-Teksa idetë e para mbi konditat rreth të cilave duhet të ndërtohet një shtet në një rrafsh universal janë plasuar qysh në antikitet me veprën e Platonit, në historinë e publicistikës shqiptare interferohet me një vlerë kolosale vepra e Branko Merxhanit, e cila gjithashtu angazhohet në dhënien e tabllos së një shteti, por i cili për dallim nga ai i Platonit ekziston si tanësi e veçantë sado që jashtëzakonisht kompleks në qenësinë e tij.
Formula e Neoshqiptarizmës sublimon idealet e një intelektuali, Branko Merxhanit për rikuperimin e atdheut të tij, Shqipërisë. Vepra, e cila mund të cilësohet fare mirë si një traktat i natyrës socio-politike përbërë nga shkrime të botuara në revistën e autorit me po titullin Neoshqiptarizma, plason një tanësi idealesh, të ashtuquajtura reforma, që kanë për qëllim të orientojnë Shqipërinë drejt përparimit, më saktësisht drejt shkrirjes së saj me kulturën e Evropës të cilën autori insiston ta quajë Qytetërim.
Ngjashëm si Kadare edhe Merxhani trajton gjerësisht problemin e kthimit të Shqipërisë në kontinentin mëmë, por për dallim prej të parit i cili e shkruan si një fakt historik, pra si diçka tashmë të kaluar, Merxhani angazhohet me tërë qenien e tij që ta zgjidh këtë problem që është aktualitet i tij. Neoshqiptarizma mund të definohet si një pararojë e një kombi që do të rimëkëmbet, do të shkruajë një histori të re duke marrë çka ka shpëtuar nga gërmadhat. Me reformën ajo nënkupton kryerjen e një varg detyrash për të plotësuar nevojat kombëtare e përparimtare të kohës.
Vendi i së kaluarës në rrugën e Qytetërimit
Lexuesi shqiptar është mësuar që në veprat me karakter të tillë ideologjik rëndom të ndeshë në një glorifikim të së kaluarës e madje insistim që të shfrytëzohet si model për të hedhur pluhur mbi mjerimin socio-politik aktual. Merxhani, përkundër ideologëve romantikë të cilët gjejnë prehje në evokimin e së kaluarës dhe theksimin e kontrastit të mësipërm, sugjeron që ndërtimi i Shqipërisë së re të mendohet pa vështruar të kaluarën e cila në thelb për të derivon vetëm një epokë vuajtjesh, e mbi të gjitha një epokë të errët sa i përket kultivimit të dijeve dhe veçorive progresive shoqërore.
Neoshqiptarizma e vetëdijshme për zakonin e popullit shqiptar që ta fajësojë robërinë shekullore për mbetjen aq mbrapa shteteve të tjera të qytetëruara evropiane, tregohet një kritikuese e ashpër, por në thelb realiste, kur etiketon këtë përligjie si vetëgënjeshtrim të shqiptarëve që mbulon faktorin kryesor të këtij konservatorizmi: pezmin, pasivitetin e popullit për të punuar për vendin e tyre. Merxhani citon Trubeckoin si mbështetje të mendimit të tij ku thotë: sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë, e madje e plotëson me një ton ironik, kur thotë po ne u treguam nxënës të këqij; nuk këmi mësuar as letrën A, duke aluduar kështu në mungesën e emancipimit, shkollave të mirëfillta për zhvillimin e mendimit intelektual si dhe vetë hartimin e vonshëm të alfabetit.
Fanatizmi me të cilin shkolla jezuite angazhohet e mbron çështjen pellazgjike shqiptare, thumbohet indirekt duke u parë si ngecje në kohë evokimi i idesë mbi vjetërsinë e shqiptarëve si popull. Theksohet ideja që shqiptarët ashtu si Neo-Grekët e Neo-Turqit ta afirmojnë veten si Neo-Shqiptarë.
Kritika vjen duke u zgjeruar e bërë madje substanciale për t’i hapur rrugë përparimit përmes vështrimit të të metave të shoqërisë shqiptare në një dritë të pastër. Merxhani është idealist në esencë, por ai insiston që të rendet pas idealeve vetëm pasi njeriu shqiptar të ketë pranuar qenësinë e tij lakuriq ashtu siç është. Ai vë theksin në nevojën e rehabilitimit të anomalive psikologjike, siç quan jetën e zbrazët intelektuale pa ideale, pa shkolla, konservatorizmin e theksuar dhe njeriun e vrazhdë shqiptar që ka krijuar jeta në male. Sugjeron që të punohet me rrënjët; të ndërtohet diçka e re duke shartuar atë çka sado që origjinare zhvesh vlerat e shoqërisë dhe i bëhet gur në rrugën e përparimit. Në këtë kontekst Neoshqiptarizma krijon analogji me Koliqin, i cili gjithashtu në tekstet e tij kritike sugjeron vazhdimisht që e reja të ndërtohet duke kultivuar nga e vjetra gjjithçka cka është dobiprurëse për Qytetërimin të konceptuar si të ardhme.
Mirëpo teksa njeriu shqiptar këshillohet vazhdimisht që të vështrojë nga e ardhmja, progresiviteti i tij në asnjë rast nuk shihet i shkëputur nga jeta kombëtare, qenësia ekzistuese e saj. Një shtet i cili kultivon përparimin, idetë që çojnë drejt Qytetërimit, duke shpërfillur shpirtin e kombit sipas Merxhanit zvetënon portretin harmonik të tij para botës. Pra, a prior është realiteti i jetës kombëtare, ndërsa përparimi del si a posterior, ose kushtimisht ai nuk del mirëfilli i realizuar nëse nuk pranohet e punohet me të parën, pra realitetin e jetës kombëtare.
Religjioni në hendekun e Orientit dhe Oksidentit
-Merxhani e interferon religjionin si pjesë të pashkëputshme të palcës shoqërore që ka luajtur përherë një rol aktiv në arkitektonikën e botës. Shtrimi i pikëpamjeve personale mbi religjionin e filozofinë shpërfillet për shkak të interesit që konceptimi i religjionit t’i përshtatet nevojave të shqiptarëve të kohes. Siologjizmi i tij mbi religjonin nis nga vështrimi i tij në rrafshin universal, si ushqim shpirtëror që ka plotësuar kaherë nevojat e shoqërisë ndër shekuj, për të vazhduar me labilitetin e shqiptarëve në raport me të. Për ta plotësuar e precizuar qëndrimin e shqiptarëve në raport me religjionin shtrohen dy terma kryesorë: materialja dhe shpirtërorja.
Njeriu shqiptar e ka vështruar religjionin veçmas gjatë sundimit osman, si rrugë për sigurimin e përfitimeve materiale, çka ka penguar edhe pranimin e lidhjes shpirtërore me të. Kështu edhe dalëngadalë ka marrë fytyrë figura e shqiptarit i cili është labil në aspektin religjioz e duke qenë i paaftë të lidhet me ideale shpirtërore, ai domosdo do të tregohet i varfër në përfytyrimet dhe angazhimin për Qytetërimin.
Heterogjeniteti religjioz del si tregues i këtij joserioziteti, por edhe si faktor krucial që pengon konvergjencën kombëtare. Uniteti religjioz shtrohet si kusht për unitetin nacional. Shqipëria quhet figurativisht një Saharë e Evropës, pa asnjë hije, pa asnjë pemë, pa asnjë pikë ujë, duke bërë aluzion kështu për shterpësinë e shqiptarëve si nacion në fushën e ideve religjioze, idealeve kombëtare e shkencore.
Për Neoshqiptarizmën asnjë religjion nuk është superior në raport me tjetrin, por për sa kohë nuk shkrihen në një ose të angazhohen në unanimitet intelektual e kombëtar larushia e tyre është shpërfytyrim i një kombi të bashkuar, çka edhe e largon edhe më tepër Shqipërinë nga ëndrra e Qytetërimit. Prandaj edhe lexuesit nuk i vjen çudi entuziazmi me të cilin Branko Merxhani shkruan për martesën e Jan Bashos, një mjeku të krishterë të pallatit mbretëror dhe Zejnep Maliq Bej Frashërit, një muslimaneje të shkolluar. Për Merxhanin kjo martesë realizon idealet e Neoshqiptarizmës në një zinxhir si: tejkalimi i ndasive fetare, konvergjenca kombëtare dhe hedhja e filizave të familjes së qytetëruar.
Në tekstin e tij vërehet një antipati ndaj Orientit osman, thënë më drejt ndaj kulturës së tij, e cila qëndron larg lavdisë së popujve të vjetër oriental sumerë e egjiptianë, prandaj edhe si e tillë nuk u pranua gjerësisht në Evropë, dhe nuk arriti të mbijetojë karshi kulturës kolosale që pohon ai të derivojë Oksidenti. Ani pse përdor me ironi epinomin dualizëm sentimental për kulturën religjioze të Orientit dhe Oksidentit, Merxhani nuk kursen në asnjë rast parabolat e Frojdit, Augustit o filozofëve të tjerë për të potencuar edhe njëherë rëndësinë e religjionit në qarqet shoqërore, si reflektues i shpirtërores, devocionit, humanes dhe dashurisë.
Roli i intelektualit në prurjen e Qytetërimit
-Neoshqiptarizma pranon se sado që ajo angazhohet në mirëqenien e popullit në esencë kërkesat e saj nuk i drejtohen atij, por njeriut të mendimit, siç e quan ajo intelektualin. Për të bazë e ndërtimit të një kombi është shoqëria e cila niset nga parime kolektive efektive, për dallim prej individit i cili niset nga parime asociale, rrjedhimisht vetjake. Mirëpo individi i determinuar shpesh si qenie egocentrike kur shikohet i shkëputur nga shoqëria, është i prirë ta tregojë superioritetin edhe rëndësinë e tij në mirëqenien e shoqërisë në kohë kataklizmash socio-politikë. Kjo është dëshmuar veçmas në periudhën e romantizmit, kur çdo intelektual e artist ka shembëllyer më parë sesa pikëpamjet e veta mbi botën materiale o shpirtërore, ato që u janë përgjigjur nevojave të kohës, duke barazuar funksionin e tyre me atë të apostujve Nisur nga kjo sakrificë e artit mund të thuhet se figura e intelektualit e lidhur me palcën e shoqërisë, me realitetin shtrëngohet të braktisë botën kaotike të fantazisë së tij.
Gjithë filozofia e Neoshqiptarizmës bazohet në ideale shoqërore, të konceptuara si faktorë të parë të jetës. Ideali shoqëror realizon divergjencën e njeriut shqiptar duke e transformuar atë nga të qenurit një qenie egoiste në një qenie me primesa utilitare. Merxhani spikat se ideali nuk është diçka ireal që ushqehet nga fantazimet e njeriut mbi mirëeqenien vetjake, por një realitet që i përket shoqërisë.
Djalërinë ose fazën infantile të njeriut shqiptar, ai e determinon si hapësirë produktive për t’u rrënjosur e kultivuar idealet shoqërore të Neoshqiptarizmës. Shfaqet kundër mësimit konvencional dhe thekson nevojën që të ndryshohen kriteret pedagogjike të mësimdhënies, të observohet më tepër me botën e ideve dhe shpirtërore të Djalit shqiptar. Jo rastësisht përdoret kjo sintagmë, që s’ka qëllim tjetër përveçse ta vë spikamën edhe njëherë në diferencën midis Djalit Shqiptar dhe atij Evropian, si përplasje midis konvencionales dhe modernes.
Hovi i intelektualëve për të instaluar filozofitë e huaja aq të përparuara, për të përkthyer në një vend ku mungon një abetare adekuate thumbohet si një mendjelehtësi që del veçmas me krahasimin që u bën Merxhani vetë atyre me virgjëreshat e çmendura të dashurisë e të dehjes. Intelektuali shqiptar, rëndom i formuar jashtë atdheut në rrugën e kthimit të tij në popull gjithmonë duhet të mbajë gjallë dëshirimin për të depërtuar në shpirtin e popullit, për të kuptuar kështu botën e ideve dhe ndjenjave të tij, besimet e traditat dhe të gjitha këto t’i marrë si një shkollë në vete që do t’i shërbejë për të njohur kushtet e terrenit ku synon të plasojë idetë e Qytetërimit. Por, jo çdo dukuri që ka zhvilluar Oksidenti është shembull i Qytetërimit. Kështu Merxhani thekson se liria dashurore që ka zhvilluar Evropa, duke insistuar në të drejtat e femijëve të jashtëligjshëm, në konsumimin e dashurisë pa pasur ndonjë kondiktë morale, nuk është veçse një degradim shoqëror që rrezikon madje vetë qenësinë e Familjes, konceptuar qëkur si bërthamë e shoqërisë.
Kudo nëpër tekst ndjehet simpatia e Merxhanit ndaj Gëtes, e madje ai duket sikur është i vetëdijshëm për këtë rënie në sy prandaj edhe i kushton një kapitull të tërë, ku tregon njohjen e parë të tij me Gëten dhe arsyet pse ai e admiron aq shumë. Njohja e tij me Gëten vjen si reminishencë nga fëmijëria, gjatë rrëfimit të së cilës autori nuk mund t’i përmbahet shpërthimit euforik, duke dhënë gjithë madhështinë e botës së pafundme të ndjenjave që ka zbuluar në Verterin si fëmijë, përmes simbolikës së pemës dhe dehjen me të cilën ai admironte lulet shumëngjyrëshe të prera nga ajo: të puthura qiellore ranë mbi mua.
Vizatimi i tillë i portretit të Gëtes i shërben edhe përpjekjes së autorit për të demonstruar figurën e një intelektuali që rend pas ideleve qoftë shoqërore qoftë letrare, duke përjetësuar kështu jo vetëm emrin e tij, por edhe bërë të njohur botërisht e vlerë sublime qytetin e vendlindjes së tij, Ëeimarin. Merxhani përmes tij dëshiron të tregojë edhe njëherë impaktin e një jete idealiste dhe rolin e rëndësishëm që luan intelektuali në njohjen e kombit të tij para botës, ne vetë pasqyrimin e vlerave të tij.
Në kujtimin tjetër, fokalizimi i intelektualit në veprim bartet nga Gëte tek vetvetja. Merxhani interferon skena nga një udhëtim në Stamboll, për të treguar lidhjen e tij intime me profesionin e gazetarisë dhe se si mund të punohet me të në dobi të jetës kombëtare. Krahas ambientit sentimental me të cilin autori jep portretin e Stambollit, theksi vihet veçmas në dhënien e pamjes së një realiteti kaherë ekzistues: shqiptarët e mërguar në Turqi dhe rreziku i asimilimit të tyre. Ajo për çka mund të kritikohet këtu Neoshqiptarizma është vështrimi i të mërguarëve më tepër në një kontekst material se sa shpirtëror, më tepër se sa si pjesë e pashkëputshme e palcës etnike, si resurs ekonomik për vendlindjen, për mbajtjen e të cilit duhet të mos kursehet asnjë rrugë.
Branko Merxhani në veprën Formula e Neoshqiptarizmës arrin të derivojë fytyrën e intelektualit nga të vështruarit të tij në një kontekst më të largët thjesht konceptual, për të elaboruar më tutje duke e vështruar nga afër, prekur figurën altruiste të intelektualit përmes shkrimit të kujtimeve. Ai bëhet ideolog që afirmon atë çka duhet të përbëjë figurën e intelektualit në shumë plane: atë moral, religjioz, shoqëror e atdhetar.
Stili i Neoshqiptarizmës
-Duke zgjedhur si formë reflektimi të tij prozën mendimtare me karakater socio-politik, jo rrallë edhe me premisa filozofike, Branko Merxhani bëhet ndërtues i një platforme ideologjike që vështron Qytetërimin si utopi. Pavarësisht vështrimit të tillë të saj si përmbajtje, ajo çka bie në sy në vepër është edhe forma, sistemimi i pikëpamjeve mbi fenomenet shoqëore nëpër kapituj të veçantë, çka edhe krijon një lidhje kauzale midis tyre dhe shtron në një rrjedhë logjike problemin. Jo rrallë bie në sy përsëritja e ideve, e cila vërehet veçmas në shtrimin e problemeve të njëjta nëpër kapituj të veçantë, mirëpo kjo nuk bën që stili i tij të kalojë në monotoni, por i shërben plotësimit dhe theksimit të ideve.
Stili i tij më tepër se praktik, konkret është abstrakt, teorik dhe kjo vie si rrjedhojë se Merxhani nuk rrëfen, me përjashtim të ca pjesëve që lidhen me kujtimet ku ai tregon ca prirje prozaike, në përgjithësi stili i tij anon nga proza shkencore, mendimtare. Mirëpo teksa kësaj proze shkencore i mungon gjerësisht rrëfimi prozaik, nuk i mungon gjuha figurative. Errësira dhe drita përbëjnë dy simbolet dominuese, që në thelb shënojnë kontraste kohësh, kulturash o idealesh. Këto Merxhani i përdor pa kursim për të treguar pikërisht përmes këtij kontrasti vështirësitë dhe nevojën e menjëhershme të të punuarit me realitetin kombëtar.
Toni sarkastik e ironizues është veçmas karakterisitk kur u drejtohet bashkëkohësve të tij dhe moskuptimit që tregojnë ata ndaj Qytetërimit, si dhe ndaj të kaluarës dhe qëndrimit glorifikues të shqiptarëve ndaj saj. Ky ton ndryshon kur kalohet direkt në lidhjen e tij intime me atdheun, nga ai revoltues në atë melankolik i cili realizon plot emocionalitet një përshkrim romantik të tij, dukë gërshetuar glorifikimin e natyrës me lidhjen e pashkëputshme biologjike që gëzon njeriu me vendin e tij:
ku janë të varrosura kockat e stërgjyshërve t’anë, atje në hirin e gjakut të hidhërimit, ku ka rënë loti i parë i mëmave tona në pyllin e dashurisë që na çeli misterin e jetës në kohën e djalërisë-atje është atdheu ynë. Siç shihet ritmi, melodia e fjalëve që hyjnë në marrëdhënie i japin shprehjes së tij ngjyrime patetike.
Reagimet prozaike letrare përveçse lidhen me reminishencat e lartpërmendura, nuk mungojnë edhe përbrenda shkrimeve sado që në një masë rudimentale nëse krahasohet me Mosmarrëveshjen e Kadaresë. Për shembull ja si përshkruan Merxhani gjendjen e tij emocionale pas kritikës që i bën njeriut shqiptar:
Ndjej se maja e gishtit më djeg. Dhe ç’të djegur! Dridhem i tëri. Vura gishtin tim mbi një plagë, e cila ka lodhur dhe egërsuar pa rreshtur shpirtin e kombit.
Vepra fund e krye shquhet për diskursin erudit, që shpaloset qysh me paratekstet që përmban çdo kapitull. Ato realisht bëhen sugjeruese të përmbajtjes së pjesës para së cilës vendosen. Kështu nuk mungojnë paratekstektet nga Gëte, Niçe, Svela, Ruso e Kanti, por edhe intertekstet e Frojdit, Dukheimit, Artur Messerit, Emil Ludvigut, Marksit e sa e sa përfaqësuesve të tjerë qoftë të pikëpamjeve psikanalitike, sociologjike, materialiste e idealiste, të cilat provojnë për një intelektual të shquar, që nuk kufizohet në dijet e fushës së tij, por vazhdimisht anagazhohet që të vjelë më tepër nga gjeneralët e Qytetërimit, për t’i kontribuar kështu jetës shoqërore të vendit dhe ndërtimit të platformës së përparimit për kombin, çka del fund e krye e realizuar në këtë vepër.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Leonora Hajra / KultPlus.com