Lot deti

Neviana Shehi

Ky det lëshon lot të kaltër dy herë në ditë
njëherë në orët e para të mëngjesit
dhe njëherë në mbrëmje

A nuk i keni parë ato
kur largohen tragetet mbushur me udhëtarë
dhe kur njerëzit ngrenë duart e drithëruara
të përshëndetjeve

Janë çastet e ndarjeve
kur silueta e stërmadhe e tragetit zhduket në mjegull
dhe njerëzit ndjejnë
se diçka e shenjtë ju shkëputet nga gjoksi

Është pikërisht ai çast
kur edhe deti kthehet në njërin prej tyre
dhe s’e përmban dot veten
dhe nis të përmbysë brigjet

Çdo pikë loti shndërrohet
në një dallgë të frikshme
ndërsa një shumësi lotësh
në një stuhi të frikshme

Është çasti kur dhimbja për bijtë
nis t’ia gërryejë vështrimin
si glaukoma
dhe ai s’sheh më se ç’bën

Ky duhet të jetë çasti
kur marinarët duhet t’i druhen detit
dhe të përgatiten për më të keqen
se hakmarrja e tij mund të jetë kaq fatale

Ky det lëshon lot dy herë në ditë
dhe bën të rënkojnë edhe brigjet… / KultPlus.com

Në fillim

Nga Neviana Shehi

Ne të dy kemi qenë në bërthamën
e një guri, tha pema
po, i thashë unë
dikur emri ynë ishte rrokja e parë
e mjegullës që mbulonte gjithçka,
tregimin tim dhe ëndrrat,
e di, i thashë unë

Një natë në ëndërr më hyri një lumë,
që më pas u bë det,
po, i thashë unë,
deti më pas u bashkua me ëndrrën
dhe u bë oqean me një anije
të madhe në mes,
në atë anije kam qenë dhe unë,
-i thashë.

Pas saj të tjera anije
do të nisnin udhëtimet pafund
duke mbajtur mbi borde
marinarë mendje-krisur
dhe ëndërrimtarë si puna jote
edhe si puna jote, thashë unë.

Dikush filloi të më tregonte
një tregim
dhe nga kjo gjë
nisi të krijohej universi. / KultPlus.com