Ish-ambasadori i Kroacisë, ende e ruan si kujtim pasaportën e Nënës Terezë (FOTO)

Një pasaportë diplomatik për të madhen Nëna Terezë nga Kroacia dhuruar nga ish ambasadori i Kroacisë në Indi Drago Stambuk ende jeton midis kujtimeve të ambasadorit.

Në një intervistë ai tregon se si në shenjë respekti kur e ka takuar Nënën Terezë ja ka ofruar një pasaportë diplomatik të shteti Kroacisë për Nënën Terezë.

Për fat të keq në mbiemrin e Nënës Terezë ishte bërë një gabim. Nëna Terezë këtë pasaportë ia ktheu ambasadorit dhe ai e ruan si kujtim.

Derisa ja sjellin pasaportën tjetër, Nëna Terezë ndërron jetë.

(Këtë informacion e ka publikuar Behxhet Bici.) / KultPlus.com



Pak para vdekjes Nënë Tereza kishte kërkuar të vizitonte Shqipërinë

Fondi Arkivor online i Ministrisë së Jashtme kishte publikuar dokumentet, shkresa dhe letra të shenjtores shqiptare, Nënës Terezë, e cila ka kërkuar të vizitojë varret e nënës dhe motrës së saj që preheshin në atdhe.

Nënë Tereza nuk u lejua nga regjimi komunist asokohe të merrte pjesë në ceremonitë e tyre mortore, por prej vitit 1985, në Shqipëri nisi të kishte disi ndryshime. Sipas dokumenteve të kohës, kërkesa e parë u përcoll në ambasadën shqiptare në Romë, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë.

Në dokumente bie në sy përgjigja e saj në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej: “Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”.

Pas largimit nga Shqipëria, Nënë Tereza iu drejtua me një letër presidentit Ramiz Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigjja vonoi gjatë.

Vizitat e Misionareve të Nënë Terezës që prisnin në Romë, por edhe të vetë Nënë Terezës vazhduan në ambasadën shqiptare në Romë edhe në muajt në vijim për të marrë një përgjigje nga pala shqiptare.

Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Haver Perez De Kuelar, në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri, shkruan lapsi.al. Po në tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i nobelistes per paqe “Kopshti Nënë Tereza”.

Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktikimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Përgjigjja nga shteti shqiptar vjen në nëntor 1990 sipas të cilës Nënë Tereza ishte e mirëpritur për një vizitë të dyte në Shqipëri, ndërsa për aktivitetin e Motrave të saj Misionare të Bamirësisë në Shqipëri duhej të ndryshonte në fillim legjislacioni ekzistues shqiptar që të lejonte këtë veprimtari. Vizita e dyte u zhvillua 1-5 dhjetor 1990.

Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri do të fillonin aktivitetin e tyre në mars 1991 në Tiranë e në Shkodër./KultPlus.com

Duaje jetën…

Nënë Tereza

Duaje jetën ashtu siç është

 duaje plotësisht, pa pretendime;

duaje kur të duan apo kur të urrejnë,

 duaje kur askush nuk të kupton,

apo kur të kuptojnë të gjithë.

Duaje kur të gjithë të braktisin,

 apo kur në qiell të ngrenë si mbret.

Duaje kur të vjedhin gjithçka,

 apo kur të dhurojnë.

Duaje kur ka kuptim

apo kur ngjan se nuk ka një fije.

Duaje në lumturi të plotë

 apo në vetminë absolute.

Duaje kur je i fortë,

 apo kur ndihesh i pafuqishëm.

Duaje kur ke frikë,

 apo kur ke një mal guximi.

Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha

 e sukseset e mrekullueshme;

duaje edhe për gëzimet e vogla.

Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet,

 duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.

Duaje sa herë që lindesh

 e sa herë që je duke vdekur.

Por mos duaj kurrë pa dashuri./KultPlus.com

Papa në Shkup: Jam shumë i gëzuar që jam në vendin e shenjtores Nënë Tereza

Papa Françesku arriti të martën në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në vizitën e parë në këtë shtet të një drejtuesi të kishës katolike. Ai do të drejtojë një meshë në përkujtim të Nënë Terezës, humanistes së njohur botërore dhe fitueses së çmimit Nobel, që ka lindur në Shkup.

Ati i shenjtë, gjatë qëndrimit njëditor në Maqedoninë e Veriut u takua me presidentin në largim, Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës në Shkup, e ka vlerësuar si historike dhe që mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

“Jam shumë i gëzuar që jam ne vendin e shenjtores Nënë Tereza dhe mund të bëj një lutje në Kishën ku ajo është pagëzuar në Kishën ‘Zemra e Shenjtë e Jezusit’”, ka theksuar kryetari i Kishës romake-katolike, Papa Françesku gjatë qëndrimit në Shkup, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Duhet të jeni të lumtur që bëni pjesë si bashkëqyetarë të kësaj gruaje të madhe”, ka theksuar Papa Françesku pas takimit që ka patur me presidentin në largim, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, .solidaritetit.

Papa Françesku është ndalur në rëndësinë e karakterit shumë-etnik që ka Maqedonia e Veriut si shtet.

“Përkatësitë e ndryshme fetare dhe etnike, mes maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe të tjerëve, ka krijuar një mozaik të bukur, e i cili do të zbukurohet edhe më tej nëse do të dini që ta bartni këtë mozaik edhe në gjeneratat e reja”, ka theksuar Papa Françesku,

Në fokus të fjalës së tij për mediat ka qënë dhe përballja e Maqedonisë me krizën e migrantëve

“Solidariteti i juaj me ata të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre, shtëpitë, ju bën nder juve si shtet”, ka theksuar kryetari i Kishës romake-katolike, Papa Françesku

Papa Françesku më pas është përkulur para përmendores së Shën Terezës të vendosur para shtëpisë përkujtimore të shenjtores Nëna Terezë ku është takuar me liderët e komuniteteve fetare në Maqedoninë e Veriut. / KultPlus.com

Papa Françesku në shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë, përkulet para përmendores së saj

Papa Françesku pas takimit me krerët shtetëror dhe korin diplomatik në Vodno, ka arritur tek shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës.

Ai është përkulur para përmendores së Nënë Terezës, ku edhe ka vendosur lule. Papa u shoqërua nga katër motra të nderit, të cilat i takojnë rendit të themeluar nga Nënë Tereza, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, papa do të ketë takime me liderët e bashkësive fetare në vend dhe përfaqësues tjerë të organizatave qytetare.

Më pas, kreu i Kishës Katolike do të drejtohet për tek sheshi “Maqedonia” ku do të mbajë liturgji, e cila pritet të ndiqet nga një numër i madh i qytetarëve nga vendi dhe jashtë./KultPlus.com

Vizita e Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut i kushtohet Nënë Terezës

Papa Françesku, në prag të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, më 7 maj në Shkup, ka dërguar një mesazh për të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Në mesazhin e tij ai shprehet se vizitën ia kushton një shenjtore të madhe, Nënës Terezës, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Mesazhi i Papa Françeskut

Të dashur vëllezër dhe motra nga Maqedonia е Veriut,

Nëpërmjet këtij mesazhi të shkurtër, dua të shpreh gëzimin dhe miqësinë që ndjej për njerëzit tuaj dhe kishën që ekziston në vendin tuaj.

Prej që vendi juaj u bë i pavarur, Selia e Shenjtë donte të krijonte marrëdhënie miqësore dhe diplomatike me ju. Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, për të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë, unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë.

Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra.

Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Të dashur miq, le të përgatisim takimin tonë me lutje që ky takim të jetë i mbushur me paqe dhe të mira për të gjithë njerëzit tuaj.

Qofshi të bekuar nga Perëndia!/KultPlus.com

Filmi biografik prodhuar në Indi për Nënën Terezë, do të lansohet në 2020-n

Me regjisor Seema Upadhyay, filmi biografik për Nënë Terezën, pritet të lansohet në vitin 2020.

Siç njofton gazeta indiane “HindustanTimes”, në këtë film biografik do të luajnë aktorë indianë dhe ndërkombëtarë, transmeton Koha.net.

Bollywoodi, ka kohë që ka planifikuar të nisë një film biografik për laureaten e çmimit Nobel për Paqe, Nënë Terezën.

Filmi do të prodhohet nga Praeep Sharma, Nitin Mahnmohan, Girish Johar dhe Prachi Manmohan.

Siç raporton gazeta, këta janë takuar me motrën Prema Mary Pierick, për ta marrë bekimin e saj për të nisur biografinë për Nënë Terezën, që edhe e kanë marrë miratimin e sja.

Prodhuesit e këtij filmi biografik për Nënën Terezë, thonë se janë të kënaqur të bashkëpunojnë për të dhënë mesazhe se si Tereza shfaqi në gjithë botën fisnikërinë dhe bamirësinë e saj.

Filmi është në proces të finalizimit dhe besojnë se deri në fund të 2019-ës do të jetë gati, e në 2020 do të lansohet.

Nënë Tereza, emri i së cilës ishte Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. / KultPlus.com

Dhoma e Nënës Terezë në Vatikan

Një shtrat, një tavolinë pune dhe pak hapësirë, ashtu siç ishte vetë modeste Nëna Terezë shqiptare, kështu ishte edhe dhoma e saj në Vatikan në Selinë e Shenjtë, derisa kryente detyrat e saj si një grua që ndihmoi shumë njerëzit.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emri i vërtetë i Shën Terezës ishte një murgeshë katolike dhe misionare shqiptaro-indiane. 

Prestigjiozja “New York Times”, i kishte kushtuar një rëndësi të veçantë shenjtërimit të Nënë Terezë nga Vatikanit, madje ka shkuar edhe më tej duke publikuar një foto të dhomës së saj në Selinë e Shenjtë.

Ashtu siç shihet dhoma është mjaft e thjeshtë me gjërat më elementare, ashtu siç ishte edhe vetë Nënë Tereza në misionin e saj. Dhoma përdorej nga shenjtorja sa herë që ajo shkonte në Vatikan.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë së Veriut), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe çmimin “Nobel” për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.

Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françeskut, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.

Pse më 1973 Nënë Tereza u dëbua nga Irlanda Veriore

Shenjtorja Nënë Tereza (19010 -1997), sipas dokumenteve të zbuluara kohët e fundit, në vitin 1973 është përzënë dhe detyruar të largohet nga Irlanda e Veriut. Këtë akt të pashembullt e ka urdhëruar mëkëmbësi i parë i kardinalit të Belfastit, Fr. Padraig Murphy.

Si ka ndodhur kjo histori?

Në vitet 1971 -1973 Irlanda e Veriut ngjante si Shqipëria e viteve 1997-1999. Krizën tragjike dhe të vazhdueshme, që përjetoi Irlanda e Veriut në këto vite e përshkruan më se miri një raport i botuar në mars 1975 ku thuhet, ‘trazirat e viteve të fundit në Irlandën e Veriut kanë shkaktuar më shumë se 1100 të vdekur dhe 11 500 të plagosur, si dhe shkatërrime pasurish që arrijnë shumën e mbi 140 milionë paundëve. Ato kishin formën herë si prishje rendi, herë si akte terrorizmi, që do të thotë dhune e organizuar për qëllime politike apo fetare. Shumica e akteve të terrorizmit vinte nga IRA, e cila falë një organizimi të konsoliduar, përbënte një kërcënim serioz’.

Në vitin 1971, Nënë Tereza ishte një misionare e mirënjohur ndërkombëtarisht dhe e respektuar ne mbarë botën për punën e saj më të varfrit.

Kur asaj i erdhi një kërkesë për ndihmë nga prifti i zonës perëndimore të Belfastit, Fr. Des Wilson, ajo u shpreh e gatshme për të shkuar ne ketë qytet për të ndihmuar të varfërit dhe për të kontribuar ne procesin e paqes.

Një surprize tjetër ishte ajo që Nënë Tereza jo vetëm vendosi të shkoje, por deklaroi se misioni i saj do të vendosej ne Ballymurphy – një lagje e Belfastit që ishte bombarduar vetëm dy muaj më parë dhe shkatërruar tërësisht nga dhuna e tmerrshme. Në Gusht të vitit 1971, një prift katolik dhe një nënë e tetë fëmijëve ishin midis 11 njerëzve të vrarë nga Regjimenti Parashutist në atë lagje që u bë e njohur si masakra e Ballymurphy-t

Dy shtëpi në Springhill Avenue

Në atë kohë, çdo banor veç donte të ikte nga ajo lagje, por papritur Nënë Tereza vendos që qendra e misionit të saj dhe katër murgeshat që ishin më të, të vendoseshin pikërisht në këtë lagje.

Dy shtëpi ne Springhill Avenue, pjese e lagjes e Ballymurphy u siguruan për motrat e Misionareve të Bamirësisë.

Dy shtëpi në Springhill Avenue

Në atë kohë, çdo banor veç donte të ikte nga ajo lagje, por papritur Nënë Tereza vendos që qendra e misionit të saj dhe katër murgeshat që ishin më të, të vendoseshin pikërisht në këtë lagje.

Dy shtëpi ne Springhill Avenue, pjese e lagjes e Ballymurphy u siguruan për motrat e Misionareve të Bamirësisë.

Shtëpitë ishin krejt të dëmtuara, por banorët kontribuan dhe i ringritën ato. Që në fillim, murgeshat njiheshin thjesht si “Motrat e Nene Terezës”. Fr Wilson e vlerësoi lart punën e këtij ‘manastiri’ të improvizuar, i cili siç deklaronte ai, ngriti lart moralin e komunitetit. Të rinjtë mblidheshin ne shtëpinë e motrave, këndonin, punonin, mësonin zanate të reja, disa mësonin të lexonin dhe të shkruanin.

Kjo shtëpi e Motrave të Nënë Terezës ishte një nga vendet e pakta ne atë zone me një telefon që punonte. Dhe shpesh nënat e shqetësuara vinin për të bere ankesa apo dhe telefonata të dëshpëruara për mospagesën e përkrahjes sociale ose ankesa për anëtarët e burgosur të familjes.

Por pavarësisht se fituan zemrat e gjithë banoreve të Belfastit pa dallim nga besimet e tyre fetare, (protestant apo katolik), murgeshat nuk arritën të fitonin mbështetjen e disa klerikëve të lartë ne Kishën Katolike të Belfastit.

Kishte një perceptim nga krerët e kishës katolike se puna e këtyre murgeshave ishte një turp për Belfastin, pasi krijonte idenë te të tjerët që krerët e kishës këtu nuk janë zotët t’i zgjidhin vetë problemet e banoreve të këtushëm pa një ndihmë nga jashtë.

Dëbimi nga Ballymurphy

Në fillim kundërvenja ishtë e kamufluar por më kalimin e kohës trajtimi i murgeshave nga ana e kishes u be i patolerueshëm. Sulmet moren ngjyra dhe forma të konflikteve të hapura.

Siç duket influenca dhe emri i mirë i këtij misioni bamirësie për sherbimët e punët e mira që bënin në komunitet, pa përfillur dallimet politike apo fetare e kishin zbehur rolin dominant të kishës katolike. Dhe krerët e kësaj kishe nuk mund ta toleronin këtë fakt.

Përfundimisht, ne vjeshtën e vitit 1973 ato i dwbuan nga Ballymurphy, më saktë i detyruan të largohen. Kisha Katolike e mohoi faktin se e kishin detyruar Nene Terezwn dhe murgeshat e ketij misioni të largoheshin dhe thane që Motrat e Bamiresise kishin ikur vullnetin e tyre të lire.

Refimi i Eileen Sweeney

Rrëfimi i murgeshës katolike Eileen Sweeney, e cila punoi pranë këtij misioni, i bërë në një dokumentar të BBC, shpalos të vërtetën tragjike të këtij debimi.

Ajo tregon me imtësi sulmet e vazhdueshme që disa krerë të kishës katolike u bënin ne vazhdimësi këtyre misionarëve. U trondita shumë – thotë ajo, kur një mëngjes kur shkova aty pashe që ato kishin bere gati plaçkat dhe ishin bere gati për të ikur. Pashe lotë në sytë e Nënë Terezës dhe motrave të këtij misioni. Nënë Tereza më tha shkurt – Po ikim, nuk mund të rijmë më në një vend ku krerët e kishës katolike janë kundër nesh.

Pashë një letër të grisur ne copa të vogla hedhur në dysheme. Pasi ato dolën, unë u mundova t’i mbledh dhe t’i ngjis copat e kësaj letre misterioze që i kishte detyruar këto misionare bamirësie të largohen. Ishte një letër e ardhur nga mëkëmbësi i parë i kardinalit të Belfastit, Fr. Padraig Murphy. Ai u thoshte se brenda 24 orëve duhet të largohen nga Ballymurphy, në të kundërt do të përballen më pasoja të paparashikueshme.

Por jo të gjithë krerët e kishës katolike mendonin si Fr. Padraig Murphy. Një muaj pasi ato u larguan, një peticion u hartua nga famullitaret e kishave të kësaj zone. Ata vlerësonin punën e këtij misioni bamirësie në Ballymurphy.

Ne ketë peticion ata bënin thirrje për një qasje të re ne administrimin e famullise, duke përfshire krijimin e një këshilli famullitar, më një fjalë në zgjedhjen drejtuesve të ri ne hierarkinë e kishes katolike të Belfastit dhe disa çështje të tjera që prekin komunitetin lokal.

Nënë Tereza nuk e harroi kurrë Ballymuphiy-n. Një lutje në vitin 1981 ajo e falenderon komunitetin e kësaj zone për mbështetjen që i dhane misionit të saj ne ato muaj që shërbyen atje. Ajo shprehet – Ju sjell lutjen dhe mirënjohjen time për gjithçka keni bere për motrat tona, kur shërbyem atje.

Një monument në shenjë mirënjohje

Kishin kaluar shumë vite nga ky dëbim i pashembullt, por si për ironi të fatit ne 2010 një monument ngrihet në Ballymurphy ne përkujtim të punës së vyer të këtij misioni i kryer më aq shumë devocion në ato vite të trazuara. Misionaret e motrave bamirëse u kthyen ne Ballymurphy ne vitin 2010 dhe pas një ceremonie mbresëlënëse bënë një fotografi para kësaj skulpture ngritur në mirënjohje të punës së tyre.

Nënë Tereza tashmë është shpallur shenjt. Ajo është pranuar si shenjt nga të gjithë – madje edhe ne Ballymuphy ku dikur e patën dëbuar. Atje, ajo ka tani edhe një monument ne shenjë mirënjohje të punës dhe kontributit të vyer të saj dhe motrave të misionit të saj ne ato vite të trazuara për Irlandën e Veriut/ Ndrek Gjini/ Gazeta Shqiptare. / KultPlus.com

“Në jetë mos fajëso askënd…”, lutja e mahnitshme e Shën Terezës

Shën Tereza, krenaria e të gjithë shqiptarëve, sot njihet në mbarë planetin për të bëmat e saj por edhe për kujdesin ndaj të varfërve dhe predikimet e saj të fuqishme.

Nënë Tereza e Kalkutës, siç e njohin të gjithë, është ende shpirtërisht e gjallë ndër njerëzit tek të cilët ajo predikoi lutjet e saj, dëshirën e saj për shëndet e mundësi të mirë jetese, shkruan KultPlus.

Po e sjellim sot një pjesë të një prej lutjeve dhe predikimeve më të pastërta dhe njerëzore të Shën Terezës shqiptare.

“Në jetë mos fajëso askënd. Njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japin eksperiencë, të gabuarit të japin mësim, të dashurit të japin kujtime të paharrueshme…”

Sa e mundur është ti japësh vetes bekimin e kësaj paqeje shpirtërore që na e predikon e shenjta Nënë Terezë? Sa e magjishme dhe sa e hyjshme është ta rrokim me këtë urtësi momentin kur trazimi na i errëson sytë na e ndërkryen turrin, kur zemërata na cingërin nervat dhe gjuhën na helmon.

Nënë Tereza: Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën! /
KultPlus.com

“Mos jeto kurrë pa jetë”

Poezi nga Nënë Tereza.


Dita më e bukur? Sot.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.
Mëndjeheqja më e mirë? Puna.
Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i madh? Vdekja.
E meta më e keqe? Të qenit pa humor.
Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ajo më e paçmuara? Familja.
Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.
Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja.
Ilaçi më i mirë? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj).
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria. /KultPlus.com

Në Washington mbahet meshë në shqip e festohet me valle shqiptare (VIDEO)

Dioqeza e Arlingtonit në zonën e Washingtonit ka kremtuar me një meshë në gjuhën shqipe Krishtlindjet, 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.

Për të parë atmosferën e kësaj feste, ne po ju sjellim një video në vazhdim:

https://www.youtube.com/watch?v=8fT3K8FOg1Y

Intervistë me Nënën Terezë 39 vjet më parë, pas marrjes së Çmimit Nobel për Paqe

Më 17 nëntor të vitit 1979, Nënë Tereza ishte nderuar me Çmimit Nobel për Paqe për punën e saj humanitare për njerëzimin, për ç’gjë më 10 dhjetor të po atij viti i ishte ndarë çmimi dhe kishte mbajtur fjalimin për pranimin e këtij çmimi.

Në vijim po e botojmë një intervistë të realizuar nga tashmë përfaqësuesi i Kishës Katolike, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Imzot Don Lush Gjergji, më 10 dhjetor 1979, për revistën “Drita”.

Çfarë do të thotë për ju dhe për motrat tuaja Çmimi Nobel për Paqe?

Nëna Terezë: “Për motrat e mia asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon në Kongregatën tonë. Ky Çmim, si dhe të tjerë që kam marrë gjatë këtyre viteve, është vetëm për të varfëritë tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka vitin e ardhshëm për familjet tona.

Prandaj, jemi lutur shumë për këtë qëllim, nga që, siç e dini dhe ju vetë, viti i ardhshëm (1980) është viti kushtuar familjes. Sot, njerëzit vuajnë shumë dhe nëse ne mund të bëjmë diçka për të bashkuar familjet, për t’i ofruar secilit shtëpi, kjo do të ishte një punë e madhe. Ky çmim arrin në çastin e duhur. Ky çmim tregon se bota po i njeh të varfëritë, prandaj edhe e ka për detyrë t’u ndihmojë. Ky është kontribut i madh për paqe, ngaqë bota më në fund ka kuptuar se puna e dashurisë është e rëndësishme për paqen.”

Si e shihni ju, si personalitet religjioz, problemin e paqes në botë dhe çfarë mendoni se duhet të bëhet për ta forcuar paqen?

Nëna Terezë: “Para së gjithash, ne duhet t’i kthehemi të luturit në familje, sepse pa lutje besimi ynë është i dobët. Nëse me të vërtetë besojmë dhe lutemi, ne do të bëjmë jetën tonë të konsekruar, do të japim kontributin tonë për paqen. PA DASHURI NUK DO TË KETË KURRË PAQE!”

Cili është rreziku më i madh për paqen?

Nëna Terezë: “Rreziku më i madh për paqen është aborti, ngaqë nëse ne mund të shkatërrojmë jetën, që na e ka dhënë Zoti, dhe nëse nëna mund të bëhet ekzekutuese e fëmijëve të vet, atëherë çfarë do të mund të thuhej vallë për vrasjet dhe luftërat e botës? Sot, njerëzit nuk e duan më njëri-tjetrin dhe këtu qëndron fillimi i rrezikut për paqe në botë. Aborti është filli i të gjitha të ligave të botës”.

Si e pranuan të varfëritë këtë çmim?

Nëna Terezë: “Tani bota po i njeh të varfëritë dhe unë mendoj se do të mendojë më seriozisht për këtë problem. Të varfëritë tanë janë të lumtur me pak, me një buzëqeshje, një dorështrëngim, me pak oriz… Ata janë protagonistët e vërtetë të “Çmimit Nobel për Paqe”.

Cili është mesazhi i paqes për botën në ditën e Çmimit Nobel për Paqe, tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?”

Nëna Terezë: “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe besimi ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët”.

“Çmimi Nobel për Paqe” është shpërblimi më i lartë në mbarë botën. Nga ana tjetër, në Shqipëri, vëllezërit tanë nuk kanë kurrfarë lirie fetare. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Nëna Terezë: “Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë në të vërtetë po ndodhë atje. Nganjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë, ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar edhe një herë me mua dhe me vëllain tim, Lazrin…

Atë që do të mund të thosha është se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti Ynë t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: nëse duan të jetojnë në paqe duhet ta duan njëri-tjetrin…

Mendoj se Kisha jonë shqiptare ende nuk e ka kaluar të Premten e Shenjtë, por feja jonë na mëson se jeta e Jezusit nuk mbaron aty, por vazhdon në kryq dhe bëhet e plotë me ringjalljen. Populli ynë nuk duhet dhe nuk mund ta harrojë kurrë këtë. Këtu qëndron fshehtësia e suksesit të krishterë. Krishti dha jetën e vet që të bëhet jeta jonë, e pranishme tek çdo njeri, çdo familje… Ai sigurisht nuk do të na harrojë kurrë…”

Si e përjetuat udhëtimin e Papës në Turqi, si një dëshirë dhe përpjekje ekumenike. Si e vlerësoni takimin ekomenik dhe lutjen e mbrëmjes së djeshme në Katedralen e Osllos? Cili është mendimi juaj i përgjithshëm sa i përket dukurisë ekumenike?

Nëna Terezë: “Puna jonë është ekumenike, sepse ne punojmë me secilin pa dallim, për të ndihmuar njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin, për t’i bërë që ta njohin Zotin si dashuri. Ne nuk punojmë vetëm me të krishterë, por edhe me myslimanë, budistë, hindus, me të gjithë. Kur të mbretërojë dashuria, atëherë do të kemi unitetin e Kishës në botë”.

Këtu jemi të gjithë, myslimanë, katolikë, komunistë, ateistë, të gjithë shqiptarët, që të thërrasin me shumë dashuri dhe mirënjohje: NËNA JONË TEREZË. Po, pas vdekjes suaj?

Nëna Terezë: “Kurrë nuk kam menduar për këtë. Sot, unë jam në Norvegji, dhe unë jam norvegjeze, nesër diku tjetër. Nuk ka rëndësi se ku do të përfundojë trupi im. Ajo që është me rëndësi është se unë e gjej veten duke jetuar në amshim me Zotin”.

Po t’u kërkohej të bëni një definicion për vetveten: kush jeni Ju?

Nëna Terezë: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, grua e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.

Sot, në ditën e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe, duke iu kthyer të gjitha shpërblimeve, mirënjohjeve që keni marrë, cili çmim është më i shtrenjti, më i afërti për Ju?

Nëna Terezë: “Shpërblimi im më i madh është dashuria ndaj Jezusit. Ai është çdo gjë për mua. Gjëja më e madhe për mua do të ishte të bëj që dashuria universale të mbretërojë, sidomos për ata që vuajnë!”./KultPlus.com

“Vuajtja më e thellë buron nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, përbuzet, lihet pas dore..”

“Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten”

“Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia.

Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.

Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.

Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.

Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.

Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.

Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.

Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët.

Kush nuk i përfill të varfrit, vijon të mos e përfillë Krishtin.
Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.

Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte.
Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë.

Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.

Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë.

Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.

Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfrit do të bëhen një dashuri e vetme!”.

– Nëna Terezë

Shtatorja e Nënë Terezës vendoset në Rijekë të Kroacisë

Shtatorja e Nënë Terezës, me gjatësi 161 cm, është vendosur ditët e fundit në kishën e Shën Marisë në Trsat të Rijekës, në Kroaci.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Në ceremoninë e përurimit të kësaj shtatoreje, të organizuar nën kujdesin e deputetes së Parlemantit të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ishin të pranishëm bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Duke e cilësuar këtë ditë shumë të veçantë, një fitore të madhe shpirtërore për gjithë kombin shqiptar, Prljaskaj u shpreh se ” këtë arritje e kemi të përbashkët. Së bashku e kemi arritur dhe do të jemi gjithmonë të fortë”.

Skulptori i statujës, Gëzim Muriqi tha se “e kam realizuar këtë shtatore me shumë përkushtim. Jam shumë i lumtur, që Nënë Tereza, do të jetë për jetë në këtë vend, sepse ky vend ka pasur e do të ketë veprimtar të dëshmuar të çështjes kombëtare”.

Kisha e Shën Marisë në Trsat të Rijekës është vizituar edhe nga Nënë Tereza para disa viteve, si dhe Gjon Pali i II-të.

Organizatorët e këtij aktiviteti janë: Bashkësia e pakicës shqiptare në PBM, Ipeshkëvija e Rijekës – Kisha e shenjtë e Shën Marijes në Trsat, Këshilli i pakicës shqiptare në PBM, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Rijekës, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Crickvenicës. /ata

OKB-ja nderon fytyrën e Nënë Terezës

“Shën Nënë Tereza, lutu për ne!”. Kështu shkruante në tweet Papa Françesku, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë, që kremtohet pikërisht në datën e përvjetorit të vdekjes së Shenjtores shqiptare, 5 shtator.

“Silleni paqen me vete, për t’ua dhënë të tjerëve, me jetën tuaj, me buzëqeshjen tuaj, me veprat e bamirësisë! Shën Nënë Tereza, lutu për ne!”. Ky, tweet-i i Papës në faqen e tij të internetit @Pontifex ishte në nëntë gjuhë.

“Dita e sotme është homazh i OKB-së për fytyrën e Nënë Terezës, që pasqyron bukurinë e bamirësisë e të varfërisë – pohon, në një intervistë dhënë Radio Vatikanit, zëvendës-drejtori i Karitasit italian, Paolo Beccegato. Bukuria e saj transmeton bukurinë e Evangelii Gaudium, për të cilën flet aq shumë Françesku. Për t’u shprehur me fjalët e Shën Gjonit XXIII – vijon – “bamirësia është një nga shtyllat e paqes!”./ KultPlus.com

“Nuk kam as ar as argjend”, kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë komuniste

Fondi Arkivor Online i ministrisë së Jashtme me rastin se shenjtërimit të Nënë Terezës ka publikuar dokumentet, shkresa dhe letra të shenjtores shqiptare e cila ka kërkuar të vizitojë varret e nënës dhe motrës së saj që preheshin në atdhe.

Nënë Tereza nuk u lejua nga regjimi të merrte pjesë në ceremonitë e tyre mortore, por prej 1985 në Shqipëri nisi të kishte disi ndryshime. Sipas dokumenteve të kohës, kërkesa e parë u përcoll në ambasadën shqiptare në Romë, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëresh.

Në dokument bie në sy përgjigja e saj në intervistën e dhënë për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej “ Nuk kam ditur më parë ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”. Pas largimit nga Shqiperia Nënë Tereza iu drejtua me një letër presidentit Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigja vonoi gjatë.

Vizitat e Misionareve të Nene Terezës që prisnin në Romë, por edhe të vetë Nënë Terezës vazhduan në ambasadën shqiptare në Romë edhe në muajt në vijim për të marrë një përgjigje nga pala shqiptare, përcjellë KultPlus.

Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Haver Perez De Kuelar në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Po në tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i nobelistes per paqe “Kopshti Nënë Tereza”. Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Përgjigjia nga shteti shqiptar vjen në nëntor 1990 sipas të cilës Nënë Tereza ishte e mirepritur për një vizitë të dyte në Shqipëri, ndërsa për aktivitetin e Motrave të saj Misionare të Bamirësisë në Shqipëri duhej të ndryshonte në fillim legjislacioni ekzistues shqiptar që të lejonte këtë veprimtari. Vizita e dyte u zhvillua 1-5 dhjetor 1990.

Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri do të fillonin aktivitetin e tyre në mars 1991 në Tiranë e në Shkodër./ topchannel

Promovohen librat me pulla shqiptare të Nënë Terezës dhe Gjergj Kastriotit, nga koleksionisti Hysen Dizdari

Alberina Haxhijaj

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot janë promovuar dy libra të veçantë për Nënë Terezën dhe Skënderbeun. Librat “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” dhe “Nënë Tereza në pullat shqiptare”, të koleksionistit dhe autorit Hysen Dizdari, shkruan KultPlus.

Hysen Dizdari është një koleksionin të cilit dëshira për të mbledhur pulla postare i kishte lindur shumë natyrshëm, duke mos e menduar asnjëherë se do arrinte që të ishte autori i dy librave të cilat do mbanin koleksione të veçanta të pullave kushtuar dy figurave të mëdha shqiptare, Nënë Terezës dhe Skënderbeut.

Mirëpo ashtu siç tha sot edhe profesoresha e tij, Flutura Xhavi, ka mjaftuar që Dizdari të kishte një ide dhe të besonte në të dhe puna deri te realizimi i saj do ishte i pashmangshëm për të pasi që ai veçohej si student punëtor dhe i dedikuar.

“Figurat e mëdha si Skënderbeu dhe Nëna Tereza duhet që t’i bëjmë të kapshme dhe jo vetëm të krenohemi që ata janë shqiptarë si ne pasi që bota vazhdimit po ecën. Ne duhet që të kapemi pas vlerave të tyre që shumë pak kush i ka dhe të bëhemi bartës të këtyre vlerave”, u shpreh ajo.

Libri për Nënë Terezën fillon me “Emisioni i zakonshëm – Nëna Tereza”, emërtuar më 4 tetor 1992 i cili përmbante dhjetë pulla postare me të njëjtën pamje, Nënë Tereza duke mbajtur në duar një fëmijë. Ky libër ka gjithsej 14 emisione të ndryshme dedikuar figurës së Nënë Terezës.

Në anën tjetër Don Lush Gjergji u shpreh se çdo libër i cili diskuton apo vë në pah kontributin e Nënë Terezës është i mirëseardhur pasi që ajo është nëna universale e mbarë njerëzimit dhe e meriton një kujdes të tillë.

“Librin të cilin e sjellim këtu është me pulla postare kushtuar Shën Nënë Terezës, me këto pulla të cilat ngjiten në zarfe dhe dërgohen çdo kund në botë. Unë kisha dashur që figura, që jeta dhe vepra e saj të vuloset në mendjet dhe zemrat tona. Që ne të jemi postierët e lajmit të mirë se Shën Nëna jonë Tereza ishte dhe mbetet bijë ilire, arbërore dhe shqiptare”, u shpreh ai.

Për librat bisedoi edhe vet autori i cili falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë udhëtim. Libri për pullat postare kushtuar Skënderbeut ka 33 emisione, i pari është emërtuar më 1 dhjetor 1913. Ndërsa në mesin e pullave postare është edhe ajo e figurës së Skënderbeut realizuar nga piktori Ibrahim Kodra, emërtuar më 20 nëntor 2004.

“Mbledhja e pullave dhe përgatitja për botim e albumit historik për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bazuar te historia mbi 100 vjeçare e filatelisë shqiptare, ishte një sipërmarrje shumë e vështirë, por edhe përgjegjësi e madhe”, u shpreh ai.

Në fund ai tregoi se ndër vite duke ju shtuar numri i pullave në koleksionin e tij, i ka lindur ideja e krijimit të një koleksioni të veçantë me pulla të cilat do u kushtohen figurave të mëdha patriotike dhe atdhetare të popullit shqiptar./ KultPlus.com

“Mos jeto kurrë pa jetë!”

Poezi e shkruar nga Nënë Tereza.

Dita më e bukur? Sot.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.
Mëndjeheqja më e mirë? Puna.
Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i madh? Vdekja.
E meta më e keqe? Të qenit pa humor.
Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ajo më e paçmuara? Familja.
Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.
Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja.
Ilaçi më i mirë? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj).
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria./KultPlus.com

Pasaporta e Nënë Terezës ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar

Pasaporta e Nënë Terezës, që shenjtores iu dha në vitin 1927, pasi i bëri një kërkesë autoriteteve në Shkup për të vizituar familjen e saj në Tiranë, përpara se të nisej me mision, për herë të parë u prezantua sot, në ditën e shenjtores Nënë Tereza.

Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, shprehet: “Ky është hapi i parë që një institucion në Maqedoni, shtetëror dhe shkencor po merret me hulumtimin e jetës dhe veprimtarisë së Shën Terezës. Kemi gjetur në arkivë pasaportën e Nënë Terezës dhe kjo pasaportë i është dhënë në vitin 1927. Ne po e nxjerrim për herë të parë në dritë”, raporton Top Channel.tv

Por, pasaporta nuk është dokumenti i vetëm që prezantohet në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Kur Gonxhe Bojaxhiu mëson se nëna e saj kishte ndërruar jetë, i shkruan një letër në mënyrë të fshehtë familjarëve, që të mos mërziten pasi shpirti i saj ka shkuar në parajsë. Letra prezantohet gjithashtu për herë të parë për publikun. Ekspozita pasurohet me mesallën, peshqirin dhe servisin që Nënë Tereza përdori në vizitën e saj në Shkodër, në vitin 1991.=

Stefan Tetollari, specialist i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar, thotë: “Disa objekte janë të familjes që vizitoi. Familja e Tonin Shpatit, edhe aty kemi shumë objekte që i ka dhuruar ajo familje me të cilat u ushqye Nënë Tereza në atë darkë. Bëhet fjalë për 15 objekte, të cilat kjo familje ia ka dhuruar në muze në vitin 1997”.

Së bashku me ekspozitën në ambientet e muzeut, u promovua edhe botimi “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, që pasuron më tej historinë e jetës së Nënë Terezës./ KultPlus.com

Shtatorja e Shën Nënë Terezës do të përurohet në Trsat të Kroacisë

Shtatorja e Shën Nënë Terezës në Kishën Shën Marisë në Trsat, në Rijeka do të përurohet më datë 22 shtator duke filluar në ora 13:00, përcjellë KultPlus.

Ngjarja do të mbahet nën patronatin e Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete në parlamentin e Kroacisë

Organizatorët e kësaj ngjarje janë: Bashkësia e pakicës shqiptare në PBM, Ipeshkëvija e Rijekës – Kisha e shenjtë e Shën Marijes në Trsat, Këshilli i pakicës shqiptare në PBM, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Rijekës, Këshilli i pakicës shqiptare të Qytetit të Crickvenicës. /KultPlus.com

Zoti dhe njeriu, pjesë e parimeve të Nënë Terezës

Alberina Haxhijaj

Sonte në Katedralen Nënë Tereza, në kuadër të treditëshit kushtuar Shën Nënë Terezës, është mbajtur një ligjëratë nga Don Lush Gjergji, shkruan KultPlus.

Në Katedralen Nëna Tereza në Prishtinë, Don Lush Gjergji solli në pesë pikat, risitë e jetës dhe veprës së Nënë Terezë. Çka ka bërë ajo e që askush para saj as në Kishën Katolike, as në krishtenizëm, por as në botë, nuk e ka bërë.

Sipas tij, pika e parë është se Nëna Terezë është nisur nga besimi që Zoti është krijuesi i të gjithë njerëzve. Se jeta është universale dhe dhuratë e Zotit dhe se dashuria është e drejtë e çdo njeriu.

“Prandaj ajo së shpejti u bë nëna universale, që jetën e saj e mbështete në Zotin dhe në Njeriun”, u shpreh Don Lush Gjergji.

“Shumë rregulltar dhe rregulltare kanë themeluar degë në kishën katolike, apo bashkësi të cilat ndahen në dy pjesë. Disa janë aktivë e merren me veprimtari të ndryshme siç është edukimi i fëmijëve dhe të rinjve, shkollat, spitalet, burgjet e shumëçka tjetër. E të tjerat janë kontenplative, që do të thotë rregull i mbyllur. Aty hynë një herë e përgjithmonë dhe dalin prej këtij rregulli vetëm kur të vdesin dhe ti varrosin. Nënë Tereza e ka bërë një zgjedhje gjeniale ajo për vetën dhe për motrat e saj ka thënë: Gjithmonë jemi aktive dhe gjithmonë jemi kontenplative”, tregoi Don Lush Gjergji.

Sipas tij, kjo do të thotë se gjithmonë duhet të ndihmojmë dhe të veprojmë në të mirë të njerëzve dhe gjithmonë të jemi të drejtuar me mendje dhe me zemër e uratë për Zotin. Pastaj, ai bisedoi për aspektin e tretë, e që sipas tij është kujdesi për të gërbulurit.

“Preke të gërbulin me zemër”, ishin fjalët e Nënës Terezë për këtë kategori të njerëzve, për të cilët krijoi edhe një qytet, qytetin e Haresë. Ku janë 35 mijë të gërbulur, duke treguar kështu se për Zotin nuk ka dallime dhe përjashtime. E karakteristika e saj e katërt ishte “Zoti i dashur dhe njeriu vëlla apo motër”. Në anën tjetër risia e pestë e saj është se ajo i ka ndihmuar njerëzit buzë vdekjes.

“Ajo kishte themeluar edhe një qendër për njerëzit që ishin buzë vdekjes, duke thënë se ata: Kanë jetuar si kafshë por do të vdesin si engjëj. Ku 17 mijë njerëz kanë mbyllur sytë. Prandaj për jetën e saj mund të themi se është ungjilli, siç ka thënë kardinali Kovastri, në pesë gishta”, u shpreh Don Lush Gjergji, duke thënë fjalët “Ç’kam bërë sot për Zotin dhe ç’kam bërë sot për njeriu”, gjersa numëronte çdo fjalë me gishtërinjtë e tij.

Tutje ai tregoi se parimi i parë i Nënë Terezës është “Pa dashuri dhe flijim, jeta nuk ka kuptim”, i dyti “Dashuria do ta shpëtojë botë” dhe i treti “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”./ KultPlus.com

Promovim libri dhe ekspozitë në dy vjetorin e shenjtërimit të Nënës Terezë

Me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup organizojnë promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko.

Gjithasht me këtë rast do të hapet edhe ekspozita “Jeta përmes kujtimeve”.

Ngjarja mbahet më datë 5 shtator në ora 11:00 në sallën UNESCO dhe në Sallën e Ekspozitave. / KultPlus.com

18 vitet që Shën Nënë Tereza i ka kaluar si motër e Loretos u rrëfyen në Prishtinë

Alberina Haxhija

Sonte në Katedralen Nënë Tereza, në kuadër të treditëshit kushtuar Shën Nënë Terezës, është mbajtur ligjërata “Nënë Tereza, profesoreshë dhe drejtoreshë në Shkollën Shën Mery në Kalkuta – Indi”, nga Don Lush Gjergji, shkruan KultPlus.

Dje është diskutuar fillimisht për Gonxhe Bojaxhiun, jetën e saj familjar dhe famullitare, ndërsa sonte është diskutuar për 18 vitet që Shën Nën Tereza i ka kaluar si motër e Loretos.

“Edhe këtu ka shumë paqartësi, njerëzit thonë se prindërit e saj janë nga Prizreni, si shkuan ata në Shkup, si lindi ajo në Shkup dhe sidomos pse ajo shkoi në një vend aq të largët në Kalkutë që të bëhej motër”, u shpreh Don Lush Gjergji.

Kështu ai para të pranishmëve që ishin mbledhur në sheshin e Katedrales, u mundua që të jepte përgjigje për këto pyetje dhe të paraqiste disa pjesë nga 18 vitet e motrës Tereza, si motër e Loretos.

“Etërit Jezuitë që ishin në Shkup kishin vëllezërit e tyre dhe misionet e tyre në Kalkutë, në Venglai dhe në Indi. Ajo si vajzë e re lexonte çka bëjnë ata dhe si i kushtojnë rëndësi shkollim, si janë njerëzit atje të varfër, për sëmundjet, e të tjera. Pikërisht këto elemente e frymëzuan Gonxhen që të kërkonte prej jezuitëve që ishin në Shkup që të shkonte në Kalkutë në Indi që të ju ndihmonte misionarëve”, u shpreh ai.

Sipas tij ata ia mohuan këtë mirëpo i thanë se janë motrat e Loretos, të ashtuquajtura, të Irlandës të cilat bashkëpunojnë shumë mirë me ne duke i dhënë informata se me kë mund të komunikonte. Kështu ajo ju shkruan një lutje.

“Quhem Gonxhe Bojaxhiu. Gjuha ime amtare është gjuha shqipe, flas serbo-kroatishten që është gjuha zyrtare, e njoh pak mirë edhe gjuhën frëngjishte. Asgjë nuk di për gjuhën angleze, por me ndihmën e Zotit do ta mësoj aq sa më duhet. Nuk kërkoj asgjë tjetër përpos të më mundësoni të jem plotësisht e krishterë”, ka thënë ajo në lutjen e saj.

Në fillim ajo punon si infermiere dhe nuk dihet se përse e ndërpreu këtë aktivitet por më vonë ajo fillon studimet në Universitetin e Kalkutës për histori dhe gjeografi. Aty i kryen me sukses të gjitha studimet dhe bëhet profesoreshë e gjuhës nagamese, gjuhës angleze dhe për lëndët histori dhe gjeografi. Pas disa viteve bëhet edhe drejtoreshë e shkollës.

Gjatë kohës sa është drejtoreshë në vitin 1938, ia shkruan një letër nënës së saj.

“Fortë e dashura nana loke. Bija jote gonxhja e vogël, gonxhe gjyli është e lumtur. Shkolla jonë është shumë e bukur, të gjithë më duan vetëm më mungon që nuk jemi së bashku”.

“Pasi që e merr këtë letër nëna e Gonxhes, ajo fillon që të pyes çfarë po ndodh me Gonxhen e cila më ka njoftuar se po shkon për të ndihmuar njerëzit, të varfër e të sëmurët, ndërsa tani më flet për shkollën e bukur. Kështu vendos që t’ia shkruajë një letër”, tregoi Don Lush Gjergji.

“Fortë e dashura Gonxhe gjyli, tashmë motra Terezë e Loretos. Me vëmendje e lexova letrën që ma shkrove. Të pyes bija ime ku janë të varfëritë për të cilët ke kërkuar që të shkosh? Ku janë të braktisurit dhe njerëzit të tjerë për të cilët unë ta kam dhënë lejen që të shkosh?”, kishte shkruar ajo në letrën qe e tronditi Nënë Terezën. Ajo ishte ndjerë keq pasi që i kishte treguar nënës që ishte e lumtur dhe ajo e kishte pyetur për të tjerët.

“Kjo letër ishte fillim i thirrjes së dytë. Pas andej e dini se në vitin 1946, gjatë udhëtimit me tren prej Kalkutës, ajo e ka një vegim, e sheh Jezus Krishtin dhe me të Zojën Mari, me një mori të njerëzve që ishin në tren por ajo i shihte mirë fytyrat e tyre. Krishti i thotë: A do ma shuash etjen time, a do t’ më bartësh te të varfëritë, me të varfëritë. Zoja i thotë: mos ja prish zemrën birit tënd, thuaj po! Gjithë ata njerëz që ishin në tren e lutnin i thonin: Eja bëju drita e Krishtit dhe na bartë ne te Krishti”, tregoi Don Lush Gjergji.

Pas kësaj ditë Nënë Tereza është e sigurt që Zoti e thërret dhe thoshte se e dinte se çfarë do të bënte po jo sesi do ta bënte këtë. Tutje Don Lush Gjergji tregoi edhe për natën e parë të Nënë Terezës nën qiellin e hapur në Kalkuta, në mes të njerëzve që ishin të lodhur, të varfër.

“O zot nëse nuk mund të bëjë asgjë për këta njerëz, më jep së paku fuqinë të vdes në mesin e tyre, për ta dëshmuar dashurinë tënde”, ishte lutur ajo. Me këtë lutje të bukur të Nënës Terezë, Don Lush Gjergji e përmbylli këtë ligjëratë të bukur dhe emocionuese mbi jetën e Nënës Terezë.

Edhe nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:00 do të ketë ligjëratë për jetën e Nënë Terezës./ KultPlus.com