‘Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit, shko në shtëpi dhe duaje familjen’

Në këto kohë jo të lehta për mbarë botën, e rëndësishme është që të ndjekim rregullat e parapara nga institucionet e shëndetësisë, por edhe të mendojmë pozitivisht.

KultPlus ju sjell disa thënie të humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza, që flasin për jetën, dashurinë e kujdesin ndaj njëri tjetrit.

-Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

-Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.

-Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.

-Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.

-Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.

-Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.

-Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

-Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

-Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

-Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.

-Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.

-Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.

-Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.

-Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.

-Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.

-Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

-Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.

-Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.

-Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri. / KultPlus.com

Një vajzë e botës sonë dhe një nënë e mbarë botës, Shën Nënë Tereza

Aktiviteti i pestë me radhë në kuadër të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup iu kushtua njërës nga figurat më të mëdha të njerëzimit, Shën Nënë Terezës.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, theksoi iniciativat e ndërmarra kohën e fundit nga ana e Institutit, për ndriçimin dhe jetësimin e figurës së shkupjanes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu.

“Të parët në rajon hapëm departamentin për hulumtimin e trashëgimisësë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, botuam vepra origjinale dokumentare për familjet katolike shqiptare të Shkupit, si dhe e kthyem gjuhën amtare të Gonxhes në Sheshin e Shkupit”, u shpreh Asani.

Një emër i njohur i letërsisë shqipe, autor i dhjetëra veprave letrare, studimeve e përkthimeve referenciale ku spikatë figura e Nënë Terezës, profesor i katedrave universitare në Kosovë, Gjermani e Kalabri, Anton Nikë Berisha, shpërfaqi disa dromca intersante nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës. Ai nënvizoi se dimensioni bamirës nuk është ai më kryesori që ngërthen personalitetin e Nënë Terezës, por flijimi dhe sakrifica e saj e pazakontë për të tjerët.

Publicisti Emin Azemi, u paraqit me temën “Reflektimi i figurës së Nënë Terezës në ndërtimin e kauzave civilizuese”, duke theksuar shumë dimensionalitetin e figurës së Nënë Terezës, jo vetëm se në rrafshim human, por edhe atë kulturor, arsimor, social, misionar

Referuesi tjetër ishte Demush Bajrami, i cili madje si aktivist i ri shoqëror dhe humanitar, ishte i burgosur për shkak të një aksioni bamirësie për të ndihmuar vëllezërit në Kosovë në vitin 1990, me SHHB “Nënë Tereza”. Aktualisht doktor i shkencave sociale dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, referoi në temën “Nënë Tereza, shembull unik i altruizmit njerëzor”.

Të gjitha punimet e prezantuara do të botohen në edicionin e radhës të “Ditëve të Alfabetit”.

Ndërsa, dita e nesërme i kushtohet një iluministeje të ditëve tona, studiueses së njohur të letërsisë shqiptare, akademike Floresha Dado. /ITSHKSHK/ KultPlus.com

Nënë Tereza në veshje kombëtare

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

Kur shenjtorja shqiptare u lumturua nga Papa Gjon Pali II

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Për nga zemra ime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj, ia përkushtoi të varfërve.

Si sot 17 vjet më parë, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani, në 4 shtator 2016.

“Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdim”, deklaroi atëherë Papa.

Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, të quajtur “Misionarët e Bamirësisë”.

Nga ky moment, Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia kushtonte të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4,000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nënë Tereza, nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë, se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit që bëri me te dha kete koment: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjen e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qënie njerëzore të lindur apo jo. /konica/ KultPlus.com

Sot 17-vjetori i Lumturimit të Nënë Terezës

17 vite më parë, më 19 tetor 2003, Nënë Tereza u shpall e “Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfëritë e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi gjithë jetën. Në maj 2011 u mbajt ceremonia e shenjtë e lumturimit të Nënë Terezës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Papa Gjon Pali II, i cili e adhuronte murgeshën shtatvogël shqiptare, shprehu atëherë dëshirën për ta shenjtëruar por arriti deri në etapën e parafundit, Lumturimin.

Më 4 shtator 2016 Nënë Tereza u shpall Shën Tereza e Kalkutës, në një ceremoni madhështore fetare në sheshin “Shën Pjetri” në Selinë e Shenjtë. Kujtojmë se ceremonia u drejtua nga Papa Françesku, i cili bëri edhe shpalljen e shenjtërimit para mijëra pelegrinëve që mbushën sheshin qendror.

Gonxhe Bojaxhi u lind në Shkup më 26 gusht 1910 dhe vdiq në moshën 87-vjeçare, më 5 shtator 1997, në Kalkuta të Indisë. Ajo ishte humaniste e njohur shqiptare dhe fituese e çmimit Nobel për Paqe. / KultPlus.com

1958, New Chronicle: Nënë Tereza, murgesha shqiptare në Indi që di të bëjë mrekulli

Nga Aurenc Bebja, Francë – 11 Tetor 2020

“Paris-presse” ka botuar, të martën e 18 marsit 1958, në faqen n°4, shkrimin e gazetës britanike “News Chronicle” dedikuar Nënë Terezës dhe misionit të saj në Indi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në Kalkuta

Nënë Tereza është “doktor Schweitzer-i” i të paprekshmëve (të sëmurëve)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kalkuta, katër milion e pesëqind mijë banorë, qyteti më i mbipopulluar i Indisë së mbipopulluar, ku gjysma e popullsisë fle në rrugë, ka “Dr Schweitzer-in” e saj : është Nënë Tereza, një murgeshë me origjinë shqiptare, drejtuese e misionit të “Motrave të Bamirësisë”.

Me 75 motrat (murgeshat) e saj me origjinë indiane, ajo drejton shtatë klinika, njëzet e shtatë shkolla, një qendër mësimore. Ajo trajton pesëdhjetë mijë të sëmurë çdo vit dhe mëson (shkollon) shtatë mijë fëmijë të paprekshëm (të sëmurë).

E veshur me një sari të bardhë, ajo përshkon rrugicat e frikshme të qytetit të vjetër me një furgon ngjyrë të kaltër në të cilin është shkruajtur : “Prekni lebrozët me dhembshuri”.

Ndihmësit e saj vazhdojnë të ngarkojnë nevojtarë në të për t’i transportuar nëpër spitale.

Për më të mjerët e këtyre të varfërve, ajo themeloi një institucion të cilin e quajti “Shtëpia e vendasve në prag të vdekjes”.

“Një vdekje e butë është bekimi i vetëm që mund t’u sjell atyre”, tha ajo.

Një ditë, një dem i tërbuar u fut në turmën e mbushur me njerëz në rrugicat e errëta, duke përmbysur dhe shkelur gjithçka. Nënë Tereza e qetësoi me një lëvizje të dorës. Që atëherë, është përfolur se ajo di të arrijë (bëjë) mrekulli.

(News Chronicle, Londër.) / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/news-chronicle-1958-nene-tereza-murgesha-me-origjine-shqiptare-ne-indi-qe-di-te-beje-mrekulli/?fbclid=IwAR0aj90YCO315uiuSGFAv2SVACNQ8oILVSk2q-maO9OTIIP8Kz6HM8WwAAY

Fjalimi emocionues i Nënës Terezë kur mori Çmimin “Nobel” për Paqen

I ati i saj vdiq në mënyrë misterioze, kur ajo ishte vetëm 8 vjeçe. Disa mendonin se atë e vranë për qëllime politike, por ende sot nuk dihet arsyeja e vërtetë e vdekjes së tij. Gjithsesi, kjo ngjarje shërbeu për ta afruar më shumë Nënë Terezën me të ëmën, e cila ishte një e krishterë e devotshme që i mësoi vajzës së saj rëndësinë e bamirësisë. Aq i madh ishte ndikimi i së ëmës, saqë në moshën 12 vjeçare, Nënë Tereza vendosi t’i shërbente plotësisht besimit. Ajo, madje u përfshi edhe në një urdhër për t’u mësuar murgeshave të tjera mbi besimin e krishterë. U shndërrua kështu në një mësuese, duke i shërbyer këtij profesioni për 20 vite të jetës së saj.

Por jeta e saj ndryshoi rrënjësisht, kur ajo mori një “thirrje” prej Zotit, siç edhe vetë Nënë Tereza e ka quajtur, e cila e nxiti të linte mënjanë rolin e dishepullizueses për murgeshat e reja dhe të shkonte të jetonte në vendet më të varfëra në botë. Viti i parë në Kalkuta ishte tepër sfidues për të. Iu desh madje të lypte për ushqim, njësoj me njerëzit e atij vendi, të cilët jetonin në varfëri ekstreme. Edhe pse shpesh herë është shprehur se i kishte kaluar nëpër mendje të hiqte dorë nga diçka, sërish nuk e bëri, pasi ishte e vendosur të vazhdonte.

Reputacioni i saj filloi të rritej nga momenti, kur ajo filloi të hapte shtëpi strehimi për të pastrehët dhe për ata që ishin tepër në nevojë. Ajo madje shkoi në mes të natës t’i lutej biznesmenit më të fuqishëm në San Franciscos për ta kthyer një shtëpi të braktisur në një shtëpi banimi për të pastrehët. Kur ai i tha: “Këtë punë do ta shohim nesër në mëngjes”, Nënë Tereza u përgjigj: “Puna e Zotit nuk mund të presë deri nesër në mëngjes”.

Data e 17 tetorin e vitit 1979, na kujton ditën, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.

Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se: ”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”.

Edhe pasi u nderua me çmimin “Nobel” për paqen, ajo refuzoi të realizohej banketi tradicional, në mënyrë që paratë e harxhuara për të, të përdoreshin për personat në nevojë. As sëmundjet si pneumonia, malarja, apo sëmundjet kardiake nuk e ndalën atë. Puna e Nënë Terezës vazhdoi në mënyrë të palodhur deri në vitin 1997, në të cilin ajo ndërroi jetë. Nga 13 murgesha, të cilat i mësonte mbi besimin, në shumë pak kohë ajo arriti t’i shërbente më shumë se 5000 njerëzve në mbi 130 vende të botës.

Ende në ditët e sotme, ajo njihet si një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Ajo është një shembull se edhe roli i një drejtuesi, mund të bëhet me mirësjellje, humanizëm dhe dashuri.

Fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel:

“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.

Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.

Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!

Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?

Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .

Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?

Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.

Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!

Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.

Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë.
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.

Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.

A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?

Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.

Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.

Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.

Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.

Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.

Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.

Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.

Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.

Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen.
Zoti ju bekoftë!”, kishte thënë Nënë Tereza./ KultPlus.com

“110 vjet me Nënë Terezën”, ekspozohen mbi 200 tituj librash dhe revistash në shqip dhe gjuhë të huaj

Mbi 200 tituj librash dhe revistash në shqip dhe gjuhë të huaja që dëshmojnë mbi jetën e Nënë Terezës,   misionin e saj humanitar dhe punën e pa lodhur në këtë fushë u prezantuan sot në ekspozitën “110 vjet me Nënë Terezën”, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo eskpozitë u çel në nder të shenjëtores Nënë Tereza për çfarë ka dhënë në kuadër të dashurisë njerëzore dhe mesazhit humanitar që ka përcjellë për shoqëritë, aq aktuale edhe ditët e sotme.

Ekzistojnë mbi 4000 tituj botime e ribotime për Nënë Terezën aktualisht sot në botë.

Ekspozita u çel në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Argeta LMG”. Me këtë ekspozitë Muzeu Historik Kombëtar mbyll festimet dedikuar shenjtores shqiptare që është një simbol frymëzimi me vlerat e saj kudo ne botë.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën./ ATSH/ KultPlus

Biseda e ‘Rilindjes’ me Nënën Terezë në vitin 1980, Nënë Tereza: Vij me mallin e pashuar të vendlindjes

“Fëmijët nuk dinë për kombe”, me këtë titull nis intervista e Rilindjes me Nënë Terezën, realizuar në verën e vitit 1980, nga gazetari Avni Spahiu, pikërisht në ditën kur ajo u shpall qytetare e merituar e Shkupit, shkruan KultPlus.

Shqiptarja nga Shkupi e cila bëri krenar gjithë shqiptarinë për bamirësinë e saj, morri këtë çmim më 27 qershor, ashtu siç shkruan Rilindja: Nënë Tereza, laureate e Çmimit Nobël për paqe për vitin 1979, u shpall sot qytetare e merituar e Shkupit.

Vij me mallin e pashuar të vendlindjes, tha nënë Tereza, dhe ky përmallim i saj dukej qartazi në ecjen e saj të nxitueshme, në buzëqeshjen e saj. I themi a ishin të gjata ato vite. Jo, përgjigjet, dhe shton se kur bota të përfiton atëherë në çdo kënd të saj gjendesh në shtëpi. Megjithatë, të jesh këtu, është më ngrohtë. Por të duket shtëpi edhe lagja e varfër e Kalkutës në Indinë leckamane, kur ndien afshin e lumturisë për strehun e gjetur të bonjakëve në dorën e shtruar njerëzore‘, fillon kështu artikulli për Nënën Terezë.

Përgjatë intervistës, ajo ishte shprehur se fëmijët nuk dinë për kombe. ‘Ata më njohin vetëm si nënë. Ata, fëmijët e gati të gjitha kombeve të botës, me sytë e tyre të njomë, më rrethojnë dhe presin ndihmë prej meje. Ah, ç’sy!’, kishte deklaruar Nënë Tereza.

Nënë Tereza nuk ka dëshirë të flasë për ditët e Gonxhe Bonjaxhiut, vashës lozonjare të dyqanxhiut nga Shkupi. Më mirë të flasim për të sotmen, ngul këmbë ajo për të thënë atë që ka mbetur e pa thënë për misionin e saj. Të flasim për të ardhmen, për ato ditë që do ta shuajnë anën e errët të jetës, të ardhmen që do ta shleyjë të kaluarën e hidhur si atë të fëmijërisë sonë kur babai na sillte mezi bukë nga një bukë të pjekur në djersë. Të flasim për ardhmërinë që do ta hedhë në mjegullën e harresës Shkupin, djepin e varfërisë, atë djep që e gjeta prapë sot, shumë larg tij, në botën e gjerë’, thuhet tutje në intervistën e Rilindjes.

Marrë nga profili i Fitim Salihut. / KultPlus.com

Papa Françesku: Nënë Tereza, punëtore e palodhur e bamirësisë, lutu për ne!

Shenjtërimi i Nënë Terezës është përkujtuar edhe nga Papa Françesku përmes një postimi në Twitter, ku ka drejtuar një lutje te posaçme.

“Nënë Tereza, punëtore e palodhur e bamirësisë, lutu për ne, që mënyra jonë e veprimit të jetë gjithmonë dashuria falas, që të derdhet te të gjithë pa dallim gjuhe, kulture, race apo feje!”, shkruan papa Françesku në postimin e tij në Twitter.

Si sot katër vite më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza, që për miliona njerëz anembanë botës ishte shenjtore edhe për së gjalli, u shpall zyrtarisht edhe nga Vatikani si e tillë.

Shën Tereza “u lumturua” në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II.

Anjeza Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910 në një familje shqiptare. Në moshën 18-vjeçare ajo iu bashkua një manastiri irlandez, ku mori emrin Motra Mari Tereza.

Më pas, ajo u nis me mision për në Indi, në qytetin e Kalkutës. Aty Nënë Tereza themeloi urdhrin e saj Misionarët e Bamirësisë për t’u shërbyer të gjithë të varfërve, çka e kreu më përkushtim deri në fund të jetës së saj. Top Channel / KultPlus.com

Papa Françesku: Shën Nënë Tereza, grua e buzëqeshjes

Papa: Nënë Tereza ishte e mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit, dashuri e dhuruar, larg ideologjive. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e të varfërve, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Sot në 23-vjetorin e vdekjes se Ganxhe Bojaxhiut, po rikujtojmë fjalët që Papa Françesku tha në Vatikan, më 4 shtator 2016, për Nënë Terezën, duke e shpallur Shenjte, duke ngritur lartësinë e shenjtërisë që pati jeta dhe vepra saj.

Mbrojtëse e jetës

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. 

Gjithnjë përkrah më të ligështit, të palindurit…

U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ia njohur dinjitetin, që ia jep vetë Zoti;

…e gjithnjë kundër krimit të varfërisë

E ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.

Mëshira për të ishte kripë e dritë

Për Shën Terezën, mëshira ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj nuk ka nevojë për fjalën tonë, flet vetë

Misioni i Shën Terezës në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.

Ishte e është model i shenjtërisë

 Figura simbolike e kësaj gruaje e rregulltareje mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit!

Nënë Tereza, dashuri e dhuruar, larg ideologjive

 Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.

Shenjtja e buzëqeshjes, gjuhë ndërkombëtare

Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Saj

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Nënë Terezës e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë.

Nënë Tereza hap horizontet e gëzimit e të shpresës

Buzëqeshja e Shën Terezës hap horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri! (radio vatikani). /KultPlus.com

Mrekullitë që e bënë Nënë Terezën Shenjtore

Nga Sara Kettle

Nënë Tereza, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj, duke iu shërbyer të sëmurëve dhe të varfërve në Kalkuta të Indisë. Pas vdekjes së saj më 5 shtator 1997, shumë adhurues dhe ndjekës të saj, kërkuan nga Vatikani që murgesha të shpallej shenjtore.

Në vitin 1999, Atë Brjan Kolodiejçuk u emërua postulator, pra njeriu që do të mblidhte provat që do të dëshmonin shenjtërinë e saj. Ky ishte në fakt një përshpejtim i procesit, që zakonisht nuk fillon derisa të kalojë një periudhë pritjes prej 5 vjetësh.

Megjithatë, pati një kërkesë për shenjtërim, e cila s’mund të shpërfillej:mrekullitë. Derisa Nënë Tereza të vertetohej si përgjegjëse për dy mrekulli që ndodhën pas vdekjes së saj, ajo nuk mund të kanonizohej si Shën Tereza.

Çfarë e bën një akt një mrekulli?

Të dyja mrekullitë që iu atribuan Nënë Terezës, ishin ato të shërimit. Por Vatikani kërkon më shumë prova sesa një person që pretendon “Unë jam shëruar!” dhe falënderon për këtë

Nënë Terezën, për të besuar se ka ndodhur realisht një mrekulli.

Rastet e mrekullive të tilla të raportuara, shqyrtohen nga Kongregacioni i Kishës Katolike për Rastet e Shenjtorëve, dhe një komision specialistësh në fushën e mjekësisë. Nëse mund të vërtetohet se shërimi del jashtë ligjeve të natyrës, dhe nuk ka një shpjegim shkencor, konsiderohet se ai ka ndodhur falë një ndërmjetësimi mes shenjtorit të ardhshëm me Zotin. Si hapi i fundit, Papa jep miratimin e tij për përkufizimin e një mrekullie.

Nënë Tereza kishte disa “gati” mrekulli

Shumë nga mrekullitë e propozuara që lidhen me Nënë Terezën , nuk përputheshin me udhëzimet e Kishës Katolike. Ndër rastet që u morën në shqyrtim, por që nuk u konsideruan si mrekulli ishte ajo e një vajze franceze, që pretendoi se brinjët e saj të thyera nga një aksident me makinë, u shëruan sapo preku një medaljon të Nënë Terezës.

Por ky shërim, nuk ndodhi aq shpejt sa të cilësohej një mrekulli. Një vajzë palestineze, u shërua nga tumori i kockave, pasi pa në ëndërr Nënë Terezën. Por Kisha pret disa vjet, që të sigurohet që nuk ka përsëritje të sëmundjes kanceroze, pasi një shërim që cilësohet një mrrekulli hyjnore, duhet të jetë i përhershëm.

Përveç kësaj, një përmirësim në gjendjen shendetësore të dikujt, edhe nëse nuk ka ndonjë shkak mjekësor për të, nuk do t’i përshtatej parametrave për një mrekulli, pasi shërimi duhet të jetë i plotë. Dhe kura duhet të jetë, për shkak të ndërmjetësimit të Nënë Terezës. Ndaj çdo shërbim që përfshinte lutjet e dërguara tek shenjtorët e tjerë, nuk do të funksiononte.

Mrekullia e parë e Nënë Terezës: Shërimi i gruas me gungë në bark

Në vitin 1998, Monika Besra shkoi në shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë në Bengal, në Perëndim të Indisë. Ajo kishte ethe, dhimb koke, të vjella, dhe një stomak të fryrë. Ajo ishte kuruar një vit më parë më parë për tuberkuloz akut.

Por barnat që ajo mori, nuk kishin parandaluar rritjen e një gunge në bark (ndonëse disa raporte kanë përshkruar se Besra vuante nga një tumor kanceroz, rritja mund të ishte shkaktuar nga tuberkulozi). Ishte i nevojshëm një operacion kirurgjikal, por Besra ishte shumë e dobët, dhe në një gjendje jonormale për t’u nënshtruar një operacioni.

Më 5 shtator, Besra ishte duke u lutur në kishën e Misionarëve të Bamirësisë, kur pa një dritë të dilte nga një foto e Nënë Terezës. Më vonë, një medalje që kishte prekur trupin e Nënë Terezës, u vendos në barkun e Besrës, dhe një motër tha një lutje duke i kërkuar ndihmë Nënë Terezës.

Besra u zgjua herët të nesërmen, duke zbuluar se masa e saj tumorale ishte zhdukur. Testet mjekësore treguan se gunga nuk ekzistonte më, dhe mjekët e pranuan se Besra nuk kishte më nevojë të operohej. Teologët dhe ekspertët mjekësorë që zbuluan rastin, nuk kishin asnjë shpjegim shkëncor për shërimin e Besras.

Prandaj, kurimi i saj i atribuohet ndërhyrjes së Nënë Terezës. Kjo mrekulli, u njoh nga Vatikani në vitin 2002. Duhet të theksohet se disa mjekë, e kanë kundërshtuar natyrën e pashpjegueshme të shërimit të Besras, duke thënë se ajo mund të ishte shëruar nga ilaçi që merrte.

Megjithatë, medikamentet nuk mund ta zhduknin dot brenda natës atë masë tumorale. Për më tepër, burri i Besrës raportohet të jetë shprehur se nuk kishte pasur ndonjë mrekulli, por më vonë ai deklaroi se ishte cituar gabim.

Mrekullia e dytë e Nënë Terezës: Shëroi një burrë, që ishte prekur nga një infeksion i rëndë në tru

Në vitin 2008, braziliani Marsilio Hadad Andrino ishte shumë pranë vdekjes. Një infeksion  në tru, i kishte shkaktuar shumë gunga me akumulime lëngjesh, dhe gjendja e përkeqësuar e çoi të binte në koma. Gruaja e tij, Fernanda, iu lut Nënë Terezës për ndihmë.

Një prift i kishte dhënë Fernandës një relike të Nënë Terezës kur çifti ishte martuar, dhe ajo e “vendosi reliken në kokën e Marsilios, ku ai kishte gungat dhe u lut”. Në një përpjekje të fundit për t’ia shpëtuar jetën, ai iu nënshtrua një operacioni, për të kulluar lëngjet nga truri. Por para nisjes së operacionit, Andrino u zgjua dhe pyeti:”Çfarë po bëj këtu?”.

Lutjet e gruas së tij gjetën përgjigje, teksa Andrino u shërua shpejt dhe plotësisht. Gungat dhe lëngjet rreth trurit të tij ishin zhdukur, pa nevojën e një ndërhyrje kirurgjikale. Përveç kësaj, edhe pse medikamentet që ai i kishte marrë mendohej se e kishin bërë atë jopjellor, Andrino dhe gruaja e tij vazhduan të kishin fëmijë.

Ashtu si në rastet e tjera, Kongregacioni për Rastet e Shenjtorëve dhe një komision mjekësor, e shqyrtuan rastin. Nuk u zbulua asnjë shpjegim mjekësor, se si ishte shëruar Andrino. Në vitin 2015, shërimi i tij u konsiderua si mrekulli e dytë e Nënë Terezës. Papa Françesku e njohu atë në dhjetor të atij viti.

Sipas ligjeve të Vatikanit, mrekullia e parë që i atribuohet një kandidati për shenjtërim, do të thotë se mund të jepet Lumturimi. Nëse ka një mrekulli e dytë, mund të bëhet kanonizimi dhe shpallja Shenjtor/e. Njohja e mrekullisë së parë, rezultoi me Lumturimin e Nënë Terezës në vitin 2003. Ajo u kanonizua më 4 shtator 2016, si Shën Tereza e Kalkutës. / KultPlus.com

INDIA – CIRCA 1981: Mother Teresa in Calcutta, India in 1981. (Photo by Francois LE DIASCORN/Gamma-Rapho via Getty Images)

Shën Tereza, nëna e madhe shqiptare

Nëna Terezë ka mrekulluar botën me veprat e saj humane, e cila ka shërbyer përgjatë gjithë jetës së saj për fëmijët e varfër, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi shihet Shën Tereza duke parakaluar para fëmijëve, dhe shikimi i tyre reflekton dashuri për Nënën Terezë, e cila jetën e saj e dedikoi për bamirësi.

Dhe pikërisht vepra e saj ka bërë që të shpërblehet edhe me cmimin Nobel për paqe, sikurse që emri i saj është shënuar anë e mbanë botës, duke kujtuar kështu kontributin e saj të madh./ KultPlus.com

23 vjet nga vdekja e Nënë Terezës

Sot bëhen 23 vjet nga vdekja e humanistes shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shën Nënë Tereza.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.

Këto janë shifrat e mesit të viteve të 80-ta, dhe deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Ajo ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë dhe janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të Lumën Nëna Terezë. /KultPlus.com

Për herë të parë pas 31 vitesh prezantohet letra origjinale e Nënës Terezë për Ramiz Alinë

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është çelur ekspozita në nderim të katërvjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016). Tre letra origjinale të shenjtës Tereza për Ramiz Alinë, me fragmente në shqip, dhe një fotografi e rrallë gjatë vizitës në Shkodër ekspozohen për publikun

 “Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”. Me këto fjalë në gjuhën shqipe, shenjta Terezë do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia.

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog u prezantua sot për herë të parë në kuadër të 4-vjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016 në Vatikan), letra e saj në origjinal e shkruar me disa fragmente në gjuhën amtare, nën praninë e kryeministrit Edi Rama dhe studiuesve të historisë dhe përfaqësuesve fetarë.

“Shenjta Tereza e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në gusht të 1989-s, e mbaj mend sesa shumë emocion, përzier me kuriozitet të madh, kishte zbarkimi i saj në Tiranë dhe pse mundësia për ta ndjekur pas në hapat e saj nuk është ajo që është sot. Të gjithë ishim krenarë dhe shumë të përfshire nga ajo vizitë”, thotë ndër të tjera kryeministri Edi Rama, teksa e cilëson si një sukses të qeverisë së tij nxjerrjen në dritë të kësaj letre që kishte 31 vite në Arkivin e Shtetit. 

“Letra e saj e tetorit të vitit 1989 ka qenë e papërpunuar në Arkivin e Shtetit. Përpunimi i arkivit të asaj kohe ka përfunduar vetëm në 2020-n. 30 vjet për të përpunuar një thesar informacioni, duke iu referuar dokumenteve autentikë. Nga këto letra, ajo e tetorit 1989 bëhet e ditur vetëm tani së fundmi. Dy letrat e tjera, njihen gjerësisht”, thotë më tej Rama gjatë hapjes së ekspozitës në COD.

Rama u ndal në procesin e rindërtimit, që siç tha ai, është një proces që u shërben asaj kategorie njerëzish për të cilët fliste edhe Nënë Tereza, ata që jetojnë në një anonimat dhe që keqpërdoren shpesh për të sulmuar, për të bërë audiencë, për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen. Po për këtë proces, Rama rikujtoi fjalët e Shën Terezës: “Ndiz një qiri para se të mallkosh errësirën. Dua të kthehem pikërisht te ky thelb në funksion të asaj që sipas meje është një nga burimet më të mrekullueshme të frymëzimit për këdo që e ndjen nevojën për të lënë një gjurmë në rrugën e jetës së tij, në fjalët e saj kuptimplota: Në vend se të mallkosh errësirën më mirë ndiz një qiri. Dhe faktikisht është një fjalë që më jehon shpesh dhe sidoemos në momentet kur duket sikur të ndezësh një qiri, domethënë të bësh diçka, është pak në krahasim me shumëcka që duhet bërë, por në fakt është hap pas hapi, që shkohet drejt shumëçkaje dhe është e vetmja gjë me vend që mund të bësh në vend se të merresh me errësirën që pengon çuarjen përpara të atyre shkëndijave të dritës që pastaj krijojnë më shumë vend për dritën”, tha Rama.

“I tillë është dhe procesi rindërtimit që ne po bëjmë, ku çdo ditë po vendosim tulla, po ngremë mure shtëpish për njerëzit e prekur nga fatkeqësia e 26 nëntorit, dhe duke i parë nga afër, duke e prekur nga afër jetën e tyre sheh që në një pjesë jo të vogël janë ajo kategori njerëzish të cilëve iu referohej Nënë Tereza, ajo kategori që jetojnë në një anonimat larg asaj që zhvillohet përditë para syve të të gjithë atyre që kanë më shumë mundësi se ata, ajo kategori që keqpërdoret shpesh për të sulmuar, për të bërë audiencë, keqpërdoret për të baltosur përpjekjet e mira që bëhen, sado të pamjaftueshme qofshin ato”, shtoi Kryeministri. 

“Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”, fjala e duhur për të përshkruar këtë përpjekje që synon që t’i kthejmë në shtëpi ata që patën fatkeqësinë të humbasin strehën në atë natë tragjike”, tha kreu i qeverisë.

Janë tri letra me kreun e shtetit shqiptar të asaj periudhe, që rrëfejnë dhembshurinë dhe dashurinë e Shenjtës Terezë për të varfëritë, por dhe për kombin pjesë e së cilit ishte. Shenjta Terezë e Kalkutës u lind në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Për herë të parë në gusht të vitit 1989 vizitoi Shqipërinë. Ndërsa, sot është gruaja më e shquar shqiptare edhe njihet në mbarë botën, si shembull i jashtëzakonshëm për misionin e saj të bamirësisë, ndaj më të varfërve të botës, pa dallim race, feje, kombësie dhe përkatësie shoqërore. Shenjta Terezë u shua në 5 shtator të vitit 1997.

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është ekspozuar dhe një fotografi e vizitës së Shën Terezës në vitin 1991 në Shkodër, e realizuar nga fotografi francez Michel Setboun. Ekspozita do të qëndrojë hapur në datë 5 shtator në COD nga ora 9. në orën 21.00. 

Letra e Nënë Terezës për Ramiz Alinë 
Fotografi e vizitës së Shën Terezës në vitin 1991 në Shkodër, e realizuar nga fotografi francez Michel Setboun.

/shqiptarja/ KultPlus.com

Ekspozitë retrospektive në kuadër të përkujtimit të 110-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës

Rrugëtimi jetësor i Gonxhe Bojaxhiut, duke përfshirë fëmijërinë, rininë dhe aktivitetin e saj human është bërë temë ekspozite për 110 vjetorin e vdekjes së saj në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, përcjell KultPlus.

Ekspozita e hapur në Hollin Kryesor të Muzeut, do t’i pres vizitorët deri më 6 shtator, teksa ishte organizuar edhe një vit më parë.

“Kjo ekspozitë është organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në vitin 2019 me rastin e 3-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza”, thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar. / KultPlus.com

Papa Françesku: Shën Nënë Tereza, grua e buzëqeshjes

Papa: Nënë Tereza ishte e mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit, dashuri e dhuruar, larg ideologjive. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e të varfërve, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Sot në 110-vjetorin e lindjes se Ganxhe Bojaxhiut, po rikujtojmë fjalët që Papa Françesku tha në Vatikan, më 4 shtator 2016, për Nënë Terezën, duke e shpallur Shenjte, duke ngritur lartësinë e shenjtërisë që pati jeta dhe vepra saj.

Mbrojtëse e jetës

Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. 

Gjithnjë përkrah më të ligështit, të palindurit…

U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ia njohur dinjitetin, që ia jep vetë Zoti;

…e gjithnjë kundër krimit të varfërisë

E ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre.

Mëshira për të ishte kripë e dritë

Për Shën Terezën, mëshira ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj nuk ka nevojë për fjalën tonë, flet vetë

Misioni i Shën Terezës në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.

Ishte e është model i shenjtërisë

 Figura simbolike e kësaj gruaje e rregulltareje mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit!

Nënë Tereza, dashuri e dhuruar, larg ideologjive

 Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.

Shenjtja e buzëqeshjes, gjuhë ndërkombëtare

Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Saj

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Nënë Terezës e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë.

Nënë Tereza hap horizontet e gëzimit e të shpresës

Buzëqeshja e Shën Terezës hap horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri! (radio vatikani). /KultPlus.com

110 vite nga lindja e Nënës Terezë, shembulli më domethënës i forcës që gjallon prej mirësisë dhe dhembshurisë

Nënë Tereza, nëna që shenjtëroi mëshirës dhe devocionin dhe i mëkoi shpresës diellin e besimit.

Sot nuk është vetëm dita e kujtesës dhe kremtes së shenjtores shqiptare, por edhe përulësisë dhe bamirësisë si akti sublim me të cilin ne shpërblejmë shpirtin me dritën më të vezullimtë të besimit te mirësia dhe dashuria. Nënë Tereza i’a mëkoi zemrën e saj çdo kraharori dhe shpirtin e ndezi në çdo diell, duke u derdhur mbi ne rreze dhe dritë.
Ajo erdhi si një vullnet qiellor dhe u përjetësua nga vepra e lartë e përkushtimit dhe devocionit, e dashurisë dhe mëshirës, e adhurimit dhe besimit.
Ajo erdhi për të qenë shëmbëllimi më i përsosur i dashurisë së Zotit për njeriun, i asaj force qiellore që i shndërron të gjitha gjendjet në përjetime ngazëlluese.
Dëshmoi me jetën dhe veprën e saj mirëbërëse se gjithçka është e mundur në besim.
Udhëhoqi vullnetet e dlira dhe forcën e arsyes, për të ndërtuar altarin e së mundshmes qiellore dhe bërjen e vullnetit të Hyut, si në qiell ashtu edhe në tokë.
Udha e saj e gjatë dhe e mundimshme është shembulli më domethënës i forcës që gjallon prej mirësisë dhe dhembshurisë, mëshirës dhe besimit.
Një përulësi mirënjohje që rrëmbeu interesimin e mbarë botës, një admirim që e mbuloi me lavdi veprën ngadhënjyese e kësaj shëlbyeseje të përkushtuar, kësaj misionareje të patëdytë të mirëbërjes dhe mëshirës.
Pakkush, si ajo, mundi që me faljen dhe dashurinë, tolerancën dhe mëshirën, ti jepnin jetë dhe energji përtëritëse besimit, ta popullonin botën me drejtësi dhe humanizëm.
Ajo ishte e rrallë, si e tillë mbeti e pazëvendësueshme, megjithëse misioni që mban emrin Nënë Tereza përpiqet çdo ditë, në çdo cep të botës; të kthejnë dritën ku kaplon errësira, mëshirën ku pushtetin ka barbaria, humanizmin dhe dorën e ndihmës, kur njerëzit përpëliten në dallgët e përbindshme të të sotmes gjithnjë e më armiqësore.
Pranojeni në zemër dhe në shpirt atë dhuratë bekimi që ajo e endi me mundim e sakrifica, e jetësoi në çdo ëndërr dhe i’a dha dëshirimit si një motivim, si një forcë shndërruese të çdo përpjekje mirësie në sublimim që Ajo e mbrujti në shenjtërim. / Albert Vataj/ KultPlus.com



Nënë Tereza: Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë

Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët, por edhe për ne, është flaka e dashurisë në ndezje. Gëzimi është uratë, gëzimi është fuqi, gëzimi është dashuri në veprim.

-Gëzimi është rrjeti i dashurisë ku mund të “peshkohen” shpirtrat e njerëzve. Zoti e do njeriun që dhurohet me gëzim. Mënyra më e mirë për ta treguar falënderimin tonë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit është ta pranojmë shoqi-shoqin me gëzim… Të jemi të lumtur me Zotin domethënë: të duam si na do Ai ne, të ndihmojmë si na ndihmon Ai ne, të shërbejmë si na shërben Ai ne… Ne lëvizje tuaja shpërndani gëzim që jeni të Zotit, që jetoni për Zotin, që e doni Zotin në të afërmin… Që të mund të jemi të lumtur dhe ta shpërndajmë atë edhe të tjerëve, duhet shumë pak, çdo ditë të kërkoni ta bëni vullnetin e Zotit, sepse bota ka uri për Zotin dhe për dashurinë e tij; lutja në vazhdimësi, të dimë të duam dhe të falim… Ne, me paduresë e presim parajsën, ku është Zoti, por kemi mundësi qysh tash të jemi në parajsë, prej këtij çasti: duke dashur dhe flijuar për Zotin dhe për të afërmin në vuajtje.

-Sot bota ka uri për gëzim që vjen nga zemra e pastërt, sepse ata e shohin Zotin… Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë… Gëzimin ndriçon ne sytë tuaj dhe në fytyrë. Kur njerëzit do ta shohin gëzimin në sy tuaj, do ta zbulojnë Zotin në ju.

-Puna apo jeta pa uratë është robëri. Kisha dëshiron përtëritjen e saj dhe të botës së sotme. Mirëpo përtërija nuk është ndërrimi i traditave, i jashtëm, por mbi të gjitha i brendshëm, rrënjësor, i zemrës së njeriut me hirin e Zotit”.

Përgatiti: Don Lush Gjergji. / KultPlus.com

Pllaka përkujtimore për Nënë Terezën në Shkup, tani e qasshme dhe në tri gjuhë

Qyteti i Shkupit e ka rregulluar Pllakën përkujtimore të Nënë Terezës në qendër të Shkupit, gjegjësisht në Sheshin Maqedonia, pasi që me vendosjen e parkut, u pamundësua qasja e njerëzve që për së afërmi ta vizitojnë apo të vendosin lule, për çka Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), disa herë doli me kërkesë që të zgjidhet çështja. Për dallim prej të vjetrës, pllaka e re përkujtimore është në tri gjuhë, maqedonase, shqipe dhe angleze.

“Pllaka përkujtimore e Nënë Terezës në Shkup, me zgjidhje të re dinjitoze. Qasje deri te pllaka e re në Sheshin Maqedonia”, shkroi në Facebook kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ai publikoi edhe disa fotografi nga fondamenti i ri i vendosur, ndërkaq komentuesit janë të ndarë në lidhje me këtë çështje. Derisa disa e urojnë për punën e kryer, disa të tjerë e kritikojnë duke i thënë “mjaft më me përmendore për Nënë Terezën”.

ITSHKSH vlerësonte se me ndryshimet e bëra në Sheshin Maqedonia, janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka. Departamenti i ITSHKSH-së për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, ka shprehur indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit.

“Në kohën që e gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për qytetin tonë, por edhe për gjithë vendin tonë”, deklaruan nga ITSHKSH. / Portalb.mk. / KultPlus.com

50-të shqiptarët më të famshëm në botë

Shqiptarët jo rrallë herë e kanë treguar veten të sukseshëm në fusha të ndryshme, si në art, shkencë e në sport. Në vijim, lista e 50-të shqiptarëve më të sukseshëm në botë.

Nënë Tereza– Jo vetëm që është shqiptarja më e famshme, por është edhe shqiptarja me të cilën Shqipëria krenohet.

Robert De Niro– Natën e parafundit të festivalit të 61-të italian të këngës, Sanremo, i ftuari special, Robert de Niro, e pohoi me gojën e tij në Rai 1, se origjinën e ka të përzierë mes Siçilisë dhe Shqipëri.

Ismail Kadare– Shkrimtari me famë tashmë botërore dhe fitues i çmimit “Man Booker Prize”

Inva Mula– Sopranoja me famë ndërkombëtare, e cila përfaqëson denjësisht vendin tonë në skenat botërore.

Ana Oxa- Këngëtarja e njohur italiane ka pranuar se babai i saj ka mbërritur në Itali nga Shqipëria dhe pikërisht nga Kruja.

Sandra Bullock– Është bërë e ditur se babai i Sandra Bullock është me origjinë shqiptare.

James Belushi– Aktori i famshëm amerikan, James Belushi, dhe vëllai i të ndjerit John Belushi, është me origjinë shqiptare.

Ferid Murati– Nobelisti me baba shqiptar dhe nënë amerikane, Ferid Murati, fitoi çmimin “Nobel” në mjekësi në vitin 1998.

Angjelin Prelocaj– Balet maestro i Parisit, Angjelin Prelocaj është fitues i një sërë çmimesh ndërkombëtare.

Eliza Dushku– Aktorja e cila luajti përkrah Robert de Niros dhe Leonardo Di Caprio-s në filmin “Historia e një djali”, është me origjinë shqiptare.

Agim Kaba– Shumë pak e dinë se djaloshi simpatik që ka luajtur në telenovelën “Ndërsa bota rrotullohet”, është me origjinë shqiptare.

Stan Dragoti- Regjisori dhe producenti hollivudian e bëri të ditur para disa vjetësh kur mbërriti në Shqipëri prejardhjen e tij shqiptare.

Riçard Lukaj- I lindur në Itali nga prindër shqiptarë, Lukaj cilësohet si “magjistari” i Wall Street, duke mbetur një nga menaxherët më të rinj të një rangu aq të lartë.

Joseph DioGuardi– Ish-kongresmeni amerikan, Joseph DioGuardi, i lindur në Nju-Jork, njëkohësisht dhe udhëheqës i Lidhjes Qytetare Shqiptare-Amerikane. Ai është me origjinë shqiptare dhe që prej vitit 1989 ka bërë 15 udhëtime në Ballkan.

Emina Cunmulaj- Supermodelja me origjinë shqiptare, Emina Cunmulaj, është shpallur ylli i ri i revistës së famshme te fotomodeleve “Elite” dhe “Vogue” në SHBA.

Alan Shepard– Ai u lind ne East Dery, New Hampshire të SHBA më 18 Nentor 1923. Është me origjinë shqiptare. Shepardi në misionin Apollo 4 në Janar-Shkurt 1971 e manovroi vetë anijen kozmike. Si kozmonaut, ai është i pari që ka fluturuar në kozmos si amerikan dhe i pesti që ka shkelur në Hënë. Ai vuri edhe flamurin shqiptar në Hënë.

Tie (Tahir) Domi-Ka lindur në Ontario, Kanada më 1 Nëntor 1969 nga prindër shqiptarë. Është një lojtar hokeji mjaft i famshëm në Kanada.

James Biberi- Aktor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që prindërit e tij janë shqiptarë.

George Tenet- Ish-drejtori i CIA-s, që u bë famshëm prej luftës në Irak, e ka deklaruar vetë në librin e tij autobiografik, se është me origjinë nga Himara.

Kristine Elezaj- E njohur si “Kebe” tek fansat e saj, është një këngëtare shqiptaro-amerikane. Ajo është bërë mjaft e famshme në SHBA. Kristina e lancoi këngën e parë “Let You knoë” një vit më pare e ndjekur nga “Souvenirs”. Elezaj para ca ditësh doli e 53-ta në çmimet “Grammy”.

Azem Maksutaj– Ndër sportistët më të njohur në botë. Që në moshën 19-vjeçare u bë kampion i botës në peshën gjysmë të rënd në Taiboks. Cilësohet si sportisti më i mirë në botë në Taiboks, për të janë bërë edhe shumë filma.

Laureta Meci- E lindur në Kuçovë, ka përfunduar shkollën prestigjioze të aktrimit “Stella Adler” në Nju-Jork dhe po avancon me karrierën e saj.

Ilir Shaqiri- Balerin i famshëm shqiptar në Itali, u bë i njohur nga programi televiziv “Amici”.

Kledi Kadiu- Balerin shqiptar me famë të madhe në Itali, pas pjesëmarrjes dhe suksesit të tij në programin televiziv “Amici”.

Leon Cino- Si shumë balerinë të tjerë shqiptarë, edhe Leon Cino u bë i njohur shumë shpejt në Itali.

Klajdi Selimi- Sërish një balerin shqiptar që u bë shumë shpejt protagonist i programit “Amici”.

Donald Llambro- Ai është një nga gazetarët më të njohur në SHBA. Aktualisht është shef i korrespodencës politike në gazetën The Washinton Times. Ai ka lindur në 14 korrik 1940 në Masacusets nga prindër shqiptarë.
Tedi Papavrami- I lindur në Tiranë, ai studio në konservatorin kombëtar “Superieur de Musique” në Paris. Ai ka interpretuar në shumë skena të botës.

Erald Dervishi- I lindur në Durrës, ai është një nga kampionët më të rinj në historinë botërore të Shahut.

Anthony Athanas- I lindur më 1911 në Korçë, ai shkoi në Nju Jork kur ishte vetëm 5 vjeç dhe arriti të hapte në Boston një nga restorantet më të njohur të vendit. Vitet e fundit, restoranti i tij shërbente afërsisht 700,000 vakte në vit, duke u konsideruar si restoranti i pestë më i rëndësishëm në Amerikë.

Saimir Pirgu- Pavarësisht se në moshë të re, Saimir Pirgu u bë shumë shpejt i njohur si tenor, duke fituar një sërë çmimesh në Itali.

Fadil Berisha- Cilësohet si fotografi më i madh në botë. Fadil Berisha është shqiptar. Disa nga personalitet që janë klientë të studios janë emra të tillë si: Halle Berry, Placido Domingo, Snoop Dog, Bill Clinton, Donald Trump, etj.

Hila Popaj- Ata që kanë parë seritë e filmit “Ninja” duhet ta kenë parë pa e ditur se ai është shqiptar. Ai gjithashtu ka luajtur edhe në “Chinatown”.

Liria Begeja- Regjisorja e njohur franko-shqiptare.

Elsa Lila- Pasi korri mjaft sukses me çmimet e saj të para në Festivalin Kombëtar Shqiptar, ajo u bë e njohur edhe në Itali, ku mori pjesë në festivalin e Sanremos.

Nik Xhelilaj- I lindur në Tiranë në vitin 1983, debutimin në ekranin e kinemasë e ka në vitin 2008 me filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder”. Por filmi dramatik mbi plagët e emigracionit, me titullin “Shqiptari”, të regjisorit Johanes Naber, ku Xhelilaj është dhe protagonist, e solli atë në “Shooting Star”, duke qenë dhe aktori i parë shqiptar që arrin këtë sukses. Para ca ditësh ai u shpall një nga 10 aktorët e rinj më të mirë europianë të momentit.

Rame Lahaj- Tenori me famë botërore

William Gregory- William Gregory është një astronaut amerikan, paraardhësit e të cilit kanë emigruar nga Shqipëria në fillim të këtij shekulli të kaluar.

Karl Gega- Një arkitekt me famë botërore. Ai është edhe ndërtues i hekurudhës së Semmeringut!

Igli Tare- Futbollisti shqiptar, i cili është mjaft i suksesshëm gjithashtu në Itali. Tani është drejtor teknik i ekipit të Lazios.

Ambeta Toromani- Si shumë balerinë të tjerë shqiptarë edhe Ambeta Toromani u bë shumë shpejt e njohur në Itali.

Oni Pustina- I shfaqur në reklama të ndryshme, Oni Pustina është modeli i famshëm shqiptar që luan rolin e postierit në emisionin “Ce posta per te”.

Valbona Çoba- Ajo u bë e njohur fillimisht në Shqipëri, më pas në Greqi si një modele e famshme, ndërsa tani është modele dhe aktore në SHBA.

Aris Golemi- I diplomuar në Shkollën e Baletit në Tiranë, ai ka performuar live me këngëtarin e muzikës kauntri, Dwight Yoakam, dhe gjithashtu ka qenë koreograf i disa pjesëve të grupit N’SYNC.

Eda Zari- Lindur në Tiranë, Eda Zari jeton prej vitesh në Gjermani, ku është një këngëtare, producente dhe kompozitore mjaft e famshme. Ajo është gjithashtu ambasadore e kulturës së Shqipërisë.

Aleksandër Moisiu- Moisiu sot adhurohet dhe respektohet në botë, por sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit. Aleksandër Moisiu është stërgjyshi i aktorit Gedeon Burkhard (ndër të tjera i njohur me rolin e tij kryesor në serinë “ Komisar Re”

Laura Mersini Houghton- Ajo është kozmologe dhe është shqiptare, si dhe një nga femrat e pakta në botë që merren me këtë shkencë.

Andamion Murataj- Ështe kineast shqiptar i cili ka punuar si skenarist dhe kineast ne New York gjate 12- vjeteve te fundit. Ai është diplomuar ne Universitetin Amerikan (Washington DC). Si kineast ai ka xhiruar shumë filma dhe dokumentare midis të cilëve dhe dokumentarin PBS Children Will Listen

Luan Krasniqi- Ai është tashmë një boksier më famë, i cili ka mbajtur deri vonë titullin Kampion i Evropës.

Lorik Cana- Ai ka luajtur ne mjaft klube europiane ku ka dhënë një kontribut dhe duke treguar vlerat e një shqiptari të vërtetë, aktualisht luan me ekipin turk të Gallatasarajit. Është edhe ambasador i UNICEF-it, së bashku me lojtarë të kalibrit Bekam dhe Ronaldo./voal.ch/ KultPlus.com

Dy ngjarjet më të bukura që i ka përjetuar Nënë Tereza, dëshmi e dashurisë së vërtetë

Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb, Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.

Ngjarja e parë

Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duam ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.

Ngjarje e dytë

Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’ 
Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.

(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.)

“Nënë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i saj e autorit Gëzim Alpion”

Nga: Frank Shkreli

Më duhet të them prej fillimit se kam qenë në dijeni se ky libër ishte në përgatitje e sipër, pasi autori, Profesor Dr. Gëzim Alpion, me besim e mirësi, më ka nderuar duke më kontaktuar disa herë me ndonjë pyetje ose për informacion në lidhje me ato që po shkruante– por fatkeqësisht, unë nuk e kam parë ende librin e botuar të cilin pres ta marr së shpejti.  Por, me kënaqësi mësova nga disa burime për botimin, përfshir edhe njoftimet nga shtëpia botuese britanike Bloomsbury, e cila ka reklamuar këtë vepër, si pjesë e njoftimeve paraprake të zgjedhura, siç është zakoni nga shtëpitë botuese kudo, para se të qesin në treg një libër.  Në mungesë të librit, por bazuar në këto burime të sakta, po shënoj për lexuesin lajmin e botimit të këtij libri në gjuhën anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”, ose  “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, me autor Profesor Dr. Gëzim Alpion.

Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Newman para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham.  Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Biminghamit.  Specializimet e Gëzimit janë në disa fusha akademike, përfshir sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.  Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.

Autori i librit të ri, “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, Dr. Gëzim Alpion pretendon se “Tragjeditë personale dhe origjina e saj shqiptare e kanë ndihmuar Nënë Terezën të bëhet personaliteti fetar më me influencë në botë, i kohërave moderne.  Krishtërimi shqiptar i ka rrënjët në lashtësinë Ilire dhe qendrimi i Kishës Katolike kundrejt shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, ka shërbyer sim jet në formimin e jetës personale dhe fetare tël Nënë Terezës”, shkruan Dr. Alpion.

Dr. Gëzim Alpion

Siç thashë edhe më lartë, këto shënime po i sjellë për lexuesin, bazuar pothuaj ekskluzivisht në informacionin që jep shtëpia botuese Bloomsbury mbi librin, Nënë Tereza –Shënjtëresha dhe kombi saj, përfshirë edhe disa vlerësime e komente mbi librin nga një numër ekspertësh dhe akademikësh.

“Dalja në shesh e një personaliteti të kalibrit të Nënë Terezës, që njihet anë e mbanë botës, nuk ndodh rastësisht”, ka thënë Dr. Alpion, duke shtuar se, “Ne duhet ta shikojmë dhe ta kuptojmë jetën dhe veprimtarinë e saj në pasqyrën e familjes së saj, në traditat shpirtërore të Kombit Shqiptar”, por edhe në ndikimet e huaja në popullin e saj gjatë shekujsh.

Prandaj, ky libër, sipas botuesit, jep për lexuesin një portret të plotë të kësaj figure me influencë botërore.  Portreti i Nënë Terezës paraqitet në kontekstin e origjinës së saj familjare, etnike, kulturore dhe shpirtërore.  Jeta dhe veprimtaria e saj përshkruhen në dritën e informacioneve të reja mbi familjen e saj, të traditës shpirtërore të Kombit të saj, përpara dhe pas Krishtërimit, si dhe duke pasur parsysh edhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera me influencë, mbi popullin e saj shqiptar, ç’prej mesjetës e këndej.

Libri mbi Nënë Terezën i autorit Gëzim Alpion, në përmbajtje, përqëndrohet në traumat e jetës dhe në sukseset e saja, si një individ privat dhe si misionare publike, përfshir përshpirtëshmërinë e saj të ndërlikuar.  Në libër pretendohet se jeta e Nënë Terezës dhe e historisë së kombit të saj shqiptar, veçanërisht marrëdhëniet e bashkatdhetarëve të saj me Katolicizmin – janë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Zbulimi i kësaj ndërlidhjeje është jetik për të kuptuar se si Nënë Tereza – kjo ikonë humanitare dhe shpirtërore e kohëve moderne – identifikon dhe paraqet para botës DNA-në kulturore dhe shpirtërore të Kombit të saj të lashtë.

Libri është i ndarë në tre pjesë.  Pjesa e parë i përgjigjet pyetjes: “Kush janë Shqiptarët e Nënë Terezës?” Flitet, ndër të tjera subjekte, për origjinën ilire të shqiptarëve e deri tek Perandoria Otomane dhe Turqia; viktimizimi i Shqiptarëve në shekullin e 19 dhe 20, Kalvari dhe vuajtjet e Krishtërimit shqiptar, e tjera ngjarje.  Pjesa e dytë e librit i kushtohet “Rrënjëve Shqiptare të Nënë Terezës dhe viteve të saja në Shkup”.  Tituj dhe nën-tituj të pjesës së dytë të librit, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Nënë Terezës me prindërit e saj dhe me jetën familjare në përgjithësi, ndërsa pjesa e tretë e librit përqëndrohet në “Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Vatikanin dhe me Kombin shqiptar”.

Thuhet se ky libër është i pari i këtij lloji që e trajton Nënë Terezën në kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar, gjatë dy mijë vjetëve të kaluar.  Në librin mbi Nënë Terezën, autori përmend edhe ato që ai i konsideron si ndikime negative në Ballkan, nga Perandoria Otomane, nga Vatikani, nga Kisha Ortodokse serbe, nga Kisha Ortodokse greke si dhe nga Patriarkati Ekumenik i Konstandinopojës.  Sipas të dhënave nga botuesi, Dr. Alpion sugjeron në librin e tij se ekziston nevoja për studime objektive të mëtejshme që të pasqyrojnë rolin vendimtar të fesë në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe rolin fetar në justifikimin e aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.

Por le t’i këthehemi protagonistës kryesore të librit të Dr. Alpion-it, Nënë Terezës, për të cilën autori thotë se Nënë Tereza nuk fliste kurrë për çështjet private të familjes së saj, si pasojë e disa përvojave jo të këndëshme më heret në jetën e saj, përfshir, “Shqetësimet që kishte rreth sigurisë fizike të nënës dhe motrës në Shqipërinë komuniste të pas vitit 1945.”  Dr. Alpion për një kohë të gjatë tani mbron tezën se vdekja e babait të saj, i cili është helmuar nga nacionalistët serbë në vitin 1919, kur ajo ishte vetëm 9-vjeçe, ka shkaktuar atë që ai cilëson si “një natë të errët në shpirtin e saj”.  Ky studim ofron prova të tjera, sipas botuesit, se humbja e 8 familjarëve të saj gjatë pandemisë spanjolle, në atë kohë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e saj për tu bërë murgeshë, por edhe në themelimin më vonë të urdhërit të saj “Missionaries of Charity” në vitin 1950.

Por Dr. Gëzim Alpion këmbëngul se, “Përkushtimi i Nënë Terezës ndaj të varfërve ishte i sinqert dhe i patundur deri në fund të jetës së saj”, por, ama, sipas tij, “Prania e përherëshme e vdekjeve në familjen e saj kur ajo ishte fëmij, ka qenë një përvojë e rëndë shpirtërore, e cila ka patur një ndikim të thellë në jetën e saj shpirtërore, në marrëdhëniet e saja me Kombin dhe familjen, gjithë jetën e saj.” Por për “Nënë Terezën”, sipas autorit, “dinjiteti i çdo qenjeje njerëzore ishte i shenjtë.”

Nënë Tereza, e njohur gjithashtu në Kishën Katolike si Shën Tereza e Kalkutës, ka lindur në vitin 1910 në Shkup — atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës së pushtuar nga Perandoria Otomane. /KultPlus.com

Pllaka e Nënës Terezë me mbishkrimin edhe në shqip në sheshin e Shkupit

Në sheshin qendror të Shkupit, ku është pllaka përkujtimore e Nënë Terezës, për herë të parë është vendosur mbishkrimi edhe në gjuhën shqipe.

Kjo pllakë është e vendosur në pjesën qendrore të kryeqytetit, aty ku më parë ka qenë shtëpia e familjes Bojaxhiu, babait të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, përcjell INA.

“Beteja për vendosjen e dinjitetit në vendin e duhur, po ndodhë me rikthimin e shenjave identifikuese e civilizuese , siç mund të jetë gjuha. Ky rikthim po ndodhë në 40 vjetorin e shpalljes së Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza- QYTETARE NDERI e Shkupit (1980), duke hapë një kapitull të ri në betejat tona kulturore e shoqërore, aty ku edhe duhet të realizohet barazia e plotë e njerëzve të këtij nënqielli.”, ka nënvizuar publicisti Emin Azemi.

Sipas tij, ITSHKSH dhe drejtori Dr. Skender Asani, qëndroi me dinjitet në ballë të kësaj beteje, duke rikonfirmuar në praktikë arsyeshmërinë e themelimit të Departamentit për studimin dhe nderimin e Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, institucion i parë kërkimor ky në botë që merret në mënyrë të përkushtuar me studimin e figurës dhe veprës së Nënë Terezë.

“Në Sheshin qendror të Shkupit po troket jehona e historisë së lavdishme Dardane”, ka shkruar Azemi.

Pllaka e shkruar në shqip është bërë me një mbështetje nga nënkryetari i Qytetit të Shkupit, biznesmeni Enver Maliqi. / KultPlus.com