38 vite nga ndarja e çmimit Nobel për Nënë Terezën

38 vite më parë, më 17 tetor 1979, humanistja më e madhe në botë me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.

Siç i referohet një artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit”, mbi këtë çmim të madh të dorëzuar ndaj saj prej jurisë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, u ngjit në tribunën ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfra indiane dhe e pranoi çmimin vetëm, sepse një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj.

Ndonëse u shmangej intervistave, që e bezdisnin, më 17 tetor 1979, kur u ngjit në Tribunën e Oslos, duke marrë në dorë Çmimin Nobel, të Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme.

“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë. Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen. E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve.

“Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël. Më pas fola për abortin e thashë: Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!. Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë më tha: Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”, ka treguar Nënë Tereza mbi atë ditë të veçantë në jetën e saj./ KultPlus.com

Mozaiku i Nënë Terezës futet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme

Ndër 46 asetet e reja që tashmë janë aprovuar që të hyjnë në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, është edhe mozaiku i ‘Nënë Terezës’ i punuar nga artisti Saimir Strati, shkruan KultPlus.

Kjo vepër e punuar me kapëse teli me një dimension prej 10 metra katrorë, artistit Strati i ka sjellë rekordin e dhjetë Guinness. Portreti ka një vend të veçantë në Muzeun e Kosovës, dhe për tu punuar janë përdorë rreth 1 milion e 500 mijë tela të bardhë dhe ngjyrë kafe. Kësisoj ky mozaik ka marrë pamjen në 3D dhe tashmë është nën Mbrojtje të Përkohshme./ KultPlus.com

U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit për pullën postare të Kosovës dedikuar Nënës Terezë në Itali (FOTO)

Danillo Bogoni, drejtor dhe ekspert i Fialtelisë së Italisë, pati njoftuar zyrtarisht se pullës postare dedikuar Nënës Terezë i është ndarë çmimi i parë, shkruan KultPlus. Kësisoj pas pak ditësh u bë edhe ceremonia e ndarjes së këtij çmimi që është bërë enkas për të.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha bashkë me drejtorin e Shitjes dhe Marketingut, Bashkim Mustafa, ku shpalosën këtë ngjarje edhe përmes fotografive.

“Ndihem krenar me pritjen dhe falënderimet nga personalitete të shquara ndërkombëtare në këtë ngjarje të paharrueshme. Në shenjë mirënjohjeje, presidentit të organizatës i dhurova pullën postare të punuar në pllakë bronzi. Ky është çmimi i dytë ndërkombëtar për pullat tona postare gjatë këtij viti”, ka shkruar Hoxha në rrjetin e tij social Facebook.

Pulla postare paraqet në pamje të parë imazhin e Nënë Terezës të shoqëruar nga fjalët e saj, me poezinë Lamtumirë, të shkruar nga vetë ajo gjatë rrugës për mërgim “tani jam e lidhur me heshtjen e vetmisë”. Këtë poezi ajo e shkroi në bordin e anijes që po udhëtonte nga Mesdheu për në Kalkuta. Një udhëtim që zgjati pesë javë./ KultPlus.com

Letër e Nënë Terezës e shkruar në gjuhën shqipe (FOTO)

Nënë Tereza ka shkruar disa letra në gjuhën shqipe, të kohës së hershme e të kohës më të vonshme të jetës së saj si misionare në Kalkutë, që iu ka dërguar familjes, familjarëve apo miqve të saj. Janë vërtet relikte të bukura që shprehin shpirtin e saj të thjeshtë e të çiltër, një gegnishte të natyrshme të përdorur në Shkupin e saj.

Me njëvjetorin e shenjtërimit të saj, janë zbuluar letra të reja. Kjo letër që e ka publikuar drita.info, është shumë e bukur por me përmbajtje të dhimbshme, me të cilën Nënë Tereza e njofton vajzën e dajës së vet, zonjën File Çuni e cila jetonte në Melburn, se përmes një telegrami prej Ages, qe njoftuar për vdekjen e nënës së saj Dranës (12 korrik 1972). Kjo letër tregon edhe një realitet të njohur tashmë, se Nënë Tereza ka pasur korrespodenca të rregullta me familjarët e vet dhe ato korrespodenca i ka shkuar në gjuhën shqipe. Kur merret viti kur është shkruar kjo letër, tregon se Nënë Tereza edhe pas shumë viteve jashtë atdheut të saj, nuk e ka harruar gjuhën e nënës së vet, me të cilën ka komunikuar me të afërmit dhe miqtë e saj shqiptarë.

Letra është e shkruar më 13 korrik 1972. Nënë Tereza, e njofton Filen edhe për adresat e banimit të motrës së saj Ages në Tiranë dhe vëllait të saj Lazrit në Palermo të Italisë./ KultPlus.com

Uk Lushi: Ipeshkvia e Kosovës duhet të kërkojë falje për trajtimin çnderues të flamujve

Publicisti Uk Lushi sot ka reaguar në rrjetet sociale pasi ka dalë lajmi dhe disa fotografi se gjatë shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, ditën e djeshme, disa flamuj janë trajtuar në mënyrë të ç`nderuar.

“Imzot Dodë Gjergji, në emër të Ipeshkvisë së Kosovës, dunet të kërkojë falje publike për trajtimin çnderues të flamujve tonë gjatë shugurimit të Katedrales së Shenjtëreshës Nënë Tereza në Prishtinë dje. Flamuri duhet nderuar duke u mbajtur nalt mbi tokë gjatë tërë kohës dhe kudo” ka shkruar Lushi në rrjetin social Facebook, derisa komente të tilla kanë ardhur edhe nga komentuesit e ndryshëm që kanë parë fotografitë ku flamujt shihen të fshehur.

Presidenti i Kosovës në fjalën e tij po përdorte terma patriotik duke kritikuar vendosjen e dy monitorëve përballë monumentit të Gjergj Kastriot Skëndërbeut, por si për ironi, prapa tij ndodheshin flamujt e Shqipërisë e Kosovës për toke, së paku në këtë fotografi poshtë. Në një qoshe, të hedhur në tokë pranë statujës së Nënës Terezë, qëndrojnë të hedhur dhe të zhburosur dy flamujt, ai i shtetit të Kosovës dhe ai i shqiptarëve. / KultPlus.com

Papa Françesku uron në 9 gjuhë përvjetorin e Shenjtërimit të Nënës Terezë

Mbushen sot plot 1 vit nga Shënjtërimi i Nënë Terezës së Kalkutës e 20 vjet nga vdekja e bamirësisë shqiptare.

Një vit më parë në meshën e kanonizimit mbajtur në sheshin e Shën Pietros në Vatikan me mbi 130 mijë besimtarëve nga e gjithë bota, Papa Françesku do të shpallte Shënjtërimin e Humanistes shqiptare duke u shprehur:

“Sot i dorëzoj botës këtë figurë emblematike të gruas e shënjtërimit. Le të jetë ajo modeli juaj i Shenjtërisë. Kjo punëtore e palodhur e mëshirës na ndihmon të kuptojmë gjithnjë e më shumë se kriteri i vetëm i veprimit tonë duhet të jetë dashuria e lirë nga çdo ideologji, nga cdo kufi, e ndaj të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race e feje.”

Një vit më parë Shënjtërimi i Nënë Terezës mblodhi në Vatikan autoritete të larta e Krerë Shtetesh nga e gjithë bota, besimtarë të shumtë por dhe njerëz të varfër e të sëmurë, të cilëve ajo i dedikoj jetën e saj.

Prej një vit bota e krishterë ka një Shënjtëri shqiptare, Shën Terezën, por të gjithë vazhdojnë ta quajmë Nënë Tereza, ashtu sic kish parashikuar Ati i Shenjtë duke u shprehur “se do ta kemi të vështirë ta quajmë Shën Tereza, pasi shënjtëria e saj është kaq pranë nesh, kaq e frutshme dhe e dashur, sa spontanisht vazhdojmë ta quajmë Nënë Tereza.”

Sot një vit nga Shënjtërimi i Nënë Tereza e 20 vjet nga mungesa e saj, bota e krishterë e kujton në të gjithë botën.

Papa Françesku në këtë datë përkujtimore në profilin e tij zyrtar në Twitter në 9 gjuhë të ndryshme, Shën Terezën shqiptare do ta kujtojë me fjalët:

“Si Nënë Tereza le të hapim horizonte gëzimi e shprese për njerëzimin, që ka aq nevojë për sa më shumë mirëkuptim e dashuri.”

Në Indi, Nunci Apostolik i Indisë dhe Nepalit ka mbajtur meshën përkujtimore në shtëpinë e Misionareve të Nënë Terezës, ndërsa Kryepeshkopi i Kalkutës Thomas D’Souza, ka deklaruar se në këtë 1 vjetor të Shënjtërimit të saj, bamirësja shqiptare do të shpallet Shenjtore mbrojtëse e Kryepeshkopatës së Kalkutës.

Në këtë 20 vjetor të vdekjes së saj janë me mijëra pelegrinë që kanë vizituar e janë lutur në varrin e Shën Terezës në shtëpinë e misionareve të Urdhërit në Kalkuta.

Mesha përkujtimore janë mbajtur dhe në të gjitha shtëpitë e urdhërit të Nënë Terezës në 130 vende të botës.

Shën Tereza shqiptare e ktheu jetën e saj në një shembull të dashurisë së krishterë në shërbim të njerëzve në nevojë, të sëmurëve, të vërfërve.

Si themeluese e Urdhrit të Nënë Terezës më 1979 u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen, ndërsa më 26 tetor 1985, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Pérez de Cuéllar, duke e prezantuar në Asamblenë e Përgjithshme e përkufizoi si gruan më të fuqishme të botës. / KultPlus.com

Pesë vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë

Nga Don Lush Gjergji

Akoma sot ka njerëz ndër ne që dyshojnë për vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë. Javët e fundit është rizgjuar “kërshëria” e disa medieve që duan të “vërtetojnë” me fakte vizitat në fjalë, përkundër publikimeve të herëpashershme në media të shkruara dhe libra. Për lexuesit e Dritës, Mons. Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës, na i risjell edhe njëherë faktet me fotografi të vizitave të Nënë Terezës në Kosovë.

Shën Tereza jonë ishte pesë herë në Kosovë:

1. Vizita e parë e Nënë Terezës ishte më 9-12 korrik 1970. Gjatë kësaj vizite ka qenë në këto vende: Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

Ndër personalitete të atëhershme kishtare ka takuar: Imzot Joakim Herbut, ipeshkëv, Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, e shoqëruar nga Mons. Nikollë Mini, famullitari i atëhershëm i Przrenit dhe kushëriri i saj. (Rreth kësaj vizite më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, DRITA, 1990, botimi i dytë, f. 233-235).

Mons. Nikollë Mini gjatë intervistës me Nënën Tereze (Prizren, 12 korrik 1970)

2. Hera e dytë ishte 28-30 mars 1978 vizitoi: Shkupin, Ferizajin, Prizrenin, Letnicën dhe pati shumë takime edhe me popull:

Mesha me popull dhe kler në barakën në “Bitpazar” në Shkup; fjalët përshëndetëse të Imzot Joakim Herbut dhe Imzot Nikë Prela; Fjala e Nënës Tereze; Biseda e Nënës Tereze me televizionin e Shkupit; Përshtypjet pas takimit me Nënën Tereze. (Më gjerësisht lexo, Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 235-249).

Nëna Tereze në kapelë në “Bitpazar” (Shkup, 28 mars 1978).

3. Hera e tretë ishte 26 – 29 qershor 1980: Shpallet “Qytetare e Nderit” të Shkupit dhe pati shumë takime publike:

Me kryetarin e Shkupit, Metodi Antonov; nënkryetarin e KE të RSM-së Vasil Tugjarov; vizitoi varrin e babait të saj Kolë Bojaxhiut; jetimoren e Shkupit; takimin me gazetarë.

Me 27 korrik 1980 ishte në Binçë:

Mesha me popull, me fjalën e rastit të Imzot Joakim Herbut, Imzot Nikë Prela; dhe fjala e Nënës Tereze; Vizita e Nënës Tereze në Letnicë;

Më 28 korrik 1980 Nëna Tereze në Prishtinë: takimi në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës me kryetarin Bahri Oruçi, nënkryetarin Pajazit Nushi dhe bashkëpunëtorët.

Më 29 korrik 1980 largimi i saj nga Kosova, Prishtina. (Më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 249-279).

Intervista e Avni Spahiut me Nënë Tereze (Prishtinë, 26. 06. 1980).

Nëna Tereze me Bahri Oruçin (Prishtinë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze me murgesha dhe meshtarë (Shkup, 27. 06. 1980).

4. Hera e katër ishte në Kosovë 22-23 tetor 1982, me vizitë në Shkup, Letnicë, Ferizaj, Prizren, Zllokuqan dhe Pejë.

Gjatë kësaj vizite Nëna Tereze e hapi kuvendin e “Misionareve të Dashurisë”, me ftesë të famullitarit të atëhershëm, të ndjerit Dr. Don Gjergj Gjergji.

Nëna Tereze në kishën “Shën Katarina” (Pejë, 22 tetor 1982).

Nënë Tereza me Imzot Nikë Prela, meshtarë dhe motra të Kosovës (Pjeë, 22 tetor 1982).

5. Hera e pestë gjatë qëndrimit të saj në Zagreb 17-19 korrik 1986, ishte në vizitë private motrave të saja në Pejë dhe në disa vende tjera (18. 07. 1986).

Me atë rast i dhurova Nënës Tereze monografinë “Lule për Nënën” dhe pata një intervistë me të për revistën tonë “DRITA”. (Intervista dhe fotografitë janë botuar tek Revista “DRITA”, nr. 7-10, 1986, f. 8-9).

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986)

Ekspozita për Nënën Terezë, përgjigje ndaj atyre që duan t’i përvetësojnë figurat kombëtare shqiptare

Është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente për të shenjtën Nënë Tereza, e titulluar “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespodenca”, me ç’rast është vlerësuar edhe si përgjigje ndaj atyre që duan të përvetësojnë figurat kombëtare të popullit shqiptar.

Kështu ka thënë drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani. Ai njëherësh ka theksuar se fotografitë dhe letërkëmbimet e ekspozuara në fund do t’i dhurohen Ipeshkvisë së Kosovës, përcjell kp.

“Më 26 gusht të vitit të kaluar u përpilua kjo ekspozitë dhe rezultoi që për herë të parë t’i jepet përgjigje atyre që cenojnë dhe dëshirojnë të përvetësojnë figura të mëdha të historisë dhe kulturës shqiptare siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza… që lidhen drejtpërdrejt edhe me identitetin tonë shqiptar”, tha ai.

Sekretari i Institutit të Historisë në Prishtinë, Gjon Berisha ka vlerësuar ekspozitën si një ngjarje të veçantë kushtuar njeriut të përbotshëm Nënës Terezë.

“Kjo ekspozitë e cila organizohet për nder të një ndër personaliteteve kryesore shqiptare Nënës Terezë.. është një ngjarje mjaft e rëndësishme për një njeri të përbotshëm, i cili nuk kishte ushtarë, nuk kishte armatë dhe para, dhe arriti të pushtojë botën… përmes një vepre mjaft të madhe, dashurisë… Kjo ekspozitë është një pikë ujë në oqeanin e madh të veprës së Nënës Terezë, e cila arriti ta sfidojë botën dhe arriti të prek edhe zemrat e personaliteteve të mëdha”, tha ai.

Në fjalën e tij të rastit, Vikar Gjeneral i Kishës Katolike të Kosovës, Don Lush Gjergji është ndalur tek një fotografi e Nënë Terezës ku dëshmohet fakti se ajo ka ndjekur mësime në gjuhën shqipe, e mbajtja e librit në dorë, dëshmon edhe dëshirën e saj për të lexuar.

“Nëna Terezë vet më ka thënë se 8 vite i kam kryer në gjuhën shqipe, por ju e dini se dokumentet tona shpeshherë i han nëntoka ose lufta, ose bombardimet, ose pakujdesi, ose hajnia e dikujt… Por deshi Zoti që kjo fotografi ta ketë në prapavijë dërrasën e zezë, dhe në dërrasë të zezë sikur të kishte dashur Zoti të shkruante: Shkolla katolike shqiptare ‘Zemra e Krishtit’, dhe viti shkollor 1922-1923, dhe e kemi Nënën Terezë e vetmja… me libër në dorë”, tha ai.

Në fund ai bëri ftesë që të lexohen materialet e publikuara në mënyrë që të kuptohet qartë shtegtimi dhe rëndësia e këtij shtegtimi të Nënës Terezë, që sipas tij lidhi mbarë globin.

“Nuk është një ekspozitë e cila duhet vetëm të kalohet dhe shikohet. Kisha thënë, ndaluni pak dhe lexoni atë që është paraqitur, dhe do ta keni shumë të qartë lidhjen Prizren-Shkup, Shkup-Zagreb, Zagreb-Irlandë, Irlandë-Kalkutë dhe Kalkutë e botë. Ky ishte shtegtimi i saj, ajo ishte shtegtarja e mbarë njerëzimit dhe ajo dëshmoi fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë”, tha ai.

Ekspozita do të jetë e hapur për disa ditë në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ndërsa është organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në bashkë-organizim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Ipeshkvinë e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Hapet ekspozita kushtuar Nënë Terezës, “Shenjtorja shqiptare, letërkëmbimet”

Humanistja dhe nobelistja shqiptare, Nënë Tereza sot shënon 107 vjetorin e lindjes. Në këtë përvjetor të ditëlindjes së saj nuk po mungojnë edhe aktivitetet e shumta kulturore dedikuar në adresë të saj, shkruan KultPlus.

Instituti i Historisë “Ali Hadri” nga Prishtina, në bashkëorganizim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Ipeshkvinë e Republikës së Kosovës, kanë përgatitur një ekspozitë me fotografi e dokumente të titulluar “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, që i kushtohet 107 vjetorit të lindjes, 20 vjetorit të vdekjes dhe 1 vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës.

Fjalë rasti do të mbajnë përfaqësuesit e tri institucioneve të lartpërmendura.

Ekspozita do të hapet sot në ora 14:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe do të jetë e hapur deri më 5 shtator 2017. / KultPlus.com

107 vjetori i lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare, Nënë Tereza

Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës, gjithashtu e njohur si Tereza e Bekuar e Kalkutës, lindi më 26 gusht të vitit 1910, shkruan KultPlus.

Në këtë përvjetorë të ditëlindjes së nobelistes shqiptare, sot në mbrëmje, në Katedralen e Prishtinës do të bëhet hapja e “Ditët e Nënë Terezës”, të cilat do të zgjasin deri më 5 shtator. Kjo ditë shënjon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila do të kremtohet më 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Për këtë rast është përgatitur një program kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës, si dhe një ekspozitë e fotografive.

Programi:

Gjon Gjevelekaj “Nënës së mirë”, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
“Lamtumirë” (poezi), Jehona Gashi
Një fjalë përshëndetëse me këtë rast do ta mbajë edhe Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës.
Alfredo Catalani: EBBEN! NE ANDRÒ LONTANA, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
Recitim të Poezive të Nënë Terezës, Lumnie Sopi
Shenjtëresha e Dashurisë – Shën Nënë Tereza, Don Lush Gjergji
Avni Mula: AGIMET SHQIPTARE, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
Poezi të Nënë Terezës, Bislim Muçaj
Ekspozitë me fotografi si dhe koktej rasti. / KultPlus.com

10 gjëra që mund t’i mësojmë nga Nënë Tereza

Nënë Tereza, kjo figurë humanitare që bëri për vete gjithë botën, gjatë jetës së saj ka lënë edhe shumë thënie, disa nga këto thënie të saj po i sjellim më poshtë.

1. Dashuria është dhjetë vepra konkrete në një fjalë të vetme.
2. Një gram të mira që ia bën tjetrit është tashmë një ton i mirë që ia bën vetvetes.
3. E tërë mençuria e parajsës është në faktin që mos të shesim mend kur është thjesht e nevojshme të japësh një gotë ujë.
4. Dashuria do të thotë të jesh pranë tjetrit dhe prapë të jesh një hap përpara kohës sate.
5. Botën s`e pushtojnë njerëzit që shkojnë drejt majave, botën e pushtojnë njerëzit që shkojnë drejt njeriut.
6. Madhësia jote ndodhet në vogëlsinë tënde, të gjithë të tjerat janë madhësi artificiale.
7. Nuk e ndryshojnë botën ata që organizojnë kryengritje, botën e ndryshojnë ata që çohen kundër të keqes në veten e tyre.
8. Ta bësh këtë botë një vend më të mirë për të jetuar munden vetëm ata që duart e tyre i kanë dorëzuar në duart e Krishtit.
9. Njerëzit do të shkojnë rrugës sate, kur ti shkon asaj rruge që është Udha, e Vërteta dhe Jeta.
10. Shpërblimi njerëzor është vetëm një pikë uji në detin e shpërblimit të vërtetë të Zotit.

Mario Žuvela (Përktheu: P. Shtjefen Dodes SJ)

Ditëlindja e Shën Nënë Terezës shënon fillimin e ‘Ditët e Nënë Terezës’

Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, më 26 gusht, në ora 19:00, në Katedralen e Kryeqytetit, do të bëhet hapja e “Ditët e Nënë Terezës”, përcjellë KultPlus.

Kjo ditë shënjon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila kremtohet me 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Për këtë rast është përgatitur një program kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës, si dhe një ekspozitë e fotografive, njofton Ipeshkvia e Kosovës.

Programi:

Gjon Gjevelekaj “Nënës së mirë”, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
“Lamtumirë” (poezi), Jehona Gashi
Një fjalë përshëndetëse me këtë rast do ta mbajë edhe Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës.
Alfredo Catalani: EBBEN! NE ANDRÒ LONTANA, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
Recitim të Poezive të Nënë Terezës, Lumnie Sopi
Shenjtëresha e Dashurisë – Shën Nënë Tereza, Don Lush Gjergji
Avni Mula: AGIMET SHQIPTARE, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
Poezi të Nënë Terezës, Bislim Muçaj
Ekspozitë me fotografi si dhe koktej rasti. / KultPlus.com

Nënë Tereza ishte motivim për Princeshën Diana

Janë zbuluar letra të Princeshës së ndjerë, në të cilat ajo tregon se si takimi me Nënën Terezë i kishte ndryshuar jetën, dhe se si Nëna Terezë e kishte inspiruar që të ndihmonte njerëzit në nevojë.

Në letrat që janë zbuluar, Diana tregon se si Nënë Terezë dhe murgeshat i kishin ndihmuar të kishte zgjim shpirtëror në momentet e saj më të vështira.

Ajo kishte vizituar jetimoret në Kalkutë në vitin 1992, në kohën kur ajo kishte probleme të mëdha në martesën e saj me princin Charles.

Në një letër ajo ka thënë: “Sot diçka shumë e veçantë ka prekur jetën time. Kam vizituar shtëpinë e Nënës Terezë dhe kam gjetur rrugën të cilën kam kërkuar me vite”.

Shërbëtori personal i princeshës së ndjerë, Paul Burell, ka thënë se pas vizitës në Kalkutë, dhe pasi ka parë me sytë e saj fëmijë të sëmurë dhe në prag të vdekjes, ajo u bë më spirituale dhe fillojë të merrej më shumë me bamirësi.

Ai gjithashtu shtoi se ajo me Nënën Terezë tashmë kishin një lidhje të veçantë shpirtërore, dhe se puna e saj dhe përkushtimi i Dianës ndaj njerëzve në nevojë, ishin inspirim për shumë princesha tjera në glob, ka shkruar Mirror.

Diana kishte thënë se ajo as që mund t’i afrohej Nënës Terezë dhe punës së saj, dhe se ajo ishte shumë e vogël në krahasim me të.

“E vetmja gjë që mund të bëj është të shkoj me hapat e saj”, kishte thënë ajo.

Burell ka shtuar se Nëna Terezë i kishte dhuruar princeshës një palë rruaza të shenjta, dhe se kur kishte shkuar ta shihte Dianën në spital natën e aksidentit, kishte parë se Diana kishte vdekur me to mes duarve të saj. / KultPlus.com