Në Tiranë

Shpëtim Selmani

Në Tiranë

mbi të gjitha kënaqem
kur gjej tituj librash të lezetshëm

p.sh. Natalia Ginzburg
apo shkrimtar të panjohur
me kalorës në kopertinë

shitësit në të shumtën e rasteve
janë serioz
të mbyllur dhe agresiv

nëse ju thua se je nga Kosova
sillen mirë dhe të thonë eja
prapë

kënaqem kur shoh tituj të
lezetshëm e ekzemplarë të rrallë
shkrihem nga qejfi

por Ben Andoni më thotë në
vesh shsh mos ju thuaj se janë
kopje të rralla

mbi të gjitha kënaqem
në Tiranë kur gjej libra të rrallë,
kur Xhevat Caushi ma ngul në çmim
dhe kur shoh gruan time
se me sa pasion ha akulloren
me arra gjysmë të karamelizuar
pa ja ndier fare
për letërsinë. / KultPlus.com