Sot janë bërë 7 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, shkruan KultPlus.
Shën Nënë Tereza u shpallë e shenjtë më 5 shtator të vitit 2016. Shenjtërimi i saj u bë para shtatë vitesh, pasi u njohën dy mrekulli të Nënë Terezës, të rasteve të shërmit të njerëzve, pas vdekjes së saj në vitin 1997.
Nënë Tereza, e njohur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, është shqiptare e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup.
Misioni i saj jetësor ishte t’u dilte në ndihmë njerëzve në nevojë, si njerëz të varfër, të sëmurë, të vetmuar, të pastrehë etj, i cili mision e bëri të pavdekshme në mendjet dhe zemrat e njerëzve në mbarë botën./KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, e njëkohësisht ka bërë homazhe te shtatorja e “Nënë Terezës”, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
26 gushti i sivjetëm na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin Nënë Tereza, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”, e nisi fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, i cili më pas foli për biografinë e Nënë Terezës.
Kryeministri Kurti tha se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.
“Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen.”
Pasi foli për biografinë dhe rrugëtimin e saj, kryeministri tha se personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.
Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, kryeministri u shpreh me shpresë që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne./rtv21/KultPlus.com
Mos harro se lëkura rrudhet, e flokët mbulohen me borë; Ditët bëhen vite… por më e rëndësishmja nuk ndryshon kurrë!
Forca jote e bindja jote s’njohin moshë. Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës që mosha ta endi mbi fytyrë!
Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje. Pas çdo suksese, një zhgënjim. Përderisa je gjallë, gjallëro!
Në qoftë se të mungon çka bëje më parë, bëje përsëri, mos rri duke parë fotografi të zverdhura nga koha! Mos e lerë të ndryshket hekuri që ke brenda vetes.
Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës, të gëzosh respekt. Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh, ec shpejt. Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt, ec! E kur as të ecësh s’do të mundesh, përdore shkopin e shko… Veç për t’u ndalë, ti kurrë mos ndalo!/KultPlus.com
Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.
Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.
KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com
Më 16 nëntor 1996, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu alias Nënë Tereza (Shën Tereza e Kalkutës), murgesha katolike romake me përkatësi etnike shqiptare dhe nënshtetësi indiane, u shpall qytetar nderi i Shteteve të Bashkuara.
“Populli i Amerikës është vërtet mirënjohës për shërbimin tuaj të palodhur dhe përkushtimin për të mirën më të madhe”, tha Presidenti Clinton në një letër të paraqitur së bashku me dokumentet e nënshtetësisë.
“Kjo është një dhuratë e Zotit. Kam frikë se nuk jam e denjë për këtë”, tha Nënë Tereza pasi mori dokumentet nga ambasadori amerikan Frank G. Wisner. Ceremonia u zhvillua në selinë e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta (Kolkata) të Indisë.
Shtetësia nderi e SHBA-së është dhënë vetëm tre herë të tjera – kryeministrit britanik të kohës së luftës Winston Churchill; Diplomatit suedez Raoul Wallenberg, i cili besohet se ka shpëtuar të paktën 20,000 hebrenj nga nazistët; dhe themeluesëve të Pensilvanisë, William Penn dhe gruas së tij, Hannah. /lbanianvintagephotography /KultPlus.com
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, sot u diskutua për jetën dhe veprën e Nënë Terezës.
Panelistët, prof. dr. Jahja Drançolli, Don Lush Gjergji dhe Gëzim Alpion folën për formimin e identitetit të saj që kishte elemente të thella kombëtare shqiptare, familjare dhe fetare shpirtërore.
Profesor Alpion theksoi se shembullin e Nënës Terezës nuk duhet vetëm ta përcjellim me fjalë, por duhemi ta jetësojmë duke vepruar në të njejtën mënyrë si ajo, duke ndihmuar personat në nevojë.
Profesori Drançolli foli rreth studimeve të tij për familjen Bojaxhiu, specifikisht për babain e Gonxhe Bojaxhiut, Nikollës. Ai theksoi se familja e Nënës Terezë ka qenë themeli nga ku ajo ka marrë shembujt e parë si duhet ndihmuar të tjerët, bazuar në aktivitetet që i ka zhvilluar babai i saj.
Diskutimi mbi studimin e thellë që Imzot Don Lush Gjergji i ka bërë figurës së Nënës Terezë gjatë jetës së tij duke publikuar 17 libra për të, u fokusua shumë rreth spiritualitetit të saj. Fokus i dha sakrificës së jetës në shërbim të personave në varfëri, sëmundje, të pastrehëve, dhe asaj që përkundër sulmeve nga komunitetet e ndryshme në Indi, kurrë nuk ndaloi së ndihmuari personat në nevojë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin këshilltari i Presidentes Osmani, Vehbi Miftari, këshilltarja e ministrit Çeku, Rozafa Imami, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ud-drejtori i Galerisë Kombëtare, Naim Spahiu, zyrtarë të MKRS-së, studiues, profesorë dhe qytetarë./ KultPlus.com
Sot shënohet 111-vjetori i lindjes së ish-presidentit të SHBA-vë, Ronald Reagan, përcjell KultPlus.
Në 111-vjetorin e lindjes së Reagan, KultPlus ua risjell në fotografi të tij bashkë me Nënë Terezën të realizuar më 13 qershor të vitit 1986.
Në këtë fotografi shihet ish-Presidenti i Kombeve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan duke qeshur së bashku me Nënë Terezën dhe Motrën Frederik, ndërsa të tre takohen në Shtëpinë e Bardhë.
Nënë Tereza u dekorua me Medaljen e Lirisë nga Presidenti Regan dhe mori titullin qytetare nderi amerikane nga Presidenti Klinton në vitin 1996./ KultPlus.com
Qeveria e Indisë ka refuzuar vazhdimin e licencës për organizatën bamirëse të themeluar nga Nënë Tereza, përmes së cilës i mundësohet marrja e fondeve të huaja.
Organizata, Misionarët e Bamirësisë, ka mijëra murgesha që mbikëqyrin projekte sikurse shtëpi për fëmijë të braktisur, shkolla dhe klinika.
Në Ditën e Krishtlindjes, Ministria e Brendshme e Indisë ka bërë të ditur se nuk ia ka vazhduar regjistrimin kësaj organizate për shkak të “të dhënave negative”.
Hindusët e linjës së ashpër e kanë akuzuar tash e një kohë këtë organizatë se është duke përdorur programet e saj për t’i konvertuar njerëzit në fenë e krishterë.
Organizata bamirëse ka hedhur poshtë këto akuza.
Në një deklaratë të publikuar më 27 dhjetor, organizata e ka konfirmuar se aplikacioni nuk i është pranuar dhe se nuk do të ketë aktive llogaritë për fondet e huaja “derisa të zgjidhjet kjo çështje”.
Shefja ministrore në Bengalin Perëndimor, Mamata Banerjee, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për bllokim të llogarive të organizatës prej nga pranon fonde të huaja.
Mirëpo Qeveria dhe shteti kanë mohuar se llogaritë janë bllokuar.
Organizata bamirëse me bazë në Kolkata është themeluar më 1950 nga Nënë Tereza, murgeshë katolike.
E lindur në vitin 1910, nga prindër shqiptarë, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu është rritur në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, që në atë kohë ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Ajo ka qenë fëmija më i vogël i Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiut.
Familja e saj ka pasur prejardhje nga Prizreni dhe kanë qenë katolikë të devotshëm.
Rrugëtimin si murgeshë, Nënë Tereza e ka nisur në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë ka udhëtuar drejt Indisë.
Organizata e saj katolike e bamirësisë është ndër më të njohurat në botë.
Nënë Tereza është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe më 1979 për punën e saj humanitare dhe është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku më 2006, 19 vjet pas vdekjes së saj.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi tash e një kohë synon të bllokojë fondet e huaja për organizatat e bamirësisë dhe organizata tjera joqeveritare me bazë në Indi.
Vitin e kaluar, kufizimet kanë çuar në bllokim të llogarive bankare të organizatave Greenpeace dhe Amnesty International.
Ndërkohë është raportuar edhe për sulme ndaj minoriteteve fetare nëpër Indi.
Shumica e popullsisë së Indisë janë hindusë.
Në këtë shtet janë edhe rreth 24 milionë të krishterë – rreth 2 për qind e popullsisë – andaj India është vendi me komunitetin më të madh të personave të krishterë në Azi, pas Filipineve.
Autoritetet indiane kanë tentuar të shtypin fushatat që dyshojnë se po konvertojnë hindusët në të krishterë apo myslimanë.
Disa rajone brenda Indisë që drejtohen nga partia e Modit, BJP, kanë miratuar apo janë duke shqyrtuar ligje që ndalojnë konvertimin fetar për qëllime të martesës./REL/KultPlus.com