Festivali ndërkombëtar i teatrit në Oslo mirëpret “Negotiating Peace”

Shfaqja “Negotiating Peace” e Qendrës Multimedia do të jetë pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo. Shfaqja do të luhet më 20 mars nga ora 19:00 dhe më 21 mars nga ora 17:00 në Black Box Teater në Oslo.

Ky edicion i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo mbahet nën temën  “Rrënjët dhe Rikthimet: Teatri në Udhëkryqin e Perandorisë dhe Identitetit” dhe është i kuruar nga Mart Meos, Allan Kaldoja dhe Marius Ivaskevicius, ekipi që organizon Festivalin e Lirisë në Narva të Estonisë. 

Pyetjet që lidhen me identitetin, lirinë, demokracinë dhe traumat kolektive e individuale karakterizojnë shfaqjet në programin e sivjetëm të festivalit. Këtë vit, festivali do të jetë nikoçir i artistëve e shfaqjeve nga Ukraina, Estonia, Bjellorusia, Kirgistani, Taxhikistani dhe Kosova. Të gjitha këto vende vende që kanë qenë – dhe në disa raste ende janë – nën regjime autoritare. Paralelisht, festivali do të ketë një program tematik me ligjërata dhe diskutime. 

Një program i tërë që pikënisje ka shfaqjen tonë “Negotiating Peace” do të qendërzohet rreth Kosovës në këtë edicion të festivalit. Përpos shfaqjes, do të organizohet një bisedë ndërmjet Jeton Nezirajt dhe kritikes së teatrit Natasha Tripneyt, një lexim skenik i dramës “Citycide” të antropologes kosovare Eli Krasniqi, botuar nga Qendra Multimedia. Ky lexim do të përcillet me një bisedë me autoren si dhe një ndejë e quajtur “Mbrëmja e Kosovës”

Krahas këtyre ngjarjeve, në këtë edicion të festivalit do të prezantohet edhe produksioni norvegjez i dramës “The Handke Project” të Jeton Nezirajt, me regji të Blerta Nezirajt, një produksion i Akademisë Norvegjeze të Teatrit (NTA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia që u dha premierë më 15 mars në Fredrikstad./KultPlus.com

Shfaqja ‘Negotiating Peace’ nga Blerta Neziraj do të jepet në Gjermani

Shfaqja “Negotiating Peace” e Blerta Neziraj do të luhet në Hamburg të Gjermanisë, në teatrin Kampnagel, si pjesëmarrëse e festivalit ndërkombëtar KRASS Festival.

“Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njofton Qendra Multimedia, e cila shkon për herë të dytë në këtë festival.

Rrëfimi dramaturgjik është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë.

“Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimeti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?”, njofton qendra.

Në rolin kryesor luan Shkumbin Istrefi dhe në rolet e tjera Melihate Qena, Ema Andrea dhe aktorë nga Ukraina, Bosnja e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.

Istrefi ndan një foto nga shfaqja e ardhshme “Negotiating Peace” së bashku me Meli Qenën

Aktori Shkumbin Istrefi, ka shpërndarë një foto të veçantë nga pjesa e provave të tij të fundit, shkruan KultPlus.

Bashkë me aktoren tjetër të njohur, Meli Qena, që të dy shihen në prova të shfajqes “Negotiating peace”.

“Ne prova te “Negotiating peace”, (te Jeton Neziraj ne regji te Blerta Rrustemi-Neziraj) me aktoren e mrekullueshme Meli Qena. Kenaqesi dhe nder me qene ne skene me te. Edhe kur nuk flet, rrezaton me drame te fuqishme. ❤Foto nga Besim Ugzmajli Qendra Multimedia”, ka shkruar Istrefi në “Facebook”.

Kjo shfaqje është e Jeton Nezirajt, e me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, dhe pritet që ta ketë premierën këtë vit. /KultPlus.com