Fakte nga arkitektura socialiste në Shqipëri u shpalosën sot në ekspozitën ‘Nën presion’

Jeta Zymberi

Galeria Kombëtare e Kosovës sonte kishte tejkaluar kufijtë kulturorë Kosovë – Shqipëri, për të sjellë një ekspozitë me fakte nga arkitektura socialiste në Shqipëri, shkruan KultPlus.

“Nën Presion” titullohej ekspozita e cila hapi dyert sonte për të mirëpritur një numër të madh vizitorësh të cilët ishin kuriozë për të zbuluar gjithçka që ishte shpalosur sonte për ta.

Ekspozita e cila për autor kishte Gjergj Islami, Denada Veizaj, Gjergj Thomai dhe Enrico Fontanari erdhi e kuruar nga Eliza Hoxha dhe Ilir Gjinolli.

Në këtë ekspozitë u prezantuan tetë episode, ku secili episod i kishte pikat, elementet kryesore dhe karakteristikat e veta.

Qysh në hyrje të kësaj pjese ekspozuese, të priste një ambient që i ngjasonte një dhomë pritjeje, një ambient i ngrohtë ku në prapavijë dukej edhe flamuri kombëtarë, dhomë e cila të dërgonte në një kontekst tjetër social, politik dhe kulturorë.

Shpesh ju bie të udhëtoni për në Shqipëri, e rrugës hasni në ndërtesa të ndryshme të cilat sonte ishin pjesë e ekspozitës, por shumë pak dinë se çfarë rrëfimi fshihet pas tyre. Si kanë ardh ato ndërtesa në jetë, si ka qenë procesi i ndërtimit, kush ka qenë vendimmarrës dhe pse është ajo formë e tillë e ndërtesës dhe cilës kohë i takon. E pikërisht kjo ekspozitë shpalosi sonte gjithçka çfarë fshihet pas atyre ndërtesave sa të bukura, aq edhe unike.

Në fjalën hapëse të kësaj ekspozite fillimisht foli drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani e cila vlerësoi këtë iniciativë të shumëpritur. Ajo tutje prezantoi para të pranishmëve autorët e ekspozitës për të ja kaluar fjalën kuratores Eliza Hoxha.

Ekspozita titullohet “Nën presion” por dua të ju them se krejt ky rrugëtim ka qenë pa asnjë presion, me shumë dashuri dhe kënaqësi. Periudha e cila trajtohet në këtë ekspozitë është koha e komunizmit ose socializmit të interpretuar në hapësirë ose në formë, në fakt përveç që është një periudhë e njëjtë në krejt bllokun lindorë, për shkak të kushteve politike ka dallime në mes të asaj se çka ka ndodhë në Shqipëri dhe çka ka ndodhë në Kosovë në disa kontekste të tjera”, është shprehur Hoxha e cila tutje përmendi edhe faktin se në kontekstet socialiste gjithçka që është bërë ka qenë nën ombrellën e shtetit, toka ka qenë nën ombrellën e shtetit, zhvillimet janë parapa nga shteti dhe ndërtimet gjithashtu. Domethënë relacioni midis pushtetit dhe arkitekturës është një prej temave kryesore që shqyrtohet brenda kësaj ekspozite.

Kjo ekspozitë është e rëndësishme sidomos për të rinjtë, të cilët shumë pak dinë për kontekstin e socializmit dhe komunizmit. Por, autorët përveç që kishin sjellë punën e tyre për të shpalosur shumë gjëra rreth kësaj teme, ato morën fjalën dhe sqaruan disa gjëra para tyre.

Njëra nga autorët e kësaj ekspozite, Denada Veizaj, tha se ky projekt fillimisht lindi si një kuriozitet profesional.

“Ne jemi arkitekt dhe kërkues shkencorë në të njëjtën kohë, sigurisht që duke qenë arkitekt ne kishim një lloj kuriozitetit se cila ishte rutina e arkitektëve të gjeneratës së para viteve 90-ta. Ky është viti i katërt gjatë të cilit ne jemi duke u marrë me këtë projekt. Gjatë këtij projekti jemi përpjekur të tregojmë dy histori, një histori kontekstuale e cila lidhet me historinë e Shqipërisë, me kuriozitetin që ne kemi se çfarë ka ndodhur në periudhën e komunizmit, dhe historia e dytë është një temë më gjenerike, e cila në thelb sjellë një variacion mbi temën që arkitektura krijon me pushtetin”, u shpreh ndër të tjera Veizaj.

Ndërsa arkitekti dhe njeherit njëri ndër autorët e kësaj ekspozite, Gjergj Islami, u shpreh fillimisht i lumtur që po shihte shumë të rinj në sallë, e që besonte që nuk e njohim mirë se çfarë është komunizmi në Shqipëri, historinë e mirëfilltë të tij dhe se si ky komunizëm mund të prodhojë një arkitekturë që është unike dhe e lidhur tërësisht me raportin që politika dhe pushteti kanë pasur mbi projektuesin.

“Padyshim që në komunizëm ka një seri elementësh të veçantë që e kthejnë realitetin e Shqipërisë të asaj kohe të jetë i lidhur fortë me arkitekturën dhe se si arkitektët e bënin punën e tyre. Shkolla e parë e arkitekturës është hapur në Shqipëri në vitin1969 dhe shumica e profesorëve ishin inxhinier dhe më pas këta njerëz nuk patën më asnjë kontakt me botën e jashtme deri në vitin 1990”, tha Islami para të pranishmëve.

Të gjithë vizitorët sonte u panë shumë kureshtarë teksa po hulumtonin të mësonin të vërteta rreth asaj kohë që ndoshta për disa të rijnë ishte e mjegullt e për disa e panjohur. Por, kishte edhe prej atyre që po i diskutonin me shumë delikatesë çështjet e asaj kohe.

Ekspozita do të mirëpres edhe shumë vizitorë të tjerë për të ndarë bashkë gjërat që ndoshta si keni ditur më herët. /KultPlus.com


“Nën Presion” sonte në GKK

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sot më 21 nëntor me fillim nga ora 20:00, hapet ekspozita “Nën Presion – Fakte nga arkitektura socialiste në Shqipëri”, shkruan KultPlus.

Ekspozita vjen nga Gjergj Islami, Denada Veizaj, Gjergj Thomai dhe Enrico Fontanari të kuruar nga Eliza Hoxha dhe Ilir Gjinolli.

Ceremonia e hapjes do të bëhet në Galerinë Kombëtare të Kosovës sonte në orën 20:00./ KultPlus.com