Numri i abonentëve të rrjetit global televiziv të internetit Netflix është rritur me më shumë se 8 milionë në tremujorin e dytë të këtij viti, transmeton Anadolu.
Netflix ka publikuar bilancin e tremujorit të dytë të këtij viti.
Sipas kësaj, të ardhurat e kompanisë u rritën me rreth 17 për qind në tremujorin e dytë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 9,6 miliardë dollarë. Të ardhurat e kompanisë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin 8,2 miliardë dollarë.
Fitimi neto i kompanisë arriti në 2,1 miliardë dollarë në tremujorin e dytë, një rritje prej rreth 44 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimi neto i Netflix-it në tremujorin e dytë të vitit të kaluar ishte 1,5 miliard dollarë.
Edhe fitimet e kompanisë për aksion u rritën, duke shënuar një ngritje nga 3,29 dollarë në 4,88 dollarë.
Numri i abonentëve të Netflix u rrit me 8,05 milionë në tremujorin e dytë të vitit. Numri i abonentëve të kompanisë në mbarë botën u rrit me 16,5 për qind në bazë vjetore, duke arritur në 277,65 milionë.
Duke shpallur parashikimet për tremujorin e tretë të vitit, Netflix njoftoi se pret që të ardhurat e tij të jenë 9,7 miliardë dollarë dhe fitimi neto të jetë afërsisht 2,2 miliardë dollarë./KultPlus.com
Netflix është duke u përgatitur që të vërë në dispozicion të abonentëve të tij, që është një seri e bazuar në romanin “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel García Márquez.
Në rrjet është publikuar traileri para disa ditësh, duke ofruar një vështrim të parë për serialin, ndërsa data e premierës do të bëhet publike së shpejti.
Personazhet qendrore të veprës ikonike të Márquez-it janë anëtarët e familjes Buendía, të cilët narratori i ndjek duke përshkruar histori të çuditshme dhe fantastike nga jeta e secilit. Historia, duke rrëfyer mendime dhe incidente logjike, është e pushtuar nga elementi i absurdit, por edhe nga elementët e një përralle.
Njëqind vjet vetmi është drejtuar nga Alex García López dhe Laura Mora. Kasti përfshin aktorët Claudio Cataño, Jerónimo Barón, Marco González, Susana Morales, Ella Becerra, Carlos Suaréz, Moreno Borja, Santiago Vásquez./KultPlus.com
Ministrja e Kulturës greke, ka kritikuar një dramë-dokumentar të Netflix për Aleksandrin e Madh si “fiction jashtëzakonisht me cilësi të dobët” dhe “përmbajtje të ulët, të mbushur me pasaktësi historike”.
Komentet e Lina Mendonit për Aleksandrin, ”The Making of a God” vijnë në mes të një buje për përshkrimin e një marrëdhënie romantike në shfaqje midis Aleksandrit të Madh dhe të besuarit dhe mikut të tij Hephaestion, përcjell klankosova.tv.
Në Greqi, një opinion në Eleftheros Typos e quajti shfaqjen “një shtrembërim të së vërtetës” dhe fajësoi filmin Alexander të vitit 2004 të Oliver Stone për fillimin e “një fushate propagandistike rreth homoseksualitetit të Aleksandrit”.
Dimitris Natsiou, presidenti i partisë politike kristiane ortodokse, të ekstremit të djathtë Niki, e quajti serialin “të mjerueshëm, të papranueshëm dhe johistorik” dhe tha se synonte “të përçonte nënkuptueshëm nocionin se homoseksualiteti ishte i pranueshëm në kohët e lashta, një element që nuk ka bazë”.
I pyetur në parlament në lidhje me shfaqjen e Natsiou, siç shkruan The Guardian, Mendoni tha se ai ishte “i mbushur me pasaktësi historike, duke demonstruar shkujdesjen dhe varfërinë e skenarit të regjisorit”.
Në lidhje me përshkrimin në emision të marrëdhënies mes Aleksandrit dhe Hefestionit, Mendoni tha: “Nuk përmendet në burime se ajo shkon përtej kufijve të miqësisë, siç përcaktohet nga Aristoteli.
“Por do ta dini se koncepti i dashurisë në lashtësi është i gjerë dhe shumëdimensional. Ne nuk mund të interpretojmë as praktikat dhe as personat që kanë vepruar 2300 vjet më parë me masat tona, normat dhe supozimet tona. Aleksandri i Madh, për 2300 vjet, nuk ka pasur kurrë nevojë dhe as tani, ndërhyrja e ndonjë mbrojtësi të pakërkuar të kujtesës së tij historike apo, aq më tepër, të personalitetit dhe të pozitës së tij morale”./klankosova/ KultPlus.com
Lindur në Shqipëri, jeta e aktorit Kasem Hoxha, do të ndryshonte rrënjësisht pas eksodit të vitit 1990 kur ai detyrohet të shpërngulet në Gjermani. Jeta në një vend tërësisht të huaj e përballi me sfida e vështirësi, por njëkohësisht, hapi edhe derën më të madhe që ai kishte ëndërruar ndonjëherë, atë të aktrimit, shkruan KultPlus.
Pas një periudhe të shoqëruar me sfida dhe punë të palodhshme, Kasem Hoxha arriti të bëhet një figurë e dalluar në botën e aktrimit, fillimisht në Gjermani e më pas edhe më tutje. Por, për të arritur deri këtu, Hoxha u detyrua të kalojë muret e larta të një sistemi të huaj dhe komplet ndryshe. Megjithatë me vullnet të hekurt, zell, disiplinë dhe karakter shqiptari, ai arriti të përmbushë ëndrrën e tij të bëhej një aktor ndërkombëtar.
Përballur me kufijtë e moshës dhe rregullat e rrepta të shkollave të arteve dramatike gjermane, Kasem Hoxha është një prej shembujve më bindës se pavarësisht të gjitha barrierave, me punë, dashuri e përkushtim mund të arrini gjithçka.
Ndonëse për shkak të shumë rrethanave, rrugën e aktrimit ai nisi në moshën 31-vjeçare, karriera e Kasem Hoxhës tani numëron me qindra filma e seriale të njohur, shumë prej tyre të transmetuara edhe në Netflix, Amazon Prime, Disneyland, Channel+ e shumë të tjera, platforma këto të dëshiruara edhe për aktorët më të njohur në gjithë botën.
Për vështirësitë e adaptimit në një vend të huaj, këmbënguljet për t’u bërë aktor, e deri të sukseset e mëdha në platformat globale, aktori i mirënjohur Kasem Hoxha i ka shpalosur në një intervistë në KultPlus.
KultPlus: Të flasim fillimisht për jetën tuaj, ju u larguat gjatë vitit 1990 pas eksodit në Shqipëri, na flisni për sfidat dhe vështirësitë e emigrimit tuaj në Gjermani dhe jetën që ju priti atje.
Kasem Hoxha: Sigurisht që ka qenë një rrugëtim plot sfida dhe aspak i lehtë. Dua te theksoj këtu, për vetë faktin, qe ne po vinim nga nje regjim post-diktatorial, ku asgjë nuk lejohej në kontakt që kishte lidhje me perëndimin. Kjo e vështiresonte deri në ekstrem ekzistencën dhe rrugëtimin tonë në një vend për ne komplet i panjohur dhe dëgjuar më parë, si Gjermania. Por falë vullnetit të hekurt, zellit të pa krahasuar, disiplines së rreptë, moralit si dhe karakterit tonë të një shqiptari, arritëm jo vetëm t’i perballojmë sfidat nga më të vështirat që hasëm në jetë, por madje edhe t’i sfidojmë ato. Shqiptarët kanë spikatur dhe arritur suksese të jashtëzakonshme në fusha nga më të ndyshmet. Ndjehem shumë krenar për shqiptarët tanë të suksesshëm!
KultPlus: Sigurisht të bësh një karrierë në një vend të huaj është më e vështirë se sa në vendin ku ti ke lindur, na flisni për fillimet tuaja në aktrim si erdhi deri tek përfshirja juaj në këtë fushë, e keni pasur ëndërr gjithmonë apo është diçka që ka ardhë me kohën?
Kasem Hoxha: Sigurisht që është tejet e vështirë të arrish atë që ti ke ëndërruar gjithmonë në jeten tende, në një vend të huaj. Këtu dua të theksoj, që ëndrra vazhdon ende sepse ka akoma dhe shume punë per të bere. Por me shumë punë dhe këmbëngulje, si edhe i bindur dhe i vendosur në atë që ti do, çdo gjë realizohet.
Gjuha gjermane ka qenë gjithmonë “thembra e akilit” për mua pasi si gjuhë është tepër e vështirë të na përshtatet. Kjo edhe sepse unë erdha në Gjermani në një moshë të madhe. Krahas shkolles së artit për dramë dhe teatër, i kisha vënë detyrë vetes, të merja pjesë edhe në seminare dhe punëtori të ndryshme për aktrim siç kanë qenë: Sense Memory, Method Acting, Meisner-Technik, Lee-Straberg & Stanislaëski – Methode, Acting bevore camera, por sigurisht që kerkoja profesorë dhe doajenë të kesaj fushe me përvojë dhe dije internacionale, më teknikë të re për aktrim! Une e dija shumë mirë, që si i huaj në një vend të huaj, ti duhet të japësh më shumë se një vendas, ti duhet të punosh më shumë se ata, doja të isha aq mirë i përgatitur, që kur të më jepej rasti për ndonjë rol, mos ta kishin të lehtë të më refuzonin, pra po ua bëja jetën “sa më të vështirë”.
Erdhi një kohë, që 24 orë në ditë nuk më mjaftonin, per atë qe unë doja të arrija, e ndjeja që kisha shumë kohë për të rikuperuar, nuk isha në momentin e duhur, në kohën e duhur, në moshën e duhur, por isha mbi të dyja këto, kjo e vështiresonte edhe më tepër të pranohesha në ndonjë shkolle arti. Mendoni që në shkollat e artit të aprovuara nga shteti gjerman, aplikimi tek ato lejohej deri në moshën 26 vjeç për meshkuj dhe 24 vjeç për femra e une isha atëherë 31 vjeç. E kuptoni tani sa punë bindëse duhej nga ana ime, që përgjegjësit e shkollave prapë se prapë mbi moshës time për t’u pranuar në shkollën e artit, të mos e kishin më të lehtë të më refuzonin dhe për fat të mirë ashtu shkuan gjërat, më pranuan me një leje të veçantë nga ministria e kulturës gjermane. Falë edhe këmbënguljes së drejtorit të shkollës së atëhershme, Torten Stoll.
KultPlus: Sa kanë qenë të vështira fillimet e tua në këtë industri, a mund të na flisni më shumë për sfidat në të cilat keni kaluar?
Kasem Hoxha: Fillimet apo hapat e para, kanë qenë totalisht një sfidë po aq e madhe. Pasi mbarova shkollën, nuk isha aspak i vetëdijshëm, që tani unë jam aktor dhe dyert janë të hapura për mua, sepse siç e përmenda edhe më siper, nuk të bën aktor vetëm se ke një diplomë në xhep, por duhet shumë punë, pikërisht pasi ke mbaruar shkollën. Aty nis rrugëtimi, çdo gjë nis pothujase nga A-ja sërish! Me dukej tepër e vështirë të fusja këmbë në industrinë e filmit gjerman si edhe internacional. Sigurisht edhe për vetë faktin, qe isha jo gjerman. Duhet të dini që Gjermania ka pasur një publik shumë konservativ, në krahasim me atë të sotmin, ku çdo gjë peshohej në detaje ekstreme, kjo përbënte rrezik, që ti si aktor të përfundoje në nje ‘sirtar-klisheje’ ku vetëm për role negative të angazhonin. Këtë unë nuk e doja, sigurisht qe edhe ato role janë shumë të bukura dhe tejet sfiduese, mirëpo unë nuk doja që pikërisht sepse isha i huaj dhe kisha theks të luaja vetëm këto role! Pra do të duhej sërish edhe më shumë punë për të kaluar këto vështirësi ku duhej të pozicionohesha sa më bindshëm dhe me sukses në një vend të huaj, dhe aq më e veshtirë në fusha të tilla siç është arti, por ketu mendoj edhe per Shqiptare te tjere ndoshta edhe nga Sporti apo edhe fusha te tjera, qe do ta kene pasuar pak a shume po aq te veshtire. Por po qendroj ne fushen ku une tashme jame i etabluar, pra krahas gjuhes qe duhej ne menyre perfekte dhe mundesisht pa theks fare (gje qe ka qene dhe do te jete e veshtire, ta heq komplet, pasi vete gjuha Gjermane, ka nje tonacion komplet ndryshe nga ajo e jona shqiptare), veshtiresi te tjera ju shtuan edhe qe duhej perkrahje, pra te kishe nje agjent, apo te ishe pjestar i disa instuticioneve te rendesishme per ne si aktor, dhe ne te dyja rastet ka qene nje pune extreme po ne vete, per ti arritur edhe keto, pasi pa keto te dyja, do te duhej fat shum i madh apo një rastesi e veçantë, per t’u pranuar këtu në fushën e artit. Tek unë ka qenë një deshirë klasike, të cilën e kam pasur qysh në fëmijëri, ëndrra per t’u bërë aktor edhe pse shanset në Shqipëri për mua ishin të shumëzuara me zero. Pra duhej të ndodhte shumë në jetën time, që të arrija aty ku unë jam sot dhe kjo më gëzon shumë, por me plot vetëdije që duhet edhe më shumë punë per ta mbajtur atë që kam arritur dhe jo vetem kaq, por edhe per t’u përmirësuar vazhdimisht në fushën time, pasi puna për artin nuk ka limite apo kufij, ajo është gjithmonë një proces në zhvillim. Sot gëzoj një respekt dhe mirënjohje në fushën e artit, më lumturon por edhe me bën krenar që jam edhe anëtar i akademisë kinematografike gjermane, jo e lehtë kjo per t’u pranuar, pasi ka disa kritere të forta qe duhen plotësuar. Anëtarësi që lakmohet jo vetëm nga aktorët por edhe nga të gjithë filmëbërësit në përgjithësi, producentë, distributorë e të tjerë.
KultPlus: Të flasim edhe për filmat që transmetohen në Netflix dhe që ju keni marrë pjesë, sa ka ndikuar në zhvillimin e karrierës tuaj pjesëmarrja në këta filma, a mendoni se ka pasur një peshë të madhe?
Kasem Hoxha: Pjesëmarrja në Netflix apo platforma të tjera si Amazon Prime, Apple-Tv, SKY, Disneyland, Chanel+ e shumë të tjera ku une tashmë pothujase për te gjitha këto kam qenë dhe jam i angazhuar, të ndihmojnë për një publik më të gjerë internacional, por që kurrë nuk e zëvendesojnë kinemanë si nga kualiteti por edhe nga publiku që frekuenton magjinë e kinemasë! Por të themi, që kanë ndikuar për të qenë shumë më shpesh i angazhuar në fushën e filmit sesa më parë.
KultPlus: Ju keni qenë pjesë e shumë filmave dhe serialeve përfshirë këtu: Split Homicide, Tatort, Rohbau, Nji Prej Nesh, Bonnie & Bonnie, Professor T, The Albanian Virgin, Skylines e shumë e shumë të tjerë. Cili prej roleve në filmat që ju keni luajtur ju kanë pëlqyer më shumë?
Kasem Hoxha: Rolet janë te gjitha sfida për aktorin, ështe si të thuash kur te pyesin si në pyetjen tuaj këtu, shumë e veshtirë ta veçoja, pasi të gjitha rolet më duken si ata miqtë e shumtë, pavarësisht nga karakteret e tyre, negativ apo pozitiv, por që të gjithë prapë se prapë jane miqtë e mië, ku me të gjithe kam fatin t’i përjetoj se si funksionojnë dhe cfarë ata përjetojnë me mua, kur unë i vë në jetë. Diku më pëlqen roli i babait, diku i atij policor, por edhe i ndonje gangsteri apo rol-aksion, komedi, prandaj nuk kam një rol por qe skam të them se është ky 100% dhe pikë.
KultPlus: Rolet e tua përfshijnë filma të zhanreve të ndryshme, përfshirë këtu edhe filma shqiptarë dhe të huaj. Cili është zhanri i filmave në të cilin ju keni më shumë dëshirë të merrni pjesë?
Kasem Hoxha: Edhe këtu mendoj se do të përgjigjesha po njëlloj, megjithatë mendoj se dua të veçoj më shumë zhanrin thriller, më pëlqen ky zhanër, aktroj me dëshirë për filma të tillë por edhe i shikoj edhe vetë me kënaqesi filma të këtij zhanri. Është zhanër që të mban të mbërthyer deri në fund dhe kur ti mendon që e ke gjetur ‘çelësin’ e historisë, pikerisht aty mbase gabon.
KultPlus: Ju keni qenë pjesë e filmit ‘One of us’ përkrah aktorit tjetër shqiptar Alban Ukaj, një tjetër aktor po ashtu i suksesshëm, na e përshkruani punën me Ukajn gjatë realizimit të filmit?
Kasem Hoxha: Une mendoj dhe besoj se nuk gaboj në atë që them, Alban Ukaj është një aktor brilant. Aktorët si Alban Ukaj janë thjesht një pasuri për të gjitha trevat shqiptare. Unë e kam shijuar shumë punën me Albanin, si edhe me regjisorin e filmit, Ergys Meta, së bashku por edhe me të gjithe kastin brilant, ku gjithashtu dua të theksoj edhe punën e mrekullueshme të të gjithë ekipit të filmit, të mendosh këtu edhe vështirësite që sillte ajo kohë, siç ishte ballafaqimi me pandeminë. Por ja dolëm dhe e kemi harmonizuar në mënyrë përfekte. Albani më është bërë përveç se një koleg i mrekullueshem, por edhe nje mik zemre i vërtetë. I uroj atij vetëm mbarësi dhe suksese kudo qe është i angazhuar.
KultPlus: A mund të na zbuloni projektet në të cilat po punoni tani, nëse mund të na ndani ndonjë detaj për lexuesit?
Kasem Hoxha: Sigurisht! Sapo mbyllem xhirimet për sezonin e parë me tetë episode të komedisë së zezë gjermane ‘ACHTSAM MORDEN’ që do të jetë për Netflix Ëorld, sezonet dy dhe tre do t’i xhirojmë vitin që vjen. Por gjithashtu paralel mbyllëm edhe nje serial po me tetë episode për kanalet franceze, angleze si dhe gjermane, pra ishte nje kooperim midis tre shteteve. Gjithashtu u mbyll me sukses sezoni i parë me gjashtë episode per Amazone Prime, për të cilin, do të vazhdojmë vitin tjetër xhirimet edhe për të realizuar edhe sezonin e dytë. Tani kemi pushimet dimërore dhe pasi të kalojë edhe berlinale 2024 do të fillojmë menjëherë me xhirimet e radhës. Viti 2024 do të jetë me minimum tetë projekte filmash e serialesh.
KultPlus: Si e shihni tani potencialin dhe nivelin e filmave shqiptarë, përfshirë këtu filmat që janë prodhuar së fundi edhe në Kosovë edhe në Shqipëri?
Kasem Hoxha: Filmat shqiptarë në përgjithësi, që janë prodhuar në Kosovë apo Shqipëri, janë filma me potencial të formateve internacionale. Kemi filmëbërës të mrekullueshem në përgjithësi, ketu e theksoj për te gjitha departamentet. Fatkeqësisht filmin shqiptar e pengon vetem një ‘armik’ i vetem, ai financiar. Pa financim te rregullt, ndjehet kudo rënia e kualitetit, sepse ato janë të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën. Per fat nuk mungon dashuria, puna dhe sakrifica si edhe historitë për të bërë filma të mirë, por edhe vetëm dashuria dhe sakrifica për filmin nuk mjafton, të paktën për afat të gjate. Shpesh herë ve re, ose te themi më mirë ndodh që filmat përfundojnë në ‘sirtarët’ e produksioneve, pasi mungon financa për PR, për të gjetur distributorët, një motor shtytës ky shumë i rëndësishëm për ta bërë një film sa më shumë të njohur dhe tërheqës për publikun dashamirës vendor dhe ndërkombëtar. Është si të thuash, ke prodhuar një produkt, por asnjë nuk e di që ekziston ky produkt. Këtu gjej rastin t’u bëj thirrje të gjitha instuticioneve përkatëse të mbështetësve të filmit shqiptar, për shumë më shumë financim të kulturës kinematografike. Kultura është ajo që popujt ndajnë midis tyre dhe ne jemi ambasadoret e saj.
KultPlus:Për fund, duke qenë se jemi në prag të përfundimit të vitit, a mund të jepni një mesazh për lexuesit e KultPlus?
Kasem Hoxha: Uroj për të gjithë një vit të ri plot me aspirata dhe frymëzime të reja në jetën e secilit prej nesh, për të dërguar secilin nga ne edhe më larg në rrugëtimin e suksesit. Ju uroj një vit të lumtur plot harmoni dhe dashuri për njëri-tjetrin./KultPlus.com
Një seri e re dokumentarësh për jetën e Aleksandrit të Madh po vjen në Netflix. Sipas njoftimit zyrtar të platformës së transmetimit, produksioni do të shfaqet premierë më 31 janar 2024.
Pjesa më e madhe e xhirimeve u zhvillua në shtator 2022 në Marok. Protagonistët janë Mido Hamada, i cili do të luajë rolin e mbretit Darius, ndërsa Buck Braithwaite do të interpretojë Aleksandrin e Madh.
Seriali do të përfshijë gjithsej gjashtë episode. Tony Mitchell, i cili më parë ka punuar në “The Baxter’s” dhe “The Bible”, është producenti.
Sipas përmbledhjes: “Duke kombinuar intervistat e ekspertëve me riprodhimet bindëse, ky dokumentar eksploron jetën e Aleksandrit të Madh dhe pushtimin e tij të Perandorisë Persiane.”/KultPlus.com
“Leave The World Behind” është emri i thrillerit të ri psikologjik i bazuar në romanin me të njëjtin emër të Ruman Alam nga viti 2020. Në film luajnë emra të mëdhenj, Julia Roberts, Mahershala Ali, Ethan Hawke, Miha’la Herold dhe Kevin Bacon.
Filmi vjen në Netflix më 8 dhjetor dhe së fundmi u publikua traileri i parë zyrtar. Që nga publikimi i tij, traileri ka pasur më shumë se 4.5 milionë shikime.
Në këtë thriller apokaliptik nga shkrimtari-regjisori i vlerësuar me çmime Sam Esmail, Amanda (Julia) dhe bashkëshorti i saj Clay (Ethan Hawke) marrin me qira një shtëpi luksoze për fundjavën në Long Island me fëmijët e tyre Archie (Charlie Evans) dhe Rose (Farrah McKenzie) .
Megjithatë, pushimet e tyre prishen shpejt kur dy të panjohur (Mahershala Ali dhe Miha’la) arrijnë natën, duke u thënë atyre se nuk ka energji elektrike në të gjithë Nju Jorkun dhe se ata nuk e dinë se çfarë po ndodh dhe kërkojnë strehim në një shtëpi që ata pretendojnë se është e tyre.
Dy familje përballen me një fatkeqësi që po përkeqësohet çdo minutë. Vetëm një gjë është e sigurt, nuk ka kthim në normalitet.
Ish-presidenti amerikan dhe një nga bashkëpronarët e Higher End Productions, Barack Obama, ka qenë pjesë e krijimit të këtij filmi.
Obama i dërgoi shënime skenaristit dhe regjisorit Sam Esmail.
“Ai kishte shumë shënime për personazhet dhe ndjeshmërinë që do të kishin për ta”, tha Esmail. “Më duhet të them se ai është një adhurues i madh i filmave dhe nuk më ka dhënë vetëm këshilla lidhur me karrierën e tij profesionale. Ai më jepte këshilla si fans i atij romani sepse dëshiron të shoh një film vërtet të mirë”./KultPlus.com
Krahasuar me muajt e fundit, shtatori në Netflix nuk sjell aq tituj të rinj, por kjo nuk do të thotë se nuk do të keni asgjë për të parë.
Disa filma interesantë janë prezantuar në Festivalin e Filmit në Venecia.
Më poshtë do të gjeni pesë filma të cilët do të mund t’i shikoni në Netflix këtë shtator:
“El Conde”, (15 shtator)
Augusto Pinochet ishte një diktator mizor që sundoi Kilin në vitet 1970. Po sikur të ishte edhe një vampir i vërtetë, që i pëlqente vuajtjet njerëzore? Komedia e re horror e regjisorit Pablo Larrain ndërthur realizmin magjik me atë premisë të papritur.
“El Conde” është një vepër e trillimeve historike revizioniste në të cilën Pinochet është një vampir 250-vjeçar që vazhdon të thithë gjakun e njerëzve, fjalë për fjalë dhe metaforikisht.
Filmi sapo u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe do të jetë i disponueshëm në Netflix nga 15 shtatori.
“Love at first sight”, (15 shtator)
“Dashuri me shikim të parë” tregon historinë e pazakontë të dashurisë së Hedley (Haley Lou Richardson) dhe Oliver (Ben Hardy) të cilët takohen për herë të parë rastësisht në aeroport.
Pasi kaluan fluturimin së bashku dhe ranë në dashuri, secili ende shkon në shtëpi. Megjithatë, të dy janë të vendosur të gjejnë sërish njëri-tjetrin pavarësisht kaosit që u krijon jeta.
“Scout’s Honor: The Secret Files of the Boy Scouts in America”, (6 shtator)
Organizata Boy Scouts of America u themelua në vitin 1908 dhe i lejoi fëmijët të shoqëroheshin duke mësuar aftësi të vlefshme mbijetese.
Megjithatë, do të rezultojë se qindra raste të abuzimit të fëmijëve kanë ndodhur që nga fillimi i saj nën kujdesin e një ideje fisnike dhe se organizata fshehu të gjitha provat për këtë për të ruajtur reputacionin e saj.
Dokumentari i Brian Knappenberger “Scout’s Honor: The Secret Files of the Boy Scouts in America” është vetëm për ata me stomak të fortë dhe përfshin intervista me viktima, sinjalizues dhe ish-punonjës të organizatës.
Është në dispozicion në Netflix nga 6 shtatori.
“A day and an half”, (1 shtator)
Aktori suedezo-libanez Fares Fares, i cili u bë i famshëm në serialet “Çernobil” dhe “Rrota e kohës”, u ul për herë të parë në karrigen e regjisorit dhe filmoi thrillerin “Një ditë e gjysmë” i frymëzuar nga ngjarje të vërteta.
Filmi ndjek Artanin (Alexei Manvelov), një burrë që përpiqet të ribashkohet me vajzën e tij, për të cilën ai merr peng ish-bashkëshorten e tij Luiza (Alma Poysti).
Oficeri i policisë Lucas (Fares Fares) përfshihet në planin e rrezikshëm të Artanit dhe e çon çiftin në një fshat të largët nën kërcënimin e armëve.
Filmi është në dispozicion nga 1 shtatori.
“Happy ending”, (1 shtator)
Edhe pse seksi është një pjesë integrale e jetës, tema mund të jetë tabu, edhe për çiftet. “Happy Ending” ofron një histori emocionuese për dy persona që vendosin të “erëzojnë” jetën e tyre të dashurisë, por me pasoja të papritura.
Filmi, përveç eksplorimit të seksualitetit personal, flet për rëndësinë e ndershmërisë në marrëdhënie dhe është debutimi regjisorial i regjisorit holandez Josje Duk. Ofrohet nga data 1 shtator./euronews/ KultPlus.com
“Squid Game”, një nga serialet e vitit 2021 që mori zemrat e milionave njerëzve do të shfaqet së shpejti edhe me një sezon të dytë.
Sezoni i parë i këtij seriali përfundoi më një sukses të jashtëzakonshëm dhe me një shikueshmëri mbarë botërore.
Së shpejti do të shfaqet edhe sezoni i dytë i “Squid Game”, premiera e të cilit pritet të dalë në fillim të vitit 2024.
Netflix bëri të ditur disa nga aktorët që do të marrin pjesë në këtë sezon të “Squid Game”. Bëhet fjalë për 34 vjeçarin, Yim Si-wan, Kang Ha-neul , Park Sung Hoon dhe Yang Dong Geun, shkruan News in Germany.
Më i njohuri nga katër emrat është Yim Si-wan, i cili përpos që ka luajtur në filma dhe seriale të ndryshme koreane, është edhe pjesë e grupit K-pop ZE:A. Ndërsa, tre aktorët e tjerë pjesëmarrës të këtij seriali janë interpretues me përvojë në vendin e tyre.
Gjithashtu, në këtë sezon do të rikthehet edhe aktori kryesor nga sezoni i pare.
Regjisori i këtij seriali, Hwang Dong-Hyuk ndau një postim në Twitter, në të cilin ai njoftoi për rikthimin e personazhit kryesor, Gi-Hun. / KultPlus.com
Arnold Schwarzenegger nuk është thjesht një nga aktorët tanë më të dashur. Tashmë ai është shefi i ri i seksionit “aksion” në Netflix. E thënë më thjeshtë, njeriu që, ndër të tjera, do të vendosë se cilët do të jenë filmat aksion të platformës.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një video dy minutëshe, të cilën e ka postuar edhe në Instagram.
Ai shfaqet teksa vjen me tankun e tij M47 Iron Arnie e ku shprehet “askush nuk e do aksionin aq sa unë” duke thënë se kjo është arsyeja se përse ka pranuar këtë pozicion sfidues. Schwarzenegger “premton” shumë aksion. / a2cnn / KultPlus.com
Platforma e transmetimeve, Netflix, i ka larguar sot një sërë filmash klasikë nga menyja e vet.
Ndër këta filma bëjnë pjesë edhe kryevepra e Quentin Tarantinos, “Pulp Fiction”, ajo e Christopher Nolanit, “Inception”, si dhe seria e filmave “Jackass”.
Të tjerë filma që janë hequr, janë edhe “Scream”, “Paddington 2”, “Galaxy Quest” dhe “Conan the Barbarian”./KultPlus.com
Një serial dokumentarësh i Netflix që përshkruan mbretëreshën Kleopatra VII si një afrikane me ngjyrë, ka ndezur polemika në Egjipt.
Një avokat ka paraqitur një ankesë që akuzon “Mbretëreshën Kleopatra të Netflix” për shkeljen e ligjeve të medias dhe synimin për të “fshirë identitetin egjiptian”.
Një arkeolog këmbënguli se Kleopatra ishte “me lëkurë të çelët, jo të zezë”.
Por producentja tha se “trashëgimia e saj është shumë e debatuar” dhe aktorja që e luante u tha kritikëve “nëse nuk ju pëlqejnë aktorët, mos e shikoni shfaqjen”.
Adele James komentoi në një postim në Twitter, ku shfaqeshin përmbledhje të komenteve abuzive që përfshinin sharje raciste.
Kleopatra lindi në qytetin egjiptian të Aleksandrisë në vitin 69 para Krishtit dhe ishte mbretëresha e fundit e një dinastie greqishtfolëse të themeluar nga gjenerali maqedonas Ptolemeu i Aleksandrit të Madh.
Ajo pasoi të atin Ptolemeun XII në vitin 51 para Krishtit dhe sundoi deri në vdekjen e saj në vitin 30 para Krishtit. Më pas, Egjipti ra nën dominimin romak.
Identiteti i nënës së Kleopatrës nuk dihet dhe historianët thonë se është e mundur që ajo, ose ndonjë paraardhës tjetër femër, të ketë qenë një egjiptian indigjene ose nga ndonjë vend tjetër në Afrikë.
Uebsajti shoqërues i Netflix, Tudum, raportoi në shkurt se zgjedhja për të luajtur Adele James, një aktore britanike me racë të përzier, si Kleopatra në serinë e saj të re dokumentare ishte si shenjë e dilemave shekullore rreth racës së sundimtarit.
Jada Pinkett Smith, aktorja amerikane e cila ishte producente ekzekutive dhe transmetuese, ndërkohë u citua të thoshte “ne nuk mund të shohim ose dëgjojmë shpesh histori për mbretëreshat e zeza, dhe kjo ishte vërtet e rëndësishme për mua, si dhe për vajzën time, dhe që komuniteti im të jetë në gjendje t’i dijë ato histori sepse ka shumë prej tyre!”
Por kur traileri u publikua javën e kaluar, shumë egjiptianë e dënuan përshkrimin e Kleopatrës.
Zahi Hawass, një egjiptolog i shquar dhe ish-ministre e antikiteteve, i tha gazetës al-Masry al-Youm “kjo është krejtësisht e rreme. Kleopatra ishte greke, që do të thotë se ajo ishte lëkurë e çelët, jo e zezë.”
Hawass tha se sundimtarët e vetëm të Egjiptit që dihet se kanë qenë me ngjyrë ishin mbretërit Kushite të Dinastisë së 25-të (747-656 pes).
“Netflix po përpiqet të provokojë konfuzion duke përhapur fakte të rreme dhe mashtruese se origjina e qytetërimit egjiptian është e zezë”, shtoi ai dhe u bëri thirrje egjiptianëve të mbajnë qëndrim kundër gjigantit të transmetimit.
Të dielën, avokati Mahmoud al-Semary paraqiti një ankesë pranë prokurorit publik duke kërkuar që ai të marrë “masat e nevojshme ligjore” dhe të bllokojë aksesin në shërbimet e Netflix në Egjipt.
Ai pretendoi se seriali përfshinte materiale dhe përmbajtje vizuale që shkelnin ligjet e mediave të Egjiptit dhe akuzoi Netflix-in se po përpiqej të “promovonte mendimin afrocentrik i cili përfshin slogane dhe shkrime që synojnë shtrembërimin dhe fshirjen e identitetit egjiptian”.
Tre vjet më parë, planet për një film për Kleopatrën me aktoren izraelite Gal Gadot shkaktuan një debat të nxehtë në mediat sociale, me disa njerëz që këmbëngulnin që roli t’i shkonte një aktoreje arabe ose afrikane. /abcnews.al/ KultPlus.com
Aktorja dhe modelja koreano-jugore Jung Chae-yul është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në moshën 26-vjeçare.
Vdekja e aktores u njoftua nga kompania e saj e menaxhimit më herët gjatë ditës së sotme, ndërsa detajet e vdekjes së saj ende nuk janë bërë të ditura.
Jung fitoi famë për rolin e saj në Zombie Detective, si dhe “I Have Not Done My Best” dhe filmin 2018 Deep.
Aktorja ishte zgjedhur të luante në serialin e shumëpritur të dramës K Wedding Impossible përpara lajmit të rëndë./ballkanweb/KultPlus.com
Seriali i Netflix “Stranger Things” ka mundësi të përfundojë me sezonin e pestë, por ky shërbim ka në plan të zgjerojë Universin e tij me një serial të animuar të bazuar në ngjarje që ndodhin në të.
Sipas një njoftimi që bëri Netflix ditë më parë, ky shërbim gjigand ka planifikuar realizimin e serialit të animuar, këtë për ta bërë atë si produkt të tij.
Edhe pse të gjitha detalet rreth tij janë sekrete, është bërë e ditur se serialin do ta realizojnë Eric Robles dhe Flying Bark Productions.
Robles veçohet për krijim të serialeve të animuara si Random! Cartoons, Fanboy & Chum Chum dhe Glitch Techs.
Krijuesit e serialit Stranger Thing, vëllezërit Duffer do të jenë producent ekzekutiv bashkë me Robles, Shawn Levy e Dan Cohen.
Vëllezërit Duffer në një deklaratë me këtë rast ka thënë se kishte kohë që mendonin të realizonin një serial të animuar “Stranger Things” për ta transmetuar të shtunave në mëngjes, dhe tani që shohin se kjo ëndërr po i realizohet është shumë emocionuese për ta, ka thënë ai.
Ata po ashtu kanë thënë se skenari dhe puna artistike e serialit janë mahnitëse, kështu që mezi presin të ndajnë atë me shikuesit.
Seriali “Stranger Things” ka tërhequr një bazë të madhe fansash pas suksesit të arritur në nivel global si njëri prej serialieve më të popullarizuara të Netflix. Ai u debutua në vitin 2016.
Netflix edhe më parë ka njoftuar se do të realizohet një serial nënprodukt me skena live në korrik të vitit të kaluar.
Por, deri më tani nuk ka të dhëna për të, pasi që vëllezërit Duffers e kanë bërë të qartë më parë se ai nuk do të përqendrohet në personazhet si Eleven apo Steve Harrington. Sidoçoftë, ngjarja do të ndodhë në Hawkins në vitin 1959, ndërkaq seriali do të debutohet në West End në Londër.
Vëllezërit Duffers janë duke punuar edhe në verzionin me skena live të serialit Death Note./21Media/KultPlus.com
Platforma gjigante e transmetimit, Netlix, ka publikuar listën me serialet dhe filmat më të shikuar, sipas orëve që përdoruesit kanë harxhuar duke i parë ato.
Gjegjësisht, deri në vitin 2021, platforma gjurmonte numrin e llogarive që fillojnë të shikojnë një serial apo film, por që atëherë kanë filluar të numërojnë shikueshmërinë sipas numrit të orëve të shikimit.
Duke përdorur këtë metodë, ata tani kanë publikuar një listë të hiteve më të mëdha që janë publikuar ndonjëherë në Netflix.
Këto janë dhjetë serialet më të ndjekur në gjuhën angleze:
1. Stranger Things – sezoni 4 – 1.352.090.000 orë shikimi
2. Wednesday – sezoni 1 – 1.237.150. 000 orë shikimi
3. DAHMER – 856.220.000 orë shikimi
4. Bridgerton – sezoni 2 – 656.260.000 orë shikimi
5. Bridgerton – sezoni 1 – 625.490.000 orë shikimi
6. Stranger Things – sezoni 3 – 582.100.000 orë shikimi
7. Lucifer – sezoni 5 – 569.480.000 orë shikimi
8. The Witcher – sezona 1 – 541.010.000 orë shikimi
Tre persona morën trajtim mjekësor gjatë xhirimeve të një reality show “Squid Game”, ka konfirmuar Netflix, por tha se “pretendimet për lëndime të rënda janë të pavërteta” pasi një garues pretendoi se njerëzit ishin larguar me barelë.
Loja Squid: The Challenge do të shohë 456 garues që konkurrojnë për një çmim të madh në para, ashtu si në dramën imagjinare të Koresë së Jugut. Reality show aktualisht është duke u filmuar në Cardington Studios, një ish-bazë e RAF në Bedfordshire në Mbretërinë e Bashkuar.
Tabloidi në Mbretërinë e Bashkuar, The Sun foli me një konkurrent të paidentifikuar, i cili pretendoi se shumë njerëz kishin kërkuar kujdes mjekësor për shkak të temperaturave të ftohta në studio ndërsa konkurronin në lojën e parë, Red Light, Green Light.
“Edhe nëse hipotermia fillonte, atëherë njerëzit ishin të gatshëm të qëndronin për aq kohë sa të ishte e mundur, sepse shumë para ishin në lojë,” tha garuesi anonim për Sun. “Shumë ishin të vendosur të mos lëviznin, kështu që qëndruan atje për një kohë të gjatë. “Kishte njerëz që erdhën duke menduar se do të bëheshin milionerë, por ata u larguan me lot.”
Loja Red Light, Green Light përfshin vrapimin e shpejtë në një dritë jeshile dhe qëndrimin krejtësisht të qetë dhe të heshtur kur drita ndryshon në të kuqe. “Ishte si një zonë lufte,” tha garuesi për Sun. “Njerëzit po transportoheshin nga mjekët, por ne nuk mund të thoshim asgjë. Nëse flisni, atëherë jeni jashtë … Mund të dëgjoni dikë të thërrasë ‘mjek’ dhe ekuipazhi do të nxitonte.
Pasi dolën raportet, Netflix tha se tre persona u trajtuan në “kushte të lehta mjekësore”.
Një zëdhënës i tha BBC-së se mjekët ishin në set gjatë gjithë kohës dhe se kishte “investuar në të gjitha procedurat e duhura të sigurisë”.
“Ndërsa ishte shumë ftohtë në set – dhe pjesëmarrësit ishin të përgatitur për këtë – çdo pretendim për lëndim të rëndë është i pavërtetë,” thanë ata.
Në dramën origjinale, 456 garues konkurrojnë në versione vdekjeprurëse të lojërave për fëmijë për një çmim të madh në para. Ajo u pa gjerësisht si një kritikë e kapitalizmit dhe krizës personale të borxhit të Koresë së Jugut. Nëntë muaj pasi u lançua, Netflix njoftoi se do të ftonte
456 njerëz të luftonin për 4.56 milionë dollarë amerikanë (6.4 milionë dollarë australianë, 3.7 miliardë £) në një version reality show. Brandon Riegg, nënkryetari i Netflix-it për serialet e pascript dhe dokumentarë, e ka quajtur reality show një “eksperiment social”.
Squid Game ishte programi më i shikuar i Netflix në vitin 2021 dhe u vlerësua në mënyrë të vetme me tërheqjen e 4.4 milionë abonentëve të rinj në shërbimin e transmetimit dhe rritjen e fitimeve të kompanisë në 1.45 miliardë dollarë amerikanë ./21Media/ KultPlus.com
Më në fund erdhi edhe goditja për bashkëpërdorimin e fjalëkalimeve të ”Netflix”, sipas today.com.
Për ata që përdorin fjalëkalimin e tjetrit të ”Netflix” erdhi fundi i një epoke, pasi ndarja e fjalëkalimeve do të bëhet e vështirë, çka është njoftuar nga kjo kompani se këtë gjë do ta mundësonte në fillim të këtij viti.
Në raportin e të ardhurave të kompanisë, të publikuar dje, ”Netflix” njoftoi se ndarja e fjalëkalimit do të bëhet e padisponueshme në fillim të këtij viti, me gjasë përpara marsit, gjë që do të kufizojë përdorimin e njëkohshëm të llogarive ”Netflix” përtej familjeve.
Në vend të kësaj, kompania është e përqendruar në shtyrjen e opsionit të saj të ndarjes me pagesë si edhe planin e saj të abonimit me çmim më të ulët.
”Gjatë tremujorit të parë, ne presim të fillojmë të shpërndajmë ndarjen me pagesë më gjerësisht”, thuhet në raportin e ”Netflix”.
”Netflix” tha se ndarja e llogarisë, të cilën ia atribuoi më shumë se 100 milionë familjeve, minon aftësinë tonë afatgjatë për të investuar dhe për ta përmirësuar atë.
”Ndërsa kushtet tona të përdorimit kufizojnë përdorimin e ‘Netflix’ për një familje, ne e kuptojmë se ky është një ndryshim për anëtarët që ndajnë llogarinë e tyre më gjerësisht”, thuhet në raportin e ”Netflix”.
“Kështu që ne kemi punuar shumë për të ndërtuar veçori të reja shtesë që përmirësojnë përvojën e ‘Netflix’ duke përfshirë aftësinë për anëtarët për të shqyrtuar se cilat pajisje po përdorin llogarinë e tyre dhe për të transferuar një profil në një llogari të re. Ndërsa shpërndajmë ndarjen me pagesë, anëtarët në shumë vende do të kenë gjithashtu mundësinë të paguajnë ekstra nëse duan të ndajnë ‘Netflix”, përfundonte njoftimi i kompanisë./ KultPlus.com
Filmi me regji të Besim Ugzmajlit “Ditë e Kuqe” pritet që së shpejti të shfaqet edhe në televizione e platforma të ndryshme televizive në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe platformën Netflix, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisori, nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.
“Shumë të lumtur me ju njoftu se filmi ynë Ditë e Kuqe | Red Day, do të shfaqet në televizone e platforma të ndryshme televizive në të gjithë botën.
Figurina Films dhe 7Palmsentertainment kanë lidhur marrëveshje distribuimi, ku potencialisht filmi do të shfaqet ne platformat – klientë të 7Palmsentertainment: arte, Netflix, HBOmax, primevideo, googleplay, redbox, etj”, ka shkruar ai.
Përpjekja e jashtëzakonshme e një gruaje dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja për të marë atë që ato meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve paraqiten te filmi “Ditë e Kuqe”. / KultPlus.com
Netflix njoftoi rezultatet financiare për tremujorin e fundit të vitit 2022, duke zbuluar një rritje të abonentëve të rinj, por duke mos arritur fitimet e parashikuara.
Në veçanti, platforma e abonimit shtoi 7.66 milionë abonentë të rinj në tremujorin e katërt të 2022, ndërkohë që sipas vlerësimeve të saj, pritej rreth 4.5 milionë abonentë të rinj. Kështu, Netflix mbylli vitin 2022 me një total prej 230.75 milionë abonentë në mbarë botën , duke mposhtur objektivin prej 227.59 milionë abonentësh
Kjo do të thotë, u vu re një rritje vjetore prej 4% në totalin e abonentëve, ku abonimet me pagesë u rritën, sipas Variety , me 910,000 në SHBA dhe Kanada, me 3.2 milionë në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, me 1.76 milionë në Amerikën Latine dhe me 1.8 milionë në rajonin e Azi-Paqësorit.
Ky tremujor shënon 10 vjet që kur Netflix tronditi industrinë duke lancuar serialin dramatik të David Fincher House of Cards.
“Një dekadë më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht dhe pas shkallëzimit të suksesit, ne kemi hyrë në fazën më sfiduese të zhvillimit tonë,” shkroi Netflix në një letër drejtuar aksionerëve.
Të ardhurat tremujore arritën në 7.85 miliardë dollarë, pikërisht atë që parashikonin analistët, deri në 1.9% nga viti në vit. Por ndërsa të ardhurat u rritën 1.9% nga viti në vit, fitimet e kompanisë për tremujorin e katërt ishin shumë më poshtë se parashikimi i vetë Netflix prej 36 cent për aksion.
Kompania ia atribuoi këtë një “humbje të parealizuar prej 462 milionë dollarësh si rezultat i nënçmimit të dollarit amerikan ndaj euros në tremujorin e katërt të 12-të”./abcnews.al/ KultPlus.com
Tetë episode të sezonit të parë të serialit “Wednesday”, që përqendrohen në personazhin origjinal të filmit Addams Family me po këtë emër, u lansuan me 23 nëntor 2022. Netflix më pas njoftoi se seriali theu rekord për më së shumti orë shikimi në këtë shërbim për një serial në gjuhën angleze vetëm në javën e parë të lansimit. Numri i orëve të shikuara arriti mbi 340 milion.
Prej atëherë, ky serial u bë seriali i dytë më i shikuar në gjuhën angleze në Netflix, me mbi 1.2 miliard orë të shikuara brenda 28 ditëve.
Rolin e Wednesday e luan aktorja Jenna Ortega.
Ajo paraqitet si studente në Akademinë e Nevermore ku edhe provon të zotërojë aftësitë e saj telepatike, si dhe të zgjidh një mister të mbinatyrshëm ku ngatërrohen prindërit e saj 25 vite më parë.
Veç aktores Ortega, në të me role paraqiten edhe: Gwendoline Christie, Jamie McShane, Percy Hynes White, Hunter Doohan, Emma Myers, Joy Sunday, Naomi J. Ogawa, Moosa Mostafa, Georgie Farmer, Riki Lindhome dhe Christina Ricci.
Aktorja Catherine Zeta-Jones luan rolin e Morticia Addam, aktori Luis Guzmán të Gomez e Isaac Ordonez të Pugsley.
Serialin e zhvilluan Alfred Gough e Miles Millar. Ata po ashtu janë producentë ekzekutiv të tij. Tim Barton në anën tjetër ka bërë regjinë e katër episodeve dhe po ashtu është producent ekzekutiv i tyre.
Nuk është bërë e ditur se kur do të lansohet sezoni 2 i serialit Wednesday.
Njoftimi për realizimin e këtij sezoni erdhi disa ditë pasi që u përfol se sezoni i dytë i tij do të realizohet për platformën rivale të Netflix, Amazon Prime Video. Por episodet e këtij sezoni do të lansohen sërish në Netflix, që do të thotë se dashamirët e tij nuk janë nevojë të abonohen për ti parë në një platform tjetër./21Media/ KultPlus.com
Netflix prezantoi dhjetë filmat dhe serialet që ishin më të ndjekurit në vitin 2022.
Vitet e fundit, shërbimi i transmetimit ka qenë duke luftuar me konkurrencë të ashpër me Disney Plus dhe Paramount Plus, por ai ende kryeson në mbarë botën.
Suksesi sigurisht i detyrohet projekteve të njohura si “Stranger Things”, “Inventing Anna” dhe “Dahmer Monster”, por edhe filmave si “The Grey Man” dhe “Project Adam”.
Filmat dhe serialet më të ndjekur në anglisht në vitin 2022
Filmat më të shikuar
Seriali më i ndjekur
1.
“Njeriu gri”
“Stranger Things” (Sezoni 4)
2.
“Projekti Adam”
“E mërkurë” (Sezoni 1)
3.
“Zemrat e purpurta”
“Përbindëshi Dahmer”
4.
“Ngutje”
“Bridgerton” (Sezoni 2)
5.
“Mashtruesi i Tinder”
“Shpikja e Anës”
6.
“Bisha e detit”
Ozark (Sezoni 4)
7.
“Enola Holmes 2”
“Vëzhguesi”
8.
“Vit i Fundit”
“The Sandman” (Sezoni 1)
9.
“Njeriu nga Toronto”
“The Umbrella Academy” (Sezoni 3)
10.
“Turni i ditës”
“Virgin River” (Sezoni 4)
Filmat dhe serialet më të ndjekur në gjuhë të tjera në vitin 2022
Filmat më të shikuar
Seriali më i ndjekur
1.
“Troll” (Norvegji)
“Të gjithë ne jemi të vdekur” (Sezoni 1, Koreja e Jugut)
2.
“Asgjë e re në Perëndim” (Gjermani)
“Extraordinary Attorney Woo” (Sezoni 1, Koreja e Jugut)
Fundi i ndarjes së fjalëkalimeve me të tjerët do të vijë së shpejti në Netflix, dhe do të jetë një sfidë, si për shikuesit, ashtu edhe për gjigantin e transmetimit.
Kompania ka bërë të ditur se janë më shumë se 100 milionë shikues të Netflix që tani e shikojnë shërbimin duke përdorur fjalëkalime që ata marrin hua, shpesh nga anëtarët e familjes ose miqtë.
Netflix ka thënë se do t’i japë fund asaj marrëveshje duke filluar nga viti 2023, duke u kërkuar njerëzve që ndajnë llogari të paguajnë për ta bërë këtë. Kompania pret të fillojë të nxjerrë ndryshimet në SHBA në fillim të vitit.
Politika e saktë dhe mënyra se si do të zbatohet mbetet e paqartë, por kompania pritet të përdorë adresat IP për të gjurmuar ndarjen e fjalëkalimit dhe ta mbyllë atë, përveç nëse konsumatorët dëshirojnë të paguajnë një tarifë shtesë për të ndarë fjalëkalimin.
Ndërkaq, Netflix ende nuk ka shpallur datën e saktë dhe çmimin për lëvizjen e tij të ndarjes së fjalëkalimeve.
Kompania e ka shtyrë këtë moment prej vitesh. Studiuesit brenda Netflix paraqesin se ka 0,07 për qind ulje, me një trekëndësh të kuq poshtë, i cili identifikoi ndarjen e fjalëkalimit si një problem madhor për të ulur abonimet në vitin 2019.
Por, kompania ishte e shqetësuar se si ta trajtonte atë pa i tjetërsuar konsumatorët. Më pas Netflix goditet nga bllokimet e Covid-19, duke sjellë një valë pajtimtarësh të rinj dhe përpjekjet për të shqyrtuar ndarjen u shuan.
Netflix nuk ndoqi një plan për të goditur gjerësisht praktikën deri këtë vit, pasi humbjet e abonentëve u rritën.
Në një mbledhje kompanie jashtë Los Anxhelosit në fillim të këtij viti, bashkëshefi ekzekutiv i Netflix, Reed Hastings u ka thënë drejtuesve të lartë se bumi pandemik kishte maskuar shtrirjen e çështjes së ndarjes së fjalëkalimeve, dhe se ata kishin pritur shumë gjatë për t’u marrë me të, raporton WSJ.
Goditja e Netflix rrezikon të humbasë vitet e vullnetit të mirë që kompania ka krijuar gjatë viteve dhe të zemërojë konsumatorët, të cilët kanë një turmë shërbimesh të tjera transmetimi për të zgjedhur./ KultPlus.com
Fundi i ndarjes së fjalëkalimeve do të vijë së shpejti në Netflix – dhe do të jetë një sfidë si për shikuesit ashtu edhe për gjigantin e transmetimit, transmeton KultPlus.
Kompania e ka shtyrë këtë moment prej vitesh. Studiuesit brenda Netflix Inc. identifikoi ndarjen e fjalëkalimit si një problem madhor për të ngrënë abonimet në vitin 2019, thonë njerëzit e njohur me situatën, por kompania ishte e shqetësuar se si ta trajtonte atë pa i tjetërsuar konsumatorët.
Netflix nuk ndoqi një plan për të goditur gjerësisht praktikën deri këtë vit, pasi humbjet e abonentëve u rritën.
Në një mbledhje kompanie jashtë Los Anxhelosit në fillim të këtij viti, bashkë-shefi ekzekutiv Reed Hastings u tha drejtuesve të lartë se bumi pandemik kishte maskuar shtrirjen e çështjes së ndarjes së fjalëkalimeve dhe se ata kishin pritur shumë gjatë për t’u marrë me të, sipas njerëzve. të cilët ishin në takim.
Më shumë se 100 milionë shikues të Netflix tani e shikojnë shërbimin duke përdorur fjalëkalime që ata marrin hua—shpesh nga anëtarët e familjes ose miqtë, thotë kompania. Netflix ka thënë se do t’i japë fund asaj marrëveshje duke filluar nga viti 2023, duke u kërkuar njerëzve që ndajnë llogari të paguajnë për ta bërë këtë.
Kompania pret të fillojë të nxjerrë ndryshimin në SHBA në fillim të vitit. /KultPlus.com
Ndërsa episodi i katërt i dokumentarit të bujshëm vazhdon, Harry po flet sinqerisht për popullaritetin e tij si mbretëror. Ai me sa duket i referohet babait të tij, i cili ishte trashëgimtar i fronit në atë kohë, dhe vëllait të tij Princit William, i cili ishte i radhës në linjën e pasardhësit.
“Kur dikush që duhet të jetë mbështetës po vjedh punën ose po e bën punën më mirë se dikush që ka lindur për ta bërë këtë, kjo i shqetëson njerëzit ose ndryshon ekuilibrin”, u shpreh Harry.
Ndërkohë ne kalojmë në një ngjarje përkujtimore ku morën pjesë të gjithë anëtarët e familjes mbretërore, përfshirë Mbretëreshën. Por të nesërmen, siç na tregohet përmes një sërë gazetash, ishte Harry dhe veçanërisht Meghan që dominuan.
“Meghan tha: “Por nuk është faji im”, dhe unë do të thosha “Unë e di, dhe mamaja ime u ndje në të njëjtën mënyrë”,” thotë Harry.
Kjo ilustrohet me një klip të nënës së tij, princeshës së ndjerë Diana, marrë nga intervista e saj e famshme, por e diskredituar me Martin Bashir.
Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, kishte kërkuar që pamjet nga kjo intervistë të mos shfaqeshin më, pasi një hetim zbuloi se intervista ishte krijuar duke përdorur metoda mashtruese. Princi William ka thënë gjithashtu se intervista nuk duhet të transmetohet më kurrë.
Netflix dhe Harry qartazi nuk janë shumë të shqetësuar për këtë, pasi ata përdorin një klip të Dianës nga intervista e vitit 1995 duke thënë: “Me vëmendjen e medias u shkaktua shumë xhelozi, një numër i madh situatash të ndërlikuara u ngritën për shkak të kësaj.”/abcnews.al/ KultPlus.com