Nermin Shurdha, është një nga personazhet më të njohura në qytetin e Shkodrës. Ajo ka përfunduar studimet për ekonomi, por nuk e lënë pas dore pasionin e saj për artin. Një art të veçantë që në Shkodër, pak kush e praktikon. Ndryshe quhet vajza që pikturon muret.
Nermin Shurdha rrëfen për Report TV, se si e nisi rrugëtimin e saj në këtë zhanër 10 vite më parë, përcjell KultPlus.
“Muralet edhe pse bëjnë figurë, është më e lehtë për t’i vizatuar se sa në letër, sepse muralet mund të korrigjohen. Ishte diçka që më parë nuk bëhej në Shkodër fillova ta bëj në fillim tek njerëz të njohur, por më pas pati kërkesa dhe njerëzve u ka pëlqyer”, tha ajo.
Për të e rëndësishme është të ndjekësh pasionin dhe të lësh pas paragjykimet.
“Çdo person që kam pasur punë për të bërë murale, ma ka thënë bëj diçka por me iu përshtat temës, kësisoj pra motivet i ka zgjedh vetë, por ama ajo që e kam zgjedhur vetë 100 për qind ka qenë ‘puthja e Klimtit’. E kam veshur me veshje tradicionale të Malësisë së Madhe dhe është kthyer në pikë turistike tani, ka shumë kërkesa për ta vizituar”, tha ajo.
Ajo tregon se çdo javë pothuajse i pëlqen të eksplorojë natyrën dhe veçantitë e Shkodrës e më gjerë.
“Qyteti është monoton, është e nevojshme të dalësh për fundjavë. Shqipëria ka vende të bukura plot”, tha Shurdha.
Pasioni I saj për muralet, tashmë ka tërhequr edhe vëmendjen e bizneseve në Shkodër të cilët kontaktojnë Nermin Shurdhën për të zbukuruar ambientet e tyre dhe në këtë pikë zgjedh produkte 100 % shqiptare.
“Këtu tek ky lokal pronari më kërkoi të bëj një murale. Unë po bëj një lule të veçantë që quhet tulipani shqiptar dhe rritet vetëm në Kukës”, shtoi ajo.
Nermin Shurdha e sheh artin si një mënyrë për t’u arratisur nga realiteti dhe monotonia. Një gjë të tillë ua këshillon dhe të rinjve, që të mos qëndrojnë të mbyllur por të shprehin aftësitë e tyre, pse jo nëpërmjet artit. /shqiptarja/ KultPlus.com