Me rastin e 90-vjetorit të nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës për Indi, Qiriu i sjellë nga varri i saj në Kalkuta nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovë, do të shtegtojë në Shenjtëroren e Letnicës, më 14 gusht 2018, në vendin ku Nënë Tereza e fitojë thirrën për t’u bërë murgeshë e pastaj edhe misionare në shërbim të të varfërve.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, pas shugurimit të Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë (më 5 shtator 2017), në nëntorin e kaluar pati shtegtuar te varri i Shën Nënë Terezës në Kalkuta për të falënderuar Zotin për dhuratën e Katedrales, që me ndërmjetësinë e saj u ngritë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Gjithashtu, nijeti i ipeshkvit ishte të lutej për të gjithë bamirësit që e kanë ndihmuar ndërtimin e kësaj shenjtërore, e në këtë mënyrë, të shpërblehen për sakrificën, përkrahjen dhe dashurinë e vazhdueshme që e kanë treguar gjatë dhjetë vjetëve të ndërtimit të saj.
Te varri i Shën Nënë Terezës në Kalkuta, ipeshkvi ynë ka ndezur një qiri dhe ka kremtuar meshën e shenjtë me argjipeshkvin e Kalkutës dhe me motrat e Nënë Terezës. Atë qiri – simbol i dritës së Nënë Terezës – ipeshkvi e ka sjellë me vete në Kosovë.
Në ndalesën e tij në Vatikan, në meshë me Papa Françeskun në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Ditën Botërore të të Varfërve, qiriu u bartë në procesion, bashkë me dhuratat eukaristike, që u bë simbol i dritës dhe dashurisë së Nënës për të varfëritë e gjithë botës.
Pas kthimit të tij në Kosovë, i njëjti qiri, më 26 nëntor 2017, në meshën e së dielës, është bartur në procesion te altari kryesor i Katedrales, dhe pas homelisë, ipeshkvi në procesion me meshtarë, ministrantë dhe fëmijë e ka vendosur te Relikti i Gjakut të Nënë Terezës, me flakën e të cilit është ndezur Qiriu i Nënë Terezës, i cili qëndron i ndezur pandërprerë dhe jep dritën e dashurisë së Nënës.
Që atëherë, besimtarë e njerëz vullnetmirë kanë mundur ta porositin Qiriun e Nënë Terezës për nijete të tyre personale, me anë të cilit nijetet e tyre bashkohen me lutjet e bashkësisë në Shenjtërore.
Më 14 gusht 2018, në Vigjiljen e Zojës së Letnicës, qiriu do të shtegtojë në Letnicë, i bartur nga Shenjtërorja Shën Nënë Tereza.
Shtegtimi i Qiriut do të bëhet në këtë mënyrë:
Nga Prishtina do të shkojë deri në Kishën e Zemrës së Krishtit në Viti, nga do të shtegtohet këmbë deri në Letnicë. Nisja bëhet në ora 13:30. Shtegtimit i prinë Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga meshtarë, rregulltarë e rregulltare dhe nga populli i Zotit. Gjatë shtegtimit Qiriu do të bartet i ndezur, fillimisht nga ipeshkvi e pastaj nga meshtarë dhe besimtarë të famullive, të cilët do të janë të pranishëm në shtegtim. Arritja në Letnicë parashikohet të jetë në ora 16:30-17:00, ku do të priten shtegtarët nga Rektori i Shenjtërores dhe të devotshmit e Zojës së Letnicës.
Qiriu do të vendoset fillimisht në Shenjtërore te altari i Zojës, e në ndërkohë do vendoset pranë figurës së Shën Nënë Terezës dhe reliktit të saj. Në këtë mënyrë, ky qiri do të mbetet gjithnjë i ndezur në këtë Shenjtërore, ku Gonxhe Bojaxhiu para 90 vjetëve e pati ndezur te kjo Zojë qiriun dhe në dritën e tij i lutej asaj ta ndihmojë të vendos t’ia kushtojë jetën Zotit si misionare në Indi.
Pas meshës së mbrëmjes (ora 19:00) Qiriu do të bartet në procesionin tradicional rreth objekteve të Shenjtërores së Letnicës e do të mund të nderohet nga të gjithë shtegtarët dhe devotshmit e Zojës së Letnicës dhe Shën Nënë Terezës.
Ju thërrasim të na bashkoheni në këtë shtegtim të rëndësishëm për të shënuar 90-vjetorin e nisjes së Nënë Terezës në Indi, që edhe ne të bëhemi sot shtegtarët e dritës dhe dashurisë së Zotit në vendin tonë./drita.info
Në vazhdim po sjellim pjesë nga libri në botim: Dodë Gjergji, Rrëfimi i një shtegtari. Një javë në Kalkuta, Drita 2018, i cili shpjegon domethënien, kuptimin dhe rëndësinë e shtegtimit të Dritës së Qiriut nga Letnica në Kalkuta dhe nga Kalkuta në Letnicë.
“E tërë jeta e Gonxhe Bojaxhiut është një ecje në dritën e Krishtit. Jeta dhe vepra e saj u bënë dritë e pranisë së Zotit në botë dhe zjarr i kësaj dashurie në mesin e njerëzve. Tërë jetën e saj mund ta lidhesh me dritën e një qiriu. Unë i lutem Zotit që Nënë Tereza të vazhdojë të jetë “dritë e pafikur” në zemrat e secilit prej nesh, në familjet tona, në Kishën tonë, në popullin e saj shqiptar dhe në gjithë botën.
Ndaj, në rrëfimin mbi shtegtimin tim në Kalkutë, po ju sjell edhe historikun e shtegtimit të kësaj drite nga Letnica në Kalkuta dhe nga atje te ne në Letnicë, më 14 gusht 2018.
Më 27 gusht të vitit 1910, në Katedralen e Zemrës së Krishtit në Shkup, Kolë dhe Drane Bojaxhiu mbanin para duarve një foshnjë të vogël, që një ditë më parë kishte dalë prej kraharorit të së ëmës. Aty i priste Don Zef Rama, për të pagëzuar Gonxhen e vogël të Bojaxhinjve, së cilës ia ngjitën emrin Agnezë. Në momentin e pagëzimit, në shpirtin e kësaj foshnje u ndez drita e fesë, që është Krishti. Për të simbolizuar këtë dritë, Don Zefi ndezi në qiriun e Pashkëve, një qiri të vogël prej dylli të bletëve dhe ua dha prindërve. Ai i porositi që ta mbanin të ndezur dritën e Krishtit që ai kishte ndezur në Zemrën e Gonxhes nëpërmjet pagëzimit, në mënyrë që të mos fiket nga furtunat e jetës.
Kola vdiq i ri (1919), por Nënë Dranja kujdesej që porosia e Don Zefit të shkonte në vend. Ajo angazhohej të mbante të ndezur dritën e fesë në zemrën e Gonxhes, duke e edukuar atë, me urti, bujari, ndershmëri dhe besim. Ajo kujdesej që të merrte përdore e ta çonte në Kishën e Zemrës së Krishtit, që të lutej nën dritën e qirinjve të lterit. Famullitari në çdo vigjilje të Pashkëve, duke ngritur dritën e qiriut, ia kujtonte asaj që Krishti është drita e botës dhe se në pagëzim, ajo e kishte marrë këtë dritë brenda zemrës së vet. Gonxhja duke e vështruar dritën e qiriut, për ditë e më shumë, arriti ta shihte Krishtin e pranishëm në jetën e saj. Kur u rrit ajo shtegtonte nga Shkupi në Letnicë, te shenjtërorja e Zojës së Bekuar.
Atje, Nënë Dranja ia jepte një qiri me dyllë blete, që ta ndezte në qiriun e lterit të kësaj shenjtoreje. Nën dritën e qiriut dhe asaj drite që Don Zefi kishte ndezur në zemrën e saj të pafajshme, arrinte të depërtonte në brendinë e asaj dhe të shihte se si Krishti, që në pagëzim e deri atëherë, vazhdonte ta ndizte flakë dashurinë e Tij brenda zemrës së saj. Çdo 14-15 gusht, vit pas viti, drita e qiriut dhe shkëlqimi i brendshëm i dritës së fesë, përpiqeshin në uratën e saj dhe e bënin gjithnjë e më të qartë kërkesën e zjarrit të dashurisë, që ndizej në zemrën Gonxhes.
Rrezet e para të shkëlqimit të kësaj drite krijonin një përsiatje të brendshme, që ajo fillonte të kuptonte si kërkesë e Dritës – Krishtit. Eja pas meje!
Në vigjiljen e festës së Zojës Madhe[1], më 14 gusht të vitit 1928, nën dritën e qiriut, ajo përfundimisht pa rrugën e vet drejt të varfërve të Indisë. Kurse, me dritën e fesë zjarri i dashurisë që tash ishte ndezur flakë, kuptoi që Krishti-Drita e botës, po e ftonte që ta çonte zjarrin e dashurisë së Tij te të varfrit e Indisë. Ajo nuk mundi t’i rezistonte më shkëlqimit të kësaj drite, dhe tha: “Po dua! Do të vij pas teje!”
Me entuziazmin e kësaj dashurie dhe duke ndjekur rrezet e kësaj drite, Gonxhja, më 6 janar 1929, arriti në Kalkuta si motër murgeshë (e motrave të Loretos). Me shkëlqimin e dritës së fesë personale dhe me dritën e arsyes së një intelektualeje, me anë të uratës pranë qirinjve të ndezur në kishëzën (kapelën) e Motrave të Loretos, ajo shihte se si zjarri i dashurisë për Krishtin, sa rritej e shtohej. Një ditë, teksa po shkonte në ushtrime të shpirtit, ku kishte mundësi të reflektonte mbi fuqinë e brendshme të dritës, gjatë udhëtimit me tren, para syve të saj, shpërtheu DRITA e qiriut të bletëve, që mbante në dorë në Letnicë dhe flaka e dashurisë së zjarrit brenda saj. Aty në vegim pa Krishtin – Dritën e botës, i cili po i thoshte: “Vogëlushja ime, të kam zgjedhë dhe të kam përgatitë për vete: Eja, bëhu drita ime. Tani, ti do të jesh dritë.”
Që nga ky moment, ajo pranoi që të jetë DRITA e Krishtit, të shkojë rrugëve të Kalkutës dhe ta ndezë flakë këtë dashuri për të mjerët, të varfërit dhe të braktisurit në zemrat e njerëzve të botës. Nga kjo ditë e deri në vdekje, ajo u bë dritë e dashurisë në zemrat e njerëzve, kurse pas kalimit në amshim, si shenjtëreshë, rrezaton të njëjtën dritë prej qiellit. Nën shkëlqimin e dritës së dashurisë që ajo rrezatoi në mesin e njerëzve, të varfërit panë Zotin që i do, të pasurit arritën të shihnin vlerën e pasurisë së tyre, nëpërmjet gëzimit të bamirësisë, të dijshmit dhe të pushtetshmit e botës, në veprën e saj shihnin dorën e Zotit, kurse brenda Kishës, ajo u bë yll i bamirësisë, zjarr i dashurisë dhe dritë feje e shprese për çdokënd.
Pasi kaloi në amshim, vepra dhe ndërmjetësitë e saj në lutjet e njerëzve, filluan të shihen rrezet e para të ndërmjetësisë së saj nga qielli. Këndej, shumë njerëz, anembanë botës, filluan t’i luten asaj për ndërmjetësim.
Varri i saj në Kalkuta vazhdoi të jetë prania së saj në mesin e të varfërve. Njerëz nga vendet e ndryshme të botës, vazhdojnë të shtegtojnë te varri dhe atje ia ndezin një qiri shpirtit të saj, me shpresën që nën dritën e atij qiriu, do të shohin dritën e fesë që ajo kishte dhe zjarrin e dashurisë që ajo mbartte brenda zemrës së vet. Me të njëjtin nijet, shtegtova edhe unë, u përkula para varrit të saj, ndeza qiriun dhe iu luta që të ndezë të njëjtën dritë shprese, dashurie dhe paqeje në popullin tim.
Të njëjtin qiri e mora me vete për ta sjellë në Shenjtëroren që ia kushtuam asaj muaj më parë në Prishtinë. Në të vërtetë, nuk ishte qëllimi i qiriut, por i dritës së tij, pasi doja që me dritën e këtij qiriu, të ndiznim qiriun tonë Shenjtëroren e Prishtinës. Në kthim nga Kalkuta, u ndala në Romë, dhe qiriun e ndezëm në meshë me Papa Françesku, në ditën botërore të të varfërve. Prej Vatikanit, këtë qiri e solla në Shenjtëroren tonë në Prishtinë, ku të dielën, më 26 nëntor, ndezëm qiriun e Nënë Terezës, pranë reliktit së gjakut të saj.
Kështu, kjo dritë nuk do të fiket kurrë brenda kësaj Kishe. Gjaku i gjakut tonë dhe drita e fesë së Nënë Terezës do të jenë të pranishme gjithmonë ndër ne. Secili njeri vullnetmirë, i cili dëshiron të ndezë në zemrën e vet një rreze shprese, këtë dritë feje ose këtë zjarr dashurie, do të mund të bëjë këtë gjë duke ndezur qiriun e vet. Nën dritën e këtij qiriu, çdonjëri do të mund t’i lutet asaj, që Zoti të ndezë në zemrën e tij/saj, atë dashuri feje që ndezi në Gonxhen e Bojaxhinjve, në mënyrë që të arrijë të bëhet një Nënë Tereze për familjen e vet dhe për njerëzit që e rrethojnë.
Kjo dritë, më 14 gusht të vitit 2018, në 90-vjetorin e nisjes së saj për Indi, do ta rikthejmë në Letnicë, nga edhe është nisur. Në këtë ditë, çdo besimtar do të ketë mundësinë, që në dritën e këtij qiriut të ndezë qiriun e vet dhe me ndërmjetësinë e Marisë Virgjër e Shën Nënë Terezës, do të mund t’ia kushtojë familjen e vet Zotit tonë, Jezu Krishtit.”