Ekspozita e Neron Deshishkut, një bashkim i buzëqeshjes dhe vuajtjes

Një fotografi e një gruaje të mbuluar. Një tjetër, është një fëmijë që qan, në një ambient që qan bashkë me të prej zymtësisë dhe trishtimit. Një tjetër fotografi është e një vajze që shikon me vëmendje në aparat, sikur ka diçka t’i thotë atij.

Të gjitha fotografitë janë në hapësirën e bardhë të Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë. Neron Deshishku i ka nxjerrë me dorën e tij, me lensin e aparatit, në ekspozitën e cila u hap në Prishtinë, nën titullin ‘ICY’.

Ekspozitën e shpalli të hapur Vjosa Berisha – kryesuese e Qendrës Informative dhe Kulturore, duke treguar se për Neronin kjo ekspozitë vjen në momentin e duhur, pasi ai po e fillon mbarë një karrierë në këtë fushë dhe kësisoj do të stimulohet tutje për të punuar në këtë fushë.

Në natën e hapjes foli mes tjerash edhe Fahredin Spahija, fotograf i njohur.

Duke e quajtur Neronin si një emër që karakterizohet me një ndjeshmëri të theksuar për kapjen e imazheve që i vë rreth e rrotull tij, Spahija tha se Deshishku e dëshmon me këtë ekspozitë dhe këto momente të jetësuara përgjithmonë, se ka narracion fotografik shumë interesant dhe është një paralajmërim i zgjerimit të mozaikut të kulturës fotografike që i ka karakterizuar shqiptarët në retrospektivë.

Neroni, djalë i ri nga Prishtina, ka studiuar për një kohë në Paris ndërsa u kthye në Kosovë që ta vazhdojë pasionin e tij për fotografinë.

“Fotografitë janë realizuar dimrit, gjatë një aksioni me shoqëri, për të ndihmuar familjet në nevojë. Fotografitë tregojnë që edhepse këta njerëz janë të anashkaluar, ata janë të bukur, kanë krenari, pra jo gjithçka është depresion. Ka fëmijë që luajnë, gëzohen buzëqeshin, dhe unë kam dasht me i kap këto momente” tregon për KultPlus artisti.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 6 mars. / KultPlus.com

Ekspozita ‘ICY’ nga Neroni, me 20 shkurt në Prishtinë

Bashkimi Evropian në Kosovë gjithmonë ka ndihmuar në kulturën dhe artin e vendit, kësisoj duke përkrahur edhe artistët e rinj dhe vizionin e tyre.

Me datë 20 shkurt, duke filluar prej orës 19:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së do të hapet ekspozita ‘ICY’ nga Neron Deshishku.

Ekspozita e fotografisë sjellë disa punë artistike të Neronit ndër vite, fotografi të cilat Neroni me aparatin e tij i ka kapur në kohën dhe momentin e duhur duke përcjellë kësisoj emocionin e mishëruar në pamje vizuele. Për Neronin, fotografia si medium i shprehjes artistike mund ta ndryshojë mendimin tonë për botën, dhe perspektivën tonë mbi të.

https://www.instagram.com/p/BsRSat6nVP0/?utm_source=ig_web_copy_link

Neroni ka nisur të merret me fotografi qysh i vogël, i ndihmuar nga babai i tij, ndërsa ka eksperimentuar edhe me film, muzikë, poezi.

Fotografia më pas u bë mënyra e tij kryesore e shprehjes artistike. Nisur prej fytyrave të njerëzve, momenteve të mira, peizazheve të bukura, në këtë ekspozitë do të mund të zbuloni mbi sytë e Neronit që shkrihen në lensin e aparatit dhe dokumentojnë fotografi që mbesin përgjithmonë të printuara në kujtesë, shkruan KultPlus.

https://www.instagram.com/p/Bp70_YZndae/?utm_source=ig_web_copy_link

Në vitin 2018-të, Neroni ka diplomuar nga Speos Paris Photographic Institute. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BsK7S-GH2Eg/?utm_source=ig_web_copy_link