Blerta Basholli, ligjëruese në ‘Neo School’ të Kino ‘Armata’

Regjisorja Blerta Basholli do të ligjëroj në Neo_School, shkollën joformale për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë të organizuar nga Kino ‘ARMATA’ mes 31 maj – 4 korrik 2021, mbi përvojën e saj në industrinë filmike, sidomos suksesin e jashtëzakonshëm me filmin e saj të fundit “Zgjoi”, përcjell KultPlus.

Blerta Basholli është skenariste/regjisore me stil unik dhe realistik vizuel. Rrëfimet e saj prekin çështjet sociale dhe gjinore të shtetit ku ka lindur dhe është rritur, Kosovës e përtej.

Në vitin 2008 ajo ka fituar Deans Fellowship në programin pasdiplomik të filmit në Tisch School of the Arts – NYU. Blerta ka jetuar në New York për katër vite, ku pati mundësi të punojë në disa projekte studentore të filmit.

Filmi i saj i shkurtë “Lena & Me”; i shfaqur dhe shpërblyer në: First Run Film Festival 2011; Dokufest 2011; Skena Up 2011; Tirana International FF 2011; Pogradec Food and Film Festival 2011; 9/11 Film Festival 2012 – Shpërblimi për Aktoren më të Mirë.

Filmi i shkurtë “Gjakova 726”, 2008, mori pjesë në Rotterdam Film Festival 2009 në programin e filmave të shkurtë, Busho Film Festival 2009 – garën zyrtare, Doku Fest 2009 – garën zyrtare 2009, Toffifest 2009 – garën zyrtare, Filmmor Women’s Film Festival 2009 – garën zyrtare.

Filmi dokumentar “Mirror, mirror…”, 2006, është përzgjedhur zyrtarisht nga Sarajevo Film Festival 2006, New York International Independent Film and Video Festival 2016, Tirana International Film Festival 2006; Balkan Black Box Film Festival 2006, Berlin.

Në vitin 2011, ajo u kthye në vendlindjen e saj, Prishtinë, Kosovë, ku shkroi dhe ishte regjisore e shumë filmave të shkurtë dhe të gjatë.

Në vitin 2020, ajo përfundoi filmin e saj të parë të luajtur “ZGJOI”, të cilin e shkroi dhe e bëri regjinë sipas tregimit të vërtet. Zgjoi u shfaqë në Sundance Film Festival 2021 si pjesë e World Cinema Dramatic Competition dhe bëri historinë duke fituar tri shpërblime, Shpërblimin e Madh të Jurisë, Regjinë më të Mirë dhe Shpërblimin e Audiencës. Ky është filmi i parë në Sundance që fitoi të tri shpërblimet në këtë garë.

Neo_School Info: fb.com/1502507309877883/posts/3737138646414727

Neo_School përkrahet nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com