Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar ngritjen e bandave politike, teksa sipas tij kësaj kategorie të shoqërisë i kanë ndihmuar gazetarët të cilët nuk e ushtrojnë si duhet profesionin e tyre, shoqëria civile dhe pseudo-analistët, shkruan KultPlus.
Ai ka përmendur edhe analistët kosovar, të cilët i ka cilësuar si analista të terrasave me makiato, që nuk dinë dhe janë të nënshtruar.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Nezir Krakit:
Analizat e terrasave me makiato
Ose argatët thashethemça
Asfiksimin e Kosovës këto 21 vite e kanë bërë bandat politike por ato kurrë s’do kishin pasë kaq sukses pa ndihmen e argatëve nga mediat dhe një pjese te shoqërisë civile.
Dhe kur gjendesh perballë argatëve të bandave politike nuk kerkohet të jesh gjeni që ta kuptosh se ata s’kanë as mendim, as integritet por veç mision. Misioni i tyre mbetet ruajtja e rehatisë dhe favoreve që argatllëku i tyre ua ka siguruar nder vite. Armiku i tyre absolut mbetet ndryshimi dhe normalizimi i politikberjes.
Prandaj gazetari argat raporton veç trillime dhe montime të padenja duke e dhunuar zanatin fisnik të gazetarisë.
Prandaj argati analist ka si te vetmin burim trillimet dhe thashethemet e gazetarit argat. Dhe kështu krijohet Liga e të ligjeve, e atyre pa guxim dhe pa kurriz.
Prandaj analizat e tyre janë analiza të terrasave me makiato që s’e kanë asnjë vlerë as raportuese (sepse gazetari mashtruese) as analitike (sepse analiza me porosi).
Si t’i flas pastaj unë kësaj kategorie për esencen e politikës si vokacion, si angazhim vetmohues në shërbim të tjetrit?!
Si t’i flas unë për legjitimitetin personit që zen poste qeverisëse veç me pazare politike, në dhunim të votës dhe vullnetit qytetar?!
Si të diskutoj unë rreth kontratës sociale të Jean Jacques Rousseau me ata që e njohin veç një lloj kontrate – kontraten me bandat politike për mbrojtjen dhe vazhdimin e kapjes, në kurriz të një populli të tërë?!
Thjesht, si të shkëmbehen mendime me ata qê s’kanë as guxim as mendim?
Megjithate, të tillëve duhet t’u dilet përballë, me urtësi dhe argumenta. Duhet t’u thuhet se janë veç ana tjetër e të keqës së njejtë.
Të tillëve duhet t’u tregohet që s’janë legjitimë as në zanatet e tyre e as në debatet tona.
Mënyra më e mirë që këta të ndalen është vota. Vota që prodhon qeveri legjitime. Një shtet funksional me qeveri legjitime është krejt çka këta nuk duan të kemi.
Nezir Kraki, profesori Universitar në Paris – EstCreteil (UPEC), Francë është bërë një zë i fuqishëm dhe përkrahës i çështjeve jetike për qytetarin dhe vendin, shkruan KultPlus.
Nezir Kraki ështё person i njohur në opinion pёr veprimtarinё e tij ndёr vite. Ai me punёn dhe aktivitetin e tij, tё publikuar nё media nё vijimёsi ka dëshmuar mendim dhe qёndrim tё guximshёm lidhur me problemet e mёdha kombёtare, shtetёrore e shoqёrore.
Përmes rrjeteve të tij sociale ai është gjithmonë afër publikut për të ndarë opinionet e tij.
Ditën e djeshme, Kraki ka ateruar në Prishtinë dhe ballafaqimi me kryeqytetin e ka shtyrë të shprehet se Prishtina është një vend gjithçka gjen përveç oksigjenit, ujit dhe luleve.
“Prishtina, aty ku gjithçka gjen përveç oksigjenit, ujit dhe luleve.
Sa herë vi n’Prishtinë më duket që jam ne nje qytet emergjent te perkohshem i cili do rrafshohet sapo te jete gati qyteti i vërtetë, ai i jetueshemi.
Nejse…s’di pse mu kujtu Shpendi me ato idetë « suedeze » per mbrojtjen e ambientit kur bente fushatë. Eh!”, e përfundon Kraki mendimin e tij me një thumb për kryetarin e Prishtinës. / KultPlus.com
Profesori Nezir Kraki nëpërmjet një postimi ka reaguar për pakon e rimëkëmbjes ekonomike, shkruan KultPlus.
Ai ka kritikuar mënyrën se si Qeveria e Kosovës i ndihmon qytetarëve të saj në kohë pandemie nëpërmjet marrjes së parave të kontributit pensional. Sipas tij, kjo do të thotë që po cënohet e ardhmja e popullit mirëpo, në Kosovë nuk ekziston as e tashmja, meqë e gjithë jeta është një përpjekje për mbijetesë.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Nezir Krakit:
Ç’i duhet e ardhmja vendit pa të tashme?
Shumë vende janë prekur brutalisht nga koronavirusi por asnje qeveri deri sot nuk ka propozu ide më absurde per rimekembje e ndihmë sesa qeveria jolegjitime e Kosovës përmes zbrazjes së kursimeve pensionale.
Dhe absurdi merr proporcione tragjike kur dihet që kursimet pensionale te popullit te Kosoves jane nder me te ultat ne Evropen gjeografike.
Megjithate, asgjë e çuditshme! Ky është rezultati logjik i 20 viteve vjedhje e dhunimi te dinjitetit kolektiv te nje populli te dorezuar i cili ka hequr dore nga e ardhmja.
Po, e ardhmja. Sepse kursimet pensionale janë te menduara per te ardhmen por ne vendet ku as e tashmja nuk ekziston, mbijetesa dita-dites është e ardhmja. E ardhmja e qytetarit te Kosoves rifillon çdo mengjes me instinktin per mbijetese.
Prandaj edhe 10 euro shihen si dhuratë hyjnore per ta vazhdu jeten edhe nje dite më shumë derisa bandat politike kcejnë nga pazari në pazar për poste e për privilegja asnjehere te merituara.
Dhe fasin për rimëkëmbje duke pretendu se ajo arrihet me ligj. Jo o idiotë, dinamizmi ekonomik dhe kultura politike nuk behen me ligje por me vullnet per t’i sherbyer interesit kolektiv. Ikni nga absurditeti i trustit dhe dilni nga logjika e zhvatjes nëse i keni dy fije mend e dy miligram integritet moral e personal. / KultPlus.com
Intelektuali shqiptar që vepron në Paris, Nezir Kraki ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook për unfikimin dhe gjendjen e shqiptarëve që nga 28 Nëntori e deri sot, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet postimit ai ka shprehur mendimet e tij për gjendjen e dy shteteve shqiptare, mungesën e bashkimit të shqiptarëve rreth një vizioni të përbashkët dhe zinë që sipas tij duhet ta mbajmë, për shkak të dështimeve dhe mos vazhdimësinë e qëllimeve të individëve që dhanë kontribut në pavarësimin e Shqipërisë.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Nezir Krakit:
28 Nëntori 1912 është data kur shqiptarët vendosën të bënin shtet. Ishte vizion i qartë në ato kohë të turbullta.
Nga ajo datë e deri sot asnjëherë më shqiptarët s’u morrën vesh rreth një vizioni apo projekti të përbashkët.
Sot me zhgënjim na duhet të pranojmë që shtet kurrë s’bëmë sepse jemi veç shtet-prishës të ndarë e të pangopur. Të shitur e të stërshitur si kurrë më parë.
Sot i kemi 2 shtete shqiptare dhe për çudi këto janë 2 shtetet më të vonuara n’Evropë, janë dy vrima të zeza që nxihen e nxihen, pa vizione e pa qellime, të prira nga udhëheqës të paudhë.
Sot Shqipëria e turpëron çdo shqiptar sepse është kthyer në ferr e burg për secilin që dora e partisë-shtet s’e ushqen. Shqipëria sot është vendi që duhet lëshuar jo vendi që të pret.
Për Kosovën as që mund të flitet. Kjo Kosovë që nga autonomia kaloi n’pavarësi e nga pavarësia n’autonomi. Mungesë vizioni pra. Mungesë projekti të përbashkët.
Sot duhet të mbajmë zi për dështimet tona dhe të turpërohemi për dhunimin e vizionit të burrave të asaj dite n’Vlorë.
Urgjentisht na duhet ta rigjejmë njëri-tjetrin rreth një projekti të madh që as vitet as shekujt s’mund ta lëkundin. Se nuk ka vizion as shtet nga bandat shtet-prishëse as nga llavat me ujq të pangopur. / KultPlus.com
Çmenduria dhe injoranca e sulmojnë jetën në Vjenë. 6 vende te sulmuara njekohesisht nga persona te armatosur (2 persona, njeri i vrare)
Flitet per sulm terrorist (islamist apo jo).Derisa lutemi qe mos te kete shume viktima, uroj qe xhihadistet e fejsbukut do ta mbyllin gojen te pakten deri neser. / KultPlus.com
Si Shqiptarë, shekujt i kemi kaluar n’luftë për mbijetesë. N’vuajtje gjithmonë kemi qenë të një feje sepse mbijetesën e kemi pasë sfidë të përbashkët. Edhe armiku gjithmonë na ka parë si të tillë, si një tërësi, prandaj na ka pasë frikën. Zotin e kemi ditë për Zot edhe pse kurrë s’jemi pajtuar me fatin që na kishte rezervuar si populli më i vuajtur i këtyre trevave. E kemi lutur me dhe pa libra fetarë, i jemi drejtuar sinqerisht në gjuhën tonë të bukur e të thjeshtë, shpesh edhe pa fjalë, pa udhëzime e predikime. Pavarësisht rrethanave, asnjëherë s’e kemi harruar gjestin e natyrshëm e njerëzor të shikimit nga qielli, nga ajo forcë e pashpjegueshme por e plotfuqishme. Kurrë s’jemi tallur me të.
Por…jetën mbi Tokë e kemi pasë jo të qetë, asnjëherë të rehatshme. Historisë kemi udhëtuar me barrën e traditës, kulturës, zakoneve e parimeve tona të mbledhura kujdesshëm ndër shekuj, herë duke i përmirësuar e përshtatur ato, herë duke i braktisur disa nga to kur i kemi parë si pengesë në rrugën e përparimit tonë. I jemi gjetë njëri-tjetrit aq sa e mundur ka qenë.
Kemi ardhë në shekullin e XX-të me kujtesën kolektive të mbushur me festa e me rite sa pagane aq edhe fetare. Kemi ndarë çdo gëzim e hidhërim bashkë, qoftë n’Bajram, n’Krishtlindje, n’Ditën e Verës apo n’Darkën e lamës. Çdo datë të shenuar e kemi pritë me haré dhe e kemi përdorë si energji bashkimi pikërisht në luftën tonë për mbijetesë dhe në rrugëtimin tonë të përmotshëm drejt lirisë.
Me fjalë tjera, armiq kurrë s’i kemi pasë fetë, as kultet, as paganizmin. Kurrë luftë fetare s’kemi bërë. Prej që jemi këndejpari armiq i kemi pasë pushtuesit e të gjitha feve.
Hoxha e prifti kanë qenë pjesë e odave dhe e pleqnive tana, kanë qenë pjesë e luftës sonë të përbashkët. Kanë qenë pjesë e frymës kolektive të mosnënshtrimit ndaj pushtuesve.
Nuk dua të keqkuptohem as kur shkruaj sinqerisht rreth disa problematikave me doza fetare. Në ASNJE rast nuk ka te unë urrejtje apo dashakeqësi ndaj cilësdo fe, apo cilitdo person që praktikon fetë. Halli im i parë është fati ynë si vend, si shtet, si komb. Prandaj mendoj se feja jonë e përbashkët jemi vet ne, dhe fati ynë duhet të na udhëzojë në sjelljet tona. Përparimi ynë drejt një jete më të mirë dhe me dinjitet duhet të jetë projekti ynë i përbashkët.
Ju garantoj që e di çka thonë Kurani e Bibla, s’ka nevojë t’ma kujton askush. E di që praktikat tona dhe festimet tona kurrë s’janë përputhë 100% me udhëzimet fetare. A e dini pse s’janë përputhë? Se asnjë libër, sado i shenjtë të ketë qenë ai, asnjë udhëzim fetar, nuk mund të na sqarojë neve rrugëtimin tonë historik me aq shumë tradita e rituale, me aq shumë vuajtje, me aq shumë kombinime dhe me aq shumë harmoni. Feja jone e vërtetë jemi vet ne, të gjithë së bashku, me krejt çka kemi n’zemer dhe n’kujtesë.
Prandaj edhe Bajramat dhe Krishtlindjet i kemi parë gati si festa jofetare sepse vetëm ashtu i kemi perceptuar si festa të të gjithëve, si festa bashkuese, pa dallime kulti. Dhe pikërisht kjo ka bërë që festat e tilla t’i rezistojnë kohës e të jenë momente gëzimi edhe n’familjet pa asnjë praktikë fetare strikte.
Kjo na dallon nga popujt e tjerë që praktikojnë fetë tona. Kështu duhet të mbesim. T’i perngjajmë vetës tonë, askujt tjetër. Para se t’i flasim Zotit le t’i flasim më mirë njëri-tjetrit pastaj edhe Zoti na sheh ndryshe.
Ps. Shkruar para një viti. Ripostim me disa ndryshime minimale. / KultPlus.com
Pa asnjë tentim apo dëshirë për polemikë, thellësisht mendoj që dallimi në mes shkollës dhe fesë është bazik:Shkolla mëson dhe aftëson për jetën (vullnet)
-Feja mëson dhe përgatit për vdekjen (frikë) -Tash, cila i duhet më shumë një rë riu, jeta apo vdekja, ëndrra për më mirë në Tokë apo frika nga zjarri i ferrit në Qiell? Shembulli i një qytetari të suksesshëm dhe të dobishëm në shoqëri apo shembulli i një të stagnuari që projekt jetësor e ka “vdekjen e suksesshme”?
Kam respekt për secilën fe edhe pse ato i krijoi njeriu për kontrollin e njeriut. Zoti nuk ka pasë kurrë ambicie politike apo kontrolluese. Poashtu, mendoj se fetë e kanë ndihmuar në disa momente njerëzimin të organizohej apo të qytetërohej por asnjëherë s’e kanë lejuar njeriun të çlirohej.
Sot jemi në hall si t’ia dalim që të jetojmë normalisht, në shoqëri e rreth me individë të përgjegjshëm dhe të lirë. Nuk kemi kohë ta studiojmë vdekjen se ferrin e kemi këtu dhe këtë ferr duhet ta përmirësojmë.
Nuk më duhen asgjë personat e sjellshëm pas vdekjes. I dua të sjellshëm dhe të suksesshëm para vdekjes. Dua fëmijë të urtë e të suksesshëm tash, që jeta e tyre të nisë me ëndrra që mund të realizohen. Dua fëmijë që do ta përmirësojnë ferrin në tokë dhe do përpiqen për jetë të susksesshme, jo fëmijë që veç do konstatojnë mangësitë e kësaj bote duke shpresuar në “vdekje të suksesshme”.
Çka i duhet njohuria frikësuese e zjarrit dhe e denimeve hyjnore një të riu sot? A janë familja dhe shkolla ata që duhet t’ia mësojnë atij bazat e sjelljes në shoqëri?
Atëherë, një i ri që ka familje dhe/ose shkollë ku edukohet, nuk ka nevojë për mësim përmes frikës as për mësim për vdekjen. Jam i idesë se edhe njohuritë rreth feve duhet të mësohen në shkolla, por si njohuri jo si praktikë. Dhe kur secili të jetë 18 vjeç e sipër atëherë le te çmenden nëse duan.
Ndërkohë, në pritje të vdekjes, a na lejoni të jetojmë ju lutëm dhe ta tregojmë veten në këtë jetë? Dhe, mos i flisni fëmijëve për vdekjen as për gjëra që njeriu kurrë s’i kuptoi.
…Sepse vdekja kurrë s’mund të jetë projekt jetësor. Zoti ju paftë! / KultPlus.com
Nuk është turp mos me ditë. Turp është mos me pranu me msu.
Sepse, siç thotë populli ynë i dashun « tupani bjen per ata që kanë vesh ».
E unë s’kam zgjidhje per ata që s’kanë as vesh me degju, as sy me lexu e as mend me kuptu.
Shkrimet e mia janë 100% të miat dhe dijeni që edhe kur flas per Francën ne fakt jam duke fol për neve shqiptarët.
Nëse e kuptoni thelbin e asaj qe them, bravo! Nëse jo, s’ka dert.
Ju luftoni per urrejtje, une luftoj per liri.
Ju e vlerësoni prerjen e kokave, unë me përbuzje pshty në surratin e secilit barbar.
E kam thënë publikisht që armiku im është injoranca. Injoranca është armik i islamit poashtu. Armik i kombit gjithsesi.
Kur them bojkotojeni injorancen e jo Francen nuk e kam me e shpetu Francen nga bojkoti por me e çliru trunin tuaj nga terrori qe shkakton mosdija. Se, pasha juve, s’ka fe as profet që i do injorantët. Kështu që, ju jeni të fundit në çdo listë, edhe në Tokë edhe në Qiell.
Permiresojeni bile pak vendin e juj ne Tokë e mesoni diçka njerezore se n’xhenet s’keni me m’taku. Unë as n’xhenet s’pranoj te jem me kokeprerës.
Neser e bej nje shkrim per « xhihadistet e fejsbukut si dhunues te islamit» dhe për perkrahesit e barbarise permes teorise « ai profi e ka lyp ».
Profesori Nezir H. Kraki, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Parisit, njëkohësisht një zë i fuqishëm dhe përkrahës i çështjeve jetike për qytetarin dhe vendin, duke e parë mënyrën se si fjala “intelektual” përdoret vend e pa vend, ai ka bërë një krahasim në mes të intelektualit të dobishëm për shoqërinë dhe intelektualit të rrezikshëm për shoqërinë.
“Çka e dallon intelektualin e dobishëm për shoqërinë nga intelektuali i rrezikshëm për shoqërinë? – guximi me mendu dhe, – guximi me fol Shyqyr që fola dje e tani dolën nga skutat « intelektualet » që s’kanë guxim as lirinë e tyre ta mbrojnë”, ka shkruar Kraki.
Nezir Kraki ështё person i njohur në opinion pёr veprimtarinё e tij ndёr vite. Ai me punёn dhe aktivitetin e tij, tё publikuar nё media nё vijimёsi ka dëshmuar mendim dhe qёndrim tё guximshёm lidhur me problemet e mёdha kombёtare, shtetёrore e shoqёrore.
Prof. Nezir H.Kraki, si intelektual është i angazhuar me pjesëmarrje aktive në fushën publike. Madje angazhimi i tij ka qenë më gjithëpërfshirës me qëllim që të mobilizojë opinionin publik për çështje me rëndësi publike, por edhe për raste të veçanta që mund të kthehen në model për drejtësinë publike, padrejtësinë publike, apo mosdrejtësinë publike. / KultPlus.com
Pavarësinë e pezulluan, Luftën e ndoten, Heronjtë i tradhëtuan, Trimat i dorezuan n’Gjykata, Pasurinë na vodhen, Ëndrrat na i dhunuan, Aleatet na i humben, Kosovën e izoluan, e zbrazen… e serbizuan,
Dhe si mbyllje të ciklit zhbërës, edhe Ameriken n’Serbi e çuan, idiotat. Tash gjithë ditën bërtasin e propagandojnë qorrazi kinse Kosova po fiton dhe po forcohet. Janë aktivizu me argatë e me servila në fejsbuka e emisione me na tregu perrallat grenelliane të një cirku turistik që injorantët e shohin si diplomaci. / KultPlus.com
Pike per pike siç e kam paralajmeru ndodhi: – Kosova heq dore nga shtetesia e saj dhe pranon te identifikohet si zone gjeografike – Serbia e forcon rikthimin e saj ne zemer te pasurive dhe fatit te Kosoves – Kosova pranon te mos kerkoje me njohje as pranim ne organizata boterore apo rajonale, dmth Kosova i thote botes « prit se ende s’jam shtet »
Dhe si trofe per komiten tone turistike:
– Serbia pranon njohjen e diplomave dhe angazhohet per gjetjen e te zhdukurve, atyre qe jane zhduke kur Vuçic ishte minister i Millosheviçit.
Ah po! Serbia poshtu angazhohet te mos kerkoje çnjohjen e Kosovës. Dmth procesi i çnjohjeve ka marre aq permasa sa qe Kosova pranon te mos kerkoje njohje nga rreziku se mund t’i humb edhe ato qe ka deri tash.
Sot miq Kosova e zyrtarizoi statusin e saj te ri te krahines autonome brenda Serbise.
Dhe krejt kjo na ben vaki neve pa pase asnje nevoje per marreveshje te tilla.
(Teksti është publikuar pa ndërhyrje) / KultPlus.com
S’jam normal thash dhe s’du me qenë, Se n’normalitet pasion nuk gjen, S’gjen as imagjinatë, s’gjen as çmendi, Madje aty s’gjen as knaqësi…
E unë jam ku është çmendia. Se aty e kam frymëzimin, Aty ku shpirti revoltohet, Nga del zjarri që ndez guximin.
Aty m’gjeni pra nëse m’kërkoni, Te guximi me ëndrru, Te guximi me pasë pasion -e pasion me jetu. Te guximi poetisht me dashtë, -se n’dashni është guximi, Te guximi me e ndal kohën -për sharmin e një shikimi./ KultPlus.com
Prej vitit 1912 deri në vitin 1999, n’Kosovë kanë ekzistu dy kategori tjera shoqërore:
1) Shërbyesit dhe ithtarët e bashkim-vllaznimit serbo/jugosllav të cilët jetonin në dhe për sistem dhe forcoheshin falë tij. Disa për hall por shumica me bindje.
2) Të panështruarit, atdhetarët dhe familjet e tyre të cilët jetonin kryesisht në armiqësi me sistemin dhe vuanin prej tij.
Pastaj krejt natyrshëm, kjo kategoria e parë « qytetërohej » më shpejt. Qasja në punë, në kredi, në banesa, në bursa…. pa u penguar as bezdisur kurrë nga Milicitë e Jugosllavisë, ishte rutina e tyre. Çdo ndjesi kombëtare apo ide anti sistem merrej nga ta si prapambeturi dhe sulm ndaj suksesit bashkim-vllaznues.
Ndërkohë, kategoria e dytë, në të cilën krenarisht bëj pjesë, e kalonte shekullin në periferi të çdo gjëje, jo veç të qyteteve. Ata jetonin, ne mbijetonim. Derisa fëmijët e ‘jugosllavistëve’ kishin qasje në kurse të anglishtes, në fusha sporti, në shkolla elitare me emra heronjsh kryesisht serbë, ne të linçuarit e sistemit mësonim këmbëkryç dhe shpiknim lodra pa e ditë që ato ekzistonin të gatshme në « zadrugat » e qytetit.
Kjo pastaj çoi në thellimin e ndarjes shoqërore. Ata u jugosllavizuan deri në palcë, ne mbetem atdhetarët e paditur dhe mosmirënjohës ndaj të mirave. që na vinin nga Beogradi.
Dhe a dini çfarë ndodhi kur vdiq Jugosllavia? Brenda natës u bënë atdhetarë e nacionalistë dhe kur ne filluam të kërkonim Kosovën Republikë ata shkonin edhe më larg, kërkonin bashkim kombëtar. Eu vakia e Zotit!
Madje kur doli UÇK-ja, disa nga djemtë dhe nipat e bashkim-vllaznimit, ia mësyen uniformes, si momentin e fundit për shpërlarje patriotike dhe pas luftës na thanë neve që e kishim një shekull luftë anti Serbi, « ju shumë të butë valla ».
Edhe sot, çdo ditë shoh djem e nipa të Jugosllavisë duke na mbajt leksione patriotike publikisht thua se baballarët e tyre kanë jetu në shekullin 15 dhe gjithçka është harru ndërkohë. Jooo! Asgjë nuk është harru! As ‘rezervistët e fjetur’ që në mesin e protestave te vitit 1989 i dorëzonin revolet e Serbisë dhe « patriotizoheshin » papritmas, as ata që me zell e luftonin çdo ndjesi atdhetare për mbrojtjen e bashkim-vllaznimit, madje me shumë se vet serbët.
Normalisht që s’jam i çmendur te them se të gjithë nga qytetet ishin të tillë. Ka pasë përjashtime të shumta madje por kjo qe e thash me pak fjalë e ilustron ‘modën’ e asaj kohe. Modë të cilën do ta shtjelloj shkencërisht ne nje punim të detajuar dhe me burime të sakta. Poashtu, nuk mund të themi se qytetet nuk luftuan sepse i kemi shembujt e Gjakovës dhe Pejës që e thonë të kundërtën.
Por, sido që ta analizojmë këtë punë, edhe pas luftës, për arsyet që i thash këtu sipër, rruga drejt studimeve dhe karrierës apo drejt ‘qytetarisë’ ka qenë dhe mbetet shumëfish më e vështirë për neve që jemi lindë dhe jemi rritë në familjet e ‘periferisë jugosllave’. Kjo e sqaron edhe sot arsyen pse çdo natë në TV e në debate ju shihni ‘rini jugosllave’ ose si gazetarë ose si analista ose si politikanë.
Nejse… s’po e zgjas më shumë.
P.s. Mos e merrni si sulm këtë përgjithësim të qëllimshëm. Qëllimi është te rikujtohen disa gjera që janë ne origjine te ndasive tona sot. Nese komentoni, rrini ne teme ju lutem dhe dijeni qe kur flas per kete pune e di per çka flas. Ata që ma njohin familjen dhe babain e kuptojne. / KultPlus.com
Teatri shkoi sepse gjendej në vendin e gabuar, jo sepse ishte në godinen e gabuar. E morrën bandat parapolitike që karrieren e pushtetin i kanë hipotekë pranë rrjeteve më të rrezikshme kriminale që ka Evropa sot.
Edi Rama ka shumë borxhe ndaj mafias sepse falë saj erdhi dhe qëndroi me dhunë e vjedhje në pushtet. Borxhi më së lehti kthehet me tokë sidomos kur parcela gjendet në zemër të kryeqytetit. Bota mbarë e di tashmë që ky njeri është në fazen finale të vetshkatërrimit pasi i dështuan të gjitha idetë politike dhe iu demaskuan të gjitha lidhjet dhe varësitë kriminale. Dhe tash që Evropa e bota kanë halle tjera, momenti është ideal për vjedhje e tjetërsime masive të pasurive publike.
Por populli shqiptar nuk duhet ta pranojë shkatërrimin as shembjen e Shqipërisë sepse Shqipëria s’eshte e bandave as e feudëve skllavopronarë që e kanë kthyer atë vend në një kartel gjigand, të izoluar nga bota.
Populli shqiptar duhet të revoltohet sot sepse me këtë turrje olikarko-diktatoriale nesër s’do ketë më as të drejta themelore për shprehje e mendim. E vetmja shpresë do mbetet ikja nga ai vend në pronësi të oligarkëve të modelit rus të viteve 1990.
Populli duhet ta shpëtojë Shqipërinë nga skizoftenia politike e një lideri të çmendur nga megalomania.
Mos prisni gjë nga Evropa as nga Amerika sepse bota ka ndryshuar dhe asnjëra s’janë më të forta sesa fuqia dhe vullneti i një populli që kërkon dinjitet.
Mos i shikoni me indiferencë devijimet diktatoriale sepse nesër kjo çorodi do e kap secilin, secilin që nuk pranon t’i shërbejë kartelit kriminal.
Mos pranoni qëndrimin në kafazin çnjerëzues ku liria dhe dinjiteti nuk vlejnë asgjë, ku siguria është ëndërr dhe shpresa inekzistente.
E di që sot është në modë ndalimi apo përqeshja e fjalës “femër” dhe kjo nuk bëhet me qëllim të keq por më shumë nga mosnjohja semantike dhe etimologjike e shumë fjalëve me origjinë sidomos greke e latine të cilat gjatë shekujve kanë shetitur nga gjuha në gjuhë dhe nga kuptimi në kuptim. Në gjuhësi ky fenomen quhet “rreshqitje e kuptimit” derisa një fjalë rehatohet në përodrim dhe në kuptim.
Kështu, gjithnjë pa të
keq, në vend të fjalës “femër” këshillohet me insistim të përdoret
fjala “grua” me arsyetimin se fjala “femër” është term
nënçmus i lidhur me ‘aftësinë biologjike për të lindur’ por veç në anën e
kafshëve.
Sipas meje (pas shumë
verifikimeve) ky dallim është i gabuar dhe më duket se ky gabim vjen nga bindja
e disave se anglishtja si gjuha kryesore sot në botë është bazë etimologjike e
gjuhëve tjera. Në fakt është vet anglishtja që vjen nga të gjitha gjuhët. Me
siguri ky deformim vjen edhe nga anglicizimi i shqipes këto 20 vitet e fundit
përmes seminareve dhe vakive tjera sidomos OJQ-iste, Unmik-iste dhe Eulex-iste.
Në realitet, kuptimi semantik i fjalës angleze “female” nuk ka shumë
lidhje me kuptimin që gjuha shqipe ia ka dhënë si në fjalor ashtu edhe në
përdorim fjalës “femër” edhe pse si femër ashtu edhe female kanë
origjinë të njejtë, dmth origjinë latine nga FEMINA. Kjo ndodhe sepse secila
gjuhë i ka adoptuar termat me origjinë greke dhe latine në mënyren e vet. Por,
sipas fjalorit të Oxfordit, edhe anglezët e përdorin fjalën ‘female’ për dallim
gjinor tek njerëzit (shembull i Oxfordit: Two of the candidates must be
female).**
Po ndalem pak të
frengjishtja sepse gjuhësisht jemi më afër me të se me anglishten e Unmikut.
Në frengjisht (gjuhë
neolatine) ekziston fjala “femele” dhe përdoret ekskluzivisht për
kafshët që lindin dhe fjala “femme” që përdoret për gratë në kuptimin
e gjinisë (të dyjat nga e njejta origjinë latine). Fjala franceze ‘femme’ në
shqip përkthehet edhe ‘grua’ në kuptim status civil edhe ‘femër’ në kuptim
gjinor.
Vlen të përmendet se në frengjisht fjalët që i identifikojnë gratë kanë edhe
kuptim social e historik, sikur në shqip. Kuptimi social i fjalës ‘femme’
(grua) përveç se tregon gjininë karshi fjalës ‘homme’ (burrë), në frengjisht
lidhet sidomos me statusin martesor karshi fjalës ‘fille’ apo ‘jeune fille’
(vajzë, në kuptimin e pamartuar), dhe kjo është identike me shqipen
(grua/vajzë). Këto fjalë pastaj kthehen në Madame/Mademoiselle dhe
Zonjë/Zonjushë, me kuptim semantik 100% të njejjtë si në shqip ashtu edhe në
frengjisht.
Fjalët shqipe grua dhe
burrë janë etimologjikisht shqipe ndersa fjalët femër dhe mashkull janë latine.
Mund të përdoren edhe si sinonime por në disa kontekste sikur ky që u përshkrua
këtu sipër, është mirë të përdoret fjala kuptimisht më adekuate.
Përndryshe, fjala tash
shqipe ‘femër’ vjen nga fjala latine ‘femina’ e cila vjen nga fjala greke
‘fuomai’ që do të thotë “çfarë lind” (jo si pyetje por ne kuptimin e
“ajo çka vjen në jetë”). Në latinisht ‘femina’ merr kuptim dallues
gjinor si “ajo që jep frymën, jetën” sepse rrënja indoevropiane ‘FE’
ka kuptimim “me ushqye”, “me dhënë qumësht apo gji”,
prandaj FEmina është ajo që jep gji, që ushqen.***
Nga kjo del se fjala femër
nuk ka asgjë negative brenda saj as në shqip as në anglisht as në frengjisht.
Në të trija gjuhët ka pak a shumë kuptim të njejtë dhe në asnjë rast nuk mund
të transpozohen apo të të krahasohen ballë për ballë kuptimisht. Prandaj argumenti
se fjala femër është në fakt fjala female në kuptimin kafshëror nuk qëndron.
Edhe fjalët Feminizem dhe
Feminist janë të njejta në shqip, frengjisht dhe anglisht, me origjinë dhe
rrënjë të njejjtë latine nga FEMINA në kuptim gjinor karshi gjinisë mashkullore.
Ateherë a ka kuptim që një feministe apo një feminist që në emeërtimin e
saj/tij ka rrënejn Femina ta konisderojë fjalën “femër (femina” si të
joadekuate për identifikimin e gjinisë?
Pastaj dallimet në kuptimin social grua/vajzë nuk ia vlen të preken sepse do të
ishte shumë delikate t’i themi grua një vajze 16 vjeçare. Shqipja megjithatë
eshtë më e pasur se anglishtja në ketë temë.
Sidoqoftë, kauza për të
drejtat e grave mbetet kauzë fisnike dhe shumë serioze që të rëndohet me
pretendime gjuhësore të paqena dhe pa asnjë bazë shkencore apo sociale.
Tekefundit, u quajt grua apo femer, përpjekja për barazi gjinore dhe të drejta
të dinjitetshme mbetet e njejtë dhe shkelësit e të drejtave mbeten poashtu të
njejtë.
Çuditërisht, ne që njihemi për besë njihemi edhe për tradhëti. Ose thënë ndryshe, njihemi për besë ndaj të huajit dhe për tradhëti ndaj vetës.
Historikisht i kemi tradhëtuar synimet tona si popull, jo populli por ata që gjendeshin në krye të tij. Në mesin tonë edhe pushtuesit më t’egër gjenin argatët më të zellshëm derisa përballë i kishin trimat më të mëdhenj nga i njejti popull. Çfarë çudie! Kur na robëronin, kjo nuk ndodhte sepse armiqtë ishin të fortë por sepse ne ishim të ndarë. Të ndarë në qëllim, të ndarë në mes atyre të besës e t’atdhedashurisë dhe atyre të argatllëkut dhe tradhëtisë.
E kemi gënjyer veten dhe glorifikuar të paqenen. Sot e paqena na rri mbi krye dhe tradhëtia ndaj qytetarit e kombit është kthyer në « mënyrë mendimi » që na ofrohet herë si qasje moderne, herë si imponim i llavave me agratë të dreqit.
Ja shikoni ku jemi sot si popull. Mediat thonë se Rusia e përdorë Lulzim Bashen për ta çorientuar qëllimin evropian të Shqipërisë, derisa Edi Rama e ka institucionalizuar tashmë tradhëtinë si politikëbërje. Prehet n’besë ëndrra e shqiptarëve për shtet normal dhe me dinjitet. Prehet n’besë Kosova, prehen n’besë martirët dhe përgjakja e saj. Prehet n’besë pëpjekja jonë për liri dhe njerëzi.
Athua prapë armiku gjeti argatë në mesin tonë?!
Sigurisht që po. Sepse veç në mesin tonë një luftëtar, me besë e me qëllim, papritmas rreshtohet kundër qëllimit që kishte dhe bëhet argat i qëllimeve të armikut. Veç në mesin tonë, Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë që dikur çlironte shëndrrohet në Shtab të përgjitjshëm që tradhëton idealin e çlirimit. S’ka vend në botë ku studiot televisive vlojnë nga injoranca e argatëve të qëllimshëm apo të pacipë më shumë se ne trevat tona. Vlojnë ata që asnjë fjalë apo veprim nuk e kanë n’lidhje me qëllimin tonë si popull. Veç ne kemi talent që të përpiqemi 100 vjet për liri e shtet dhe në fund ta rikthejmë në pazar shetin e fituar bashkë me lirinë. Dhe, për t’i qëndruar besnik historisë sonë të tradhëtisë, sapo ia falem qiellin Serbisë. Qielli i shqiponjave matanë alpeve ka kohë që i është dhënë Turqisë. Asgjë absurde! Veç argatë të pushtuesve.
A ka si ne? JO! Dhe mos ma përmendni më besën ndaj të huajit kur kemi 2000 vjet që e tradhëtojmë veten tonë.
***
P.S: e çmoj besën ndaj të huajit si sjellje humane dhe krenohem me faqet e bardha të historisë sonë moderne të shkruara falë pikërisht besës. Këtu e kam fjalën për besën ndaj veten sonë, ndaj qëllimit dhe ndaj popullit tonë, si populli më i tradhëtuar i këtij kontinenti. / KultPlus.com
Është më mirë të udhëtohet me shpresë sesa të arrihet në destinacion, thonë në Japoni.
Ne si duket as shpresën as destinacionin s’i kemi më. E kemi veç rrugën e kohës në të cilën endemi pa u vënë re nga askush. Rrugët e skutat e dekadave që vijnë e shkojnë pa na thënë as jungjatjeta sepse s’dimë t’i presim, s’dimë t’i shenjojmë. Dimë veç t’i zhgënjejmë.
Athua a ka popuj tjerë në këtë botë si ne? Popuj që s’e bëjnë hesap as javën, as muajin, as vitin, as dekaden dhe madje as shekullin. Popuj që stagnojnë në zemër të botës që lëviz me shpejtësi marramendëse.
A ka popuj tjerë që në 25 shekuj ekzistencë kurrë s’kanë arritë ta gjejnë një synim të përbashkët, ta ndërtojnë një shtëpi të përbashkët ose të paktën ta kenë një pushtues të përbashkët… 25 shekuj rrugëve, pa shpresë e pa destinacion. Herë argatë të dreqit e herë mercenarë të pushtuesit. Gjithmonë kundër vetvetes.
Edhe shekulli i 26-të njësoj po shkon. Të gjithë i kemi kundër por armikun më të madh e kemi veten tonë.
Pse edhe pas 25 shekujve trevat me shqiptarë janë më të errëta në harta se trevat e popujve tjerë n’Ballkan? Pse Shqipëria tek e cila aq shumë shpresuam është shteti më i dështuar n’Evropë dhe më i varfëri poashtu? Pse Kosova pas gjithë atij udhëtimi tragjik pranon të zhbëhet?
Nesër është viti 2020. Ta caktojmë destinacionin dhe ta gjejmë shpresën që t’udhëtojmë drejt tij. Dhe, edhe nese nuk e arrijmë, të paktën do kemi udhëtuar me shpresë. / KultPlus.com
“KultPlusi është një oazë shumë e rëndësishëm që po punon për kulturën në vend më shumë se shtëpitë e mëdha mediatike që kanë me qindra punëtor”, këto qenë fjalët e Nezir Krakit në festën e gjashtë vjetorit të KultPlus-it.
Portali i vetëm për art dhe kulturë në Kosovë, KultPlus, dje ka shënuar gjashtë vjetorin e themelimit të tij. Me qindra e mijëra tekste të publikuara çdo ditë, me intervista dhe rrëfime, me organizime të ngjarjeve kulturore, me rikthimin në kohë të figurave më eminente artistike dhe me promovimin e artistëve të rinjë të të gjitha fushave, KultPlus është përpjekur dhe po vazhdon të punojë për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës në vend. Koncerti i mbajtur në Kosovë i talentes tashmë me famë të madhe, Erza Muqollit, ka qenë njëra ndër ngjarjet më të suksesshme të KultPlusit të realizuar ndër vite.
Përvjetori i gjashtë i themelimit të KultPlusit është më i veçantë sepse me suksese Kulti ka arritur që ta hap edhe Qendrën Kulturore KultPlusCaffeGallery, e cila tashmë po shërben si një hapësirë e përshtatshme dhe efikase për mbarëvajtjen e aktiviteteve të ndryshme kulturor-artistike. KultPlus po rritet bashkë me mbështetjen e ndjekësve tanë dhe sponsorizuesve tanë, të cilët i falënderojmë për përkrahjen e tyre të deritanishme duke u premtuar vazhdimin e punës sonë profesionale ashtu siç jemi munduar ta bëjmë deri tani.
Në gjashtë vjetorin e KultPlusit mysafir special ishte, Nezir Kraki, profesor universitar në Paris që pasion e ka letërsinë dhe poezinë. Ai ka folur gjerë e gjatë për pasionin e tij, për karrierën e tij akademike si dhe ka shprehur qëndrimet e tij rreth aktivitetit letrar, artistik si dhe social në vend.
Fillimisht Ardianë Pajaziti, themeluese dhe kryeredaktore në KultPlus, me
rastin e ceremonisë së gjashtë vjetorit të themelimit të gazetës së parë
shqiptare për art dhe kulturë para të pranishmëve ka thënë se në Kosovë,
fatkeqësisht edhe më tutje arti dhe kultura konsiderohen të jenë luks.
“Shumë kemi punuar që ta ndryshojmë këtë perceptim, sepse kultura është e
domosdoshme për çdo shoqëri, e sidomos për shoqërinë kosovare, që ka shumë
nevojë që nëpërmjet kulturës të përfaqësohet edhe më shumë jashtë vendit”, ka
thënë Pajaziti.
Tutje ka vazhduar profesori Nezir Kraki i cili pas fjalëve të mira për KultPlus-in
ai ka thënë se ndihet me fat që jeton në Paris, pasi ky qytet e ka motivuar dhe
lidhur edhe më shumë me kulturën dhe letërsinë franceze, dhe jo vetëm.
“Kam pas fat me jetu edhe në rrugë e lagje ku kanë jetuar autorë të mëdhenjë, kështu
që gjithçka më lidh fort me kulturën franceze dhe në përgjithësi me letërsinë e
saj. Përmes saj ju kam rikthy letërsisë shqiptare dhe kulturës evropiane dhe
botërore në përgjithësi.”
Ai ka folur sesi letërsia e ka ndihmuar edhe në profesionin e politikës duke e lënë të nënkuptohet se letërsia nuk është produktive vetëm për anën subjektive të njeriut.
“Në fillim e thash që më shumë jam krenar për këtë anë (letërsinë) sesa për anën tjetër me të cilën e fitoj edhe bukën e gojës, në fakt as në këtë zanatin e politikës dhe të profesorit në shkencat politike nuk do të kisha qenë ndoshta ky që jam, ose ma mirë me thanë do të isha dukur më keq pa zanatin e letërsisë”.
Ai ka thënë se përvoja jetësore shumë shpesh është më e rëndësishme se diplomat burokratike që ne i marrim në institucione arsimore.
“Jeta dhe diploma e jetës është shumë më e vlefshme se diploma e Hardward-it ose diplomat e Parisit. Ka plotë njerëz që unë dhe ju njohim që kanë diploma të vlefshme po që kanë dështu në diplomën e jetës. Pa e pasur diplomën e jetës me sukses, diploma e letrës nuk ka kuptim”.
Duke e ditur se Kraki është shumë aktiv në rrjetet sociale, në përgjigje e sipër, me shaka, ai ka treguar sesi e instrumentalizon poezinë për ‘pajtim me njerëzit’.
“Arsyet përse e fus një poezi kohë pas kohe është shumë meskine se unë i preki në Facebook disa tema të nxehta që krijojnë debat e komente njëfarë lufte vrituale, po pasi jam në Parsi e s’ma dinë adresën them në rregull është, plus nuk kanë as viza e s’munden me ardh këtu, kështu që përmes poezisë unë i zbusë njerëzit, dua të ju them “hajdeni bëhemi prapë miq”.
Kraki ka folur edhe për temën e shumë përfolur rreth ndërtimit të një Teatri të ri në Shqipëri për të cilin ka shprehur rezervat dhe kundërshtimin e tij.
“Çka duhet salla me xhama, xhamat nuk e bëjnë artin, as objekti nuk e bënë artin, objekti është forma, përmbajtja është brenda”.
Siç i takon një njeriu që shkruan dhe që është i preokupuar edhe me anën njerëzore dhe emocionale, Kraki shpreh brengën e tij për jetën njëdimensionale, për robotizimin, për jetën formale dhe rutinore që e jetojnë shumica e njerëzve sot.
“Sot unë jam shumë i mërzitur që jo vetëm koha po kalon shpejt por edhe njerëzit vrapojnë pas kohës dhe nuk po arrin më të gjejnë momente jashtë kohës, jashtë kuadrit, me jetu brenda tyre diçka me njerëz të tjerë, apo vetëm vetë, s’ka rëndësi kudo qoftë, në çdo hapësirë gjeografike, me dalë pak prej autostradës së jetës, me bë një pauzë, me marrë energji pozitive, me taku njerëz”.
Ai e ka vlerësuar anën kulturore të Kosovës, duke përmendur disa fusha që po arrin suksese edhe jashtë Kosovës.
“Na s’kemi shumë diçka që me eksportu, por kemi sportistë, artistë shumë të zotë, individualisht që kulmojnë jashtë edhe si ekip tash, si xhudo, si Majlinda Kelmendi, jemi shumë mirë për një vend të vogël. Ka mundësi edhe ma shumë, tema kemi mjaft duhet vetëm me lexu më shumë, me pasë njohuri ma shumë, sidomos për ata që bëjnë film, duhet të analizohen filma të thellë, në mënyrë që të pranohen, në veçanti në Francë”.
Kraki ka thënë se arti dhe letërsia kanë rol jetik në marrëdhëniet shoqërore meqë ato i bashkojnë njerëzit, përderisa fushat tjera i përçajnë ata.
“Poezia dhe letërsia është ushqim i shpirtit që na ndihmon të harrojmë dallimet politike, ideologjike. Të gjitha fushat tjera i ndajnë njerëzit përveç artit dhe letërsisë që i bashkon”.
Mes duartrokitjesh nga një numër i madh i të pranishmëve dhe një falënderimi nga Nezir Kraki, mbrëmja dedikuar gjatë vjetorit të KultPlusit u mbyll me një poezi të përzgjedhur nga vetë ai, të cilën e solli me shumë dashuri për të pranishmit.
Pas gjithë kësaj ligjërate të thukët nga profesori Kraki, të pranishmit patën rastin të ndërlidhen në bisedë dhe të parashtrojnë pyetje të cilave Kraki ju përgjigj me shumë përkushtim e seriozitet. Krejt për fund eventi vazhdoi me një koktej rasti ku të pranishmit vazhduan ta takojnë nga afër Krakin, të bisedojnë e të fotografohen me të. / KultPlus.com
Gazeta e parë shqiptare online e cila i kushtohet në tërësi artit dhe kulturës, KultPlus.com, po e feston gjashtëvjetorin.
Me datë 2 shtator, e hënë, duke filluar prej orës 20:00, në KultPlus Caffe Gallery ju presim për festuar këtë përvjetor të rëndësishëm, si një kurorëzim të punës së palodhshme gjatë këtyre gjashtë viteve të KultPlusit tonë.
Gjatë natës do të na bashkangjitet edhe Nezir H. Kraki – profesor në Université Paris-Est Créteil (UPEC).
Me Nezirin do të bisedojmë rreth karrierës së tij akademike në Francë por edhe rreth pasionit të tij, letërsisë dhe poezisë.
Do të kemi pije, muzikë, poezi, dhe gjithçka që i jep jetë KultPlusit dhe lexuesit të saj.
Ju ftojmë, hyrja është e lirë! KultPlus Caffe Gallery (Rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, Te Fontana në Ulpianë, Prishtinë). / KultPlus.com
Para disa ditësh nga Kina e madhe doli një lajm i vogël por i çuditshëm. Një video blogere (Vlogere) e re kineze zhgënjeu qindra mijëra ndjekësit e saj kur papritmas, ne komunikim Live, ‘filteri i fytyrës’ që ajo përdorte pësoi defekt.
Pa një pa dy, kinezja e re dhe e bukur 20 vjeçare u shëndrrua në një grua 55 vjeçare me pamje krejt tjetër. Ndjekësit e saj, sidomos meshkuj që edhe e financonin blogun me video dhe chat, u alarmuan dhe filluan ta çndjekin (fjale e re) « bukuroshen e plakur » duke i bllokuar edhe donacionet që ia kishin bërë.
Lajmi e çuditi Kinen mbarë por opinioni, megjithatë, tregoi mirëkuptim ndaj « viktimes ». Në fakt, fajtori kryesor këtu ishte inteligjenca artificiale, dmth aftësia e rreme robotike. Dhe tash kur bota veç gjendet në ciklin artificial të dijes, të mendimit, të dukjes, të sjelljes, dmth të krejt jetës, edhe ajo kinezja i ishte pershtatur rendit. Krejt normal.
Sidoqoftë, në një moment edhe artificialitetit i vie fundi se robotin e algoritmet e tij njeriu i ka lindur. Dmth njeriu i gabueshem.
Morali i kësaj vakie që po e ndaj me ju është se siperfaqësorja dhe mitomania janë bërë sot mënyra jetese gjithkund.
Çdo gjë e jetojmë me filter sepse realja shpesh na trishton derisa e thjeshta na inferiorizon. Filtrohen foto, video, sy, vetulla, trup, muskuj, flokë …. për të gjitha këto mendon roboti. Nejse…krejt kjo mund të kuptohet dhe pranohet si një modë globale e mitomanisë kolektive të normalizuar tashmë. Një ditë edhe kjo modë do demodohet.
Por janë ca filtra që duhet të bien urgjentisht sidomos tek ne shqiptarët. Cili është filtri më i madh dhe më i rrejshëm i këtyre 20 viteve tek ne? Ai që është perdorë nga politika, natyrisht.
Filtrin me të cilin bandat na dhunojnë prej vitesh nuk e ka ideuar asnjë robot. Ai eshte filter artizanal i krijuar dhe imponuar nga vet bandat.
Populli (sikur ndjekësit e kinezes) shikojnë dyftyrësi në çdo ekran dhe secili duhet ta kuptojë që « idolin » e ka të rremë, FAKE. Që ajo e cila shihet e dëgjohet s’është e verteta.
Mos u habisni nga filtrimi, shikojini fytyrat e vërteta të atyre që ndiqni. Mos ia besoni fatin një fytyre me filter.
(Statusi është marrë i plotë nga Nezir Kraki dhe pa ndërhyrje nga redaksia.) / KultPlus.com
Pa asnjë gram politikë, shembja e teatrit në Tiranë është sinonim
i shembjes së shtetit shqiptar që kurrë s’u ngrit në lartesinë e dinjitetshme
të vendit të shqiponjave.
Sot nuk bëhët fjalë për teater por për një truall ultra
strategjik për ata që e sollën Ramen në pushtet dhe që e izoluan Shqipërinë kur
ajo ishte në prag të daljes nga kafazi. Shqipërinë dhe teatrin i shembin ata që
janë më të fortë se shteti. Teatri i Tiranës është thjesht çështje biznesi
milionesh me pronat, pallatet, lokalet dhe banimet që do dalin nga ky projekt.
Këtu ka çdo lloj halli por jo hall artistik.
Miq të dashur, Tirana i ka 1001 halle bazike me të cilat
përballen qytetarët e saj. Tirana nuk ka as hyrje as dalje të denja për një
kryeqender. Tirana nuk ka ujë as drita si duhet. Nuk ka as kanalizime si duhet.
Nuk ka as parkingje si duhet. Thjesht, Tiranës i mungojnë të gjitha
infrastrukturat qe jetën e bëjnë normale. Është qytet i asfiksuar nga ndërtimet
e mbindërtimet. Qytet i çrregullt në çdo element të tij.
Me fjalë tjera, Tirana nuk është fare qytet. Është zonë
gjeografike e pakufizuar, me popullsi të panumëruar, me banime të
paregjistruara, me rrugë të pasigurta, me adresa të panjohura… veç Kinshasa
dhe Tumbuktu i afrohen Tiranes për nga çrregulli.
E tash, nëse kjo është Tirana dhe këto janë hallet e
qytetarëve të saj, si mundet mendja e shëndoshë ta kuptojë idenë apo nevojen e
shembjës së teatrit?!
Çka i sjell konkretisht kjo Tiranës? A krejt janë rregulluar
deri te teatri?
A do kalojë aty ndonjë metro moderne apo kjo prishje është pjese e nje plani
strategjik global për Tiranën e denjë?!
JO! Është thjesht plan banditesk lokal që bosht strategjik ka parcelen e tokës
në zemër të Tiranës. Ndryshe nuk kuptohet kjo urgjencë për shembje.
Fatkeqesisht, shteti bandit dhe autoritar rrëzon edhe shtepi
e spitale, edhe kisha e xhamia, por asnjëherë nuk do ta rrëzojë përpjekjen tonë
për dinjitetin e dhunuar të vendit të shqiponjave.
Prandaj, miq t’dashur, lini anash partitë dhe bandat,
mendoni një minutë për të nesërmen. Kush do shkojë në Teatrin e ri pallat dhe
cilin spektakël do ta shikojnë fëmijët tuaj?
Me këtë cikël të poshtër, i vetmi spektakël që do shikohet
aty, do jetë ai i një populli të pashpresë të dhunuar deri në dinjitet nga
matrapazë politikë që kurrë s’u ngopen.
Pa politikë, të gjithë kundër shembjes së Shqipërisë. / KultPlus.com
…ti je krejt çka ëndërron një mashkull me pasë. Je krejt çka kam ëndërru gjithë jetën të kem. E tash që t’kam, më duket se ende jam në ëndërr.
Je e përkryera e shëndrruar në femër.
Ti nuk e di çfarë force ke. Buzëqeshja jote, bukuria jote, freskia e syve tu, sharmi yt hyjnor, pafajësia jote, butësia jote, droja jote, janë të gjitha burime të pashterrshme lumturie. Janë burim i lumturisë sime sa herë gjendem pranë teje.
Nuk ka germa, fjalë e fjali që mund ta tregojnë atë që je ti, atë që unë shoh tek ti. Je thjesht më e bukur se çdo gjë që gjuhët mund ta përshkruajnë. Je heshtje që flet, je frymë që gjallëron trup e shpirt. Je më e thjeshta që njihet, më e veçanta që takohet, më e ëmbla që shijohet. Prandaj jam i paaftë ta sqaroj besnikërisht atë që je se, siç do thoshte poeti i madh francez René Char, si mund të tregohen gjërat e thjeshta pa u tradhëtuar?. Nuk dua ta tradhëtoj atë që je. *** S’kam shumë sqarime për këtë veç e di që ndjesitë e mia më të thella, më sekrete, më fisnike dhe më të rralla, kanë ardhë drejt teje dhe veç po rriten. Jam dorëzuar tashmë, s’mund t’i ndaloj më dhe as që turpërohem nga ky dorëzim. Në fakt, çuditem me veten time sepse kurrë s’kam besuar që mund t’ekzistojë një person aq i denjë, aq i thjeshtë e aq i plotë në këtë botë të vrazhdë dhe hipokrite.
Ti je ai person.
Ti nuk e di sa e rrallë je në këtë planet. Ti je sinonim i vlerave më të shtrenjta që njeriu duhet t’i ketë. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, je edhe sinonim i sharmit absolut që një femër mund ta rrezatojë me krejt pafajësinë e saj. Je kombinimi më i rrezikshëm i mundshëm por unë e dua rrezikun. E urrej jetën që shikohet. Vdes për momentin që jetohet.
Shpesh mendoj të të nervozoj me kast veç me e zbutë pak atë dozë të pamatshme sharmi me të cilin më pushton. Kam frikë nga vdekja e parakohshme edhe pse s’do kishte vdekje më të bukur se vdekja nga sharmi yt. Por s’e bëj dot. Nuk dua ta lëndoj atë buzëqeshje, ta trishtoj atë pafajësi. Dua të jem edhe unë burim lumturie për ty, ditë e natë. Atëherë, më lejo të jem regjisor i ëndrrave tua që të sigurohem se edhe mengjesin e nis me buzeqeshje.
Është totalisht e pakuptueshme dhe e papranueshme tendenca e disave (sidomos nga Vetvendosja) për ta relativizuar dhe zbehur rolin e aleatëve tanë dhe të NATO-s në çlirimin e Kosovës.
Mohimi i fakteve për arsye ideologjike është qasje e sistemeve që Evropa i ka provuar gati një shekull rresht. Sisteme të cilat vazhdojnë të lavdohen dhe të rikujtohen si shembuj të barazisë së popujve.
Përralla të thata!
Po si mund të zbehet roli i Amerikës në përkrahjen e përpjekjeve tona për liri? A ia vlen që për antiamerikanizem anakronik dhe për qefbërje lindore të tregohemi mosmirënjohës ndaj atyre që na dolen krahë në momentet kritike që kishim?
Natyrisht që Jo!
Krahasimi në mes UÇK-së dhe NATO-s është idiot. Vlerësimi i njërës nuk ia humb meritat tjetrës. Të dyja kanë peshë dhe meritë në këtë liri edhe ashtu të ripushtuar nga bandat.
Edhe mohimi i shtetit paralel të viteve 90 është njësoj i palogjikshëm dhe me tendeca ose ideologjike ose partiake. Në konferencën që kisha në Paris, një profesor belg, pas prezentimit tim, më pyeti lidhur me intervenimin e NATO-s. Profesori belg e konsideroi si të padrejtë.
Unë i thash që ai intervenim ishte i drejtë dhe i vetmi që dha sukses të qartë (krahasim me Libi, Siri, Iran etj.) sepse kur lufta dhe intervenimi ndodhen, populli i Kosovës e kishte një projekt të përbashkët, të qartë dhe të dëshiruar. Ai projekt, që ishte në fakt vetëdije dhe përpjekje për liri, u forcua gjatë vieteve 90 dhe morri fizionomi të identifikueshme edhe nga aleatët. Në Libi e Siri nuk kishte projekt të përbashket të popujve përkatës. Prandaj deshtuan intervenimet, dështuan amerikanët.
Tash a duhet, me idenë që të realtivizohet figura e Ibrahim Rugovës, të zbehet komplet përpjekja faktuale, organizative dhe vetdijësuese e projektit të përbashkët të viteve 90?
Mendoj që Jo!
Mendoj që është koha të kalohet në televizor me ngjyra dhe të dilet nga shembujt e sistemeve që nuk funksionuan në asnjë cep të botës. Përndryshe kam frikë se disa n’Kosovë e n’Shqipëri janë në prag të overdozes nga librat e mendimet e Zhizhekut. Dilni pak edhe nga autorë tjerë që e mendojnë konkreten se abstraktja mund ta kënaq shpirtin por nuk ta ndreq jeten.
Kosova ka halle tjera, ato s’janë ideologjike. Njëri ndër hallet e Kosovës është ruajtja e aleatëve. Në s’jemi Kinë as Rusi që të kemi lluks ideologjik dhe t’i shesim mend Parisit ose Washingtonit.
N’luftë me injorancën kolektive (A e urren Zoti gjuhën shqipe?)
PO! Mendoj që Shaqiri në aspektin fetar është injorant sepse nuk
e kupton as praktikën e tij fetare dhe as fjalët arabisht që ia drejton
adhuruesve të tij anglezë e botërorë. Për dallim nga Salah (arab nga Egjipti)
që i drejtohet publikut në anglisht me respekt dhe motivim, Shaqiri e sheh të
nevojshëm rikujtimin e etiketës së tij fetare edhe kur fiton ligen e kampionëve.
Se Shaqiri dhe shumë komita tjera
injorantësh këtu në arenën gjigante të Mark Zuckerbergut, mendon se Zoti kupton
veç arabisht se ashtu i ka thënë dikush. Unë jam nga ata që nuk janë bindur se
Zoti e urren gjuhën shqipe dhe jam në përpjekje të përhershme për mirëmbajtjen,
forcimin dhe respektimin e gjuhës sonë.
Për ata që kanë google dhe dy
neurone në gjendje aktive në kafkë, mjaftojnë dy klikime për ta kuptuar që
folës të gjuhës arabe sot janë diku rreth 400 milionë persona nga 7,8 miliardë
sa mendohet se jetojnë në planetin Tokë. Tash sa duhet të jetë thellësia e
injorancës tek ata që mendojnë se Zotit i flitet veç arabisht kur dihet që
shumica absolute e pjesëtarëve të fesë islame nuk flasin arabisht dhe nuk janë
arabë.
Pas publikimit tim mbrëmë, sikur
u aktivizua liga e injorancës kolektive dhe u harrua liga e kampionëve.
Endacakë të Zckerbergut dhe analistë e analiste të portaleve 6 mujore, zbriten
në arenë me shpata n’dorë në mbrojtje të fesë që unë sipas trurit të tyre të
ngrirë e kisha ofenduar kur kërkova përshëndetje SHQIP nga Shaqiri. Unë i
kuptoj, prandaj i vajtoj çdo mëngjes dhe e di mjerimin intelektual në të cilin
jetojnë të tillët. Janë të njëjtit që i denoncova para disa ditëve kur thash se
e shihnin ramazanin si luftë dhe vitrinë fetare për foto.
E kam thënë edhe më herët që
profili im nuk është klinikë psikiatrike as qendër edukimi intensiv për ata që
“s’kanë pshtim”. Megjithatë unë me sa mundem, edhe kur jam duke
përgatitë prezentim për konferencë shkencore, gjej kohë t’i përgjigjem secilit
që i respekton minimalisht parimet e korrektësisë në debat.
Nuk jam i izoluar në 2km katror
duke fol për Kashmir e për Kolumbi. Jam person i lirë, i formuar me mund dhe pa
asnjë argatllëk ndaj bandave fetare apo politike. Emrin e kam Nezir, trashëgim
të gjyshit por zemrën dhe mendjen i kam shqip të trashëguara nga 3 gjenerata
atdhetarësh që janë vrarë e internuar që shqipja të flitej dhe të mësohej në
trojet tona.
U bëtë ju tash komitat e
injorancës kolektive të vini e të më tregoni se cilën gjuhë e flet Zoti e cilën
duhet ta flas Shaqiri, prindërit e të cilit e kanë lënë Kosovën të shtypur nga
ata që e urrenin shqipen.
Për portalet ushqyese të
injorancës që e bënë lajm reagimin tim duke ia devijuar esencë, s’kam koment se
niveli i tyre intelektual nuk e kupton as komentin tim.