Fotografia e vogëlushit shqiptar ‘pushton’ ekranin gjigant të Times Square

 

Vogëlushi nga Kosova, Beni Godeni ka qenë protagonist i ditë së djeshme në New York. Fotoja e tij është publikuar gjatë gjithë ditës në ekranin gjigant të “Times Square”.

Në njërën nga fotografitë, Beni shihet bashkë me Fjolla Rracin, që në mënyrë vullnetare ndihmon fëmijët dhe të rriturit me Sindromën Down dhe ata me autizëm.

Fotografia e pesëvjeçarit Beni Godeni u përzgjodh në mesin e 100 më të mirave në konkursin e përvitshëm të Shoqatës Ndërkombëtare të Sindromës Down./Gazeta Liberale / KultPlus.com

Fshati që quhej… Nju Jork!

Nju Jorku, sot një nga vendet më të zhvilluara, ku ngrihen kulla nga më të lartat në botë, shumë vite më parë, ka qenë thjesht tokë bujqësore ku ngriheshin disa ferma.

Muzeu i koleksionit online të qytetit të Nju Jorkut, zbulon një sërë fotosh që tregojnë sesi dukej qyteti në atë kohë.

Galeria me fotografi përmban ilustrime dhe fotografi të kodrave përreth, që më vonë u rrafshuan për të krijuar atë që është sot:

Tre artistë nga Gostivari ekspozojnë në Nju-Jork

Të enjten me 13 qershor në MC Gallery në Nju Jork, tre artistë nga Gostivari, sjellin fragmente nga Ballkani. Në këtë ekspozitë të përkrahur nga Ministria e Kulturës së Republilës së Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Gostivarit do të prezantohen Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti me piktura, kurse Osman Demiri me fotografi. Janë këto copëza jete të harmonizuara në një ekspozitë të përbashkët për ta prezantuar artin e tyre pak më ndryshe në një vend prestigjioz siç është Nju Jorku. Gërshetimi i detajeve fotografike të Demirit me ekspresionizmin në pikturën e Spahiut dhe Mexhitit, janë një harmoni ngjarjesh të ndryshme të nënqiellit ballkanik, të cilin ata do t’ia prezantojnë publikut të atjeshëm. Ideja e kësaj ekspozite ishte që të tre, secili në mënyrën e vet ta përcjell një mesazh përtej oqeanit. Ekspozita në fjalë, e titulluar si “Fragmente nga Ballkani” ngërthen ciklet e fundit të artisteve.

Figuracioni i demit në pikturat e Spahiut simbolizon kryeneçësinë e popujve ballkanik, të cilët jo çdoherë zgjedhin dialogun si mënyrë për t’i zgjedhur problemet mes tyre, por instinktivisht dhe të nxitur nga “rrethi” anojnë kah zgjedhja e problemeve me forcë.

Nga ana tjetër, lirika ekspresive që është shumë e theksuar në tablotë e Mexhitit, të shkëputura nga cikli “Dimenzione kohore”, paraqet shpirtin kreativ të po këtyre popujve. Ata edhe përkundër hasmërive dhe tekeve që kanë historikisht mes tyre, shpirtërisht në vete bartin mirëkuptim dhe tolerancë.

Dëshmi më vete janë fotografitë e Demirit, të shkëputura nga cikli “Dialog dhe Kompromis”. Në to autori prezanton dhe vërteton se çdo gjë duhet të fillojë dhe mbarojë me dialog, dhe se, për fat të keq në Ballakan jo rrallë, dialogu nuk përfillet dhe krijohen konflikte, absolutisht të panevojshme dhe se u duhet kohë e gjatë dhe ndërhyrje nga jashtë për t’u gjetur ndonjë kompromis.

Pra, secili nga këta tre artistë, bart më vete idenë dhe kreativitetin artistik, si dhe mesazhin e qartë se mu këto diversitete, Ballkanin e bëjnë të veçantë, dhe se duhet punuar që një ditë këto të njëjtat të formojnë një tërësi të përbashkët. Ekspozita përmban 30 punime dhe do të jetë e hapur 10 ditë.

Fytyra e mërgimtarit shqiptar në muralin gjigand në New York City

Fytyra e një mërgimtari shqiptar të fiksuar në një nga fotografitë historike nga Ishulli “i Emigrantëve” Ellis (Ellis Island), në New York është bërë pjesë e një nga muraleve më të mëdhenj të qytetit.

Murali në fjalë paraqet pesë portrete emigrantësh dhe ka si autor artistin e famshëm të grafiteve të rrugës, brazilianin Eduardo Kobra.

Është pjesë e një serie prej 18 pikturimesh shumëngjyrëshe masive që, si raporton gazeta shqiptaro-amerikane, me qendër në New York, “Illyria”, artisti Kobra ka bërë vitin e kaluar anembanë në New York City.

Mes tyre ai që bie më shumë në sy është pikërisht projekti që përfshin edhe portretet e pesë emigrantëve dhe titullohet: “Murali Më i Madh në New York City”.

Mesazhi i tij është theksimi i natyrës së këtij vendi, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si atdhe i emigrantëve. Për kureshtarët, që duan ta vizitojnë, ai shpaloset në muret e një prej shkollave të mësme më të famshme njujorkeze, “Qyteti si Shkollë” (City-As-School), që ndodhet në West Village, në Manhattan, shkruan Illyria.

Projekti përfshin edhe punë të artistëve të tjerë si dhe të nxënësve të shkollës.

Pesë emigrantët e portretizuar janë përzgjedhur mes mijërave që kaluan 100 vjet më parë në Ishullin Ellis, që shërbente deri në fillim të shekullit XX si stacion inspektimi, për emigrantët që mbërrinin nga deti./KultPlus.com

Nju Jork, rritet interesi për veprat e artisteve femra

Me një rekord të ri që pritet për një vepër të Lee Krasner, e një tjetër i mundshëm për një punim të Helen Frankenthaler, oreksi për piktorët abstraktë femra dhe artistet femra në përgjithësi po rritet shpejt, ndërkohë që Nju Jorku përgatitet të hapë siparin e sezonit pranveror të ankandeve të hënën më 13 maj.

Sipas drejtuesit të shtëpisë së ankandeve “Christie’s”, një prej më kryesoreve në Nju Jork, interesi për punën e artisteve femra është sot më i dukshëm sesa kurrë.

“Ka shumë koleksionistë që iu kushtojnë vëmendje artisteve femra dhe duan të fokusohen tek ato. Gjithnjë ka qenë kështu, por tani interesi është dukshëm më i madh”, tha Alexander Rotter, drejtues i “Christie’s”.

Edhe për shtëpinë tjetër të ankandeve, “Sotheby’s”, po vihet re një përmbysje e madhe në treg me interes të shtuar tek artistet femra. “Muzetë dhe koleksionistët privatë po shohin punën e tyre me një sy më kritik”, thotë David Galperin nga “Sotheby’s”, e kjo është shoqëruar me një rritje të kërkesës për veprat e tyre.

Ekspozita “Frida Kahlo” në Muzeun e Bruklinit

Një ekspozitë e madhe kushtuar artistes meksikane Frida Kahlo u hap kohët e fundit në Muzeun e Bruklinit në Nju Jork.

“Pamjet mund të mashtrojnë” është ekspozita më e madhe në Shtetet e Bashkuara në një dekadë që i kushtohet piktores ikonë. Piktura, vizatime, madje edhe veshjet dhe sendet personale të saj janë shfaqur në Muzeun e Bruklinit në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri në mes të majit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mikhail Gutkin sjellë hollësitë.

Piktorja meksikane Frida Kahlo tallej me normat shoqërore të kohës së saj. Ajo ishte një ikonë e modës dhe një komuniste e përkushtuar, ishte gjithashtu me aftësi të kufizuara.

Në ekspozitën e Muzeut të Bruklinit, ka fotografi, vizatime dhe skica, rroba dhe sende të tjera personale nga shtëpia e saj në Meksiko Siti, të quajtur Casa Azul.

“Ajo duhet të ketë qenë një fëmijë shumë i vështirë për prindërit e saj, sepse ishte e lirë, ajo largohej nga shtëpia dhe shkonte në treg vetëm, e veshur me rroba meshkujsh”, thotë Carlos Olmeda, Drejtor Ekzekutiv i Muzeut Frida Kahlo në Casa Azul.

Piktorja u prek nga virusi i poliomelitit kur ishte e vogël. Ajo filloi të pikturonte kur ishte 25 vjeç, pas një aksidenti të rëndë automobilistik që e detyroi të qëndronte në shtrat për një kohë të gjatë.

Ajo ishte qendra e eksperimenteve të saj artistike. Kur Kahlo bëri një autoportret, ajo u përqendrua qëllimisht tek vetullat e trasha dhe të errëta.

“Paraqitja e fytyrave të saj të ndryshme ishte një pjesë shumë e rëndësishme e mënyrës se si ajo e shikonte veten. Sot mendojmë se është shumë moderne, gjë që e bën Frida Kahlo-n një personalitet tërheqës të artit, të gjithë e njohin atë, shumë njerëz kanë të njëjtat mendime dhe ndjenja si ajo”, thotë kuratorja e Muzeut të Bruklinit, Lisa Small.

Qyteti i Nju Jorkut ishte pjesë e rëndësishme e jetës së piktores Kahlo. Në vitin 1931 ajo erdhi në qytet për herë të parë, pasi bashkëshorti i saj, Diego Rivera, ishte ngarkuar me detyrën e krijimit të muraleve në Qendrën Rockefeller që sapo ishte ndërtuar.

“Asaj i pëlqente Nju Jorku dhe shumë gjëra rreth qytetit, si filmat, asaj i pëlqente King Kongu, pastaj teatrot dhe muzetë. Ajo shkonte shpesh në Harlem. Por kjo ishte koha e Depresionit të Madh. Në mbrëmje ajo hante darkë me familjen Rockefeller ndërsa në mëngjes rrinte në radhë për të blerë bukë”, thotë Catherine Morris, kuratore në Muzeun e Bruklinit.

Fustanet e Frieda Kahlos ishin të frymëzuara nga traditat meksikane, të pazakonta dhe të ndritshme. Ajo donte të bafasonte të tjerët, por edhe të fshihte papërsosmëritë e saj fizike. Aksidenti automobilistik i shkaktoi dhimbje të rënda piktores, prandaj ajo mbante korse për ta lehtësuar atë.

“Njerëzit shpesh e quajnë atë delikate apo të dobët, por Frida Kahlo është ndoshta një nga njerëzit më të fortë që unë kam njohur. Ishte me aftësi të kufizuara fizike, dhe ky është një element i rëndësishëm i ekspozitës sonë.”

Bukuria, stili dhe pikëpamjet e saj të veçanta për botën, së bashku me kufizimet e saj, e bënë punën e piktores Frida Kahlo argëtuese dhe befasuese ashtu si ajo vetë./KultPlus.com

Tenori kosovar pjesë e gala operës në New York

Riad Ymeri është tenori kosovar i cili është duke zhvilluar karrierën e tij në Amerikë, momentalisht si pjesë e organizatës për promovimin e të rinjve Camerata New York.

Do të organizohet Gala koncerti i tretë me radhë, për hirë të 19-të vjetorit të themelimit të kësaj opere, në Kishën Shën Jean Baptiste (76 në Lexington Ave) në një kombinim të lavdishëm të përzgjedhjeve të dashura të operës që i japin homazhe qiellit.

Më 4 qershor në orën 19:30, orkestra do të shfaq këngëtarët më të mirë ndërkombëtarë në veprat e Puccini, Bellini dhe Wagner.

Orkestra do të shoqërojë: Amy Shoremount-Obra, sopranoja, Anna Viemeister, mezzosopraani, Riad Ymeri, Tenori dhe baritoni Andrew Cummings në zgjedhje dhe arias nga Toska e Puccinit, Manon Lescaut dhe Sër Angelica, Lohengrin i Wagnerit dhe Norma e Bellinit.

Ky koncert do të ofrojë diçka prej muzikës më të lëvizshme dhe të paharrueshme në kanunin e operës. Për më tepër, këto të preferuarat do të kryhen nga disa nga zërat më të shquar dhe më të angazhuar në opera sot, të shoqëruar nga talentet muzikantë të Camerata New York./KultPlus.com

Teatri ODA dhe Blessed Unrest janë ribashkuar për projektin “Strehim”

Gjatë muajve prill dhe maj në Nju Jork, aktorët: Ilire Vinca, Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe regjisori Florent Mehmeti do t’i  bashkëngjiten pjesës amerikane të ekipës për të finalizuar shfaqjen që për rrëfim ka historinë, shumë pak të njohur, të shpëtimit e strehimit të hebrenjve nga shqiptaret “Strehim” (“Refuge”), gjatë Luftës II Botërore. 

“Strehim” (“Refuge”) është shfaqja e tretë origjinale e krijuar nga Teatri ODA dhe Blessed Unrest që nga viti 2005.

Gjashtë turne janë organizuar gjithsej deri tash në Ballkan, Evropë dhe në Nju Jork, përfshirë edhe projektin “Doruntine” që ka pasur dy turne të suksesshme në Amerikë dhe ka fituar Çmimin e Festivalit “Secondo” në Cyrih, Zvicër.

Premiera e “Strehim (“Refuge”) do të jetë më 25 prill në Baruch Performing Arts Centre në Manhattan në Nju Jork, për të vazhduar me shfaqjet deri më 11 maj 2019. / KultPlus.com

Në New York themelohet Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë

Në Queens të New Yorkut themelohet Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shtetit për Diasporën e Shqipërisë, e cila thekson se të shtunën, më 16 mars 21 studentët e parë firmosën aktin e themelimit të saj.

Dega e “Vatrës” në Queens deklaroi publikisht se nisi nga funksionimi Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë.

Në të njëjtën mbrëmje, dega e “Vatrës” në Queens me kryetar dr. Skënder Murtezani organizoi një veprimtari përkujtimore kushtuar 54-vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të “Vatrës”, editorit të parë të “Diellit” dhe Atit të Kishës Autoqefale Orthodhokse shqiptare, Fan S. Noli, si dhe përkujtimit të demonstratave të marsit të vitit 1981 në Prishtinë. / KultPlus.com

Hip-hopi me muzeun e vet në New York

Hip-hopi do të ketë muzeun e vet në New York. Lajmin e bëri të ditur reperi amerikan Kurtis Blow, i cili theksoi se do të hapet në Bronx, aty dhe ku lindi ky zhanër muzikor. “Universal Hip-Hop Museum” pritet të hapet në vitin 2023.

“Do të jetë një pjesë fantastike e historisë për këtë kulturë. Pasuria ime do të ketë një seli ku të gjithë mund të vijnë ta shikojnë nga afër”, -tha Blow.

Blow ka qenë i pari reper që pati një sukses komercial dhe i pari që ka firmosur një kontratë diskografike me një kompani ndërkombëtare. “The Breaks”, pjesë e albumit të vitit 1980 “Kurtis Blow”, u bë e para këngë rep e certifikuar me disk të artë në muzikën hip hop.

Rrënjët e hip-hopit mund të jenë në vitin 1973 dhe prej atëherë hip-hop e repi janë një industri miliardere dhe tërësisht të pranuara në kulturën tradicionale, si amerikane dhe në atë botërore. / KultPlus.com

Restoranti shqiptar në New York ​po mahnit amerikanët me ushqime tradicionale

Photo: Melissa Hom

Një restorant autentik shqiptar në New York po ua shfaq klientëve të tij një botë të re ushqimesh për ta, shoqëruar me dekorime të stilit antik. Restoranti i quajtur “Çka Ka Qëllu” po i kthen në kohë vizitorët përmes pamjes së tij.

Në muret e restorantit përmes fotografive paraqitet Ballkani i shekullit të nëntëmbëdhjetë, e përpos fotografive, aty mund të shihni edhe artefakte që janë edhe më të vjetra. Për shembull, e varur në mur qëndron veshja tradicionale e shqiptarëve. Pronarit të restorantit i janë nevojitur disa vite për t’i mbledhur ato. Ai i ka grumbulluar artefaktet sa herë ka shkuar në Shqipëri dhe në Kosovë.

“Këtu është një pjesë e historisë, traditës dhe kulturës sonë. Është historia e gjyshërve tanë”, thotë Elona Paja. Ajo është kryekuzhiniere e restorantit dhe gatuan në një kuzhinë dhe skarë të hapur përballë mysafirëve të restorantit.

Në restorantin shqiptar mund ta shijoni bukën tradicionale të misrit, kombinimet e ndryshme të mishit dhe djathit. Së pari, restoranti ishte piceri, por pronari Ramiz Kukaj i shërbente picat dhe byrekët bashkë me disa specialitete tjera shqiptare, ndërsa më vonë filloi të sillte edhe artefakte të ndryshme në restorant.

Ky ishte vetëm fillimi. Dhjetorin e kaluar, ai vendosi që ta hapte restorantin që tash ofron shumë specialitete tradicionale të kuzhinës shqiptare. Ai ia la emrin “Çka Ka Qëllu”, e cila është një shprehje e vjetër e mikpritjes në vendin që ka vuajtur një kohë të gjatë nga regjimi komunist. I gjendur në Belmont, prapa “Arthur Avenue”, restoranti duket si një muze i gjallë.

Pamja e tij ngjan me shtëpitë e vjetra mesjetare, me veglat antike të varura në mur dhe me tavanin e ndërtuar nga druri. Në fund të menysë së restorantit shkruhet: “Shumica e gatimeve tona përmbajnë vezë, miell dhe prodhime bylmeti. Rrjedhimisht, personat që janë alergjikë ndaj laktozës dhe glutenit, ndoshta është mirë që të mendojnë dy herë para se t’i shijojnë këto ushqime.

Menyja e restorantit nuk ka si të mos jetë e pasur edhe me brumëra. Ajo është e mbushur me emra ushqimesh që janë vështirë të shqiptueshëm, por lehtë për t’u dashuruar në to. Këtu përfshihet leqeniku, flia dhe mantiat.

Aty madje nuk mungon as kaçamaku. Përpos këtyre ushqimeve, restoranti dallohet edhe me bakllavanë e tij. Në këtë restorant është ndjesi mahnitëse ta shijosh kafenë turke, e shërbyer nga ibriku. I tërë shërbimi duket si një ceremoni festuese dhe kjo e ilustron më së miri atmosferën mikpritëse, që është pjesë e pandashme e restorantit./gazetaexpress.com/ KutlPlus.com

28 Nëntori, festë në Parlamentin e qytetit të New York-ut

Shqiptarët që jetojnë në qytetin e New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festuan festën e 28 Nëntorit në Parlamentin e qytetit.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, për këtë festim tha se ishte një nder dhe privilegj për të festuar pavarësinë shqiptare, ai po ashtu e falënderoi kryetarin dhe të gjithë antarët e Dhomës e së Këshilli së New York-ut.

“Urime për të gjithë shqiptarët që festojnë këtë ditë të rëndësishme në historinë, trashëgiminë, kulturën dhe kontributet që shqiptarët amerikanë kanë bërë këtij qyteti të mirë”, u shpreh Gjonaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Aty performuan disa valltarë për të pranishmit vallet shqiptare.I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ushtari i Marinsave Amerikane, Mark Kepi, i cili në rrjetin social Twitter ndau disa momente nga ky manifestim, shkruan RTKLive.com

Ai nëpërmjet kësaj uroi festën e Pavarësisë së Shqipërisë. “Sot Parlamenti i qytetit të Nju Jorkut ishte kuq e zi. Gëzuar pavarësinë Shqipëria jonë e dashur”, ishin fjalët që tha ai në postimin e tij në Twitter./KultPlus.com

Parku i fshehtë i New Yorkut, ku futen vetëm ata që kanë çelës

Thellë në Manhatan është një park me histori të veçantë, histori që e bën të jetë një nga thesaret e qytetit.

Pak veta kanë privilegjin të zotërojnë çelësat që duken të zakonshëm në pamje, por që të fusin në parkun më ekskluziv të qytetit të njohur amerikan.

Historia e parkut Gramercy nis në vitin 1831, kur një avokat vizionar për hapësirat e mëdha, Samuel B. Ruggles, bleu atë që në atë kohë ishte jo më shumë se një kënetë.

Ai e thau kënetën dhe tokën e quajti “Ferma Gramercy”. Më pas planifikoi një qendër banimi me 66 shtëpi dhe me një park rreth 8000 metra katrorë, të cilin e kuroi me kujdes.

Më pas ai nisi të pranojë vetëm banorë që do të binin dakord për një kusht: që ta mirëmbanin parkun brez pas brezi.

Dhe banorët e kanë mbajtur fjalën për 174 vite. Parku i rrethuar ka qëndruar i mbyllur gjithë këto vite, dhe u lejohet vetëm banorëve që kanë çelësat, duke krijuar kështu një standard prestigji dhe ekskluziviteti.

Banorët paguajnë rreth 350 dollarë në vit për të mbajtur çelësin, dhe bravat e parkut ndërrohen çdo vit. Sot janë 39 ndërtesa rrotull parkut, banorët e të cilave kanë të drejtë të marrin një çelës./ KultPlus.com

“Përtej maleve tona”, filmi për një çift shqiptaro-serb në Mitrovicë shfaqet në Nju Jork

Etriti dhe Milena janë një çift shqiptaro-serb në Mitrovicë dhe personazhet e një filmi me metrazh të shkurtër, që rrëfen historinë e dashurisë së tyre në një moment vendimtar, kur Milena ka një shans të shkojë të jetojë në Oslo të Norvegjisë.

Në filmin “Beyond our Mountains”, “Përtej maleve tona”, autorja dhe regjisorja amerikane Madeline Johnson shtjellon tensionin e dy jetëve të reja që mbartin mbi vete jo vetëm ndjenjat për njëri tjetrin, por edhe sfidat e së kaluarës dhe marrjes së një vendimi që mund t’u sakrifikojë të ardhmen e dashurisë së tyre.

Madeline Johnson kishte folur për “Zërin e Amerikës” në lidhje me këtë film si dhe për idenë e filimit. Ajo ka pohuar se idea erdhi pas vizitës që ajo ja bëri shoqes së saj e cila punonte në Kosovë, si dhe ajo shtoi se vendi e kishte tërhequr aq shumë dhe historia e saj e kishte joshur për të krijuar një film, ku sot do të shfaqet sot në Festivalin e Filmit Crown Heights në Brooklyn të Nju Jorkut.

“Në përgjithësi në filmat që krijoj, unë përpiqem t’i përgjigjem një pyetjeje të caktuar, përmes shtjellimit të një historie. Në këtë rast, pyetja ishte “Si mund t’i shërosh plagët?”, veçanërisht për këta personazhe që kishin pasur një marrëdhënie të vështirë. Unë kisha një shoqe që punonte në Kosovë dhe shkova dy herë për ta takuar dhe kur isha atje, e pashë sesa vend interesant, magjepsës dhe i bukur ishte kështu që doja që ta vendosja historinë atje dhe t’i përpunoja temat më shumë atje”.

Sa i përket aktorëve që luajnë në këtë film ajo ishte shprehur se aktorin kryesor ja kishin sugjeruar qendra kinematografike dhe ishte mahnitur nga profesionalizimi i tyre.

“Vali (Krasniqi) që luan personazhin tjetër kryesor, m’u sugjerua nga kompania kinematografike me të cilën punova unë që kishte punuar më parë me të dhe foli shumë mirë për të. Ai ishte fantastik, shumë punëtor dhe solli shumë njohuri, kurse aktoren kryesore Gala (Shalipur), e rekomandoi një mik i im. Të dy ata së bashku kishin një natyrë bujare dhe të ngrohtë, prandaj ishte e lehtë për ta që të punonin së bashku, të ndihmonin njëri-tjetrin gjatë xhirimeve. Lidhja mes tyre ishte vërtet kuptimplotë”.

Sa i përket shfaqjes së filimit në Kosovë ajo është shprehur se ka dëshirë që ai film të shfaqet edhe në Kosovë.

“Po, do të më pëlqente. Tani filmi është në fazën e pjesëmarrjes në festivale, por do të ketë mundësi të tjera. Pa dyshim që do të kisha shumë dëshirë ta ndaja me komunitetet në Kosovë”.

Filmi është realizuar nga produksioni kosovar ‘Asha’ me producent Alban Zogjani.

/KultPlus.com

Dije Saraqi, stilistja e “Javës së Modës” në New York

Dije Saraqi, një stiliste nga Kosova erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2011 dhe që nga ajo kohë nuk është ndalur në suksesin e saj.

Me durim, sakrificë dhe shumë punë ajo përfundoi shkollën dhe ndoqi pasionin e saj si stiliste në New York, shkruan VoA.

Sot, Dija është një ndër artistet kryesore në grupin që përgatit modelet për “Javën e Modës”, ose Fashion Week, ngjarjen më të rëndësishme të industrisë së modës në New York./ KultPlus.com

Meta takon bashkatdhetarët në New York

Presidenti Ilir Meta është në New York teksa po merr pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve e besimtarëve, Meta ka përshëndetur bashkatdhetarët duke i shprehur mirënjohje për atë që ata kanë bërë në ruajtjen e identitetit kombëtar.

”Ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që ju bëni duke i bashkuar të gjithë shqiptarët në SHBA. Të forcojmë identitetin kombëtar, bashkëpunimin e tolerancën ndaj njëri-tjetrit. Bashkëpunim për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë. Nder dhe privilegj të takoja në Vatikan, Atin e Shenjtë Papa Françesku. Kënaqësi e jashtëzakonshme, për të dëgjuar lutjet e bekimet e tij për kombin tonë. Porosia e Atit të Shenjtë, për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare. Porosia e Papës ishte që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës. Bekimet e lutjet e tij për kombin tonë, të na japin sa më shumë forcë, dashuri e bashkëpunim me njëri-tjetrin”, ka thënë Meta.

Ndërsa në rrjetin e tij social facebook, Ilir Meta shkruan:

“Para shtatores së Shën Nënë Terezës në New York, me anëtarët e Klubit Kulturor “Rozafati” të kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Kënaqësi e jashtëzakonshme që gjuha, traditat dhe vlerat tona kombëtare po trashëgohen dhe kultivohen me shumë dashuri tek të rinjtë shqiptarë që kanë lindur në SHBA”./ droni.al

Adem Demaçi përkujtohet në Amerikë

Shoqata ‘Atlantiku’, sot organizoi tubim përkujtimor për jetën dhe veprën e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Sipas njoftimit të organizatorëve, tubimi mbahet në njërin nga hotelet në New York, duke filluar nga ora 13:00.

Veprimtari i shquar shqiptar, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë më 26 korrik, në moshën 82 vjeçare. / KultPlus.com

Del në ankand koleksioni i aktorit Robin Williams

Koleksioni i mbledhur nga aktori amerikan, Robin Williams, i cili vdiq në vitin 2014, dhe bashkëshortja e tij e dytë Marsha, do të dalë në ankand më 4 tetor nga kompania e ankandeve “Sotheby’s” në New York.

Në mesin e dhjetëra pjesëve që do të propozohen renditen objekte nga bota e kinemasë, ku bie në sy një veshje liturgjike që ka veshur Daniel Radcliffe në sagën e “Harry Potter” (e vlerësuar mes 10000 dhe 15000 dollarë) aksesorë dhe veshje xhirimi si dhe trofe dhe dorëshkrime.

Koleksioni përfshin gjithashtu vepra të artit modern dhe bashkëkohor si për shembull një skulpturë e Nikit të Shën Fal ose piktura të emrave të mëdhenj të artit të rrugës si Banksy, Shepard Fairey apo francezit Invader.

Një pjesë e të ardhurave nga shitja do të shkojnë për disa organizata jo fitimprurëse si Wounded Warrior Project (kushtuar të plagosurve të luftës), apo Juilliard School, shkollës prestigjioze të muzikës, teatrit dhe kërcimit që ndodhet në New York./KultPlus.com

Arkitekti i Teatrit të ri Kombëtar projekton komisariatin modern në Nju Jork

Arkitektit të njohur danez, Bjarke Ingels, i cili është edhe autor i projektit të Teatrit të ri Kombëtar, i është besuar projektimi i komisariatit të ri të policisë në Bronks të Nju Jorkut, i cili ka nisur të ndërtohet.

Lajmin e ka dhënë revista “Contract Magazine”, e cila gjithashtu thekson se e dizenjuar nga arkitekti i njohur me famë botërore, Bjarke Ingels dhe Studio BIG, komisariati i ri në Bronks do të jetë një strukturë e madhe moderne, që do të përfundojë në pranverën e vitit 2021.

Kryebashkiaku Veliaj ka postuar lajmin në Twitter, duke hequr një vijë paralele mes asaj që ndodh në SHBA dhe debatit në Shqipëri për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, dy projekte të realizuara nga i njëjti arkitekt me famë botërore.

“Habi e madhe si nuk u çua me rrokopujë e gjithë Policia e NYC të mos lejonte ndërtimin e komisariatit të ri, siç sillen disa me Teatrin e Ri”, shkruan Veliaj në Twitter.

Bjarke Ingels është autor i shumë projekteve të mëdha në gjithë botën, përfshirë edhe një nga kullat binjake në Nju Jork. /KultPlus.com

“ëmbël” koleksioni më i ri nga “besë” (VIDEO)

Alberina Haxhijaj

Kreatorja Besa Neziri Rugova, e cila jeton në New York dhe njihet për stilin e veçantë që kanë koleksionet e saj, ka zgjedhur që përmes një videoje të paraqes kreacionet e fundit nën sloganin “ëmbël”, shkruan KultPlus.

Videoja është një film i shkurtër që është xhiruar gjatë fotosesionit të fundit në New York e që i paraprinë fotografive të koleksionit të ri.

Kreatorja e cila jeton në New York por që dashurinë dhe shpirtin e mbanë të lidhur fortë me vendlindjen e saj, tregoi për KultPlus se elementet tradicionale vërehen edhe në këtë koleksion ashtu si në koleksionet e saj të kaluara.

“Edhe kësaj radhe kam qëndruar brenda elementeve estetike që e karakterizojnë stilin tim. Bërthamë e çdo koleksioni që krijoj janë kostumet kombëtare, e që tashmë janë bërë edhe vulë e brendit “besë””, tha ajo.

Në këtë koleksion vërehet edhe guximin që ka marrë kreatorja duke luajtur më shumë me forma dhe me kontraste të materialeve.

“Si gjithmonë, në veshjet e mia theksoj sensibilitetin femëror, i cili shprehet si në prerje dhe silueta e po ashtu edhe në materiale. Do të vëreni mitanin si inspirim, mëngët e fryra dhe jakat me plise, pastaj xhubletën të cilën e përsëris në çdo koleksion por gjithmonë i jap forma të reja, pa ja humbur esencën”, u shpreh ajo.

Videoja është bërë në bashkëpunim me fotografin Arton Sefa, me të cilin po punon kreatorja kohëve të fundit si dhe me modelen Erjona Ala.

“Me Artonin kemi gjetur të njëjtën energji pune që është e rrallë dhe e pazëvendësueshme, ndërsa kësaj radhe muzë e kampanjës është Erjona Ala, modele shqiptare me suksese ndërkombëtar, e cila prezanton shumë mirë gruan për të cilën dizajnoj. Erjona me energjinë dhe sharmin e saj i jep shpirt videos dhe veshjeve”, u shpreh kreatorja Besa Neziri.

Për të kompletuar ketë koncept mbi të cilin është krijuar koleksioni dhe videoja e fotosesionit është përdorur edhe kënga “ëmbël” e Vlashent Satës./ KultPlus.com

Rita Ora, plot shkëlqim mbrëmë në New York (FOTO)

Rita Ora po vazhdon rrugëtimin e saj të pandalshëm në New York. Ajo mbrëmë me plot stil është shfaqur në mbrëmjen e Fragrance Foundation Awards in New York, shkruan KultPlus.

Generated by IJG JPEG Library

Me një fustan ngjyrë të verdhë, me shkëlqim anash ajo ka marrë përsëri vëmendjen e të pranishmëve. Rita Orën edhe me të veçantë e bën stili i flokëve mes të kuqes dhe të pemës.

Një mbrëmje më parë, ajo kishte shkëlqyer me fustanin e saj të kaltër ndërsa ishte shfaqur në mbrëmjen e TrevorLive, po ashtu në New York.

Rita Ora së fundmi ka publikuar këngën e saj “Girls”, me të cilën ka arritur të mbledh mbi 10 miliard klikime./KultPlus.com

Rita Ora ndriçon skenën në New York (FOTO)

Këngëtarja e njohura, Rita Ora mbrëmë ka shkëlqyer në New York atje ku është prezantuar në kuadër të projektit Trevor, ndërsa ka ndezur skenën me performancen e saj, shkruan KultPlus.

Rita Ora gjatë ditës së sotme ka ndarë emocionet e saj për pjesëmarrjen dhe performancën në këtë event.
“Jam shumë e emocionuar që kam performuar në një organizim kaq të mahnitshëm dhe në festimin e 20 vjetorit të projektit Trevor”, ka shkruar Rita në profilin e saj në Instagram, duke thënë se kjo organizatë po krijon një vend më të sigurt për komunitetin LGBTQ.

KultPlus ju përcjellë disa fotografi nga dukja e saj glamuroze mbrëmë.

Ankandet e New Jorkut thyejnë rekordin, veprat e rralla gjithmonë të kërkuara

Rreth tre miliardë dollarë vepra arti të shitura në dy javë. Ankandet e pranverës në New York kanë thyer rekordet dhe kanë treguar se interesi për veprat dhe skulpturat e mëdha është më i fortë se kurrë.

Rreth 1,79 miliardë dollarë për Christie’s dhe 859 milionë dollarë për Sotheby’s, rekordi nju jorkez e kalon atë të pranverës së vitit 2015, konsideruar për shumë kohë si një moment i jashtëzakonshëm, ndjekur nga një ngadalësim i shënuar gjatë sezoneve pasuese.

“Është kolosale”, thekson Georgina Adam, autore e “Dark Side of the Boom”, në tregun e artit të shekullit të XXI, edhe pse sezoni ka zgjatur dy javë në vend të një për koleksionin monumental të Rockefeller, raporton ATSH.

Asnjë rekord absolut këtë vit. “Salvator Mundi” e Leonardo da Vinçit u vlerësua në nëntor të vitit 2017 për 450,3 milionë dollarë duke qenë më i kërkuari. Por dhjetëra artistë e kanë kaluar çmimin e tyre më të lartë dhe më shumë se 250 vepra kanë arritur në miliona dollarë.

“Ka ende njerëz që dëshirojnë të blejnë me çmime të larta nëse është më e mira e tregut të artit”, thekson Rachel Poënall, profesor në Universitetin holandez të Maastricht.

“Në 2017, tregu i ankandeve u ringrit, me 18,9 miliardë dollarë nga 16,9 në 2016, por mbeti në nivelin më të ulët se ai i vitit 2015 me 21,1 miliardë dollarë”, sipas studimeve të realizuara për organizatën e specializuar TEFAF./ KultPlus.com

Vepra e Dafina Nushit do të interpretohet në koncertin “Mother Nature”, në New York

Vepra e kompozitores nga Kosova, Dafina Nushi do të jetë pjesë e koncertit “Mother Nature”, që do të mbahet javën tjetër në New York, shkruan KultPlus.

Koncerti Mother Nature, organizuar nga organizatat e New Yorkut , AËCANYC, organizatë e drejtuar nga kompozitorja Jin Hee Han qe u shërben kompozitorëve të rinj aziatikë dhe etniteteve tjerë nga e gjithë bota për të ndarë historinë e tyre përmes muzikës, si dhe Concrete Timbre, nën udhëheqje të Ann Warren, ku ka për qëllim shfaqje të guximshme ndërdisiplinore në kanonin e muzikës bashkëkohore duke krijuar mundësi për kompozitorët për të punuar në mjedise multidisiplinare.

Në këtë koncert prezentohen vepra te reja për grup saksofonistë të interpretuara nga Cobalt Quartet (Raymond Kelly, Anthony Izzo, Ryan Mantell, Josh Lang). Vepra këto të reja të kompozuara nga kompozitorët Ann Warren, Alex Chadëell, Amy Brandon, Anthony Izzo, David Loed, Dafina Zeqiri Nushi, Jacob Elkin dhe Jin Hee Han.

Vepra e Dafina Nushit që do të interpretohet është Atmosfera për dy saksofonostë ku është një përshkrim i atmosferës shpirtërore që na rrethon. Një frymë e tillë realizohet duke përdorur teknika të ndryshme interpretuese si këndimi dhe luajtja në të njëjtën kohë. Gjithashtu përpjekje të përfytyroj periudhat e mëparshme, si renesanca dhe baroku në aspektin modern, me një kombinim të moduseve dhe teknikave interpretuese.

Koncerti mbahet në Olli Studio, New York më 19 Maj në ora 19.00./ KultPlus.com