Nezir Kraki porosi për Xherdan Shaqirin: Ke mjaft pasuri që ti blesh dy libra shqip

Nezir Kraki

Lajm i mirë që një shqipe me fitu ligen e kampioneve.

Lajmi do ishte edhe më i mirë sikur kjo shqipe ta falenderonte Zotin në shqipen e origjinës, në gjermanishten e strehimit apo në anglishten e fitimit.

Sinqerisht, pa asnjë qëllim me polemizu, mendoj që Shaqiri ka mjaft pasuri sa me ia ble vetit 2 libra shqip e pse jo me e financu një qendër ku mësohet shqipja në Zvicër.

Zoti nuk i do injorantët edhe kur ata flasin arabisht./KultPlus.com

Samiti i Berlinit, shpërfaqje e çoroditjes sonë

Nga Nezir Kraki

Fatkeqësisht, sot në Berlin shqiptarët përfaqësohen nga ajka e injorancës dhe e banditizmit në politikë. Thaqi dhe Rama janë në anën e strategjisë serbe për shpërfytyrimin e jashtëm të Kosovës dhe invalidimin e saj të brendshëm, derisa argatët e tyre janë aty veç për foto, për bartje të çantave dhe për komplimente të stilit “bravo shef, shumë mirë ke folë”.

Nga paria jonë e gërditshme në Berlin duhet të veçohet kryeministri i Kosovës i cili, edhe pse me një dreq e gjysë gabime n’Prishtinë, vazhdon t’i rezistojë dyshes Thaqi-Rama dhe ta pengojë me aq sa mundet pazarin e tyre me vëllain tashmë paqësor Vuçiq.

Berlini e di që pasagjerët e ‘AirPacolli’ nuk kanë as strategji as synim për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje në favor të popujve tanë. Berlini e Parisi e dinë mirë që Shqipëria nuk po bëhet nga politika-krim dhe bandat me kravata që orbitojnë rreth Edi Rames. Berlini e Parisi e dinë fort mirë poashtu që Thaqi ynë të vetmin hall e ka faktorizimin e tij personal dhe evitimin e qelisë.

Në këtë konfiguaracion, aleatët tanë janë në hall se si ta bindin Thaqin që Kosova është çështje e kryer dhe si ta bindin Ramen që të merret me sigurinë e Rinasit dhe të qëndrojë larg ideve megalo-erdoganiste të pushtetit me përjetësi.

Merreni me mend një sekondë se si duhet të ndihen Merkel dhe Macron kur ta konstatojnë sot se Thaqi, Rama e Vuçiqi janë në një vijë ndërsa R. Haradinaj në një vijë tjetër. Merkel dhe Macron tash duhet të ballafaqohen edhe me Mogherinin dhe funksionarët tjerë të sklerozuar të Brukselit të cilët kanë 20 vite që s’e kuptojnë Kosovën.

Fati ynë është se Gjermania e Franca e dinë shumë mirë kush janë këta pazarxhinj të kapur nga bandat dhe të prekur nga virusi i « figurës historike ».

Le të dihet e të thuhet se Kosova sot në Samitin e Berlinit ka më shumë armiq se miq dhe armiqtë më të fortë të saj janë shqiptarë. / KultPlus.com

‘Sonte s’dëgjohet Zonja e Parisit’

Nga Nezir Kraki

Kambanat e Notre Dame nuk dëgjohen më. Dritat anësore që kalimtarit ia mundësonin panoramën e skultuar ndër shekuj në fasadat e saj sonte nuk ndriçojnë. Parisienët e turistët të pafuqishëm e shikojnë Zonjën e Parisit të mbuluar nga tymi dhe errësira. Disa i këndojnë, disa tjerë e vajtojnë, të gjithë e admirojnë. Loti është krejt i natyrshëm sonte.

Nuk mund të përshkruhet pesha e këtij monumenti në historinë, kulturën, kujtesën dhe zemrën e çdo parisieni, çdo francezi, çdo evropiani e çdo botërori. Gjithmonë ka qenë më shumë se katedrale, më shumë se monument, më shumë se vend lutjesh. Ka qenë zemra dhe fryma e këtij qyteti, e këtij vendi.

Ka qenë muzë kryeveprash botërore. Me shekuj inspiroi kolosë të artit e letërsisë. Victor Hugo sonte sigurisht rrotullohet në Panteonin e të mëdhenjve nga era e djegies që Zonja e tij frymëzuese lëshon.

Çfarë trishtimi!

Asnjë luftë, asnjë ndodhi nuk ia kishte shu dritat kësaj Zonje. Shtatë shekuj u ndriçua me pishtarë, një shekull e gjysmë me rrymën moderne.

Franca e krijoi. Veç Franca di t’ia rikthejë dritën Zonjës por shpirti i saj do mbetet me plagë. Kulmi i saj kurrë s’do t’i ketë më 1200 pishat e gdhendura në shekullin e 13-të nga dorë mjeshtri që shekulli ynë nuk njeh.

Çfarë errësire në zemër të dritës!

Në zemër të Parisit. / KultPlus.com

Fotografia: Nezir Kraki



Shpresa (e humbur)

Nezir Kraki

Shpresë t’ vetme kishim kohën,
Por edhe ajo na tradhtoi.
U bë me ta, I përkëdheli, I forcoi.

Tash ku të shkojmë ne?

…kur koha s’ na njeh, kur koha s’ na prêt.
Si të shpresojmë prapë kur ëndrra jonë u tret?

Ta lusim kalendarin ta ndalojë atë vrap?
Apo t’i lusim t’ pangopurit të ‘hanë’ më pak?

Është lutje e humbur se ata s’ do ndalen,
Si kalendari me kohën, ata me ne do tallen.

E ku të shkojmë atëherë, rrugë tjetër a kemi?
Ta rikthejmë shpresën…
…apo të mbesim këtu ku jemi?

Paris 19 mars 2019./ KultPlus.com

“Turpërohem ta kujtoj sakrificën e Adem Jasharit për këtë vend që shokët e tij s’e lanë të bëhej”


Nga Nezir Kraki

Sot, në përkujtimin e sakrificës së Jasharajve, kemi ardhë në pikën kur na duhet t’i bindim liderët tanë që ta pranojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe ta respektojnë kushtetutën e saj.

Merreni me mend, u bënë 20 vite që aleatët tanë i thonë Serbisë dhe botës se Kosova është çështje e mbyllur. E fiks, ende pa u mbyllë cikli i bërjes dhe i pranimit të Kosovës, del presidenti i saj dhe i thotë botës ‘jo, Kosova ende s’është kryer, ne do gjejmë kompromis të dhimbshëm me Serbinë’.

Pamendojeni disponimin dhe habinë në Paris, Berlin, Londër e Washington kur disa palaço të pakulturë dhe pa integritet, u thonë diplomatëve aleatë se refreni që ata ia kanë këndu botës këto 20 vite ishte i pasaktë….Se Kosova, ne fakt, nuk është shtet sovran…
…se Kosova ka vendosë ta dëmshpërblej Serbinë për krimet që ajo ka bërë brenda saj. Kosova ka vendosë t’i jep diçka Vuçiqit që ai të mos dal keq përpara popullit të tij. Disa palaço të Kosovës dhe të Shqipërisë janë bindur se Kosova është tiketa e tyre për futje në histori. Jo o idiota, ju n’histori veç jeni futë tashmë por si dhunuesit më të mëdhenj të ëndrrës shqiptare për dinjitet dhe krenari. Jeni futë n’histori tashmë si personazhe të gërditshme me të cilët gjeneratat e ardhshme do turpërohen. S’keni shpresë për riparim se nuk riparohen 20 as 30 vite vjedhje e dështime.

A e shihni miq pse sot unë turpërohem dhe hezitoj edhe ta kujtoj sakrificën e Adem Jasharit për këtë vend që shokët e tij s’e lanë të bëhej. 
Lavdi atij trimi e turp këtij injoranti me shokë. / KultPlus.com

Çka mendojnë ata ministra, zv ministra, koordinatorë, keshilltarë, diplomatë që janë në dijeni se postet e tyre realisht nuk ekzistojnë?!

Nezir Kraki

Shpesh e pyes veten, pa e thënë publikisht, athua çka mendojnë ata ministra, zv ministra, koordinatorë, keshilltarë, diplomatë etj… që janë në dijeni se postet e tyre realisht nuk ekzistojnë?! A e vërejnë athua edhe ata inekzistencen e tyre?!

Ose thënë thjesht, si mundet njeriu të jetojë jasht realitetit? Çfarë e shtyen atë ta « shlyej » veten pa u obliguar nga askush?

Nejse…
Ndoshta edhe ky shekull fiksion do jetë ose, siç do thoshte Michel Onfray, realja ende s’ka ndodhë.

Vaki filozofike..

“Druaj se Ibrahim Rugova, Nënë Tereza, Adem Jashari, e disa tjerë, s’janë për neve”

Nga Nezir Kraki

Fatkeqësisht, disa figura lindin në popuj të gabuar.

Druaj se Ibrahim Rugova, Nënë Tereza, Adem Jashari, e disa tjerë, s’janë për neve.

Ne e zvogëlojmë madhështinë dhe e zbehim dritën. Të parën s’e durojmë e të dytën s’e njohim… Errësirën dhe injorancën i glorifikojmë se brenda tyre jemi komodë, jemi n’siguri. Për të njëjtat arsye suksesi i tjetrit s’na gëzon se na prish rehatinë e errësirës. Na obligon ta rimendojmë mediokritetin kolektiv.

Thjesht, ne ende s’jemi gati as për mite as për figura. Madje më duket që s’jemi gati as për madhështi.

Kjo më trishton. /KultPlus.com

Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që është i zënë rob dhe i shantazhuar nga bandat

Nga Nezir Kraki

Disa megjithatë presin që mësuesit e Kosovës të sillen sikur t’ishin mësues suedezë, d.m.th. pa arsye të forta për grevë, sikur të jetonin në një vend me moral social e politik. Çfarë marrëzie!

Jo o dashamirë, mësuesi i Kosovës ka 20 vite (pas luftës) që shikon i pafuqishëm se si injoranca ia shkatërroi edhe shkollat edhe shtetin. Tash është normale që e njëjta injorancë të mos ia kuptoj hallin.

Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që është i zënë rob dhe i shantazhuar nga bandat që herë i kërkojnë favore « shkollimi » e herë e kërcënojnë me metoda ndëshkimi.

Edhe më zi…
Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që me habi takon ish nxënësit e tij ngelës tash të kravatuar dhe me tituj akademikë, me rroga 5 deri në 10 herë më të larta se të tijën.

Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që është shembull i durimit dhe i qytetarisë në një shoqëri të tejprishur nga apetiti personal.

Po pra, u bënë 20 vite që mësuesi i Kosovës endet kokëulur në shtetin ku shoferi i një kravate injorante çmohet më shumë sesa misioni fisnik i transmetimit të dijes.

Merreni me mend, sot fati i mësuesit është në dorën e ngelësve të tij, në dorën e kravatave injorante që shkollën e shohin si humbje kohe.

D.m.th., sot, mësuesi është i obliguar t’i kërkojë ndihmë dhe mirëkuptim injorancës.

Çfarë tmerri! /KultPlus.com

Nezir Kraki: Fjalori Enciklopedik i Kosovës nuk i meriton as 50 centë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës së fundi ka publikuar Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, në dy vëllime me 1,818 faqe, ku janë përfshirë tekstet e rreth 6,000 zërave, të hartuar nga 506 autorë, një vepër kolektive e hartuar nga profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: gjeografi, histori, ekonomi, shkenca politike dhe juridike, albanologji, arkeologji, shkenca sociale, mjekësi, shkenca të natyrës dhe shkenca teknike, letërsi, informim, muzikë, arte figurative dhe arte skenike, sport dhe trashëgimi kulturore.

Mirëpo, në lidhje me këtë fjalor ka reaguar profesori Nezir Kraki, i cili viteve të fundit ligjëron në Paris. KultPlus ju sjellë më poshtë reagimin e plotë të Nezir Kraki.

Sapo e hap Fjalorin enciklopedik të Kosovës menjëherë e vëren se ai vërtetë është i Kosovës. Aty gjen:
– profile mitomanësh
– lavdi të trafikuar
– intelentualizëm të blerë
– pasaktësi në tregime
– joseriozitet në kërkime
– klientelizem ‘shkencor’ (veç ne e njohim këtë disiplinë)
– krijues të vetshpallur
– argatë politikë
– histori të rreme
– etj. etj…
Jo 50€ por as 50 cent nuk i meriton ai kompilim tallava i një shoqerie paushall.
Akademia ka rol ‘ndreçës’ në shoqëri, nuk duhet ta përqafojë të keqen kolektive. Nejse…cila akademi? Ne s’kemi shkolla as universitete./KultPlus.com

Krejt mund të durohen, por intelektuali argat i dreqit s’ka durim as sqarim

Nga Nezir Kraki

Mendjet e liga…

Krejt mund të durohen dhe ndoshta edhe të sqarohen por intelektuali argat i dreqit s’ka durim as sqarim.

Për fatin tonë të zi, populli ynë ka prodhuar shumë të tillë gjatë historisë dhe ende vazhdon të « prodhojë ». Intelektualë që gjenden diku në mes mediokritetit dhe lakmisë.

Disa e bëjnë për famë, disa për para, disa për karrierë e disa tjerë veç hajt, sa për t’bërë dëm. Disa janë argat jashtë, disa brenda. Në çdo qytet të botës takon shqiptarë të tillë.

Disa e kanë traditë t’i shërbejnë dreqit, disa i tradhton moderniteti i lakmisë.

Sidoqofshin, kushdoqofshin e kudoqofshin, emërues i përbashkët i tyre mbetet mungesa e guximit për dinjitet.

Mendjet e liga…

‘Shpresa e vetme e Kosovës është populli i saj i pashpresë’

Nezir Kraki

Shpresa e vetme e Kosovës është populli i saj i pashpresë

Krejt sistemet politiko-kriminale, nga diktaturat deri te oligarkitë, program e kanë lodhjen e popullit deri në pikën e pashpresës. Se një popull i kërrusur manipulohet lehte nga varësia dhe nevoja për mbijetesë.

Por është pikërisht kjo qasje që gjithmonë i ka dënuar ato sisteme. Se në fakt, shtrëngimi për kontrollim dhe lodhja për manipulim janë katalizatorët kryesorë të revoltes së brendshme të individit. Dhe, revolta e brendshme individuale, lufta e brendshme për liri dhe dinjitet njerëzor, kthehen pashmangshëm në bazën më solide e revoltës kolektive që synim ka interesin e përgjithshëm.

Populli i Kosovës gjendet sot fiks në këtë pikë: në stacionin e fundit të ciklit të shtrëngimit dhe të lodhjes nga një sistem që s’buron prej tij.

Prandaj nga sot populli ynë duhet të vendosë t’i bashkojë revoltat e brendshme individuale në një revoltë të shprehur bashkerisht.

Sepse veç popujt mund të hapin dhe mbyllin cikle historike.

Para 20 viteve populli ynë e hapte ciklin e lirisë. Sot ai duhet ta mbyllë ciklin e shkaterrimit të ëndrrave, duhet ta mbylle ciklin e pashpresës.

Prandaj nga sot, shpresa duhet të burojë nga pashpresa.

“Në një moment të gjithë u bëmë autorë dhe krijues”

Shkruan: Nezir Kraki.

Në sallonet letrare të fejsbukut vlonin poezitë e shkrimet filozofike. Çdo fjalë, sado naive dhe e keqshkruar të ishte, shpallej fjalë e urtë dhe krenarisht n’publik dilte. Botoheshin edhe libra për t’u fotografuar me to dhe në to, jo për t’u lexuar. Shumë autorë të tillë, nga urgjenca e dukjes intelektuale, s’gjenin kohë as për t’i lexuar librat që mbanin emrin e tyre. Shpërndahej epiteti ‘shkrimtar’ siç shpëndahen bukët e nxehta në furrë.

Por…s’kaloi shumë kohë dhe një lodhje sikur i kapi të gjithë. U hetua që, në fakt, të gjitha krijimet po shkonin huq…sepse s’kishte më lexues. Tensioni u rrit kur u kuptua se madje edhe autorët e denjë për këtë emër kishin mbetë pa lexues. Edhe lexuesit e tyre, duke mos e dalluar lirinë e shprehjes nga liria e krijimit, shkruanin, ishin bërë autorë edhe ata.

Aty u kuptua se cikli ishte mbyllur.
Lufta lexues-autorë nxori fitues autorët.

Gjithë ato shkrime, libra, poezi e krijime mbeten pa u lexuar.

A të bëhëmi prapë lexues dhe t’i shpëtojmë krijimet e mirëfillta?

Jam i bindur se pas leximit edhe ne do shkruajmë më mirë, më thjesht, më shkurt dhe sidomos më sinqerisht.
***

P.s. Realisht, jam fort dakort me guximin e disave. Shume mire nese secili krijon diçka. Krijimi eshte pasoje e mendimit. Ky tekst eshte me shume thirrje per mendim me te gjate e me te thelle para krijimit. Se krijimi nuk do nguti. Keshtu kam lexu diku se as vet krijues nuk jam. Jam lexues.

Nezir Kraki, para 20 viteve refugjat i strehuar në Zvicër, sot ligjërues

Në Universitetin e Gjenevës është mbajtur një konferencë kushtuar Kosovës dhe sfidave te saj, dedikuar 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht me këtë ligjëratë është prezantuar Nezir Kraki, ligjërues në Paris i cili ka folur mbi pikëvështrimet e tij mbi Kosovën, në dekadën e parë si shtet i pavarur.

Por kjo ligjëratë është edhe më e fuqishme, për faktin se Kraki kujton se para 20 viteve ishte i strehuar si refugjat në Zvicër, kurse tashti, prezantohet në këtë shtet në një cilësi tjetër.
Momente nga konferenca kushtuar 10 vjetorit të pavarësimit të Kosovës dhe sfidave të saj në Universitetin e Gjenevës.

Kam mbetë i ngazëllyer nga pritja dhe nga konsiderata që e treguan ndaj meje si organizatorët (Shoqata e studentëve Shqiptarë në Gjenevë) ashtu edhe publiku i vemendshëm që kishte ardhë në numër. Knaqesi e papërshkrueshme kur sheh me dhjetra të rinj nga diaspora të angazhuar në shkollim e në punë, në çdo shkencë dhe në çdo zanat. Nga mjekësia deri të letërsia duke kaluar nga avokatura dhe ekonomia, në secilën fushë sot ka të rinj e të reja të gjakut tonë. Ata janë sot pjesa më dinamike e shoqërisë zviceriane pa e harruar në asnjë moment vendin e origjinës.

Për mua ishte ndjesi e veçantë që si ish refugjat i strehuar në Zvicër para gati 20 viteve, të gjendesha në amfiteatrin e Universitetit të Gjenevës, në cilësi tjetër. Jeta na rezervon befasi të këndshme ndonjëherë, ka shkruar Kraki mbi emocionet që ka marë nga kjo ligjëratë,e cila është përcjellë nga një numër i madh I të pranishmëve./KultPlus.com

Nezir Kraki: Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim

Në Universitetin e Gjenevës, sot duke filluar nga ora 18:30 do të mbahet një konferencë kushtuar Kosovës dhe sfidave te saj në 10 vjetorin e pavarësisë. Ligjërues do të jetë profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki.

Nezir Kraki në një prononcim për KultPlus, ka treguar se do të diskutohet dekada e parë e Kosovës si shteti i pavarur dhe demokratik.

“Në dekadën e parë si shtet i pavarur, Kosova ka arritur ta dëshmojë ekzistencën e saj si në rajon ashtu edhe në botë. Megjithatë, për arsye politike kryesisht të brendshme, ekzistenca e Kosovës si shtet serioz nuk ka shkuar deri në pikën e shpresuar. Ngecjet në bisedimet e pamenduara mirë me Serbinë kanë bërë që shumë shtete ta shohin çështjen e Kosovës si të pambyllur. Kjo na ka kushtuar pastaj me vonesa në rrugën e integrimeve sepse sikur u rihapen tema për të cilat ishte rënë dakord më herët”, është shprehur Kraki, për KultPlus.
Tutje ai thotë se ngërçet politike dhe qeveritë pa programe konkrete zhvillimore kanë bërë që shpresa për rimëkëmbje të zbehet, sidomos tek rinia.

“Në njëfarë formë, tranzicioni u tejzgjat nëse e marrim edhe periudhën e UNMIK-ut plus 10 vite pavarësi. Tash e tutje Kosova s’guxon të kënaqet me ecje, duhet vrapim, vrapim sprint madje për t’i zënë hapat e pabëre. Duhet që urgjentisht t’i ofrohet shpresë dhe dritë në fund të tunelit gjeneratës së parë të pasluftës. Nëse edhe ata zhgënjehen, atëherë ndërtimi i shtetit konsiderohet dështim total. Pavarësinë e kemi, duhet ta bëjmë shtetin”, përfundoi ai për KultPlus./ KultPlus.com

Nezir Kraki: Kur realizoni filma të tillë mos i shfaqni, mos na skuqni n’Paris e n’Berlin!

Të mërkurën në mbrëmje në televizionin e njohur francezo-gjerman ARTE, është transmetuar i sinkronizuar në gjuhën gjermane filmi “Babai”.

Ky film me regji të Visar Morinës i cili trajton fatin e një kosovari në vitet ’90 që migron ilegalisht në Gjermani në kërkim të një jete më të mirë u shfaq mbrëmë me fillim nga ora 23:10 në kanalin ARTE, mirëpo nuk munguan vërejtjet për këtë film që nga përkthimi e deri te përmbajtja.

Profesori shqiptar në Paris Nezir Kraki, publikoi një opinion të tij në rrjetin social Facebook, duke i paraqitur disa vërejtjet, duke nis nga filmi “Babai” e poashtu nuk la pa përmendur edhe filmin “T’padashtun”, të regjisorit Edon Rizvanolli, i cili u dha në Paris para disa ditëve.

Në vijim po sjellim të plotë kritikën e Nezir Krakit:

N’këtë moment film shqip në kanalin franko gjerman Arte. Filmi “Babai” i Visar Morines.
U gezova qe nje film kosovar shfaqet ne Arte por disa verejtje i kam:

1. Filmi ne shqip dmth, me titra ne frengjisht por përkthim/përshtatja duket se eshte bere me fjalor shqip frengjisht, nuk eshte perkthyer kuptimi por fjala. Me shkollë i thonë perkthim ad literam e jo ad sensum. Kjo eshte verejtje e vogel.

2. Klishetë qe gjenden zakonisht ne filmat tane. P.sh. që n’minuten e 10 te filmit paraqitet nje skene ku familja, rreth nje tepsie hane dreke a darke te ulur përtokë. Ok, fjala eshte per vitet e okupimit serb dhe gjendja mund te kuptohet por bile nje sofër te rrumbullaket e kemi pase edhe atehere, kaja nonen. Nejse, tjeterkund e kam hallin. Derisa ata po hanin bukë (femije e gra te pranishëm), papritmas degjohen britma dhe, fiks nje meter afer tyre, shfaqet i zoti i shpise duke e rrahe djalin e vet brutalisht me rryp. Arsyeja? Babai mendon se i biri ia kishte “vjedh” pushken. Ëoë
Une nuk di që skenë e tillë te ketë ndodhë ne familje shqiptare ku brutalizohet tjetri ne prani te femijeve.

Filmi po vazhdon me klishe tjera e mosperputhje qe as imagjinata hollivudiane nuk do t’i pranonte.

Nejse, po ndalem ketu se nuk jam kritik filmi as kineast por mediokriteti dallohet lehte, pa qene ekspert i fushes.

Nuk e paragjykoj punen e regjisorit te cilin s’e njoh por do t’ishte mire qe edhe njerezit e artit te lexojne libra, te informohen, te dokumentohen mbi ngjarjet qe tregojne, thjesht…te jene regjisorë edhe intelektualisht jo vetem teknikisht.

Para disa diteve u shfaq ne Paris nje film tjeter. Filmi “T’padashtun” i cili do ta perfaqesoje Kosoven ne Oscar. Ai ishte film ULTRA klishé, i zbrazur nga çdo kuptim, me narracion te zbehte dhe te pasakte, me paragjykime mbi shqiptarë e serbë, me krejt çka nje film s’do duhej te shfaqte. Këtu regjisori i kishte vendosur ne te njejtin rrafsh tragjik perdhunimet e grave shqiptare nga çetnikë serbë me rregullat tona (te vjetra) zakonore. Kishte shkuar aq larg saqe djali i gruas se perdhunuar ne lufte (dmth femije nga perdhunimi) takohet dhe dashurohet me vajzen e vet perdhunuesit, ne Holandë ku kishin emigruar te dyja palët. Kjo ngjarje totalisht e paimagjinueshme (probabiliteti zero) zhvillohet ne film paralelisht me tregimin se si babai i te perdhunuarës e kishte perjashtuar atë nga shtepia duke mos e lene as ne vajtimin e nenes se saj, vdekur 18-20 vite pas luftes.
Per dialogjet as qe guxoj te flas: gjuha as gegë as toskë, gjuhë bërllog, dialog i varfer pa bisht pa krye…

Nje keshille : kur realizoni filma te tille mos i shfaqni. Knaquni ne sallonet e juja. Mos na skuqni n’Paris e n’Berlin allahile!
Nejse…
nk, kritik ilegal i filmit