Si u krijua kënga ikonike New York, New York nga kokëfortësia e Robert de Niros…

Natën e 31 dhjetorit dhe mëngjesin e 1 janarit, njerëzit në shumë vende të botës festojnë fillimin e vitit të ri. Koncepti i festimit të Vitit të Ri është universal, por koha dhe zakonet që lidhen me të ndryshojnë shumë nga kultura në kulturë. Megjithatë, një gjë është e përbashkët kudo: muzika dhe kënga.

Për natën e ndërrimit të viteve janë shkruar dhe kënduar shumë këngë. Disa prej tyre, edhe pse fillimisht nuk ishin krijuar për festën e Vitit të Ri, janë kthyer në traditë për festimin e minutave të para të vitit të ri në vende apo qytete të caktuara. Falë kulturës globale, këto këngë janë bërë të njohura në mbarë botën.

Një e tillë është kënga “New York, New York” e njohur botërisht nga Frank Sinatra dhe tradicionalisht luhet në New York me rastin e lëshimit të Topit në Times Square. I vendosur mbi çatinë e ndërtesës One Times Square, topi është një element qendror i festimeve të Vitit të Ri, i njohur zakonisht si “Rënia e Topit”. Gjatë kësaj ceremonie, topi zbret ngadalë në një shtizë flamuri të posaçme, duke filluar në orën 23:59:00 dhe duke ndaluar në mesnatë për të shënuar fillimin e vitit të ri.

Në vitet e fundit, rënies së topit i kanë paraprirë shfaqje live, duke përfshirë performanca nga muzikantë të njohur. Përfundimi i rënies pasohet nga fishekzjarrë të shkrepur nga çatia e One Times Square, të shoqëruar nga muzika, përfshirë vargun e parë të “Auld Lang Syne” (A duhet të harrohen kohët e vjetra), të interpretuar nga Guy Lombardo dhe orkestra e tij kanadeze mbretërore, si dhe kënga ” New York, New York”, e interpretuar ndër të tjera nga Frank Sinatra.

Por, kënga “New York, New York” ka një histori tjetër dhe mund të mos kishte ekzistuar fare po të mos ishte për këmbënguljen e aktorit Robert De Niro.

Historia e saj filloi në vitin 1977, kur regjisori Martin Scorsese angazhoi kantautorët John Kander dhe Fred Ebb për të kompozuar një këngë me temë për filmin e tij “New York, New York” – film muzikor romantik. John Kander dhe Fred Ebb krijuan disa këngë për filmin, përfshirë “New York, New York”, e cila u bë një fenomen global. Si një homazh për qytetin e Scorsese-s, Nju Jorkun, filmi ka në role kryesore Liza Minnelli dhe Robert De Niro, që portretizojnë një çift muzikantësh të dashuruar, pasionuar dhe të pangopur për famë.

“Ne luajtëm këngët tona – Scorsese dhe Liza i pëlqyen shumë,” thotë Kander për Cleveland Plain Dealer në 2015. “Ne ishim gati të largoheshim dhe Bobby (Robert De Niro), në divan, tundi krahun dhe Scorsese tha: ‘Më falni vetëm një minutë,’ dhe foli me të. Ishte një bisedë shumë e animuar për sa i përket gjestikulacioneve, por ne nuk mund të dëgjonim se çfarë po thoshin. Më pas regjisori u kthye shumë i mërzitur dhe me keqardhje tha se z. De Niro konsideronte se kënga titullare është tepër “e lehtë” dhe donte që ata të provonin ta rishkruanin.

Dy shkrimtarët, titujt e të cilëve përfshinin krye veprat “Chicago” dhe “Cabaret”, u mërzitën. “Disa aktorë do të na thonë se çfarë është një këngë e mirë dhe çfarë jo?” – por u kthyen me një taksi në banesën e Fred Ebbit. “Për rreth 45 minuta,” tha ai, “ne shkruam këtë këngë të quajtur ‘New York, New York”, që është ajo që ju e njihni. Ka shumë zemërim në të, sepse ishim vërtet të inatosur, por si dukej “Atyre më në fund u pëlqeu kënga”, tha zoti Kander. Më pas më 2015 ai thotë për New York Times: “De Niro kishte plotësisht të drejtë”. Kënga është shkruar nga këndvështrimi i një artisti që lë një qytet të vogël dhe përpiqet ta bëjë sukses në qytet të madh të madh. Në vend që të fokusohet te vështirësitë me të cilat do të përballet, ai përqafon sfidat në pritje të një jete të re në një qytet të gjallë.”

Liza Minnelli këndoi këngën në kolonën zanore të filmit dhe kënga dukej se i përkiste asaj. Kjo nuk do të zgjaste. Fillimisht filmi pati vështirësi dhe versioni i Minnelli i kolonës zanore pati vetëm një sukses mesatar. Më pas, Sinatra e përdori këngën për rikthimin e tij në karrierë. Sinatra, atëherë 64 vjeçar ishte kthyer nga “një pension” i parakohshëm në një peizazh kulturor shumë të ndryshuar nga ditët e famshme të tij. “Ai kishte luftuar një betejë të pasigurt kundër muzikës së re, ndonjëherë duke u përpjekur ta bënte atë të tijën, pothuajse gjithmonë me rezultate mbresëlënëse,” shkroi James Kaplan në një biografi, “Sinatra: The Chairman” (Sinatra: Kryesuesi).

Gruaja e këngëtarit, Barbara Sinatra, sugjeroi që ai të këndonte versionin e tijë “New York, New York”. “Jo, kjo është kënga e Lizës”, u pat përgjigj ai, sipas librit të zonjës Sinatra, “Lady Blue Eyes” (Zonja me sy të kaltërt). Por, ajo e bindi atë ta luante në një koncert të vitit 1978 në Radio City Music Hall, shkroi ajo, dhe në këtë moment ndryshon gjithçka për jetën e mëtutjeshme të këngës.

Historiani i Sinatras dhe personaliteti i radios Jonathan Schwartz ishte i pranishëm atë natë dhe i i sugjeroi të incizonte edhe publikonte atë. Publicisti i muzikës Frank Military, një bashkëpunëtor i gjatë, është vlerësuar gjithashtu për prezantimin e këngës për Sinatrën.

Vajza e Frank Sinatra, Tina, në një intervistë për New York Times, kujtoi një moment  të rëndësishëm. “Ai hezitonte ta merrte këngën nga Liza,”por Liza i tha: ‘Është në rregull, xhaxha Frank.’ Sinatra  i cili shikonte me mall dritat e qytetit gjatë fëmijërisë së tij në Hoboken, Nju Xhersi, ndjeu tërheqjen e këngës, ripërpunimi i tij magjepsës — i cili u përfshi në albumin trefish Trilogy: “Past Present Future”( E kalura, e tashmja, e ardhmja) — u bë një simbol i dashur i performancave të tij.

“Kënga ‘New York, New York’ përfaqëson një epokë të artë të energjisë dhe ambicies urbane. Thënia e Sinatrës se ‘Nëse mund t’ia dal atje, mund t’ia dal kudo’ përshkruan frymën e një epoke, duke ofruar një ndjesi vetëbesimi të pakufishëm urban. Ndikimi i saj pasqyrohet në hitin e Jay-Z-së të vitit 2009, “Empire State of Mind”, ku reperi shpall: ‘Jam Sinatra i ri / Kur ia dola këtu / mund të ia dal kudo’.”

Në kohën kur Sinatra e ri-regjistroi këngën me shokun e tij të ngushtë, mjeshtrin e xhazit Tony Bennett, për albumin Duets të vitit 1993, kënga ishte tashmë adoptuar si një himn nga tifozët e ekipit të bejsbollit të Nju Jork Yankees. Ekipe të tjera sportive lokale, përfshirë Knicks (basketboll) dhe Rangers (hokej), ndihmuan që kënga të bëhej sinonim i qytetit, duke i siguruar asaj statusin aktual si një element kryesor i festimeve sezonale. Dhe natyrisht që nga viti 2001, kënga është luajtur si pjesë e festimeve të Vitit të Ri në Times Square.

“Kënga do të mbyllte koncertet e tij për vitet në vijim, duke lënë mënjanë “My Way”, dhe ishte e fundit që ai performoi në publik, kur iu bashkua një sërë yjesh në vitin 1995 në një homazh për ditëlindjen e tij të 80-të. Ai vdiq në vitin 1998.

Frank Sinatra

“Vajza e tij, Tina, pati thënë: “Unë mendoj se ai mund të identifikohej plotësisht me këngën, duke u rritur në Hoboken të New Jerseyt dhe duke parë përtej lumit në horizont që është New York; ai donte të ishte atje. Ai donte të ishte në anën tjetër.”

Ndërsa shumë këngë janë shkruar për qytetin e Nju Jorkut, asnjë këngë nuk ka rrëmbyer krenarinë dhe elegancën e qytetit si kjo. Teksti i këngës, “Nëse mund t’ia dal atje, do t’ia dal kudo”, përmbledh atë që ndiejnë shumë njujorkezë për qytetin e tyre: konkurrenca është intensive, por suksesi atje shpërblehet shumë dhe është shumë i kënaqshëm. Kënga thekson përgjegjësinë personale pasi është një vend ku nuk mund të presësh mundësi, por duhet të krijosh mundësinë për të pasur sukses, pavarësisht se kush je. Kjo këngë gjithashtu e popullarizoi Nju Jorkun si “Qyteti që nuk fle kurrë”, gjë që është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë, pasi shumë biznese janë të hapura 24 orë, por edhe në kuptimin figurativ, ku pritet të jesh gjithmonë në maksimumin tënd.

Sinatra ishte nga Hoboken, New Jersey, një periferi e qytetit të Nju Jorkut. Në vitin 1978, ai e kishte vendosur veten si një legjendë në industrinë e argëtimit dhe performanca e tij e kësaj kënge i dha asaj një besueshmëri që asnjë këngëtar tjetër nuk mund ta sillte (Tony Bennett tashmë e kishte lidhur veten me San Franciskon). Sinatra ishte shumë i njohur në Las Vegas, por ai e bëri të qartë me këtë këngë se duhej të ishe edhe më i mirë për të performuar në Nju Jork. Ai e mbante veten me shaka dhe njihej si një lider me shumë lidhje. Versioni i Sinatrës u nominua për një çmim Grammy për Albumin e Vitit, por humbi ndaj “Sailing” (Lundrim) nga Christopher Cross. “Dikush bëri shaka se unë munda Sinatrën, kështu që më mirë të ruaj shpinën time,” tha Cross për Songfacts me humor duke aluduar në lidhjet e Sinatrës me shefat e mafias. Nëse dikush mund të këndonte për fitoren dhe ta bënte atë me stil, ai ishte Sinatra.

Në shkurt 1985, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Edward I. Koch e shpalli “New York New York” si himnin zyrtar të qytetit, megjithëse në fakt nuk u zyrtarizua kurrë. Kënga u luajt në shërbimin funeral të Koch në 2013.

Katër dekada më vonë, kjo këngë përshkruan tingujt e lartë dhe të ulët të jetës, duke reflektuar mbi periudha të ndryshme, si pandemia e Covid-19, është përdorur në qindra seriale dhe filma në Hollywood dhe gjetkë. Versioni i këngës nga Sinatra është kthyer në një element të preferuar të karaokeve dhe një simbol klasik i festimeve të Vitit të Ri. Ata që këndojnë le t’ua këndojnë të tjerëve “Urime Viti i Ri” me New York, New York.

Krishtlindje në New York

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Stuhi dëbore në New York, avionët gjithë vonojnë.
Në qiejt lart diçka nuk shkon, dikush po mbyt dikë.
Janë ernat ndoshta që s’meren vesh, radarët janë nervozë.
Një puç qiellor ka ndodhur ndoshta e ne nuk dimë asgjë.

Ne si përherë asgjë nuk dimë, ndërkaq në aeroporte
Në salla pritjesh gratë nxjerrin pasqyrëzat me ngut.
Parfumi i vënë qysh në mëngjes në trup të tyre shqetësohet,
Errësimi i ëmbël mbi pubis besimin prore humb.

Shtjellë dëbore. Rrokaqiejt ngjasojnë si të dehur.
Do të besosh se e humbën peshën, si retë do ngrihen lart.
Ne si përherë asgjë s’kuptojmë, ne prapë drejt krimit rendim.
“Ah, ç’kohë e keqe!” përsërisim si papagaj të ngratë.

Avioni lejohet të zbresë më në fund.
Duke shkërbyer engjëjt flatron sërish.
Mbi rrokaqiejt shenjat e kryqit
Të zotin e presin të zbresë lartësisht.

Kurrkund në botë bujtësin e largët
S’e presin kaq dehshëm e me kaq bujë.
I varur humnershëm midis tokës e qiellit
Midisësi i madh dëgjon “alelujan”.

Vallë kujt i përket, ka plot dy mijë vite
Që enigmën e hershme s’e gjejmë ne dot.
“Ndorë të qiejve”, tha toka kur lart e ngriti,
“Ndorë të tokës” tha qielli kur e zbriti poshtë.

Ai mbeti në mes: shestimi ynë i thyer,
Ndërgjegja e vrarë, fluturimi që vdiq.
Është vonë që qielli prapë ta tërheqë,
Është vonë që toka ta tretë në gji.

Është vonë për të gjithë… Ndaj na sheh pikëllueshëm.
Vdekjejetshëm tek mërzitet njeriu – hyjni,
Dëshmitar i një pakti, i një bese të thyer,
I ëndrrës sonë tragjike për qiellsi.

Qielli ngryset më shumë. Dyer makinash përplasen.
Ndriçimi që dita me ngut e tret
Shpejton të strehohet në gurë unazash,
E në qafa grashë në, Avenunë e Pestë.

Është ora e diamanteve. Në Blumengdale
Ngadhnjimi i tyre vezullon që larg.
Krenarë pa dyshim që vdekjen s’e njohin,
Ndonëse jetën gjithashtu s’e njohin aspak.

Qielli nxin. Ora jonë po bie. Nën panikun
E kambanave të saj dyndemi gjithkund.
Te Rruga Dyzetedy, te kishë e Shën Patrikut
Ne apostujt, gjykatësit, judët e pafund.

Ecim nën ca shenja e shigjeta ndonëse e dimë
Se një rrugë veç njohim: atë që çon në mort.
Të vetmin në botë që të dy kahjet i kishte
E mbytëm, e tani i themi: kthehu, Zot.

Kthehu, bir i Zotit, na trego drejtimin.
Zbërthena shenjat që s’i marrim vesh.
Humnershëm ai hesht e në vend të përgjigjes
Si drita semaforësh katër plagët i ndez.

Pushoi stuhia në New York, avionët me kohë mbërrijnë.
Në salla pritjesh s’ka më frikë, parfumet s’vuajnë më.
Atë që ndodhi sipër nesh, ne natyrshëm s’e dimë,
Çfarë u përmbys e çfarë u ngrit, ne prapë s’dimë asgjë.

Ne shohim veç emblema bankash nën qiellin e hirtë,
Ca “Dow Jones”, ca “Dax”, ca shifra që shfaqen si në makth.
E në kartat tona të kreditit kërkojmë plagët e Krishtit,
E shenjat tona, që mes shifrash e zerosh rrjedhin gjak.

Ne s’dimë ku i morëm plagët, ku ramë e ku u thyem.
Afatet tona ne s’i dimë, verdiktin aq më pak.
Ndaj n’aeroporte rendim prapë, me shpresë të gjejmë prapë qiellin,
Por tokë e rëndë nuk na lë, s’na lë e zeza në baltë.
Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë,
Gjer kur i themi do na mbash në kurthin tënd të zi.
Ajo s’përgjigjet, veç në heshtje, ashtu siç gatit barin,
Për pabesinë tonë gatit ndëshkimi tonë të ri.

Presidentja Osmani në New York: Historia e Kosovës shfaq partneritetin, fuqitë e aleancave dhe demokracisë

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për ndjenjën dhe përjetimet e një refugjati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 24 shtator në Clinton Global Initiative në New York.

Ajo para të pranishmëve ka thënë se njerëzit e Kosovës e kanë dashtë lirinë dhe këtë nuk ka mundur askush t’ua mohojë e ndalojë pa marrë parasysh se sa e gjatë ishte rruga për këtë.

“Të jesh një refugjatë të formon si person, por edhe profesionalisht për të gjithë jetën. Dhe të inspiron në vete për nevojën që t’i shërbesh vendit tënd, njerëzve të tu dhe njerëzimit në botë”.

“Unë e di që jemi shtet i vogël por fuqishëm e besoj se ndikimi i jonë në botë nuk duhet të përkufizohet me madhësinë gjeografike apo vendndodhjen. Por për historinë që kemi për të thënë, historia e Kosovës është ajo që shfaq partneritetin, fuqinë e aleancave, dhe fuqinë e demokracisë”.

“Dhe tregon e asgjë nuk mund të qëndrojë në rrugën e njerëzve që dëshirojnë të jenë të lirë, asgjë pa marrë parasysh sa e vështirë është rruga, dhe pa marrë parasysh sa gjatë, gjithmonë ti do të jesh aty. Askush nuk mund të ndalojë njerëzit që duan të jenë të lirë”, ka thënë Osmani.

Tenori Ramë Lahaj me koncert dedikues ndaj komunitetit shqiptar në ShBA: Dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin Kosovës

Tenori i njohur, Ramë Lahaj, organizon koncert i cili i dedikohet komunitetit shqiptar i cili jeton New York, si shenjë mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e imazhit të shqiptarëve si dhe në çlirimin e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Tenori Lahaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Tej mase i lumtur që më në fund më 12 prill 2024 do jem në New York, me një koncert dedikuar enkas komunitetit shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për imazhin e shqiptarëve në përgjithësi dhe çlirimin e Kosovës në veçanti”, ka shkruar Lahaj.

Koncerti do të mbahet më 12 Prill, në një nga sallat më historike të New Yorkut, në ‘Saint George Theater’./KultPlus.com

Baleti Kombëtar nis provat për premierë në New York

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e dytë për vitin 2024, shfaqje kjo e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBA.

Në bashkëpunim me primabalerinën dhe koreografen Chiara Ajkun, kjo shfaqje, premierën botërore do ketë me dt 31.05.2024, në teatrin St.Jean, në Manhattan të New York-ut./ KultPlus.com

Inaugurohet rruga “Ismail Qemali” në New York

Një nga rrugët e State Island në New York, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është inauguruar me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, “Ismail Qemali”.

Këtë e bëri të ditur përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, kryetari i bordit të shkollave shqipe në New York, Qemal Zylo.

Ai ka thënë se duhet ta mbajnë amanetin e të parëve në zemrat e tyre, pasi siç shkruar Zylo flamuri, atdheu dhe gjuha shqipe janë ruajtur nga gjaku i derdhur i martirëve. / KultPlus.com

Një rrugë në New York pritet të mbajë emrin e Ismail Qemalit, konsiderohet moment historik

Qyteti i New York-ut pritet të nderojë një nga heronjtë e shquar të Shqipërisë duke i vënë emrin e tij një rruge. Rruga, e cila është hera e parë që do të mbajë emrin e një heroi shqiptar në këtë qytet të madh amerikan, do të mbajë emrin e Ismail Qemalit, figurës kryesore të pavarësisë shqiptare dhe presidentit të parë të shtetit të pavarur shqiptar.

Emërimi i një rruge në emër të Ismail Qemalit në New York nuk është vetëm një nderim për figurën e tij historike, por gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në qytetin e madh amerikan.

Shqiptarët janë një nga komunitetet më të rëndësishme dhe më të vjetra të diasporës në New York, dhe emërtimi i një rruge me emrin e një heroi kombëtar shqiptar përforcon identitetin dhe pranimin e tyre në këtë qytet.

Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, Naser Nika, dhe biznesmeni Shpëtim Qorraj, djali i dëshmorit Mustafë Qorraj nga Pemishta e Drenicës, janë shprehur se janë në përpjekje të vazhdueshme për të realizuar një ndër arritjet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në New York.

Siç kanë bërë të ditur për Dukagjinin, ata po angazhohen intensivisht për të emëruar rrugën e parë në Staten Island në nderim të një heroit shqiptar, duke e bërë kështu një ngjarje të pazakontë dhe historike.

Në një ceremoni emocionuese që do të zhvillohet më 3 qershor 2023, komuniteti shqiptar në Staten Island, New York, do të festojë momentin historik – emërimin e rrugës “Ismail Qemali”.

Ceremonia do të zhvillohet në Miller Field, një park i njohur i Parkut Board Walk, që ndodhet përball Rrugës Seaview Ave dhe Father Capedaano Blvd, në Staten Island.

Aktivitetet e ceremonisë do të jenë të shumta dhe do të kënaqin të pranishmit me një atmosferë festive.

Muzika shqiptare do të dëgjohet në tone të larta, recitimet do të përshkruajnë historinë dhe kontributin e Ismail Qemalit, ndërsa vallëzimet tradicionale do të japin një frymë autentike kësaj ngjarjeje.

Komuniteti shqiptar në të gjitha trojet do të mblidhet për të festuar këtë moment të rëndësishëm dhe për të shprehur krenarinë dhe dashurinë për trashëgiminë e tyre kulturore.

Rruga “Ismail Qemali” do të jetë një kujtim i përhershëm i kontributit të tij në historinë e Shqipërisë dhe do të shërbejë si një shenjë e unitetit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare dhe amerikane New York. Ismail Qemali lindi në vitin 1844 në Vlorë dhe u bë figura kryesore e lëvizjes për pavarësi në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1912, ai shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe u bë kryetari i parë i shtetit të pavarur shqiptar. / Insajderi / KultPlus.com

New Yorku shpall gjendje të jashtëzakonshme për ‘krizën’ e emigrantëve

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të trajtuar një “situatë krize” për shkak të fluksit të emigrantëve, përcjell KultPlus.

Më shumë se 17,000 emigrantë kanë mbërritur në qytet nga kufiri jugor që nga prilli.

Shtetet republikane si Teksasi, Arizona dhe Florida kanë dërguar emigrantë në zonat demokratike muajt e fundit.

Është pjesë e një mosmarrëveshjeje me Shtëpinë e Bardhë pasi një numër i paprecedentë njerëzish mbërrijnë në kufirin SHBA-Meksikë.

Që nga shtatori, mesatarisht pesë deri në gjashtë autobusë kanë mbërritur në qytet çdo ditë, tha zoti Adams në një konferencë për shtyp të premten.

Ai tha se një në pesë persona në sistemin e strehimoreve të qytetit është aktualisht azilkërkues.

“Shumë nga ata që vijnë janë familje me fëmijë të moshës shkollore dhe kanë nevojë serioze për kujdes mjekësor”, tha ai. /KultPlus.com

New Yorku ia kthen Italisë veprat e artit në vlerë 19 milionë euro

New Yorku i ka kthyer Italisë veprat e artit të vjedhura në vlerë 19 milionë dollarë, raporton BBC.

58 veprat e artit që datojnë 200 vjet para Lindjes së Krishtit, vlerësohen rreth 3 milionë dollarë.

Artefaktet e vjedhura ishin shitur nëpër muze dhe te shitësit privatë nga hajdutët, të cilët u dënuan më pas, ka thënë prokurori i qarkut të New Yorkut, Alvin Bragg.

Është tentimi i radhës i New Yorkut për t’i kthyer artefaktetet e vjedhura te shtetet e origjinës. / KultPlus.com

Jon Saqipi sjell edhe një çmim ndërkombëtarë në Kosovë

Regjisori i ri, Jon Saqipi ka shënuar edhe një sukses ndërkombëtar me filmin e tij të metrazhit të shkurtër “Circle” apo rreth.

Ai ka lajmëruar nëpërmes rrjeteve sociale që ka fituar çmim në New York në festivalin “Grand New York Film Awards – USA”.

Regjisori në një intervistë për T7 kishte thënë së është në pritje edhe të një çmimi në Berlin, konkretisht në festivalin “Emerald Peacock” ku është i nominuar në të gjitha kategoritë.

Deri me tani “Circle” (Rreth) ka pasur shumë sukses nëpër festivale ndërkombëtare. Ai ka fituar në katër sosh dhe ka qenë i nominuar në disa kategori.

Ai ka fituar çmimet si; filmi më i mirë studentor në – Gold Star Movie Awards – NEW JERSEY, USA; filmi më i mirë studentor në – Mumabi International Film Festival – INDI, filmi më i mirë studentor në – Grand New York Film Awards – USA dhe titull nderi për filmin më të mire studentor në – Arrow International Film Festival – PARIS, FRANCË.

Ai po ashtu ka qenë gjysmë Finalist në kategorinë për Regjisorin më të mire në – Hollywood International Golden Age Festival që është mbajtur në New York të SHBA-vë, mandej gjysmëfinalist për filmin më të mire studentor në Palm Springs Shorts  të Kalifornisë derisa është selektuar në të gjitha kategoritë në Emerald Peacock  të Berlinit në Gjermani.

Në rolet kryesore të këtij filmi luajnë: Sherif Bega, Shengyl Ismaili, Shkumbin Veseli, Rabije Kryeziu, Fatmir Haliti. Regjia është punuar nga Jon Saqipi me asistente Qëndresë Krasniqi. Producentë i filmit është Kastriot Saqipi, kameramanë Fitim Saqipi, organizator: Bleron Hevziu, montazher Xhemail Bajrami, tonist Shqiptar Dervisholli dhe post produksion i audios, Ben Haliti. /KultPlus.com

Loredana shfaqet në ‘billboardin’ e Times Square në New York

Një prej emrave më të përfolur në tregun e muzikës, këngëtarja shqiptaro-gjermane, Loredana, po vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Fama e saj ka përshirë një treg më të gjerë.

Suksesin e radhës, Loredana e shënoi duke u shfaqur në ‘billboardin’ gjigant të Time Square në New York.

Fotografia e saj në sheshin e qytetit amerikan u publikua nga Spotify dhe nuk vonoi dhe reperja e ka ripostuar në llogarinë e saj në Instagram.

Loredana është një prej artisteve që sjell më së shumti projekte gjatë vitit duke qenë kështu gjatë gjithë kohës nëpër top listat më të njohura.

Projekti i saj i fundit është bashkëpunimi me reperin shqiptar, Noizy “Heart attack” që është kthyer në një hit veror. / KultPlus.com

“Vallëzimi tradicional shqip” i fëmijëve shqiptarë në New York

Shkolla Shqipe në Staten Island, New York e organizuar nga Shoqata Atdhetare Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare dhe mësimit të këngëve e valleve shqipe, po krijon një traditë të shkëlqyer të ruajtjes së identitetit kulturor e kombëtar të fëmijëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës.

Mësueset e vallëzimit tradicional shqip, Hana Demiri dhe Nadia Hoxha, kanë rrëfyer për “Diellin” emocionet e rralla dhe ndjesinë e veçantë me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2021-2022.

KËRCIMI E VALLËZIMI SHQIP SI MUNDËSI E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE SHQIPTARE

Na duket si ëndërr kjo kohë që ka kaluar, sepse gjithmonë e kemi pasur dëshirën që të shpërndajmë dashurinë tonë për Vallëzim e sidomos për folklorin shqiptar edhe me të tjerët. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajmë se sa të kënaqur jemi me progresin e fëmijëve dhe me dashurinë e sapo gjetur për vallëzim që shohim tek ata nxënës. Ne e duam secilin nxënës dhe mezi presim t’i shohim të përparojnë. Na vjen shumë mirë edhe që ato kanë një krenari dhe dëshirë që përmes kërcimit të ruajnë trashëgiminë kulturore shqiptare.

FËMIJËT DHE EMOCIONET E MAGJISHME…

Në fillim fëmijët kanë pasur turp të kërcejnë dhe të flasin gjuhën shqipe. Kur i kanë mësuar hapat e valleve, fytyrat e tyre shkëlqenin nga lumturia dhe nga krenaria që kanë arritur të bëjnë këtë gjë.

V

ALLE E MUZIKË NGA TREVAT SHQIPFOLËSE

Në vitin e ardhshëm kemi disa valle të tjera për fëmijët. Kemi dëshirë t’i familjarizojmë me të gjitha vallet shqipe. Unë dhe Nadia jemi nga Kraja por edhe fëmijët nga Ana e Malit dhe Ulqini njohin vetëm vallëzimet e tyre. Është me rëndësi që ti lidhim me shumë valle dhe në anë e tjera të Shqiptarisë, Kosovës etj, që të mos kufizohen vetëm në vallet e vendit nga ato janë. Kufijtë nuk mund të na ndajnë prej kulturës tonë, dhe shpresojmë që t’i bëjmë nxënësit ta kuptojnë këtë gjë duke mësuar valle të ndryshme shqiptare.

SHOQATA ATDHETARE KRAJA, ANA E MALIT DHE ULQINI, BASHKËPUNIM TË SHKËLQYER

Prindërit na kanë mbështetur gjatë karrierës sonë të vallëzimit me nxënësit. Kur vendosëm që do të bëheshim mësuese, ato ishin krenar që përdorëm aftësitë tona si valltarë për të mësuar të tjerët. Drejtuesit e Shoqatës Kraja, të Anës Malit, dhe të Ulqinit besuan shumë tek ne që ditën e parë dhe na kanë mbështetur edhe më shumë sepse unë dhe Nadia jemi prej zonave të tyre. Ata dëgjuan çdo kërkesë tonën.

NXËNËSIT I TEJKALUAN PRITSHMËRITË…

Nxënësit i tejkaluan pritshmëritë tona në shumë mënyra. Ata u përparuan shumë në një kohë të shkurtër dhe e dimë që do të vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë e kërcimit me një ritëm të shpejtë. Ato e dinë vallen e Krajës, të Ulqinit, të Anës Malit, të Kosovës, dhe Shqipërisë të Jugut. Ato kanë dëshirë të mësojnë edhe Vallen e Kukësit dhe Valle me motive nga Malësia dhe nga Tropoja.

KUSH JANË MËSUESET HANA DEMIRI DHE NADIA HOXHA?

Hana Demiri filloi vallëzimin folklorik në vitin 2014. Nadia Hoxha filloi të kërcente kur ajo ishte pesë vjet dhe ka mbushur vallëzim folklorik në vitin 2016. Kam një pasion të madh për shkencat por edhe për gjuhët e huaja. Në Gusht do filloj vitin e tretë të universitetit duke studiuar shkencën e mjekësisë. Nadia u diplomua këtë vit me një diplomë në “marketing”. Ajo ka një pasion për të punuar me fëmijë të vegjël dhe për të udhëtuar. Të dyja i duam fëmijët dhe jemi shumë krenare për rrënjët tona shqiptare. Kemi dëshirë të shpërndajmë këtë krenari për shqiptarizmin përmes mësimit të këngëve dhe vallëzimit shqip./Dielli/ KultPlus.com

Nesër protestë në Nju Jork për moslejimin e riemërtimit të një rruge me emrin e Fan Nolit

Kryeministër, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare autoqefale, diplomat, shkrimtar, mjeshtër përkthyes i Shekspirit, Servantesit, Ibsenit, Poe, Fan Noli ishte një figurë madhështore në historinë shqiptare, transmeton KultPlus.

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork po përpiqet të riemërtojë një rrugë me emrin e tij.

Megjithatë, këshilltarja Marjorie Velazquez po bllokon kërkesën pa dhënë asnjë arsyetim.

Nesër do të ketë një protestë në Nju Jork.

Kjo kauzë që konsiderohet si e denjë pritet të mbështetet nga qytetarët për të ndarë të paktën detaje të protestës me shqiptaro-amerikanët që jetojnë në Nju Jork. / KultPlus.com

Lufta e Kosovës përmes filmit po përcillet nëpër botë, ‘Sofra e Varrit’ do të shfaqet edhe në New York

Filmi i shkurtër artistik “Sofra e Varrit” me skenar të Mentor Zymberaj dhe regji të Mirak Zymberaj ka arritur edhe një sukses tjetër ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Pas suksesit në Festivalin Ndërkombëtar të filmit “Artkino” në Moskë të Rusisë dhe selektimit në Festivalin “The Palace International Short Film Festival” në Sofje të Bullgarisë, tani filmi është ftuar për Festivalin “The 4th Meihodo International Youth Visual Media Festival” në New York.

Edhe një tjetër sukses për filmin nga Kosova i cili trajton temën e luftës 1999 në Kosovë dhe pasojat, fatet e njerëzve dhe luftën e heroizmat e pakompromise për të shpëtuar njëri tjetrin.

Këtë vit MIYVMF po fokusohet në tre kategori: Film me metrazh të gjatë, Dokumentar dhe Video muzikore./KultPlus.com

Jusuf Buxhovi u mirëprit nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork


Sot, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ata patën nderin të presin shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi.

Fillimisht, Ambasadori Isufaj e informoi profesorin Buxhovi për aktivitetet dhe funksionimin e Konsullatës në Nju-Jork ku, përpos shërbimeve të rregullta konsullore që ofrohen për qytetarët tanë në këtë pjesë të botës, ata janë përkushtuar edhe në zhvillimin dhe ruajtjen e raporteve me OKB-në dhe përfaqësuesit e Misioneve të Përhershme pranë kësaj organizate.

Nga ana tjetër, profesori Jusuf Buxhovi, përveç që bëri një përshkrim të shkurtër mbi historiografinë e tyre, që nga kohërat e lashta e deri në historinë më të re, duke qenë dhe vetë dëshmitar i saj, ai inkurajoi që si përfaqësues të shtetit të Kosovës të shpërfaqin historinë e tyre, gjithnjë të bazuar në argumente të besueshme historike.

Dëshmi që e përthekon tërë këtë historiografi është dhe vëllimi i tre librave të profesor Buxhovit, që kur flitet për rrënjët shqiptare-nga Dardania në kohërat antike dhe të Mesjetës te periudha e Perandorisë Osmane e deri te historia e tyre më e re-nga okupimi e deri te Protektorati Ndërkombëtar.

Këta libra nuk i kontribuojnë vetëm një realiteti historik, shoqëror, kulturor e politik të shqiptarisë, porse do të mbesin edhe përjetësisht në sirtarët e një historie të pamohueshme-histori që do t’u shërbejë gjeneratave të reja.

Me këtë rast, profesor Buxhovi i dhuroi atyre disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova”. / KultPlus.com

Më 7 janar të vitit ’55, sopranoja Anderson bëhet personi i parë me ngjyrë që perfomon në Operën e Nju-Jorkut

Marian Anderson ka qenë këngëtare amerikane e muzikës klasike dhe spiritualiste.

Si këngëtare me ngjyrë, ajo kishte probleme në Amerikën e asaj kohe kur racizmi ishte mjaft i theksuar.

Anderson u bë një figurë e rëndësishme në luftën për zhdukjen e racizmit dhe paragjykimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë artiste, 7 janari i vitit 1955 ka qenë data më rëndësishme në karrierën e saj.

Mezzo-soprano Mariana Anderson u bë personi i parë me ngjyrë që performoi në Operën Metropolitane të Nju-Jorkut, me shfaqjen “Un ballo in maschera” të Giuseppe Verdit.

Kritiku muzikor Alan Blyth tha: “Zëri i saj ishte një kontralt i pasur, i gjallë me një bukuri të brendshme”. Ajo interpretoi në koncerte dhe recital në vendet kryesore të muzikës dhe me orkestra të famshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Evropë midis viteve 1925 – 1965. / KultPlus.com

Anulohen festimet për Vitin e Ri, Omicron ‘izolon’ disa kryeqytete në botë

Përhapja e variantit të ri të Covid, Omicron muajt e fundit në botë ka bërë që shumë kryeqytete botërore të anulojnë festimet për natën e ndërrimit të viteve.

Në New York festimet do të jenë të kufizuara dhe qytetarët duhet që të përdorin maska.

Evropa është  një ndër vendet që ka shënuar një rritje të ndjeshme të rasteve të reja të të infektuarve me Covid duke bërë që shumë qytete të anulojnë edhe festimet.

Disa nga kryeqytetet evropiane që kanë anuluar festimet janë Athina, Roma, Berlini dhe Londra, ndërsa në vendin tonë edhe pse janë konfirmuar rastet e para me Omicron, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që natën e ndërrimit të viteve të hiqet edhe kufizimi i orës policore. /KultPlus.com

How to Spend New Year's Eve in Paris | The Tour Guy

New York po ndërton një ‘mur’ për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike

Me ndryshimin e klimës që po prek gjithnjë e më shumë zona të banueshme, një qytet amerikan po përpiqet të përgatitet për stuhitë e ardhshme. Qyteti i New Yorkut po realizon një projekt rezistent ndaj klimës për ta ndihmuar atë të shmangë gabimet e së kaluarës dhe të mbrohet nga ndryshimet e motit në të ardhmen, shkruan EuroNews.

Kryeqyteti ekonomik i SHBA-së është shumë i prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Me 836 km vijë bregdetare, ekspertët kanë frikë se nivelet e detit do të rriten midis 20-75 cm deri në vitin 2050, gjë që do të kërcënonte Nju Jorkun , veçanërisht ishullin Manhatan.

Me një popullsi prej 8.5 milionë banorësh, uragani Sandy i vitit 2012 dhe stuhitë Ida dhe Henri këtë verë shkaktuan miliarda dollarë dëme në qytetin më të madh të Amerikës, si dhe mbi 50 viktima. Me gjeografinë e tij të veçantë, “Big Apple” është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj motit të keq dhe së fundmi ka miratuar një plan për elasticitetin e klimës që kushton 20 miliardë dollarë për të parandaluar stuhitë e ardhshme.

Një nga projektet synon sigurinë e Manhatanit.  Si pjesë e projektit prej 1.45 miliardë dollarësh puna ka filluar tashmë në Manhatanin juglindor për të ngritur një sistem prej 4 km të parqeve, mureve dhe portave të lëvizshme me një linjë të vazhdueshme mbrojtjeje kundër rritjes së nivelit të detit dhe kërcënimin e stuhive më të forta bregdetare të përkeqsuara nga ndryshimet klimatike, shkruan abcnews.al

“Ky projekt do t’i mbrojë njujorkezët nga stuhitë bregdetare dhe rritja e nivelit të detit për dekadat në vijim, ndërsa gjithashtu do të investojë në lehtësira dhe do të përmirësojë aksesin në hapësirat publike në anën lindore të Manhatanit,” sipas Kryetarit të Bashkisë për Rezistencën ndaj Klimës, Jainey Bavishi.

Manhattan gjithashtu do të mbjell mijëra pemë përreth vendit të ndërtimit dhe do të përmirësojë sistemet nëntokësore për kanalizimet./abcnews.al /KultPlus.com

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi “Panairin e librit 2021”

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi Panairin e librit New York 2021.

Në këtë event morrën pjesë shkrimtarë nga Amerika, Kanadaja, Shqipëri, Italia. Gjithashtu pjesë e këtij panairi ishin edhe shkrimtarët Visar Zhiti dhe Gjekë Marinaj.

Panairi u organizua në orën 13:30, pranë Qendrës Kulturore Shqiptare Illyria.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. / KultPlus.com

Rastet me ‘omicron’ alarmojnë New Yorkun, vendosen masa të rrepta ndaj COVID-19

Qyteti i Nju Jorkut do të kërkojë që të gjithë punëtorët e sektorit privat të vaksinohen plotësisht kundër Covid-19, tha të hënën kryebashkiaku Bill de Blasio, transmeton KultPlus.

Kryebashkiaku njoftoi se vaksinimi është rruga e vetme për të dalë nga kjo pandemi.

“Qyteti i Nju Jorkut nuk do të japë asnjë centimetër në luftën kundër COVID-19. Vaksinimi është rruga për të dalë nga kjo pandemi dhe këto janë masa të guximshme, të para në vend për të inkurajuar njujorkezët të mbajnë veten dhe komunitetet e tyre. sigurt”, tha kryebashkiaku de Blasio.

Për më tepër, de Blasio tha se do të kërkohet gjithashtu prova e vaksinës për ngrënie në ambiente të mbyllura, fitnes dhe argëtim për fëmijët 5 deri në 11 vjeç, duke filluar nga 14 dhjetori.

Aktivitetet e brendshme gjithashtu kërkojnë tani dy doza vaksinash, nga një për njerëzit e moshës 12 vjeç e lart.

Ai gjithashtu njoftoi se fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç do t’u kërkohet të vaksinohen për të marrë pjesë në aktivitete jashtëshkollore me rrezik të lartë. Këto aktivitete përfshijnë sportin, grupin, orkestrën dhe kërcimin. Kjo kërkesë për dozën fillestare të vaksinës do të hyjë në fuqi më 14 dhjetor.

Qyteti i Nju Jorkut ka administruar mbi 12.5 milionë doza vaksinimi. Gati 6.5 milionë njujorkezë – duke përfshirë 89% të të rriturve – kanë marrë të paktën një dozë. Më shumë se 125,000 fëmijë të moshës 5-11 vjeç kanë marrë tashmë të paktën një dozë, sipas të dhënave të qytetit. /KultPlus.com

New York City Sets Covid-19 Vaccine Mandate for Private-Sector Workers - WSJ

Dua Lipa me një lajm të keq për fansat e saj, mjeku ia anulon koncertin e fundvitit

Këngëtarja Dua Lipa ka njoftuar fansat e saj për një lajm të keq që ka marrë nga mjeku i saj, pasi nuk do të performojë në eventin “Jingle Ball” të iHeartRadio KIIS FM, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Insta-Story”, 26 vjeçarja ka bërë të ditur se nuk do të jetë e pranishme në koncertin e fundvitit, pasi u diagnostifikua me laring.

“Më thyhet zemra që duhet të ndaj me ju faktin se nuk do të mund të performoj në ‘Jingle Ball’ të iHeartRadio KISS FM për shkak të laringitit”, ka shkruar Lipa.

“Më vjen shumë keq për të gjithë fansat e mi dhe jam vërtet mirënjohëse për mirëkuptimin tuaj. ‘Jingle Ball’ ka një formacion yjor me performanca të mahnitshme për të gjithë ju që jam e sigurt që do t’ju pëlqejë”, tha ajo.

Festivali që do të mbahet në qytetin e New Yorkut, do të jetë i mbushur me artistë me famë botërore sikure: Doja Cat, Ed Sheeran dhe Lil Nas X janë vendosur të performojnë aktualisht, lista mund të shtohet. /KultPlus.com

Image

New Yorku stoliset me flamuj kuq e zi

28 nëntori edhe këtë vit, në Shtetet e Bashkuara e Kanada erdhi me një serë aktivitetesh për nder të Ditës së Flamurit – 109 Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .   

Shqiptarët në zonën e Nju Jorkut,  sipas një tradite e nderojnë këtë ngjarje historike me ngritjen flamurit kuq e zi në qytetin e Nju Jorkut, dhe qyteteve të tjera, Çikago, Detroit, Boston, Filadelfia, Stanford dhe Toronto – Kanada, gjatë ceremonive qendrojn dy  flamur ai shqiptar dhe amerikan për t’u valëvitur krah njëri tjetrit.

Shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara aleatin e tyre më të ngushtë – që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë një shekull më parë, deri tek mbështetja më e fundit amerikane për pavarësinë e Kosovës. 

Ngritja e flamurit kuq e zi – krah atij amerikanë në shtyllat e ndriçimit të buluverdave të këtyre qyteteve është për të kremtuar edhe një marrëdhënie të veçantë, si dhe idealet tona të përbashkëta për lirinë dhe demokracinë.

Me këtë rast në rrugët e New Yorkut në qender të qytet-lagjeve (Borough) në Bronx, Brooklyn dhe Staten Island –  ku edhe mësë shumti jetojn shqiptarët, zbukurohen për disa ditë me flamurin kuq e zi dhe atë amerikanë.

Brooklyn: 

Edhe sivjet Brooklyni – New York , u gdhi me atmosferën e festës së flamurit kuq e zi ku shqiptarët nisën të festojnë Ditën e Flamurit. 

Dy bulevardet në qytetin e Brooklynit Bay Parkway dhe Cropsey Ave., deri në zgjatjen e 60th St. u stolisën përsëri nga  Shkumbin Hasangjekaj dhe Shkumbin Balidemaj me ndihmën e kompanisë « ABC Builders » me pronar Blendi Bekteshi, të financuara nga Fondacioni Plavë e Guci. 

Shkumbin Hasangjekaj, një shqiptar që jeton në New York, ka publikuar fotografi duke e mbushur një hapësirë me flamuj kombëtar.

“Tradita në Brooklyn vazhdon”, ka shkruar ai.

Staten Island: 

Edhe në këtë qytet nisën si çdo vjet kremtimet për 28 Nëntorin . Rrugët qytetit ku mendohet se jetojnë 20 mijë shqiptar në Staten Island – New York, janë veshur me flamujt kuq e zi.

“Edhe këtë vit është familja Çoku (Belul Çoku) nga Dibra e Madhe, e cila po sponsorizon flamujt në Staten Island, së bashku me organizatën  “Albanian Roots” që të mbushin këto rrugë me krenari shqiptare”, shkruhet në një informacion të publikuar nga “Albanian Roots”.

Bronx:

Edhe,  këtë 109 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë vendosja e flamujve kuq e zi  është bërë i mundëshëme nga inisiativa disa vjeçare e zotit Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së New York-ut, i cili është dhe sponsorizuesi kryesorë me kontributin financiar edhe me atë të disa veprimtarëve të tjerë të komunitetit.

“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur këto ditë në prag të festës së madhe Ditës së Flamurit, kemi për të parë këto flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një faleminderim për atë çkan bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, thotë Mark Gjonaj . 

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre,” ka deklaruar Gjonaj. / KultPlus.com

Mbi 600 mijë dollarë për një kitarë të Eric Clapton

Një kitarë nga koleksioni i  Eric Clapton u ble për 625 000 dollarë në qytetin e Nju-Jorkut, çmimi më i lartë në një ankand kushtuar legjendave të rock-ut, që arriti një shumë totale shitjesh prej gati 5 milionë dollarësh, njoftoi shtëpia e ankandeve “Julien’s”.

E shpallur si pika kryesore e këtij ankandi, që u zhvillua në Hard Rock Caffe, Nju-Jork, por edhe në internet, kjo kitarë akustike, një Martin D-45, e përdorur nga Clapton në vitin 1970 gjatë një koncerti të parë të drejtpërdrejtë nga grupi i tij, Derek dhe Dominos, ishte vlerësuar midis 300 000 dollarë dhe 500 000 dollarë nga Julien’s.

Çmimi i saj i shitjes mbetet shumë më i ulët se rekordi për një kitarë, i arritur nga ajo gjysmakustike e këngëtarit i Nirvana-ve, Kurt Cobain, e përdorur gjatë koncertit të famshëm “MTV Unplugged” në vitin 1993 (6 milionë dollarë në 2020, në Julien’s Auction).

Kitarat e tjera të shitura përfshinin një Gibson Explorer e vitit 1976 “The Edge”, e përdorur nga U2, që u shit për 437 500 dollarë dhe një Fender Stratocaster, e përdorur ga muzikanti i Pink Floyd, David Gilmour, që u shit për 200 000 dollarë.

Gati 1 000 lote dhe objekte të ndryshme, të kaluara nëpër duart e Beatles, Guns N’Roses, Nirvana, Michael Jackson, Amy Winehouse, Whitney Houston, Lady Gaga, Madonna, Elvis Presley, Rolling Stones, u shitën gjatë këtyre ankandeve. / KultPlus.com

32 vjet nga Seminari kushtuar 300 vjetorit të Pjetër Bogdanit në New York

32 vjet më parë, në 7 tetor 1989, komuniteti shqiptar në New York mbajti një Seminar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit.

Rëndësia e kësaj veprimtarie shkon shumë më larg se ajo e një ngjarjeje komunitare, kulturore, apo akademike. Vështirë që edhe vetë organizatorët dhe pjesëmarësit e kësaj ngjarjeje të kenë qenë të ndërgjegjshëm sesa monumentale do të mbetej aktiviteti në histori.

Do të mundohem për aq sa lejon një editorial të shpalos këtu ndikimin historik të Seminarit, po për një kuptim të plotë duhen lexuar përmbledhjet e medias të kohës, vetë ligjëratat e mbajtura, e kujtimet e pjesëmarrësve.

Në veçanti historia do t’i mbetet mirënjohëse Tonin Mirakajt, një nga organizatorët kryesorë, drejtues i Seminarit dhe autor i një libri që përshkruan me hollësi ngjarjen.

Kush ishte Pjetër Bogdani, që të meritonte një Seminar si ky? Një mënyrë për ta përshkruar është të thuash që ishte i fundmi i katër B-ve të mëdha të themeleve të gjuhës dhe kujtesës sonë kombëtare shqiptare, të prodhuara në perëndim të civilizimit të madh katolik në trojet tona. Pas Buzukut, Budit dhe Bardhit, Imzot Pjetër Bogdani ka lënë një trashëgimi të paçmueshme gjuhësore me “Çetën e Profetënve”. Me veprimtarinë e gati një jete, ai lidhet ngushtë me përpjekjen e fundit serioze për t’u shkëputur nga pushtimi otoman e për t’u rikthyer në gjirin e Perëndimit. Kjo ishte një periudhë historike që u paraprin ndërgjegjësimit të kombeve, po lëvizja e rezistencës që frymëzoi Bogdani ishte thelbësore për vetëdijen shqiptare për lidhjen historike me epoka e heronj të lavdishëm, për rolin e kësaj popullate e këtyre trojeve me gjenezën e fesë së krishterë, lidhje këto që do të shërbenin jashtëzakonisht shekujt më vonë kur shqiptarët të përballeshin me ndryshime që rrezikonin gjithë ekzistencën e tyre.

Pa figura si ajo e Bogdanit nuk do të kishte Rilindje Kombëtare, mbi bazën e të cilës shqiptarët mundën të mbijetojnë në hartën e botës. Po më shumë se një shekull që prej Rilindjes, bashkatdhetarët e Bogdanit ishin sërish në udhëkryqe historike që kërkonin ndihmën e tij. Në këtë 300-vjetor të Bogdanit, shqiptarët e Kosovës mund të hidhnin poshtë me krenari narrativën historike serbe që e përshkruante Kosovën si të përmbytur nga shqiptarët pas eksodit serb që shoqëroi dështimin e kryengritjes serbe në shekullin e 18. Veprimtaria e Bodganit shenjon në histori rezistencën shqiptare si pjesë e Ligës së Shenjtë Europiane shumë përpara se të zgjoheshin serbët nga ndikimi i Rusisë.

Ndërsa në Shqipëri ishin ndaluar të drejtat e njeriut dhe feja, ky kontribut madhor i Bogdanit shkëlqente nga e kaluara si frymëzim i refuzimit të një populli në kërkim të lirisë së tij.

Fakti që përkujtimi po bëhej i mundur nga një bashkëpunim të krishterësh e myslimanësh dëshmonte për frymëzimin mbarëshqiptar që prodhonte shembulli e kujtimi i Bogdanit.

Mes historisë së dikurshme dhe realitetit të kombit shqiptar në 1989, qendronte më mes komuniteti shqiptaro-amerikan. Kjo ngjarje shënon gjithashtu fillimin e një rilindjeje të madhe që do ta ngjiste komunitetin tonë në krye të sfidave kombëtare si kishte ndodhur vetëm në kohën e Nolit dhe të Konicës.

Seminari përkonte me daljen, si asnjëherë tjetër, në skenë të komunitetit katolik të Nju Jorkut që po e kthente suksesin ekonomik e shoqëror të dekadave në mërgim, në një forcë të madhe kombëtare. Familjet që dikur kishin mbërritur në këtë vend si mërgimtarë të rrënuar ia kishin dalë me sukses jo vetëm të mbijetonin po të realizonin ëndrrën amerikane. Ata kishin ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, kishin ruajtur identitetin e tyre kombëtar, fetar me traditat kulturore e zakonore. E tani ishin gati për të dhënë më shumë për atdheun e largët.

Vetëm pak ditë, përpara Seminarit, udhëheqësit e komunitetit katolik kishin blerë truallin ku do të ngrihej Kisha e Zojës së Shkodrës, në Hartsdale, që është sot një nga tempujt kombëtarë të shqiptarëve të Amerikës. Të bashkuar në një kishë të vetme, katolikët shqiptarë njujorkezë ishin një komunitet në ngritje të pandalshme gati për të folur me një zë autoritar për fatin e kombit.

Kush më mirë se ata mund të bënte një Seminar në këtë 300-vjeçar të Pjetër Bogdanit.

Suksesi tyre ishte edhe një sukses i mbar komunitetit shqiptaro-amerikan. Ishte zemërngrohëse bujaria e bashkëpunimi me vëllezërit myslimanë e të feve të tjera për këtë ngjarje të madhe.

Ishte dëshmi e ambicies së re të këtij komuniteti që Seminari u zhvendos nga ku ishte menduar fillimisht, në mjedisin e një restoranti, në një nga hapërsirat e Fordham University. Ligjëruesit nuk do të ishin veprimtarë të njohur e egot e rënda të komunitetit, po studiues e intelektualë të vërtetë, me tituj akademikë e me vepra kushtuar trashëgimisë së Pjetër Bogdanit.

Ngjarjet e mëdha janë shpesh të tilla se rastisin me kthesa historike dhe ndikojnë në to. Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit kishte rëndësi se u parapriu ngjarjeve të mëdha shndërruese të kohës. Vetëm pak më shumë se një vit më vonë do të rrëzohej komunizmi në Shqipëri, do të rivendoseshin lidhjet me SHBA-në, do të ligjërohej pluralizmi e me liritë fetare do të rihapeshin kishat e xhamiat.

Mes studiuesve të ftuar ishte edhe një emër që shumë shpejt do të bëhej më i njohuri i mbarë botës shqiptare. Në kohën, kur Tonin Mirakaj me shokë vendosën të ftojnë për në këtë Seminar Dr. Ibrahim Rugovën, ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Jugosllavi. Ai u ftua si albanolog, studiues e njeri i letrave. Vetëm pak pas kthimit në atdhe, ai do të vihej në krye të partisë së parë demokratike në trojet shqiptare në epokën e re.

Mirëpo, ndonëse ky prezantim i parë me komunitetin në SHBA nuk ishte i natyrës politike, ai hodhi rrënjët e një bashkëpunimi politik që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit historik të Kosovës.

Kur u kthye herën tjetër në SHBA, Dr. Rugova ishte bërë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por për ta mbështetur nuk ishin rreshtuar vetëm patriotët nga Kosova, po mbarë komuniteti dhe si rrallë më parë, komuniteti katolik i shqiptarëve, në New York, po edhe në Michigan e më tej.

Nuk kishte dyshim se Dr. Rugova kishte fituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve që e ndoqën gjatë asaj vizite e seminari në 1989. Ngjarja i shërbeu kauzës së Kosovës, në mënyra që as që mund të imagjinoheshin në atë kohë.

Pa ia hequr asnjë meritë Dr. Ëngjëll Sejdaj, pa ndërmjetësimin e të cilit, vizita e Rugovës mund edhe të mos kishte ndodhur e që ndoshta mes dy miqve nga Kosova ishte ai që ishte marrë më shumë me Bogdanin, po kjo vizitë e Rugovës ishte një ogur i mirë, një shenjë gati mbinjerëzore e ndryshimeve që po sillte koha.

Nga ana tjetër edhe vetë Dr. Ibrahim Rugova pati shansin të njihej me komunitetin shqiptar në SHBA. Ai gjeti mes komunitetit të Zojës së Shkodrës, një forcë që po zgjohej e që do të mbizotëronte në jetën e fatin e kombit. Arkitekti i Kosovës së Pavarur mori pjesë edhe vetë në vendosjen e gurthemelit të kishës në Hartsdale, New York, ku një ditë do të pritej me bujë si hero e mik i madh. Shqiptarët e Amerikës i dhanë mundësinë të njihej me ndërtesën e OKB-së, me ndërtesat qeveritare në Washington DC etj. Në një nga shkrimet për këtë temë, Frank Shkreli tregon për vizitën e Rugovës në shtëpinë e tij, në kryeqytetin amerikan. Për turin e ndërtesave qeveritare, Kongresin Amerikan, Shtëpinë e Bardhë. Rugova nga një anë ishte thjesht një albanolog që vizitonte Amerikën, por e parë me sytë e historisë sot, fare mirë mund edhe të kishte qenë një gjeneral që instikti e intuita e çojnë që të vizitojë fushën e betejës përpara edhe se të nisë lufta. Në këto institucione ndikimi shqiptar e serb do të përplaseshin po aq ashpërsisht sa në Kosovë, nëse i heq dhunën e armët.

Ëngjëll Sejdaj Frank Shkreli Ibrahim Rugova Washington DC 1989

Nëse Rugova ka pasur nevojë për zemërdhënie se Kosova nuk do të ishte vetëm e se Amerika me gjithë shkëlqimin dhe lavdinë e saj ishte e arritshme, ai pa diskutim është furnizuar bujarisht gjatë kësaj vizite. Kujtimet e saj kanë qenë padyshim në mendjen e tij kur themeloi e mori në drejtim LDK-në dhe lëvizjen për pavarësimin e Kosovës.

Nuk kam dyshim se katolikët shqiptaro-amerikanë do të ishin bashkuar gjithësesi në përpjekjet shqiptaro-amerikane në lobimin historik për Kosovën. Mirëpo, kjo njohje paraprake me udhëheqësin vendimtar të lëvizjes për pavarësi qenë një garanci e një nxitje e madhe për ta parë kauzën e Kosovës edhe si të tyren.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është një, po është gjithashtu edhe i përbërë nga një numër komponentësh. Komunitetet e grumbulluara rreth kishave katolike janë nga më të lidhurit, më të mëdhenjtë e më të fuqishmit. Nëse dëshiron t’i japësh jetë e gjallëri një kauze në këtë komunitet mbështetja e komunitetit të famullisë Zoja Jonë e Shkodrës është një nga faktorët idealë për t’u kooptuar. Ky është një komunitet me pasuri të madhe njerëzore. Po ndarjet janë të natyrshme. Njerëzit orientohen sipas prejardhjes së vjetër në atdhe, sipas krahinës, lidhjeve farefisnore, tempujve të besimit, ideologjive, organizatave dhe kauzave të përbashkëta që kanë për zemër, miqësitë e krijuara, fqinjësia nga banesa në SHBA, vendi i përbashkët i punës, e profesioni. Këto lloj ndarjesh krijojnë segmente të natyrshme të organizimit të komunitetit. Mes tyre vështirë të gjesh një grumbullim më të madh, më të bashkuar e më përfaqësues se ai i Zojës Sonë të Shkodrës.

Mjafton të kujtojmë Festivalin e përvitshëm folklorik kombëtar që mbetet ngjarja më e madhe e më e larmirshme artistike e kulturore e komunitetit shqiptar në histori. Sikur të mos mjaftonin këto është edhe ngjarja më afatgjatë, pas asaj obliguese të festimit të 28 Nëntorit. E nisur vetëm pak kohë pas Seminarit, përsëri nga Tonin Mirakaj me shokë, Festivali vijon edhe sot e kësaj dite. Edicioni i radhës do të organizohet së shpejti e nëse nuk e keni ndjekur kurrë, mos e humbisni këtë radhë.

Roli i katolikëve shqiptarë meriton një vëmendje që shkon përtej numrave të tyre kur flitet për pavarësimin e Kosovës. Ishte dëshmia e tyre e madhe historike që rrëzoi narrativën serbe se konflikti për Kosovën ishte një përplasje e “civilizimeve fetare”, mes të krishterëve serbë si mburojë e Europës dhe Perëndimit dhe e myslimanëve shqiptarë si agresioni që vjen nga Islami, Lindja apo Azia. Mbijetesa e madhe katolike e Kosovës është dëshmi e një krishterimi paraserb, madje edhe paraeuropian. Perëndimi e Europa ishin shekuj larg njohjes e përqafimit të Jezu Krishtit kur Shën Pauli shkroi letrat e tij për Romakët nga trojet e Ilirisë. U desh madje një perandor ilir që të zyrtarizonte krishtërimin si fe të Perandorisë Romake e të fillonte epokën e madhe të fesë së krishterë në këtë kontinent. Serbët me manastiret e tyre e kishat që ua vodhën me dhunë katolikëve shqiptarë e ua ndërruan identitetin sjellin në debatin e sotëm data që janë të paktën 1,000 vjet më të vonuara se ato të shqiptarëve. Një mijëvjeçar nuk mund të fshihet kaq lehtë nga historia e njerëzimit e nëse serbët duan të kthehen e të flasin për Mesjetën, po ashtu edhe shqiptarët kanë të drejtë e të flasin për rrënjët e tyre ilire e për tradita që nuk mund të injorohen më.

Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit mund të kishte qenë i natyrës akademike e kulturore për ai ndihmoi në gjenerimin e një përkrahjeje të madhe politike. Në një farë mënyre, ai zgjoi në momentin e duhur historik shpirtin rebel të Bogadnit që u mishërua në hovin e ri shqiptar për të jetuar në liri e mëvetësi. Bogdani jetoi në një epokë kur ndërgjegjja kombëtare nuk ishte zgjuar. Mesazhi dhe thelbi i lëvizjes së tij ishte thjesht fetare e katolike, po në zemrën e vet kishte diçka universale që rezonon në çdo kohë: dëshira për liri, lidhja e natyrshme shoqërisë shqiptare me Perëndimin, mbijetesa dhe qendresa e traditave shekullore. Këto nuk vdesin kurrë.

Tre dekada më vonë, shqiptaro-amerikanët duhet të kujtojnë me krenari këtë Seminar. Për nga organizimi i përkryer ai mund të rradhitet mes aktiviteve më me nivel në mbarë New York City-n. Për nga niveli i ligjëratave, ai nuk ka dallim nga seminaret më të ndritura akademike të universiteteve amerikane. Për nga pjesëmarrja e kurioziteti ai dëshmoi një ambicie të komunitetit tonë që shkon përtej materializimit dhe zbrazëtirës shpirtërore e intelektuale të kohës. Për nga pikëpamja historike, Seminari ishte nga ato ngjarje që i ndajnë epokat në dysh, duke shënuar ose fundin e njërës ose fillimin e tjetrës. E çfarë fillimi i madh që ishte ai. Një nga kapitujt më të ndritur të historisë së kombëtare po fillonte duke nxjerrë mësimet e një kapitulli tjetër pothuajse të harruar 300 vjet më parë. Në një farë mënyre shqiptarët e Amerikës u ngritën dhe thanë, shikoni çfarë ka ndodhur përpara 300 vjetëve. Po shikoni më mirë se çfarë do të bëjmë në këtë shekull të katërt. Sot, në këtë përvjetor gjendja e shqiptarëve as që mund të krahasohet me atë të kohës së Seminarit. E shekulli ynë i premtuar vetëm sa ka filluar. / Illyria

Nga Ruben Avxhiu / KultPlus.com