Familja Pagarusha jep detajet e fundit për varrimin e artistes së madhe Nexhmije Pagarusha

Bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha ka vdekur sot në moshën 86-vjecare. Familja e saj ka lëshuar një njoftim ku thonë se të gjithë ata që duan të ngushëllojnë familjen Pagarusha dhe Mulliqi, mund ti takojnë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më 8 dhe 9 shkurt, ku edhe do të mbahen homazhe dhe mbledhje komemorative, shkruan KultPlus.

Poashtu, familja Pagarusha ka njoftuar edhe për ditën e varrimit, KultPlus ju sjell më poshtë komunikatën e plotë të lëshuar nga familja Pagarusha dhe Mulliqi.

 “Njoftim !

Njoftohen i gjithe populli Shqiptar qe me datë 08.02.2020 sipas protokolit familjar hapet e pamja në hollin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë prej ores 08:00 deri 17:00. 

Me datë 09.02.2020 do të mbahen homazhe në hollin e Teatrit Kombëtar me ç’rast qytetarët do të mund ti japin nderimet e fundit.

Ne oren 11:00 fillon mbledhja komemorative në po të njejtin objekt-teatrin kombetar

4.

Ne ora 14:30 do të bëhet varrimi në fshatin Pagarushe,Malisheve me rrethin e ngusht familjar sipas amanetit të saj të fundit

E pamja me këtë rast vazhdon edhe per dy ditë dhe atë me datë 10-11.02.2020 poashtu ne hollin e Teatrit Kombetar ne Prishtine me fillim ne ora 08:00 – 17:00.

Kërkojmë mirekuptimin e te gjithë atyre që ndajnë dhembjen me ne , gjithe miqte dhe dashamiret e znj.Nexhmije per t’iu permbajtur protokolit familjar.

ME RESPEKT,

FAMILJA PAGARUSHA-Mulliqi”, njofton familja e të ndjerës./KultPlus.com

‘Falenderoj zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe e të mirë’

Sot ndërroi jetë një ikonë e muzikë shqipe, një ikonë gjurmët e së cilës janë ta palëkundura në historinë e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.

Nexhmije Pagarusha njihet për zërin e fuqishëm, për emocionet e ndjenjat e mëdha që përconte tek publiku shqiptar përmes këngëve e teksteve të saj.

Nexhmije përpos se një këngëtare e jashtëzakonshme, ka qenë edhe një aktore mjaft e mirë. Filmat në të cilët ka luajtur janë: “Dasma e përgjakur”, “Jugovizioni”, “Gëzuar viti i ri”, “E kafshoja terrin”, “I ikuri”, “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut” etj.

Nexhmija nuk ka harruar kurrë të tregojë për dashurinë e madhe që ka për kulturën e traditën e popullit tonë.

Prandaj, sot KultPlus ju sjell njërën nga thëniet më të njohura të saj.

Falenderoj zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe e të mirë’ / KultPlus.com

Ermonela Jaho: Nexhmija ka qenë idhulli im

Vdekja e Nexhmije Pagarushës, sigurisht se në veçanti ka prekur komunitetin e artistëve, prej të cilëve shumica e kanë njohur edhe personalisht, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore, ka treguar për KultPlus se lajmin për humbjen e Nexhmijes e ka pranuar me shumë trishtim.

‘Nexhmija ka qenë idhulli im kur isha fëmijë, jam impresonar që e vogël kur e dëgjoja në radio këngën e Bareshës. Dhe zëri i saj më ka ndjekur gjatë rrugëtimit të ëndrrës sime si këngëtare”, ka thënë Jaho për KultPlus.

Jaho poashtu ka treguar se Nexhmijen e ka njohur në një koncert bamirësie në Prishtinë.

”Ka qenë një emocion i papërshkruar takimi dhe përqafimi i saj, që e ruaj si një ndër kujtimet më të shtrenjta të jetës sime si artiste. I paharruar kujtimi i saj”, është shprehur tutje ajo. / KultPlus.com

Edi Rama: Nexhmije Pagarusha, një zë dhe zonjë e rrallë

Kryeministri i Tiranës ka shprehur keqardhjen e tij për humbjen e ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

”Një zë i rrallë dhe një zonjë e rrallë, Nexhmije Pagarusha, nuk është më mes nesh, por brenda i pashlyeshëm mbetet kujtimi i saj.
Prehu në paqe zonjë e madhe”, ka shkruar ai në statusin e postuar në llogarinë e tij personale në Facebook. / KultPlus.com

Erion Veliaj: Humbje e madhe për këngën shqiptare

Për ndarjen nga jeta të këngëtares shqiptare Nexhmije Pagarusha, ka reaguar edhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkruan KultPlus.

Ai është shprehur krenar që dy vite më parë, qyteti i Tiranës e nderoi figurën e Nexhmijes me ‘Çelësin e Qytetit të Tiranës’

”Ikja e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për këngën shqiptare! Krenar që, dy vjet më parë, nderuam me Çelësin e Qytetit të Tiranës një artiste të jashtëzakonshme që i dha kaq shumë muzikës tonë. U prehsh në paqe!”, është shprehur tutje Veliaj. / KultPlus.com

Ansambli “Shota”: Nexhmije Pagarusha, profili më i lartë që ndonjëherë kemi bashkëpunuar

Telegram ngushëllimi!

Në emër të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes së doajenës- Bilbilit të këngës shqipe, zonjës së nderuar Nexhmije Pagarusha. Njëherazi ngushëllimet shkojnë edhe për bashkëpunëtorët me të ngushtë dhe gjithë komunitetin artistik shqiptar.

Duam të shprehim bindjen tonë të thellë se ndarja fizike e Nexhit tonë, nuk e zbehë, por do ta forcojë edhe më shumë admirimin që kemi, ne dhe brezat që do të vijnë për këtë DIVË të papërsëritshme të këngës shqipe! Ajo, ndër të tjera paraqet edhe profilin më të lartë që ndonjëherë ka bashkëpunuar me Ansamblin “Shota”, me të cilin Nexhmije Pagarusha ka përformuar nëpër skenat vendore dhe ndërkombëtare, në vitet e arta të karrierës së saj.

Ne, gjenerata e tanishme mburremi që kemi jetuar në kohën e saj, që kemi pasur rastin ta njohim edhe personalisht, duke mos harruar edhe sa lartë e ka ngritur ajo “stekën”, që ne e kemi detyrim ta ruajmë si nivel përfaqësimi, ndër gjenerata. Padyshim që një Nexhmije tjetër, zor se lind serish. Thuhet se njerëz të tillë “lindin çdo 100 vjet”!

Në këtë rast dhimbjeje unë dua të kërkoj nga të gjithë që ne të mos qajmë për Nexhin. Nuk e lumturojmë atë, nëse ne përlotemi. Bëj ftesë për një DUARTROKITJE të gjatë! Më të gjatën që kemi bërë ndonjëherë!

Pushoftë në paqe shpirti saj, për aq gjatë sa ajo, me zërin e saj na ka fisnikëruar dhe na ka bërë të mburremi me të. Për aq gjatë sa do të jetojë vet KËNGA!
LAVDI!
Shefqet GJOCAJ, drejtor i AKKV “Shota” / KultPlus.com

‘Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Poezi nga Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri. / KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj: Zemër plas, më këpute shpirtin Nanush!

Tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke u shprehur  trishtuar për vdekjen e Nexhmije Pagarushës, shkruan KultPlus.

Reagimi i plotë i Lahajt:

Zemër plas!

Më këpute shpirtin Nanush!

Ajo që dhembë tmerrësisht shumë është që s’do të kem me mundësi të vij e të të përqafoj fizikisht por ne shpirt e mendje do të ruaj përherë kujtimin e veprën e madhe që na le sepse gjenerata të tëra, nder breza jem rritur me zërin tënd hyjnor.

Të na falësh që si shtet, nuk bëmë aq sa duhet për ty, por nuk bëmë kurrë për askënd që e ngriti lart ne piedestal artin dhe figurën e shqiptarit. Por kështu jemi ne. Luftë hijenash bëjmë vetëm për karrige.

Lamtumirë nanush!

Ta dish që sa të kem frymë e kudo në botë do mburrem me ty dhe artin tënd hyjnor.

U prehsh në paqe zëri i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, thuhet në reagimin e tenorit Lahaj. / KultPlus.com

Kurti për Pagarushën: Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar me rastin e vdekjes së artistes së madhe Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Kurti në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se ajo kishte talent të jashtëzakonshëm muzikor dhe humbjen e saj e ka cilësuar si të madhe për popullin shqiptar.

Postimi i plotë i Kurtit:

Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë!Bilbili na la. Këngët e saj po më sillen nëpër kokë. Zëri i saj s’pushon. Mes pak minutave të lirë nga takimi në takim, që po i kam, po e gjej veten duke menduar rreth këtyre këngëve.

Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra.

Ngushëllime të gjithë artdashësve. Kjo është humbje e madhe për gjithë popullin e për muzikën. /KultPlus.com

Shtyhet varrimi i artistes Nexhmije Pagarusha

Artistja e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë sot, shkruan KultPlus.

Trupi i pajetë i së cilës është nxjerrë nga banesa e saj për t’u dërguar në morg.

Amaneti i legjendës së muzikës shqipe ka qenë që të varroset në vendlindjen e saj në fshatin Pagarushë të Malishevës.

Ndonëse u lajmërua që varrimi do të bëhet nesër, kjo nuk do të ndodhë. KultPlus është njoftuar nga familjarët që varrimi nuk do të bëhet nesër sepse nuk po mund të arrijnë të gjithë familjarët. Për detajet tjera, KultPlus do të ju mbaj të informuar.

Pagarusha vdiq në moshën 86-vjecare.

Hitet e saj janë të pavdekshme si “Baresha”, “E dehun jam”, “Sytë për ty i kam të njomë”, etj. /KultPlus.com

“O dridhet mali cka u ba, o një bareshë prej nesh u nda”

E madhja Nexhmije Pagarusha, numëron shumë hite në karrierën e saj muzikore. Këngë të cilat dëgjohen e këndohen edhe sot pas shumë viteve që nga publikimi i parë.

Një ndër këngët që konsiderohet si himn i kësaj këngëtareje është “Baresha”.

Sot po e sjellim videon dhe tekstin e saj të mrekullueshëm të shkruar nga Rifat Kukaj ndërsa muzika nga Rexho Mulliqi. /KultPlus.com

Heej kam rrit shtatin
nder keto male
bashk’ me qingja e me dele
dhe bylbyla nder zabele
mbas kumones loje e gezime
si shqiponja ime

Refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali cka u ba
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali cka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…


Heej po tingllojne
shume kumona
gurgllon prroi malore
nalt ne qiell bjeshka me bore
n’bjeshk’ dashnija vjen me malle
sot nji fyell u kalle.

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba?
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali cka u ba?
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali cka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

Cila këngë e Nexhmije Pagarushës iu pëlqen më shumë?

Është e pamundur të zgjedhësh këngën më të mirë në mesin e qindra këngëve që Nexhmije Pagarusha i këndon gjatë tërë jetës së saj.

Një shpirt i mbushur me këngë e melodi, kur Nexhmija morri një tekst a një melodi në dorë, e këndoi dhe e mishëroi deri në fund. Pak kishte rëndësi nëse kënga ishte krijuar për të, për dikë tjetër, apo ishte këngë që ekzistonte asokohe.

Bilbili i Kosovës, sot jo aktive në muzikë dhe me një shëndet më të dobët krahas moshës, megjithatë gjatë karrierës aktive muzikore na la shumë melodi me të cilat sot nuk ka njeri që nuk është lidhur emocionalisht, së paku me ndonjërën prej tyre.

Duke shikuar popullaritetin e Nexhmije Pagarushës – zërit të kristaltë të shqiptarëve, këngët e saj në internet kanë marrë hovin e tyre dhe klikimet e tyre. Jo pse sipas klikimeve mund ta dimë sa shumë pëlqehen këto këngë, por kjo shërben pak për të parë cilat janë ndoshta këngët më të njohura të saj, dhe më të pëlqyera, edhe pse një pjesë e tyre janë krijuar në dekada kur dëgjuesit e saj të sotëm nuk kanë qenë ende të lindur.

BARESHA është padyshim ndër këngët që më së shumti dëgjohen sot, vulën e së cilës e mban në origjinal zëri i Nexhmije Pagarushës.

E DEHUN JAM për vite me radhë ka ardhur për dëgjuesin shqiptar në forma e versione të ndryshme, ndërsa kënga origjinale këndohet nga Nexhmije Pagarusha.

ÇOU MORE REXHO është titulli i këngës tjetër nga Nexhmija, një tekst në delir për kërkesë të ringjalles së Rexhës, këtij heroi të vërtetë. Kënga e Rexhës është një rrëfim që vjen në formë muzike kënduar nga e madhja Nexhmije Pagarusha. Ju mbetet juve të na tregoni këngën tuaj të preferuar nga bagazhi muzikor i pasur i Nexhmije Pagarushës. /KultPlus.com

Detaje për varrimin e Nexhmije Pagarushës

Artistja e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë sot, shkruan KultPlus.

Trupi i pajetë i së cilës është nxjerrë nga banesa e saj t’u dërguar në morg.

Amaneti i legjendës së muzikës shqipe ka qenë që të varroset në vendlindjen e saj në fshatin Pagarushë të Malishevës.

Pagarusha vdiq në moshën 86-vjecare.

Hitet e saj janë të pavdekshme si “Baresha”, “E dehun jam”, “Sytë për ty i kam të njomë”, etj. /KultPlus.com

Dumoshi: Kujtimi për Nexhmijen do të jetë i përhershëm për ne, dhe një shembull fisnik për brezat e ardhshëm



Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka reaguar me një telegram ngushëllimi për vdekjen e Nexhmije Pagarushës.

Ky është reagimi i Dumoshit:

E nderuara familje Pagarusha,

Me dhimbje dhe pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të dashurës suaj dhe këngëtares sonë të madhe, Nexhmije Pagarushës.

Ndarja nga jeta e Nexhmijes është një humbje e madhe për ju, për miqtë e saj dhe kulturën shqiptare, të cilës ajo i dha shumë vlera dhe dinjitet.

Nexhmije Pagarusha me artin e saj muzikor, ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e ngritur në një nivel të lartë. Dhe kështu, ajo u bë ikonë e Kosovës moderne, duke u bërë edhe burim frymëzimi për breza të tërë.

Prandaj, ajo do të mbetet përgjithmonë bilbili i këngës shqipe në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë.

Kujtimi për Nexhmijen do të jetë i përhershëm për ne, dhe një shembull fisnik për brezat e ardhshëm.

Nexhmija ka lënë pas vete një trashëgimi të pasur, ndaj të cilës jemi falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi. Shumë këngë të saj janë shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës.

Ajo me punën dhe kontributin e saj ka sjellë një epokë identitare në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke përfituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. Këngët e saj, veçmas “Baresha”, janë kryevepra të artit muzikor.

Ne jemi brez me fat që u rritëm me këngët e saj.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi. /

“Vet ke mbetë, në dhomën tënde s’është shikimi im” (VIDEO)

Artistja e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha iku sot në amshim, duke lënë pas një karrierë shumë të pasur, shkruan KultPlus.

I gjithë opinioni u pikëllua me lajmin për ikjen e saj, Nexhmije Pagarusha është autore e qindra këngëve që kanë mbetur të paharruara për publikun.

Përgjatë 40 vjetve karrierë, jo arriti të bëhet e pavdekshme me performancat e saj të jashtëzakonshme.

E shkëlqyer ajo ka qenë në interpretimet në muzikën popullore dhe në opera, por Nexhmije Pagarusha bëri karrierë të suksesshme edhe si aktore, në film dhe në teatër.

Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Sot po e kujtojmë këngën e saj “Vet ke mbet”, një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm. /KultPlus.com

Vjosa Osmani: Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës nuk na ndan nga këngët e saj


Vdekja e bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha ka prekur të gjithë.
Reagimet janë të shumta e dhimbja për këtë humbje është e madhe.

Me dhimbje të madhe ka reaguar edhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ajo vlerëson se me këngët e saj, Nexhmije Pagarusha ka bërë që të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.

Ky është reagimi i plotë i kryeparlamentares Vjosa Osmani:

Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e bilbilit të Kosovës muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha.
Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj.
Nga “Baresha” e deri te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.
Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha

Poezi nga Sabri Hamiti

Jeta nuk është këngë,
as fustan i qëndisur –
mish i gjallë e gjak.

Sekush do një copë bukuri
të fshehë huqet e veta…
Edhe qorri, edhe shurdhani.

E gjithkujt po si e kurrkujt:
madhështitë e drunjta
pijnë ujë në pusin e ëmbël.

Del në derë me sy të njomë
ndihet jehonë e Bareshës,
Rexha nën patkonj të kalit.

Kënga s’ia çon bishtin kandarit!
Ankthi ngjitet në qiell.
Mish i gjallë e gjak.

Trungu ilir, 1979

Thaçi: I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës

Ka ndërruar jetë sot bilbili i muzikës Nexhmije Pagarusha.

Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar për vdekjen e Pagarushës duke e vlerësuar si një humbje të madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar, shkruan KultPlus.

Ky është reagimi i plotë i presidentit Thaçi:

Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.

Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.

Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës! HTH / KultPlus.com

“Si s’pate pak mëshirë, me m’lanë në kohë ma t’mirë”

Nexhmije Pagarusha konsiderohet si legjenda e gjallë e muzikës shqiptare e cila ndër vite ka krijuar këngët më të njohura shqipe.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Izrael, Bosnje e plot shtete tjera. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Këtu po i sjellim disa nga këngët më të famshme të cilat ndër vite vazhdojnë të dëgjohen dhe të mbesin të pavdekshme për gjithë publikun. Sot Nexhmije Pagarusha mbetet ndër vokalet më të arritura shqipe, edhepse ka kohë që nuk është aktive në muzikë.

“Baresha” është kënga më e njohur që ka sjellur emocione të fuqishme dhe që vazhdon të dëgjohet me ndjenja krenarie. Zëri i jashtëzakonshëm i Bilbilit të Këngës Shqipe përcillet me pamjet me të bukura të natyrës së Kosovës.

Nexhmije Pagarusha është e njohur edhe për këngët e saj pa karakter patriotik. Njëra nga to është “E dehur jam”, një baladë dashurie e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet ndër më të preferuarat e publikut. E njëjta është ripërpunuar dhe kënduar nga shumë artistë.

Duhet përmendur se Nexhmija, kjo grua e rrallë dhe legjendë e artit e kulturës shqipe, pos si këngëtare është njohur edhe si aktore në disa filma dhe shfaqje teatrore. Megjithatë, ajo kulmoi në këngë dhe ishte e magjishme në notat e larta muzikore. /KultPlus.com

”Kët’ natë të lehtë gjumi s’më merr, vetëm hana m’bën shoqni”

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, do të mbesë në historinë e muzikës shqiptare si zëri më i veçantë i kësaj muzike, shkruan KultPlus.

Njihet për tekstet e saj të veçanta, të cilat i intepretonte me zërin e saj të paharrueshëm për skenën muzikore shqiptare.

Sot, KultPlus ju sjell njërën nga këngët e saj më të njohura. ”Sytë për ty i kam të njomë”, është kjo kënga që dëgjohet e këndohet edhe sot e kësaj ditë.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Kët’ natë të leht gjumi s’më merr
Vetëm hana m’bën shoqni
Veç për ty i dashur qaj
pse s’vjen ma s’di çka të baj

S’më lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetësu

Dal n’dritare me ndëgju
Zanin tand a mos ta ndij
Era e lehtë me flokët e mia lun
Tuj shpresue se po vjen

Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetsu

Sytë për ty i kam të njomë
Si s’dien dhimbje hiç për mu
E ty Hën t’lus me më ndihmu
Ta gjej djalin që e du


Smë lan lotët djal me t’shikju
Eja xhanin me ma qetsu. / KultPlus.com


Cfarë thoshin Nexhmije Pagarusha e Dritëro Agolli për Vaçe Zelën

Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në qytetin e vogël të Lushnjës. Padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

U nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës.

Në vijim mund të lexoni se cfarë mendonin mendjet më me ndikim në artin shqiptar, për Vaçe Zelën:

Dritero Agolli: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.”

Osman Mula: “Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”

Avni Mula: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”

Ferdinand Deda: “Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat.

Luan Zhegu: “Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit”, sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”

Rikard Ljarja: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. /konica.al/KultPlus.com

Do të promovohet libri monografik “Nexhmije Pagarusha”

Monografia “Nexhmije Pagarusha” është një rrëfim personal dhe origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijmtarinë e këngëtares tonë të famshme shqiptare, znj. Nexhmije Pagarusha.

Monongrafia për zonjën Nexhmije ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në 13 kapituj, libri ka paraqitur rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme.

Vetë këngëtarja me rrëfimin e saj jetësor është boshti i rrëfimit të këtij libri. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, muzikantë e persona të tjerë që e njohin mirë dhe kanë punuar ngushtë me znj. Nexhmije Pagarusha, të cilët e plotësojnë rrëfimin e saj.

Qëllimi kryesor i botimit të këtij libri është që të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë.

Nëpërmjet dokumentimit dhe rrëfimit të artistes dhe bashkëpunëtorëve të saj, libri ka nxjerrë në pah historinë krijuese të njërës prej këngëtareve më të famshme të muzikës shqipe.

Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar këngëtaren, është paraqitur si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i zonjës Nexhmije.  Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.

Promovimi i librit monografik “Nexhmije Pagarusha” do të bëhet më 21 shtator 2019, prej orës 19:00 në Hotel Swiss Diamond, Prishtinë.

Ceremonia e promovimit të këtij libri monografi tenton që në mbrëmjen e sotme të paraqesë në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit si dhe para zonjës së madhe e cila është subjekti kryesor i këtij libri.

Monografia “Nexhmije Pagarusha” me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. /ekonomiaks/KultPlus.com

Jeta e Nexhmije Pagarushës edhe në libër, promovohet të shtunën

Monografia “Nexhmije Pagarusha” është një rrëfim personal dhe origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme shqiptare, Nexhmije Pagarushës. 

Monongrafia për Nexhmijen ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në 13 kapituj, libri ka paraqitur rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Vetë këngëtarja me rrëfimin e saj jetësor është boshti i rrëfimit të këtij libri. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, muzikantë e persona të tjerë që e njohin mirë dhe kanë punuar ngushtë me Nexhmije Pagarusha, të cilët e plotësojnë rrëfimin e saj.

Qëllimi kryesor i botimit të këtij libri është që të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë. Nëpërmjet dokumentimit dhe rrëfimit të artistes dhe bashkëpunëtorëve të saj, libri ka nxjerrë në pah historinë krijuese të njërës prej këngëtareve më të famshme të muzikës shqipe. Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar këngëtaren, është paraqitur si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i zonjës Nexhmije.  Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.

Promovimi i librit monografik “Nexhmije Pagarusha” do të bëhet më 21 shtator 2019, prej orës 19:00 në Hotel Sëiss Diamond, Prishtinë. Ceremonia e promovimit të këtij libri monografi tenton që në mbrëmjen e 21 shtatorit të paraqesë në mënyrën më të mirë të mundshme tërë punën që është bërë për publikimin e këtij libri para familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit si dhe para zonjës së madhe e cila është subjekti kryesor i këtij libri.

Monografia “Nexhmije Pagarusha” me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha nderohet me vendosje në pulla postare

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Postën e Kosovës, përkatësisht Filatelinë e Postës, u lansua Pulla Postare në nderim dhe vlerësim të figurës së shquar, ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Me iniciativë të ministrit Kujtim Gashi, Posta e Kosovës i dedikon legjendës së gjallë më muzikës shqipe Nexhmije Pagarushës Pullë Postare.

Më këtë rast, Gashi tha se sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë pasi u lansua pulla postare në nderim të Nexhmije Pagarushës,

Ai më tej deklaroi se me angazhimin e tij dhe të stafit të MKRS-së, është marrë iniciativa për pension shtetëror i përmuajshëm për Nexhmije Pagarushën.

MKRS-ja së shpejti do të botojë një monografi për mbretëreshën e këngës shqipe, ‘Bilbilin e Kosovës’, si dhe në vendlindjen e saj në Pagarushë të Malishevës do të ndërtohet qendra e kulturës për nder të saj.

Mbesa e Nexhmije Pagarushës e cila pranoi plaketën e emisionit të ri të pullave postare, në emër të familjes e vlerësoi si mirënjohjen më të mirë, vendosjen e figurës së Nexhmije Pagarushës nëpër pulla postare.

Ajo përcolli falënderimet e Nexhmije Pagarusha për ministrin për iniciativën e marrë, duke shprehur mirënjohjen për kujdesin e treguar institucional të treguar ndaj saj.

Ndërsa përfaqësuesi i Postës së Kosovës u shpreh se përmes pullës postare në nderim të figurës së Nexhmije Pagarushës ndjehet e privilegjuar dhe e nderuar edhe Posta e Kosovës sepse kontributi i këngëtares është jashtëzakonisht i çmuar dhe ka përçuar vlera nëpër gjenerata të tëra./klankosova/ KultPlus.com