Shenjat e Neandertalëve në Spanjë nxisin studimet për artin nëpër shpella

Foto: Getty Images

Shenjat e kuqe në disa shpella në Spanjën jugore u krijuan nga Neandertalët më shumë se 60,000 vjet më parë, thotë një studim i ri.

Ngjyrosja u aplikua nga një proces spërkatjeje dhe fryrje rreth 20,000 vjet para se njerëzit modern të mbërrinin në Evropë, thuhet në studim, transmeton KultPlus.

Një studim i mëparshëm që i atribuonte shenjat kushërinjve të zhdukur të njerëzve modern u vu në dyshim.

Disa ekspertë argumentuan se njollosja në Cueva de Ardales ndodhi natyrshëm.

Por një studim i ri i botuar në revistën PNAS mbështet pikëpamjen se pigmentet e okrit të kuq të zbuluar në tre shpella në Gadishullin Iberik janë një formë e artit neandertal të shpellave.

Po ashtu thuhet se depozitat dallohen nga materialet e tjera natyrore të marra në mostra në shpella për shkak të ngjyrave dhe teksturave të tyre të pazakonta.

Analiza e re, e cila përfshin studime më të hollësishme, sugjeron se disa nga shenjat janë të vjetra rreth 65,000 vjet.

Vepra e artit paleolitik, thotë ajo, duhet të jetë bërë nga Neandertalët, një specie “motër” e Homo sapiens, pasi ata ishin banorët e vetëm njerëzorë të Evropës në atë kohë.

Hulumtimi gjithashtu zbuloi se pigmenti u aplikua në kohë të ndryshme, ndonjëherë më shumë se 10.000 vjet larg.

Studimi sugjeron se brezat e Neandertalëve u kthyen në vend me kalimin e kohës për të bërë shenja simbolike.

Ky studim do të shtojë dëshmi në rritje se aftësitë intelektuale të neandertalëve mund të jenë nënvlerësuar, thonë studiuesit.

Autorët e studimit PNAS thanë se shenjat nuk ishin “art” në kuptimin e plotë të fjalës, por më tepër rezultat i “sjelljeve grafike” që synonin të krijonin simbole vizuale./KultPlus.com

Zbulohet një kockë kafshe e gdhendur 51 mijë vjet më parë nga njerëzit neandertal

Dizajni mund të jetë i thjeshtë, por një model chevron i gdhendur në një kockë dreri më shumë se 50,000 vjet më parë sugjeron që Neandertalët kishin traditën e tyre artistike para se njerëzit modernë të mbërrinin në skenë, thonë studiuesit.

Gdhendja, e zbuluar në një shpellë gjermane, ku Neandertalët jetonin dhjetëra mijëra vjet më parë, nuk ka ndonjë dobi të dukshme sipas studiuesve, por artefakti hedh dritë mbi aftësinë krijuese të këtyre specieve.

Dirk Leder, një nga autorët dhe studiues në Zyrën e Saksonisë së Ulët në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë, tha se kocka përfaqëson qartë një mjet shprehjeje.

“Ne jemi shumë të bindur që komunikon një ide, një histori, diçka domethënëse për një grup,” tha ai.

Fosili i gdhendur u gjet në një sit të njohur arkeologjik të quajtur Einhornhoehle – ose “Shpella e Njëbrirësh”.

Të vendosur në malet e Gjermanisë qendrore, kërkuesit e thesareve gërmuan atje qysh në Mesjetë për ato që besonin se ishin fosile njëbrirësh.

Shumica dërrmuese e veprave artistike të Epokës së Gurit zbuluar në Evropë i atribuohen Homo sapiens dhe ekspertët kanë sugjeruar prej kohësh që Neandertalët, ndër të afërmit tanë më të ngushtë, filluan të krijonin objekte simbolike vetëm pas përzierjes me to.

Por duke përdorur radiokarbonin, arkeologët përcaktuan që artefakti i zbuluar së fundmi të ishte të paktën 51,000 vjet i vjetër – para ardhjes së ”Homo sapiens” në Evropën Qendrore me rreth 10,000 vjet, sipas studimit të botuar në revistën “Nature Ecology and Evolution”.

Por fakti që zbulimi i ri i paraprinë ‘’Homo sapiens’’ do të thotë se Neandertalët mund të kenë lënë një trashëgimi më të qëndrueshme. / Gazeta Express / KultPlus.com

Arkeologët zbulojnë mbetjet e Neandertalëve në shpellat afër Romës

Arkeologët kanë zbuluar eshtrat e nëntë Neandertalëve në një vend parahistorik pranë Romës, njoftoi Ministria Italiane e Kulturës.

Tetë mbetje datojnë nga 50,000 në 68,000 vjet më parë, ndërsa një, më i vjetri, daton nga 90,000 në 100,000 vjet më parë, tha ministria në një deklaratë.

Ky zbulim ndodhi në Grotto të Guatara, shpella prehistorike të zbuluara më shumë se 80 vjet më parë. 

Ato ndodhen rreth 100 metra larg brigjeve të Detit Tirren në San Felice, në rajonin e Lazios.

Videot e publikuara nga ministria tregojnë eshtra, kafka dhe pjesë të tjera të trupit të gjetura në vend.

Neandertalët, të afërmit më të afërt antikë të njerëzve, u zhdukën rreth 40,000 vjet më parë. 

Është e paqartë se çfarë i vrau ata posaçërisht, megjithëse teoritë përfshijnë pamundësinë për tu përshtatur me ndryshimet klimatike, si dhe qarkullimin e rritur të njerëzve modernë.

Duke marrë parasysh mbetjet e tjera që u gjetën më parë në të njëjtin vend, gjithsej 11 persona u gjetën në shpellë. 

Tani klasifikohet si “një nga vendet më të rëndësishme në botë për historinë e Neandertalëve”.

“Të gjithë janë të rritur, përveç atij që mund të ketë qenë në adoleshencën e saj të hershme,” tha kreu i misionit të gërmimit, Francesco Di Mario.

Ndër të tjera, u gjetën mbetje kafshësh, duke përfshirë auroches – bagëti të mëdha të zhdukura./ KultPlus.com