Shkrimtarja nga Kosova, Blerina Rogova Gaxha në eventin “Netët korçare të poezisë” u nderua me çmimin “Asdreni”.
“Netët korçare të poezisë”, një aktivitet kulturor i përvitshëm është zhvilluar këtë fundjavë në edicionin e tij të 27-të në qytetin e Korçës. Mbi 30 poetë dhe shkrimtarë të spikatur nga të gjitha trevat shqiptare por edhe nga vende të ndryshme të botës i janë bashkuar këtij aktiviteti të madh që realizohet pas dy vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë.
Në natën e parë të këtij festivali janë recituar poezitë përshëndetëse nga poetët pjesëmarrës në bibliotekën e qytetit Thimi Mitko. Netët Korçare të Poezisë që kanë rrugëtuar në një periudhë të gjatë në qytetin e Korçës, e kthejnë këtë qytet në qendrën e lirikës korçare, një aktivitet që ka marrë nga viti në vit një dimension më të gjerë edhe për poetët nga diaspora, të cilët e shohin si një vendtakim për krijuesit.
Sipas ritualit, në prani të të ftuarve, në lulishten ‘Vangjush Mio’ të qytetit të Korçës, aty ku blerojnë edhe pemë të tjera që i përkasin poetëve u mboll edhe këtë vit “pema e poezisë”. / KultPlus.com