën botërore në Berlinale si filmi i parë kosovar që konkurroi në këtë festival. ‘Në mes’ ishte gjithashtu edhe kandidat për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit EFA në 2019. ‘Pa vend’ është filmi i tij i dytë me metrazh të shkurtër i cili shfaqi premierën në konkurencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Kanë në 2021 dhe prej nga u shpërblye me nominim për çmimin e Akademisë Evropiane EFA për filmin më të mirë evropian.

Në shtator 2021, ‘Pa vend’ fitoi çmimin ‘IMDb Pro shortcuts’ si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Samir Karahoda në vitin 2019 është shpërblyer me çmimin vjetor të kinematografisë nga Ministria e Kulturës.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua më 1989 si Shoqëri Evropiane e Kinemasë nga presidenti i saj i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineast të tjerë për të çuar para interesat e industrisë evropiane të filmit. Synimet e Akademisë janë të ndajë njohuritë dhe të edukojë audiencën e të gjitha moshave rreth kinemasë evropiane. EFA momentalisht numëron rreth 4200 anëtarë nga lëmi të ndryshme të kinematografisë. Samiri i bashkohet grupit të rreth 20 kinestëve kosovar tashmë anëtarë të EFA-s. / KultPlus.com

‘Në mes’ nga Samir Karahoda nominohet për Akademinë Europiane të Filmit

Muaji tetor në rrugëtimin e begatshëm të filmit të shkurtër dokumentar “Në Mes” nga autori Samir Karahoda do të mbahet në mend me çmimin e fituar në festivalin Qipriot të Filmit të Shkurtër (International Short Film festival of Cyprus) që e nominon filmin nga Kosova për çmimin prestigjioz të Akademisë Europiane të Filmit në vitin 2020.

“Është një lajm jashtëzakonisht i madh si për mua e po ashtu edhe për kinematografinë kosovare”, u shpreh autori i filmit Samir Karahoda.

“Kjo më së miri e dëshmon vlerën që ka puna jonë ku edhe njëherë dua te falenderoj komplet ekipin për punën e shkëlqyer dhe të gjitha familjet për kontributin e tyre në film.”

Juritë e pavarura në 24 festivale e bëjnë përzgjedhjen e filmit më të mirë të shkurtër të festivalit që automatikisht nominohet për të garuar në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër Europian. Pas të gjitha nominimeve në shtator të vitit 2020 një panel i ekspertëve të filmit të shkurtër dhe anëtarët e bordit të Akademisë Europiane të Filmit përzgjedhin 5 filmat më të mirë që votohen nga 3500 profesionistë të filmit nga Evropa për përzgjedhjen e filmit më të mirë të shkurtër në Evropë.

“Këtë muaj e kemi pasur kalendarin e shfaqjeve shumë të ngjeshur” theksoi producenti i filmit Eroll Bilibani. “U prezantuam në shumë festivale por ky nominim që do të na mbajë nën ethe një kohë shumë të gjatë, për ne është shumë i veçantë.”

“Në Mes” këtë muaj u prezantua në BFI London Film Fest, El Gouna Film Festival në Egjipt, dhe e fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në DokuBaku të Azerbeixhanit. Këtë javë filmi poashtu arriti që ta ketë premierën në Amerikën Veriore në Chicago Film Festival, si dhe në Bosphorus Film Festival në Stamboll dhe në Uppsala International Short Film Festival në Suedi. Që nga premiera botërore në shkurt të këtij viti, “Në Mes” është shfaqur në mbi 40 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar 5 çmime si filmi më i mirë në kategorinë ku ka garuar.

Filmi “Në Mes” është prodhim autentik nga Kosova dhe është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Bankës për Biznes, Komunës së Prizrenit dhe të Prishtinës. / KultPlus.com

Traileri zyrtar i filmit: https://vimeo.com/311434516