Për herë të parë me kompozime origjinale, “Prishtina Jazz Festival” rrëqeth audiencën e kryeqytetit

Era Berisha

“Prishtina Jazz Festival”, festivali më i madh i xhazit në vendin tonë mbrëmë ka shpalosë natën e parë për këtë edicion të ri. Kjo ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë ka përhapur mbrëmë një atmosferë të veçantë në kryeqytet dhe padyshim ka qenë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin t’i përjetojnë tingujt e meloditë e larmishme që përqafuan imtësitë e shpirtit të gjithsecilit, shkruan KultPlus.

Gjithsej pesëmbëdhjetë muzikantë kanë shkelur skenën në Teatrin Oda, për të shfaq një program të bukur me plot nëntë vepra që rrëshqitshin ëmbëlsisht një nga një në koncertin e dhënë për gati dy orë të plota. Diversiteti i instrumenteve ka qenë diçka fenomenale, e që ka dalë përtej të imagjinueshmes. Nga momenti në moment, gjithçka ndryshonte dhe të rrëmbente pa pikë mëshire, për të t’dhënë diçka që jo lehtë harrohet nga zemra e njeriut. Interpretuesit në anën tjetër, jepnin gjithçka nga vetja, dhe kjo dallohej sa herë që ata mbyllnin sytë dhe dukeshin sikur muzika po ia pushtonte qenien e tyre. Në disa momente, ata edhe ndërlidheshin nëpërmjet tingujve dhe i buzëqeshnin njëri-tjetrit, asisoj që të krijonte një përshtypje se muzika është ajo fija e mëndafshit që po i ndërlidhte pasionet e tyre në një shpërthim ritmik, sharmant e tejet unik.

Fillimisht, para se gjithçka të gjente fillin, në skenë doli aktori i njohur Alban Ukaj, i cili tha se festivali më i dashur për të, përherë do të mbetet “Prishtina Jazz Festival”.

“Jam një ndër ata aktorët që ka pasur gjithmonë ëndërr të bëhet muzicient, por se kam arrirë dhe jam bërë aktor. Dëshira ime e kamotshme ka qenë që ta bëj hapjen e festivalit të xhazit në Prishtinë dhe Xhaferi ma plotësoi atë. Unë gëzohem pa masë që ky festival e ka një vazhdimësi të vetin dhe gëzohem që festivalin po e organizon Armendi, me të cilin njihemi shumë gjatë. Herën e parë që kam shkuar në Sarajevë, ka qenë pikërisht me të dhe më kujtohet që rruga ka qenë shumë e gjatë, por ai flinte gjithmonë shumë. Ai më thoshte se pavarësisht nervozes, gjithmonë vjen koha për të fjetur. Ashtu është edhe muzika e xhazit. Duhesh me qenë i gjerë në mendime, me e dashtë atë në aspektin shpirtëror, për të bërë diçka të tillë. Unë e kam pasur fatin që shumicën e kohës të shoqërohesha më shumë me muzicientë e me pak me aktorë. Kur në Sarajevë nëpërmjet intervistave më pyesin se cili është festivali më i dashur, gjithmonë i them që është Prishtina Jazz Festival”, thotë ai.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se “Prishtina Jazz Festival” ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social, andaj dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës.

“Është nder për mua që sonte ndodhem këtu bashkë me ju dhe ta vazhdojmë traditën e zhanrit më demokratik në muzikë, në Kosovë, me këtë festival. Ky festival sjell një gjallëri dhe cilësi të shprehjes muzikore për pesë ditë të mbushura me performime dhe aktivitete. Xhazi ka lind në New Orleans dhe atje është zhvilluar përtej kufijve amerikanë duke iu falënderuar pionierit si Louis Armstrong, që ka sjellë një frymë të re. Meqenëse zgjerohesh përtej atje ku lind, nuk mbetesh i njëjti më asnjëherë. Në vitet e 60-ta, figura të ndryshme kanë përdorur xhazin për të drejtat civile për paqe në shtet. Në vitet e 70-ta e 80-ta, është dhënë një kontribut nga artistë të ndryshëm ku xhazin e kanë kthyer në simbol global të kualitetit artistik”, thotë ai.

Sipas tij, edhe në Kosovë, në vitet e 60-ta, elementet e xhazit janë interpretuar nga artistë si Abdurrahman Shala dhe këngëtarë të tjerë të njohur. Ai ka thënë se ky zhanër ka filluar të rritet dukshëm, duke iu falënderuar pionierëve si Sheki Hoxha dhe artistëve nga gjenerata e parë, ndërkaq intensiteti i xhazit në Kosovë është shumë zhvilluar pas luftës, veçanërisht në dekadën e parë me kontributin e “Prishtina Jazz Festival “që tashmë është bërë një vlerë identifikuese e muzikës në vend.

“Në këto edicione të këtij festivali, duhet të theksojmë se improvizimi xhaz na mëson të provojmë të jemi të rehatshëm në mos-rehati sepse rehatia na largon prej dëgjimit. Pjesëmarrja e orkestrës në ditën e parë të festivalit është një dëshmi e rëndësisë së xhazit për kulturën tonë. Ky festival ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës. Ftoj që qytetarët që për këto ditë të vijnë në këtë festival dhe të takojnë artistë nga Kosova dhe të huaj e të marrin pjesë në punëtoritë e festivalit. Urimet më të përzemërta për organizatorët e festivalit që mundësojnë bashkimin nëpërmjet muzikës”, përfundon Kurti.

Tutje, pas disa falënderimeve ndaj të pranishmëve dhe artistëve pjesëmarrës e po ashtu edhe shakave të cilat janë të njohura nga kitaristi dhe drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi, nisi koncerti fiks në orën 20:35.

Terri mbuloi vendin për disa sekonda, më pastaj reflektorët në ngjyrë vjollcë ishin ato që shoqëruan të pranishmit brenda hapësirës gjatë gjithë koncertit. Të vendosura në vende të përshtatshme pos njërës në qendër, ato ndihmuan që ne të shihnim nga afër gishtërinjtë që lëviznin si krahë të fluturës, frymëmarrjet e shumta, lëvizjet e kokave që ndjenin emocion e shumëçka tjetër.

“Albinox” (swing) dhe “Lanugo” për violinë me kompozim nga Visar Kuçi, “As Indikalastros”, “Ni sendviq t’shpise” për xhaz orkestër kompozuar nga Librun Jupolli, “Mantija” kompozuar nga Taulant Mehmeti, “Nji Lule”, “Winds of Suxhuk”, “Sharllabuzllat” e “Çaji rus”, ishin veprat që u shpalosën e që arritën të krijojnë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë, më e gjallëruar dhe krejt madhështore.

Veprat vinin në një kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, por ato njëra pas tjetrës vazhdonin të tejkalonin perfeksionin e dhuruar. Pothuajse të gjitha veprave iu bashkëngjitej instrumenti i parë elektrik në botë, teremin, e që kontrollohej nga kompozitori Librun Jupolli, i cili kishte një fokus të vazhdueshëm ndaj qasjes që e dhuronte dhe kjo e bënte koncertin akoma më të mrekullueshëm. Më pastaj, fronin e merrte vazhdimisht instrumenti i violinës që luhej nga violinisti Visar Kuçi, i cili me një qetësi të paparë dhuronte spektakël mahnitës. Është evidente se violina për të është hyjni në të cilën ai beson plotësisht. Tutje, kitarat elektronike në krye me Armend Xhaferin e Taulant Mehmetin, po elektrizoheshin nga çasti në çast dhe kjo pasonte nga dashuria e dëlirë që ata kanë për muzikën. Sytë e tyre shndritnin vazhdimisht teksa muzika përçonte emocione të llojllojshme.

Përgjatë gjithë koncertit, instrumentistët thuajse ia pasonin “topin” secilit me radhë. Në secilën vepër, mbi secilin instrumentist vihej një “dritë” që i bënte ata fokusin kryesor përgjatë disa minutave.

Armend Xhaferi, Raynald Colom, Daniel Nosig, Dukagjin Muhaxheri, Jure Pukl, John Cushing, Philip Yaeger, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Librun Jupolli, Taulant Mehmeti, Driton Bejta, Enver Maxhuni, Nesim Maxhuni, Enes Beu dhe Sam Levin, mbështollën natën e mbrëmshme si një strofull lirike ku secila notë të bënte të çmendeshe por edhe të qonte në “qiellin e shtatë”. Boritë e instrumentistëve lëshoheshin këndshëm në atmosferë duke krijuar shpërthime e kthesa të vazhdueshme me ç’rast rrahjet e zemrave sa vinin e shtoheshin. Çdo notë e saksofonit, sintit, trumbetës, baterive të hynte në brendësi dhe krijonte shtëpinë e vetë.

Nën fishkëllima, brohoritje të kohëpaskohshme dhe duartrokitje të shumta, përfundoi koncerti i parë i “Prishtina Jazz Festival”, e që do të vazhdojë deri më 18 nëntor.

Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi.

“Koncerti erdhi nën një kombinim të muzikantëve të Prishtinës dhe muzikantëve të huaj xhaz. Koncerti ka qenë një ide e jona për të krijuar një ansambël me veprat tona. Kësaj here vendosëm që kompozimet tona të jenë pjesë e këtij viti brenda orkestrës dhe ne kemi kontaktuar të gjithë shoqërinë tonë për këtë festival. Ka qenë një xhaz i kombinuar me folklorin tonë në një farë mënyre, pra kemi prezantuar atë se çfarë ne e kemi dëgjuar si fëmijë. Kryesisht, veprat tona janë ndryshe nga to, por ka elemente ngjashmërie. Këto vepra kanë fjetur shumë mirë në konceptin e bendit dhe në repertor. Është hera e parë që e kemi bërë këtë dhe po shpresoj që nuk është hera e fundit. Veprat vijnë të kompozuara nga unë, Taulant Mehmeti, Librun Jupolli dhe Visar Kuçi”, thotë ai.

Sipas tij, ka pasur akoma shumë vepra të tjera të kompozitorëve të tjerë që ishin dashur të luhen, mirëpo tani drejtimi i festivalit parashihet të eci në këtë frymë për të prezantuar muzikën shqiptare.

Po ashtu, violinisti Visar Kuçi për KultPlus ka shprehur emocionet e tij lidhur me paraqitjen e dy kompozimeve të tij.

“Në një farë mënyre më shumë përdoret violina elektrike në muzikën xhaz në këso lloj formacioni. Unë personalisht nuk luaj shumë shpesh në violinë në këto lloj projekte përveç nëse është diçka shumë e veçantë si sonte kur orkestra dhe të gjithë muzikantët i përkasin një niveli të jashtëzakonshëm, andaj edhe ka qenë shumë e përshtatshme me e përdorë violinën sonte. Mendoj që violina i ka dhënë një ngjyrë të veçantë komplet programit, momente-momente. Kur muzikantët i ke të mirë përreth atëherë krijohet një platformë ku edhe ti vetë personalisht shkëlqen, prandaj ishin edhe disa momente shumë të bukura gjatë koncertit. Komplet programi ka qenë me muzikë origjinale, ku dy nga to ishin kompozime të mia. Njëra ka qenë me ritme tradicionale shqiptare/ballkanike, dhe në një moment e kam cituar edhe një temë të njohur popullore, ndërsa tjetra ka qenë e vetmja vepër që erdhi si pardoi e xhazit swing”, thotë Kuçi.

Kujtojmë që nesër (16 nëntor), vjen koncerti i radhës me Erkand Morinën, Xavier Nikçin, Hugo Rehman Langemarnin duke filluar nga ora 20:00, pastaj pason bendi i Raynald Colomit duke filluar nga ora 21:30./ KultPlus.com

Nesim Maxhuni në ndihmë të bateristëve të rinjë, do t’i zgjedhë pesë prej tyre për mësim pa pagesë

Nesim Maxhuni rikthehet përsëri me mësime private të baterive, pa pagesë dhe pa kompenzim duke zgjedhur kështu gjithsej 5 bateristë, për të punuar intesivisht me ta, përcjell KultPlus.

Pas ndërprerjes së mësimeve për shkak të ngarkesave me projekte, në biznes si dhe ato familjare, artisti ka bërë të ditur se tashmë do t’i përkushtohet mësimit të baterive duke filluar nga dita e hënë.

Maxhuni e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetin social Facebook duke theksuar se e gjitha kjo vie si pasojë e dashurisë së tij për t’iu rikthyer përsëri instrumentit në një kohë të tillë dhe për faktin se dëshiron të sjellë një gjeneratë të re të cilët kanë mundësi të përparojnë tutje edhe më shumë.

Bashkangjitur gjeni statusin e plotë të Maxhunit. / KultPlus.com

Te dashtun bateriste (drummers) // muziciente, Shumica prej jush e dini qe para disa viteve i kom nderpre “drum…

Posted by Nesim Maxhuni on Thursday, April 8, 2021

Në edicionin e tretë të “Prishtina Jazz Week”, emra të mëdhenj botërorë dhe laramani e stileve të muzikës

Bujar Meholli

Ishte fundi i viteve ’50 kur Miles Davis doli në skenë me albumin e tij “Birth of the cool”, i cili përmbysi çdo skemë e model muzikor. Kështu, nisi t’i kushtohet vëmendje më shumë kësaj muzike, këtij zhanri të quajtur xhaz.

Jack Kerouac, shkrimtari amerikan, është padyshim njëri ndër më meritorët që xhazi shpërtheu duke u shtrirë anembanë botës. Është romani “On the road” i Kerouac-it, i botuar në vitin ‘57, prej nga lindi edhe Beat Generation, pra ky roman u bë manifest i kësaj lëvizjeje, artistët e së cilës në parim gjithçka kërkonin qe liria. E, xhazi nuk është tjetër veçse një mënyrë krejt e lirë për t’u shprehur në një instrument.

Në këtë roman përshkruhen aq bukur ambientet e klubeve amerikane të asaj kohe ku luhej xhaz gjer në agim, ata artistë, mes së cilëve edhe vetë Kerouac, ndiqnin pareshtur lirinë, lirinë e të shprehurit në art. Të gjithë performuesit e xhazit të asaj kohe, Kerouac, do t’i skalis në tekst, do t’i përjetësoi me stilin e tij spontan. Miles Davis dhe performues të tjerë e pranojnë se ky roman kishte arritur ta tërheq vëmendjen për xhazin. Stili i Kerouac-it u ndikua nga muzika bop, bluz dhe xhaz, ndërsa edhe procesi i shkrimit të tij është krejt impulsiv dhe intuitiv.

Xhazi, si zhanër muzikor, përpos që është instiktiv, ka lindur si një largim apo ikje nga realiteti. Pra, kur sheh disa muzikantë teksa performojnë xhaz, ata thjeshtë ikin nga racionalja dhe nisen drejt spontanitetit, drejt shpërfaqjes së shpirtit të lirë, pa shpengime, përmes tingujve.

Kosova, duke qenë vend i vogël, ndër vite ka prodhuar instrumentistë të xhazit mjaft të suksesshëm, madje të cilët kanë arritur të depërtojnë edhe në arenën ndërkombëtare.

Por, si qëndron muzika xhaz brenda hapësirave shqiptare? A e ka një audiencë të zgjedhur, pra, një target, apo interesimi për xhazin po rritet vazhdimisht?

“Prishtina Jazz Week” është festivali më i madh i xhazit në vendin tonë. Objektivi kryesor i këtij festivali është afirmimi i xhazit, gjegjësisht krijimi i një atmosfere xhaz në kryeqytetin kosovar përgjatë ditëve sa zgjatë.

Këtë vit, ky festival po e mban edicionin e tretë, i cili siç shihet, është më i pasuri, rrjedhimisht më i kompletuari nga dy të parët.

Nesim Maxhuni, baterist xhazi dhe udhëheqës i festivalit, flet për gazetën KultPlus, duke treguar për lexuesit mbarëvajtjen e festivalit, prurjet, mbështetjet, vështirësitë, dhe vizionin e ardhshëm të festivalit.

“Jemi të kënaqur me ecurinë e festivalit. Sonte është nata e tretë me një bend nga Nju-Jorku, edhe në dy netët e mëhershme ka qenë publiku fantastik, biletat janë shitë të gjitha dhe tashmë veçse është krijuar njëfarë edukate. Publiku po qëndron deri në fund të koncertit, pra deri më tani gjithçka është perfekt”, shprehet Maxhuni për KultPlus.

“Prishtina Jazz Week 2020” ka sjellë në Prishtinë disa nga emrat më të njohur të skenës aktuale të xhazit. Në kuadër të festivalit, janë paraparë që sot të fillojnë edhe punëtoritë për ata që duan të marrin mësim xhazi.

“Punëtoritë do të fillojnë sot, do t’i kemi katër punëtori dhe presim që të shkojnë mirë sikurse edhe herëve tjera”.

“Në këtë edicion kemi vendos t’i mbajmë pesë koncerte në mënyrë që ta zgjerojmë festivalin dhe të ketë sa më shumë punëtori dhe jam session, që muzikantë e rinj të kenë sa më shumë kontakte, dhe mendojmë të arrijmë, pse jo, deri në gjashtë koncerte”, thotë ai duke theksuar se nëse do të ketë përkrahje edhe nga institucionet tjera përveç Komunës së Prishtinës, do ta përmbushin tërë javën me xhaz.

“Nëse do të kemi mbështetje nga institucionet tjera, përveç Komunës së Prishtinës, pse mos ta shtojmë edhe një natë dhe ta përmbushim javën me xhaz”.

Edicioni i tretë filloi me xhaz vokalisten Nikoletta Szőke Quartet & Kristóf Bacsó nga Hungaria, duke vazhduar me kompozitoren Elif Çağlar dhe bendin e saj nga Turqia, ndërsa sonte dhe nesër mbrëma do të performojnë Marcos Varela Trio dhe Broken Circles & Joel Ross. Për Maxhunin, veçantia e këtij edicioni janë emrat që kanë zbarkuar në Prishtinë, si dhe laramania e stileve.

“Ky edicion ka veçanti emrat e mëdhenj botërorë dhe laramanitë e stileve të muzikës, ka xhaz me vokal, pa vokal, free xhaz dhe në fund Big Band që është shumë i rëndësishëm dhe e kompleton festivalin”, thotë ai, derisa flet për përshtypjen e artistëve të huaj.

“Përshtypja e xhezerëve në Kosovë është shumë e mirë, ata e kanë një mikpritje të jashtëzakonshme këtu dhe shohin potencial te talentët e rinj me të cilët mund të bashkëpunojnë. Falë këtij festivali edhe unë kam arritur që të incizoj me muzikantë prej Nju-Jorkut dhe vendeve tjera të botës” tregon ai.

I pyetur se si e sheh skenën xhaz brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare, Maxhuni thotë se është paksa mbrapa në krahasim me vendet tjera.

“Skenën e muzikës xhaz, personalisht e shoh mbrapa në krahasim me vendet e rajonit, ndërsa në krahasim me vendet e botës shumë më mbrapa. Megjithatë, në krahasim me dekadën e kaluar jemi më mirë sepse janë bërë disa albume, vërehet se në dekadën e fundit ka një përparim por nëse krahasohemi me këdo, jemi ende shumë mbrapa, prandaj po përpiqemi që përmes festivaleve ta zhvillojmë dhe ta rrisim skenën” shprehet ai duke potencuar se ka njerëz gjenial nëpër botë që po e ndryshojnë xhazin.

“Nuk jam njeri kompetent të krahasoj dhe të them se a ka njerëz si Dizzy Gillespie apo Charlie Parker sepse është vështirë të ketë impakt të tillë në shoqëri tani, por mund të them se ka njerëz gjenialë që janë duke e ndryshuar xhazin, e megjithatë s’jam kompetent që t’i krahasoj me ta”, përfundon Maxhuni.

Edhe ky edicion i “Prishtina Jazz Week” ka arritur ta sjellë një atmosferë të këndshme në kryeqytet me tingujt xhaz, me zbarkimin e emrave të njohur botërorë të këtij zhanri si dhe me krijimin e mundësive për të mësuar xhaz gjeneratat e reja. /KultPlus.com

Vjen edicioni i parë i “Prishtina Jazz Week”

Në Prishtinë 5, 6 dhe 7 marsi do i takojnë muzikës jazz, e cila do të mirëpres edicionin e parë të Prishtina Jazz Week, të udhëhequr nga muzikanti kosovar, Nesim Maxhuni, mbështetur nga Komuna e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Prishtina Jazz Week do të mbahet në amfiteatrin e ASK-së në zemër të qytetit, dhe parasheh tre net të muzikës Jazz, përfshirë dy bende të mëdha nga SHBA dhe Britania e Madhe, dhe vetë Nesim Maxhuni.

“Në ditët e sodit, të ngulfatur nga plastika, bukuria e artit live kurrë nuk ka qenë më e dashur se sa që është tash. Nga Teatri në Vallëzim, nga Klasika në Jazz. Këtë herë, Kult____Urë ka vendos ta festoj Jazz-in dhe pasurinë artistike të tij. Jazz-i është i lidhur ngushtë me jetë. Për me mbijetu, adaptohet. Për me dal në pah, improvizon. Bukuria e improvizimit është sinonim i Jazz-it. Kurrë nuk e din se çka ka mbas. Disa plus e definojnë si performanca më e paparashikueshme e artit që ekziston. Tingujt e instrumenteve të qojnë në vende që s’ke qenë kurrë më parë”, shkruhet në njoftim.

Tutje tregohet se edicioni i pare i festivalit është njëra nga shumë festivalet e planifikuara në të ardhmen, ku zemrat e fansave të Jazz dhe të rinjve po ashtu, do bashkohen për një javë me një pasuri plotë tinguj të paparashikueshëm, që refuzon të largohet nga froni si shtresa më e lartë e muzikës botërore.

Ky është programi i plotë:
Më 5 Mars, Jure Pukl ‘Doubtless’ feat. Philip Dizack
Jure Pukl – Saksofon (SL/US)
Philip Dizack – borinë (US)
Joe Sanders – bass (US)
Gregory Hutchinson – bateri (US)
Doubtless i Jure Pukl është një projekt i ri që vjen në CD dhe Vinyl në mbarë botën në Whirlwind Records nga Londra, në Maj 2018. Fillimisht, Melissa Aldana luan në rekord së bashku me Jure, Joe dhe Gregory. Për koncertin e Prishtinës, Jure do të zëvendësojë saksofonin e Aldannës, me borinë e luajtur nga I madhi Filip Dizaki. Vetë emri tashmë tregon se çfarë është ky grup: besimi, barazia, respekti, me theks mbi transparencën dhe lirinë. Muzikë plot energji, kthesa, emocione dhe ngjyra.

Më 6 Mars, Joe Sanders ‘Infinity’
Joe Sanders – bass/kompozicione/koncept (US)
Philip Dizack – borinë (US)
Jure Pukl – saksofon (SL/US)
Marko Črnčec – piano (SL/US)
Gregory Hutchinson – bateri (US)
Special guest: Emilia Martensson – vokaliste (UK)
Joe Sanders; Infinity është një koleksion i individëve me mendje të njëjtë të cilët mishërojnë nocionin e lirisë dhe përjetësisë, ndërsa në të njëjtën kohë mbajnë qëndrueshmërinë ndaj historisë dhe momentit aktual të xhazit. Në shtator të vitit 2017 Joe lëshoi albumin e tij të dytë me titull “Humanity”; titulli, imazhet dhe muzika punojnë në marrëdhënie për të ndriçuar idenë e shikimit dhe trajtimit të njëri-tjetrit si njerëzor, pavarësisht nga ngjyra, besimi ose feja.

Më 7 Mars, Nexim Maxhuni “Homecoming”
Nesim Maxhuni – bateri/koncept (KS)
Jure Pukl – saksofon (SL/US)
Marko Črnčec – piano (SL/US)
Armend Xhaferi – gitare (KS)
Kiril Tufekcievski – bass (MK)
Special guest: Ilir Bajri – piano (KS)
Special guest: Visar Kuçi – gitare (KS)
Projekti ‘Homecoming’ i Nesim Maxhuni është një reflektim i jetës së Maxhuni dhe përvojat që e kanë përcaktuar udhëtimin e tij mbi këtë tokë. Kënga ‘Homecoming’, nga e cila albumi merr emrin e saj, i është kushtuar ndjenjës së Maxhunit kur u kthye në Kosovë pas luftës për të gjetur një vend të shkatërruar, por edhe pjellor për shpresë dhe jetë të re. Albumi u regjistrua në 2016 në Prishtinë dhe përfshin bashkëpunimin e muzikantëve të shquar të xhazit nga skena muzikore e xhazit të Nju Jorkut me muzikantët e xhazit nga Kosova dhe nga rajoni. Duke mundësuar bashkëpunime të tilla, projekti shërbeu për të ndërtuar ura të mbështetjes së ndërsjellë dhe bashkëpunimit midis muzikantëve kosovarë nga njëra anë dhe muzikantëve globalë nga ana tjetër, ndërkohë që grupi i muzikantëve ndërkombëtarë të xhazit që vijnë për të performuar si pjesë e ‘Winter Prishtina Java Jazz ‘e themeluar nga Maxhuni janë dëshmi se vepra të tilla bashkëpunuese mund të sjellin rezultate konkrete./ KultPlus.com