Në San Benedetto del Tronto do të vendoset busti i Nënë Terezës. Ky bust është një vlerë e shtuar për komunitetin shqiptar që jeton në këtë zonë dhe jo vetëm.
Ishte Shoqata Shqiptare në San Benedetto, me kryetar Vasil Nushin, që ndërmori nismën për vendosjen e bustit të shenjtores shqiptare Nënë Tereza.
Kastriot Shkreta ishte sipërmarrësi shqiptar që ndihmoi në financimin e ndërtimit të monumentit të Nënë Terezës në hapësirën e caktuar.
“Në San Benedetto del Tronto në sheshin para Eurospin do të vendoset busti i Nënë Terezës.
Ky bust, i propozuar, ideuar, dhe sponsorizuar nga ne si shoqat është një vlerë e shtuar për ne si komunitet shqiptar. Është në nderin e gjithë e shqiptarëve qq banojmë e jetojmë këtu të kemi midis nesh Nënë Tereza. Kjo u mundësua si rezultat i bashkëpunimit të shoqatës tonë me komunën e San Benedetto del Tronto”, shkruan kryetari i Shoqatës Shqiptare Vasil Nushi. / KultPlus.com
“Shumë njerëz thonë: “Nënë Terezë, Ju i llastoni të varfrit, sepse u jepni gjithçka pa asnjë kundërshpërblim”. Mirëpo, neve nuk na llaston më shumë, se sa Zoti vetë. Shikoni: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni. Si do të ishte, nëse Zoti Juve do t’ju kërkonte para, që Ai ju ka falur juve sytë. Ose, shikoni përjashta, se si ndriçon dielli. Si do të ishte, nëse Zoti do të na thoshte neve, ju duhet të punoni pesë orë, që të fitoni dy orë ndriçim të diellit.”/ KultPlus.com
Trazirat e viteve të 90-ta në Shqipëri patën mbuluar mediet ndërkombëtare dhe patën prekur shumë njerëz. Mbi këto trazira pat reaguar edhe Nëna Terezë, reagim që e ka sjell Don Lush Gjergji. Ai për ndjekësit e tij ka sjellë reagimin e saj që ka publikuar më 28 prill të vitit 1997, përcjellë KultPlus.
Më poshtë e keni të plotë reagimin e atëhershëm të Nënës Terezë.
“Me dhimbje të madhe në zemrën time po dëgjoj se jetat po humbën, ndërsa njerëzit po lëndohen në këto trazira… Nëse ne tani nuk kemi qetësi, kjo është për arsye se kemi harruar si të shohim Zotin në njëri -tjetrin…” (28 prill 1997)./ KultPlus.com
Sot bëhen 24 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shën Nënë Tereza.
Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.
Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.
Këto janë shifrat e mesit të viteve të 80-ta, dhe deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Ajo ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë dhe janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të Lumën Nëna Terezë. / KultPlus.com
“Nënë Tereza, një murgeshë imcake – që dukej sikur s’vlente asnjë pare – që endej rrugëve duke mbledhur njerëz në fill të mortjes, për t’u siguruar një fund të denjë… Pikërisht kjo Motër vocërrake, me lutjen e veprimtarinë e saj, bëri mrekulli! Vogëlsia e një gruaje e revolucionarizoi veprimtarinë bamirëse në Kishë. E mbeti shembull edhe për ditët tona”./ KultPlus.com
Pas 5 portreteve të burrave, një tjetër shfaqet në kartëmonedhën shqiptare. Portreti i poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Asdreni, do të jetë i fundit në prerjen 10.000 mijë lekëshe që do të shfaqet në treg për herë të parë më 30 qershor.
Nuk kemi pothuajse asnjë figurë femërore mes tyre që pas viteve ‘90. Gjatë komunizmit, prerjet e kartëmonedhave e kishin më të dukshme portretin femëror shqiptar, ndonëse për shkak të ideologjisë ato ishin më shumë kooperativiste.
Sot që nuk i kemi këto kufizime, femrat nuk i kemi në kartëmonedhat tona. A nuk kemi figura femërore me rëndësi dhe kontribut në fusha të caktuara të arsimit dhe shkencës në Shqipëri? A ka pasur ndonjë figurë femërore për të cilën është diskutuar vendosja në një kartëmonedhë së fundmi?
Autori i kartëmonedhës së parë në komunizëm, Pëllumb Vreka, thotë se ne kemi femra të shquara me kontribute të caktuara, por sipas tij problemi qëndron te komisionet që vendosen.
“Te ne nuk është se nuk ka pasur femra të shquara, por problemi qëndron tek komisionet të cilat janë të përbërë nga njerëz financierë apo ekonomistë, të cilët as e kanë haberin se si duhet të stilizohet një kartëmonedhë kombëtare. P.sh në 1000 lekëshin jeshil të vitit 1992 u vendos Skënderbeu, tani në pesëmijëshen e re një tjetër Skënderbe, me pamje si murg, ky është një shembull për paaftësinë e komisionit”, thotë Vreka.
Edhe historiani Ardit Bido, njëkohësisht edhe drejtor i Arkivave, thotë se me Mbretëreshën Teuta, jemi pak pararojë në krahasim me disa vende, por kjo nuk është e mjaftueshme.
“Mund të themi që jemi ndër vendet e para në botë që një grua (mbretëreshën Teuta) e kemi parë çdokush në monedhat e lekut. Më shumë do të duhen, por së paku jemi në vendet pararojë në këtë drejtim. Por, kjo assesi që nuk duhet të na bëjë të vetëkënaqemi sepse nuk është e mjaftueshme”, thotë Bido.
Përcaktimi i tematikës që përmban çdo kartëmonedhë realizohet nga një komision që ngrihet posaçërisht dhe marrin pjesë akademikë dhe personalitete të shquara.
Banka e Shqipërisë thotë se në kartëmonedhë zgjidhet ajo figurë që përfaqëson zhvillimet më të rëndësishme në vend.
“Tematika e përfaqësuar në kartëmonedhë është një proces mjaft i rëndësishëm, mbasi ajo duhet të përfaqësojë dhe shprehë momentet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, social dhe politik të vendit dhe të kombit, tematika duhet të jetë përbashkuese dhe e pranuar, të vlerësojë kontributin e figurave me rëndësi kombëtare që kanë lënë gjurmë në historinë e popullit shqiptar”, thotë zyra e shtypit të Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa sa i përket figurës femërore, Banka është më e rezervuar, por vë në pah se kemi figurën e Mbretëreshës Teuta në monedhën 100 lekëshe. Pyetjes se a ka pasur ndonjë figurë femërore që është diskutuar në komision së fundmi, Banka nuk i jep një përgjigje të prerë.“Figura e gruas, pavarësisht se nuk është pasqyruar në ndonjë nga kartëmonedhat shqiptare në qarkullim, është e vlerësuar dhe përfaqësohet nga figura e Mbretëreshës Teuta në monedhën e prerjes 100 lekë me kurs ligjor, si dhe në monedhat numizmatike 200 lekë e Nënë Terezës, e prodhuar në ar”, vijon më tej Banka.
Por cilat janë figurat femërore që kanë bërë histori në Shqipëri e pse jo duheshin “vulosur” në kartëmonedha?
Vreka zbulon se Nënë Tereza, një figurë sa historike aq edhe e dashur për shqiptarët, nuk ka dashur që të jetë pjesë e kartëmonedhave.
“Figura të shquara ne kemi Nënë Terezën, por në ato vite kur unë ndërtoja kartëmonedhën e re pas prishjes me kinezët, Nënë Terezës ju propozua ta vendosnim në kartëmonedhë. Ajo jo vetëm nuk pranoi, por u lut që edhe pas vdekjes të mos vendosej në kartëmonedhë”, thotë Vreka.Ndërkohë, historiani Ardit Bido liston një sërë figurash femërore që kanë pasur kontribute në fusha të caktuara, e pse jo mund të ishin “fytyrë” e kësaj kartëmonedhe.
“Ndër gratë shqiptare dhe atyre ilire, kanë spikatur personalitete lokale e universale, që jo prej çfarë janë, por prej çfarë kanë bërë kanë dominuar ose kanë veçuar në fusha të ndryshme. Nga drejtimi i shtetit (mbretëresha Teuta), lufta (Nora e Kelmendit e Shote Galica), shenjtëria, bujaria e universalizmi (Shën Tereza e Kalkutës), shkenca (Musine Kokalari), intelektualizmi rilindas (Elena Gjika/Dora d’Istria), sporti (e vetmja medaliste shqiptare në Olimpiadë Majlinda Kelmendi), arsimi (Parashqevi e Sevasti Qiriazi), heroizmi (Mosko Xhavella e Margarita Tutulani), e në çdo sferë të jetës shoqërore, shkencore, sportive, politike e kulturore, gra shqiptare kanë treguar individualitetin e tyre e krahas individualitetit edhe mbrujtjen e një shoqërie vlerash”, thotë Bido.
Sipas Vrekës, për herë të parë, roli i gruas shqiptare, u bë i njohur në vitin 1920, me Shaqe Marie Çoba, themeluese e organizatës “Gruaja Shqiptare”.
“Bota në kartëmonedha ka jo vetëm heroina si Zhan D’ark, por edhe gra të shquara në fushën e shkencës dhe arsimit. Ne në historinë tonë kemi arsimtare të mirëfillta, aktiviste të shkëlqyera p.sh. Shaqe Marie Çoba, nga Shkodra e cila më 3 gusht të vitit 1920, themeloi organizatën “Gruaja Shqiptare”, me synimin mbrojtjen e të drejtave e lirive të grave shqiptare. Po kujt t’ia thuash komisionit të Bankës që përcakton figurat? Po t’u thuash këtë ata do shqyenin sytë nga habia”, thotë Vreka.Specialisti Vreka thotë se figura që mund të pranoheshin në kartëmonedha janë Dora D’istria, Edith Durham dhe Shote Galica.
“Dora D’Istria mund të ishte. Shote Galica pranohet po ashtu pasi luftoi kundër të huajve. Edith Durham pranohet njësoj si mund të ishin motrat Qiriazi, (Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi), të cilat punuan për një kauzë të përbashkët të shqiptarëve. Domethënë nuk duhet të jetë figurë me krah partiak apo me krah lufte”, thotë Vreka, ndërsa e mohon si emër “Musine Kokalarin jo, pasi ishte thjesht një opozitare e Enverit, si shumë ish-bashkëpunëtor të tij”.
Vreka përfundon duke thënë se: “çështja e kartëmonedhave mbetet sa delikate aq edhe e rëndësishme sepse gra heroina apo aktiviste ka, por nuk ka vullnet”.
Në një shoqëri që ka kaluar nga një trazirë në tjetrën dhe në një sërë luftërash dhe betejash, figura e femrës ka qenë gjithmonë në ballë të këtyre sfidave dhe falë tyre kemi sot një shoqëri më të mirë.Por, pavarësisht kësaj, ende për një kohë të gjatë, shqiptarët do të shohin “një fytyrë” burri në kartëmonedhë.
Po kush dhe kur do të reflektojnë për rolin e figurës femërore apo jemi larg një reflektimi të tillë?/ KultPlus.com
Një bust për të vlerësuar figurën e shenjtë të Nënë Terezës do të vendoset në Osijek, Kroaci.
Deputetja shqiptare në parlamentin kroat Ermina Lekaj Prljaskaj së bashku me anëtarët e komunitetit shqiptar të Osijek, qarkut Baranja, kanë vizituar shëtitoren e këtij qyteti ku do të ndërtohet monumenti i Nënë Terezës.
Lajmin e bëri të ditur deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj nëpërmjet një postimi në Facebook: “Në Osijek me anëtarët e pakicës kombëtare shqiptare të Osijek – qarkut Baranja, ne vizituam zonën e shëtitjes në Osijek, ku do të ndërtohet monumenti i Shenjtores Terezë”./ KultPlus.com
Komuna e Gjakovës, ka planifikuar të bëjë një investim në shtëpinë e nënës së Nënës Terezë, në Novosellë, që gjendet në afërsi të këtij qyteti.
Kulla që besohet të jetë e vjetër më shumë se 200 vjet, do të shndërrohet një pjesë në bujtinë, e tjetra në muze ku do të vendosen të dhëna për Nënën Terezë e familjen e saj.
Sipas familjes që tash ndanë të njejtin oborr me kullën, vizitorë ka vazhdimisht, teksa shtëpia ka nisë të shkatërrohet për shkak të kushteve natyrore.
Për fillimin e punimeve janë destinuara 30 mijë euro, 20 prej të cilave janë fond i fituar./ KultPlus.com
“Shumë njerëz thonë: “Nënë Terezë, Ju i llastoni të varfrit, sepse u jepni gjithçka pa asnjë kundërshpërblim”. Mirëpo, neve nuk na llaston më shumë, se sa Zoti vetë. Shikoni: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni. Si do të ishte, nëse Zoti Juve do t’ju kërkonte para, që Ai ju ka falur juve sytë. Ose, shikoni përjashta, se si ndriçon dielli. Si do të ishte, nëse Zoti do të na thoshte neve, ju duhet të punoni pesë orë, që të fitoni dy orë ndriçim të diellit.”/ KultPlus.com
Pas disa refuzimesh për dhënie vize për hyrje në Shqipëri në kohën kur duhej të merrte pjesë në ceremonitë mortore të nënës dhe motrës së saj, Nënë Tereza nuk i ndërpreu kurrë përpjekjet dhe mundi të vijë në Shqipëri në gusht të 1989.
Nënë Tereza nuk u lejua nga regjimi të merrte pjesë në ceremonitë e tyre mortore, por prej 1985 në Shqipëri nisi të kishte disi ndryshime. Sipas dokumenteve të kohës, kërkesa e parë u përcoll në ambasadën shqiptare në Romë.
Kërkesa u përcoll në ambasadë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëresh.
Në dokument bie në sy përgjigja e saj në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej “ Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”. Pas largimit nga Shqiperia Nënë Tereza iu drejtua me një letër presidentit Ramiz Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigja vonoi gjatë.
Dokumentet tregojnë këmbënguljen e shenjtores së jetës pas shumë refuzimesh, e cila mundi të hapë Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri në mars 1991 në Tiranë e në Shkodër. /diasporashqiptare/ KultPlus.com
Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb, Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.
Ngjarja e parë
Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duami ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.
Ngjarje e dytë
Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’ Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.
(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.)/ KultPlus.com
Nënë Tereza, gruaja që tashmë njihet si sinonim i humanitetit dhe zemërgjerësisë, e lindur në Shqipëri, mirëpo pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Indi, ku u vë në shërbim të njerëzve pa kursyer veten asnjëherë, shkruan KultPlus.
Në vijim mund të lexoni disa fakte për Nënën e gjithë botës, vepra e së cilës do jetojë gjithmonë me njerëzimin.
Nënë Tereza është një sinonim i veprave të mira, por shumë njerëz nuk dinë më shumë përtej ”një gruaje që ndihmoi të varfërit”. Këto janë disa nga faktet e panjohura rreth Nënës Terezë
1.Agnes Gonxhe Bojaxhiu lindi me 26 gusht 1910, në Maqedoni, në një familje shqiptare me kushte të mira financiarre, ata zotëronin dy shtëpi. Babai i saj vdiq kur ajo ishte 8 vjeç, duke mbetur kështu pa një burim të sigurimit financiar, ajo dhe familja e saj.
2. Gonxhja ishte e magjepsur nga misionarët që në moshë të vogël, dhe kur ishte 12 vjeç ajo e dinte që do të angazhohej në fusha fetare.
3. Kur ishte 18 vjeç, ajo u largua nga shtëpia dhe u bashkua me Motrat e Loreto në Rathfarnham, Irlandë.
4. Megjithëse jetoi deri në moshën 87 vjeçare, ajo kurrë nuk i pa nënën ose motrën e saj pas ditës që u nis për në Irladë
5. Ajo bëri premtimet e saj si murgeshë në 1931, duke zgjedhur emrin Teresa për të nderuar shenjtorët Therese të Lisieux dhe Terezën e Avila.
6. Viti i parë i Terezës në lagjet e varfëra, ishte shumë i vështirë. Ajo ishte mësuar me një jetë më të rehatshme, dhe tani ajo nuk kishe të ardhura dhe asnjë mënyrë për të siguruar ushqimin.
7. Një nga projektet e saj të para ishte të mësonte fëmijët e të varfërve, duke u mbështetur në përvojën e saj me mësimin e fëmijëve të pasur. Ajo nuk kishte pajisje por i mësoi atë të lexojnë dhe të shkruajnë, në mënyra të ndryshme.
8. Përveç shkrim-leximit, Tereza u mësoi fëmijëve higjienën bazë. Ajo vizitoi familjet e tyre, duke i pyetur për nevojat e tyre dhe duke iu ndihmuar në sigurimin e tyre kur të mundej.
9. Ajo hapi një bujtinë përrr të varfërit, një shtëpi për të sëmurët, jetimët dhe të rinjtë e pastrehë.
10. Ajo u nderua me shumë çmime gjatë gjithë jetës së saj nga Padma Shri Indiane në 1962, deri në themimin përurues të Papës Gjon XXIII, dhe më e njohura Çmimi Nobel për Paqe në 1979.
11. Ajo refuzoi banketin tradicional të Nobel, dhe në vend të kësaj kërkoj që paratë të jepen për të ndihmuar të varfërit, dikur rreth 192,000 dollarë.
12. Tereza njihet si humanitarja më e madhe e shekullit 20, megjithë numrin e kritikave të ngritura drejt saj. Ish presidenti i SHBA, Ronald Reagan, tha në vitin 1985 se: ”Shumica prej nesh flasim për mirësi dhe dhembshuri, por Nënë Tereza e jeton atë”. / KultPlus.com
Sot, para 36 viteve në Nju Delhi, humanistes së njohur shqiptare Nënë Terezës, iu dorëzua çmimi “Urdhëri i Nderit për Merita”, nga Mbretëresha Elizabeth II, shkruan KultPlus.
Ky çmim iu dha Nënës Terezë, në shenjë mirënjohje për punën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të njerëzimit.
Në atë kohë Nëna Terezë ishte 73 vjeç dhe ishte qytetarja e pestë jobritanike që u vlerësua me çmimin ”Urdhëri i Nderit për Merita”, një çmim ky i cili Nënës Terezë iu dorëzua nga vetë mbretëresha.
Bashkangjitur gjeni linkun e artikullit që gazeta britanike, Upi, e publikoi kur u përurua ky çmim. / KultPlus.com
Ministri i Shqipërisë për Shtetin dhe Diasporën, Pandeli Majko, përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ka njoftuar se komuniteti shqiptaro-kanadez ka nderuar figurën e Nënë Terezës dhe gjuhën shqipe në një ceremoni të mbajtur atje.
Ky komunitet njejtë si edhe komunitetet tjera jashtë hapsirës shqiptare, ka zhvilluar dhe vazhdon të realizojë aktivitetet të ndryshme arsimore dhe kulturore me qëllim rë ruajtjes dhe zhvillimit të vetëdijes dhe kulturës shqiptare. Së këndejmi, ata kanë vendosur që ta nderojnë figurën e Nënë Terezës, si një ndër figurat më të famshme dhe më të rëndësishme që populli shqiptar i ka dhënë botës, shkruan KultPlus.
Statusi i plotë i Pandeli Majkos
“Foto e ditës / Komunitetit shqiptaro-kanadez nderon figurën e Nënë Terezës në një ceremoni të organizuar në gjuhën shqipe. Gjithashtu ata vizituan bustin e shenjtores në Midland, Ontario”. / KultPlus.com
O Zot, Kur kam uri, më jep dikë që ka nevojë për bukë. Kur kam etje, më dërgo dikë që ka nevojë për ujë. Kur kam të ftoftë, më dërgo dikë ta ngroh. Kur ndjehem e pakënaqur, më dërgo dikë ta ngushëlloj.
Kur kryqi im peshon rëndë, më bëjë ta bashkëndajë kryqin e tjetrit. Kur jam e varfër, më dërgo te ata që kanë nevojë. Kur nuk kam kohë, ma jep dikë që ta ndihmoj për një çast. Kur jam e nënçmuar, bëjë të kam dikë që ta lavdëroj.
Kur jam e ligështuar, më dërgo dikë ta forcoj. Kur kam nevojë të më kuptojnë, më dërgo dikë që ta dëgjoj e ta kuptoj. Kur kam nevojë të kujdesen për mua, më dërgo dikë të kujdesem për të. Kur mendoj vetëm për vetveten, tërhiqe vëmendjen time tek të tjerët./drita.info/KultPlus.com
“Une gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. Me këto fjalë të bukura e të fuqishme në përmbajtjen e tyre, filloi akademia përkujtimore kushtuar Nënës Terezë, në përvjetorin e ditëlindjes së saj dhe 40 vjetorit të marjes së çmimit Nobel për Paqe, shkruan KultPlus.
Nën interpretimin e aktores Arijeta Ajeti, kumbonin fjalët e madhërsishme të shenjtores sonë, duke mbushur sallën me një emocion të pashoq. ”Unë e kam në zemër popullin tim shqiptarë”, ”Vendi im”, ”Duaje jetën” dhe ”Pjesë nga fjalimi i Nënës Terezë në Shejntëroren e Letnicës”, ishin pjesë e këtij manifestimi, që përpos emocionit që përcillnin, fjalët e Nënës Terezë të ofronin një ngrohtësi dhe shpresë të pafund.
Këngët ‘Nënës së mirë- Porosi” dhe ”N’Cërnagore kam një nanë”, u interpretuan nga Kori i Studentëve dhe Lule Brahimi, duke krijuar një atmosferë festive, sepse i tillë ishte edhe ky event. Festohej për gruan e madhe të kombit tonë, e cila edhe pse jo më pjesë e kësaj botë, vazhdon të na falë ndjenjën e madhe të kenarisë.
Ndodhia kryesore e këtij eventi, ishte promovimi i librit të Don Lush Gjergjit, kushtuar Nënës Terezë, të titulluar ”E kam në zemër popullin tem shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Terezë”.
”Pas 16-të veprave kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë, ja edhe botimi i 17-të, kushtuar asaj. Përpos 40-të vjetorit të çmimit Nobel për Paqe, këtë vit shënon edhe 50-të vjetori i takimit tim të parë më Shën Nënën Terezë. Ky botim është mjaft burimor, i rrallë dhe i dalluar. Të themi kështu, figurativisht, një lloj ungjilli sipas Nënës Terezë. Aty mund t’i gjeni shtatë intervista ekskluzive. Përshtypjet, përjetimet e përvojat e mia gjatë gjithë këtyre viteve. Përmes këtij librit, populli ynë, tani mund ta njohë për së afërmi ashtu si ajo ishte dhe është, në lidhje me popullin dhe kishën tonë. Ajo na ngriti edhe ne si popull në piedestalin e shenjtërisë. Unë atë po ia kthej kishës dhe popullit shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, porosi, fotografi, dorëshkrime, qe çdo njeri me mendje të hapur e me zemër të mirë, me shenjtëreshën tonë, ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim dashurie”, u shpreh Don Lush Gjergji për librin e tij kushtuar Nënës Terezë.
I pranishëm ishte edhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili në raport me librin kushtuar Nënës Terezë u shpreh i mahnitur nga ajo që kishte parë të jetë thënë për Gonxhe Bojaxhiun.
”Ajo i përket botës mbarë, universit të mrekullueshëm katolik, nënë e të gjithëve, prandaj edhe u shpërblye me çmimin më të lartë, atë të paqes”, u shpreh ai. Ai poashtu për Don Lush Gjergjin tha së është biografi më i mirë i Nënës Terezë. ”Bisedat që janë pjesë e këtij libri, janë nga më të larmishmet, tokësore, flitet për familjen, për varfërinë e dashurinë, për Kishën e Krishtit. Don Lush Gjergji na sjellë nderimin për të”, deklaroi Visar Zhiti.
Xhavit Beqiri përmes fjalimit të tij kushtuar këtij eventi, shprehi mirënjohje të pafund ndaj veprimtarisë së noblistes sonë, siç e quante ai. Duke qenë i fokusuar në fjalimin e saj në marrjen e këtij çmimi, në mënyrën e marrjes së tij, ai e cilësonte atë si një shenjtore të vërtetë. E duke e cituar herë pas herë fjalmin e saj, të asaj ditë të madhe, i rikujtoi publikut se Nëna Terezë me të vërtetë e ka merituar çmimin e marrë e ndoshta edhe më shumë. Beqiri, poashtu përmendi edhe çmimet tjera që kanë zënë vend në listën e çmimeve të marra nga Nëna Terezë, si Medal of Freedom 1985, çmimin Papa Gjoni 1971 etj.
Një dhuratë të bukur pë katedralen, që mban emrin e Shën Terezës, e kishtë bërë Rilind Morina. Ai kishte realizuar portretin e saj, pikërisht për këtë manifestim.
Për të përmbyllur këtë manifestim si është më së miri, publiku u shoqërua nën tingujt e bukur të këngës ”Ti më je si gonxhe”, përmes së cilës i uronin ditëlindjen Nënës Terezë, dhe Dom Fatmirit i cili festonte ditëlindjen në të njëjtën ditë si humanistja jonë e madhe. /KultPlus.com
Mjafton t’i kujtosh emrin dhe njerëzit nga e gjithë bota do të dinë saktësisht se për kë po flasim. Çfarë ishte kaq e jashtëzakonshme në lidhje me këtë “shenjtore të lagjeve të varfra?”. E njëjta grua që kaloi pjesën më të madhe të ditës së saj, duke pastruar plagët e “më të varfërve të të varfërve” shihet gjithashtu në foto të panumërta me koka shtetesh. Pas vdekjes së saj, kur u mblodhën letrat dhe letërkëmbimet private, shumë u tronditën kur mësuan për betejën e saj me errësirën shpirtërore. Si mund nderohet dikush si një shenjtor e të mos e ndiejë praninë e Zotit për një periudhë të gjatë të jetës? Nënë Tereza duket se i ka parashikuar këto pyetje: “Nëse ndonjëherë bëhem shenjtore – me siguri do të jem një nga “errësira”. Unë vazhdimisht do të mungoj nga Parajsa – për të ndezur dritën e atyre që janë në errësirë në tokë”
Nënë Tereza, të cilën shumica e njohin si “Shenjtorja e Kalkutës”, ikona e dhembshurisë për më të varfërit e të varfërve dhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj shpirtërorë në historinë moderne vdiq në 1997. Ajo u shpall shenjtërore nga Kisha Katolike Romake në 2003.
Si sot 109 vite më parë lindi në Shkup nga prindër shqiptarë, Nikollë dhe Drane Bojaxhiu, Nënë Tereza, fëmija i vogël i familjes. Babai i vdiq kur ishte 8-vjeç, më pas jeta për të u bë më e vështirë. Ishte e besimit katolik dhe që e vogël merrte pjesë në meshat fetare. Në moshën 18-vjeçare shkoi në Londër dhe hyri në Institutin “Motrat e Loretos”, ku mori emrin Mari Tereza. Aty jetoi për 20 vjet duke punuar si mësuese.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Ajo hyri në zemrën e njerëzve, sepse më parë u kishte bërë vend atyre në prehrin e përkujdesjes. Ajo besoi te mëshira, bujaria dhe dashuria, sepse në themel të veprës së kësaj bamirëseje qëndron kjo trini. Sepse gjithçka që duhet për të ndryshuar jetën e të sëmurëve, të braktisurve, të përvuajturve, të nëpërkëmburve, të rrënuarve, është t’i gjendesh pranë. Ata janë kaq shumë dhe kanë nevojë kaq pak… dashuri, përkujdesje, besim.
Në vitin 1946 shkoi në Indi, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj. Aty themeloi misionin e saj të ri dhe gjatë gjithë jetës u shërbeu të varfërve dhe të sëmurëve të rrugës, për të cilët kujdesej me përkushtim. Nënë Tereza hapi shtëpi misionare në të gjithë planetin, gjithashtu edhe në vendet komuniste para viteve 1990.
Tereza ishte nënë kujdestare e 8000 fëmijëve në 60 shtete, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë binjakë. Këto janë shifra të viteve 1980.
Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete, si mbretëresha e Britanisë, ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, Xhimi Karter etj. Në titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmendim: “Pamada Shir”, “Gjoni XXIII” për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI, “Samaritani i mirë” në Boston, “Shpërblimi Ndërkombëtar” nga Xhon Kenedi në Uashington, “Nëna e të gjithë nënave” Balzani, “Medaljen e Lirisë” shpërblimi më i lartë amerikan nga Ronald Regan, “Medaljen e paqes” shpërblimi më i lartë i Rusisë etj. Në çastin e marrjes së çmimit “NOBEL” më 1979, kur një nga klerikët pjesëmarrës në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkuta dhe punoj për gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Kur morri çmimin “Nobel”, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk e pranoi.
Nënë Tereza fliste rrjedhshëm pesë gjuhë: anglisht, gjuhën indiane, bengale, shqipen dhe serbishten./konica.al/KultPlus.com
Me rastin e 40-të vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të ditëlindjes së Nënës Terezë, qendra “BogdaniPolis”, organizon akademi përkujtimore, shkruan KultPlus.
Në këtë akademi, do të mbahen disa aktivitete, ku në kuadër të tij do të promovohet edhe libri i Don Lush Gjergjit “E kam në zemër popullim tem Shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Tereze”. Eventi mbahet në datën 26 të këtij muaji, nga ora 19:30. Ku pjesë e programit do të jenë poezitë: “Unë e kam në zemër Popullin tem shqiptar”, “Vendi im” (që do të lexohen nga aktorja Arijeta Ajeti.)
Pastaj, për të performuar këngën “Nënës së mire – Porosia”, do të interpretojnë Lule Brahimi dhe Kori i studentëve. Duke vazhduar më pas me leximin e disa poezive të zgjedhura që trajtojnë temën e jetës dhe veprës së Nënës Terezë. Xhavit Beqiri, do të vijë me një kumtesë të titulluar: “Nënë Tereza – Nobelistja e Çmimit Nobel për Paqe”
Kjo akademi përkujtimore do të mbyllet me fjalimin përmbyllës të Don Lush Gjergjit, që mban titullin“Pse ky libër i ri për Nënë Terezën”. Mysafirët dhe pjesëmarrësit, pas përfundimit të eventit do të kenë mundësinë të vazhdojnë me një koktej rasti që do të mbahet në pjesëën e qendrës “Agora”/ KultPLus.com
Nuk do ta harroj kurrë herën e parë që kam qenë në Bourke, në vizitë tek motrat e Dashurisё. Shkuam në periferi të qytetit. Njerëzit jetonin në baraka të bëra me karton. Hyra në njërën nga ato shtëpi të vogla. Po e quaj “shtëpi”, sepse në fakt bëhej fjalë për një dhomë të vetme. I thashë atij njeriut që jetonte aty: “Të lutem më lejo ta shtroj krevatin, të të laj rrobat dhe të pastroj dhomën.”
Ndërsa ai vazhdonte të përsëriste: “Jam mirë kështu… Jam mirë kështu…”
E unë i thashë: “Po do të jesh edhe më mirë nëse më lejon ta bëj këtë shërbim për ty.”
Së fundi pranoj dhe më lejoj. Atëherë nxori nga xhepi një zarf të vjetër, pastaj një tjetër e një tjetër sërish. Filloj t’i hapte njërin pas tjetrit. Brenda zarfit të fundit ishte një foto e vogël e të atit, të cilën ma dha ta shoh. E pashë foton, pastaj vëzhgova atë dhe i thashë: “Ti i ngjan vërtetë t’atit tënd”. Fakti që e kisha parë ngjashmërinë mes tij dhe të atit e lumturoi shumë. E bekova foton dhe ia dhashë. Të njëjtën gjë bëra me zarfin e parë, të dytin dhe të tretin. Foton e vuri afër zemrës.
Pasi ia pastrova dhomën gjeta në një qoshe një llambë të madhe, plot me pluhur, e pastrova dhe i thashë: “Pse nuk e ndezë këtë llambë ? Është një llambë aq e bukur!”
Pse nuk e ndezë? Ai m’u përgjigj: “Për kë? Janë muaj e muaj që askush nuk vjen më të më shohë… Për kë duhet ta ndezë?”
Atëherë iu drejtova: “A do ta ndiznit nëse motrat e mia do të vinin të të takonin?” E ai m’u përgjigj që po.
Motrat shkonin tek ai për 5- 10 minuta çdo ditë dhe filluan ta ndezin atë llambë. Pas pak kohe, ai vetë mori zakon ta ndezë. Më pas, gradualisht, motrat nuk u ndalën më tek ai, por megjithatë çdo mëngjes, kalonin andej sa për ta përshëndetur. Unë, e harrova krejtësisht këtë fakt, por dy vjet më vonë ai m’i përcolli këto fjalë: “THUANI NËNËS, MIKËS SIME, SE DRITA QË KA NDEZË NË JETËN TIME VAZHDON TË NDRIÇOJË”./drita.info
Mos harro se lëkura rrudhet, e flokët mbulohen me borë; Ditët bëhen vite… por më e rëndësishmja nuk ndryshon kurrë!
Forca jote e bindja jote s’njohin moshë. Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës që mosha ta endi mbi fytyrë!
Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje. Pas çdo suksese, një zhgënjim. Përderisa je gjallë, gjallëro!
Në qoftë se të mungon çka bëje më parë, bëje përsëri, mos rri duke parë fotografi të zverdhura nga koha! Mos e lerë të ndryshket hekuri që ke brenda vetes.
Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës, të gëzosh respekt. Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh, ec shpejt. Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt, ec! E kur as të ecësh s’do të mundesh, përdore shkopin e shko… Veç për t’u ndalë, ti kurrë mos ndalo!/KultPlus.com
Duaje jetën ashtu siç është duaje plotësisht, pa pretendime; duaje kur të duan apo kur të urrejnë, duaje kur askush nuk të kupton, apo kur të kuptojnë të gjithë.
Duaje
kur të gjithë të braktisin,
apo kur në qiell të ngrenë si mbret.
Duaje kur të vjedhin gjithçka,
apo kur të dhurojnë.
Duaje kur ka kuptim
apo kur ngjan se nuk ka një fije.
Duaje
në lumturi të plotë
apo në vetminë absolute.
Duaje kur je i fortë,
apo kur ndihesh i pafuqishëm.
Duaje kur ke frikë,
apo kur ke një mal guximi.
Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha
e sukseset e mrekullueshme;
duaje edhe për gëzimet e vogla.
Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet, duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje. Duaje sa herë që lindesh e sa herë që je duke vdekur. Por mos duaj kurrë pa dashuri. /KultPlus.com
Vizita e parë historike e një Pape në Maqedoninë Veriore, në Shkup (7 maj 2019), dikur selia e Ipeshkvisë sonë Shkup – Prizren, ishte një lloj shtegtimi i tij në vendlindjen e Gonxhe Bojaxhiut, tash Shën Nënës Tereze, si rast dhe mundësi e jashtëzakonshme për të theksuar rolin, rëndësinë, kuptimin dhe domethënien e saj për Kishën Katolike ndër ne dhe në botë, për të krishterët, besimtarët, por edhe për çdo njeri të vullnetit dhe zemrës së mirë.
Do t’i citoj pjesët më të rëndësishme të porosive të Papës Françeskut në Shkup për Shën Nënën tonë Tereze.
Në aeroportin e Shkupit
Në përshëndetjen në aeroportin e Shkupit, Papa Françesku e tregoi një ndër motivet bazë të vizitës së tij apostolike në Shkup, duke folur për Nënën Tereze, si një model jete dhe bashkëpunimi, bashkëjetese, për Maqedoninë dhe mbarë Ballkanin, edhe më tepër, për Kishën dhe njerëzimin. Ai me fjalë prekëse, domethënëse, kuptimplote dhe emocionuese shprehu nderimin, admirimin, dashurinë për Nënën Tereze duke thënë:
“Dua të nderoj në mёnyrё të veçantë bashkëqytetaren tuaj të shquar e cila, dashurinë ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj të tjerëve e bëri ligj më të lartë, duke fituar admirimin në mbarë botën. I referohem në mënyrë të qartë asaj që universalisht njihet si Nëna Tereze e Kalkutës “.
“Ajo lindi në një lagje të Shkupit në vitin 1910, me emrin Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, dhe e zhvilloi apostullimin e saj, bërë me dhurimin e përvuajtur e tё plotë tё vetvetes, në Indi, dhe përmes motrave të saj mbërrini nё kufijtë më të skajshëm gjeografik dhe ekzistencial tё njerizimit”.
“Jam i lumtur qё pas pak do tё mund tё shkoj për t’u lutur te Memoriali kushtuar asaj, ndërtuar në vendin ku dikur ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, Kishë kjo në të cilën u pagëzua Nёna Tereze”
“Ju me të drejtë jeni krenarë për këtë Grua të madhe. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me angazhim, përkushtim dhe shpresë, që bijtë dhe bijat e kësaj toke tё mund, sipas shembullit tё saj, të zbulojnë, të arrijnë dhe të rrisin e përforcojnë thirrjen që Zoti ka ëndërruar për ta. Nëna Tereze diti t’u bënte mirë më të varfërve”.
Në Qendrën Memoriale “Nëna Tereze” në Shkup
Para Shatores së Nënës Tereze, si dhe gjatë vizitës së Qendrës Memoriale “Nëna Tereze”, Papa Françesku u ndal në lutje dhe në meditim. Ai ndër të tjera tha:
“Të falënderojmë o Zot për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.
“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë, e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin e shëlbimit, të gjithëve!”.
“O Shën Nëna Tereze, lutu për këtë qytet, për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si nxënës të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi si Ai, që nuk erdhi për t’i shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.
Mesha e Papës në Sheshin “Maqedonia”
Gjatë meshës, që e kremtoi Papa Françesku në sheshin “Maqedonia”, së bashku me kardinaj, ipeshkvijë, meshtarë dhe besimtarë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Kroacia, në pretkun e rastit ai rishtas foli për Nënën Tereze kështu:
“Në çdo Eukaristi, Jezusi thehet dhe shpërndahet dhe na fton edhe ne që të thehemi dhe të ndahemi së bashku me Të, që të marrim pjesë në mrekullinë e shumëzimit të bukës, për të arritur dhe prekur çdo kënd këtij qyteti, të këtij vendi, të kësaj toke me butësi dhe dhembëshuri.
Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mëshëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllau i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllau dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit…
Ajo mirë e dinte që dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin themelohen së bashku: në më të vegjëlit e takojmë vetë Jezusin dhe në Jezusin e takojmë Zotin” dhe kjo dashuri është e aftë për ta shuar urinë e Tij”.
Takimi i Papës Françesku me rininë në “Qendrën baritore”
Gjatë takimit me rininë, prapë Papa Françesku e kishte në mend dhe në zemër Nënën Tereze. Duke folur për “ëndrrat e rinisë” ai ndër të tjera nënvizoi këtë:
“Mendojeni Nënën Tereze. Kur ajo jetonte këtu, nuk mund as ta përfytyronte si do të ishte jeta e saj, por nuk pushoi kurrë së ëndërruari e së përpjekuri për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe, Jezusin, në fytyrat e të gjithë atyre, që qenë flakur në hendeqet e rrugëve. I kishte këmbët të ngulura mirë këtu, në tokën e saj, por nuk rrinte duarkryq. Donte të bëhej lapës i vogël në duart e Zotit. Ja, kjo ishte ëndrra e saj themelore,si kryevepër!”.
“Secili prej jush, si Nëna Tereze, është i thirrur ta punojë jetën me duart e veta, ta marrë seriozisht jetën, ta bëjë diçka vërtet të bukur. Mos lejoni t’jua rrëmbejnë ëndrrat. E mos luftoni kurrë të vetëm. Bashkimi bën fuqinë, bashkimi të ndihmon t’i përballosh të gjitha sfidat e shoqërisë së sotme”.
“Ja një fshehtësi tejet i këndshme për të ëndërruar e për ta bërë jetën tonë një aventurë të bukur. Askush nuk mund t’i bëjë ballë jetës i izoluar, nuk mund t’i jetojë fenë as ëndrrat, pa bashkësinë, vetëm me zemrën e vet, apo i mbyllur ndërmjet katër mureve. Të gjithë kemi nevojë për një bashkësi që të na mbështesë, të na ndihmojë për të ecur përpara krah për krah njëri-tjetrit”.
Në përfundim të takimit Papa Françesku i ftoi të rinjët që së bashku me Të ta lusin uratën e Nënës Tereze:
Të duhen duart e mia, o Zot?
Të duhen duart e mia, o Zot
për t’i ndihmuar
të sëmurë e të varfër,
që kanë aq shumë nevojë?
Merri, janë tuajat,
unë duart t’i dhuroj.
Të duhen këmbët e mia
që të më çojnë ku dikush
kërkon emrin tënd?
Dhe këmbët t’i fali, o Zot!
Të duhet zëri, që sot të flas
fjalët e tua të dashurisë?
Merre, Zot, zërin tim!
Të duhet kjo zemër,
që të duash çdo njeri?
E jotja qoftë
dhe zemra ime, o Zot!
Takimi i Papës Françesku me meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare
Në takimin me meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, si dhe me familjarët e tyre, rishtas Papa Françesku e paraqiti Nënën Tereze si model jete, shërbimi, flijimi, dashurie, misioni, dëshmie dhe shenjtërie, si dëshmitare dhe apostull shumë aktuale për Krishtin dhe Kishën e Tij.
“Kjo tokë diti t’i dhurojë botës dhe Kishës, në Nënë Terezën, pikërisht një shenjë konkrete se si brishtësia e një njeriu, të shuguruar prej Zotit, është e aftë t’i japë aromë gjithçkaje, përmes parfumit të lumnive, që përhapet mbi këmbët e lodhura të njerëzimit. Sa vetë u qetësuan nga ëmbëlsia e vështrimit të saj, u ngushëlluan nga përkëdhelja e saj, u lehtësuan nga shpresa, e sa edhe u ushqyen nga guximi i fesë së saj, në gjendje t’i bëjë të harruarit ta ndiejnë se nuk ishin harruar nga Zoti! Historinë e shkruajnë këta njerëz, që nuk kanë frikë ta humbasin jetën për dashuri”.
Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, (Romë, 8 maj 2010)
“U preka thellë, kur shkova të vizitoj Motrat e Nënë Terezës. Ishin me të varfërit e tyre. Më mrekulloi dhembshuria ungjillore e këtyre grave. E kjo dhembshuri lind nga lutja, nga adhurimi. Ata i mirëpresin të gjithë, ndjehen nëna e motra të të gjithëve, ia dhurojnë dashurinë e tyre të gjithëve. Shpesh ne, të krishterët, e humbasim këtë përmasë. E, kur na mungon dhembshuria, bëhemi tepër seriozë, tepër të thatë. Këto motra janë të ëmbla e bëjnë vepra të ëmbla dashurie. Bamirësi me dhembshuri, jo me hipokrizi. Ndërsa kur bën mirë pa dhembshuri, pa dashuri, është njëlloj si të hedhësh një gotë me uthull të thartë sipër veprës së mirë. Jo! Bamirësia e tyre është gazmore. Nuk është e ithtë!”/drita.info